Ajri i ndotur në Prishtinë, gjendja e njëjtë si në Indi e Kinë

Ndotja e ajrit në kryeqytet është e njëjtë me atë të qyteteve të mëdha si Pekin, Mumbai dhe Nju Delhi. Sidomos në dimër, viset urbane përballen me episode të rënda të tymit dhe të mjegullës, të cilat janë të shkaktuara nga rritja e kërkesës për ngrohje, që kryesisht sigurohet nga djegia e karburanteve të ngurta.

Nivelet e tilla të ndotjes së ajrit janë të pasigurta për popullatën e Kosovës prej 1.9 milionë banorë dhe shkaktojnë pasoja të dëmshme shëndetësore.

Ndotja në Prishtinë konsiderohet se vjen nga automjetet, termocentralet në Obiliq dhe ngrohja e familjeve me dru e qymyr, raporton KP.

Pulmologë në vend disa herë kanë kërkuar nga qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi ose të vendosin maska kur të dalin jashtë, e kur cilësia e ajrit është e ndotur. / KultPlus.com

Prishtinës i kthehet ajri i ndotur

Sipas matësit të ajrit në kryeqytet, IQAir, momentalisht ajri është i ndotur dhe jo i shëndetshëm.

Parametrat tregojnë se indeksi i ajrit është 141, ndërsa PM2.5, që është konstantja e ajrit, është 5.2 herë më e rëndë sesa parametrat e OBSh-së.

Gazrat nga makinat dhe djegia e qymyrit për ngrohje konsiderohet të jenë ndër problematikat kryesore të kësaj ndotjeje e cila mbetet e pazgjidhur për vite me radhë.

Sipas IQAir, në këtë lloj ajri, duhen bartur maskat, mbyllur dritaret për të evituar ajrin e papastër, duhen reduktuar aktivitetet në ambiente të hapura dhe të pastrohet ajri përmes aparateve për ambiente të mbyllura. / KultPlus.com

‘Në Ballkanin perëndimor, jemi duke jetuar brenda në një re helmuese’

Vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë cilësinë më të ulët të ajrit në Evropë, prandaj, përfaqësuesit e kampanjës “Ballkani i Bashkuar për Ajër të Pastër”, u bëjnë thirrje institucioneve kompetente shtetërore dhe qytetarëve në rajon për të parandaluar deri në 13,500 vdekje të parakohshme çdo vit. Shumica e këtyre rasteve i atribuohen ekspozimit të grimcave PM, të cilat prodhohen kryesisht nga termocentralet me qymyr në Ballkanin Perëndimor.

Qytetarët e Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut janë të ekspozuar njësoj ndaj ndotësve të ajrit. Këto burojnë nga termocentralet me bazë qymyrguri dhe fabrikat, ndërsa një nga faktorët kryesorë është edhe teknologjia e vjetërsuar e ngrohjes në amvisëri. “Ballkani i Bashkuar për Ajër të Pastër” thekson bashkëpunimin rajonal si një domosdoshmëri për transformimin e sektorit të energjisë dhe sistemit të mbrojtjes së mjedisit, të cilat do të përmirësonin ekonominë dhe shëndetin publik.

Grimcat (PM) lidhen me sëmundje të shumta, duke filluar nga ato që e prekin zemrën dhe sistemin e frymëmarrjes përmes diabetit, deri në infertilitet dhe kancer. Sa më e vogël të jetë grimca, aq më lehtë dhe më thellë mund të depërtojë në trup. Buxhetet e qeverive nuk parashohin kostot e mëdha të trajtimit të pasojave të ndotjes së ajrit dhe viteve të humbura të jetës, ndërsa autoritetet vazhdojnë me mbështetjen financiare të projekteve në sektorin e qymyrit. Përveç kësaj, substancat dhe përbërësit e rrezikshëm të ajrit nxisin ndryshimin e klimës, përmbytje, thatësira dhe sëmundje që gjithashtu shfaqen si pasojë.

Në një studim të botuar nga HEAL, Sandbag, CAN Europe, CEE Bankwatch dhe Europe Beyond Coal, thuhet se në vitin 2016, gjashtëmbëdhjetë termocentrale me qymyr në Ballkanin Perëndimor, numër i cili mbetet i njëjtë deri më sot, kanë emetuar më shumë dioksid squfuri (SO2) sesa 250 të tilla që veprojnë në Bashkimin Evropian së bashku. Derisa termocentralet në BE janë subjekt i mbylljeve masive, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina mbeten të përkushtuara në planet e tyre për hapjen e termocentraleve të reja.

Në Nëntor 2020, të gjashtë vendet janë angazhuar bashkërisht në Sofje për Axhendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, duke marrë kështu gjithashtu detyrimin për të ndjekur politikat e BE-së dhe marrëveshjen e saj të gjelbër evropiane. Kjo e fundit parashikon arritjen e neutralitetit të klimës, përfshirë neutralitetin e karbonit, deri në vitin 2050. Qymyri po kthehet në një kujtesë të keqe në nivelin global, pasi është bërë më fitimprurëse për të ndërtuar centrale diellore dhe centrale me erë sesa të mirëmbajë shumicën e termocentraleve ekzistues . Pajisjet për prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme po bëhen në mënyrë drastike më të lira. Kompanitë që prodhojnë dhe përdorin qymyr përballen me rritje të shpenzimeve për marrjen e licencave për të lëshuar dioksid karboni dhe në përputhje me rregulloret mjedisore.

Me kampanjën “Ballkani i Bashkuar për Ajër të Pastër”, ata kërkojnë që vendimmarrësit të rifokusojnë politikat e tyre dhe të marrin hapa urgjentë për të zvogëluar ndotjen e ajrit, në përputhje me angazhimet e tyre në Axhendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, të miratuar nga vetë ata vendimmarrës në Sofje më 10 nëntor 2020. Axhenda e Gjelbër për rajonin nënkupton rregullimin e ndikimit ndërkufitar të ndotjes së ajrit, miratimin e strategjive për përmirësimin e cilësisë së ajrit, ngritjen e kapacitetit të sistemeve matëse të cilësisë së ajrit dhe eliminimin total të subvencioneve të qymyrit. Heqja e dorës nga përdorimi i qymyrit për qëllime të prodhimit të energjisë elektrike është masa më e rëndësishme për përmirësimin e cilësisë së ajrit. Për më tepër, zëvendësimi i kaldajave të ngrohjes në familje me zgjidhje më të pastra mjedisore, panele diellore në çatitë e shtëpive dhe ndërtesave, si dhe projekte që ndihmojnë në përmirësimin e efikasitetit të energjisë – janë hapa që mund të kenë gjithashtu një rol të rëndësishëm. Për më shumë informacion mbi kampanjën, mund të kontaktoni Roni Idrizaj, [email protected]. / KultPlus.com