Akademia e Studimeve Albanologjike prezantohet me një studim në Kroaci

Akademia e Studimeve Albanologjike është përfaqësuar në një workshop doktoral në Kroaci.

Në Universitetin e Zarës (Kroaci) u organizua nga Shkolla Franceze e Romës (École Française de Rome) në kuadër të programit ANR MONACORALE, workshop-i doktoral me titull “Live, pray and die in an Insular and Coastal Environment between 4th and 12th century”, ku u mblodhën kërkues dhe doktorantë nga vende të ndryshme të Evropës.

Në këtë workshop dr. Ulsi Tota nga Departamenti i Prehistorisë, (Instituti i Arkeologjisë – ASA) mori pjesë me ligjëratën “Quelques aspect des conditions de vies des populations du Nord de l’Albanie pendant le Moyen Age”.

Fokusi i ligjëratës ishte rindërtimi i kushteve shëndetësore dhe ato të jetesës së popullsive të Shqipërisë së Veriut (më saktësisht atyre të Komanit, Lezhës dhe Shkodrës) gjatë periudhës mesjetare, duke u bazuar në të dhënat antropologjike dhe ato paleopatologjike./atsh/KultPlus.com

Një muaj gërmime arkeologjike në Apoloni

Akademia e Studimeve Albanologjike si dhe Parku Arkeologjik Kombëtar Apolonia, njoftuan se përgjatë një muaji do të realizohen kërkime arkeologjike në Apoloninë e Ilirisë.

Instituti i Arkeologjisë në bashkëpunim me École Normale Supérieure Paris/Francë, Shkollën Franceze të Athinës (EfA) dhe Shkollën Franceze të Romës (EfR) do të zhvillojnë kërkimet arkeologjike në Apoloni.

Krahas gërmimeve në zonën e portës veri-lindore, projekti synon vijim e studimit të linjës së fortifikimeve, nëpërmjet realizimit të survejimit topografik dhe fotogramtetrik.

Ky projekt bashkëdrejtohet nga Belisa Muka dhe Stephane Verger, me pjesëmarrjen e arkeologëve dhe studiuesve nga institucionet bashkëpunuese dhe të studentëve nga Departamenti i Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore të Universitetit të Tiranës.

Ndër 24 qytete në të gjithë botën mesdhetare që mbanin këtë emër në Antikitet, Apolonia e Ilirisë ishte më e rëndësishmja dhe luajti një rol të madh si ndërmjetëse tregtare mes helenëve dhe ilirëve.

Apolonia ishte në atë kohë një qytet i madh e i rëndësishëm në afërsi të lumit Aoos (Vjosë). Llogaritet që qyteti të ketë patur rreth 60 000 banorë, një shifër rekord për Antikitetin.

Apolonia ndodhet 12 kilometra larg qytetit të Fierit. Emrin qyteti e mori për nder të perëndisë Apollon./ atsh / KultPlus.com

Nesër nis edicioni XII i ‘Ditët e Albanologjisë’

Duke filluar nga nesër e deri të premten Akademia e Studimeve Albanologjike organizon edicionin e XII, të Ditët e Albanologjisë. “Albanologjia e mijëvjeçarit të ri” është zgjedhur si temë e këtij edicioni.

Një memorandum bashkëpunimi mes qendrave albanologjike të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit; nderim për disa kërkues shkencorë që lënë karrierën aktive akademike dhe një ekspozitë e botimeve të akademisë, janë disa nga aktivitetet e parashikuara. Ceremonia e hapjes zhvillohet në sallën e albanologjisë, Pallati i Kongreseve, ora 10.00.

Në njoftimin nga ASA bashkëngjitur me programin e detajuar, në vazhdim është dhe katalogu i sapodalë nga shtypi me botimet themelore në vite, si dhe botimet më të reja të ASA-s. Në njoftimin zyrtar thuhet se aty gjenden botime për figura politike e kulturore dhe fenomene të rëndësishme të dy shekujve të fundit, që janë me interes për publikun e gjerë.

“Janë tema dhe subjekte për të cilat dija e akademikëve profesionistë vendos një farë rregulli në këtë kaosin tonë kulturor, ku publikut i ndodh të ushqehet nëpërmjet mediumeve dhe albanologjisë alternative”, thuhet në njoftim.

Akademia e Studimeve Albanologjike (ASA) përbëhet nga katër institute kërkimore kombëtare: Instituti i Arkeologjisë, i Historisë, i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, i Antropologjisë Kulturore e Studimit të Artit, si dhe nga Qendra e Enciklopedisë Shqiptare. ASA përbëhet nga një ekip prej afro 100 studiuesish të njohur, të profilizuar në fushat e albanologjisë, si dhe një rrjet i gjerë bashkëpunëtorësh të institucioneve akademike e kërkimore shqiptare dhe ndërkombëtare.

ASA administron Bibliotekën Albanologjike, si dhe fonde e arkiva shkencore të sistemuara e të ekspozuara në muzeun arkeologjik, kabinetin e numizmatikës, në fondet materiale të arkeologjisë, të etnografisë, në arkivin e historisë kombëtare, në arkivin e shkruar të gjuhësisë e letërsisë dhe në kartotekat gjuhësore, në arkivat e folklorit, etj. / KultPlus.com

Akademia e Studimeve Albanologjike në Shqipëri boton 60 tituj

Akademia e Studimeve Albanologjike botoi rreth 60 tituj për vitin 2020. Rektori i këtij institucioni, Marenglen Verli, për “ReportTV” rrëfen se si specialistët e instituteve të historisë, gjuhësisë, letërsisë, antropologjisë kulturore, arteve dhe arkeologjisë me vetëm 4 milionë lekë kanë botuar 60 tituj të rinj, në të cilat përfshijnë dokumente arkivore, studime, monografi, fjalorë të gjuhës shqipe dhe revista.

“Edhe për ne viti që lamë pas për shkak të pandemisë Covid 19 ka pas vështirësitë e veta. Por, produkti ynë është dorëzuar deri në maj të 2020-s. Produkti i sivjetmë do të na tregoj se sa na ka prekur pandemia. Ne kemi pezulluar konferencat, Ditët e Albanologjisë etj., por produkti i vitit ishte i begatë. Kemi realizuar monografi, përmbledhje studimesh, të akteve të rëndësishme të konferencave, është shtuar gama e botimeve dokumentare etj”.

Gjatë viteve të fundit, ASA ka botuar rreth 1 mln dokumente të marra nga arkivat e huaja në fushën e historisë, por ku shkojnë këto botime me tirazh 200 deri 300 kopje?

“Botimet tona shkojnë në gjithë institucionet analoge, universitete publike, bibliotekat e vendit edhe pse jo edhe në ato të bibliotekat e shkollave të mesme, pse jo të mos shkojnë edhe jashtë përmes Ministrisë së Diasporës apo asaj të Jashtme. Ajo që ne na mbetet për në të ardhmen dhe që ndoshta do të gjejënjë rrugë, që deri më tani se ka gjet, është që publikimet më të mira tona të realizohen në gjuhë të huaja, që jo vetëm albanologët, por edhe elita politike e vendeve që kanë lidhje apo interesa për Shqipërinë, të kenë materialin tonë, jo vetëm të fqinjëve, që të gjykojnë realisht mbi botën shqiptare”, thotë Verli.

Një nga problematikat më të mëdha për albanologët është botimi i një Fjalori për Gjuhën Shqipe, që të tejkalojë atë të vitit 1980. Por, çfarë duhet për këtë?

“Në 70 vite janë botuar disa fjalorë, secili ka vlera dhe mangësitë e veta. Njerëzit që dikur kanë qenë më shumë, janë rralluar. Në ‘90 në fushën e Albanologjisë kanë qenë studiues edhe forca ndihmëse 300, sot jemi 100. Gjuhëtarët tanë janë të gatshëm që t’i prijnë kësaj pune, duhet një bashkëpunim dhe me kolegët jashtë Shqipërisë, por duhet edhe dëshira e mirë dhe vëmendja e duhur morale edhe materiale. Studime parciale janë bërë, por një fjalor gjithëpërfshirës do mbështetje serioze. Duhet disa vite punë”.

Fusha e Albanologjisë, e cilësuar si më e rëndësishmja për ruajtjen edhe promovimin e identitetit të shqiptarëve jashtë kufijve, ka në dispozicion thërrime. Megjithatë, Verli tregon mënyrën se si kjo fushë mund të promovohet më shumë

Albanologjia është fusha, ndoshta jo e vetmja, por më rëndësishmja, që ne jemi origjinalë edhe përmes zhvillimit të këtyre shkencave i japim pasaportën vendit dhe kombit. Natyrisht, edhe një adrenalin që të dalë përtej entuziazmit të një ndeshje të mirë në stadium, por kjo kërkon që zhvillimi i këtyre shkencave të jepet në mënyrë racionale në shkolla. Besoj se në mënyrën e duhur instancat eprore duhet të zhvillojnë takime dhe të gjejnë mjetet që të bëhet e gjithë kjo që duhet bërë”, përfundon Verli.

Buxheti vjetor i Akademisë së Studimeve Albanologjike është rreth 20 milionë lekë, ndërsa burimet njerëzore, studiues edhe administratë 100 persona. / KultPlus.com