Evis Kushi: Akademia e Shkencave, lider në fushën e kërkimit shkencor

“Akademia e Shkencave e Shqipërisë është lider në fushën e kërkimit shkencor”, u shpreh ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi në takimin e djeshëm në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me Kryesinë e Akademisë së Shkencave.

Ministrja Kushi u prit nga kryetari akad. Skënder Gjinushi dhe në takim morën pjesë edhe funksionarë të tjerë të Akademisë.

Në këtë takim, që u cilësua shumë i frytshëm nga të dyja palët, u konstatua se Ligji nr. 53/2019 “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”, tashmë ka dhënë rezultate të dukshme pozitive. Ka një ndryshim të qartë në marrëdhëniet midis universiteteve dhe Akademisë. Njësitë e kërkimit shkencor dhe komisionet e posaçme janë me përbërje të përbashkët. Pjesa më e madhe e anëtarëve të tyre janë nga universitetet. Me miratimin e reformës çdo kandidim për anëtarësi në Asamblenë e Akademisë kalon përmes njësive shkencore universitare dhe senateve të universiteteve.

Pati mirëkuptim për bashkëpunimin ndërinstitucional edhe në procesin e mëtejshëm, duke përfshirë hartimin e ligjit tashmë në proces për shkencën, që do të harmonizojë më tej dy ligjet kuadër të dy institucioneve. Akademia e Shkencave dhe MASR do të bashkëpunojnë edhe për miratimin e projektligjit për deontologjinë në kërkimin shkencor, përshtatje e kodit europian të kërkimit shkencor.

U diskutua edhe për mundësinë e ndryshimeve pozitive edhe në organizimin e institucioneve shkencore sot në Shqipëri, që ka problemet e veta, por ka vend për ndryshime.

Pati mirëkuptim për të hedhur hapat e nevojshëm edhe në këtë pikë, dhe në këtë kuadër u përmendën projektet e mëdha akademike për një enciklopedi shqiptare, për një fjalor të madh të shqipes dhe për një histori të popullit shqiptar, që kërkojnë sinergji të mëdha ndërinstitucionale.

Në fund, kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi u shpreh se dy institucionet kanë qëllime të përbashkëta në veprimtarinë në zhvillimin e arsimit dhe shkencës në Shqipëri.  /atsh/ KultPlus.com

Beogradi fyen veprën e Jusuf Buxhovit, akoma asnjë reagim nga akademitë shqiptare

Dëgjoni si vjell vrerë me fyerje dhe sharje Beogradi kundër shkrimtarit dhe historianit të shquar shqiptar Jusuf Buxhovi, për veprën e tij “Dardania – antika, mesjeta”, ndërkohë nuk ka asnjë reagim nga Akademitë shqiptare!

Autori i “Dardanisë” fyhet nga Beogradi: “shiftar i çmendur”!

Vazhdojnë reagimet e ashpra, kryesisht me fyerje nga më të rëndat, nga Beogradi pas botimit të librit “Dardania – antika, mesjeta”.

Ato janë edhe të kuptueshme, ngaqë, me argumente të pamohueshme, demistifikohen gënjeshtrat e tyre që janë përhapur prej më shumë se një shekull!

Këto reagime, përkujtojnë fushatën që pat filluar Beogradi dhe disa “historianë” nga Kosova pas botimit të “Kosovës” në tre vëllime ku u vunë në pah mashtrimet e historiografisë serbe rreth të ashtuquajturit shtet mesjetar serb, që demantohet nga shumë burime bizantine…

Këtë herë, në mungesë të reagimeve shkencore, autori i “Dardanisë” quhet “shiftat i çmendur”!/ VOA/ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=nif8diThj3Y&feature=emb_logo

AShAK-u shpall zgjedhjet për anëtarë

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka vendosur të shpallë zgjedhjet për anëtarë të saj.

Në një mbledhje e cila është mbajtur më 31 gusht është miratuar Qarkorja për propozimin e kandidatëve për zgjedhjeve e anëtarëve të Akademisë

Siç është bërë e ditur përmes një komunikate për media, qarkorja do t’iu dërgohet të gjithë këshillave të fakulteteve dhe universiteteve publike dhe këshillave shkencorë të instituteve që financohen nga buxheti i Republikës së Kosovës.

Aktualisht Akademia ka 21 anëtarë të rregullt dhe 16 korrespodentë. / KultPlus.com

Nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit, tashmë studime të përbashkëta me dijetarët arbëreshë

Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi midis Akademisë së Shkencave, Qendrës për Studim dhe Publikime për arbëreshët dhe Ministrisë së Diasporës.

Nënshkrimi i këtij memorandumi u krye nga kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Skënder Gjinushi, drejtoresha ekzekutive e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, prof. Diana Kastrati si dhe nga ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko.

Ky memorandum synon koordinimin e studimeve për kulturën dhe historinë e komunitetit arbëresh, bashkëpunimin ndërinstitucional që parashikon realizimin e studimeve të përbashkëta mbi historinë dhe kulturën e komunitetit arbëresh, organizimin e aktiviteteve studimore si dhe krijimin e grupeve të punës për aplikimin në projekte të përbashkëta.

Pikë me rëndësi është edhe mbështetja e studiuesve të rinj, të cilët do të realizojnë studime dhe publikime për këtë komunitet.

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, e krijuar së fundmi, është institucioni i parë në historinë e shtetit shqiptar që ka fokus ekskluziv studimet e specializuara që ngërthejnë gjithë universin kulturor, historik, letrar, social dhe antropologjik të komunitetit arbëresh, si një trashëgimi unikale kulturore në mbarë botën. /atsh/ KultPlus.com

Akademia e Shkencave e Shqipërisë: Leximi, shoqëruesi më i mirë në këto ditë pandemie

Kryesia e Akademisë së Shkencave uron sot, në Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të së Drejtës së Autorit, gjithë njerëzit e punës mendore, të gjithë ata që kanë privilegjin fisnik të krijuesit dhe krijimtarisë.

E caktuar në nderim të ditës së ndarjes nga jeta të dy gjenive të letërsisë, Shekspirit dhe Servantesit, sot në gjithë Botën 23 prilli festohet si dita e studiuesve dhe e shkrimtarëve, dita e projektuesve dhe e vlerave origjinale krijuese.

“Urojmë njëherësh të gjithë ata që e duan leximin, që i shijojnë kumtet e shkruara, që prej papirusit deri tek e-Book, që prej dorëshkrimit deri tek teleshkrimi. Autori, libri dhe lexuesi janë një trini e pandashme, që si e tillë bën të ekzistojë krijimtaria. Në ditën e pranimit në Akademinë e Shkencave Morale dhe Politike të Francës akad. Ismail Kadare pati thënë: “Vepra ime është shkruar në kushte burgu. Nëse kjo “bukë burgu” është e shijshme për ju që keni jetuar dhe jetoni në liri, për mua kjo është një kënaqësi e madhe”.

“Le të na kujtojë kjo thënie e shkrimtarit dhe akademikut tonë sa e sa vepra janë shkruar në kushte izolimi, deportimi, karantine; në kushte të mungesës së lirisë, që këto javë pandemie të nxisin autorësinë për krijime e studime të reja. Le të çmojmë gjithashtu se në këta muaj të vështirë libri dhe lexuesi janë afruar dhe miqësuar aq shumë dhe se leximi sot është shoqëruesi më i mirë i tij”, thekson Akademia e Shkencave.

“Sipas programit të Akademisë së Shkencave dhe protokollit të bashkëpunimit me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, sot në mjediset tona duhej të hapej një ekspozitë e librit akademik. Veprat më cilësore të anëtarëve të dy akademive dhe të bashkëpunëtorëve të tyre do të paraqiteshin për një publik të interesuar. Shprehim keqardhjen që, për shkak të pandemisë, këtë kënaqësi do ta kemi në një datë tjetër, deklaron Akademia e Shkencave.

“Mendja e Njerëzimit sot është impenjuar për të gjetur zgjidhjen e përballimit dhe zmbrapjes përfundimtare të pandemisë. Sa më shpejt të ndodhë kjo, aq më e afërt do të jetë koha që libri, autorët dhe autorësia të gëzojnë si në kuptimin simbolik që ka dita e sotme, Dita Ndërkombëtare e Librit dhe e së Drejtës së Autorit”. /KultPlus.com

Akademia e Shkencave në Shqipëri: Ta gjejmë forcën e fitores, në vlerat tona identitare dhe traditës kombëtare

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Shqipëri paraqiten me një qëndrim të përbashkët për vëmendjen ndaj shkencës, kulturës dhe arteve në kushtet e distancimit social për shkak të pandemisë COVID-19.

Në një njoftim për shtyp, Akademia e Shkencave (ASH) bën të ditur se, “Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Shqipëri janë duke ndjekur me vëmendje situatën e krijuar nga pandemia e COVID-19 në gjithë botën. Shoqëria e sotme, e kërcënuar nga një rrezik që kurrë nuk është njohur më parë, po e kupton më mirë se sa të rëndësishme janë për fatet e saj, sot dhe në të ardhmen, shkenca, kultura, artet dhe ndërkomunikimi”.

Sipas ASH-së, meritojnë mirënjohjen dhe mbështetjen tonë në mënyrë të veçantë të gjithë ata njerëz të dijes që gjenden në vijën e parë të rrezikut, ballë për ballë me pandeminë, duke luftuar ditë për ditë me të keqen: mjekët dhe infermierët, të cilët po bëjnë gjithçka për të shpëtuar jetë njerëzore. Shkenca dhe bota intelektuale po qëndrojnë me dinjitet përballë fatkeqësisë botërore, duke kërkuar rrugë e zgjidhje për t’u kthyer sa më parë në normalitet.“Jemi të detyruar të zgjedhim të keqen më të vogël: të pranojmë distancimin shoqëror për të zvogëluar dhe mbajtur nën kontroll përhapjen e pandemisë, me qëllimin parësor mbrojtjen e jetës, megjithëse e dimë mirë se kjo ka rrezikuar dhe do të rrezikojë përkohësisht ndërkomunikimin në shkencë, kulturë dhe art”.

“Shqipëria dhe Kosova, si gjithë të tjerët në botë, janë vënë përballë një rendi dhe forme të re komunikimi intelektual, ku të rrezikuara nuk janë vetëm jetët e njerëzve apo ekonomitë, por edhe shkenca, kultura dhe arti me gjithë përbërëset e tyre. Në një mënyrë gati të padukshme dhe larg vëmendjes së opinionit, çdo vlerë shkencore e kulturore po relativizohet, po humb peshën e vet, po humb funksionin shoqëror dhe emancipues, duke u shtyrë gjithnjë e më shumë në periferi të zhvillimeve shoqërore; po bëhet e pavërejtur dhe e panevojshme, duke u kthyer në veprimtari sekondare”, theksohet në njoftim.

“Duke e ditur dhe duke e parandier se pasojat e kësaj pandemie do të jenë afatgjata; synojmë të tërheqim vëmendjen e opinionit kulturor që të qëndrojë i përbashkuar dhe të angazhohet për të mos lejuar një erozion të pritshëm intelektual. Qëndrimi ynë është që, ashtu siç nuk duhen pritur fatkeqësitë dhe traumat e mëdha natyrore për të kuptuar rëndësinë e shkencës, kulturës dhe ndërkomunikimit, ashtu nuk duhet lejuar që në një të ardhme të afërme ato të gjenden sërish të rrezikuara nga harrimi. Shkenca, arti dhe kultura jonë kombëtare tashmë kanë krijuar një fond veprash me vlerë identitare, të cilat duhen ruajtur dhe kultivuar.

Ne gjithashtu tërheqim vëmendjen se bashkëpunimi e komunikimi ndërkulturor e ndërshkencor nuk duhet të pësojë siç kanë pësuar gjithnjë në rrethana krizash, por duhet të intensifikohen, me idenë se një njësi monolite intelektuale është më e qëndrueshme dhe më e përgatitur për sfidat e ardhshme, duke përfshirë edhe përballjen me ndryshimet globale, të cilat janë të pritshme në rrethanat e krijuara.Ne nuk do të reshtim së kërkuari emancipim kulturor të vazhdueshëm, hapësirë për vlerat e reja në të gjitha fushat e krijimtarisë shkencore dhe artistike, bashkëpunim institucional në mbarë hapësirën kulturore shqiptare, bashkëpunim dhe njohje me kulturat e tjera, vlerësim të merituar të arritjeve fondamentale kulturore dhe shkencore dhe përsosje më të madhe të përbërësve themelorë të identitetit tonë, siç është gjuha, historia dhe trashëgimia.

Ne kërkojmë që, edhe në këtë rrethanë, kur na duhet frymëzim për këtë betejë të pashembullt dhe na duhet ta gjejmë forcën e fitores, t’u kthehemi vlerave tona themelore identitare, traditës tonë më të mirë dhe idealizmit tonë kulturor dhe kombëtar”, thuhet në njoftimin për shtyp të Akademisë së Shkencave. /atsh/ KultPlus.com

Akademia e Shkencave nuk i raporton punën e vet asnjë institucioni shtetëror

Në kuadër të projektit “Vlerësim i shoqërisë civile dhe dialog publik për institucionet e ‘heshtura’ të Kosovës”, të financuara nga fondet publike, Organizata Integra ka publikuar raportin “Kriza në Akademi: Vlerësim i shoqërisë civile për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës”, që është produkt i hulumtimit të realizuar nga Shkelzen Gashi, shkruan KultPlus.

Ky raport tregon se raportet vjetore narrative dhe financiare të AShAK-ut nuk janë publike. Raporti i Auditimit për vitin 2017 konstaton se gjithçka është në rregull. Gjatë miratimit të ligjit për AShAK-un në vitin 2015, është thënë se AShAK-u do t’i raportojë Kuvendit të Kosovës për punën e vet në baza vjetore, ndërsa kanë kaluar gati tri vite nga miratimi i i ligjit të ri dhe AShAK-u deri më sot nuk i ka raportuar për punën e vet asnjë institucioni shtetëror, as Kuvendit të Kosovës, përkatësisht Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Teknologji e as Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Lidhur me këtë, raporti “Kriza në Akademi” rekomandon që AShAK-u t’i raportojë për punën e vet të paktën një herë në vit Kuvendit të Kosovës, përkatësisht Komisionin Parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Teknologji të Kuvendit të Kosovës. Tutje në rekomandim thuhet se po ashtu, do të ishte mirë që, veç tjerash, të publikohen të gjitha dokumentet që lidhen me financimin e AShAK-ut./ KultPlus.com

Nominohen autorët për konkursin e veprës më të mirë dedikuar Skënderbeut

Akademia e Shkencave ka shpallur këtë të martë veprat dhe autorët e nominuar për botimin më të suksesshëm, dedikuar figurës së heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Kjo nismë vjen në kuadër të vitit mbarëkombëtar “Skënderbeu”, gjatë të cilit Akademia do të organizojë një sërë aktivitetesh.

“Akademia e Shkencave, që në dhjetor të vitit të shkuar, shpalli programin e aktiviteteve që ajo mendonte të organizonte përgjatë vitit 2018: një konferencë shkencore, një konkurs ndërkombëtar për studimin më të mirë kushtuar Skënderbeut dhe epokës së tij, botimin e një vëllimi të posaçëm kushtuar Skënderbeut dhe botimin e plotë të veprës së Kristo Frashërit”, u shpreh akademikja Floresha Dado.

Pasi përzgjodhi 30 botime dedikuar kësaj figure, të botuara nga viti 2000-2018, akademia përzgjodhi 3 botimet më cilësore ndër autorët shqiptarë.

“Për veprën më të mirë shkencore të realizuar nga autorë shqiptarë, u përzgjodh Aurel Plasari me veprën “Skënderbeu-një histori politike”. Autori tjetër është Kasem Biçoku për veprën e tij “Toponimet Mesjetare në studimin e historisë së Skënderbeut” dhe autori i tretë Petrika Thëngjilli për veprën “Skënderbeu-arritje, mangësi e pikëpamje të ndryshme”, u shpreh Pëllumb Xhufi.

Jose-Manuel Floristan nga Universiteti i Madridit, Lucia Nadin nga Italia dhe Oliver Jens Schmitt nga Gjermania janë tre autorët e huaj të nominuar, nga të cilët do të shpallet mes tyre vetëm një fitues. Dy fituesit do të bëhen publik në një ceremoni të veçantë dhe do të shpërblehen me nga 5 milionë lekë të vjetra secili.

Edi Rama: Akademia e Shkencave sot është kufomë e vetvetes

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është takuar me grupin reformator të Akademisë së Shkencave, me ç’rast u diskutua ecuria e mëtejshme e institucionit.

“Unë kam kërkuar reformimin e Akademisë së Shkencave si një proces që duhet të vinte në udhën e një reflektimi brenda jush, brenda gjithë trupës së përfshirë në këtë institucion me propozime konkrete, mbi të cilat pastaj ne do të mund të zhvillonim një diskutim të përbashkët në funksion të transformimit të domosdoshëm të këtij institucioni në diçka tjetër. Siç e kam thënë dhe në diskutimin që kemi pasur më parë e vërteta është që Akademia e Shkencave sot është kufoma e vetvetes. Ajo nuk reflekton as vizionin e etërve themelues”, tha kryeministri Rama në fillim të takimit./ KultPlus.com

Akademiku Gudar Beqiraj i ofron dorëheqjen presidentit Ilir Meta

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, priti dje në takim kryetarin e zgjedhur të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademikun Gudar Beqiraj, i cili i shprehu vullnetin e tij Presidentit të Republikës për t’u dorëhequr nga pozicioni i kryetari i këtij institucioni, bën të ditur ATSH.

Në një njoftim për mediat nga zyra e shtypit e Presidentit bëhet e ditur se gjatë takimit u diskutua mbi situatën aktuale të Akademisë së Shkencave, procesin e reformimit të saj dhe sfidat dhe perspektivën e përballjes së tyre me sukses, si dhe u nënvizua nevoja dhe rëndësia e një reformimi tërësor të kërkimit shkencor te Akademisë së Shkencave në drejtim të rritjes së produktivitetit shkencor në harmoni me zhvillimet e sotme të shkencës, teknologjisë dhe inovacionit, për përballimin e sfidave të rëndësishme të vendit tonë.

Po ashtu, thuhet se në takim, akademiku Beqiraj i shprehu vullnetin e tij Presidentit të Republikës për t’u dorëhequr nga pozicioni i kryetarit të Zgjedhur të Akademisë së Shkencave, duke theksuar se ai do të mbetet përkrah kolegëve të tij akademikë, mbështetës dhe kontribues i procesit të reformimit të nisur tashmë të këtij institucioni të rëndësishëm.

Presidenti Meta vlerësoi lart aktin qytetar të akademikut Gudar Beqiraj, duke vënë në dukje personalitetin e tij, si dhe theksoi rëndësinë e vendosjes sa më shpejt të dialogut mes Asamblesë së Akademisë së Shkencave dhe Qeverisë, me qëllim rritjen e rolit të pazëvendësueshëm të saj për zhvillimin e vendit./ KultPlus.com