Me aktivitete të shumëta hapet edicioni i parë i Panairit të Librit për Fëmijë

Vjollca Duraku

Me një numër të madh të fëmijëve, nën tingujt e muzikës të krijuar nga nxënësit e shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, sot është shënuar hapja e edicionit të parë të Panairit të Librit për Fëmijë, në kryeqytet, shkruan KultPlus.

Edicioni i parë i Panairit të Librit për Fëmijë u mundësua nga organizata joqeveritare ETEA, Biblioteka “Hivzi Sylejmani”, Libraria “Dukagjini”, Ministria e Kulturës si dhe Komuna e Prishtinës.

Nën duartrokitjet e shumta të fëmijëve pjesëmarrës, ceremoninë hapëse të këtij edicioni të panairit të librit, e bëri drejtori i organizatës ETEA,  Agon Ahmeti, i cili fillimisht tha që është shumë i lumtur që gjendej në mesin e fëmijëve dhe që së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë kishin arritur të organizojnë këtë ngjarje, sipas tij, modeste por të lezetshme.

“Jam shumë i lumtur që jam në mesin tuaj, sidomos ndaj juve që jeni edhe më të vegjël, ju lakmoj që jeni në këtë moshë. Unë përfaqësoj organizatën jo qeveritare ETEA, ne jemi bërë bashkë me bibliotekën e qytetit “Hivzi Sylejmani”, me librarinë “Dukagjini”, disa prej shtëpive botuese, me Komunën e Prishtinës dhe Ministrinë e Kulturës për të organizuar një ngjarje e cila shihet që është modeste, por është shumë e lezetshme”, ka thënë drejtori Ahmeti.

Drejtori Ahmeti gjithashtu, bëri thirrje që menjëherë pas përfundimit të këtij edicioni të planifikojnë një panair më madhështor për vitin e ardhshëm.

“Ju njoftoj që sot e nisëm dhe po bëj thirrje edhe përmes mediave që në momentin që përfundohet kjo ngjarje të bëhemi bashkë të gjithë dhe të fillojmë një planifikim për vitin e ardhshëm, ashtu siç e meriton një panair i librit që dedikohet ekskluzivisht për fëmijë. Meqenëse po planifikohet të zgjerohet sheshi deri te “Rrethi i Flamurit”, pse jo të shkojmë deri atje me libra”, tha ai.

Më pas hijeshia e ngjarjes iu shtua, kur skenës iu bashkua edhe një prezantuese e vogël, Ema Bryma, e cila tha që organizimi i një ngjarje të tillë e gëzon pamasë.

“Unë si lexues e rregullt i gëzohem pa masë organizimeve të tilla, sepse leximi më lumturon, më pasuron mendjen dhe më fut në një botë tjetër me shumë aventura”, tha Ema e cila më tutje i falënderoi të gjithë organizatorët e panairit në emër të të gjithë fëmijëve të Kosovës.

Kjo vogëlushe fjalën i kaloi, nënkryetares së Prishtinës, Donjeta Sahatçiut e cila e kishte shijuar pamasë prezantimin nga një fëmijë. Ajo fillimisht tha se ishte hera e parë që dikush kaq lezetshëm e kishte ftuar për të marrë fjalën në skenë.

Nënkryetarja Sahatçiu më tutje tha se ishte kënaqësi që si Komunë kanë mbështetur organizimin e këtij aktiviteti.

“Kjo është hera e parë që më ka ftuar dikush në skenë kaq lezetshëm dhe ëmbël si ti, kështu që faleminderit shumë. Faleminderit të gjithëve që jeni prezent sot. Unë jam Donjeta, dhe punoj në Komunën e Prishtinës, ajo që është përgjegjëse për rrugët, për hapësirat publike, për shkollat dhe çerdhet dhe sot me shumë kënaqësi kemi qenë mbështetës të organizimit të këtij aktiviteti.”

Ajo më tutje shtoi se Komuna e Prishtinës ka filluar një aktivitet të ri që është “Ora e Leximit”, dhe me këtë rast u bëri thirrje fëmijëve që çdo ditë të lexojnë nga një faqe më shumë si kusht për t’u lejuar më pas nga prindërit për të lozur lojërat që dëshirojnë.

“Ne kemi filluar një aktivitet të ri që është “Ora e Leximit” nëpër shkolla për të përmirësuar mënyrën se si ne lexojmë libra çdo ditë. Kështu që u ftoj të jeni në shkollat dhe çerdhet e juaja, të lexoni sa më shumë libra dhe pse jo bashkë me prindërit e juaj të keni një sfidë, që çdo ditë të lexoni nga një faqe më shumë në mënyrë që të fitoni më shumë kohë në lojërat e juaja që dëshironi t’i bëni në kohën e lirë”, përfundoi nënkryetarja e Prishtinës.

Ndërsa Ilirjana Hasaj, menaxhere në librarinë Dukagjini, tha që është shumë e lumtur që përpos aktiviteteve të shumta që kjo librari i organizon për fëmijë, ka arritur të organizojë edhe këtë panair, i cili deri tani i ka munguar kryeqytetit.

“Fëmijë të dashur, për mua është shumë kënaqësi e madhe që kemi ardhur sot këtu. Ju e dini që në librarinë Dukagjini, çdo herë organizojmë për ju aktivitete të ndryshme, sjellim libra të ndryshëm, ndoshta edhe shumë prej jush keni ardhur në librari, për ne është shumë kënaqësi, prandaj edhe punojmë dhe sjellim risi çdo herë për ju. Dhe pikërisht për ju e kemi sjell këtë panair sepse një i tillë ka munguar”, shtoi Hasaj.

Më tej fjala iu kalua Fatime Mehmetajt, udhëheqëses së bibliotekës së qytetit “Hivzi Sylejmani” e cila u shpreh se organizimi i një aktiviteti të tillë shënon një festë të madhe për kryeqytetin.

“Jam e lumtur që jam pjesë e kësaj ngjarje shumë të rëndësishme për kryeqytetin e Prishtinës, sidomos që jam në mesin e fëmijëve, sepse edhe misioni i bibliotekës është që të bëj bashkë lexuesin me librin. Biblioteka “Hivzi Sylejmani” i është  bashkangjitur kësaj iniciative që për kryeqytetin është një festë e madhe.”

Në emër të bibliotekës Mehmetaj i ndau edhe dy mirënjohje, për Ajet Dalipin i cili bibliotekës i kishte dhuruar bibliotekën e tij personale me mbi 2000 ekzemplarë si dhe Fondacionit Agim Lluka, që këtë vit po ashtu ka dhuruar kontingjent të librave me shumë vlerë, me rreth 405 tituj.

Pas ceremonisë hapëse, në një prononcim për KultPlus, drejtori i organizatës ETEA, tha se duke qenë se është edicioni i parë, këtë vit panairi ka më shumë karakter pilotues.

“Është modest por i lezetshëm, sepse kapacitetet nuk kanë qenë të mjaftueshme për të qenë gjithëpërfshirës, por duke qenë edicioni i parë ka njëfarë karakteri pilotues në mënyrë që të shohim se si po shkon.”

Drejtori Ahmeti  më tutje shtoi se do të përpiqen që vitin e ardhshëm të organizojnë një panair edhe më dinjitoz në mënyrë që fëmijët të stimulohen për lexim dhe mundësisht ta shndërrojnë në një proces të zakonshëm leximin.

“Planet i kemi që menjëherë pas përfundimit të edicionit të parë, të mblidhemi të bëhemi bashkë dhe të shohim që për vitin e ardhshëm të fillojnë përgatitjet qysh prej këtij viti në mënyrë që në edicionin e ardhshëm të kemi një panair të librit ekskluzivisht për fëmijë sa më dinjitoz dhe sa më të bukur në mënyrë që fëmijët përveç argëtimit nëpër aktivitetet e shumta që ka për t’i pasur edhe ky edicion i panairit, ta mendojnë, kujtojnë librin, ta shfletojnë dhe pse jo ta shndërrojnë në një proces të zakonshëm leximin.”

Deri më datën 07 tetor 2023, në orët e pasdites, përpos shitjes së librave prej gjashtë shtëpive botuese i cili konsiderohet aktivitet konstant, do të ketë edhe aktivitete të shumta si pjesëmarrja e robotëve për të argëtuar fëmijët prezent, program nga Anibari, program i ofruar nga Fondacioni 17, Dokufest, takimet me shkrimtarë të karvanit për fëmijë, promovime të librave për fëmijë etj.

Prezent në këtë panair pritet të jenë edhe udhëheqësit e Kosovës, si kryeministri Albin Kurti dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, për tu takuar me fëmijë dhe për të pasur lexime dhe bashkëbisedime për librin.

Nga ora 10:00 deri në 14:00 gjatë ditëve të panairit Biblioteka e qytetit e ka të hapur regjistrimin falas për të gjithë fëmijët e interesuar nga klasa e parë deri në të nëntën, me validitet një vjeçar. /KultPlus.com

Lidhja e Dytë e Prizrenit shënon 80 vjetorin, një mori aktivitetesh në këtë përvjetor

Lidhja e Dytë e Prizrenit po shënon 80 vjetorin dhe në përkujtim të kësaj ngjarje, Komuna e Prizrenit ka organizuar një mori aktivitetesh që do të nisin më date 16 shtator në ora 10:00 në Shtëpinë e Bardhë në Prizren.

Lidhja e Dytë e Prizrenit – me nismën e Xhafer Devës, Musa Shehut, Sheh Hasanit, Lukë Simon Mjedës, Qazim Bllacës dhe Pjetër Vuçajt, më 11 shtator në Bujan te Malesise se Gjakoves / Tropoje u organizua një mbledhje për të shqyrtuar situatën e krijuar pas kapitullimit të Italisë dhe nevojën e ngutshme të ngritjes së një ndërlidhjeje e marrëveshjeje midis krahinave të ndryshme të ish Jugosllavisë, ku jetonte popullsia shqiptare dhe myslimane. Këtë qëllim kishte thirrja e një mbledhjeje të përgjithshme me përfaqësues të viseve të Kosovës, Dibrës, Strugës, Tuzit, Ulqinit dhe anëve tjera. 

Mbledhje u organizua në shkallë kuvendi ( në frymën e Lidhjes së Parë të Prizrenit) dhe zhvilloi punimet në Prizren më 16 – 20 shtator 1943 në praninë e 42 delegatëve që përfaqësonin Prizrenin, Dragashin, Suharekën, Rahovecin, Gjakovën, Pejën, Plavën, Vuthajn, Rozhajën, Novi Pazarin, Senicën, Prishtinën, Gjilanin, Mitrovicën, Shkupin, Tetovën, Gostivarin, Dibrën, Ohrin dhe Ulqinin.

Kuvendi u mbledh në Prizren, nga data 16 deri më 20 shtator 1943. Në të morën pjesë 45 delegatë të zgjedhur nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare. Kongresin e udhëhoqi Komiteti Ekyekutiv, me në krye Musa Shehu, i shoqëruar prej: Z.Z, Asllan Boletini, Shefqet Shkupi, Qazim Bllaca, Tahir Zajmi, Pjetër Vuçaj, Sheh Hasnai, Qemajl Balila, Hivzi Meraku, Luk Simoni, Haxhi Fahrija, dhe Sokol Dobroshi. / KultPlus.com

Bashkia Pogradec, aktivitete të përbashkëta artistike dhe kulturore me qytetin gjerman

Bashkia e Pogradecit dhe ajo e Wismar, Republika Federale e Gjermanisë, në kuadër të Marrëveshjes së Binjakëzimit që kanë lidhur mes tyre, në vitin 2019, nga dy kryetarët e bashkive, respektivisht Ilir Xhakolli dhe Thomas Beyer, kanë realizuar gjatë këtij viti një serë aktivitetesh të përbashkëta në fushën e artit dhe kulturës.

Kështu specialistë të bashkisë Pogradec morën pjesë në trajnimin e organizuar në bashkinë Wismar në fushat Turizëm, Trashëgimi Kulturore, Legjislacioni mbi Turizmin.

Bashkëpunimi në fushën e lundrimit dhe artit angazhoi 11 të rinj, të moshave 12-16 vjeç, anëtarë të Shoqatës “Seglerjugend Wismar” të shoqëruar nga tre bashkëpunëtorë të rritur,  në demonstrimin e lundrimit me vela në Liqenin e Ohrit, pjesa shqiptare, në Pogradec, si edhe me asistencën e piktorit të merituar Anastas Kostandini, realizuan pikturat e tyre, të cilët u ekspozuan më pas në ekspozitën e pikturës në Wismar, krahas punimeve të ekspozitës së piktorit Anastas Kostandini.

Çelja e ekspozitës së “Piktorit të Merituar” Anastas Kostandini, titulluar “Një piktor nga Pogradeci viziton Wismarin”.

Kështu në fund të muajt gusht, në bashkinë Wismar u organizua takimi zyrtar me kryetarin e bashkisë Thomas Beyer, ku u analizuan dhe u përshëndetën bashkëpunimet e deritanishme të realizuara në disa fusha dhe u propozuan të tjera bashkëpunime konkrete në të ardhmen.

Bashkia e Pogradecit njofton se pritet të realizohet së shpejti bashkëpunimi në fushat e Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore me prezencën e dy funksionarëve të bashkisë Wismar, teksa titullarët konfirmojnë vullnetin e mirë për vazhdimësinë e binjakëzimit mes dy bashkive edhe në fusha të tjera./atsh/KultPlus.com

Dita e pestë dhe gjashtë e festivalit Anibar vjen me aktivitete të shumta

Edicioni i 13-të i Festivalit të Filmit të Animuar Anibar vjen me një program të bujshëm, i cili përfshin aktivitete të shumta.

Dita e 5-të e Besëtytnisë

Dita filloi në ora 10:00 në Galerinë e Arteve me një eksperiencë ndryshe me programin e RV i cili përbëhet nga shtatë filma të animuar. Duke përdorur teknologjitë e disponueshme për lehtësimin e këtij programi, përdoruesit patën mundësi të përjetojnë realitetet të paimagjinueshme ku rrëfenja po tregohen në mënyra jo konvencionale. Në ora 10:30 në Exit Bar, çdo ditë mbahet takimi me filmbërës ku pirja e kafes dhe diskutimi i temave të preferuar është kthyer në një ritual gjatë Festivalit. Në këto takime bisedohet për filmat, teknikat, detajet, lëvizjet dhe çdo gjë që i karakterizon filmat e animuar. Në Teatrin Istref Begolli, nga ora 12:00 filloi programi i rregullt i shfaqjes së filmave të garës së kategorisë së fëmijëve 4+ të cilët janë: Kiwi & Strit – Things Have Legs, Edmond and Lucy – Shooting Stars, No-No Goes to Space, My Name is Fear, dhe Mezosoique Alternative. Ndërsa, në po të njëjtën orë në Kinemanë Jusuf Gërvalla u shfaqën filmat nga kategoria e garës së filmit të metrazhit të gjatë 4 ku të pranishmit panë filmin Chicken of the Mound. Programi për të vegjlit tanë vazhdoi përsëri në ora 14:00 në Teatrin Istref Begolli me programin për të fëmijë 9+ ku u kënaqën duke parë filmat: Bellysaurus, The Fox, the Turtle, the Spider and the Cake, Lost Brain, This Hut is too Small, Letters From the Edge of the Forrest, dhe The Turnip. Gara e filmit të metrazhit të gjatë 5 me shfaqjen e filmit Bye-Bye Elida u mbajt në Kinemanë Jusuf Gërvalla në ora 14:00. Programi special Bashkëkohësit Queer u mbajt në Kinemanë Jusuf Gërvalla nga ora 16:00 ku pati shumë të interesuar për të ndjekur këta filma të veçantë: Entropia, Hi, It’s Your Mother, Guy, The Saint of Dry Creek, i Like Girls, Purpleboy, The Night Cleaner, CUT, Manivald, Modern Queer Heroes/Little Elephnt/ Queerer than Thou?. Gjatë mbrëmjes, në Kino Liqeni u shfaqën filmat e garës së studentëve 4 në të cilët interesimi ishte shumë i madh për artistët e ardhshëm të animacionit. Aty të pranishmit panë: Night of the Living Dread, Green, Let Sleeping Dogs Lie, Pests, The uncertain snow, Resting Fog, dhe The Seine’s tears. Asgjë nuk i mund shfaqjet e filmave që ndodhin në Kino Kubat në një ambient mahnitës. Në ora 22:00 mbrëmë u prezantuan filmat e garës ndërkombëtare 4: Granny’s Sexual Life, Shpija, Good old vinil, The Garbage Man, dhe The Umbrella. Bestytndejat ishin të zjarrta, të përcjella me muzikë metal dhe rock nga grupet e jashtëzkonshme të shtëpisë diskografike Defy Them ku interpretuan: Brey Lenses, Elektorati Intelektual, Telikput, Vëllezërit Mllefi dhe grupi Shlem.

Dita e 6-të e Besëtytnisë

Dita e gjashtë e Festivalit filloi në ora 10:00 në Galerinë e Arteve me një eksperiencë ndryshe me programin e RV i cili përbëhet nga shtatë filma të animuar. Duke përdorur teknologjitë e disponueshme për lehtësimin e këtij programi, përdoruesit patën mundësi të përjetojnë realitetet të paimagjinueshme ku rrëfenja po tregohen në mënyra jo konvencionale. Filmat të cilët shikuesit paten mundësi ti ndjekin janë: Passenger, Wolves in the walls, Battle Scar: punk was invented by girls, Limbotopia, Replacements, Paper Birds, dhe Goliath: Playing with Reality. Në ora 10:30 në Exit Bar, çdo ditë gjatë Festivalit mbahet takimi me filmbërës ku pirja e kafes dhe diskutimi i temave të preferuar është kthyer tashmë në një ritual gjatë Festivalit. Në këto takime bisedohet për filmat, teknikat, detajet, lëvizjet dhe çdo gjë që i karakterizon filmat e animnuar. Në Teatrin Istref Begolli, nga ora 12:00 filloi programi i rregullt i shfaqjes së filmave të garës së kategorisë së fëmijëve 9+ të cilët patën mundësi të shohin: The Secret of Mr.Nostoc, The Winged, Angry bag, dhe Mom is always right. Programi vazhdoi me shfaqjen e filmave në ora 12:00 në Jusuf Gërvalla me Programin Panorama Jashtë Garës 1 me pesë filma: A Goat’s Spell, The melancholy of the Phoenix, A Guitar in the Bucket, Passenger, dhe Bird in the Peninsula. Panorama jashtë Garës 2 solli një program të bujshëm me gjithsej tetë filma të veçantë në ora 14:00 në Kinemanë Jusuf Gërvalla. Filmat të cilët u shfaqën janë: Not For Me, Miracasas, The Debutante, Don’t die on me, DING (Thing), C, Hi! How are you?, Til We Meet Again. Ndërsa, programi për fëmijë 9+ u mbajt në ora 14:00 në Teatrin Istref Begolli ku u shfaqën këta filma: Spring Always Comes Back, In Sight, My Grandma Matilde, Cap is one’s own business, dhe The Girl Behind the Mirror. Programi i veçantë: Eksperimental filloi në ora 16:00 në Kinemanë Jusuf Gërvalla. Në këtë program kuratori kërkoi që publiku të gjej veten në vijën e hollë mes gjithçkaje dhe asgjëje, dhe inkurajoi të pranishmit të shtronin pyetje dhe jo të gjeni zgjidhje. U shfaqën: Supertelevision, Script.exe, Anxious Body, Password to the *****, i sit and look out, Money, Quantum Shadow, Worms Ate my Flesh, ZOOPARK, PRESS(ED). Paneli “Besëtytnijat si rrëfenja” solli të interesuar të shumtë në ora 17:00 në Galerinë e Arteve. Gjithçka filloi me simbolet, që përbëjnë fjalët, gjuhët, që përbëjnë histori, përralla, mite, bestytni dhe që deri më sot komunikohen nga njerëzit përmes mediave klasike dhe bashkëkohore, librave, filmave etj. Këtu u diskutua për përdorimin e tyre në jetën e përditshme, nga aspekti i perspektivës njerëzore, traditës, mistikës dhe pse vazhdojnë t’i përdorim edhe sot me tërë këtë zhvillim teknologjik e mediatik. Nga ora 20:30 filluan shfaqjet e filmave të garës së video-animacioneve muzikore 1 në Kino Liqeni dhe video animacioneve muzikore 2 të cilat u shfaqën për publikun e shumtë në ora 22:00 në Kino Kubat. Në këto kategori u shfaqën 27 filma të ndryshëm ku publiku përveç realizimit të bukur nga aspekti i animacionit pati mundësinë të dëgjoj edhe muzikë. Bestytndejat e këtij edicioni u përmbyllën me grupet Gipsy Groove dhe Lilac të cilët filluan performancat e tyre muzikore nga ora 23:00 në Kino Liqeni ku audienca nuk mundi t’iu rezistojë tingujve të veçantë dhe plot gëzim të këtyre artistëve. / KultPlus.com

“Dita Botërore e Muzikës” sjell larmi aktivitetesh në Tiranë

Dita Ndërkombëtare e Muzikës, një event që kremtohet në mbi 200 vende të botës, i solli dje kryeqytetit të Shqipërisë një mori aktivitetesh artistike muzikore.

21 qershori përveç se dita më e gjatë e vitit (solstici i verës) tashmë ka hyrë edhe në kalendarin shqiptar si dita e muzikës.

Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tiranës bënë të mundur koncertin e këngëtares Manjola Nallbani, në Pallatin e Brigadave, ku publiku mundi të shijojë perla të muzikës popullore qytetare, një spektakël instrumentesh, tingujsh e efektesh vizive.

“Një udhëtim i bukur nëpër Shqipëri, nga Veriu, në Jug, në Shqipërinë e Mesme, Kosovë e Çamëri”, kështu e ka cilësuar ministrja e kulturës Elva Margariti.
“Një atmosferë e jashtëzakonshme mbrëmë në Pallatin e Brigadave, ku mes miqsh festuam Ditën Botërore të Muzikës! Nuk mund të festonim më bukur se me këngët tona” shprehet ministrja në një postim duke bërë edhe premtimin se Ministria e Kulturës do të vazhdojë të mbështesë aktivitete që promovojnë trashëgiminë tonë

Njëkohësisht, në Amfiteatrin e Tiranës, u zhvillua koncerti i një grupi të njohur këngëtarësh si Irma Libohova, Aleksandër Gjoka, Mentor Haziri, Gena, Bojken Lako etj. Koncerti pop rock i titulluar “Këngët e trevave” kishte gjithashtu mbështetjen e Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Kulturës.

Por aktivitetet muzikore për Tiranën, nuk përfunduan me 21 qershorin. Po tek Amfiteatri i Tiranës, sot do të zhvillohet koncerti i grupit të njohur blues dhe rock “The Animals and Friends”. /atsh / KultPlus.com

Vuthajt e Plavë Gucisë bëhen me shtëpi të kulturës, tri ditë aktivitete

Ditë më parë në Vuthaj të Plavë-Gucisë ka përfunduar ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës, në saje të kontributeve të banorëve të këtij fshati në zemër të Alpeve Shqiptare, që mërguan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar e deri në ditët tona.

Ky objekt, që u mungonte shqiptarëve të kësaj krahine, tashmë është pajisur edhe me mobilie dhe pritet që në ditët e ardhshme aty të zhvillohen aktivitetet e para kulturore. Ajo do të shërbejë edhe nevoja të tjera të komunitetit, siç bën të ditur portali Plava e Gucia Sot.

Sot në këtë fshat ka filluar edhe festivali mbarëkombëtar i këngëve dhe valleve shqipe, që do të vazhdojë edhe nesër, ndërsa më 1 gusht këtu do të mbahet tubimi tradicional “Mirësevini në Alpet Shqiptare”, që organizohet nga shoqata me këtë emër, “Alpet Shqiptare”.

Kampi veror “ARTivizmi edukativ” përmbyllet me program artistik kushtuar rëndësisë së arsimimit dhe të drejtave të fëmijëve

Kampi veror “ARTivizmi edukativ” ka mbledhur rreth vetës 100 fëmijë të kategorive të ndjeshme sociale me ç’rast u zhvilluan dhjetëra aktivitete me karakter edukativ, socializues dhe argëtues, përcjellë KultPlus.

Organizata joqeveritare “ETEA” me përkrahje financiare të “Terre des hommes” po e implementon projektin Kampin veror “ARTivizmi edukativ” në Komunën e Prishtinës, projekt ky që synon ndërgjegjësimin e fëmijëve përfitues rreth rëndësisë së arsimimit dhe të drejtave të fëmijëve, duke ndikuar kështu në parandalimin e braktisjes së shkollimit dhe fuqizimin e të drejtave të fëmijëve.

Në kuadër të kampit veror po marrin pjesë 100 fëmijë, përzgjedhja e të cilëve është bërë duke bashkëpunuar me SOS Fshatrat e Fëmijëve, Qendrën për Punë Sociale, SHFMU-të Asim Vokshi, Emin Duraku, Qamil Batalli, Zenel Hajdini, etj.
Kampi ka filluar me datë 19 korrik, dhe do të mbyllet më datë 24 korrik 2018 kur edhe do të shfaqet për publikun programi artistik i fëmijëve, përgatitur nga këta të fundit me përkrahjen e stafit të ETEA-s.

Ky program do të zhvillohet në Qendrën e Komunitetit “Termokiss” duke filluar nga ora 15:00, dhe do të përmbajë ekspozitë, dramë, tregime dhe poezi, vallëzime moderne, balet, këngë, punë-dore, video-storie, dhe storie qe do të tregohen aty për aty nga fëmijët e që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë e fëmijëve brenda institucioneve edukativo-arsimore, etj.

Të gjitha këto janë përgatitur përgjatë ditëve të kampit, përmes punëtorive të organizuara brenda kampit, siç janë: punëtoria për letërsi, punëtoria për pikturë, punëtoria për aktrim, punëtoria e aktivizmit dhe ajo e avokimit.

Gjithsesi, kampi që po zhvillohet tash e disa ditë, përveç punëtorive dedikuar programit artistik, ka përmbajtur edhe aktivitete tjera psiko-sociale për të cilat animatorët e kampit mbajtën trajnime specifike të organizuara nga “Terre des hommes”. Në anën tjetër, kuptohet se nuk munguan as aktivitetet argëtuese, përkatësisht lojërat si: futbolli, volejbolli, topi i dëshirave, pantonima, telefoni i prishur, etj. / KultPlus.com

Dita e tretë e ‘Anibar’ e mbushur me aktivitetet të ndryshme

Dita e tretë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar ‘Anibar’, i cili këtë vit po zhvillon edicionin e tij të tetë, ka vazhduar dje e mbushur me plot aktivitet, shkruan KultPlus.

Kjo ditë filloj përsëri me Workshope të cilat filluan në orën 10:00 e për të vazhduar deri në orën 16:00.

Në orën 12:00 në kino ‘Jusuf Gërvalla’ u shfaq filmi i metrazhit të gjatë ‘Sheep and Wolves’ ku flitet për një vend të largët magjik, në një fshat të vogël piktoresk të pozicionuar në mes fushave të gjelbëruara dhe kodrave të larta ku jetonte një kope e shkujdesme e deleve. Por jeta e tyre e qetë dhe pa stres ndërpritet kur një tufë ujqish zhvendosen afër një përroske të afërt. Në të njëjtën kohë në Teatrin ‘Istref Begolli’ u mbajt Kids Program 2.

Në orën 13:00 në Exit Bar u mbajt Meet the Filmmakers: Vladimir Kanic director of “Only Lover leave to Die” (Screening: Balkan Competition, Tuesday the 15th, 20:30, Lake Cinema)

Në orën 14:00 në teatrin ‘Istref Begolli’ u mbajt programi Junior Oscar me mbështetjen e IPKO Foundation, program i cili shënon të gjashtin vit, e Anibari e koordinon për të dytin vit me radhë. Ky program ka për qëllim t’i zhvillojë shkathtësitë kreative, inovative të punës grupore të nxënësve të shkollave fillore të Kosovës, të cilët gjatë vitit bëjnë filma të shkurtër dhe i dërgojnë në ‘Anibar’ ku juria i përzgjedh filmat fitues.

Ndërkohë në kinon ‘Jusuf Gervalla’ u mbajt programi special: Frame Order Retrospective.

Galerina e Arteve mirëpriti ligjëratën e parë në lidhje me historinë e animacionit të Europës Lindore. Ligjërata: Tëins that construct production and create perception: propaganda and censorship. Case study: comparative overview of animated propaganda film from USSR and USA of Cold War era (films of Ivan Ivanov-Vano, John Sutherland and others).

Në orën 16:00 në kinemanë ‘Jusuf Gërvalla’ u shfaq filmi i metrazhit të gjatë: The Red Turtle, në të bëhej fjalë për një burrë i cili ka ngecur në një ishull të braktisur dhe takohet me një breshkë të kuqe, e cila i ndryshon jetën.

Në orën 18:00 vazhdoi të mbahet paneli i dytë për ketë edicion me temën: Commons in times of adversity at Peja Gallery me panelists: Modest Gashi (Peja Municipality), Flaka Xërxa (architect, Universitety of Prishtina), Rozafa Basha (architect, Universitety of Prishtina) Moderator: Hajrulla Çeku (EC Ma Ndryshe).

20:30 është ora kur u shfaqet programi Student Cometition në kino Liqeni. Ndërsa në kino Kubat u shfaq International Program 2 në ora 22:00.

E mbyllja e ditës së tretë ishte me tingujt e bukur të muzikës së Eugent Bushpepes dhe DJ Alban Muja. / KultPlus.com