Poezi nga Azem Shkreli
Ajo që s’e them s’është foshnje që përkundet
Kot së koti dhe rritet. S’është as vala
Që lyp brigje të tjera dhe nuk mundet
Është burim për të cilin digjet etjes fjala
Ajo që s’e them s’është hije. As tehu që hasi
Në gurin e së pathyeshmes dhe u lakua në dëshprim
Dhunë e dhëmbjes është. Klithja që plasi
Kupën e ëndjes sate dhe të durimit tim
Ajo që s’e them s’është kullë e shembur brenda
S’është dënim i dashjes dhe nuk është e huaj
Njerëz e njolla e gjithë ç’ju përmenda
Ajo nuk është guri im mbi varrin tuaj
Ajo që s’e them s’është heshtje. As magjia
E lashtë e saj që ja dimë të fshehura halët
Dhe do t’i trembet kobit të vet zbraztia
Kur të ja flak unë fytyrës leckat fjalët./KultPlus.com