Grupi ‘403’ rikthyen hitet e tyre në Prishtinë, magjia e “Akoma po të pres” mbrëmë erdhi për herë të parë live

Era Berisha

Ngjyra e veçantë e zërit që të lë pa mend, diversiteti i instrumenteve që mrekullinë e tyre e shfaqnin nga momenti në moment, intensiteti interpretues që pasonte nga secili performues si dhe pasioni i zjarrtë nga publiku që kulmonte në atmosferë për të dëgjuar secilën këngë, ishin shtyllat kryesore mbi të cilat ka qëndruar mbrëmë koncerti nga grupi ‘403’, anëtarët  e të cilëve kanë arritur që me dhuntinë e pastër të tyre të ngritin në këmbë çdo të pranishëm, shkruan KultPlus. 

Pak para se koncerti të gjente pikënisjen e tij, ishin të pranishmit ata të cilët në një masë tejet të madhe, dalëngadalë po zinin vendin e tyre sa më afër skenës në Kino Armatë. Ndërsa, teksa ndriçimi i errët ishte ai që përcolli prezencën e çdokujt, në skenë të gjithë instrumentet e vendosura në pozicionet e tyre po shndrisnin nga dritat e ngrohta që binin sipër tyre si një siluetë.

Hapat e shkundura e të lehta të anëtarëve të grupit dhe ulja totale e nivelit të muzikës paraprake, ishin ato që sinjalizuan për daljen në skenë të artistëve të cilët fillimisht rregullonin instrumentet sipas pëlqimeve të tyre. Ndërsa, kur ora shënoi fiks 20:50, u lëshuan meloditë e para të këngës “Me ty” që njëkohësisht edhe shënoi nisjen e këtij koncerti që luhatej herë nëpër gjurmë të melankolisë, dhimbjes e vetmisë dhe herë tjera mes një energjie të paparë, një dinamike të rrallë por aq brilante saqë ky gërshetim përmbushi edhe vlerën më të madhe që një grup mund të posedojë e që do të ishte mbajtja e një koncerti multidimensional.

Interpretuesit për këtë mbrëmje u prezantuan nga tekstshkruesi dhe solisti i grupit, Hektor Gjurgjiali. Erdem Gavazi në kitarë, Muha Veseli në kitarë, Lekë Gjurgjiali në kitarë, Agron Ejupi në bass kitarë, Agron Shala në klaviaturën e parë, Ilir Veseli në klaviaturën e dytë si dhe Fahri Ibrahimi në tupanë. Ndërsa, për të sjellë këngën e dytë me radhë me titull “Gjysmë shekulli”, këtyre artistëve në skenë iu shtua edhe një tjetër mysafir i veçantë siç ishte profesori Agron Dida i cili me instrumentin e mandolinës, arriti të krijojë tinguj që u duartrokitën vazhdimisht në publik, me ç’rast atmosfera sa vinte dhe bëhej akoma më e ngrohtë e më e ndjeshme.

“Përralla” dhe “A do të kthehet”, ishin dy këngët e tjera që krijuan një ndjesi të papërshkrueshme. Ndonëse në kontrast të dukshëm me njëra-tjetrën, ato ngjallën mjaft emocione të cilat rriteshin akoma më shumë kur vinte në pah energjia e lartë e instrumentistëve që në ndërlidhje me vokalin unik të Hektorit, gërshetoheshin në një nivel tejet të saktë. Audioja e pastër ishte ai elementi kyç që mbështjelli këtë koncert qysh nga fillimi e deri në fund.  

Surpriza e radhës për këtë mbrëmje ishte edhe interpretimi i këngës “Akoma po të pres” për herë të parë live. E incizuar në Tiranë në vitin 1995, kjo këngë u mirëprit nga të pranishmit qysh në sekondën e parë kur vija melodike nisi të gjallërohej. Nën fishkëllima e brohoritje të pandalshme, kënga me gjithë fuqinë e saj mbizotëroi hapësirën brenda Kino Armatës dhe jo vetëm. “Akoma po të pres” hyri furishëm brenda shpirtit të pranishëm dhe gjeti folenë e saj të përhershme në skajet e kujtesës së gjithsecilit. Kitara klasike, ajo elektronike, harmonika si dhe bateritë krijuan artin e magjisë që kapërceu lehtazi nga brendësia e këngës e direkt tek brendësia e njeriut.

Tutje, një interpretim tjetër sa i ëmbël e i butë erdhi mbrëmë nëpërmjet ndërlidhjes së vokalit të këngëtares Fitnete Tuda si dhe atij të Hektorit në këngën e tyre “Ëndrra”.

“Është njëra ndër këngët më të bukura që e kam performuar. Më kujtohet se kam pas problem se doja të gjeja një zë femre dhe kujtoj se kam dëgjuar gati të gjithë zërat e këngëtareve dhe asnjëra nuk më ka flejt në zë timin në këngë. Por, jam gëzuar tepër kur ka pranuar për të kënduar këtë këngë, një shoqe e imja, këngëtarja Fitnete Tuda, që ka një zë të mrekullueshëm”, thotë Gjurgjiali para interpretimit.

“Ëndrra”, një këngë kjo që do të mbesë e gjallë për shumë dekada me radhë, nuk do edhe shumë përshkrim ngaqë përhumbja nëpër tekstin e mrekullueshëm, vijën melodike aq të pastër si dhe dy vokalet në një gërshetim të hatashëm, është e mjaftueshme për të krijuar një gropë ndjenjash nëpër të cilën futen pothuajse të gjithë që e përjetojnë këtë mister prej kënge.

Mbrëmë solisti Hektor Gjurgjiali përkujtoi edhe poetin Xhevdet Bajraj dhe producenten Vjosa Berisha, të cilëve iu dedikoi këngën e mirënjohur “Engjujt nuk jetojnë në tokë”.

“Dje ka vdekur poeti më i madh shqiptar, Xhevdet Bajraj. Sot vdiq artistja tjetër, Vjosa Berisha. Tash, mesazhi i kësaj kënge është që nuk duhet të vajtohet por të këndohet. Kështu që për të gjithë ata që kanë humbur më të afërmit, kënga ‘Engjujt nuk jetojnë në tokë’ është për ju”, tha ai fillimisht.

“Engjujt nuk jetojnë në tokë”, qe një ndër këngët më të bukura që u interpretua mbrëmë. Kjo vinte mbase edhe nga thelbi i mesazhit që preku shumicën në publik e që njëkohësisht solli një qetësi shpirtërore me mallëngjimin posedues që përmban kjo këngë. “Engjujt nuk jetojnë në tokë”, është e kamotshme në krijim por do të mbetet e përjetshme në dëgjim e përjetim.

Në ndërkohë, në këtë koncert nuk munguan as edhe hitet si: “Përralla e fundit”, “Boemi”, “Epizodi i fundit”, “Bëhu fer”, “Qyteti im”, “Paraja” dhe “Indexi”, të cilat me mrekullinë e tyre unike, interpretimet solo në kitarë që ndezën atmosferën përtej limitit si dhe talentin e solistit të grupit që shpërfaqej në forma të ndryshme, e përthekuan këtë mbrëmje në një ndër më të paharrueshmet që është krijuar ndonjëherë në Prishtinë.

Ndërkaq, për të treguar më shumë rreth emocioneve pas një koncerti të tillë, për KultPlus foli këngëtari Hektor Gjurgjiali.

“Unë u ndjeva jashtëzakonisht mirë që u rikthyem sonte tek ky publik. Ishte një natë shumë e veçantë dhe më pëlqeu sepse pat shumë të rinj por edhe të vjetër njëkohësisht. Njëra ndër arsyet që unë kam përzgjedhur këto këngë që nuk i performoj shpesh, është se tani në bend i kemi edhe katër anëtar të tjerë dhe këngët mund të krijohen ashtu si në krijimet e tyre. Orkestrimet tona janë me të vërtetë të komplikuara dhe tani kemi profesionalistë që me të vërtetë i sjellin si tek origjinali”, thotë ai.

Po ashtu, këngëtarja Fitnete Tuda për KultPlus ka shprehur emocionet e saj të një rikthimi të sajin në skenë pas një kohe të gjatë.

“Ishte një ndjenjë shumë e bukur po ashtu ishte e përzier me shumë emocione e sidomos pas një pauze pak më të gjatë. Unë jam një nga ata që si studente e kam dëgjuar grupin ‘403’ shumë dhe tani është nder dhe kënaqësi që kemi realizuar bashkë një këngë siç është “Ëndrra”. Ka vite që s’kam kënduar kështu live në një koncert të tillë dhe thjesht u përmallova shumë me rastin e prezantimit tim në këtë publik të Prishtinës”, thotë ajo.

“403” është një grup muzikor i njohur, që këndon muzikë rok. Grupi 403 është pjesë e gjeneratës së rokut kosovar të viteve 80’, e cila njihet edhe si koha më e ndritur në krijimtarinë e rokut në Kosovë. / KultPlus.com

Videoklipi i veçantë i këngës “Akoma po të pres” nga grupi 403 (VIDEO)

Grupi 403, të cilët me këngët e tyre janë kthyer në vulë të muzikës shqiptare bashkë me shumë grupe të tjera muzikore, kanë gëzuar tashmë frutet e rikthimit, shkruan KultPlus.

Hektor Gjurgjiali, tekstshkruesi dhe solisti i këtij grupi na shfaqet në forma të ndryshme në këtë këngë.

Varësisht sipas tingullit që del nga një instrument i caktuar, edhe pamja e videoklipit ndërron. Sinti, kitara klasike e ajo elektronike, fizharmonika si dhe bateritë, janë ato të cilat sjellin magjishëm këngën “Akoma po të pres”, teksa zërin e dytë e performon Arta Selimi.

Kjo këngë është komponuar nga Hektor Gjurgjiali dhe është incizuar në vitin 1995 në Tiranë. / KultPlus.com

Videoklipi i veçantë i këngës “Akoma po të pres” nga grupi 403 (VIDEO)

Grupi 403, të cilët me këngët e tyre janë kthyer në vulë të muzikës shqiptare bashkë me shumë grupe të tjera muzikore, po gëzojnë frutet e rikthimit, shkruan KultPlus.

Hektor Gjurgjiali, tekstshkruesi dhe solisti i këtij grupi na shfaqet në forma të ndryshme në këtë këngë.

Varësisht sipas tingullit që del nga një instrument i caktuar, edhe pamja e videoklipit ndërron. Sinti, kitara klasike e ajo elektronike, fizharmonika si dhe bateritë, janë ato të cilat sjellin magjishëm këngën “Akoma po të pres”, teksa zërin e dytë e performon Arta Selimi.

Kjo këngë është komponuar nga Hektor Gjurgjiali dhe është incizuar në vitin 1995 në Tiranë. / KultPlus.com