Letra e Ajnshtajnit që nisi epokën e bombës atomike

Më 2 gusht 1939, Albert Ajnshtajni i shkroi presidentit të SHBA, Franklin D Roosevelt dhe kjo letër do të rezultonte në projektin ”Manhattan”, një nga shpikjet më domethënëse dhe shkatërruese të historisë.

Rrëfimi dramatik i shfrytëzimit vdekjeprurës të fuqisë atomike, i treguar në filmin “Openheimer” të vitit 2023, mund të mos ishte asgjë më shumë se një letër fantastiko-shkencore, e cila nuk ishte shkruar kurrë në një letër me dy faqe, e datës 2 gusht 1939.

“Puna e fundit në fizikën bërthamore e bëri të mundshme që uraniumi mund të shndërrohet në një burim të ri dhe të rëndësishëm energjie”, shkruhet në një letër drejtuar presidentit të SHBA Franklin D Roosevelt, të nënshkruar me dorë nga fizikani Albert Ajnshtajn.

”Kjo energji mund të përdoret për ndërtimin e bombave jashtëzakonisht të fuqishme”, thekson ai.

Duke shprehur dyshime për vendimin e Gjermanisë për të ndalur shitjet e uraniumit në Çekosllovakinë e pushtuar, letra ishte shtysa për një program kërkimi top-sekret prej dy miliardë dollarësh.

Projekti ”Manhattan” ishte një garë për të mundur Gjermaninë në zhvillimin e armëve atomike.

Projekti trevjeçar, i udhëhequr nga fizikani Robert Oppenheimer, do ta shtynte SHBA-në në epokën bërthamore dhe do të çonte në një nga shpikjet më domethënëse dhe shkatërruese të historisë: bombën atomike.

Më 10 shtator 2024, letra e formuluar me kujdes e Ajnshtajnit do të dalë në ankand në ”Christie’s New York” dhe pritet të arrijë mbi katër milionë dollarë.

U hartuan dy versione të letrës: një version më i shkurtër, i cili po shitet në ankand nga ”Christie’s”, dhe një version më i detajuar, i dorëzuar në Shtëpinë e Bardhë me dorë, dhe tani në koleksionin e përhershëm të bibliotekës ”Franklin D Roosevelt” në Nju Jork.

“Në shumë mënyra, kjo letër shënon një pikë kyçe në historinë e shkencës, teknologjisë dhe njerëzimit”, thotë për BBC Peter Klarnet, specialist i lartë për ”Americana”, libra dhe dorëshkrime në ”Christie’s”.

“Kjo është me të vërtetë hera e parë që qeveria e Shteteve të Bashkuara përfshihet drejtpërdrejt financiarisht në kërkime të mëdha shkencore”, shton ai.

Dr. Bryn Willcock, drejtori i programit për Departamentin e Politikës, Filozofisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin ”Swansea” dhe pedagog dhe studiues në Historinë Amerikane dhe Bërthamore, është dakord.

“Shumica e rrëfimeve historike të origjinës së bombës fillojnë me një diskutim të letrës”, i tha ai BBC-së.

”Përmbajtja e letrës ishte thelbësore për marrjen e veprimeve të drejtpërdrejta nga presidenti Roosevelt”, thotë ai.

Filmi i vlerësuar me çmime ”Oppenheimer”, i cili bazohet në historinë e projektit ”Manhattan”, që i referohet letrës, në një skenë midis Oppenheimer dhe fizikantit Ernest Lawrence, pritet të ngjall interes shtesë në ankand.

“Kjo letër është diçka që ka qenë pjesë e kulturës popullore që nga viti 1945, por mendoj se filmi ‘Oppenheimer’ e solli atë tani për një brez të ri”, thotë Klarnet.

Më 16 korrik 1945, një prototip i bombës, i njohur si “gadget”, u shpërthye me sukses në një shkretëtirë të Nju Meksikos.

Rezultati u prit si me triumf dhe me frikë.

Në këtë ditë, presidenti amerikan Harry S Truman shkroi në ditarin e tij se “ne kemi zbuluar bombën më të tmerrshme në historinë e botës”./atsh/ KultPlus.com

Dorëshkrimi i Ajnshtajnit rreth teorisë së relativitetit shitet për 11,6 milionë euro

Një dorëshkrim nga Albert Ajnshtajn, ku fizikani fitues i çmimit Nobel kishte shkruar teorinë e tij të relativitetit, u shit në ankand në Paris për 11,6 milionë euro, sipas shtëpisë së ankandit ”Christie’s”.

Dokumenti prej 54 faqesh u shkrua nga Ajnshtajni, i cili jetoi nga viti 1879 deri në 1955, së bashku me bashkëpunëtorin e tij Michele Besso, dhe është një nga dy shembujt e vetëm të mbijetuar të fillimeve të teorisë së Ajnshtajnit.

Sipas ”Christie’s”, dorëshkrimi është shkruar mes viteve 1913 dhe 1914 në Berlin dhe Zyrih.

”Ky është çmimi më i lartë i arritur deri më sot për një dorëshkrim shkencor në Francë”, sipas ”Christie’s”, që nuk tha se kush ishte blerësi. / KultPlus.com

Gjeniu më kureshtar që ka parë bota

Albert Ajnshtajni, i cili na fton të reflektojmë për aftësinë tonë për t’u përshtatur ndaj ndryshimit. Një reflektim që na prek thellësisht. Sidomos në këtë moment, në të cilin jemi thirrur për të ndryshuar dëshirat dhe lirinë tonë për një ndryshim të thellë që është e pamundur të kundërshtosh. Por është këtu, thotë Ajnshtajni, që inteligjenca jonë matet.

Masa e inteligjencës jepet nga aftësia për të ndryshuar kur është e nevojshme.

Edhe pse Albert Ajnshtajni kujtohet dhe njihet për kontributin e tij themelor në fizikën moderne, nuk ka dyshim se ai kishte një interes të sinqertë për filozofinë. Qysh kur lexoi një libër të Kantit për herë të parë, Ajnshtajni filloi t’i vendoste reflektimet e tij bardh e zi, duke iu përkushtuar veçanërisht shkrimit të teksteve filozofike. Nuk e konsideroi asnjëherë veten filozof në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, megjithatë në ditët e sotme mbështetemi në maksimumet e tij, pasi mbështetemi në mendimin e një urtësie të madhe të antikitetit.

Albert Ajnshtajni lindi më 14 mars 1879, në Ulm të Gjermanisë nga një familje hebreje. Ishte fëmijë i mbyllur, filloi të fliste me vonesë dhe e kishte të vështirë të lexonte. Metodat e prera mësimore, ku nxënësve nuk u lejohej të bënin pyetje, e bënte atë të ndjehej i burgosur. Me kalimin e viteve fizikani i ardhshëm zhvilloi një dashuri për matematikën. Në Institutin Politeknik të Cyrihut studioi fizikë dhe matematikë. Pas diplomimit, punoi për qeverinë zvicerane si inspektor patentash për shpikjet e reja… dhe më vonë punoi si pedagog në Zvicër dhe Gjermani. Studentët e tij tregojnë, se kishte aftësinë t’i ilustronte idetë e vështira me figura dhe krahasime që i bënin ato shumë të kuptueshme. Gjatë kësaj periudhe, ai filloi punën për teoritë e tij të ardhshme shkencore. Ajnshtaini ishte njeri i thjeshtë, i veshur me rroba të vjetra dhe me flokë që dukeshin të pakrehur…

Ajnshtajni u largua nga Evropa, kur erdhi në pushtet Adolf Hitleri dhe u vendos në Shtetet e Bashkuara, ku vazhdoi punën e tij shkencore në Institutin e Studimeve të Avancuara në Prinston Nju Xhersi. Në vitin 1921, Ajnshtajni fitoi çmimin “Nobel” në Fizikë për zbulimin e ligjit të efektit fotoelektrik. Zbulimi çoi në zhvillimin e elektroteknikës, përfshi edhe radion dhe televizionin. Zbatimi në teknologjinë moderne të zbulimit të efektit fotoelektrik të këtyre viteve çoi në prodhimin e aparatit fotografik digjital, telefonit mobil, satelitët më modernë etj. Ajnshtajni konsiderohet si fizikani me ndikimin më të madh i shekullit të 20-të. Një njeri i shkëlqyer, tmerrësisht i pasionuar pas mistereve të shkencës, zhvilloi teorinë e përgjithshme të relativitetit (e = mc2), që tani konsiderohet si gurthemeli i fizikës moderne.

“Gjëja më e bukur që mund të përjetojmë është misteriozja, nëna e artit dhe e shkencës së vërtetë. Ai, i cili nuk i ka shijuar këto emocione, ai njeri që nuk mund të qëndrojë dy minuta të ëndërrojë apo të pushtohet nga frika, më mirë të vdesë, sepse i ka sytë e mbyllura”, – shprehet Albert Ajnshtajn.

Edhe pse Ajnshtajni dhe teoria e tij e relativitetit ishin shkaktarë të zbulimit të bombës atomike dhe energjisë nukleare me përmasa të papara shkatërruese, gjatë gjithë jetës së tij qe një humanist i vërtetë dhe kundërshtar i rreptë i zbatimit të këtij zbulimi në forcat ushtarake. Po ashtu Ajnshtajni ishte një rebel plot me kontradikta. Ja çfarë mësoi njeriu që u shndërrua në legjendë: “Heretik për disa dhe reaksionar për disa të tjerë, një njeri si të thuash, i mbijetoi vetvetes: “Ju imagjinoni, – këmbëngul ai me autoironi, – se unë shoh me kënaqësi veprën e jetës sime. Por, i parë nga afër, realiteti është shumë ndryshe. Nuk ka as edhe një ide të vetme, për të cilën unë jam i bindur se do t’i qëndrojë kohës”.

E megjithatë, 100 vjet pas zbulimit të të famshmes formulë të relativitetit të përgjithshëm, shkencëtari gjenial vazhdon të kujtohet si një prej mendimtarëve më të mëdhenj të historisë së njerëzimit. Në vitin 1999, në një sondazh të kryer nga revista “Bota e Fizikës”, njëqind fizikanët më të rëndësishëm të botës e kishin zgjedhur në vendin e parë në historinë e kësaj disipline, përpara Njutonit dhe Maksuellit. Mbas marrjes së çmimit “Nobel” në vitin 1921, miti i Ajshtajnit fitoi një popullaritet të jashtëzakonshëm në të gjitha fushat e kulturës: nga muzika (Beatles, Dylon, Clarkson, De Andre), tek kinemaja (Ajnshtajni i Liliana Cavanit), letërsia (“Vajza dhe profesori” i Jean Carriere, “Ëndrrat e Ajnshtajnit” i Alan Lightman), – nga opera (“Ajnshtajni në plazh” i Philip Glass), deri tek piktura (mendoni për sasinë e portreteve të realizuara nga Andy Warhol).

Ajnshtajni, mistik dhe laik, pacifist dhe ideues i bombës atomike, konservator dhe progresist, realist dhe ëndërrimtar, vetmitar dhe njeri i shoqërueshëm, egoist dhe altruist, krenaria e Shteteve të Bashkuara dhe njeri i vëzhguar nga FBI-ja, Ajnshtajni ia ka dalë gjithsesi që të heqë nga vetja çdo lloj etiketimi të ngurtë. Po ashtu bëhet një “mbështetës shumë i flaktë i mendimit të lirë, me përshtypjen se të rinjtë gënjehen qëllimisht nga shteti me mësime të gënjeshtërta”. Në fakt, “një qasje dyshuese kundër çdo lloj autoriteti”.

Mbi këto baza solide, të karakterizuara nga lufta kundër çdo lloj dogme dhe autoriteti, i riu Ajnshtajn hedh bazat e pasionit për studimin e të vërtetës, që do të jetë shenja dalluese e gjithë jetës së tij. Kur mbërriti në SHBA, Ajnshtajnit, si të gjithë emigrantëve të tjerë, i dhanë një pyetësor për të plotësuar. Ndër të gjitha pyetjet të cilave i duhej dhënë përgjigje, njëra pyeste: “Cilës racë i përkisni?”. Dhe ai iu përgjigj: “Racës njerëzore”.

Thënie:

– Eksperienca më e bukur që mund të kalojmë është misteri. Është emocioni themelor që qëndron në djepin e artit dhe shkencës së vërtetë.

– U jam falënderues atyre që më thanë jo. Për shkak të tyre, po e bëj vetë.

– Pa pasur njohuri nuk mund të shpikësh, ashtu si nuk mund të thurësh vargje pa ditur gjuhën.

– Ashtu siç zgjerohet rrethi i diturisë sonë, ashtu zgjerohet edhe perimetri i errësirës që rrethon atë.

– Dhurata e fantazisë ka pasur më shumë domethënie për mua se sa talenti im për të thithur dituri pozitive.

– Është arti suprem i mësuesit, të ngjallë kënaqësi në shprehjen kreative dhe dituri.

– Imagjinata është më e rëndësishme se dituria. Dituria është e kufizuar. Imagjinata rrethon botën, duke nxitur përparimin dhe duke i dhënë jetë zhvillimit.

– Në qoftë se Teoria ime e Relativitetit do të jetë e vërtetë, Gjermania do të thotë se jam gjerman, ndërsa Franca do të thotë se jam qytetar i botës. Nëse teoria nuk do të jetë e vërtetë, Franca do të thotë se jam gjerman, ndërsa Gjermania do të thotë se jam hebre.

– Është më e lehtë të thyesh një atom, sesa një paragjykim.

– Derisa të ketë njerëz do të ketë luftëra.

– Çmenduri është të bësh gjithmonë të njëjtën gjë dhe të presësh rezultate të ndryshme.

– Sëmundje shumë e keqe racizmi.

– Kompjuterët janë shumë të shpejtë, precizë dhe budallenj. Njerëzit janë shumë të ngadaltë, shumë pak precizë dhe inteligjentë. Së bashku, përbëjnë një fuqi që e kalon imagjinatën.

– Bota është një vend i rrezikshëm për të jetuar, jo për shkak të njerëzve që veprojnë si djalli, por për shkak të njerëzve që shikojnë, nuk thonë e nuk bëjnë asgjë për këtë gjë.

– Nuk e di se me çfarë lloj armësh do të luftohet në Luftën e Tretë Botërore, por di që në të Katërtën do të luftohet me gurë dhe me shkopinj.

– Ndryshimi midis gjenialitetit dhe budallallëkut është se gjenialiteti ka limit.

– Paqja nuk mund të mbahet me forcë, por mund të arrihet vetëm duke kuptuar njëri-tjetrin.

– Jeta është si të ecësh me biçikletë: në qoftë se do të jesh në ekuilibër, duhet të lëvizësh.

– Nuk e ke kuptuar me të vërtetë një gjë, nëse nuk je në gjendje t’ia shpjegosh gjyshes tënde. / Konica.al / KultPlus.com

Ajnshtajn pikturohet në murin e shkollës nga nxënësja Djellza Isufi (FOTO)

Fotografi dhe thënie të ndryshme nga fizikanti Albert Ajnshtajn, shihen ngado, por si pikturë murale, sidomos në vendin tonë kjo gjë është e rrallë.

Një ide të tillë e shprehi dhe realizoj Djellza Isufi, nxënëse në Gjimnazin “Hamëz Jashari” në Skënderaj.

Ajo vendosi të pikturonte figurën e Albert Ajnshtajnit pasi që është në gjimnazin e shkencave, dhe sipas saj qëllimi ishte të lidh artin me shkencën, për t’iu përshtatur profilit të shkollës.

Kjo pikturë murale me dimensionet afërsisht 2.50 metra e gjatë dhe po aq e gjerë, i mori rreth një muaj kohë Djellzës që ta punonte, dhe se ende nuk e ka finalizuar.

“Puna ka filluar një muaj më parë, por nuk ka qenë intensive, sepse i kam vijuar mësimet, punën e kam zhvilluar para orarit mësimor, rreth tre orë në ditë”, tha Djellza, nxënëse në klasën e XI-të.

Djellza tregoi se pasionin për art e ka që prej moshës katër vjeçe, kur edhe zbuloj se kishte këtë talent.

Nga atëherë, ajo ka qenë e përkrahur nga familja dhe shoqëria e saj. Ajo tha se shkolla e ka mbështetur me lëvdata dhe mirënjohje.

Ndër të tjera Isufi tha se mund të bëjë shumë punime të tjera, të llojeve të ndryshme, murale, portret me laps, me ngjyra, me të cilat ka zënë edhe vendin e parë në garat komunale, ndërsa të dytin në nivel republike për kreativitet dhe mendim kritik.

“Punoj të gjitha zhanret e artit figurativ, mirëpo më të përsosura i kam portretet. Mundem edhe të nxjerrë portrete drejtpërdrejt”, tregon 17 vjeçarja.

Diellza shprehet se përveç aktiviteteve në shkollë, dëshiron të marrë pjesë edhe në evente të tjera jashtë shkollës dhe qytetit, që ta sfidojë veten më shumë, sepse është në proces të formimit.

Sa i përket të ardhmes së saj, mendon se nga piktura nuk do të ketë të ardhurat e mjaftueshme.

“Realisht, unë e dua shumë pikturën, por jam duke e shqyrtuar si mundësi t’i ndjek studimet në dizajn grafik, për të pas më shumë mundësi punësimi”, tregon Djellza.

Gjithashtu, profesoresha e Artit Figurativ, Remzije Shabani Beqa, tregon se me Djellzën punon që prej klasës së VI-të, dhe e ka vërejtur talentin e saj me paraqitjen e vijave të lirshme artistike dhe formave shumë të sakta në krahasim me moshën që kishte.

Mësimdhënësja thotë se është munduar ta përkrahë gjithmonë Djellzën, duke ia marrë punimet e saj si shembull dhe duke i diskutuar në klasë. Por, edhe duke e angazhuar në ekspozita që mbaheshin në shkollë dhe në gara të ndryshme.

“Është një ndjenjë jashtëzakonisht e mirë kur e shoh Djellzën duke punuar në talentin e saj, i përjetoj shumë sukseset e saj dhe te gjithë nxënësve të tjerë që kanë pasion për artin”, tha Shabani Beqa.

Drejtori Hajdar Beka thotë se i përkrahin këta nxënës me talent herë pas here me bursa të cilat i jep Drejtoria e Arsimit në Skenderaj, dhe i blejnë gjithë̈ ngjyrat dhe mjetet që u nevojiten, në rastet kur realizojnë ndonjë vepër për shkollën, siç është rasti i pikturës murale të Ajnshtajnit.

Beka kërkon nga Drejtoria e Arsimit që të vazhdon t’i mbështetë nxënësit me mjete financiare, në mënyrë që talentin e tyre të mund ta prezantojnë jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë vendit.

Gjithashtu, drejtori shprehet se kishte qenë ide e mirë të hapeshin edhe ekspozita në këtë komunë, ku pikturat mund të shiteshin, poashtu të organizoheshin më shumë gara në nivel republike dhe regjionale, duke i motivuar më shumë nxënësit.

Ndërkaq, Gjimnazi “Hamëz Jashari”, punën e filloi në vitet 1967/68 në kuadër të Gjimnazit të Mitrovicës, për ta vazhduar punën më i pavarur në Skenderaj që nga vitet 1969/70.

Aktualisht në këtë gjimnaz vijojnë mësimet 622 nxënës, në dy drejtime, shoqëror dhe atë natyror. / Zelfije Zeneli / KultPlus.com