Nga Sadedin Mezuraj
Ismail Kadare u prezantua në letrat shqipe qysh në krye të herës, si një shkrimtar novator, duke sjellë në prozën romanore poetika të reja të ligjërimit narrativ, me shenja të dukshme për kah moderniteti.
Në rrugën e gjatë të krijimtarisë, Kadare ja mbriti të kristalizojë profilin e tij të pangatërrueshëm dhe njëkohësisht, brënda kësaj hullie, nga një roman në tjetrin, të “rishpiki” vetveten, përmes kërkimit të risive të elementëve të formës dhe mjeteve të ligjërimit narrativ.
I pa joshur nga “kënga e sirenave” të avangardizmit dhe eksperimenteve në prozën romanore të shekullit të njëzetë, shkrimtaria e tij i përngjet një pemë të mbjellë në tokën e modernizmit, me rrënjët tek mitit e antikitetit dheshenja të postmodernes, si teknikë dhe tipare të rrëfimitarisë .
Romanit Aksidenti, i cilësuar nga kritika si“atipik”, do t’i shkonin fjalët e J.F. Loyotard i cili pohon se “moderniteti është një proces i pandërprerë, që rishkruhet dhe rinovohet përmes postmodernes, si rend i ri ligjërimor”. Në vargun e gjatë të romaneve të Kadaresë, Aksidenti është ndoshta romani më modern, një rrëfim marramëndës dhe turbullues, një miksim i thrillerit policor, me teknikën e “rrjedhës së kujtimeve” dhe zhbirilimeve metafiziko-psikologjike për dashurinë,seksualitetit dhe lirinë në qytetërimin (post)modern.
1.Rrëfimi dhe diskursi narrativ në romanin Aksidenti
Narrativa e romanit Aksidenti e merr lëndën nga bashkëkohësia. Ngjarja prej nga ngjizet rrëfimi është krejt e rëndomtë: një aksident në kilometrin e shtatëmbëdhjetë të rrugës për në aeroportine Vjenës ku mbeten të vdekur dy shqiptarë: Besfort Y, ekspert në Këshillin e Europës dhe Rovena St.- stazhiere në Institutin e Arkeologjisë në Grac të Austrisë. Dy personazhet qëndrorë të romanit, të kurthëruar në një raport pasionat obsesiv , çvendosen në hapsirën europiane , duke sjellin me vete jehonat e miteve dhe baladave ballkanike,në sfondin e plojave (Lufta e Kosovës) dhe ngjarjeve kaotik të Shqipërisë në rrugën e vështirë të tranzicionit demokratik.
Romani tingëllon si një requiem dhe baladë për dashurinë në kohët moderne , në sfondin e një Ballkani të mbulluar me mjergullat e miteve dhe tymin e konflikteve ndëretnike. Përmes aluzioneve ngrihet një metaforë me nuanca të forta politike: Rovena, një grua e bukur, e joshur nga Besforti për udhëtimin në Europë , merr trajtat simbolike të Shqipërisë së joshur nga ëndrra europiane.
Si alkimist i fjalës, autori ka projektuar një strukturë narrative, të mbuluar me mjergull kuptimore , ku rrjedha e kohës destabilizohet përmes flashbeck-eve, teknikës së inversit dhe ndryshimeve të vazhdueshme të “kamerës” së fokalizuesit.Një rrëfim opak, ku buisin hamendësime, dyshime, haluçinacione, skenarë që ndërtohen dhe prishen si pëlhura e Penelopës,për t’i lënë vëndin motërzimeve të reja, por pa mbritur tek enigma dhe misteri që mbështjell jetën dhe vdekjen e çiftit Besfort -Rovena.
Kërkimi përvuajtshëm i hulumtuesit për rikonstruktimin e jetës dhe raporteve mes çiftit fillon dhe përfundon me pasqyrën e brëndshme të taksisë, me enigmën e ndryrë brënda saj.Cfarë ishte ky aksident? Një vrasje e qëllimtë? Një vetëvrasje? Një vrasje politike e maskuar si aksident? Apo thjesht një aksident i rëndomtë, si mijra aksidente që ndodhin rrugëve nëpër botë?
Proza romanore e Kadaresë i ka tharmet e bukurisë jo vetëm tek gjuha e përpunuar por edhe tek veshja e rrëfimit me nëntekst, me aluzione,alegori dhe përsiatje të rrafshit filozofik, duke shpalosur një diskurs intelektual, si reflektim rreth shqetsimeve dhe krizave të individit në shoqërinë moderne.
Nëse në pjesën e parë të romanit, rrëfimi fokusohet në përvijimin e pistave të ndryshme për zbulimit të shkaqeve të aksidentit, në pjesën e dytë diskursi narrativ shtyhet përpara dhe merr shenjat e një kërkimi metafizik në zëmër të dashurisë, aty ku shpërthejnë shtysat konfliktuale dhe tensionet e raportit të ndërlikuar mes Besfortit dhe Rovenës.
Narrativa të krijon përshtypjen e një rrjedhe të ngadalsuar si në një ëndërr me ankth, ku fragmentet e kujtimeve ndërthuren kaotikisht, në një rend të përmbysur, ku koha ecën mbrapsht dhe sekuencat e jetës ndodhin pas vdeksjes. Dy protagonistët, të vendosur në “makinën e memories”, enden sa para e prapa në kohë , te mbyllur në labirinthin e kujtimeve, si dy shpirtra të mbetur pezull, ashtu sikurse besohet nga partizanët e teorisë së “After Life”.
Rrëfimi është eliptik. Hulumtuesi misterioz, i përmes fakteve dhe dëshmive të mbledhura, ku realiteti përzihet me dromca ëndrrash dhe kujtime të fragmentuara , ndërmerr kërkimin rraskapitës, për të rikonstruktuar kohën dhe rindërtuar puzzlen e jetës së dy personazheve në vitin e fundit të jetës së tyre. Rikonstruksioni jetës së çiftit në vitin e fundit të jetës merr pamjen e një pasqyre të madhe të copëzuar, me shëmbëllimet e trajtësuara të dy protagonistëve.
Në puzzlen e jetës së rindërtuar të dy personazheve mbeten kutiza bosh, motive të paqarta të sjelljes së tyre, fakte të dyshimta, enigma, segmente jetësore të paqartësuara.Teknika e suspanses rrit dramacitetin e rrefimit. Narratori e fut lexuesin gradualisht në një atmosferë ankthi dhe tensioni, me dyshime dhe pasiguri, ku gjithçka duket e dyzuar, e turbullt dhe e paqëndrueshme, një lojë mes asaj që duket dhe domethënies së saj, një realitet fiksional ku gjithcka jepet sipas një vizioni te permbysur te realitetit.
Një pasqyrë ovale, simbol i narcizismit dhe sekreteve te një bote ezoterike, ku thithen shëmbëllimet e fundit të çiftit misterioz në taksi, hap narrativën dhe e mbyll atë brënda një qerthulli të pazbërthyeshëm. Metafizika e dashurisë,ku mplekset spiritualiteti me seksualitetin, shtysat instiktive libidoiane me socialitetin human, mbetet e parrokshme në totalitetin e saj kompleks prej sociologjisë empiriste. Në përpjekjen për të ndriçuar enigmen,orvajtja e narratorrit hulumtues mbrrin tek një ledh i pakapërcyeshëm, përtej të cilit hapet një zonë mister.Përtej atij kufiri, gjuha mbetet memece, njohja e pamundur, arti i pafuqishëm.
“E vërteta” mbetet e pambritshme, enigma e pazbërthyeshme, misteri i dashurisë dhe vdekjes së saj , i parrokshëm.Nuk ka një “të vërtetë” përfundimtare por këndvështrime alternative. Paradigma niçeane se “ nuk ka fakte por vetëm interpretime” e mishëruar artistikisht në ngritjen dhe rrëzimin e skenarëve rreth aksidentit, përcjell idenë se në epokën postmoderne , e vërteta , më shumë se sa një konsideratë përfundimtare, mbetet një dije relative, kontekstuale dhe e kontestueshme nga këndvështrime të tjera. Jemi në kushtin postmodern të relativizmiit dhe konceptimit të së “ vërtetës” si produkt i diskurseve të ndryshme.
Pasi ke përfunduar leximin, e mbyll librin dhe ai qëndron para teje si një sfinks,me enigmën e ndryrë brënda tij. Fundi i rrëfimit “pa fund” është një tipar tipologjik i prozës romanore të Kadaresë. Pistat mbeten te hapura, duke e futur lexuesin ne konfuzion por edhe duke e ftuar për interpretim të ngjarjes.
Romani Aksidenti bashkë me dy romanet e tjerë, E Penguara (Rekuiem për Linda .B) dhe Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut, nisur jo vetëm nga kronologjia e vendosjes së ngjarjeve te rrefyera por edhe nga tematika dhe shtrati ideor,përbëjnë tre hallka të një triptiku. Historia e personazheve të tre romaneve të sipërpërmendur, përplasjet dhe drama e jetës së tyre, shpalosen fatalisht brënda një raporti trekëndor: pushteti-dashuria dhe liria.
Vdekja e dashurisë, metamorfozë dhe tjetërsim
Në prozën romanore të Kadaresë, edhe atëhere kur seksi në letërsi ishte një tabu, ndihen erëzat erotike, kurse personazhet femra lëvizin në sfondin e një bote maskiliste, duke shpalosur seksualitetin e tyre në varësi të strategjive të mbijetesës.
Por arkitektura e romanit Aksidenti, si asnjëherë më parë, ngrihet drejtpërsëdrejti mbi vatrën e Erosit, e pikërisht aty, autori farkëton dy personazhe, me historinë e një dashurie të komplikuar, plot passion, dyshime, obsession, paranoja. Përkundër hymneve thurur dashurisë si lumturi pa fund dhe mitit të “dashurisë që nuk vdes kurrë”, Kadare, ka thurur mjeshtërisht një realitet fiksional, duke vendosur në qëndër të rrëfimit dramën e një çifti të kurthëruar nga pasioni obsesional i dashurisë.Një dashuri e cila përndizet dhe në kohëzgjatjen e saj konsumohet, shuhet, shterret, shkrumbohet. Dy personazhe, të cilët, teksa mundimshëm përpiqen ta ringjallin dashurinë e fikur prej hirit të saj, rreken të trashendetojë kufijtë e kësaj bote dhe të futet në një zonë të re, plot mistere , ku “ligjet ishin të tjera dhe pakti po ashtu”( Aksidenti, Onufri 2010 f 109).
Në harkun e dymijë e pesëqind vjetëve, nga antikiteti grek tek mendimtarët modern, përvijohet një kërkim i parreshtur për të rrokur fenomenologjinë e dashurisë dhe raportet e Erosit me qytetërimin. Çfarë është dashuria, ky ëngjëlldemon, që trondit qënien njerzore, duke e ngritur në kreshtat e lumturisë dhe rrokullisur në honet e dëshpërimit?
A mos vallë dashuria është një gjëndje iluzive e mendjes, një vetëmashtrim, një kurorë zbukurese humane e institktit natyror seksual, një kurth i natyrës për sigurimin e vazhdimësisë së species njerzore? Mos valle dashuria, kjo urë prej nga egzistenca e Tjetrit të panjohur vjen brënda ekzistencës tonë, me totalitetin e saj mbytës, bie ndesh me shtysat e lirisë individuale?
Romani, nisur nga shenjat e dukshme intertekstuale, ngrihet si një diskurs dhe dialog me tekstet e tjera te shkruara për dashurinë: Platoni, Hegel, Shopenhauer, Frojdi,Flober, Tolstoi Fuko, Lacan,Badiou etj, në një kërkim të pareshtur për të kuptuar dashurinë , të veshur me aureolën e hyjnores dhe misterit, pa mundur rrokjen e totalitetit të saj në një formulë racionale. Romani Aksidenti, përmes fiksionit letrar dhe diskursit narrativ, vjen si vazhdë e këtij kërkimi tundues dhe torturues.
Kërkimi i hulumtuesit zbulon dritëhijet e raportit kompleks Besfor-Rovena dhe hap pas hapi ravijëzon diagramën e degradimiit të këtij raporti,metamorfozën e dashurisë dhe tjetërsimin e saj: faza e parë, kur ata përjetojnë plot pasion dhe epsh seksual lidhjen e tyre. Faza e dytë , e ndërmjetme, ku shprehja “asgjë nuk do të ishte më si më parë”, bie si një këmbanë e prëzishme , në kufirin mes kohës së dashurisë me kohën tjetër, zonën tjetër ku ata rreken të kapërcejnë. “Aty kishte të tjera ligje. Aty niste koha negative” (Aksidenti f. 112).Lidhja mes tyre është ftohur dhe dashuria, nga një ndjenjë ngazëllimi, përjetohet si një barrë prej të cilës ata duan të çlirohen.
Faza e tretë- momenti post mortem (vdekja e dashurisë) , kur Besforti i propozon Rovenës të bëhët ish-gruaja e tij.Tashmë Rovena për Besforitn është thjesht një call girl (eufemizem per prostituten).Metamorfoza e Rovenës vazhdon deri në zvogëlimin e saj si personazh dhe zvetënimin e vlerave: geishë, lavire e luksit, me tej një kukull seksi dhe, në fund, një kufomë- një trajtë manekini me masken e allcisë në fytyrë. Tani- thotë Besforti – ne jemi “përtej pasqyrës… të çliruar nga rutina , nga trysnia e ritualit, nga xhelozitë..nga ajo zonjë fatale, vejushë e përzitur, ndarja (Aksidenti f.147-148)
Në prozën e Kadaresë mitet e lashta dhe modelet arketipale aktivizohen për ndriçimin dhe depërtimin në thelbin e dukurive moderne.Nga ana tjetër, nën dritën e ngjarjeve moderne, ndriçohen nënshtresat dhe gjuha simbolike e miteve antike.Miti letrarizuar rifunksionalizohet dhe realiteti fiksional strukturohet përmes teknikave mitologjizuese.
Hulumtimi raportit të ndërlikuar dashuror Besfort Y me Rovena St. hedh dritë mbi mitin e Orfeut dhe miti i risemnatizuar kthehet në një semantikë për depërtimin në enigmën që mbështjell çiftin e aksidentuar. Miti Orfeut, zbrazet nga arkaikja dhe rimbushet me shenjat e bashkëkohësisë, posaçërisht me rrëfimin e raportit kompleks dashuror mes Besfort dhe Rovena . Ndërsa bashkëkohorja, dashuria dhe vdekja në aksident e dy personazheve, vishet me velin e mitikes, përmes rrëfimit të konceptuar si lojë mes formës dhe kuptimit të tekstit,i cili e mbërthen lexuesin me ambiguitetin e tij shtërngues .“Miti është ambiguitet..kjo lojë interesante kukafshehti mes kuptimit dhe formës përcakton mitin” (R.Barthes-Mitologjitë,Tiranë, Pika pa sipërfaqe 2016, f 250)
Përmes pësiatjeve të hulumtuesit, mbrihet në një kuptimësim të ri të mitit të Orfeut : nuk është Euridika që ka vdekur por Dashuria. Zbritja e Orfeut në Had për të takuar Euridiken e vdekur është vetëm një alibi.E vërteta është pikërisht ajo, vdekja e dashurisë dhe pamundësia e Orfeut për ta ringjallur. Përtej ambiguitetit dhe mjergullës semantike, miti sjell në kohët moderne kumtin dhe brengën e përjetshme të njeriut: Dashuria, pas ftohjes graduale dhe konsumimit, është një energji e pa rikthyeshme. Ringjallja e saj është përtej së mundshmes. Njerzit, thotë autori ,duhet të mësohen me këtë dialektikë/fatalitet të brëndshëm të saj dhe të pranojnë ne paqe ligjet e saj misterioze. Dashuria nuk fitohet me forcë dhe nuk mund të mbahet në këmbë me dhunë.
Dialektika e dashurisë: erosi dhe ankthi lirisë
Historia e një lidhje obsesive pasionante për nëntë vjet i ka vendosur të dy protagonistët në një situatë kontradiktore: ata rreken të ndahen dhe duken fatalisht të pashqitshëm me njeri tjetrin. Të dy përjetojnë mrekullimin e epshit seksual dhe ndërkohë, gradualisht erosi kthehet në një skenografi plot tension dhe dyshime. Në zëmër të dashurisë janë hedhur farat e rrënimit të saj. Në vatrën e Erosit, ku farkëtohet dëshira seksuale rritet dhe aspirata për posedim total të tjetrit. Kupid , Zoti i dëshirës seksuale dhe atraksionit, në mitologjinë romake paraqitet me hark e shigjetë, duke përcjellë konceptimin e dashurisë si një dhimbje e bukur, si forcë gjallëruese e psikes por edhe aspektin plagosës të saj.
Është mjaft interesant ndërfutja në dialogun Besfort-Rovena e pasazhit mbi Empedoklin i cili nga kureshtja u hodh në honin e vullkanit. Duket sikur edhe gramatikisht-fall in love-rënia në dashuri, mbart një lloj fataliteti dhe rreziku. Dashuria i përngjet një luleje të brishtë të mbirë buzë kraterit të një vullkani, e rrezikuar të shkrumbohet nga flaka e tij. Ajo i përngjet një meteori i cili konsumohet dhe fiket teksa bie nga qielli (hyjnor) drejt tokës( realitetit brutal dhe bnal). Rovena në Grac të Austrisë rikujton Lasgush Poradecin dhe lexuesit i nëpërmendet një nga poezitë më të bukura të tij për “greminën e dashurisë”.
E kqyrur nga optika e kritikës feminist, Besforti dhe Rovena pëfaqsojnë dy profile psikologjike brënda skemës së kulturës maskiliste: Besforti racional, i ftohtë, vetëvendosës,mospërfillës, ekspert për çështjet e Ballkanit kurse Rovena e rrethuar me breroren e bukurisë dhe misteret e seksit, emocionale, e pasigurt, ankthioze.Dy profile psikologjike brënda skemës: Meshkujt vijnë nga Marsi, femrat vijnë nga Afërdita. E shprehur me termat e Simone de Beauvoir ( Seksi i dytë, Çabej,Tiranë 2002, f 11 ) Besforti profilizohet si Subjekti, Absoluti, i vetëpërcaktuar në totalitetin e tij kurse Rovena si Tjetri, pra femra që gjen përkufizimin e saj përmes mashkullit.
Si një raport mes të barabartëve, shkruante Shulamith Firestone –dashuria do të ishte një pasurim, ku secili duke zgjeruar veten përmes tjetrit, në vend të mbylljes në qelinë e vetvetes, vetëm me përvojën e tij, të merrte pjesë në ekzistencën e një tjetri, si një dritare shtesë në botë”.Në kontrast me këtë vizion, Rovena e rënë në kurthin e dashurisë për Besfortin, klidh e pafuqishme: ti po më robëron dhe më ke mbyllur çdo dritare!
Fillimisht në trajtë të turbullt ajo ndjen një lloj frike iracionale, ankth dhe pasiguri.Referuar Kierkegard, “ankthi është liria e penguar”(Koncepti i Ankthit , Plejad,Tiranë,2002 f 57).Më tej Rovena gradualisht e gjen veten të kapluar nga “xanxa e lirisë”.Madje ajo deklaron :Ti më konsideron robinjën tënde, ti je vrasës! Ti je Tiran!Ti po më shkatërron seksualitetin”.Besforti Çlirimtar në sytë e saj transformohet në Tiran dhe skllavërues.
Lidhja dashurore mes Besfortit dhe Rovenës përvijohet si një raport i pabarabartë pushteti.Dashuria sipas psikoanalistit Lacan, ekspozon enigmën e diferencës midis seksesve.Në vatrën e këtyre diferencave prodhohet tensioni dhe shtysat konfliktuale. Rovena ndjehet e skllavëruar në dashurinë pasionante për Besfortin.Poshtë luleve të lumturisë së dashurisë ajo ndjen ankthin e prangosjes së lirisë.Në zëmër të konfliktit është tensioni mes shtysës së dashurisë me shtysën e lirisë.
I gjithë raporti mes tyre duket si një lidhje sadomazohiste, e gryerr së brëndshmi nga frika, dyshimi, koha dhe vetëkonsumimi.Rovena e viktimizuar manifeston sindromën e Stokholmit: adhuron Besfortin, dhunuesin e lirisë së saj dhe ndjen frikë prej tij.Dialektika e një raporti të tensionuar i ka mbërthyer në kurthin e shtysave konfliktuale mu në zëmër të dashurisë.
Statusin e saj të varësisë Rovena e kompeson me përdorimin e seksualitetit të saj, si strategji rezistence dhe hakmarrje ndaj Besforit, penguesit të saj, duke filtruar me bashkëstudentin çek dhe me mikeshën e saj, Lulu Blum. Rovena në metamorfozën e saj ( Rovena St. Rovi, Anerov, call girll, kukull seksi) shpalos një identitet të shumëfishtë ndërsa seksualiteti saj është më fluid .
Dashuria është skena e Dyshit thotë Badiou (Alain Badiou: Lavd i dashurisë, Zenit Editions, Tiranë,2011 ) Si e tillë, ajo ka si bashkëshoqërues xhelozinë ,e cila në esencë, manifeston eskluzivitetin seksual mbi partnerin/en. Në skenën e Dyshit përjashtohet ndërhyrja e të Tretit kërcënues. Ndërkaq, ndërkallja e tekstit të Servantesit në strukturën tekstore të romanit, e riinterpretuar, modifikon skemën: I treti , dashnori fshehtë i futur në shtartin e Kamillas me vetë miratimin e Anselmit, e eksiton këtë të fundit dhe i ndez më tepër epshet dashurore për Kamillën. Shfaqja në “skenën e Dyshit” e të Tretit të përfshirë ( vizita në klubin e shkëmbimeve seksuale, flirti Rovenës me Lulunë) e eksiton më tepër Besfortin dhe nxit dëshirimin seksual ndaj Rovenës.Mirse vini në skemën e çiftit të hapur!
Fillimisht përmes aluzioneve e më tej, gjithmonë e më hapur, autori heq një paralele të qartë mes raportit të ndërlikuar pasionant Besfort Y-Rovena St. dhe çështjeve të lirisë dhe tiranisë. Nga shqyrtimi dinamikës së raporteve intime të një çifti, diskursi ngrihet në një rrafsh politik , duke krijuar parabolën me Shqipërinë totalitare dhe raportin e diktatorit Enver Hoxha me vendin e tij . Liria ishte marrë pang nga Tirani në emër të “dashurisë”për popullin e tij .Nën breroren e Çlirimtarit zgjatet hija e Tiranit, Autokratit, Sunduesit.Idesë për lirinë e munguar në totalitarizëm i pranëvihet ideja e “tiranisë” së lirisë, e cila kur shpërdorohet, kur keqkuptohet dhe abuzohet me të, kthehet në një forcë mbytëse dhe destruktive.
Analogjia mes proçesit të integrimit të Shqipërisë në Europë me odisenë aventuroze të çiftit Besfort-Rovena nëpër hapsirën europiane, është e hapur. Udhëtimi dy protagonistëve në hapsirën europiane kthehet në një parabolë dhe metaforë e rrugëtimit plot zigzake, aksidente dhe tensione të Shqipërisë drejt Europës.
Romani Aksidenti tingëllon si një rekuiem për humbjen e dashurisë në raportet e ndërlikuara të çiftit Besfort-Rovena. Mbi këtë fabul, diskursi autorial kthehet në një reflektim të thellë për dashurinë, seksualitetin dhe lirinë në kontesktin dhe rrjedhojat e revolucionit seksual në shoqërinë moderne. Dashuria ,kumton autori, u shfaq në tokë para pesëmijë vjetësh, si një proces humanizues i njeriut primitiv, si kaprëcim përtej lidhjeve inçestuale dhe epshit karanal seksual brënda fisit. Dashuria duket një konstrukt human tepër i brishtë dhe i ri, përballë shtysave arkaike, parake, të Erosit të shtypur nga Qytetërimi dhe në sfondin e gjallërimit të orientimeve të reja seksuale. Në këtë optikë, në rrafshin fenomenologjik, dashuria përngjason me një gjëndje ylberore, përherë e kërcënuar të shpërbëhet .
Liberalizimi raporteve seksuale dhe çlirimi seksit nga shtërngesat e riprodhimit, në kushtet e konsumerizmit dhe “kulturës fast food”, kanë përuruar qytetërimin tonë likuid , seksualitetin fluid dhe plastik. Por përtej kënaqsisë seksuale pa pengesa dhe detyrime, përtej robërisë së iluzioneve( Erich Fromm ) qëndron përherë boshësia dhe vetmia e individit të atomizuar. Dhe këtë boshësi duhet dhe mundet ta mbushë vetëm dashuria. Dashuria duhet rishpikur thotë Badiou (Lavd idashurisë, Zenit Editions, Tiranë,2011) si një konstruktion përherë në sprovë me risitë dhe si mënyrë për të përjetuar botën përmes diferencës./ KultPlus.com