Tre vepra të reja i shtohen botimeve të Akademisë së Shkencave

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, përmes rrjeteve sociale promovoi disa prej botimeve të fundit të saj. Bëhet fjalë për tri vepra të reja: dy nga fusha e historisë së artit dhe një nga mjekësia, të cilat i shtohen kolanës së botimeve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

“Veshjet tradicionale në artin pamor shqiptar” me autor piktorin e mirënjohur Abaz Hado, është botim i ASHSH, në vitin 2024.

Vepra, me 291 faqe, synon të pasurojë me informacionin e nevojshëm njohjen, ndikimin, bashkëpunimin dhe pasurimin e artit pamor me bukurinë, larminë dhe pasurinë e veshjes tradicionale. Ajo ka përmbledhur në mënyrë selektive veprat kryesore të artit shqiptar, prej mbi 150 vjetësh, por dhe më parë, ku qartësisht është i dukshëm ndikimi nga vlerat, fryma dhe larmia e artit popullor.

Sipas recensentes së këtij botimi, Afërdita Onuzi, ky studim afron analizën konkrete, duke sjellë konkluzione mbi atë produkt tashmë të krijuar, si formë origjinale e artit pamor, përmes së cilës ka shprehur një unitet etnik kombëtar.

Një tjetër botim interesant është “Piktura e kishave e shekujve V-XV në Shqipëri” me autore Dhorka Dhamon. Edhe ky është një botim i ASHSH, i vitit 2024.

Në një studim prej 295 faqesh, Dhamo sjell pikturën mesjetare shqiptare, në të cilin lexuesi do të informohet për monumentet kryesore të pikturës që mbushin muret e kishave e manastireve në periudhën e sipërpërmendur. Ky botim u vlen studiuesve, historianëve të artit, bizantinologëve anembanë botës, studentëve e promovuesve të turizmit kulturor në Shqipëri.

Dy recensentët e botimit, Aleksandër Meksi dhe Pirro Thomo, kanë vlerësuar veprën për trajtimin që i bën artit kishtar në të gjitha shfaqjet e tij gjinore e tipologjike, në mozaikë, miniatura, ikona etj. Sipas tyre, analizat për monumente të veçanta shoqërohen me një material të bollshëm ilustrues dhe nga një bibliografi e pasur, që i bën bindëse përfundimet e arritura. Informacioni i shumanshëm që përftohet, si dhe gjuha e kuptueshme e përdorur, bën që monografia të jetë e vlefshme jo vetëm për specialistët e fushës, por dhe për opinionin e gjerë shoqëror të interesuar për njohjen e pasurisë kulturore të vendit. Gjithashtu, ajo mund të shërbejë edhe për hartimin e teksteve mësimore për studentët e degëve përkatëse.

Një botim i këtij viti i Akademise së Shkencave është “Protokollet e trajtimit sistemik të kancerit” me autorë Bledi Kreka dhe Manika Kreka Face.

Libri prej 446 faqesh është konceptuar në kapituj lehtësisht të kuptueshëm për mjekët dhe stafet mjekësore, renditur sipas peshës specifike të çdo patologjie, trajton 17 neoplazitë më të shpeshta në adultët: kanceri i gjirit, i pulmonit, i traktit digjestiv, i gjakut, i aparatit urogjenital, të lëkurës.

Ky manual, sipas recensentes dr. Anila Kristo, është një instrument i mirë pune për onkologët mjekësorë dhe personelin infermieror në spitalin onkologjik, onkopediatri dhe në qendrat e trajtimit me kimioterapi në spitalet rajonale./atsh/KultPlus.com

Veprimtari shkencore e Qendrës Kërkimore të Bioteknologjisë dhe Gjenetikës

Akademia e Shkencave të Shqipërisë organizoi një takim dedikuar analizës vjetore të Qendrës Kërkimore të Bioteknologjisë dhe Gjenetikës (QKBGJ).

Viti 2024 ishte viti i transformimit të QKBGJ-së nga një njësi e përkohshme në një qendër kërkimore të përhershme në kuadër të reformës së ASHSH-së.

Një nga projektet më të rëndësishme të kësaj qendre është krijimi i bankës së ADN-së të popullatës shqiptare, që është e domosdoshme për studimin e detajuar të lidhjeve gjenetike midis popullatës shqiptare dhe popullatave të tjera europiane. Një tjetër projekt i rëndësishëm është studimi i markuesve imunologjikë dhe gjenetikë në sëmundjet autoimune, patologji për të cilat diagnoza e hershme e tyre është kyçe për përmirësimin e jetës së pacientëve të prekur.

Qendra Kërkimore e Bioteknologjisë dhe Gjenetikës gjatë këtij viti ka realizuar një aktivitet të dendur kërkimor në 18 projekte dhe ky aktivitet është pasqyruar në 26 konferenca apo simpoziume kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjithashtu, ai është konkretizuar në botimin e 8 artikujve shkencorë, nga të cilët 6 janë në revista ndërkombëtare të indeksuara dhe 2 në revista shkencore kombëtare./atsh/KultPlus.com

Akademia e Shkencave të Shqipërisë uron akad. Rexhep Meidanin në 79-vjetorin e lindjes

Kryesia e Akademisë së Shkencave uroi sot akademik Rexhep Meidanit, “Gëzuar ditën e lindjes!”.

Akad. Rexhep Mediani është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, anëtar i Asamblesë dhe dhe një nga mbështetësit e reformimit të saj. Ai është zgjedhur kryetar i bordit të Institutit Kombëtar të Fizikës, që u themelua këtë vit në ASHSH.

Rexhep Meidani ka lindur më 17 gusht të vitit 1944. “Ditёlindja e tij ёshtё njё moment i veçantë pёr ta falënderuar publikisht pёr kontributet dhe arritjet në jetёn e tij “, thuhet në njoftimin e Akademisë së Shkencave.

Akad. Rexhep Mediani ka kryer detyrën e tij të lartë president i Republikës së Shqipërisë në vitet e vështira të tranzicionit 1997–2002.

Në jetën profesionale si fizikan ai ka fituar të gjitha gradat shkencore dhe titujt akademikë, që nga doktorata tek titujt “profesor” dhe “akademik”. Ai bën pjesë në atë grup ekspertësh të shkencave të sakta me formim perëndimor dhe që u shfaqën me zotësi konkurruese cilësore në atë mjedis në një kohë kur vendi ishte i mbyllur dhe nuk e njihte konkurrencën si faktor lëvizës të shoqërisë.

Akademik Rexhep Meidani kreu shkollën e mesme dhe studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Natyrore të Universitetit të Tiranës (1966).  U emërua pedagog në katedrën e fizikës në Universitetin e Tiranës (1966).

Kreu studimet pasuniversitare në Francë, në Universitetin e Kanës dhe në Universitetin “Paris XI”, ku mbrojti dhe doktoratën e ciklit të tretë në fizikën e trupave të ngurtë (1973-1976), ndërsa në Shqipëri përgatiti dhe një doktoraturë të dytë për gradën “doktor”. Vijoi veprimtarinë mësimore e kërkimore në Universitetin e Tiranës.

Si pedagog, përgjegjës katedre (1986-1990, 1992-1996) dhe dekan i Fakultetit të Shencave Natyrore (1988-1992), ka dhënë ndihmesë në zhvillimin e procesit mësimor e të veprimtarisë shkencore, sidomos në fushën e fizikës teorike (mekanikës kuantike, fizikës statike, fizikës së trupit të ngurtë etj.).

Me ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri, Rexhep Meidani u aktivizua në jetën politike e shoqërore dhe dha ndihmesë në proceset demokratike që nisën në vend.

Në dhjetor 1990 u emërua kryetar i Komisionit Qendror të zgjedhjeve të para pluraliste. Në votimet e qershorit 1997 u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe në korrik 1997 u zgjodh President i Republikës së Shqipërisë, mandat të cilin e mbajti deri në vitin 2002.

Gjatë viteve 1986-1990 ka qenë anëtar i Komitetit për Mirëkuptimin Ballkanik dhe në vitet 1994-1996, Kryetar i Bordit të Qendrës Shqiptare të të Drejtave të Njeriut.

Rexhep Meidani është zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (2003) dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut (2015) dhe mban titullin “doctor honoris causa”, dhёnё nga Universiteti i Stambollit, i Selanikut, i Sofjes, i Romës, i Brixhportit (SHBA), i Portsmuthit (Angli), New York University i Tiranës etj. Është anëtar dhe anëtar nderi i institucioneve e organizmave të ndryshme, brenda e jashtë vendit, ndër të cilat mund të përmenden: Klubi i Madridit (Club of Madrid, Madrid, 2003); ICDC (Pragë, 2005); ICD (Berlin, 2011); NGIC (Baku, 2014); Bibliotheka Alexandrina (Egypt, 2015), etj.

Rexhep Meidani është vlerësuar me “Çmimin e Republikës”, me urdhrin “Naim Frashëri”, si dhe mjaft urdhra e medalje të dhëna nga institucione të vendeve të huaja./atsh/KultPlus.com