Akademia e Shkencave, konferencë për mbrojtjen dhe digjitalizimin e trashëgimisë kulturore

Institucioni i Antropologjisë pranë Akademisë së Shkencave ka zhvilluar sot një konferencë shkencore me temë “E kaluara në të tashme, ruajtja, digjitalizimi dhe rëndësia e fondeve etnografike dhe arkivave të trashëgimisë kulturore në bashkëkohësi”.

Në këtë konferencë të pranishëm ishin kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Skënder Gjinushi; prof. asoc. Olsi Lelaj, drejtor i Institutit të Antropologjisë; prof.asoc. dr. Ardit Bido, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave; dr. Gentiana Sula (Autoriteti mbi Informimin e Sigurimit të Shtetit); Devis Xhaja, drejtor i Drejtorisë së Arkivave në RTSH, si dhe studiues, arkivistë, kuratorë e përfaqësues të komuniteteve të ndryshme kulturore.

Akademiku Skënder Gjinushi foli për rëndësinë e ruajtjes së koleksioneve arkivore të fondeve të trashëgimisë kulturore dhe arkivave në tërësi në shoqërinë e sotme dhe rëndësinë e digjitalizimit për të zgjeruar aksesin e publikut dhe për të siguruar jetëgjatësinë e koleksioneve etnografike, trashëgimisë kulturore apo dokumenteve.

Gjatë zhvillimit të kësaj konference, u mbajtën referate mbi politikat e ruajtjes së dokumentit arkivor, për punën që është bërë për kalimin nga dokumenti fizik tek ai digjital, konservimin dhe zbardhjen e së vërtetës historike, si dhe për politikat e digjitalizimit në RTSH.

U diskutua për rëndësinë e restaurimit të trashëgimisë filmike shqiptare përkundrejt stigmatizimit që karakterizon artin e krijuar nën diktaturë, dokumentimin dhe regjistrimin e objekteve ne muze. U trajtuan, gjithashtu, disa çështje themelore të arkivave të Institutit të Antropologjisë, e ardhmja e fondeve etnografike, muzeu digjital midis sfidave dhe mundësive, sfidat e ruajtjes dhe digjitalizimit të trashëgimisë kombëtare filmike, etj.

Një çështje me interes ishte rijetëzimi i koleksioneve etnografike në bashkëkohësi. Pjesëmarrësit diskutuan strategjitë dhe metodologjitë për ruajtjen e materialeve etnografike, trashëgimisë kulturore apo dokumenteve. Më tej u fol dhe u diskutua për digjitalizimin dhe ‘open açess’, si dhe për ekzaminimin e iniciativave të digjitalizimit. Në fund, u diskutua për rolin e koleksioneve etnografike, fondeve të trashëgimisë kulturore dhe arkivave në tërësi në shoqërinë e sotme./KultPlus.com

Akademia e Shkencave kujton 80-vjetorin e Çlirimit, Milo: Lufta Antifashiste forcoi pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë

Me rastin e 80-vjetorit të Çlirimit, Akademia e Shkencave organizoi sot konferencën shkencore ndërkombëtare “Në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi nazifashist”.

Konferenca erdhi në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Akad. Gjinushi u shprehu të pranishmëve urimet për festën e 80-vjetorit të Çlirimit të vendit dhe falënderoi organizatorët e konferencës dhe pjesëmarrësit nga Kosova, Maqedonia e Veriut, nga Akademia Ushtarake dhe Akademia e Policisë, etj.

Ai theksoi se, qasja ndaj rolit të shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut, një nga ngjarjet më të mëdha e më tragjike të njerëzimit, ka të bëjë jo thjesht me qëndrimin ndaj një periudhe historike, por me vlerësimin e një prej tipareve më të vyera të një populli, atë të antifashizmit, tipar themelor ky i popujve sot, në botën demokratike.

Më pas prof. dr. Paskal Milo, mbajti kumtesën “Shqipëria antifashiste në anën e duhur të historisë në Luftën e Dytë Botërore”. Ai theksoi se Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe rreshtimi krahas Aleatëve të Mëdhenj të Kombeve të Bashkuara forcoi pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë dhe e shpëtoi atë nga disa përpjekje që u bënë pas lufte për t’i cenuar integritetin territorial dhe ndërhyrjen në punët e brendshme.

Studiuesi italian, prof. Alberto Basciani, foli për figurën e prof. gjeneral Parianit dhe fundin e sundimit italian në Shqipëri (mars – shtator 1943).

Akad. Pëllumb Xhufi mbajti kumtesën “Kolaboracionizmi në Luftën e Dytë Botërore: rasti shqiptar”. Ai pasi bëri një përshkrim të forcave aleate dhe kundërshtare që morën pjesë në luftë, theksoi se dokumente të shumta të pushtuesve italianë e gjermanë, të misioneve aleate anglo-amerikane, të qeverive kuislinge e të organizatave Balli Kombëtar e Legaliteti provojnë qartë se parulla e të ashtuquajturës “Shqipëri etnike” që ata përdorën gjatë viteve të luftës për të përligjur kolaboracionizmin e tyre, ishte thjesht e vetëm propagandë. Në fakt, ata nuk munguan të iniciojnë marrëveshje me qarqet antishqiptare fqinje për përfshirjen e Shqipërisë, pa Kosovën e Çamërinë, si njësi federale në kuadrin e shtetit jugosllav apo të atij grek.

Ne konferencë referuan edhe dr. Roderick Bailey nga University of Oxford, prof. dr. Et’hem Çeku, prof. dr. Sonila Boçi, akad. Hamit Kaba, akad. Vasil S. Tole, prof. dr. Bujar Dugolli, prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi, prof. dr. Irakli Koçollari etj.

Gjatë kësaj konference përmes punimeve shkencore u bë e qartë se shqiptarët zgjodhën rrugën më të drejtë për të rifituar lirinë dhe pavarësinë e tyre, përmes rezistencës antifashiste dhe luftës çlirimtare kundër shteteve pushtuese fashiste.

Shqiptarët për herë të parë me luftën e tyre u imponuan si subjekt e faktor ndërkombëtar dhe nuk lejuan të trajtoheshin si më parë në kulisat e politikës e të diplomacisë të Fuqive të Mëdha që vendosnin për fatin e tyre dhe të Shqipërisë pa i pyetur e duke i nëpërkëmbur. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe rreshtimi krahas Aleatëve të Mëdhenj të Kombeve të Bashkuara forcoi pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë dhe e shpëtoi atë nga disa përpjekje që u bënë pas Lufte për t’i cenuar integritetin territorial dhe ndërhyrjen në punët e brendshme./atsh/KultPlus.com

Cilësia e ajrit për fëmijët dhe pasojat, seminar i Akademisë së Shkencave

Akademia e Shkencave zhvilloi seminarin “Cilësia e ajrit dhe frymëmarrja e shëndetshme tek fëmijët (çerdhe-kopshte-shkolla) dhe ventilimi smart i tyre”.

Seminari u organizuar nga Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Teknike dhe Komisioni i inxhinierisë pranë ASHSH, në bashkëpunim dhe Institutin e Shëndetit Publik. Ishin te pranishem inxhinierë dhe kërkues të fushës, përfaqësues të institucioneve shtetërore nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, Bashkia e Tiranës, Instituti i Shëndetit Publik, pedagogë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe studio profesionale te arkitekturës dhe agjencive politikëbërëse dhe zbatuese të lidhura ngushtë me çështjen.

Akademik Jorgo Kaçani vuri në dukje se ky seminar ka synimin që të japë kontribut për zbatimin e normave dhe standardeve të miratuara që duhen respektuar, dhe jo vetëm të respektohen, por edhe të jenë të detyrueshme e jo vullnetare për t’u respektuar e zbatuar, me synimin për të rritur cilësinë e ajrit dhe teknologjinë e ventilimit në çerdhe-kopshte-shkolla. Në seminar u vu theksi tek monitorimi i vazhdueshëm i parametrave të duhura për të ruajtur cilësinë e ajrit tek fëmijët.

Studimet kanë zbuluar se rreth 98% e shkollave janë në zona që tejkalojnë kufijtë e ndotjes së OBSH-së për PM 2.5, madhësia më e dëmshme e grimcave, krahasuar me 24% jashtë qyteteve.

UNICEF për qytetet europiane vlerësoi në vitin 2018 se një në tre fëmijë po rritej në zona me nivele të larta të grimcave, në total 4.5 milionë fëmijë në qyteza dhe qytete. Fëmijët e vegjël në klasë thithin rreth 100-200 mg/ditë pluhur, rreth 2-4 herë më shumë se sasia e të rriturve.

Hulumtimet gjatë dekadave kanë treguar se cilësia e dobët e ajrit të brendshëm në shkolla ka një sërë efektesh në shëndetin e fëmijëve, në aftësinë për të mësuar dhe performancën akademike. Efektet e gjera dhe afatgjata shëndetësore të ndotjes janë të njohura dhe përfshijnë sëmundjet e mushkërive, sëmundjet kardiovaskulare, infarktin e miokardit, dështimin e zemrës, çrregullimet neurologjike, diabetin dhe kancerin.

Faktorë të shumtë e bëjnë menaxhimin e cilësisë së ajrit në shkolla, një prioritet të lartë për të garantuar shëndetin dhe mirëqenien e nxënësve, stafit dhe performancën arsimore të tyre./atsh/KultPlus.com

Mbyllet tryeza shkencore dedikuar origjinës së shqipes

Albanologët e huaj dhe vendas përfunduan tryezën shkencore ndërkombëtare “Shqipja midis gjuhëve indoeuropiane, origjina dhe lashtësia e saj”, organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Universiteti “Ludwig Maximilian” i Mynihut.

Në konferencë u rikonfirmua ndarja e hershme 6000-vjeçare e shqipes dhe kalimi i paraardhësve të shqiptarëve jo në degëzimin verior përmes stepës, por në lëvizjen lindje-perëndim drejt Gadishullit Ballkanik.

U diskutua gjithashtu çështja e emrit të gjuhës shqipe, kur e mori shqipja këtë emër (Michiel de Vaan).

Ndër dukuritë e përbashkëta gjuhësore që ndajnë gjuhët e “Lidhjes gjuhësore ballkanike” (“Balkan Sprachbund”) mjaft interesante është nyja e prapme shquese që haset në gjuhën shqipe, rumanishte, bullgarishte e maqedonishte. Autori i kumtesës përqendrohet në burimin e kësaj dukurie në këto gjuhë dhe e kërkon te shqipja pikënisjen e këtij procesi ose rolin ndihmës në përhapjen e tij (A. Spiro).

Risi e kësaj tryeze janë studimet e kryera me metoda të reja të kombinuara ndërdisiplinore, që nga njëra anë konfirmojnë rezultatet e arritura prej kohësh nga gjuhësia historike-krahasuese indoeuropiane dhe nga ana tjetër bëjnë hapa përpara në drejtim të saktësimit të kronologjisë relative të dallimit të gjuhëve nga trungu i përbashkët indoeuropian, duke hapur edhe shtigje për kërkime të mëtejshme e debate shkencore. Si një nga gjuhët e shkëputura herët nga ky trung i përbashkët, konfirmohet gjuha shqipe si një nga gjuhët më të lashta në Ballkan, ardhur ndoshta drejtpërdrejt nga rajoni anatolian ose nga stepat pontike.

Në mbyllje tryeza u vlerësua një sukses cilësor dhe shprehje e avantazheve që ofron bashkëpunimi midis albanologëve dhe qendrave e institucioneve kërkimore të tyre./atsh/KultPlus.com

“Shqipja midis gjuhëve indoeuropiane, origjina dhe lashtësia e saj”, tryezë shkencore ndërkombëtare

Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë Krahasuese dhe Indoeuropiane dhe të Albanologjisë, pranë Universitetit “Ludwig Maximilian” të Mynihut organizon tryezën shkencore ndërkombëtare: “Shqipja midis gjuhëve indoeuropiane, origjina dhe lashtësia e saj”.

Kjo veprimtari shkencore do të mbahet sot e nesër (4-5 nëntor 2024), ku do të referojnë mbi 25 studiues nga vendi dhe bota.

Veprimtaria u çel nga Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi.

Tryeza shkencore merr shkas nga arritjet e fundit në fushën e gjuhësisë indoeuropiane, të mbështetura në metoda të kombinuara ndërdisiplinore. Fjala është në radhë të parë për artikullin e revistës amerikane “Science”, me autor Paul Heggarty dhe 33 bashkautorë i cili, duke u mbështetur në të dhënat e gjuhësisë historike-krahasuese, arriti në përfundimin që përcakton një origjinë 8100 vjeçare të gjuhës së përbashkët indoeuropiane, e cila mbas 1000 vjetësh filloi të degëzohet e të shpërndahet. Studimi përfshin edhe gjuhën shqipe, me tre variante të saj, variantin standard, gegërishten dhe arbërishten, ku analizat krahasuese dhe statistikore nxirrnin një shkëputje të hershme 6000 vjet më parë të gjuhës shqipe.

Në konferencë do të referojë autori kryesor i studimit, duke u përqendruar në të dhënat e shqipes. Pritet të konfirmohet ndarja e hershme 6000 vjeçare e shqipes, origjina e përbashkët 8100 vjecare dhe kalimi i paraardhësve të shqiptarëve jo në degëzimin verior përmes stepës por në lëvizjen lindje-perëndim drejt Gadishullit ballkanik.

Kryetari i ASHSH, akad. Gjinushi pasi falenderoi pjesëmarrësit në tryezën shkencore, tha se kjo tryezë është një hap i mëtejshëm përparues në vazhdën e arritjeve të Kuvendit të Dytë të Studimeve Albanologjike, që u organizua në Tiranë tre vjet më parë.

“Studimi që kanë realizuar profesor Paul Heggarty dhe 33 bashkautorët e nderuar në revistën “Science”, duke i njohur shqipes si origjinë të përbashkët e pikënisje të identifikimit të saj, një hershmëri relative prej 6-8 mijë vjetësh zgjoi vëmendjen jo vetëm ndër dijetarët albanologë, duke nxitur interesin te ne që ta ftonim e organizonim këtë dëgjesë me profesorin e këtë diskutim shkencor së bashku me ju që jeni këtu të pranishëm e që na nderoni aq shumë”, tha akad. Skënder Gjinushi.

Sipas Gjinushit, popujt janë të ndjeshëm ndaj origjinës së tyre e të gjuhës së tyre. Interesin e rrit fakti se, çfarë po konfirmohet me studimet e reja jo vetëm që nuk shkon kundër arritjeve të indoeuropeistikës, por vjen në përforcim, saktësim e pasurim të tyre./atsh/KultPlus.com

Akademia e Shkencave e Shqipërisë kremton sot 52-vjetorin

Më 10 tetor 1972, u themelua Akademia e Shkencave të Shqipërisë.

Me dekretin nr. 4993 të Presidiumit të Kuvendit Popullor u themelua institucioni më i lartë kërkimor shkencor në vend, si rezultat i përpjekjeve të palodhura të profesor Aleks Budës, i cili u emërua dhe kryetari i parë i tij. Mbledhja e parë e Asamblesë së ASHSH u mbajt më 25 janar 1973. Midis themeluesve të tjerë që spikatnin krahas Budës ishin: Eqrem Çabej, Mahir Domi, Petrit Radovicka, Kolë Popa etj.

Në fillesat e saj, Akademia kishte 17 anëtarë të rregullt dhe 5 anëtarë korrespodentë. Akademia funksiononte me një varg institutesh të shkencave shoqërore dhe albanologjike, si edhe të shkencave natyrore dhe teknike.

Mes funksioneve kryesore të Akademisë bëjnë pjesë: kryerja e studimeve dhe kërkimeve me karakter teorik e praktik në fusha të ndryshme të shkencave shoqërore albanologjike, natyrore e teknike dhe mundësimi i zbatimit të këtyre studimeve në praktikë, bashkëpunimi me universitetet dhe institucionet e tjera kërkimore dhe organizimi i veprimtarive kombëtare dhe ndërkombëtare që lidhen me shkencën.

Dekreti i themelimit të Akademisë së Shkencave ruhet në fondin e Akademisë së Shkencave në AQSH. Po ashtu, gjendet lista me anëtarët e seksioneve të ASH-së./atsh/KultPlus.com

Marrëveshje mes Akademisë së Shkencave dhe Shërbimit Gjeologjik Shqiptar për projekte të përbashkëta

Mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Shërbimit Gjeologjik Shqiptar nënshkrua sot një marrëveshje bashkëpunimi.

Marrëveshja u nënshkrua nga kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi dhe Adrian Bylyku, drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar.

Kryetari i ASHSH, vuri në dukje se kjo marrëveshje nënshkruhet për zhvillimin e projekteve dhe veprimtarive të përbashkëta në fushën e gjeoshkencave, duke konsideruar si objektiv kryesor të saj rritjen e bashkëpunimit të ndërsjellët ndërmjet dy institucioneve në fusha me interesa të përbashkëta shkencore, me synimin që nëpërmjet kësaj marrëveshjeje të krijohet korniza juridike që lehtëson procedurat për forcimin e këtij bashkëpunimi, në përputhje me interesat e përbashkëta të të dyja institucioneve.

Gjinushi tha se ky bashkëpunim do t’i shërbejë promovimit të kërkimit shkencor, në monitorimin e vlerësimit të tij.

ASHSH do të jetë një qendër aktive e kërkimit shkencor duke afruar pranë saj disa njësi të rëndësishme, siç janë institutet e albanologjisë apo qendra e botimeve enciklopedike albanologjike dhe qendra e biogjenetikës; dhe pikërisht pranë Akademisë së Shkencave funksionojnë edhe disa njësi të përkohshme që kanë për qëllim që edhe në fushat e tjera, dhe veçanërisht në gjeoshkencë, Akademia e Shkencave të thotë fjalën e saj.

Por, për të luajtur këtë rol qoftë të nxitjes së kërkimit, qoftë të koordinimit të kërkimit shkencor, ASHSH nuk mund ta kryejë pa bashkëpunim me institucionet më të rëndësishme në këtë fushë dhe shërbimi gjeologjik për nga tradita, kapacitetet dhe përvoja që ka, e bën të domosdoshëm bashkëpunimin.

Kjo marrëveshje mundëson që të institucionalizohet dhe formatizohet ky bashkëpunim edhe me një kuadër ligjor, i cili është i domosdoshëm edhe për të përcaktuar më qartë format e bashkëpunimit dhe për të mbështetur dhe ligjëruar ndërmarrjen e projekteve të përbashkëta.

Konferencë e përbashkët shkencore mes akademikëve të Tiranës e Prishtinës

Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës u zhvillua konferenca shkencore e përbashkët me Akademinë e Shkencave te Shqipërisë “Zhvillimi i konstitucionalizmit shqiptar 1912-2024”. Nga ASHSH morën pjesë Aurela Anastasi, Kosta Bajraba dhe Ksenofon Krisafi.

Akademike Aurela Anastasi, një nga organizatoret e kësaj konference, mbajti kumtesën me titull: “Kontrolli kushtetues në shtetin shqiptar të pavarur deri në rënien e regjimit monist”. Përmes kësaj kumtese evidentoi zhvillimet e konstitucionalizmit në vitet 1920-24 dhe ndikimin në zhvillimet e mëtejshme. Ajo sintetizoi evolucionin historiko-juridik të parimit të Konstitucionalizmit dhe të kontrollit kushtetues në Shqipëri.

Përmes analizës së dokumenteve të reja arkivore, punimi arrin në gjetje e konkluzione të rëndësishme për zhvillimin e kësaj lëmie.

Për herë të parë paraqitet një periodizim i zhvillimit të kontrollit kushtetues në Shqipëri bazuar në modelet ndërkombëtare. U shqyrtua kontrolli paraprak i kushtetutshmërisë së normave dhe roli i Këshillit të Shtetit (1929-1944) si organ kushtetues që kreu këtë kontroll. U shtruan për diskutim gjetjet mbi përpjekjet e Gjykatës së Diktimit, për të ushtruar kontroll gjyqësor të kushtetutshmërisë. U diskutua perspektiva e ndikimit të ndërsjellë të doktrinës me kontrollin kushtetues./atsh/KultPlus.com

Akademia e Shkencave, marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Arteve

U nënshkrua dje marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) dhe Universitetit të Arteve.

Marrëveshja u nënshkrua nga kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi dhe rektori i Universitetit të Arteve prof. Kastriot Çaushi, në praninë e zëvendëskryetarit të Akademisë së Shkencave akad. Vasil Tole dhe sekretarit shkencor akad. Shaban Sinani.

ASHSH bëri me dije se, marrëveshja e bashkëpunimit midis palëve shtrihet në të gjitha fushat e dijes, me përparësi fushat me më shumë interes të përbashkët, si studimet për artin dhe kulturën.

Palët do të bashkëpunojnë për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta shkencore, si: kuvende, kongrese, konferenca, forume, simpoziume etj. Marrëveshja ka për qëllim rregullimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe midis strukturave përbërëse të tyre./atsh/KultPlus.com

Aktivitet në Akademinë e Shkencave për krijimtarinë e kompozitorit Thoma Simaku

Qendra e Studimit të Arteve pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë organizoi sot lectio magistralis me temë “Con-ri-sonanza” nga prof. dr. Thoma Simaku.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, zëvendëskryetari Vasil S. Tole, drejtues të seksioneve dhe qendrave albanologjike pranë ASHSH, kompozitorë e artistë, muzikantë, si dhe studentë të arteve.

Veprimtarinë e çeli drejtori i Qendrës së Studimit të Arteve, Stefan Çapaliku, i cili tha se “profesor Simaku vjen nga bota universitare britanike, ku ka kompozuar një listë impresionuese veprash dhe ka një numër të konsiderueshëm çmimesh dhe ekzekutimesh ndërkombëtare”.

Simaku është profesor i kompozicionit pranë The Univesity of New York. Ai ka lindur në Shqipëri në Kavajë më 18 prill të vitit 1958 dhe studioi në Akademinë e Muzikës dhe Arteve të Shqipërisë në vitet 1978-1982. U diplomua për kompozicion në Konservatorin e Tiranës, në vitet 1978-‘82 me prof. Tonin Harapin. Punoi si shef muzike në Shtëpinë e Kulturës në Përmet në vitet 1982-‘85. Më pas, punoi në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve në Tiranë, në Seksionin e Muzikës në vitet 1985-‘91. Në vitin 1991 u largua për studime pasuniversitare në The Univesity of New York, në Angli nga 1991-’96. Me David Blake mbrojti doktoraturën në kompozicion. Në vitin 2000 ai u bë qytetar anglez dhe jeton në New York me familjen e tij. Përveç punës si profesor i kompozicionit në The University of New York në Angli, Thoma Simaku ka një aktivitet mjaft të pasur ndërkombëtar.

Kompozitori Thoma Simaku tha në fjalën e tij se “më është bërë një pyetje se si ka hyrë muzika shqiptare në muzikën tuaj, përgjigjja ime është se muzika shqiptare as ka hyrë, as ka dalë, sepse ajo ka qenë gjithmonë aty brenda meje. Dhe unë nuk kam bërë sforcim, që të organizohem; që në dy ditë të javës do të bëjë muzikë nga jugu dhe pastaj në pjesën tjetër do të bëjë muzikë nga veriu. Ajo që është brenda meje, ajo muzikë me të cilën jam rritur, ajo del natyrshëm, se po nuk doli natyrshëm, atëherë krijimtaria do të bëhet e zorshme”.

Buharaja bëri më tej një paraqitje më të zgjeruar të krijimtarisë së Thoma Simakut, ku kujtoi se veprat e tij janë ekzekutuar në festivalet kryesore në mbarë Europën, në Amerikë dhe Japoni dhe janë pazgjedhur nga juri ndërkombëtare, duke e shpallur atë fitues në të paktën 10 edicione të ISCM Word Music Days dhe janë përfshirë në festivale ndërkombëtare.

Buharaja u shpreh se kompozitori Simaku ka fituar shumë çmime ndërkombëtare, si Çmim Nderi në Konkursin Ndërkombëtar “Personalitet Muzikore 2006”, i organizuar nga Shoqata Alexander Tansman për Promovimin e Kulturës, nën patronazhin e Ministrisë së Kulturës të Polonisë. Vepra e tij ‘Arc-En-Ciel’ Koncert për Violonçel dhe Orkestër është një nga pjesët e zgjedhura nga Juria Ndërkombëtare prej 401 kompozitorëve nga 51 vende që morën pjesë në konkurs. Po ashtu është shpallur ‘Kompozitor i Vitit’, nga Akademia Britanike e Kompozitorëve në vitin 1995. Në vitin 1995 vepra e tij “Epitaph” për Orkestër Harqesh u zgjodh nga Juria Ndërkombëtare në festivalin Ditët e Muzikës Botërore në Gjermani. Më pas veprat e tij kanë përfaqësuar Shqipërinë në festivalet e ISCM të viteve 1999, 2000, 2001, 2003, 2004, dhe më 2005 në Zagreb.

Simaku, shtoi ai, ka kompozuar më shumë se 40 vepra, të cilat janë të botuara në Angli nga University of York Music Press dhe Emerson Edtion.

“Muzika e tij është është transmetuar nga stacione të ndryshme radiofonike si Radio-Franca, BBC-World Service, ABC (Australi), ORF (Austri), dhe stacione të tjera në Evropë, e deri në Japoni dhe Brazil. Vepra që ka krijuar një surprizë të vërtetë për publikun dhe kritikën, është “Soliloquy”. Është vlerësuar, gjithashtu, për elegancën dhe tingullin e ngrohtë “Tri këngët shqiptare” e Thoma Simakut. Është vlerësuar pjesa “Imazhet e Detit” e bazuar në muzikën e filmit “Duaje emrin tënd”, si dhe vepra “Radius për 11 Harqe”, por edhe “La Leggiadra Luna” mbështetur mbi një poemë të poeteshës Safo apo versioni i tij i këngës arbëreshe “Moj e bukura More” për piano, violinë dhe violonçel. Po ashtu është vlerësuar edhe “Ulërima” për orkestër harqesh bazuar në pikturën legjendare të Edvard Munch-it, e cila e pati premierën më 2017-ën, performuar nga Orkestra Koncertore e BBC-së, etj”, tha Buharaja.

Ndërsa bëri prezantimin e CD “Soliloquy”IV, kompozitori Simaku foli për motivet e krijimit.

“Universi nuk prodhon tinguj, prodhon zhurma. Tingujt janë elementë kulturorë, kombinuar me vibrimin në kapakun e hapur të pianofortes që qëndron e heshtur”, tha ai.

Simaku kujtoi se i ishte bërë një pyetje se si kishte hyrë muzika shqiptare në muzikën tij. “Përgjigjja ime është se muzika shqiptare as ka hyrë, as ka dalë, sepse ajo ka qenë gjithmonë aty brenda meje. Dhe unë nuk kam bërë sforcim, që të organizohem; që në dy ditë javës do të bëjë muzikë nga jugu dhe pastaj në pjesën tjetër do të bëjë muzikë nga veriu. Ajo që është brenda meje, ajo muzikë me të cilën jam rritur, ajo del natyrshëm, se po nuk doli natyrshëm, atëherë krijimtaria do të bëhet e zorshme.”

Tole e falënderoi profesor Thoma Simakun për ligjërimin dhe i bëri ftesë për të qenë më afër institucioneve dhe kolegëve shqiptarë, duke e konsideruar shumë të nevojshëm bashkëpunimin me të.

Pas diskutimeve, Stefan Çapaliku e falënderoi kompozitorin Thoma Simaku për bisedën fantastike jo vetëm në planin artistik, por edhe për argumentet teknike./atsh/KultPlus.com

Tri vepra të Institutit u promovuan në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë

Pas panairit të vitit të kaluar të librit akademik, që u organizua në Tiranë, edicioni i sivjetmë i këtij panairi po mbahet në Prishtinë. Këtë vit kjo ngjarje po mbahet në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Panairi ka filluar sot dhe do të vazhdojë deri më 26 prill.

Përveç dy akademive, të Shqipërisë dhe të Kosovës, në këtë panair marrin pjesë edhe shumë institucione shkencore dhe arsimore të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Si institucion hulumtues dhe botues i librit shkencor, në këtë panair për herë të dytë po merr pjesë edhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve.

E veçanta e këtij panairi është se, përveç ekspozimit të librave, gjatë tri ditëve të panairit do të ketë edhe promovime të veprave shkencore. Me këtë rast, në ditën e parë të panairit u promovuan edhe tri vepra të Institutit, të botuara së fundmi. Në fillim të këtij promovimi fjalë rasti pati drejtori i Institutit, Dr. Skender Asani, i cili foli në përgjithësi për veprimtarinë hulumtuese dhe botuese të ITSHKSH-së.

Në prani të shumë studiuesve, për veprën “Bisedime mbi “Historin bujqësore të Shqipnis” të autorit Eqrem Bej Vlora referoi historiani Dr. Besnik Rameti, i cili theksoi se bëhet fjalë një vepër të sapozbuluar të një personaliteti të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare të pavarësisë, e cila ka vlerë të madhe historike, por edhe ka vlerë edhe për agronominë e sotme të Shqipërisë. Vepra “Ilegalja shqiptare pararëndëse e rrënimit të Jugosllavisë (I dhe II)”, e përgatitur nga Skender Asani, Sevdail Demiri, Milaim Fetai, Besnik Rahmeti ishte vepra e dytë që u prezantua në këtë panair, ndërsa për të referoi studiuesi Emin Azemi. Ai tha se “Kjo vepër sjell dokumente të rëndësishme të ilegales shqiptare gjatë viteve të fundit të ish Jugosllavisë, që janë vjelë nga Arkivi i Zagrebit, të cilat janë kontribut i rëndësishëm për ta ndriçuar historinë më të re të shqiptarëve në atë periudhë”. Vepra e fundit që u promovua ishte “Shkupi, vetë historia e Kosovës, me autorë Skender Asani, Mehmet Prishtina dhe Albert Ramaj, për të cilën foli studiuesi Dr. Zeqirija Ibrahimi. Kjo vepër është një studim dhe raport i një ish ministri të jashtëm italian, i cili flet për historinë e Shkupit, në veçanti, dhe të Vilajetit të Kosovës, në përgjithësi, në pjesën e parë të shekullit XX.

Promovimi u moderua nga Sekretari Shkencor i Institutit, Dr. Sefer Tahiri./KultPlus.com

Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit midis Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave të Turqisë

Marrëveshja është nënshkruar në përmbyllje të takimit të dytë të akademive të vendeve të rajonit, organizuar para dy ditësh në Stamboll, në mjediset e bibliotekës historike “Suleymaniye”.

Një tryezë bashkëbisedimi parapriu ceremoninë e nënshkrimit nga akad. Skënder Gjinushi, kryetar i ASHSH; dhe akad. Muzaffer Seker, kryetar i Akademisë së Shkencave të Turqisë.

Dy kryetarët theksuan traditat e bashkëpunimit shkencor-akademik, tradita të cilat kanë prirje të zgjerohen përtej fushave të historisë, gjuhës, trashëgimisë; duke përfshirë së fundmi sizmologjinë, nanoshkencën, bioteknologjinë etj.

Marrëveshja përmban drejtimet kryesore të bashkëpunimit të ndërsjellë, prioritetet, mënyrat e mbështetjes buxhetore, kalendarin e realizimit etj. Përveç shkëmbimit të informacionit, botimeve dhe specialistëve, parashihet organizimi i veprimtarive të përbashkëta./tema/KultPlus.com

Salla në Bibliotekën Kombëtare do marrë emrin e historianit rancez, Pierre Cabanes

Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi priti sot në një takim këshilltarin e ambasadës franceze për çështjet e kulturës dhe edukimit, Pierre Raynaud.

Raynaud gjatë takimit shprehu dëshirën për bashkëpunimin me ambasadën franceze në fushën e trashëgimisë kulturore.

Ai foli për organizimin e javës së kulturës franceze, që do të zhvillohet në maj 2024 nën kujdesin e kryeministrit, Edi Rama me bashkëpunimin e ngushtë të ambasadës franceze.

Konkretisht ai bëri një ftesë për organizimin e përbashkët të një veprimtarie të posaçme dedikuar prof. Pierre Cabanes, inaugurimin e sallës “Pierre Cabanes” në Bibliotekën Kombëtare, fondi i së cilës do të shtohet me veprat e prof. Cabanes, historianit dhe arkeologut francez, që dha një kontribut të madh në zhvillimin e shkencave albanologjike.

Salla do te marrë emrin e historianit dhe arkeologut të mirënjohur francez, Pierre Cabanes, jo vetëm për kontributet që ka dhënë në arkeologjinë dhe historinë shqiptare, por edhe në shenjë mirënjohjeje të aktit të tij, që pak kohë para se të largohej nga jeta ia dhuroi bibliotekën e tij Shqipërisë.

Gjinushi u shpreh i gatshëm për bashkëpunimin në organizimin e kësaj veprimtarie.

Ai foli dhe mbi takimin që pati me prof. Cabanes, gjatë vizitës që ky i fundit bëri në Shqipëri në kuadër të Kongresit të Studimeve Albanologjike në vitin 2021.

Gjithashtu, Gjinushi ritheksoi faktin që prof. Cabanes ka një kontribut të veçantë ne zhvillimin e shkencave arkeologjike në Shqipëri e përgatitjen e arkeologëve shqiptarë e për këtë i është akorduar titulli “Nderi i Akademisë së Shkencave”.

Gjatë bisedës u fol edhe për traditën e bashkëpunimit mes Francës dhe Shqipërisë në fushën e arsimit dhe shkencës që nga fillimet e shekullit të kaluar e deri më sot, sidomos nëpërmjet bursave te akorduara nga shteti francez, bashkëpunimit midis institutit te arkeologjisë e shkollave franceze, diplomave të dyfishta që jepen për studentët shqiptarë nëpërmjet bashkëpunimeve midis universiteteve shqiptare e atyre franceze./KultPlus.com

Kryesia e Akademisë së Shkencave diskuton organikat e instituteve të albanologjisë

Organikat, strukturat dhe përbërja e instituteve të albanologjisë, njësi të reja kërkimore-shkencore pranë Akademisë së Shkencave u diskutuan në mbledhjen që u zhvillua së fundmi nga kryesia e ASH.

Të pranishëm ishin anëtarët dhe drejtuesit e grupeve të punës të ngritur nga kryesia për konfirmimin në detyrat që kryejnë të punonjësve kërkimorë-shkencorë. Stabilizimi afatgjatë i strukturave të instituteve do të këshillohet, siç parashikohet në statutin e ASHSH, përgjatë periudhës janar-tetor 2024, me drejtuesit dhe këshillat shkencor të tyre dhe me anëtarët e asamblesë. Akad. Skënder Gjinushi falënderoi grupet e punës për vlerësimin e kujdesshëm dhe objektiv të punonjësve kërkimorë-shkencorë të instituteve të albanologjisë, që do të vazhdojnë normalisht punën në fushat e tyre të kërkimit.

Sipas ASH, me miratimin e organikave dhe të strukturave të tyre, vijuar me emërimet në detyrë, që do të bëhen brenda javës, do të mbyllet faza e parë e integrimit, por periudha kalimtare do të vazhdojë edhe gati një vit, në mënyrë që efektshmëria e punës vetjake dhe institucionale të jetë sa më e lartë.

Akad. Gjinushi theksoi se me ribashkimin e instituteve të albanologjisë vetë institutet rifituan status të ligjshëm e funksional dhe akademisë iu rikthye një e drejtë e përgjegjësi që lidhet me aktin e themelimit të saj, për të kryer para së gjithash misionin e një kryeqendre të albanologjisë jo vetëm brenda vendit. Në vijim ai theksoi që ka çështje të cilat mund të zgjidhen menjëherë dhe të tjera që kanë të bëjnë me ndryshime më thelbësore, që sigurojnë fuqizimin e kërkimeve në disiplinat e albanologjisë dhe që lidhen me strategjinë e vetë akademisë.

Gjithashtu akad. Gjinushi paraqiti në këtë mbledhje projektvendimet për strukturat, organikat dhe përbërjen nominale të trupave akademike dhe tekniko-shkencore e ndihmëse të njësive të reja albanologjike dhe ftoi të pranishmit për diskutim./KultPlus.com

Tingujt e muzikës shënuan festë mbrëmë në Akademinë e Shkencave, sopranoja Besa Llugiqi mahniti audiencën

Vjollca Duraku

Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, të martën mbrëma ka organizuar një koncert festiv në prag të festave të fundvitit me soliste sopranon e njohur Besa Llugiqi e cila u përcoll në piano nga Misbah Kaçamaku, gjithashtu në këtë festë muzikore u prezantuan edhe duo Syzana Jakupi, Alba Muçolli-Dehiri në piano dhe Kori i burrave nën dirigjimin e maestros Rauf Dhomit, shkruan KultPlus.

Në skenën rrethore në të cilën takoheshin dy anët e sallës së akademisë, fjalën hyrëse e mori i ‘zoti i shtëpisë’, akademik Mehmet Kraja, i cili me një fjalim shumë të shkurtër i falënderoi mysafirët për prezencën e tyre, dhe tutje fjalën ja la këngës.

Sopranoja e njohur Besa Llugiqi, ajo e cila ka shkelur shumë skena prestigjioze nëpër Evropë, në këtë mbrëmje u shfaq si një yll i ndritshëm i muzikës dhe hyri në sallën e Akademisë së Shkencave nën përcjelljen e duartrokitjeve të shumta të publikut, ku para profesionalizmit, ishte eleganca e saj ajo që foli e para.

Një fustan i kuq plotë shkëlqim, në një kontrast të bukur me ngjyrën e zezë të flokut të saj, gërshetuar me zërin mahnitës, bëri që akademikët dhe të pranishmit të shijojnë pafund koncertin.

Zëri i sopranos Llugiqi, rrjedhte me një butësi të sinqertë duke dëshmuar natyrshëm një talent të jashtëzakonshëm. Çdo notë ishte një emocion që shpërthente me fuqi, duke kapur zemrën e audiencës dhe duke e çuar atë në një udhëtim të thellë emocional.

Me një repertor të zgjedhur si: Die Nacht- R. Strauss, Ach Lieb, Ich Muss Nun Scheiden- R. Strauss, Vilja’ Song – F. Lehar, Quando Men Vo “ La Boheme”- G. Puccini, Song to the Moon-A. Dovrak, Pace Mio Dio-G. Verdi, sopranoja Llugiqi, me elegancën dhe forcën e saj, rrëfente histori me secilën notë.

Publiku nuk mund të rezistonte ndaj magnetizmit të saj artistik dhe ndjenjave që ajo sillte në çdo interpretim.  

Po me një elegancë të tillë, në skenë u ngjiten edhe pianistet Syzana Jakupi dhe Alba Muçolli- Dehiri. Pasi zunë vendet e tyre, ato nisën të lëshojnë tingujt e parë në sallë. A. Dvorak Slavoi Dance/ OP. 72 NR.2 dhe Slavonic Dance/ OP.46 NR. 7, ishin pikat e përzgjedhura nga kjo duo, që në harmoni të lëvizjes së duarve me njëra tjetrën dhuronin tinguj herë të lartë, të hareshëm, strikt, të shpejt dhe herë të qetë.

Pas kësaj performance, në skenë zuri vend Kori i Burrave nën udhëheqjen e dirigjentit profesionist Rauf Dhomi. Me disa perla shqipe, Kori i dhuroi publikut art mbi dashurinë për atdheun me pikat interpretuese siç ishin: “Nën Skënderbenë”, “Varka” dhe “Të falemi o dhe”.

Të gjitha pikat që u interpretuan, nga publiku që këtë radhë i takonte nivelit më të lartë, u duartrokitën shumë. Kjo gjë ishte reflektuar edhe te vetë artistët e skenës.

Koncerti u përmbyll nga solistja e kësaj ngjarje, nga sopranoja Besa Llugiqi e cila ngriti publikun në këmbë dhe bëri që duartrokitjet të zgjasnin më shumë se zakonisht.

Emocionet e para pas koncertit, sopranoja Besa Llugiqi i ndau me KultPlus. Interpretimin në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ajo e ka quajtur përjetim të rrallë.

“Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme. Profesori Rauf Domi ka qenë ai që më ka ftuar dhe jam e lumtur që isha pjesë e këtij koncerti. Ka qenë sinqerisht një përjetim i rrallë. Më pëlqeu atmosfera, njerëzit e kanë përjetuar dhe unë u mundova të jap maksimumin tim në këtë aspekt. Besoj që ka qenë një program interesant për ta dhe jemi munduar të prekim një repertor pak më të gjerë, kështu që po shpresoj që e kanë shijuar”, ka thënë sopranoja Llugiqi.

Ndërsa  pianistja Alba Muçolli -Dehiri u shpreh e lumtur për interpretimin e saj në koncertin e mbrëmshëm, ku mbi të gjitha në këtë fundvit shpalosën punën që kishin arritur ta bëjnë gjatë tërë vitit.

“Është jashtëzakonisht kënaqësi e madhe për ne si artistë që të marrim ftesa të tilla, në veçanti nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës që të performojmë dhe të jemi pjesë e eventeve të tilla, pra koncerteve përmbyllëse apo koncerteve festive të vitit të ri, sepse edhe puna jonë shpaloset. Pra gjithmonë është kënaqësi që këto vepra apo këtë punë që ne i bëjmë gjatë vitit, t’i ndajmë me publikun artdashës”, ka thënë pianistja Muçolli- Dehiri, e cila më tej u shpreh e lumtur që së bashku me kolegen e saj Syzana Jakupi, interpretuan vepra të përzgjedhura me një shije të hollë, të cilat publiku i priti jashtëzakonisht mirë.

Ndërsa dirigjenti Rauf Dhomi, tha se ndihej shumë i kënaqur me performancën e Korit të Burrave që interpretoi nën dirigjimin e tij, e veçanërisht me performancën e sopranos Besa Llugiqi të cilën e quajti: “Primadonë të Ballkanit”.

“Ky koncert është i dedikuar për primadonën Besa Llugiqi, besoj që është një nga këngëtaret më të mira që ka pasur Kosova, dhe besoj që në 10 vitet e ardhshme është Primadonë, gjithsesi unë uroj të mos jetë kështu si them unë dhe të dalin edhe të tjera sikurse Besa në skenë”, tha Dhomi teksa tutje përshkroi edhe interpretimin e Llugiqit.

“Një tingull shkon lartë në kupë të qiellit dhe zbret në cep poshtë, tri oktava poshtë, është sikur të biesh nga një lartësi e madhe 12 katëshe dhe të mos lëndohesh fare. Ka një ngjyrë të mahnitshme të zërit, është shumë e larmishme, nuk është e njëtrajtshme dhe të jep motiv që ta dëgjosh”, u shpreh Dhomi.

Në këtë koncert ishte i pranishëm edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti i cili është shprehur se përmes këtij koncerti, artistët shfaqën pikë të lartë të profesionalizmit muzikor.

“Një natë tjetër festive mbrëmë në Koncertin Festiv të fundvitit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Besa Llugiqi, Misbah Kaçamaku, Syzana Jakupi dhe Alba Muçolli, së bashku me korin e talentuar të burrave nën drejtimin e kompozitorit Rauf Dhomi, shfaqën pikë të lartë të profesionalizmit muzikor.

Performancat e tyre, duke përfshirë veprat e R. Strauss, F. Lehár, G. Puccini, A. Dvorak dhe G. Verdi, paraqitën vitin e suksesshëm të Akademisë përmes muzikës”, shprehet Kryeministri.

Pas këtij koncerti, të gjithë mysafirët u takuan nga afër në një koktej rasti të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës. / KultPlus.com

AShSh marrëveshje bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave Bullgare

Një delegacion i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë i kryesuar nga kryetari i saj akademik Skënder Gjinushi, dhe anëtarë të tjerë të ASHSH, akad. Anastas Angjeli, akad. Ilia Mikerezi, si dhe shefi i marrëdhënieve me jashtë, dr. Dorian Koçi, po zhvillon një vizitë zyrtare në Akademinë e Shkencave të Bullgarisë, në Sofje.

Delegacioni u prit nga kryetari i Akademisë së Shkencave të Bullgarisë, akad. Julian Revalski dhe anëtarë të tjerë të kryesisë së kësaj akademie.

Vizita u bë në kuadër të nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) me Akademinë e Shkencave të Bullgarisë (ASHB), në kuadër të bashkëpunimit dypalësh në kërkim shkencor dhe teknik.

Marrëveshja u nënshkrua nga akad. Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Kryetari i Akademisë së Shkencave të Bullgarisë, akademik Julian Revalski.

Akad. Gjinushi shprehu kënaqësinë që lidhja e kësaj marrëveshjeje do të nxisë bashkëpunimet në kuadër të programeve e projekteve europiane. Më tej akad. Gjinushi theksoi se bashkëpunimet do të jenë në albanologji, ballkanistikë, për kërkimet në shkencat gjuhësore, studimet letrare, historike, në arkeologji, por edhe në shkencat natyrore e teknike, ku përparësi do të ketë shkëmbimi i eksperiencave në nanoshkencë e bioteknologji, si dhe shkencat e bujqësisë, mjekësisë, e më gjerë.

Më tej akad. Julian Revalski falënderoi akad. Gjinushin për lidhjen e kësaj marrëveshjeje dhe shprehu kënaqësinë që të dyja palët do të bëjnë përpjekje të përbashkëta për identifikimin e mundësive për financime, për kërkime dhe projekte lidhur me këto programe dhe bashkëpunojnë në kuadër të tyre për projektet të përbashkëta dhe përmes formave të tjera të bashkëpunimit dhe shkëmbimit.

Akad. Skënder Gjinushi theksoi se kemi një bashkëpunim historik të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me Akademinë e Shkencave të Bullgarisë, ku është edhe katedra e albanologjisë, dhe theksoi se arritja e kësaj marrëveshjeje synon të sanksionojë këto praktika të bashkëpunimit  dhe ta zgjerojë më tej me bashkëpunimin shkencor e teknik ndërmjet instituteve dhe qendrave kërkimore bullgare dhe shqiptare të angazhuara në veprimtari kërkimi shkencor dhe formimi.

Kjo marrëveshje  synon gjithashtu edhe projekte kërkimore të përbashkëta, seminare, simpoziume, tryeza të rrumbullakëta, mbledhje, konferenca ndërkombëtare e aktivitete të tjera shkencore dy e shumëpalëshe të përbashkëta; shkëmbim kërkuesish individualisht me qëllim kryerjen e punimeve shkencore; shkëmbimin e informacionit lidhur me veprimtaritë e kërkimit në zbatim e sipër; zbatimin e metodave të reja të kërkimit; mbajtjen e leksioneve; krijimin e kontakteve të reja shkencore për zhvillimin e projekteve të përbashkëta, pjesëmarrjen në aktivitete shkencore;

Marrëveshja do të zbatohet duke lënë hapësirat për zgjerimin dhe shtimin e aktiviteteve gjatë punës së përbashkët të të dyja akademive./atsh/KultPlus.com

Akademia e Shkencave boton librin ‘Trajtesë historike dhe filologjike për gjuhën dhe kombin e shqiptarëve’

Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka botuar librin ‘Trajtesë historike dhe filologjike për gjuhën dhe kombin e shqiptarëve’ nga Panajot Dh. Kupitori, shkruan KultPlus.

Botimi me titullin “Trajtesë historike dhe filologjike për gjuhën dhe kombin e shqiptarëve”, është vepër e ripublikuar me plotësime më 1879 përcjell në mënyrë të tërthortë jehonën e ngjarjeve dhe të shqetësimeve të kohës, kur çështja shqiptare qe shfaqur si pjesë përbërëse e Krizës Lindore. Kjo, për sa i përket rrafshit ballkanik dhe europian.

Në rrafshin e brendshëm, d.m.th. në kuadrin e shtetit të ri grek, statusi dhe e ardhmja e elementit arbëror paraqiste një sërë specifikash, krahasuar f.v. me sllavët, të cilët, së bashku me shqiptarët, sipas Fallmerayer-it qenë përgjegjësit kryesorë për shprishjen e gjakut “të pastër” helen.

Sıç shpjegon historiania greke E. Skopetea, në ndryshim nga sllavët, “Shqiptarët qenë të pranishëm brenda Greqisë, dhe të munguar jashtë saj – përderisa lëvizja kombëtare e tyre filloi në thelb vetëm rreth viteve 1880. Askush nuk e vinte në dyshim prezencën e shqiptarëve në territorin grek, as edhe faktin që vetë kryeqyteti [grek] rrethohej prej popullatash mirëfilli shqiptare. Por shqiptarët etnikisht të pastrehë u pranuan në mënyrë panegjirike në historinë greke, dhe për hir të tyre u formuluan teori specifike etnoracore, që e paraqitnin botën shqiptare ose si etnikisht inekzistente ose si ‘filiz’ të kombit a të racës greke, domethënë si një lloj grekësh, të cilët i ndante prej grekëve të mirëfilltë e njëjta distancë që ndante pellazgët prej grekëve të vjetër. […] Por ndjenja e lidhjes së ngushtë të të dy popujve buronte para së gjithash nga prania masive e shqiptarëve gjatë Kryengritjes [greke]”.

Si pjesë e këtij realiteti dhe si bartëse e kësaj fryme duhet parë, edhe vepra e Kupitorit.

Edhe pse referimet e tij bibliografike apo citimet prej autorësh të tjerë dëshmojnë se i njihte dhe i ndiqte arritjet e gjuhësisë krahasuese dhe teoritë për zhvillimin e gjuhëve , i ndodhur para udhëkryqit për t’u gjetur një vend “të volitshëm” shqiptarëve të shfaqur vonë dhe “papritur” në skenën europiane, ai i përdori faktet dhe teoritë gjuhësore për të dalë aty ku i dëftoi (apo i diktoi) epoka e vet.

Kjo vepërz e Kupitorit sillet në dritë për t’u ndjekur më mirë rruga e gjatë që përshkoi albanologjia deri sa të themelohej e konsolidohej si shkencë, dhe jo për t’u dhënë shtysë dhe vjegë të re gjithfarë pellazgologëve a gjithologëve të thekur.

Ka pjesë të tekstit që të japin përshtypjen se autori është orator, shkrimtari është gojëtar, mbrojtës i vendosur i tezës se shqipja qëndron denjësisht, lashtësisht dhe thelbësisht krahas gjuhëve klasike, që ai i ka aq për zemër. Ky art i Kupitorit duhej riderdhur në kallëpet e shqipes dhe detyrë e jona ka qenë ta renditnim atë po aq denjësisht krahas dhe kundrejt një gjuhe të selitur qëmoti si greqishtja. E cila, për të sjellë vetëm një shembull, e vetme ndër gjuhët ballkanike, e paravendos nyjën shquese, e madje nuk e bashkon me trupin e fjalës, gjë që krijon mundësinë për të ndërkallur lëndë gjuhësore mes nyjës dhe emrit që ajo shoqëron, por edhe e bën të vështirë, jo të pamundur, punën e përkthyesit.

I fal atij mundimin e ëmbël, që përmendëm më lart, e që kaq bukur e ka shprehur latini: litterarum radices amarae, fructus dulce, që do të thotë se rrënjët e dijes janë të hidhëta, por të ëmbla frytet e saj./KultPlus.com

Akademia e Shkencave përcjellë me nderime akademik Bahri Becin

Akademiku shqiprar, Bahri Beci sot është përcjellë me nderime nga dera e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve të Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Kryetari i ASHSH akad.Skënder Gjinushi, në fjalimin e mbajtur në këtë ceremoni, për vdekjen e Becit ka thënë se vendi ka humbur një personalteti të madh me veprimtari të shumanshme.

“Me ikjen e akad. Bahri Becit, bashkësia e gjuhëtarëve shqiptarë dhe e albanologëve brenda dhe jashtë vendit humbi një personalitet të mirënjohur, me veprimtari të shumanshme në disa disiplina të gjuhësisë shqiptare, historike e bashkëkohore, të shtrirë në më shumë se gjashtë dekada; humbi autorin e dhjetëra studimeve dhe veprave monografike në fushën e dialektologjisë; të fonetikës e fonologjisë; të gramatikës; të rrugës së formimit të shqipes së njësuar; të historisë së gjuhës shqipe dhe të statusit të saj në lidhjen gjuhësore ballkanike”, thuhet në komunikatën e ASHSH.

Kryetari Gjinushi po ashtu ka thënë se bashkëpuntorët dhe brezat të cilat ai i krijoi do ta kujtojnë gjithmonë me nderim veprën e tij dinjitoze në rrugëtimin mbi 50 vjeçar.

“Ne, miqtë dhe kolegët e Bahriut, studiuesit e studentët e shumtë të disa breznive që ai formoi, do ta kujtojmë gjithnjë me nderim për veprën dinjitoze që na ka lënë; për cilësitë e veçanta si kërkues e profesor; për këmbënguljen e dedikimin në kauzat shkencore që iu kushtua; për gjurmët e mbresat njerëzore të lëna në rrugëtimin e përbashkët mbi 50-vjeçar”, ka thënë Kryetari Gjinushi.

Më poshtë e gjeni të plotë fjalimin e Kryetarit Skënder Gjinushi:

Të nderuar të pranishëm, kolegë e bashkëpunëtorë, studiues e studentë të Bahriut tonë të shtrenjtë,

Të dashur Vlera, Benet e Entela, të dashur familjarë, miq e të afërm të Bahriut, njeriut tonë të zemrës,

Jemi sot këtu së bashku për të ndarë dhimbjen e thellë që po përjetojmë prej humbjes së pakthyeshme të mikut e kolegut tonë të dashur, profesorit e akademikut Bahri Beci, figurë e shquar e shkencës shqiptare dhe e botës akademike e universitare.

Me ikjen e tij bashkësia e gjuhëtarëve shqiptarë dhe e albanologëve brenda dhe jashtë vendit humbi një personalitet të mirënjohur, me veprimtari të shumanshme në disa disiplina të gjuhësisë shqiptare, historike e bashkëkohore, të shtrirë në më shumë se gjashtë dekada; humbi autorin e dhjetëra studimeve dhe veprave monografike në fushën e dialektologjisë; të fonetikës e fonologjisë; të gramatikës; të rrugës së formimit të shqipes së njësuar; të historisë së gjuhës shqipe dhe të statusit të saj në lidhjen gjuhësore ballkanike.

Bahri Beci u lind në Shkodër në vitin 1936, në një familje me origjinë ulqinake, me tradita të njohura atdhetare, që u spikatën sidomos në epokën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Menjëherë pas mbarimit të studimeve universitare në Tiranë, duke vlerësuar prirjet e tij të dukshme për studim, ai u emërua kërkues shkencor në Institutin e Gjuhësisë e Letërsisë, ku kreu dhe detyra drejtuese, nga përgjegjës sektori, drejtues projektesh, sekretar shkencor deri tek drejtor i Institutit.

Profesor Bahri Beci i takon një brezi dijetarësh që u formua në kohën kur Universiteti i Tiranës diplomonte brezat e parë të studentëve. Për shkak të fushës studimore që kishte zgjedhur dhe të aftësive profesionale vetjake, ai pati mundësinë dhe përballoi me shumë sukses sfidën e thellimit të formimit të deriatëhershëm në Institutin e Gjuhësisë dhe të Fonetikës në Paris, duke u specializuar për fonetikë eksperimentale.

Duke sintetizuar e thelluar me tej arritjet e studimet e tij, ai mbrojti në Tiranë disertacionin e shkallës së parë e më pas fitoi gradën e doktorit të shkencave.

Në saj të këtij formimi dhe të kontributeve të tij të vyera shkencore, Bahri Beci mori titullin profesor dhe në vitin 2008 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë e më pas edhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Në jetën shkencore të akademikut Bahri Beci ka shumë kulme e arritje akademike e universitare, në shkencë e në mësimdhënie,duke përfshirë atë jashtë vendit, ku veçojmë kontributin e tij si profesor për një periudhë të gjatë në Institutin e Gjuhëve e Qytetërimeve Orientale INALCO të Parisit dhe si përfaqësues i gjuhësisë shqiptare në shoqatën e studiuesve europianë të dialekteve e në redaksinë e Atlasit të Gjuhëve të Europës.

Në formimin e tij u shartuan denjësisht dialektologu me fonetikanin; studiuesi i gjendjes së sotme dialektore të shqipes me historianin e shqipes së folur; gjurmuesi i dukurive konvergjente në zhvillimin dialektor me pjesëmarrësin pasionant e energjik në diskutimet për çështje të zhvillimit bashkëkohor të saj; kërkuesi ngulmues i të dhënave të drejtpërdrejta në ekspedita në terren e në rrethina dhe savanti i katedrave elitare në metropole europiane.

Megjithëse fushë primare e përhershme e kërkimeve të tij kanë qenë të folmet gege të zonave verilindore, Bahri Becit nuk iu nda zemra kurrë prej kryeqendrës së të folmeve veriperëndimore, prej shkodranishtes.

Sa u takon meritave të tij si dialektolog, e kemi të vështirë të veçojmë nëse është më i rëndësishëm kontributi i tij si bashkëhartues e drejtues i botimit Atlasi dialektologjik i shqipes, pjesë e korpusit themelor të Akademisë sonë për trashëgiminë shpirtërorë të popullit shqiptar; apo ai i historianit të gjuhës së folur, që, me anë të formave dialektore, në gjurmë të arritjeve historike të dijetarëve emblematikë si Eqrem Çabej, Selman Riza, Shaban Demiraj e Idriz Ajeti, u përpoq me plot sukses të rindërtojë të shkuarën e shqipes deri tek burimi i saj ilirik e origjina e saj, arritje që po gjejnë rikonfirmim gjithnjë e më të gjerë ndërkombëtar edhe në kohët e reja, mbështetur në metodologji e teknologji të panjohura më parë.

Me punën e kërkimet e tij të shtrira në hapësirë e në kohë, dialektologjia shqiptare u kthye nga një shkencë terreni në disiplinë me rëndësi për burimin historik të gjuhës sonë amtare: për dallimet që u shfaqën në procesin e kapërcyellit dhe për dallime të tjera që lidhen kryesisht me rrethana historike; me ndikimin e gjuhëve në kontakt dhe sidomos prej atyre ligjërimeve që njihen si lingua franca; si dhe prej pesë shekujve të kalimit të shqipes në stadin e gjuhës së shkruar.

Në tri dekadat e fundme studimeve të Bahri Becit iu shtua edhe konteksti ballkanik i gjuhës shqipe, pozicioni i saj në lidhjen gjuhësore ballkanase, së cilës i kushtoi dhe monografinë e botuar së fundi: LUnion linguistique balkanique à la lumière des données de la langue albanaise – Lidhja gjuhësore ballkanike në dritë të të dhënave të shqipes.

Nga njëra dekadë në tjetrën kërkimet shkencore të Bahri Becit u shtrinë në disiplina të tjera gjuhësore, para së gjithash në atë të historisë së formimit të shqipes së njësuar, me një vështrim të posaçëm në ligjësitë e brendshme që ndikuan procesin, duke përfshirë në shqyrtim edhe kontekstin historik. Ai mori pjesë si delegat dhe si nënshkrues i Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit (1972) dhe është autor i dy studimeve monografike për proceset njësuese në formimin e shqipes letrare të sotme.

Veprat me karakter normativ të botuara prej tij në fushën e gramatikës dhe të dialektologjisë, sidomos të dialektologjisë historike, qofshin për nevoja universitare, qofshin për përdorim më të gjerë, janë sinteza të arritjeve të punës së tij të gjatë, në disa periudha të jetës.

Bahri Beci do të mbahet mend jo vetëm si një dijetar me gjurmë të dukshme në studimet gjuhësore shqiptare, por edhe si një figurë me ndikim të dukshëm në shqetësimet shkencore me efekt në jetën qytetare.

Ne, miqtë dhe kolegët e Bahriut, studiuesit e studentët e shumtë të disa breznive që ai formoi, do ta kujtojmë gjithnjë me nderim për veprën dinjitoze që na ka lënë; për cilësitë e veçanta si kërkues e profesor; për këmbënguljen e dedikimin në kauzat shkencore që iu kushtua; për gjurmët e mbresat njerëzore të lëna në rrugëtimin e përbashkët mbi 50-vjeçar.

Vendi i veprës së Bahri Becit në kuadër të historisë së gjuhësisë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar dhe të kapërcyellit në mijëvjeçarin e ri është e do të mbetet shumë i rëndësishëm.

Kjo vepër, kjo trashëgimi, dhe emri i nderuar që ka lënë, janë ngushëllimi më i mirë për familjen e tij; për bashkëshorten, vajzën e djalin; për mbesat e nipërit, në këtë ditë të dhimbshme lamtumire dhe më tej në të ardhmen; janë ngushëllim dhe për të gjithë ne, kolegët, miqtë e dashamirësit e tij.

Lamtumirë akademik Beci, lamtumirë miku ynë!

Një minutë heshtje në nderim të emrit dhe veprës së tij.

I paharruar kujtimi yt, i dashur Bahri!

/KultPlus.com

Pas bllokimit të faqes zyrtare, ASHAK del me sqarim për lexuesit e KultPlus

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka bllokuar qasjen në faqen zyrtare të institucionit, pas raportimit të mediumit KultPlus lidhur me parregullsitë në kategorinë in memoriam, ku brenda saj pati të përfshirë akademikë të gjallë e të vdekur, shkruan KultPlus.

Për këtë rast, sot përmes një emaili ASHAK ka sqaruar arsyen e kësaj parregullsie në faqen zyrtare, duke shprehur keqardhje për këto probleme, sipas tyre teknike.

“Me keqardhje ju njoftojmë së faqjaueb e ASHAK-ut përkohësisht është jashtë funksionimit për shkak të problemeve teknike, të cilat po ndodhin si rezultat i ndërprerjes së kontratës me kompaninë e mirëmbajtjes, zhvillimit dhe të hostingut.

Aktualisht ASHAK-u gjendet në fazën e bërjes së specifikave teknike për hapjen e tenderit të ri dhe për lidhjen e kontratës së re për mirëmbajtjen, zhvillimin dhe hostingun e faqësueb”, shkruan ASHAK. / KultPlus.com

Akademia e Shkencave, pjesëmarrëse në Kuvendin e VII Albanologjik Ndërkombëtar në Mynih

 Përfaqësues të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë morën pjesë në Kuvendin VII Albanologjik Ndërkombëtar (Për studime kulturore gjermano-shqiptare) që u zhvillua në Mynih në 21 dhe 22 prill.

Në seancën e hapjes së Kuvendit VII Albanologjik Ndërkombëtar përshëndetën prof. dr. Ulrich Arnold, Rektor i Universitetit “Nehemia”; Armin Kroder, kryetar i këshillit administrativ të rajonit Mittelfranken; Bardhyl Demiraj, kryetar i degës së Albanologjisë në Universitetin LMU të Mynihut; Artan Hanku, Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Mynih; Afrim Nura, Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Bavari, ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi dhe Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi.

Në fjalën e tij, Gjinushi theksoi se Akademia e Shkencave është e do të jetë përherë e vëmendshme dhe respektuese ndaj bashkësisë dhe qendrave të albanologëve kudo që e ushtrojnë punën e tyre kërkimore.

“Përveç themelimit të një amze të përgjithshme për regjistrimin e të dhënave të kërkuesve dhe kërkimeve në albanologji, ne po punojmë për krijimin e një rrjeti gjithëpërfshirës në linjë, që do të përditësohet në vijimësi dhe do të na mundësojë një ndërveprim më të suksesshëm, njohje e krahasime, debate shkencore të denja, siç është në traditën më të mirë”, tha ai.

“Ne mund të kontribuojmë duke ofruar menjëherë dhurimin e koleksioneve të botimeve tona albanologjike; shkëmbime të profesoriatit e të ekspertëve, ndihmë për programe dhe tekste; bashkëorganizim kuvendesh e konferencash shkencore. Duam ta theksojmë këtë të fundit sepse, siç po rezulton nga përvoja, roli i degëve të albanologjisë gjithnjë e më shumë po shkon tek kërkimi dhe organizimi shkencor, krahasuar me mësimdhënien. Me nënshkrimin e një protokolli dypalësh edhe ministria e arsimit në Shqipëri ka marrë përsipër të ofrojë mbështetje e bashkëpunim me degën e albanologjisë këtu, dhe kjo është shenjë për optimizëm”, tha ndër të tjera Gjinushi.

Kuvendi organizohet nga Instituti i Gjuhësisë Krahasuese-Indoeuropiane dhe i Albanologjisë pranë Universitetit Ludwig Maximilian./atsh/KultPlus.com

Akademia e Shkencave dhe Universiteti i Napolit L’Orientale, marrëveshje bashkëpunimi

Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Università degli Studi di Napoli L’Orientale (Universiteti i Napolit L’Orientale) nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi.

Marrëveshja u nënshkrua nga akad. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe prof. Roberto Tottoli, rektor i Universitetà degli Studi di Napoli L’Orientale.

Prof. Roberto Tottoli shprehu kënaqësinë për vizitën e tij në Shqipëri dhe lidhjen e marrëveshjes. Ai tha se këto bashkëpunime do të jenë në kuadër të programeve e projekteve europiane, dhe theksoi se bashkëpunimet më të rëndësishme do të jenë në albanologji, italianistikë, ballkanistikë dhe për kërkimet në shkencat gjuhësore, në studimet letrare, historike, në arkeologji, etj.

Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi tha se vetë ardhja e prof. Roberto Tottoli-t në Shqipëri shpreh vullnetin e mirë të dy palëve për të bashkëpunuar.

Akad. Skënder Gjinushi theksoi se ka një bashkëpunim historik të Akademisë dhe institucioneve shqiptare me Universitetin e Napolit L’Orientale që ka një katedër nga më të vjetrat, nga e cila janë specializuar një pjesë e madhe e studiuesve dhe akademikëve.

Arritja e marrëveshjes synon të sanksionojë këto praktika dhe të zgjerojë bashkëpunimin mes studimeve të përbashkëta dhe bursave të specializantëve dhe doktoratat në fushat e albanologjisë./ATSh/KultPlus.com/

Akademia e Shkencave në Shqipëri, zgjedh tre anëtarë të rinj

Pas votimeve në mbledhjen e fundit të Asamblesë së Akademisë së Shkencave, u shpallën tre fituesit për titullin akademik: prof. Adem Bunguri, prof. Anila Hoda dhe prof. Valter Memishaj.

Pas afro një viti konkurrim, u përmbyll zgjedhja e kandidatëve të regjistruar për katër fusha të reja të hapura me vendim të Asamblesë.

U regjistruan gjithsej 9 kandidatë, nga të cilët 6 prej tyre u kualifikuan për garën përfundimtare.

Në përfundim të votimit, komisioni bëri të njohur për të pranishmit në sallë dhe për ata në linjë (online) se nga katër fusha pati fitues vetëm për tri prej tyre, si vijon:

Prof. Adem Bunguri për shkencat arkeologjike për titullin akademik, prof. Anila Hoda për shkencat e mjekësisë veterinare, për titullin akademik si dhe prof. Valter Memishaj për shkencën e gjuhësisë, për titullin akademik.

Komisioni do të shpallë në vijim, pasqyrën analitike të rezultateve për të gjithë kandidatët.

Në përfundim, kryesia e Akademisë falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në garë, institucionet dhe organizmat që u përfshinë në përzgjedhjen, vlerësimin dhe votimin e tyre. / KultPlus.com

Homazhe për prof. Kalo në Akademinë e Shkencave

Homazhet për mjekun Isuf Kalo, i ndarë nga jeta pak ditë më parë, u mbajtën sot në mjediset e Akademisë së Shkencave.

Mes shumë bashkëpunëtorëve, miqve e personaliteteve që i dhanë sot lamtumirën e fundit, ishte edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, deputetë të Kuvendit, anëtarë të Akademisë së Shekncave si dhe personalitete të fushave  të ndryshme.

Ndërkohë Bashkia Tepelenë nëpërmjet rrjeteve sociale bëri të ditur se, ditën e shtunë, në Pallatin e Kulturës, “Mustafa Matohiti”, do të zhvillohen homazhet për të përcjellë në banesën e fundit “Qyetarin e Nderit”, të Tepelenës prof. Isuf Kalo. Ceremonia mortore do të zhvillohet në fshatin e tij të lindjes, Luzat.

Isuf Kalo lindi në vitin 1942 në Tepelenë. Studimet i përfundoi në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1964.

Prof. Kalo u specializua në disa vende evropiane për diabetologji dhe endokrinologji. Ai është një nga pionierët e këtij domeni në Shqipëri.

Për disa vite ka qenë kryetar i endokrinologjisë dhe sëmundjeve metabolike në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Spitalin Universitar të Tiranës.

Profesor Kalo autor i disa librave mjekësor e jo vetëm, mbylli sytë përgjithmonë në moshën 80 vjeçare më 20 janar 2023, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë./atsh/ KultPlus.com

Akademia e Shkencave shpall kandidatët për çmimet kombëtare

Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka shpallur listën e kandidatëve për çmimet e mëdha shkencore kombëtare që jepen nga kjo akademi.

Çmimi i madh i albanologjisë që jepet për studiues të huaj që i janë kushtuar gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë shqiptare u akordua vitin e kaluar, në mbarim pritet të ndahen 3 çmimet e mëdha: çmimi “Eqrem Çabej”,  çmimi “Petrit Radovicka” dhe çmimi “Aleks të kuvendit ndërkombëtar të studimeve albanologjike. Ndërkohë në fund të muajit dhjetor Buda” për kërkuesit e rinj.

Pas shqyrtimit të hollësishëm të dokumentacionit shoqërues të veprave që janë paraqitur nga kandidatët për konkurrim për të tre çmimet, juria ka vendosur të vijojë procedurat e parashikuara për shqyrtimin shkencor dhe ka publikuar listën e veprave të kualifikuara për fazën e mëtejshme të vlerësimit, përzgjedhjes dhe nominimit.

Brenda javës së fundit të muajit nëntor do të shpallen veprat e nominuara dhe gjatë dhjetorit do të realizohen ligjëratat përuruese. Shpallja e fituesve parashikohet në dhjetëditëshin e fundmë të muajit dhjetor.

I. Për çmimin “Eqrem Çabej” (renditje alfabetike):

  1. Adem Bunguri: Vegla bakri dhe sëpata bronzi në Shqipëri dhe Kosovë;
  2. Albert Doja: Ardhja e antropologjisë në Shqipëri;
  3. Anastas Angjeli e Adrian Civici: Kriza ekonomike në kohën e koronavirusit; Përballë krizës – sfidat e teorisë dhe politikave ekonomike; Drejt një krize të re – Energjia, inflacioni, rritje çmimesh, çoroditje e tregjeve (triptik);
  4. Apollon Baçe: Qyteti dhe qytezat ilire, vëll. I, II;
  5. Beqir Meta: Historia e shqipëtarëve gjatë shek. XX, vëll. II, III, IV;
  6. Emine Sadiku: Gramatikë e shqipes si gjuhë e huaj;
  7. Emine Sadiku e Meleq Shopi: Gegërishtja veriore dhe ajo jugore;
  8. Fatmir Toçi: Arbëreshët mes realitetit dhe mitit;
  9. Suzana Varvarica-Kuka: Simon Rrota, piktori i nostalgjisë së një realiteti të humbur;
  10. Shpresa Gjongecaj, Trésors de monnaires antiques trouvés en Albanie.

II. Për çmimin “Petrit Radovicka” (renditje alfabetike):

  1. Gjovalin Gruda: Relievi strukturor i Shqipërisë;
  2. Nazim Gruda: Advances in horticultural soilles culture;
  3. Rigers Bakiu: Molecular evolution of aquatic organisms’ biomarkers.

III. Për çmimin “Aleks Buda” (renditje alfabetike):

  1. Andi Hoxhaj: Politikat e BE për luftën kundër korrupsionit;
  2. Brikena Shkodra: Retracing late Roman – early Byzantine Dyrrachium;
  3. Ermal Baze: Jeta agrare në komunitetin e Shkodrës gjatë shekullit XV (një vështrim socio-ekonomik);
  4. Hysnie Haxhillari: Caktuesori në gjuhët e Ballkanit;
  5. Liburn Jupolli: OCTO – instrumenti i ri inovativ bashkëkohor;
  6. Majlinda Rama: Poezia bashkëkohore shqipe;
  7. Mikaela Minga: Tingujt që rrëfej, tingujt që rrëfehen;
  8. Teuta Toska: Parashqevi Qirjazi dhe viti i saj 1919;
  9. Xhelil Koleci: An overview of current approaches to cattle deseases. / atsh / KultPlus.com