Akil Gjakova humb garën e tij në Evropianin e Kroacisë

Xhudisti kosovar, Akil Gjakova, ka përfunduar garën në Kampionatin Evropian të xhudos që po mbahet në Zagreb të Kroacisë.

Ai pësoi humbje nga xhudisti bullgar, Mark Hristov, me Waza-ari, në kategorinë deri në 73 kilogramë.

Ndryshe, edhe xhudisti Dardan Cena është eliminuar, pasi pësoi humbje në luftën e parë nga Manuel Parlati, në kategorinë deri në 73 kilogramë. / KultPlus.com

Akil Gjakova triumfon në raundin e parë

Akil Gjakova e ka nisur me fitore Kampionatin Evropian në Zagreb të Kroacisë.

Në raundin e parë, xhudisti kosovar e ka mposhtur një kundërshtar të fortë, të renditur i 28-ti në botë, sllovenin Marin Hojak.

Gjakova garon në kategorinë -73 kilogramë.

Xhudisti më i mirë i Kosovës, në raundin e 1/32-ve do të luftojë ndaj bullgarit Mark Hristov./ KultPlus.com

Kosova me pesë xhudistë në Kroaci, merr pjesë edhe Akil Gjakova

Nga nesër (25 prill), fillon kampionati europian i xhudos për senior në Zagreb të Kroacisë dhe Kosova do të marrë pjesë me pesë garues.

Në këtë kampionat marrin pjesë 47 shtete, me 427 garues, 240 meshkuj dhe 187 femra, shkruan Indeksonline

Ekipi i Kosovës do të përfaqësohet nga xhudistët: Distria Krasniqi (-52 kilogram), Flaka Loxha (-57 kilogram), Akil Gjakova (-73 kg), Dardan Cena (-73 kg) dhe Loriana Kuka (-78 kg).

Distria dhe Flaka ndeshen ditën e parë kurse ditën e dytë ndeshet Akili dhe Dardani, Loriana ndeshet ditën e tretë.

Ekipi kosovar është nën udhëheqjen e trajnerit dhe selektorit Driton Kuka dhe Majlinda Kelmendi./Indeksonline/ KultPlus.com

Reuters për Akil Gjakovën: Fituesi i 62 medaljeve, në kërkim policor për dhunë në familje

Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e publikut për ndihmë në lokalizimin e xhudistit Akil Gjakova, i cili është akuzuar për dhunë në familje, për këtë rast ka shkruar edhe Reuters.

“Policia e Kosovës po kërkon nga të gjithë qytetarët që kanë informacion për lokacionin e të dyshuarit të njoftojnë stacionin më të afërt policor”, ka thënë policia përmes një njoftimi publik me foton e Gjakovës të bashkëngjitur, pa dhënë detaje për akuzat.

Mediat lokale më herët kanë raportuar se gruaja e tij e ka paraqitur rastin në polici.

Gjakova, 28-vjeç, ka fituar 62 medalje në xhudo, përfshirë gjashtë arta, që nga viti 2011 në gara të ndryshme ndërkombëtare, dhe pritej të merrte pjesë në lojërat olimpike Paris 2024.

Federata e Xhudos e Kosovës ka thënë se është në kontakt me Gjakovën dhe besojnë në pafajësinë e tij, duke thënë se ai ishte jashtë vendit dhe do të dorëzohet para autoriteteve porsa të kthehet.

Urdhri për arrest ndaj Gjakovës vjen teksa vendi u trondit kur një burrë vrau gruan e tij të martën, pak kohë pas një femicidi tjetër të premten e kaluar kur një burrë vrau ish-bashkëshorten e tij në Ferizaj. / KultPlus.com

Policia e Kosovës publikon fotografinë e xhudistit Akil Gjakova, kërkon arrestimin e tij

Xhudisti i famshëm Akil Gjakova është duke u kërkuar nga Policia e Kosovës dhe për këtë çështje ka kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve, shkruan KultPlus.

Në faqen zyrtare të Policisë së Kosovës është publikuar fotografia e tij, duke dhënë shpjegime se Akil Gjakova po kërkohet për veprën penale: dhunë në familje.

Më poshtë po ju sjellim njoftimin e plotë të Policisë së Kosovës.

Kërkesë për bashkëpunim – Akil Gjakova

Pejë, 16 prill 2024

Policia e Kosovës – Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, bazuar në ligj për publikimin e fotos me shënime tjera të personit të kërkuar më autorizimin e Prokurorisë themelore nё Pejё, me qëllim lokalizimin dhe rrjedhimisht arrestimin e tij, lëshon: Kërkesë për bashkëpunim me qytetarët.

Personi i kërkuar është:

• AKIL (Luan) GJAKOVA i lindur me 04.01.1996 nё Pejë.

I pandehuri është i kërkuar për veprën penale:

– “Dhunё nё familje”

Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor.

Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës:

– 192 dhe 080019999 (pa pagesë)

– 039 432 327-Drejtoria Rajonale Pejë

– E-mail adresa: [email protected]./ KultPlus.com

Kuka i gëzohet suksesit të Gjakovës: Ecim tutje drejt medaljeve tjera

Trajneri më i suksesshëm në histori të Kosovës, Driton Kuka, ka arritur edhe një tjetër suskes madhështor, shkruan KultPlus.

Xhudisti Akil Gjakova ka siguruar një tjetër medalje për Kosovën, duke fituar medaljen e argjendtë pas pesë fitoreve në Grand Slam të Abu Dabit.

Gjakova ka siguruar 700 pikë për Lojërat Olimpike.

Përmes një postimi në “Facebook”, Kuka i është gëzuar suksesit të Gjakovës.

Postimi i tij:

“Grand Slam Abu Dabi …
Medalje e argjendtë me vlerë të artê!
Akil Gjakova pas afër 2 vitesh i kthehet medaljeve të mëdha!
Plot 5 fitore u deshën për të arritur në finalen e madhe!
Garuesit nga Bahamas,Finlanda,SHBA si dhe Kazakistani u mposhtën me xhudo efikase dhe në finalen e madhe me Uzbekun humbi pas një beteje të madhe.
Bravo Akil 👌
700 pikë Olimpike që janë vizë për Lojëra Olimpike!
Lëndimet e probleme tjera qofshin te kaluara dhe po besoj shumë që do ecim tutje drejt medaljeve tjera!
Loriana kategoria 70 kg e pafat sot!
Fitoj kundër holandezes e mandej humbi kur ishte më e mirë kundër Austriakes Polleres.
Neser garon Shpati Zekaj debuton në Grand Slam presim paraqitje të mirë”, shkruhet mes tjerash.

Loriana Kuka gjatë ditës së sotme humbi në garën e dytë, ndërkaq Shpati Zekaj do ta ketë paraqitjen e parë nesër në Grand Slam. /KultPlus.com

Akil Gjakova në finale të Grand Slam Abu Dhabit

Akil Gjakova e ka siguruar medaljen e argjendtë në Grand Slamin e Abu Dhabit.

Xhudisti kosovar është kualifikuar në finale të kësaj gare prestigjioze.

Garuesi nga Peja ia doli ta mposht në gjysmëfinale kazakun Daniyar Shamshayev për ta prekur finalen e madhe në kategorinë deri në 73 kilogramë, shkruan “Gazeta Express”.

Paraprakisht, në rrethin e parë xhudisti pejan e eliminoi garuesin nga Bahamas, Andreë Munnings, kurse në atë të dytë ishte më i mirë se finlandezi Valtteri Olin.

Ndërkaq, në rrethin e tretë, Gjakova ishte më i mirë se kazaku Zahsay Smagulov.

E në gjysmëfinale, Akili e mposhti kazakun tjetër, Shamshayev.

Në finale, ai do të përballet me garuesin nga Uzbekistani, Shakhram Ahadov.

Gjakova kështu po shkon me hapa të sigurt drejt medaljes së artë në Abu Dhabi.

Ndërkohë, garuesja kosovare, Loriana Kuka u eliminua në rrethin e dytë të këtij Grand Slami sot, në kategorinë deri në 70 kilogramë. / Express/ KultPlus.com

Sot feston ditëlindjen kampioni i Evropës, Akil Gjakova

Kampioni i Evropës më 2021, Akil Gjakova feston sot ditëlindjen e tij të 27-të, shkruan KultPlus.

Gjakova konsiderohet si një nga sportistët më të suksesshëm në historinë e Kosovës.

Ai fitoi medaljen e artë në peshën 73kg për meshkuj në Lojërat Mesdhetare 2018 të mbajtura në Tarragona të Spanjës.

Në vitin 2021, ai fitoi medaljen e artë në peshën 73kg për meshkuj në Kampionatin Evropian të Xhudos që u mbajt në Lisbonë të Portugalisë.

Ai po ashtu përfaqësoi Kosovën në Lojërat Evropiane 2015 në Baku të Azerbajxhanit dhe në Lojërat Evropiane 2019 në Minsk të Bjellorusisë.

Ndërkaq, edhe Komiteti Olimpik i Kosovës i ka uruar ditëlindjën xhudistit, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook.

“Kampion i Evropës 2021
7️⃣-ti në LO Tokyo 2020
🥇🥉në Lojërat Mesdhetare
3X Sportist i Vitit në Kosovë
Urime ditëlindja🎂 Akil Gjakova. U bëfsh 100!”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Çeku për fitoret e xhudos: Rezultatet e tyre ndërkombëtare janë krenari për shtetin tonë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka ndjekur nga afër ekspeditën e ekipit të xhudos së Kosovës që ka pasur në Kampionatin Evropian në Sofje të Bullgarisë, shkruan KultPlus.

I pari i Kulturës ka uruar në llogarinë zyrtare në “Facebook”, punën e jashtëzakonshme të sportistëve në këtë ngjarje madhore për vendin.

Postimi i plotë i Çekut:

“Në europianin e xhudos në Sofje, Laura fiton të argjendtën, Disi të bronztën. Kampionatin Europian 2022 që po mbahet në Sofje të Bullgarisë e nisëm me medaljen e bronztë të Distria Krasniqit, kampiones sonë olimpike. Suksesi vazhdoi edhe sot, në ditën e dytë, kur Laura Fazliu fitoi medaljen e argjendtë duke e marr titullin e nën-kampiones europiane. Paraqitje të mirë në kampionat patën edhe Flaka Loxha dhe Akil Gjakova. Kënaqësi e papërshkrueshme të përcjell nga afër ekipin tonë të xhudos. Rezultatet e tyre ndërkombëtare janë krenari për shtetin tonë. Mirënjohje të veçantë dhe përgëzime të përzemërta kryetarit të Federatës së Xhudos Agron Kuka, trajnerit Driton Kuka dhe xhudisteve e xhudistëve tanë të shkëlqyer”, ka shkruar Çeku.

Kosova në dy Kampionatet e fundit Evropiane ka arritur që të fitojë pesë medalje. /KultPlus.com

Laura Fazliu afër finales, Kosova vazhdon suksesin në xhudo

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu, është kualifikuar në gjysëmfinale të Kampionatit Evropian, i cili po mbahet në Sofje të Bullgarisë, shkruan KultPlus.

Fazliu arriti që pas vazhdimeve ta mposht Renata Zachovan nga Republika Çeke, derisa tani ajo do të luajë për finalen e madhe,

Kosova është duke u përfaqësuar në këtë Evropian nga katër xhudistë: Distria Krasniqi (fitoi medaljen e bronztë), Flaka Loxha (u eliminua në repesazh), Akil Gjakova (është eliminuar gjatë ditës së sotme) dhe Laura Fazliu. /KultPlus.com

Rikthimi i kampionëve, ekipi i xhudos gati për Evropianin 2022

Ekipi i xhudos i kthehet Evropianit, ku vitin e kaluar fitoi tri medalje.

Ekipi i xhudos do t’i kthehet Kampionatit Evropian, ku prej nesër e deri më 1 maj do të mbahet në Sofia të Bullgarisë.

Në Evropianin e fundit, të mbajtur në Lisbon të Portugalisë, ekipi i xhudos fitoi tri medalje, dy të arta dhe një të bronztë, me ç’rast e mbylli kampionatin në vendin e parë për nga numri i medaljeve të arta.

Këtë herë, ekipi do të përbëhet nga dy kampionët e Evropës nga viti i kaluar, Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova, si dhe Flaka Loxha e Laura Fazliu.

Kampionia olimpike, Krasniqi, garon në kategorinë deri në 52 kilogramë, Gjakova në -73 kg, Loxha në -57 dhe Fazliu në -63 kg.

Kampionia olimpike, Nora Gjakova dhe medalistja e bronztë e botës 2019, Loriana Kuka, do të mungojnë shkaku i lëndimeve.

Distria dhe Flaka garojnë nesër, ndërsa Laura e Akili të shtunën. /KultPlus.com

Distria Krasniqi me fitore të madhe, në Paris mposht francezen Mosdier

Distria Krasniqi ka arritur që të marrë edhe një tjetër fitore në kuadër të Grand Slamit në Paris, shkruan KultPlus.

Disitra po përballet për herë të dytë në kategorinë -52 kilogramë dhe tani vazhdon rrugëtimin në raundin e tretë ku do të përballet me Chelsie Giles.

Në një përballje me nikoqiren Anais Mosdier, Krasniqi arriti që brenda 2 minutave të fitojë me IPPON.

Kosova po përfaqësohet me katër xhudistë në këtë garë, ku së bashku me Distrien janë edhe Akil Gjakova, Laura Fazliu dhe Flaka Loxha.

Gjakova e fillon mbarë në Grand Slam të Parisit, Loxha humbet pas një meçi të vështirë

Grand Slam i Parisit ka filluar sot dhe do të zgjas deri më 6 shkurt, derisa Kosova po përfaqësohet në këtë konkurs me katër garues, shkruan KultPlus.

Akil Gjakova në meçin e tij ndaj Massaoud Redouane Dris arriti që të tregojë forcën e tij, duke fituar këtë përballje.

Akili e fitoi meçin në kategorinë 73 kilogramë.

Në anën tjetër, Flaka Loxha arriti që të dominojë kundërshtarën e saj Vera Zemanova, por në fund në “Golden Score”, humbi pasi kjo e fundit e mposhti me IPPON në kategorinë 57 kilogramë.

Gjakova ka kaluar në luftën e dytë, derisa në garë për Kosovën janë edhe Laura Fazliu, dhe e arta Distria Krasniqi. /KultPlus.com

Distria Krasniqi: Jam e gëzuar që jam bërë kampione olimpike me Kosovën, por edhe me Shqipërinë do të ishte e njëjta krenari

Uranik Emini

Disa njerëz veçohen në shoqëri se janë të lindur për të qenë të suksesshëm dhe si të tillë, me gjithë atë presion mbi supe, rezultojnë të arrijnë majat e botës dhe rrjedhimisht të bëjnë krenar një popull të tërë, shkruan KultPlus.

Rast i tillë është edhe ai i Kampiones Olimpike, Distria Krasniqi, e cila ka punuar me sportin e xhudos që kur ishte një fëmijë i vogël.

Me këmbënguljen e madhe të vëllait të saj, Krasniqi filloi që të merrej me sportin e xhudos, duke mos menduar asnjëherë që një ditë do të bëhej më e mira e botës.

“Kur vëllai im ka këmbëngulë që unë me u marrë me këtë sport, më ka njoftuar se ka shumë vajza që kanë filluar xhudon, dhe realisht unë fillova duke e marrë fillimisht si lojë, me njohjen e shoqeve të reja, por me kalimin e kohës e kam pa se është një diçka më shumë se lojë dhe kam vazhduar me u marrë seriozisht me të”, thotë Krasniqi në një intervistë për KultPlus.

JudoInside - News - Distria Krasniqi full of confidence after Budapest gold

Puna e jashtëzakonshme ekipore dhe vullneti i madh i trajnerit Driton Kuka për të nxjerrë kampionë nga vendi më i ri në kontinentin e vjetër, rezultoi të ishte aq i suksesshëm edhe pse dukej e pamundur në fillim.

Takimi i parë me Tonin dhe njohja me të filloi shumë më herët përpara se Krasniqi të merrej me këtë sport.

“Toni ka qenë mik me babin tim edhe para se të filloja xhudon. Ai ka insistuar që vëllai të fillojë me xhudo dhe pastaj edhe unë, por njohja me të ka filluar përpara se të merrem me xhudo”, e shpjegon 26 vjeçarja.

Edhe pse e angazhuar me shkollën, kjo e fundit nuk e pengoi asnjëherë që të angazhohej në të gjitha aktivitetet e xhudos që ka zhvilluar ndër vite Krasniqi.

“Xhudo nuk është se ka pasur një ndikim shumë të madh në jetën time të shkollës, mirëpo gjatë shkollës së mesme në klasën e 12-të kam pasur udhëtime të shumta dhe profesorët dhe shkollat kanë pasur tolerancë ndaj meje edhe ndaj gjithë xhudistëve tjerë”, thotë tutje ajo.

Suksesi për të kishte ardhur më vonë, derisa Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova kishin shënuar të parat suksese mbarëkombëtare për të ngritur në piedestalet më të larta të botës emrin e Kosovës.

“Unë jam ma e re se Nora dhe Majlinda, dhe natyrisht që këto kanë pasur rezultate përpara meje. Pas këtyre kam ardhë unë, dhe çdo herë kur këto dyja janë lënduar mund të them se e kam nxjerrë ekipin nga momenti. Gjithmonë e kam dëshmuar vetën kur më është dhënë mundësia, por padyshim që mbështetja e Tonit ka qenë e vazhdueshme dhe unë gëzohem që në fund ia kam vërtetu ato se çfarë ka deklaruar”, shprehet xhudistja.

Gjatë kalimit të viteve dhe përmirësimit të jashtëzakonshëm që kishte shënuar Kosova, trajneri, Driton Kuka shprehej i gatshëm që të dhuronte një kampione për të përfaqësuar Shqipërinë në Kampionatet Evropiane dhe Lojërat Olimpike.

“Unë kam qenë shumë e re në moshën kur Toni ka deklaruar se është i gatshëm që t’ia japë një kampione olimpike për përfaqësim shtetit të Shqipërisë, por prapë unë do të kisha pasë dëshirë që ta përfaqësoja Shqipërinë edhe Kosovën. Jam e gëzuar që jam bërë kampione olimpike me Kosovën, por edhe me Shqipërinë do të ishte njëjtë”, thotë Krasniqi, duke dëshmuar se lidhja e madhe që kemi me Shqipërinë vazhdon të burojë gjithmonë në trupin tonë.

Vështirësitë e jashtëzakonshme nëpër të cilat Kosova ka kaluar ndër vite, kanë ndikuar patjetërsisht në zhvillimet e të gjitha sferave.

“Është shumë e vështirë, infrastruktura dhe gjitha gjërat që i kanë shtetet tjera ne nuk i kemi, ata kanë miliona xhudistë dhe e kanë më të lehtë që të bëjnë nxjerrjen e numrave të xhudistëve, ne kemi 20 ose një numër të ngjashëm. Mendoj që më e vështirë është që të jesh trajner sesa xhudist. Toni shpesh herë ka qenë edhe një doktor, edhe një psikolog edhe ka bërë punë shumë të tjera. Një gjë të tillë nuk e kanë vendet e tjera, pasi 5 trajnerë kryejnë punë të ndryshme”, tregon ajo, duke veçuar edhe një herë tjetër punën e madhe që bën trajner Kuka.

E pyetur mbi pjesën e të ardhmes së Kosovës dhe gjeneratave të reja që po vijnë, ajo shpreson se Majlinda mund t’i afrohet sukseseve të trajnerit më të suksesshëm që ka pasur ndonjëherë Kosova.

“Shpresoj që do të kemi sukses edhe në të ardhmen. Gjeneratat e reja janë duke ardhur tani dhe duken të jenë shumë të suksesshëm. Unë shpresoj që do të dalin edhe trajnerë të ndryshëm sikurse Toni, besoj shumë që Majlinda do t’i afrohet shumë sukseseve të Tonit”.

Medaljet e pafundme në Grand Slam-et dhe Grand Prix-et e zhvilluara, Krasniqi i konsideron vetëm teste për të parë se sa e përgatitur është ajo në Lojërat Olimpike dhe Kampionatet Evropiane.

“Të jesh kampione olimpike është një ndjenjë shumë e mirë. Të shohësh veten pas testimeve të ndryshme që ndodhin dhe të arrish rezultate është diçka e madhe. Grand Slam dhe Grand Prix për mua janë si teste ose mësime që të përmirësoj gabimet e mia, që të jem super e gatshme për garat e mëdha siç janë Kampionet Evropiane dhe Lojërat Olimpike. Kur fiton në këto gara e sheh se je në formë të mirë, sidomos është një gëzim i madh kur e sheh edhe emocionet e popullit të Kosovës”, thotë kampionja e Kosovës.

“Sakrifikimi” për të mos marrë pjesë fare në Lojërat Olimpike dhe ta lë gjithë fatin e Kosovës dhe shpresat në duart e Majlindës, në fund rezultuan të sakta.

“Arsyeja kryesore e mungesës sime në Lojërat Olimpike “Rio 2016” ka qenë për arsye se në këto gara një xhudist përfaqëson vetëm një kategori. Atëherë ka qenë Majlinda duke marrë pjesë, edhe pse unë e kam pasur normën olimpike të siguruar, por nuk mund të merrnim pjesë dy xhudistë në një kategori”.

JudoInside - Distria Krasniqi Judoka

Suksesi i madh i xhudistëve nëpër gara të ndryshme, shpesh herë rezultoi që në fund të garave të ketë një finale kosovare, e me ç‘rast Kelmendi dhe Distria janë përballur dy herë kundër njëra tjetrës në finale të garave.

“Kemi qenë dy herë së bashku në finale, Lisbonë dhe Budapest, ka qenë gjithmonë e vështirë me u përballë me të. Nuk kemi se çfarë të flasim për të, i ka arritë të gjitha. Gjithmonë ka qenë e vështirë me u mposhtë. Unë besoj që kur Majlinda ka qenë në formë të mirë, ajo ka qenë 20 për qind më e fortë se të gjithë kundërshtaret e saj”, – e përsëritë edhe një herë 26 vjeçarja, e cila tregon modestinë e saj të madhe.

Të punosh me dikë dhe ta njohësh atë që nga fëmijëria mund edhe të nxisë inate mes vete, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur në kampin ku Toni ka qenë trajner.

“Nuk është vështirë me punu bashkë, ne jemi rritur të gjithë bashkë dhe kemi kaluar më shumë se 20 vite së bashku. Kalojmë më shumë kohë së bashku sesa me familjen ndoshta. Jemi mësuar me njëri-tjetrin dhe nuk punojmë vetëm për vete, i njohim kundërshtarët e secilit dhe e ndihmojnë për gjithçka njëri-tjetrin”.

Kosova në Lojërat e fundit Olimpike, pra ‘Tokio 2022’, u rendit si vendi më i suksesshëm në botë pas Japonisë në xhudo, e për këtë tregojnë më së miri kundërshtarët e xhudistëve nga Kosova.

“Gjithmonë në xhudo, kundërshtarët më të vështirë janë nga Japonia, ata e kanë sportin kryesor xhudon dhe synojnë gjithnjë medaljen e artë. Japonezet kanë qenë kundërshtarët më të vështira, sidomos në Lojërat Olimpike.”

Kosovo celebrates 2nd-ever Olympic medal at Tokyo Games | CBC Sports

Në garat e zhvilluara në Masters të Kinës, Krasniqi arriti që të fitojë të gjitha duelet në më pak se 30 sekonda, duke vendosur kështu një rekord.

“Kam qenë e përgatitur në gara, por në sport varet shumë në qoftë se është “dita jote”. Mundesh me qenë në disponim të madh, por gjithçka mundet me ra poshtë në qoftë se nuk është dita jote. Në një garë të cilën e kam zhvilluar në Masters në Kinë, ka qenë momenti kur asnjë luftë nuk më ka zgjatë më shumë se 30 sekonda, e këtu pikërisht është pjesa e një dite të mirë”, shpjegon tutje ajo.

Pjesa më e vështirë dhe më problematike në sport janë padyshim lëndimet, të cilat mund të ndikojnë që shpesh herë edhe të tërhiqeni nga sporti, megjithatë një fat i tillë nuk e ka ndjekur aspak Krasniqin.

“Lëndime kam pasur në gjurin e majtë por nuk kam pasur ndërhyrje kirurgjike. Kam pushuar vetëm pak dhe përsëri jam rikthyer e gatshme. Shpresoj që mos t’i kem këto lëndime”.

Pjesa që e bën një popull më së shumti krenar, është atëherë kur flamuri ngritet në vende të zhvilluara dhe të njohura të botës. Për Kosovën, një gjë e tillë është më ndryshe, kjo për faktin se disa vende ku zhvillohen gara të rëndësishme, nuk e njohin shtetin më të ri në Evropë dhe rrjedhimisht ngritja e flamurit në këto vende shpreh një krenari më të madhe.

“Në vende të cilat nuk na kanë pranuar ende, është një ndjenjë e veçantë. Në një moment në Spanjë është diskutuar shumë në qoftë se duhet të ngritet flamuri ynë apo jo, po ka qenë një ndjenjë e mirë që e kam marrë medaljen e artë dhe në fund e kemi ngritur Kosovën. Kemi pasur momente të tjera kur Majlinda e Nora kanë shënuar suksese edhe në Rusi e vende të tjera”.

NOC KOSOVO 🥇🥇🥇 a Twitter: "PROUD🙋‍♂️🇽🇰 5⃣ years ago today Russian  soldiers saluted #Kosovo flag🇽🇰 and anthem during judo medal ceremony,  thanks to our pride Majlinda Kelmendi🥇🥋 #JudoKazan2016 #KosovaFlag  https://t.co/p7tVIxAjkz" / Twitter

Një pjesë të veçantë dhe padyshim një mësim për të gjithë njerëzit, Krasniqi e ndau me të gjithë, duke treguar se sa shumë ndikojnë rrjetet sociale dhe komentimi nëpër të ashtuquajtura “dështime” te të gjithë sportistët. Fakti që Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe shumë sportistë të tjerë qëndrojnë larg rrjeteve sociale është pikërisht për faktin se komentet negative mund të dërgojnë edhe deri në “depresion”.

“Rrjetet sociale dhe largësia ndaj tyre. Nuk i përdorim shumë rrjetet sociale, i kemi pasur kur kemi qenë më të reja por ka ndodhë një rast kur Majlinda ka humbë në Lojërat Olimpike në Londër, dhe pothuajse shumica e popullit kanë dhënë komente negative dhe sharje të ndryshme. Kjo gjë ka ndikuar shumë tek ajo, e pothuajse Majlinda ka rënë në depresion. Kemi shembuj edhe nga xhudistë të tjerë nga vende të ndryshme të cilat nuk i përdorin gjithashtu rrjetet sociale, kjo pasi ndikon shumë tek ne dhe puna jonë. Kur humbim edhe nuk kemi performancë të mirë, vijnë shumë komente negative, për këtë jemi distancuar tani për tani”.

Kur bëhet fjalë për komplimentin më të mirë që Krasniqi ka pranuar ndonjëherë, kishte të bënte gjithmonë me pjesën që ajo ishte më e mira në botë.

“Kam marrë shumë komplimente, por më së shumti më pëlqente kur thoshin që jam xhudistja më e mirë në botë, edhe pse tani e kam marrë edhe këtë çmim. Ka qenë ndjenjë e veçantë kur trajnerët dhe xhudistët e shteteve tjera kanë thënë se jam më e mira dhe patjetër që e kam konsideruar gjithnjë si një motivim shtesë”.

JudoInside - Daria Bilodid Judoka

Prindërit, si shtylla kryesore e shtëpisë, ndikojnë detyrimisht në zhvillimin tënd dhe sigurisht edhe në jetën tënde profesionale. Mbështetja e vazhdueshme e tyre ka rezultuar që në fund të nxjerrin një kampione të artë olimpike.

“Ndoshta edhe në momentet e mia më të vështira kur kam menduar se duhet me u tërheqë nga xhudo, janë mbështetësit e mi kryesorë, prindërit, që gjithmonë më kanë mbështetur. Çdo herë më kanë mbështetur për të vazhduar përpara, edhe kur nuk jam ndjerë mirë. Janë shtysa ime më e madhe”.

Ëndrra më e madhe e Krasniqit është që të rijetësojë edhe një herë tjetër sukseset që i ka arritur deri më sot.

Ndërkaq, kur bëhet fjalë për mesazhin e saj te të rinjtë, Krasniqi shprehet se nuk duhet të dorëzohen asnjëherë.

“Vetëm me vazhdu me punu. Nuk ka lidhje nëse humb shpesh ose nëse je i ri. Vetëm nëse nuk ndalesh dhe punon me seriozitet gjithmonë ka me t’u shpërbly puna që e ke bërë”.

Kosova mund të jetë një vend shumë i vogël dhe jo shumë i zhvilluar në aspektin ekonomik, megjithatë kur bëhet fjalë për kampione olimpike dhe sukses në gara ndërkombëtare, atëherë sporti i xhudos mund të “kollitet” dhe patjetër që të dëshmojë se Kosova është një fuqi e gjithashtu edhe një prodhuese e kampioneve olimpike. Sukseset e Majlindës, Norës dhe Krasniqit kanë bërë krenar një popull të tërë, e ndërkohë e ardhmja po duket të jetë me optimizëm e shpresë të madhe. /KultPlus.com

Distria pas triumfit telefonon prindërit: Po ndjehen shumë krenarë me mua -  KosovaPress

Mposhtet Akil Gjakova, mbetet pa medalje

Xhudisti kosovar Akil Gjakova është mposhtur nga azerbajxhanasi Rustam Orujov duke e humbur kështu mundësinë që ta fitoj medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

Gjakova në çerekfinale u mposht nga Tsendochir Tsogtbaatar në vazhdime pasi katër minutat e rregullt nuk prodhuan fitues.

Ndërsa, medalje ka siguruar motra e Akilit, Nora, e cila kaloi në finale pasi në gjysmëfinale e mposhti japonezen Tsukasa Yoshida. / KultPlus.com

Nora dhe Akil Gjakova nesër nga ora 04:00 nisin garën në Lojërat Olimpike

Nesër Nora e Akil Gjakova garojnë në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” me fillim prej orës 4 pas mesnatës me kohën tonë lokale.

Pas suksesit të jashtëzakonshëm të Distria Krasniqit, e cila e fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 48 kilogramë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” dhe xhudistes Majlinda Kelemendi e cila është ndalur në luftën e parë në garën e xhudos por që mbetet krenaria e Kosovës dhe kampione olimpike, dëshira për një tjetër medalje olimpike akoma mund të realizohet nga Nora dhe Akil Gjakova. / KultPlus.com

Akil Gjakova futet në top dhjetëshen e xhudistëve më të mirë në botë

Akil Gjakova është radhitur në top dhjetëshen e xhudistëve më të mirë në botë.

Ai është shpallur i shtati më i mirë në botë për kategorinë nën 73 kilogramë.

Këtë lajm e bëri të ditur Federata Ndërkombëtare e Xhudos e cila e ka përpiluar listën e 10 xhudistëve më të mirë të botës për këtë kategori.

Akil Gjakova u shpall kampion më 17 prill në Kampionatin Evropian të xhudos./ KultPlus.com

Çeku pas fitores së Gjakovës: Krenarë me xhudistët që po rendisin Kosovën në majën e suksesit sportiv

Pas fitores së Akil Gjakovës i cili tashmë është kampioni i ri i Evropës në Xhudo, duke siguruar medaljen e artë në Lisbonë, ka reaguar edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Çeku ka deklaruar se ndjehet krenarë me xhudistët që po rendisin Kosovën në majat e suksesit sportiv, shkruan KultPlus.

Ndjehem krenar me xhudistët kosovarë që po vazhdojnë ta rendisin Kosovën në majet e suksesit sportiv”, ka shkruar në profilin e tij në Facbook Çeku.

Më poshtë mund të gjeni postimin e tij të plotë:

Kosova përsëri e artë. Kësaj radhe me xhudistin Akil Gjakova, i cili me këtë arritje bëhet kampion i Evropës në kategorinë (-73).

Ndjehem krenar me xhudistët kosovarë që po vazhdojnë ta rendisin Kosovën në majet e suksesit sportiv./ KultPlus.com

Osmani uron Gjakovën për fitoren në Lisbonë: Bravo që po e ngrisni Republikën tonë drejt majave të Olimpit

Pas fitores së Akil Gjakovës i cili tashmë është kampioni i ri i Evropës në Xhudo, duke siguruar medaljen e artë në Lisbonë, ka reaguar presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, shkruan KultPlus.

Osmani ka shkruar se Akili dhe të tjerët gjithmonë i dëshmojnë botës se kur ka vullnet, angazhim, përkushtim e talent, nuk ka barriera e as pengesa që nuk tejkalohen.

Tutje ajo ka falenderuar xhudistë për ngritjen e Kosovës drejt majave të Olimpit xhudist.

“Xhudistëve tanë, familjeve që i përkrahën, e trajnerëve që i kalitën ata deri në perfeksionizëm- ju lumtë e bravo që po e ngrisni Republikën tonë drejt majave të Olimpit xhudist”, ka shkruar ndër të tjera Vjosa Osmani.

Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:

I artë dhe Akili jonë!

Kjo është padyshim një nga fundjavët më shpresëdhënëse që prej shumë kohësh në sport.

E gjithë kjo falë xhudistëve tanë dhe triumfit të tyre të pashoq në Kampionatin Evropian.

Sot, Akil Gjakova e përfundoi si kampion i Evropës këtë garë.

Ju po ia dëshmoni gjithë botës se kur ka vullnet, angazhim, përkushtim e talent, nuk ka barriera e as pengesa që nuk tejkalohen, sepse e mira gjithmonë triumfon dhe puna gjithmonë shpërblehet.

Xhudistëve tanë, familjeve që i përkrahën, e trajnerëve që i kalitën ata deri në perfeksionizëm- ju lumtë e bravo që po e ngrisni Republikën tonë drejt majave të Olimpit xhudist./ KultPlus.com

Akil Gjakova, kampion i Evropës

Akil Gjakova e ka përfunduar në mënyrën më të mirë performancën në Kampionatin Evropian që po mbahet në Lisbonë të Portugalisë.

Ai ka fituar medaljen e artë, teksa në finale e mposhti izraelitin, Tohar Butbul, shkruan Gazeta Express, përcjell KultPlus.

Lufta ishte e ashpër teksa u desh “Golden Score” që të përcaktohej fituesi. Akili ishte më i vëmendshëm teksa fitoi me “wazari”.

Akili në gjysmëfinale e mundi me “ippon” në gjysmëfinale zviceranin, Nils Stump.

Akili rrethin e parë e kaloi pa luftë, derisa me “ippon” e mundi në atë të dytë izraelitin, Ido Levin, duke e përplasur përtokë.

Ai arriti që ta mund me ippon edhe në rrethin e tretë gjermanin, Anthony Zingg.

Ishte dita e Akilit pasi e mundi në çerekfinale edhe rusin, Musa Mogushkovin, ky i fundit bëri tri gabime./Express/KultPlus.com

Akil Gjakova i siguron medalje evropiane Kosovës

Akil Gjakova është kualifikuar në finale në Kampionatin Evropian të xhudos që po mbahet në Lisbonë të Portugalisë, përcjell KultPlus.

Gjakova këtë sukses e arriti pasi e mposhti me Ippon kundërshtarin nga Zvicra, Nils Stump.

Akili në finale do të luajë përballë xhudistit nga Izraeli Tohar Butbul.

Kjo është hera e parë që Akili do të stoliset me medalje në një Kampionat Evropian në konkurrencë të seniorëve./ KultPlus.com