Nga Shqiptar Oseku
Gun-Britt Sundström është shkrimtarja e dytë e cila njofton se braktis grupin e punës që përgatit nominimet për çmimin Nobel në letërsi.
Ajo përmend skandalin rreth nobelistit serbofil Peter Handke si shembull se si Akademia Suedeze aludon se letërsia qenka e shkëputur disi nga jeta e politika. “Kjo nuk është ideologji të cilën unë mund ta mbështes”, citohet të ketë thënë Gun-Britt Sundström.
Para saj detyrën e braktisi Kristoffer Leandoer, një tjetër autor e poet suedez, me motivim se nuk janë marrë parasysh vërejtjet e tij. Në grup të punës sot kanë mbetur vetëm tre anëtarë.
Përzgjedhja e autorit Peter Handke si nobelist ka shkaktuar një valë protestash nga figura të kulturës dhe shoqërisë suedeze. Një shkollë suedeze që tradicionalisht është nikoqire e nobelisteve është shkëputur nga festimet e sivjetshme për shkaqe sigurie, pasi shumë nxënës e prindër aty janë nga Ballkani.
Reagimi i Akademisë Suedeze vazhdon të jetë i ftohtë, zëdhënësi i saj shpreh keqardhje për dorëheqjet dhe reagimet por thotë se tashti do shikuar drejt të ardhmes.
Nesër është planifikuar një manifestim i madh qytetar kundër përzgjedhjes së autorit serbofil Peter Handke si nobelist, është konfirmuar se aty do të marrin pjesë një numër i madh i figurave të kulturës, politikës dhe shoqërisë civile suedeze, në një protestë të pashembullt kundër akademisë.
Këshillë: Ndoshta është mirë që autoret e dorëhequr suedezë të ftohen nga dy akademitë shqiptare? / KultPlus.com