Në Muzeun Etnografik të Krujës, një nga monumentet më të çmuara të trashëgimisë kulturore dhe historike të Shqipërisë, po vijon puna për restaurimin e tij.
Agjencia Kombëtare e Turizmit bën të ditur se “në këtë monument të Kategorisë së I-rë po kryen punimet më të imëta për pastrimin përfundimtar, ruajtjen e objekteve dhe vendosjen e ekraneve dhe për të nxjerrë në dritë pikturat që zbukurojnë mjediset e brendshme të Muzeut Etnografik të Krujës”.
Prej disa kohësh ky muze i është nënshtruar procesit të restaurimit përmes Programit të Bashkimit Europian EU4Culture, me mbështetjen e një ekipi të konservimit nga Instituti i Konservimit në Universitetin e Arteve të Aplikuara në Vjenë, krahas specialistëve shqiptarë të angazhuar në procesin e restaurimit dhe rijetësimit të monumentit.
Ky muze është atraksion i rëndësishëm dhe ndër më të vizituarit nga turistët nga e gjithë bota, që dëshirojnë të njohin kulturën shqiptare.
Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muze është ngritur në shtëpinë e familjes Toptani. Ajo është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764. Banesa është monument kulture e kategorisë së I-rë.
Në mjediset e brendshme dhe të jashtme të muzeut ekspozohen një pamje e plotë e zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe mënyra e jetesës së popullsisë mbi 300 vite më parë./atsh/KultPlus.com