Ky projekt i është dedikuar fuqizimit të vajzave dhe grave, për t’i përgatitur ato me sa më shumë njohuri për vendimmarrje, si dhe pjesëmarrje në jetën publike.
Drejtorja Ekzekutive e Forumit për Lidership dhe Diplomaci, znj. Njomza Emini, në prezencë të Ambasadorit gjerman, z. Joern Rohde, kryetarit të Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovëz, z. Skender Krasniqi, Ambasadores findlandeze, znj.Pia Stjernval, Ambasadores kroate, Danijela Barisiq, si dhe ministrit të Infrastrukturës, z. Arban Abrashi, përshëndeti pjesëmarrësit dhe i falënderoi ata për prezencën e tyre në këtë ngjarje shumë domethënëse për vajzat e Akademisë, duke dëshmuar përkrahje për këtë kategori.
Ndër të tjera, znj. Emini tha: “A ka përfunduar misioni jonë me përfundimin e projektit?- Jo. Sepse, ne vetëm sa kemi filluar një rrugëtim të gjatë drejt arritjes së barazisë gjinore, rrugë në të cilën kemi shumë punë dhe duhet përkushtim i veçantë. Se a do të arrijmë të përmbushim objektivat tona, kjo varet shumë nga puna dhe mundi jonë i vazhdueshëm, dedikim të cilin duhet të vazhdojmë si në ditën e parë që kemi filluar”.
Ajo theksoi se krahas përgatitjes për lidership dhe tema të ngjashme, me rëndësi thelbësore ka qenë edhe mundësia për zhvillim profesional dhe punë praktike në institucione, organizata e biznese tjera, të cilat u kanë ofruar mundësi vajzave që kanë qenë pjesë e projektit, të kryejnë punë praktike administrative.
Andaj, me këtë rast falënderoj Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Grupin e Grave Deputete, Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Komunën e Kamenicës, Kosovapressin, Komitetin Olimpik të Kosovës, Bankën TEB, Rektoratin e Universitetit të Prishtinës dhe Klan Kosovën, për mundësinë që u kanë ofruar vajzave për kryerjen e praktikës profesionale në këto struktura”, është shprehur znj.Emini.
Ndërsa, Ambasadorin gjerman dhe kryetari i Bordit të Odës së Afaristëve të Kosovës, falënderuan znj. Emini për organizimin, duke deklaruar mbështetje të vazhdueshme për përmirësimin e kushteve të vajzave dhe grave në Kosovë, drejt përmirësimit të nivelit të pjesëmarrjes së tyre në jetën publike. / KultPlus.com