Më 10 tetor 1972, u themelua Akademia e Shkencave të Shqipërisë.
Me dekretin nr. 4993, të Presidiumit të Kuvendit Popullor, u themelua institucioni më i lartë kërkimor-shkencor në vend, si rezultat i përpjekjeve të palodhura të profesor Aleks Budës, i cili u emërua dhe kryetari i parë i tij. Mbledhja e parë e Asamblesë së ASHSH u mbajt më 25 janar 1973. Midis themeluesve të tjerë që spikatnin krahas Budës ishin: Eqrem Çabej, Mahir Domi, Petrit Radovicka, Kolë Popa etj.
Në fillesat e saj, Akademia kishte 17 anëtarë të rregullt dhe 5 anëtarë korrespodentë. Akademia funksiononte me një varg institutesh të shkencave shoqërore dhe albanologjike, si edhe të shkencave natyrore dhe teknike. Aktualisht, Akademia ka në radhët e saj 30 anëtarë akademikë dhe 13 institucione kërkimore. Mes funksioneve kryesore të Akademisë bëjnë pjesë: kyerja e studimeve dhe kërkimeve me karakter teorik e praktik në fusha të ndryshme të shkencave shoqërore albanologjike, natyrore e teknike dhe mundësimi i zbatimit të këtyre studimeve në praktikë, bashkëpunimi me universitetet dhe institucionet e tjera kërkimore dhe organizimi i veprimtarive kombëtare dhe ndërkombëtare që lidhen me shkencën. / atsh / KultPlus.com
Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në praninë e Kryesisë së Akademisë së Shkencave dhe akademikëve e studiuesve u promovua libri me dokumente “Ilegalja shqiptare – pararendëse e rrënimit të Jugosllavisë” (dokumente analitike të Sekretariatit Federativ të Punëve të Brendshme të Jugosllavisë/ 1980-1986/ 1986). Vepra me dy vellime u përgatit nga studiuesit Skënder Asani, Sevdail Demiri, Milaim Fetai dhe Besnik Rameti dhe u botua nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, ju shprehu mirëseardhjen studiuesve nga Shkupi dhe i vlerësoi botimet për rëndësinë dokumentare, për zbardhjen e disa të vërteta historike të domosdoshme.
Akad. Gjinushi theksoi se përmes këtij promovimi, ASHSH-ja dhe ITSHKSH-ja po vendosin ura të mira bashkëpunimi.
Folën përgatitësit e veprës Skënder Asani dhe Sevdail Demiri.
Studiuesi Asani tha: “Sot në Tiranë kemi ardhur me një impenjim të veçantë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e KIulturore të Shqiptarëve në Shkup të nisur vite më parë.
Ajo çka e bën të veçantë punën tonë hulumtuese gjatë përgatitjes për shtyp të këtyre dosjeve, është fakti se ky material voluminoz është siguruar nga Arkivi Shtetëror i Kroacisë, një favor ky jashtëzakonisht i dobishëm për vërtetësinë dhe autenticitetin e lëndëve arkivore, të cilat morën formën e këtij botimi dyvëllimësh, me intencë që në javët dhe muajt në vazhdim të përgatisim edhe dhjetëra vëllime të tjera nga materia e njëjtë.
Ky botim dyvëllimësh që sot po vjen para jush, sigurisht që do të jetë objekt hulumtimesh të shumta nga historianët, sociologët, politologët, të cilëve iu bie barra të ndajnë shapin nga sheqeri duke ofruar një qasje krejt të re, objektive dhe të liruar nga çfarëdolloj manipulimi, siç ka ndodhur në raste të caktuara, kur dosjet më tepër janë përdorur për të shantazhuar individë, sesa për të zbërthyer enigmat e kohës.
Dosjet e tilla ende ruhen në Shkup, Beograd dhe në Lubjanë, prandaj çdo tendencë manipulimi që mund të hasni, ta dini që burimin e ka në këto tri qendra”- tha Asani.
Me këtë hulumtim lidhet edhe një arsye tjetër që ka të bëjë me periudhën kohore të viteve 1980-‘86, periudhë kjo mjaft delikate, e cila ka qenë e kërcënuar edhe nga rreziku i ndërprerjes së vazhdimësisë së lëvizjes ilegale shqiptare. Por, fatbardhësisht kjo nuk ndodhi dhe erdhi deri te një riorganizim edhe më i madh që rezultoi me aktivitete e veprime të suksesshme, që u kurorëzuan me rezistencën e armatosur të UÇK-së në vitet 1998/99 dhe me çlirimin e Kosovës në qershor të vitit 1999.
Shpresojmë që ky projekt, i nisur të vazhdojë me botimin e vëllimeve të tjera, ku do të shpalosen një varg aktivitetesh e protagonistësh të ilegales shqiptare, të cilat do t’i përmbledhim në njësi të veçantë tematike dhe përmbajtësore.
Sevdail Demiri tha se “Shqipëria dhe dija shkencore gjithmonë ka qenë frymëzim për ne shqiptarët, që gjatë furtunave historike u gjendëm të ndarë andej kufirit. Prandaj sa herë që vijmë këtu në atdheun tonë, qoftë edhe për vizita të zakonshme ndjehemi si në shtëpinë tonë! Mirënjohje për ndërtuesit e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për mundësinë e dhënë për të bërë këtë prezantim të sotëm.”
Demiri theksoi se : “Këto dy vëllime në të vërtetë janë dokumente analitike të Sekretariatit Federativ të Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, me qendër në Beograd, që e kapin harkun kohor të viteve turbulente 1980-1987.
Sigurimi Shtetëror Jugosllav jep të dhëna më të detajuara për 152 grupe dhe organizata ilegale shqiptare të zbuluara gjatë viteve 1980-1987, me gjithsej 1.740 anëtarë, ku numrin më të madh e përbëjnë rinia, nxënësit dhe studentët (plot 940 sosh). Për të gjithë të akuzuarit e të dënuarit në forma të ndryshme, jepen të dhëna të shkurtra biografike si dhe përshkrimi i veprës me të cilën ngarkoheshin. Siç edhe pranohet nga vetë sigurimsat jugosllavë, realisht ka pasur edhe shumë më tepër persona të angazhuar në veprimtarinë e tillë ilegale, por që pushteti nuk kishte arritur t’i zbulojë. Me fjalë të tjera, i bie se gati në çdo qytet, fshat, lagje e familje atdhetare shqiptare të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare të ish-Jugosllavisë, ishte ndezur kandili i qëndresës kolektive kombëtare antijugosllave, që kishte për qëllim lirinë dhe pavarësinë.”
Pas referateve, u zhvillua edhe një debat rreth veprës, por edhe temës së vjeljes së arkivave për të zbardhur rolin e organizatave ilegale shqiptare, por edhe për rolin e shtetit shqiptar në periudhën e ish sistemit.
Siç do të vërehet në këto dokumente shumica e veprimtarëve të lëvizjes ilegale ishin të vendosur dhe të përkushtuar në kauzën e tyte të drejtë, andaj sado që pushteti jugosllav i burgoste, i torturonte dhe i vriste me metoda më perfide, ata nuk zmbrapseshin nga qëllimet e idealet e tyre dhe në vend se kjo lëvizje të ngulfatej nga presioni sistematik i pushtetit, në realitet ndodhte e kundërta. Radhët e tyre shtoheshin nga dita në ditë, dhe ishin bërë digë e fuqishme për të çuar përpara ditën e çlirimit dhe bashkimit kombëtar.- tha Sevdail Demiri.
Akad. Shaban Sinani, sekretar i ASH dhe studiues të tjerë diskutuan rreth fakteve të shkruara në këtë libër.
Promovimi u moderua nga sekretari shkencor i ITSHKSH, dr. Sefer Tahiri.
(Dokumente analitike të Sekretariatit Federativ të Punëve të Brendshme të Jugosllavisë/ 1980-1986/ 1986)
Përgatitur nga Skënder Asani, Sevdail Demiri, MIlaim Fetai, Besnik Rameti./Botim i Institutit të Trashëgimisë Kulturore e Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup./ KultPlus.com
Sot në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u bë promovimi i veprës historiografike “Kosova” V-VIII të historianit Jusuf Buxhovi, përcjellë KultPlus.
Në këtë promovim morën pjesë akademikë të njohur shqiptarë, historianë dhe intelektual të shumtë, si Rektori i Studimeve Albanologjike, Luan Përzhita, akademikët Neritan Ceka dhe Nestor Thereska, historiani Hadan Bello, shkrimtari i njohur Besnik Mustafaj, etnografja Luljeta Dano, ambasadori Republikës së Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi si dhe ish ambasadorët e Shqipërisë Islam Lauka, Mal Berisha dhe të tjerë nga radhët e shtypit dhe të qarqeve intelektuale të Tiranës.
Rreth veprës së Buxhovit folën, ambasadori Avni Spahiu, përkthyes i veprave në anglisht, veprën e cilësoi hap të rëndësishëm në demistifikimin e gënjeshtrave të historiografisë serbe.
Ndërsa rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Luan Përzhita, e quajti vepër të rëndësishme të historiografisë shqiptare, që ndriçon shumë çështje antike të Dardanisë si qendër e botës ilire.
Nikollë Camaj, foli rreth diapazonit historiografik të autorit në letërsi që asaj i kanë dhënë dimension antologjik. Rexhep Shahu foli rreth Buxhovit si publicist të kohës së kthesave historike. Në fund, akademik Neritan Ceka falënderoi në emër të nikoqirit. Theksoi se vepra e Buxhovit meriton vëmendje për çështjet e hapura si dhe guximin që të thyhen stereotipet ideologjike dhe ato që i ka vu historiografia serbe, që duhet të rishqyrtohen në përputhje me faktet.
Në fund, autori Buxhovi theksoi se ndjehet i nderuar që veprës së tij, më në fund , iu hapëm dyert në Akademitë e Shkencave të Shqipërisë, me të cilën, tha se ka dallime dhe kundërshtime për shumë çështje, por që ato duhet të çojnë te njohja e të vërtetës jashtë kornizave ideologjike të historiografisë hegjemoniste serbe.
Promovimi u udhëhoq me shumë sukses nga Ambasador Flamur Gashi, ish gazetar dhe ish ambasador i Shqipërisë në Bosnje dhe Hercegovinë. / KultPlus.com
Në 210-vjetorin e lindjes, Akademia e Shkencave e Shqipërisë nderoi albanologun e shquar Johann Georg von Hahn me një konferencë shkencore.
Seanca e parë e konferencës u çel nga Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi dhe u moderua nga Kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, Pëllumb Xhufi dhe Seit Mansaku.
Gjinushi tha në fjalën e tij s e”merita më e rëndësishme e Hahnit është se, megjithëse edhe vetë ishte diplomat e konsull, e ndau albanologjinë prej shkencës së dëshirës dhe e ktheu në shkencë të arsyes e të argumentit”.
Veçantia tjetër e Hahnit është se, ndryshe prej paraardhësve, të cilët kishin qenë të detyruar që herët a vonë të merreshin edhe me shqipen, për shkak të domosdoshmërisë së krahasimeve në kuadër të helenistikës, romanistikës apo sllavistikës, ai iu kushtua përjashtimisht kësaj gjuhe, historisë së popullit që e kishte trashëguar, etnogjenezës së tij, pastaj edhe protogjenezës së tij.”, tha akad. Gjinushi.
Sipas tij, “Hahni nuk u mjaftua me pohimin e argumenteve në favor të tezës së vazhdimësisë historike-gjenetike iliro-shqiptare. Ai sistemoi për herë të parë tezën se ilirishtja ishte formuar në mjedisin e një gjuhe tjetër pre-ilire, madje edhe pre-greke, që nuk mund të ishte tjetër veçse gjuha e pellazgëve.”
Prof. dr. Seit Mansaku foli për problemin e origjinës së gjuhës shqipe dhe të autoktonisë së shqiptarëve në veprën e J. G. von Hahn “Studime shqiptare”, botuar në Vjenë në vitin 1954.
Ai tha se ky libër ka shërbyer si burim për studimet shqiptare në disa fusha nga studiuesit shqiptarë e të huaj. Vepra e tij ishte hyrje në një etapë të re në fushën e gjuhësisë shqipe dhe etnografisë së shqiptarëve.
Ndërsa Prof. dr. Emil Lafe në kumtesën “Brenga e J. G. von Hahn-it për Shqipërinë dhe shqiptarët e kohës së tij” theksoi se: Hahn-i është vlerësuar lart nga bashkëkohësit e vet për ndihmesën e madhe shkencore në fushën e albanologjisë, ku solli një lëndë të re e mjaft të pasur dhe ndoqi metoda shkencore studimi, të cilat e lejuan të arrijë në një varg përfundimesh, sidomos për autoktoninë e shqiptarëve, që qëndrojnë edhe sot”.
“Historiani Jakob Philip Fallmerayer (1790–1860) ka shkruar: “Zoti Hahn është i pari, e ndoshta i vetmi europian i formuar shkencërisht, që ka shëtitur tërë Shqipërinë, që ka kërkuar edhe në cepat më të fshehtë të këtij vendi, ku hetoi shpirtin, zakonet, mënyrën e të menduarit dhe të jetuarit me tërë qenien politike të shqiptarëve, që ka mësuar të lexojë, të flasë e të shkruajë gjuhën e shqiptarëve në të dyja dialektet e saj kryesore, dhe që me të drejtë mund të konsiderohet “konkuistador” në fushën e etnografisë dhe të gjeografisë”.
Bardhyl Demiraj në kumtesën “Alfabeti origjinal i Dhaskal Todhrit në fokusin e analizave kulturore-epigrafike të Johan Georg von Hahn-it” pati si objekt të saj alfabetin origjinal të shqipes në disa dorëshkrime që i takojnë gjysmës së parë të shekullit të XIX; të cilat Hahn-i i ka kërkuar, gjetur e siguruar gjatë qëndrimit të tij në Elbasan në vitin 1849.
Demiraj tha se Hahn-i alfabetin e njohur si i Dhaskal Todrit e rroku në fokusin e një studimi të mirëfilltë epigrafik dhe etnokulturor, duke ua përcjell atë rretheve shkencore intelektuale të kohës.
Akademiku Gjovalin Shkurtaj në kumtesën “Ndihmesat pionieristike të Johann George von Hahn-it për dialektet e shqipes e të diasporës shqiptare” theksoi kontributin e Hahn-it me veprën “Studime shqiptare”, si një nga punimet shkencore më me vlerë e shkruar nga të huajt për historinë, gjuhën dhe kulturën shqiptare. Ai argumentoi forcën e ndikimit të tezave të Hahn-it për kufirin e dialekteve të shqipes dhe për shtrirjen e shqiptarëve në diasporat e hershme, si studime origjinale dhe të pavaruara, të cilat ngjallin debate shkencore dhe të shoqëruara me një pasuri të madhe materiali ndihmojnë kërkimet e gjuhëtarëve dhe albanologëve.
Anila Omari në kumtesën “Lashtësia e dialekteve të shqipes sipas J. G. von Hahnit dhe në studimet e mëvonshme albanologjike” theksoi se teza e Hahn-it mbi lashtësinë e dialekteve të shqipes u rimor në kohën tonë nga profesor Bahri Beci në një varg punimesh të tij ku dallohet artikulli i vitit 1982 “Lashtësia e dialekteve të shqipes”, dëshmi e vendbanimit të hershëm të shqiptarëve, si dhe dy punime monografike; “Dialekte të shqipes dhe historia e formimit të tyre” (2002), “Historia e formimit të strukturës dialektore të shqipes”, 2019.
Prof. dr. Xhevat Lloshi paraqiti një analizë të imtësishme për leksikun e shqipes në dy fjalorët: J. G. von Hahn (1854) – K. Kristoforidhi (1904), ndërsa Mimoza Kore solli argumente për mbështetjen e e albanologëve të tjerë tek “Fjalori i J. G. von Hahn-it” dhe ndihmën që ka dhënë në fushën e kërkimeve më të zgjeruara.
Seanca e dytë e konferencës u moderua nga Neritan Ceka i cili trajtoi një temë interesante “Arkeologjia në periodizimin sipas Georg von Hahn-it”, dhe nga akademiku Gjovalin Shkurtaj.
Akademiku Pëllumb Xhufi në kumtesën “Malet e Bardha dhe variabli “parthin-alban” i Hahn-it”, trajtoi aftësinë e albanologut gjerman për identifikimin etnik përmes gjuhës të malësorëve shqiptarë të rrezikuar nga asimilimi. / KultPlus.com
Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH) dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës (ASHAK), në kuadër të vitit jubilar të 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në bashkëpunim me Qendrën Ndërkombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL) do ë organizojnë në datat 22-24 prill për herë të parë Panairin Mbarëkombëtar i Librit Akademik dhe Shkencor.
“Panairi mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor” zhvillohet për herë të parë këtë vit, si nismë e përbashkët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Panairi do të zhvillohet në mënyrë të alternuar, një vit në Tiranë e një vit në Prishtinë, me periodicitet të rregullt. Panairi zhvillohet në periudhën 22-24 prill, kohë në të cilën festohet Dita Botërore e Poezisë dhe Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtës së Autorit. Qëllimi i panairit është që të bëjë të njohura arritjet më cilësore në botimet akademike, shkencore dhe universitare” thuhet në njoftimin e Akademisë së Shkencave. / KultPlus.com
Akademia e Shkencave ka shpallur fitues të “Çmimit të karrierës” për vitin 2021 akademikun Bardhyl Golemi, në mbledhjen e asamblesë që u mbajt sot.
Akademik Golemi u vlerësua me motivacionin: “Personalitet me veprimtari intelektuale universitare dhe akademike gjurmëlënëse brenda dhe jashtë vendit për mbi gjashtë dekada; anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nga viti 1999; i shquar për studimet e tij themeluese me rëndësi bazale në fushën e inxhinierisë elektrike dhe elektronike; autor i katër monografive dhe gjashtë teksteve universitare që u kanë shërbyer e u shërbejnë për më shumë se një gjysmë shekulli dhjetëra brezave studentësh e studiuesish; me një rol të dukshëm cilësor në drejtimin e qendrave dhe organizatave shkencore prej njësive bazë deri tek Komisioni Kombëtar i UNESCO-s; duke ushtruar me sukses funksione të larta në administratën shtetërore dhe institucionet shkencore; i vlerësuar në botën shkencore jashtë vendit dhe i përfshirë në borde të tribunave shkencore të njohura; fitues i mirënjohjeve të larta qytetare në nivel kombëtar”.
Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi, në pamundësi të pranisë fizike në mbledhjen e asamblesë të akad. Golemit, për arsye shëndetësore, i dorëzoi çmimin të bijës, Mirela Golemit.
Akad. Golemi në përshëndetjen drejtuar Akademisë së Shkencave, tha se puna e akademikëve ngrihet mbi shpatullat e pararendësve, por duke vënë re zhvillimet e fundit në Akademinë e Shkencave ka ndjerë një kënaqësi të veçantë për arritjet e shumta. /atsh/KultPlus.com
“Fan Noli poliedrik” titullohej konferenca shkencore e organizuar sot nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Muzeu Historik Kombëtar në kuadër të 140-vjetorit të lindjes së Nolit dhe të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në konferencë ishin të pranishëm kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, ministrja e Kulturës Elva Margariti, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi dhe studiues, akademikë e profesorë.
Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi në fjalën e tij tha se “Fan Noli është një prej mendjeve më të ndritura që ka nxjerrë historia shqiptare. Personalitete me formim enciklopedik dhe me gjurmë të pashlyera në dhjetëra fusha krijimtarie, veprimtarie dhe shërbimi, si ai i Fan Nolit, janë të papërsëritshëm dhe shfaqen në horizontet e kulturës dhe të mendimit kombëtar shumë rrallë”.
“Fan Noli është poet-tribun, që ka ngritur më këmbë popullin në kohë kthesash të mëdha; shkencëtar i shquar, të cilit i dukeshin të pamjaftueshme dy doktorata: një në historiografi e një tjetër në muzikologji; orator, që trondiste Asamblenë e Lidhjes së Kombeve në vitin 1924; poliglot, që mund t’u fliste popujve të Ballkanit e të Evropës, madje dhe të persëve të periudhës klasike në gjuhët e tyre dhe që në vitet e fundit të jetës iu kushtua mësimit të aramaishtes; përkthyes, për të cilin u tha me të drejtë se vetëm Fitzgerald-i mund t’i afrohej; meshtar, peshkop e kryepeshkop, figura kryesore dhe me rol vendimtar për autoqefalinë e kishës ortodokse shqiptare dhe i pari që mbajti një meshë shqip në pikëpamjen kronologjike”, tha Gjinushi
Akad. Gjinushi u shpreh se, “Fan Noli ishte kompozitor e muzikolog; më i lirë se një libertin, më i përkushtuar në besim se apostujt, aq sa i kishte caktuar vetes detyrë të përkthente ungjijtë nga aramaishtja, nga gjuha e Krishtit, me sloganin e mirënjohur të kthimit te burimi; lider shpirtëror i mërgatës shqiptare në Botën e Re, themelues i Vatrës dhe i Diellit; revolucionar në misionet qytetare dhe konservator në zgjedhjet kulturore e letrare; pa dyshim kryeministri më i kulturuar që ka nxjerrë ky vend që nga njohja e pavarësisë më 1920; Fan Noli është një figurë që do t’i bënte nder çdo populli, çdo gjuhe e çdo historie. Populli shqiptar ka qenë me fat që e ka birin e vet”.
Pas këtij vlerësimi, akad. Gjinushi vuri në dijeni se gjatë këtij viti Akademia e Shkencave do të organizojë një varg veprimtarish në kuadër të vitit të akademizmit shqiptar, që do të shpallet së afërmi.
“Pa dyshim veprimtaria krijuese dhe shkencore e Fan Nolit, kontributet e tij për oksidentalizimin e kulturës dhe të qytetërimit shqiptar; meritat e tij për çlirimin e mendësisë shqiptare nga trashëgimia anadollake dhe nga sundimi i bejlurçinës, do të zënë vend kyç në evokimin e parahistorisë dhe të historisë së akademizmit në botën shqiptare, e bëjnë atë një akademi më vete”, tha akad. Gjinushi.
Akad. Gjinushi theksoi gjithashtu se “figura e Fan Nolit është nga ato figura të rralla që të vë në vështirësi që në momentin e parë; ç’meritë t’i veçohet në krye – ajo e kryengritësit emancipues, e demokratit qytetërues, e pasuruesit cilësor të thesarit kulturor-letrar shqiptar, e qeverisësit popullor, e mendimtarit origjinal, e polemistit sarkastik e thumbues, e sjellësit të Shekspirit, Ibsenit, Omar Khajamit, Servantesit dhe shumë të tjerëve në gjuhën shqipe, kontribuues i paranjësimit të saj; e priftit me zë baritoni, që i jepte shije kulture meshimit; e publicistit qesëndisës dhe promovuesit të historisë shqiptare në Botë, për të përmendur fare pak prej tyre. Dhe kjo është shenja e parë e një njeriu që e dominoi si qytetar gjysmën e parë të shekullit të 20-të; e dominoi si kryepeshkop gjysmën e dytë të tij dhe mbetet krijues me kurorë sot e mot”.
“Le të japim të gjithë kontributin tonë më të mirë që kjo figurë të dritësohet edhe më shumë në këtë përvjetor”, përfundoi akad. Gjinushi. / KultPlus.com
Grupi i punës për projektin e madh “Historia e shqiptarëve” zhvilloi një mbledhje në Akademinë e Shkencave, në praninë e kryetarit Skënder Gjinushi.
Ishin të pranishëm akad. Pëllumb Xhufi, kryetar i Seksionit të Studimeve Albanologjike, akad. Shaban Sinani, sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave, prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi, drejtor i Qendrës së Botimeve Albanologjike dhe Enciklopedike (ASH), prof. Paskal Milo, prof. Neritan Ceka, akad. Marenglen Verli, akad. Beqir Meta, prof. Gjon Berisha; prof. Hamit Kaba; prof. Ferit Duka, prof. Ana Lalaj; prof. asoc. dr. Sonila Boçi, prof. asoc. dr. Ledia Dushku; dr. Edon Qesari, etj.
Në takim u diskutua për mbylljen e fazës parapërgatitore të këtij projekti, si dhe për vijimësinë e punës lidhur me përmbushjen e kritereve shkencore dhe teknike, strategjitë e bashkëpunimit me autorët dhe drejtuesit e grupeve të punës, diskutimin e materialeve të përfunduara dhe për redaktimin final të teksteve.
U diskutua edhe për realizimin e projektit brenda afateve kohore, që e gjithë puna dinamike dhe voluminoze të bëhet me angazhimin dhe bashkëpunimin e gjithë hallkave pjesëmarrëse, për të pasur një rezultat të arrirë edhe në cilësi.
Qëllimi kryesor i mbledhjes ishte falënderimi dhe inkurajimi për të gjithë studiuesit për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në këtë projekt si edhe evidentimi i çështjeve organizative.
Kryetari i akademisë, akad. Gjinushi theksoi angazhimin e historianëve më të mirë për periudhat përkatëse dhe përfshirjen e institucioneve kryesore të studimit dhe arsimit në Shqipëri e Kosovë.
“Duke qenë para këtij fakti, dhe duke parë angazhimin e gjithë secilit, kam besimin e plotë se produkti final do të jetë aq me vlerë dhe cilësor, sa edhe rëndësia që ka. Ky bashkëpunim do të na japë një produkt të sintetizuar dhe konciz, në mënyrë që t’i drejtohet gjithë publikut shqiptar dhe të huaj, duke shfaqur imazhin dhe të vërtetën e historisë shqiptare”, tha akad. Gjinushi.
Për këtë projekt është bërë me dije edhe më parë nga Akademia e Shkencave. /SOT/ KultPlus.com
“Ismail Kadare, një disidencë letrare” do të jetë tema e veprimtarinë shkencore-promovuese që do të mbahet nga Akademia e Shkencave në ditëlindjen e shkrimtarit dhe akademikut Ismail Kadare.
Veprimtaria do të mbahet më 28 janar 2022, ora 11:00 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në sallën “Aleks Buda” me pjesëmarrjen e studiuesit Jean-Paul Champseix, autor i librit Ismaïl Kadaré – une dissidence littéraire (nominuar për çmimin “Trinia e Albanologjisë: Meyer-Pedersen-Jokli”), shqipëruar nga Irena Rambi e Bashkim Shehu.
Fjala e hapjes do të mbahet nga akad.Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave.
Veprimtaria do të drejtohet nga akad. Pëllumb Xhufi, prof. dr. Saverina Pasho e dr. Ylljet Aliçka. Në këtë aktivitet do të kumtojnë: studiuesi Jean-Paul Champseix, akad. Matteo Mandalà, Bashkim Shehu, Ilia Lëngu, Irena Rambi, Ilir Yzeiri. Pas kumtesave do të bëhet Shpallja e Vitit të akademizmit shqiptar nga kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi.
Do të prezantohet ekspozita e botimeve të Ismail Kadaresë (një bashkëpunim midis Bibliotekës së Akademisë së Shkencave, Bibliotekës Kombëtare, Shtëpisë botuese “Onufri” dhe Shtëpisë botuese “Fan Noli”).
Veprimtaria do të zhvillohet me pjesëmarrje fizike dhe online në linkun: https://us02web.zoom.us/j/89230235815…Meeting ID: 892 3023 5815Passcode: 889000 / KultPlus.com
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi ka pritur në zyrën e tij ambasadorin e Ukrainës në Republikën e Shqipërisë, Volodymyr Shkurov.
Në këtë takim u shpreh vullneti i përbashkët për bashkëpunime me seksionet, institutet dhe qendrat kërkimore-shkencore mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë Kombëtare të Shkencave të Ukrainës.
Kryetari i Akdemisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi e njohu Volodymyr Shkurov me projektet dhe qendrat shkencore të ngritura pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që kanë bashkëpunime rajonale dhe shprehu interesin edhe për bashkëpunimin e shkëmbimin e përvojave mes Akademisë së Shkencave të Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë Kombëtare të Shkencave të Ukrainës.
Pasi u diskutuan interesat dypalëshe të bashkëpunimit, në këtë takim u paraqit nga ambasadori ukrainas, Shkurov, teksti për lidhjen e marrëveshjes mes dy akademive, e cila pritet të finalizohet në pranverën e vitit 2022.
Akademia Kombëtare e Shkencave të Ukrainës është institucioni kryesor i kërkimit shkencor, së bashku me pesë akademi të tjera të specializuara në disiplina të ndryshme shkencore. / KultPlus.com
Studiuesi amerikan Brian D.Joseph, një nga albanologët e pasionuar pas gjuhës shqipe dhe historisë së shqiptarëve në Ballkan, pas shpalljes anëtar nderi nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë që u bë më 27 nëntor, ditën e mbylljes të Kuvendit Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike, ka dërguar një letër falënderimi, në të cilën premton se do të kontribuojë edhe më shumë për studimin e gjuhës shqipe.
Brian D.Joseph, i cili më parë ka qenë studiues i helenistikës shprehet se “për shkak të përgatitjes sime si helenist, kur u ndërgjegjësova për veçoritë mahnitëse që mund të shihen në gjuhën shqipe, vetëm atëherë fillova të çmoj plotësisht kompleksitetin e kontaktit gjuhësor në këtë pjesë të globit.”
Përshëndetje falenderimi drejtuar Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nga Brian D.Joseph, Universiteti Shtetëror i Ohajos:
“Të nderuar kolegë të mi të rinj, Jam thellësisht i nderuar që jam emëruar anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, duke u vlerësuar kërkimet e mia në historinë dhe strukturën e gjuhës shqipe përgjatë disa dhjetëvjeçarëve të fundit. Për mua, t’i bashkohem radhës së shkencëtarëve të shkëlqyer që përfaqësojnë Akademinë, e ndër ta albanologëve më të shquar, është një njohje që as do të mund ta kisha ëndërruar para më se 40 vjetësh, kur iu futa studimit të shqipes si një mënyrë për të zgjeruar kuptimin tim për gjuhët ballkanike dhe gjedhet interesante të bashkëpërkimeve që ato shfaqin. Meqenëse në studimin e Ballkanit arrita më së shumti nga një perspektivë greke, për shkak të përgatitjes sime si helenist, kur u ndërgjegjësova për veçoritë mahnitëse që mund të shihen në gjuhën shqipe, vetëm atëherë fillova të çmoj plotësisht kompleksitetin e kontaktit gjuhësor në këtë pjesë të globit. Në shumë mënyra, Ballkani dhe pozita e shqipes japin një mësim për hulumtimin shkencor të gjuhës dhe historisë së saj. Kontaktet intensive mes popujsh të ndryshëm në rajon kanë çuar në përdorimin e disa detajeve të përbashkëta në strukturën e fjalorit dhe në shumë njësi leksikore, duke dëshmuar se, megjithëse Ballkani është një vatër tensionesh etnike, jo gjithmonë kontaktet kanë çuar në konflikte midis grupeve të përfshira. Në të vërtetë, përfundimi i kontakteve në Ballkan, nga këndvështrimi gjuhësor, është më shumë çështje bashkëjetese paqësore sesa konflikti dhe grindjeje. Ndërsa nga njëra anë ky është një nderim vetjak i rangut më të lartë për mua, nga ana tjetër më e rëndësishme, ai ka një kuptim dhe domethënie të madhe për studimet shqiptare në përgjithësi në Shtetet e Bashkuara. Shqipja si gjuhë nuk ka tërhequr asnjëherë vëmendjen e plotë të gjuhëtarëve amerikanë, pavarësisht shumë veçorive të saj interesante. Megjithatë, ka një traditë të vogël, por të fortë të studimeve shqiptare dhe unë jam i lumtur që kam luajtur sadopak një rol duke ndihmuar për ta mbajtur gjallë dhe madje për ta lulëzuar atë. Pikërisht në dhjetëvjeçarin e fundit kam udhëhequr në programin master dhe atë doktoral disa diploma studentësh, të cilët kanë punuar me mua në çështje që lidhen me gjuhësinë shqiptare. Me njohjen më të madhe që më jep anëtarësimi në Akademi, mund të shpresoj që të rritet numri i studentëve në vitet e ardhshme. Në këtë kuptim, të qenët tim akademik nderi do të kontribuojë në çuarjen përpara të çështjes së gjuhësisë shqiptare, që është me siguri një çështje e rëndësishme.”/ KultPlus.com
Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka shpallur të nominuarit për çmimin shkencor ndërkombëtar Trinia e Albanologjisë “Meyer, Pederson, Jokl”.
Çmimi që jepet për herë të parë është paraprirë nga një juri në krye të së cilës është Pëllumb Xhufi, e në përbërje Muzafer Korkutin, Ali Aliun, Seit Mansakun, Mishel De Van, Monika Genesin e Lovorka Koralic.
Juria ka nominuar 6 emra e vepra duke përfshirë: Sir Noel Malkolm, Luçia Nadin, Roderik Beili, Zhan Pal Shampsis, Dhori Qiriazi dhe Davos Hosaflok.
Pëllumb Xhufi, kryetar i jurisë, tha se “Ky është një çmim që jepet për studiuesit e huaj. Është një vlerësim për punën që studiues me emër të mëdhenj, po përmend emrin e Sir Noel Malcolm që është i njohur në të gjithë botën jo vetëm në mjediset shkencore europiane, për veprat që ka shkuar. Emrat e tjerë ne gjykojmë dhe kjo është edhe dëshira, meritojnë vlerësim dhe kjo është një mënyrë për të promovuar dhe inkurajuar studimet shqiptare të studiueseve të huaj”.
Për vepra nga Skënderbeu e Mesjeta e errët, te Kadare, lëvizja protestante a lufta e fshehtë e misioneve ne vitet 1940, nominimet rrokin tema të ndryshme.
Fituesi do të shpallet në fund të nëntorit në Kuvendin e Albanologjisë që rimbahet pas 40 vitesh. / KultPlus.com
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi përshëndeti konferencën shkencore albanologjike ndërkombëtare “Studimet për shqiptarët në Francë”, që u zhvillua sot në Prishtinë.
Në fjalën e tij përshëndetëse akad. Gjinushi, tha se “tashmë u bë traditë që Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës të organizojë konferenca albanologjike duke iu referuar kufirit të gjuhës ose një areali të përafërt, si një mundësi jo vetëm për të evokuar, vlerësuar dhe shqyrtuar në mënyrë kritike arritjet e dijetarëve albanologë, shpesh herë të shfaqur edhe si qendra e shkolla mendimi e metode, por edhe për të verifikuar nivelet e disnivelet që rezultojnë brenda për brenda tyre dhe midis tyre e kërkimeve tona vendëse”.
“Këto konferenca, si ajo për studimet albanistike në arealin e gjermanishtes, të italishtes e të anglishtes, njëherësh janë dhe një rast për të kuptuar se ç’po ndodh me albanologjinë sot, ku po përforcohet e ku po dobësohet; ku mundet që qeveritë e vendeve tona të inkurajojnë interesin për shqipen, për qytetërimin shqiptar, për lashtësinë e popullit; gjithashtu dhe ku e kë duhet të nderojmë për kushtimin jetësor ndaj botës sonë jo aq fitimprurëse në veprimtarinë universitare dhe akademike në pikëpamjen e përfitimit financiar”, tha akademik Skënder Gjinushi.
Sa u takon studimeve për shqiptarët në Francë, që janë objekt i konferencës së sotme, Gjinushi theksoi dy çështje: “e para ka të bëjë me hershmërinë dhe shumanshmërinë e interesimeve frënge për botën shqiptare duke filluar prej Lavardin-it, përkthyesit apo, nëse doni, përshtatësit të Historisë së Skënderbeut në gjuhën frënge; deri tek shekulli i romantizmit, shoqëruar e vijuar me veprat me karakter etnologjik e historiografik; tek shekulli i 20-të, gjatë të cilit mund të flitet për krijimin e një shkolle franceze të studimeve shqiptare, me figura të tilla si Alain Ducellier e Christian Gut, me gjuhëtarët e kadareologët, që tashmë janë një skuadër e vërtetë”.
“Ajo që mund të identifikojë shkollën frënge të studimeve albanistike, ndryshe prej ndonjë tjetre, është se i mungon si rregull qasja kolonialiste apo neokolonialiste. Një ekzotikë bashkëshoqëruese, sidomos deri në mesin e shekullit XX, por edhe gjatë periudhës së mbylljes, është e kuptueshme, sepse shqiptarët ishin e panjohura. Por, me sa i njoh unë këto studime, nuk ka qëndrime metropolitane ndaj një bote provinciale e të prapambetur, dhe kjo shpreh jo vetëm vlera shkencore, por edhe një sjellje empatike ndaj nesh, që duhet vlerësuar”, – tha akad. Gjinushi.
Së dyti, Gjinushi veçoi rëndësinë e shkollës franceze për formimin e dijetarëve shqiptarë dhe për pajisjen e tyre me një metodë të shëndetshme kërkimore.
“Këtu kemi akademikët Rexhep Ismajli e Bahri Beci, që janë produkt i asaj shkolle, në të cilën u formuan edhe Selman Riza e Ibrahim Rugova, për të mbetur vetëm tek brezat e parë. Studiuesit albanologë që u formuan në shkollat franceze u bënë ura ndërkomunikimi dhe ndërkëmbimi dijesh dhe përvojash”, tha ai.
Gjinushi u shpreh se “konferencat albanologjike referuar kufirit të gjuhës nga njëra anë dhe botimi i studimeve të albanologëve të huaj në shqip e shpesh edhe në gjuhën e burimit janë dy nga traditat më ndërplotësuese të veprimtarisë kërkimore e botuese të ASHAK-ut, me një rëndësi të madhe për gjithë studimet shqiptar”.
Akad. Gjinushi theksoi se “dy akademitë tona po shkojnë vetvetiu drejt një kombinimi të suksesshëm të nismave të përbashkëta e të nismave plotësuese. Tashmë jemi në kohën që këtë çështje të mos ua lëmë protokolleve me kufij dyvjeçarë, por të mendojmë për më gjatë.”
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë bëri të ditur se Kuvendi i studimeve albanologjike që do të zhvillohet në Tiranë më 25-28 nëntor do të jetë një rast për të arritur në përfundime të dobishme edhe për këtë problem.
“Po ashtu, përvoja që po krijojmë duke punuar së bashku për disa projekte madhore në albanologji, si Enciklopedia shqiptare, është mësimdhënëse”, tha akademik Gjinushi. / KultPlus.com
Personaliteti i Shën Joan Kukuzelit dhe muzika e tij, që përbën një dëshmi të vyer për njohjen e traditës së artit muzikor u kujtuan këtë të premte përmes një veprimtarie shkencore në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
1 tetori është data që bashkon muzikën bizantine dhe Ditën Ndërkombëtare të Muzikës me emrin dhe trashëgiminë e madhe muzikore të Jan (Ioan) Kukuzelit.
Kjo veprimtari u organizua nga Akademia e të Rinjve dhe Komisioni i Përhershëm i Artit dhe i Trashëgimisë Kulturore i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit të Akademisë së Studimeve Albanologjike në prani të Hirësi Nathanailit, Mitropolit i Amantias, përfaqësues i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Meri Kumbes, zëvendësministre e Kulturës, si dhe nga prezenca e përfaqësuesve të institucioneve shkencore dhe kulturore të vendit.
Akademik Vasil S. Tole, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave tha se vendi ynë dhe muzika jonë është me fat që ka një pararendës kaq të shquar si Kukuzeli, për të cilin sot mbahet meshë në të gjitha kishat e vendit, kontributi i të cilit në muzikën bizantine është tërësisht i njohur dhe i gjithëpranuar. E jo vetëm kaq. Muzika bizantine, ky art sublim që zë fill 2000 vjet më parë, prej vitit 2019 me propozim të Greqisë dhe Qipros është tashmë pjesë e listës përfaqësuese të dukurive shpirtërore të UNESCO-s.Akademik Tole theksoi se këndimi bizantin është një traditë kulturore e rëndësishme, bën pjesë në traditat muzikore të zhvilluara në Perandorinë Bizantine.
“Është muzikë ekskluzivisht vokale; në thelb është monofonike; këngët janë të kodifikuara në një sistem tetë-mënyrash ose tetë-tonesh; këndimi përdor stile të ndryshme ritmike, në mënyrë që të theksojë rrokjet e caktuara të fjalëve të veçanta, etj.”, tha akademik Tole.
Nisur nga fakti që regjistrimi i këndimit bizantin në UNESCO është realizuar si kandidim multinacional, akademik Tole kujtoi se muzika bizantine nuk u krijua në një vend të vetëm. Pjesët e saj na vijnë nga autorë me kombësi dhe vende të ndryshme dhe pjesë e merituar e kësaj trashëgimie është edhe ajo që vjen nga Shqipëria, nga vendi i Jan Kukuzelit dhe Kristanth Manditit, dy emra të shquar të muzikës bizantine në nivel botëror dhe propozoi që në bashkëpunim me propozuesit e dosjes dhe UNESCO-n, të mundësohet edhe përfshirja e këndimit bizantin në Shqipëri, si pjesë e këtij regjistrimi.
“Hapësirat ligjore ekzistojnë. Duhet vullnet dhe angazhim i përbashkët, i cili besoj se nuk na mungon, që edhe tradita e këndimit bizantin në Shqipëri të bëhet pjesë e pandarë e këndimit bizantin në tërësi”, – tha akademik Vasil Tole.Theodhor Peci rrëfeu për jetën e Joan Kukuzelit dhe “grindjet” ballkanike për përkatësinë kombëtare të mbiemrit të tij, Kukuzeli-Papadhopulos.
“Joan Kukuzeli lindi në Durrës rreth vitit 1270. I ati i vdiq kur ishte shumë i vogël. Ai mbeti i varfër, por u edukua nga mësuesit më të mirë të asaj kohe dhe u dallua për një zgjuarësi të rrallë, për zërin engjëllor dhe për aftësitë e mëdha muzikore. E dërguan në Konstandinopojë, në kryeqytetin e perandorisë, për të studiuar dhe kënduar në oborrin perandorak. Duke parë talentin e tij të madh dhe përparimin e habitshëm në muzikë, e emëruan drejtues të veprimtarive muzikore të kryeqytetit, dhe i dhanë titullin “Mjeshtër”. Jani u bë një anëtar i oborrit perandorak dhe favorit i vetë perandorit. Më teja z. Peçi e quajti Kukuzelin një figurë të jashtëzakonshme, shenjtor të kishës ortodokse që braktisi privililegjet që i dha perandoria e Bizantit dhe jetoi si murg në malin Aathos, e megjithatë të qenit muzikant spikaste në personalitetin e tij. Jani Kukuzeli ishte mësues e krijues i metodave të shkrimit muzikor bizantin”, – tha Peçi, i cili mjeshtërisht drejtoi edhe përshëndetjen muzikore me pjesëmarrjen e korit të muzikës bizantine “Shën Joan Kukuzeli” të Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.
Përshëndetje muzikore pati edhe edhe kuinteti i Shkollës së Mesme Artistike “Jan Kukuzeli” i qytetit të Durrësit, nën drejtimin e artistit Pirro Sota dhe Esmeralda Ahmetaj, pianiste, studente në Konservatorin e Belgjikës.Dr. Mikaela Minga, muzikën bizantine e konsideroi si një pasuri të vyer të njerëzimit dhe theksoi se arti psaltik ka lidhur qendrat shpirtërore të shqiptarëve.
Ajo kujtoi lidhjet e këngëve bizantine me ato të qyteteve të Shqipërisë e sidomos me ato të Elbasanit.Zëvendësministrja e kulturës Meri Kumbe falënderoi Akademinë e Shkencave për mbajtjen e përmendores për Jan Kukuzelin dhe tha se “muzika shpirtërore bizantime mbetet një pasuri e vyer e njerëzimit, ku historia ka dashur që vendi ynë i vogël të ketë kontributin e tij”.
Më tej, studimin e kësaj muzike zv.ministrja e Kulturës e lidhi me politikbërjen në përcaktimin e identitetit tonë kulturor. /atsh/ KultPlus.com
Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë sot më 17 qershor është themeluar Instituti Kombëtar i Fizikës, model i parë i këtij lloji në Shqipëri.
Mbledhja themeluese u mbajt me praninë fizike dhe online të anëtarëve të parë të bordit të Institutit Kombëtar të Fizikës; akad. Rexhep Meidani, akad. Floran Vila, prof. Halil Sykja, dhe me pjesëmarrjen e fizikanëve shqiptarë që punojnë në qendrat shkencore brenda dhe jashtë trojeve tona dhe akad. asoc. Mimoza Hafizi, prof. Ardian Gojani, prof. Orion Çiftja anëtarë të Akademisë dhe Kryesisë.
Veprimtarinë për themelimin e Institutit të Fizikës e çeli akademik Neki Frashëri, Kryetar i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike, që ia dha fjalën e hapjes e Kryetarit të Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushit.
Kryetari i Akademisë së Shkencave foli për rolin e ngritjes së njësive të reja dhe instituteve në kuadër të reformës dhe theksoi se “prej kohësh është debatuar këtu midis fizikanëve dhe matematikanëve ideja e krijimit të dy institutive të fizikës e të matematikës. Pra, qëllimi i të gjitha këtyre njësive apo instituteve është që komuniteti përkatës, konkretisht i fizikanëve të krijojnë një pikë kohezioni për të afruar një armatë apo mjaft kontigjente fizikanësh, që së bashku me kolegët e vet që punojnë në departamente apo institute brenda Shqipërisë të punojnë me kolegët që jetojnë jashtë Shqipërisë, tha akad. Gjinushi, ndërsa në shenjë nderimi përmendi kontributin e fizikanit të shquar shqiptar, Artan Boriçi, të ndarë pak muaj më parë nga jeta, një nga nismëtarët e këtij instituti.
Gjatë diskutimeve lidhur me vizionin e Institutit Kombëtar të Fizikës, akad. Rexhep Meidani përshëndeti iniciativën dhe tha se Instituti Kombëtar i Fizikës do të shërbejë si një kupolë mbështetëse për kërkimin shkencor.
“Shpresoj shumë se do të arrijmë të kontaktojmë me shkencëtarët në trojet shqiptare dhe se do t’i shërbejë brezit të ri për t’u lidhur me pikat më të rëndësishme të kërkimit shkencor në botë, -tha akad. Meidani.
Akad. asoc. Mimoza Hafizi ka falënderuar Akademinë e Shkencave, e veçanërisht kryetarin, akademik Gjinushin si ideatorin e parë dhe tha se:
“Jam veçanërisht e gëzuar që po finalizojmë një ide të nisur nga kryetari i Akademisë rreth një vit më parë dhe të pasuar nga përpjekjet për të shqyrtuar situatën ku ndodhemi ne, fizikanët shqiptarë që punojmë në qendra shkencore brenda dhe jashtë trojeve tona. Është fjala për një bashkësi rreth 150-200 individësh, një pjesë e të cilëve grupuar në universitetet shqiptare dhe një pjesë tjetër të shpërndarë anekënd globit. Unë e çmoj si bashkësi të përbërë nga njerëz me integritet të lartë moral, të formuar përmes punës dhe të mbajtur të paprekur nga talenti që i karakterizon njerëzit që kanë vendosur t’i përkushtohen shkencës sonë. Për këtë arsye, në çdo moment kemi patur bindjen se kjo bashkësi duhet të konvergjojë në një grup sa më koherent, për të mirën e gjithësecilit dhe për të mirën e vendit tonë, vendeve tona.” – tha akad.asoc. Hafizi
Për rëndësinë e ngritjes së Institutit Kombëtar të Fizikës ka folur edhe akad. Florian Vila që e konsideroi si një nismë të rëndësishme që do t’ju shërbejë shkollave dhe universiteteve shqiptare.
Prof. Ardian Gojani vlerësoi mundësinë që krijon ky institut për një bashkëpunim të hapur mes shkencëtarëve.
Prof. Erjon Çiftja, fizikani shqiptar i punësuar në Universitetin e Teksasit tha se Instituti Kombëtar është me rëndësi, sepse ndikimi i këtij instituti në zhvillimin e shkencës, ndikon edhe në zhvillimin e vendit.
Pas diskutimeve u krijua bordi i Institutit Kombëtar të Fizikës me 6 anëtarë, ku drejtor i parë i këtij bordi u zgjodh akad. Rexhep Meidani.
Drejtuese ekzekutive e Institutit Kombëtar të Fizikës u zgjodh akad. Asoc. Mimoza Hafizi. Ky institut do të jetë i përfshirë në një rrjet ndërkombëtar.
Instituti Kombëtar i Fizikës IKF është strukturë që funksionon brenda Akademisë së Shkencave (ASH) dhe funksionon kryesisht përmes faqes elektronike xxx.akad.gov.al të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. /shqiptarja/ KultPlus.com
Në Akademinë e Shkencave, dje janë pranuar 17-të personalitete të shquara si akademikë të jashtëm, pas Reformës së kryer në Akademinë e Shkencave në vitin 2019.
17-të personalitete të jashtme janë pranuar në Akademinë e Shkencave, të cilët do të kontribuojnë në cilësinë e ekspertëve në fushat e tyre. Mes tyre është edhe sopranoja e njohur shqiptarë me famë botërore, Ermonela Jaho.
Lajmi u bë i ditur nga vetë sopranoja, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, e cila theksoi se është e prekur nga kjo gjë.
”E prekur pa masë dhe e përulur për nderin e madh të pranimit si anëtare e jashtme e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ju faleminderit’‘, ka shkruar Jaho. / KultPlus.com
Akademia e Shkencave e Shqipërisë po vijon punën për hartimin e tri veprave madhore albanologjike: Enciklopedia shqiptare, Fjalori i madh i shqipes dhe Historia e shqiptarëve.
Në kuadër të projektit madhor të hartimit të këtyre tri veprave, që përbën një nga drejtimet kryesore të punës së Akademisë së Shkencave për vitin 2021, e në vazhdim, u organizua edhe një takim me kreun e ASH-së, Skënder Gjinushi për përcaktimin e hapave të mëtejshëm për ngritjen e strukturave kryesore e atyre ndihmëse për hartimin e këtyre veprave madhore.
Të pranishëm ishin anëtarët e këshillit: prof. Emil Lafe, akad. Ilirjan Malollari, akad.Jani Thomai, prof. Valter Memishaj, akad. Pëllumb Xhufi, prof. Neritan Ceka, akad. Dhimitër Haxhimihali dhe drejtori ekzekutiv i QBAE prof. Irakli Koçollari.
Ndërsa janë hartuar preventivat orientuese e platformat paraprake në bashkëpunim me përfaqësues të ASA-s, me anëtarë të Asamblesë e të komisioneve e në konsultim me ASHAK-un, si dhe është konfirmuar miratimi i tyre në parim, në takimin e kësaj të hëne u diskutua listimi i tërë stafeve të studiuesve të veprave përkatëse, me synimin që të përgatiten listat e plota të atyre që do të merren me hartimin e tyre.
Për të tria veprat u diskutuan format e bashkëpunimit me institucionet e tjera, nevojat për infrastrukturë e personel ndihmës.
Hartimi i Historisë së shqiptarëve u vlerësua që mund të fillojë punë shumë shpejt e të realizohet në kohën e parashikuar, duke u theksuar se ka mjaft të dhëna, prova e dokumente të reja që e bëjnë të domosdoshme shkrimin e saj.
Puna me Fjalorin e madh të shqipes do të nisë së shpejti. Në këtë vepër do të ketë mbi 100.000 zëra leksikografikë (mbi 90.000 fjalë dhe mbi 10.000 njësi frazeologjike).
Puna e studiuesve synon që të pasqyrojë sa më gjerë leksikun e shqipes me të gjithë përbërësit e tij: fjalë, kuptime, nuanca mbishtresore, lidhje sintagmatike të lira e frazeologjike, lidhje paradigmatike, të dhëna gramatikore, stilistike e të përdorimit, shënime plotësuese dhe etimologjike etj.
Në aspektin kombëtar Fjalori do të bëhet shprehësi më i plotë i pasurisë, i larmisë, i forcës dhe i bukurisë së gjuhës shqipe, i mundësive që jep ajo për të gjitha fushat e veprimtarisë e të krijimtarisë.
Enciklopedia shqiptare që përbën ndërmarrjen më të vështirë e më voluminoze, përfundimisht vlerësohet të realizohet në dhjetë vëllime e në një kohë sa më të shkurtër, për pesë vjet.
Në takim, për të tria veprat u diskutua edhe bashkëpunimi i ngushtë me ASHA-n në Kosovë dhe Institutin Albanologjik në Prishtinë dhe më pas u dhanë udhëzime për ngritjen e ambienteve të reja të punës për Qendrën e Botimeve Albanologjike dhe Enciklopedike.
Marrja prej Akademisë së Shkencave, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës e rolit organizator e financues në hartimin e tri projekteve madhore shqiptare; Enciklopedisë shqiptare, Fjalorit të madh të gjuhës shqipe e të Kuvendit të Albanologjisë në nëntor të këtij viti realizon një prej objektivave kryesorë të reformës së këtij institucioni, atë kryerjes prej ASH-së të rolit strategjik në zhvillimin cilësor të shkencave albanologjike. /atsh/ KultPlus.com
Akademia e Shkencave botoi veprën monografike “Banda kombëtare ‘Vatra’, një histori unike shqiptaro-amerikane” shoqërua edhe me CD, të akademikut Vasil S. Tole.
Kjo vepër i kushtohet historisë së ardhjes së vullnetarëve shqiptaro-amerikanë në vitin 1920 për të nxitur ndjenja entuziaste besimi dhe frymë atdhetare në popull, pas rikonfirmimit të Pavarësisë me Kongresin e Lushnjes dhe në mënyrë të veçantë me ngritjen më këmbë të popullit për t’i marrë në duar fatet e vendit, me përpjekjet e suksesshme për rikthimin e Korçës dhe Shkodrës nën sovranitetin e shtetit shqiptar dhe me luftën heroike të popullit të Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë.
Banda “Vatra” u bë pjesë e historisë së luftës së Vlorës me kurajën e saj për të inkurajuar shpirtin luftarak popullor ballë për ballë me rrezikun, me repertorin e këngëve marshe që mobilizonin ndërgjegjen atdhetare.
Kënga “Vlora-Vlora”, që u krijua nga drejtuesi i kësaj bande Thoma Nasi, me tekst të poetit Ali Asllani, i dha identitet kësaj lufte.Autori i këtij studimi akademiku Tole ka marrë në vështrim lidhjet dhe dallimet midis bandës muzikore “Vatra” dhe shoqatës atdhetare “Vatra”; duke gjetur rastin të theksojë rolin e shqiptaro-amerikanëve në jetën e Shqipërisë shtetërore, ndryshimet që solli në rrjedhat e historisë sonë kombëtare shfaqja e interesimit amerikan për çështjen shqiptare me mbarimin e Luftës së Parë Botërore dhe sidomos me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy shteteve më 1922.
Kjo monografi është në të njëjtën kohë edhe histori e themelimit dhe e rrugëtimit të gjatë njëqindvjeçar të bandës muzikore shtetërore, krijuar mbi bazën e bandës “Vatra”, me një vendim të qeverisë së Sulejman Delvinës.Botimi shoqërohet edhe me një CD, ku janë regjistruar interpretime të bandës. / KultPlus.com
Kryetari i Akademisë së Shkencave së Shqipërisë, Skënder Gjinushi ka mbajtur takim dje me kryeshefin ekzekutiv të Arkivit të Kosovës, Bedri Zyberaj ku kanë folur mbi mundësinë e bashkëpunimit dhe zgjerimit të saj në mes të institucioneve që merren me kujtesën historiko-kulturore dhe identitetin kombëtar.
Sipas postimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në Facebook, bashkëpunimi i tyre përmendet të jetë mbi njohjet shkencore bazuar në burime të reja.
Poashtu në takim ishte i pranishëm edhe drejtori i përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bibo. / KultPlus.com