Berisha në Asamblenë Komunale të Fëmijëve të Prishtinës: Gjithmonë e festojmë ditën e fëmijëve, por dita e fëmijëve duhet të jetë çdo ditë

Era Berisha

Me rastin e 1 qershorit, e konsideruar si dita më e rëndësishme për fëmijët, Asambleja Komunale e Fëmijëve të Prishtinës organizuan një mbledhje solemne pikërisht në këtë ditë ku përveç që ata shpalosën talentin e tyre në piano, ata parashtruan dhe diskutuan probleme dhe tema të ndryshme me Drejtorinë e Kulturës, Drejtorinë për Sport, Drejtorinë e Arsimit, Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Drejtorinë e Parqeve dhe Drejtorinë e Administratës, shkruan KultPlus.

Asambleja Komunale është konsideruar organi më i lartë i udhëhequr nga fëmijët që ka për qëllim përmirësimin e situatave të ndryshme në të cilën gjenden fëmijët e Prishtinës duke përfshirë këtu: ekspozimin ndaj dhunës në familje, kushtet jo të mira ekonomike, fëmijët që bullizohen pa përkrahje familjare e shumë të tjera.

Kjo ngjarje nisi me fjalimin nga kryetarja e Asamblesë Komunale të fëmijëve të Prishtinës, Era Hysa, e cila foli rreth aktivitete të cilat ata kanë realizuar dhe temat që ata kanë prekur gjatë diskutimeve.

“Asambleja jonë pavarësisht kohës, ka arritur ti mbaj disa takime rreth dy trajnimeve ku trajnimi i parë ka përfshirë shëndetin seksual dhe riprodhues dhe trajnimi i dytë rreth trafikimit me qeniet njerëzore. Po ashtu, janë organizuar disa takime tjera me organizata të ndryshme ku është folur rreth mundësive të ndryshme të bashkëpunimit, takimet me ftesë nga Asambleja Komunale e Fëmijëve në Pejë ku kemi paraqitur punën tonë të deritanishme dhe planet e ardhshme”, thotë Hysa.

Ndërsa, i pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Adrian Berisha, i cili foli rreth rëndësisë së fëmijëve dhe të ardhmes së tyre.

“Fëmijët duhet të mësohen se si të mendojnë dhe jo çka të mendojnë. Është njëra prej thënieve më të rëndësishme sa i përket fëmijëve dhe edukimit. Si Drejtori ne mendojmë që fokusi ynë kryesor duhet të jetë pikërisht në edukimin e gjeneratave të reja që të kemi një zhvillim të jashtëzakonshëm apo atë çka e dëshirojmë si vend dhe shtet” thotë Berisha.

Sipas tij, secili fëmijë do të ketë sfida e vështirësi të ndryshme por një gjë duhet të dihet se i gjithë fokusi duhet të jetë tek fëmijët. Andaj edhe Komuna e Prishtinës në përgjithësi mundohet që fokusin ta ketë në të ardhmen në mënyrë që ajo të jetë sa më e mirë.

“Ne gjithmonë e festojmë ditën e fëmijëve por realisht dita e fëmijëve duhet të jetë çdo ditë”, përfundon Berisha.

Po ashtu, Drejtoresha e Parqeve, Fatime Hajdari, foli rreth rëndësisë së mbjelljes së drunjëve, luleve dhe hapësirave të gjelbërta dhe publike në qytetin e Prishtinës

“Aktivitetet tona përfshijnë shumë fëmijë për arsye se fëmijët janë kryesisht ata që i shfrytëzojnë këto hapësira. Po ashtu, në kuadër të Drejtorisë së Parqeve janë edhe këndet e fëmijëve për të cilat kujdesemi në rast se dëmtohen apo shkatërrohen”, thotë Hajdari.

Sipas saj, është një fatkeqësi që në qytet këto kënde të lojërave apo hapësirat e gjelbëra, degradohen pa qëllim e me rast edhe me qëllim, por e rëndësishme është që mesazhi të përcjellet që të jesh një njeri i mirë, i sjellshëm dhe i kujdesshëm është gjithmonë në modë dhe jo e kundërta.

Pas këtyre fjalimeve, Asambleja Komunale e Fëmijëve të Prishtinës pati rastin që të parashtrojë kërkesa, shqetësime dhe çdo gjë tjetër që ata mendojnë se është dashur të diskutohet.

Pyetjet, kërkesat dhe shqetësimet e tyre të parashtruara ishin rreth këtyre temave: mungesën e psikologëve, mbajtjen e semi maturës dhe ekskursionit, mungesën e fëmijëve gjatë ditëve mësimore në shkolla, ekzistenca dhe mungesa e uniformave në shkolla të ndryshme, mungesa e mjeteve dixhitale në shkolla, mungesa e mjeteve bazike në disa shkolla për zhvillimin e orës mësimore, mungesa e kushteve të nevojshme për kabinetet e lëndëve të ndryshme në shkolla, mungesa e zhvillimit të transportit publik të shpejtë dhe të dobishëm, ndërmarrjet e ndryshme në lidhje me ndotjen e ajrit, kyçja e personave me aftësi të kufizuara në ambientet e shkollës dhe sallave të sportit, përfshirja e aktiviteteve dhe programeve të ndryshme vetëdijësuese për fëmijët, zbatimi i mësimit gjithëpërfshirës, rritja e sigurisë në shkolla dhe masat e ndryshme të ndërmarra si dhe shfrytëzimi i nxënësve me talente në rrjedhën kulturore.

Ndaj këtyre pyetjeve të llojllojshme, të pranishëm për tu përgjigjur ishin përfaqësuesit dhe përgjegjësit e institucioneve si: Drejtoria e Kulturës, Drejtoria e Arsimit, Drejtoria e Shërbimeve Publike, Drejtoria e Administratës, Drejtoria e Sportit dhe Drejtoria e Parqeve, të cilët u përkujdesën rreth brengave dhe shqetësimeve të tyre në kuadër të kulturës, rinisë, edukimit dhe sportit.

Kështu, krejt në fund u ndanë mirënjohje nga drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Adrian Berisha për secilin fëmijë të pranishëm nga Asambleja Komunale e Fëmijëve të Prishtinës. Kurse, është bërë e ditur se do të organizohet një ceremoni në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ për të shfrytëzuar hapësirën për dy gjeneratat që kanë humbur mundësinë për të përjetuar mbrëmjen e maturës dhe njëkohësisht që fëmijët ti japin ‘lamtumirën e fundit’ njëri-tjetrit. Po ashtu, është bërë e ditur se këtë vit është menduar planifikimi për ndarjen e 15 bursave për talentet sportive të Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com

Nis Java e Terapisë së Artit me një sërë aktivitetesh atraktive nga 12 deri më 16 maj

Tryeza diskutimi, maratonë e filmave, bisedë e njëanshme me psikologë, performime poezish, natë rrëfimesh dhe koncerte muzikor, janë këto aktivitetet që do të zhvillohen në kuadër të Javës së Terapisë të Artit, shkruan KultPlus.

Java e Terapisë do të fillojë me një tryezë diskutimi të titulluar ‘’Shëndeti fundaMental’’, ku do të shqyrtohen çështje rreth nevojës për art, posedimit të veprave artistike, rëndësisë së artit për mirëqenien psikologjike, ndikimit psikologjik në krijimin dhe interpretimin e artit, rëndësisë së shëndetit mendor, vlerësimit së artit në shoqërinë tonë dhe jo vetëm.

Pjesë e tryezës së diskutimit do të jenë: Lirie Lokaj, Psikologe; Vigan Behluli, Psikolog; Teuta Krasniqi, Aktore; Leonora Aliu, Gazetare dhe Nesim Maxhuni, Artist. Ky event do të mbahet më 12 maj në Sallën e Kuqe në orën 18:00.

Në eventin e dytë të radhës do të zhvillohet një maratonë e filmave të titulluar ‘’3,2,1… Merr Frymë’’, ku do të shfaqen filmat si: “We are not Super Heroes” me regji të Lia Bertels, që tregon për vizualizimin e momentit të ndjeshëm gjatë të cilit realiteti dhe fantazia e ëndrrat shkëputen nga njëra-tjetra;  “Listen Papa!” me regji të Olga Poliektova dhe Tatiana Poliektova, që tregon për fjalë të pathëna që marrin fuqinë e tyre në letrën e një djali drejtuar babait të tij; dhe “Verso le Stelle (To The Stars)” me regji të Antonello Piccione, që tregon për vizualizimin e arratisjes si rruga e vetme për një jetë më të mirë në mjerimin e pamëshirshëm të luftës.

Këta 3 filma do të zënë vend në orën 20:00 më 13 maj në M Club Prishtinë dhe Kino ‘’Jusuf Gërvalla’’ në Pejë. Ndërsa, më 14 maj në orën 18:00 do të shfaqen në Diakonie Youth Center në Mitrovicë.

Si aktivitet i tretë me radhë do të realizohet biseda e njëanshme me psikologun të titulluar ‘’Blind Confessions’’, ku do të flitet për gjërat që mund të jenë duke e munduar çdo njeri. Kjo ngjarje është menduar për ta lehtësuar barrën e bartjes të të gjitha atyre mendimeve e ndjenjave të cilave u kemi dhënë fuqi e kanë marrë fuqi mbi ne, apo thjesht të merret perspektiva e një personi të dytë mbi ato mendime dhe ndjenja.

Përgjatë “Blind Confessions”, të pranishmit kanë mundësi që të shkruajnë çdo mendim e gjë që ata duan të lexojnë në një copë letër dhe ti diskutojnë ato nga profesionistët e ftuar të shëndetit mendor për këtë event. Të gjitha gjërat e shkruara në letër do të jenë plotësisht anonime.

Këto biseda do të zhvillohen më 13 maj në orën 20:30 në M Club, Prishtinë me Urata Gjergjizi dhe në  Kino “Jusuf Gervalla”, Pejë. Ndërsa më 14 maj në Mitrovicë në orën 18:30 do të zhvillohet në Diakonie Youth Center me Xhevahire Balaj në Diakonie Youth Center.

Ngjarja e katërt në kuadër të Javës së Terapisë të Artit është titulluar “Bardh e Zi me ngjyra”, ku flitet për artin dhe shëndetin mendor nga perspektiva e një artisti.

Të menduarit bardh e zi ose i njohur ndryshe si të menduarit e polarizuar është konsideruar se ka të bëjë me tendencën tonë të të menduarit përmes ekstremeve, si p.sh., “Asgjë nuk ka kuptim” apo “Çdo gjë është perfekte”. Kjo mënyrë e të menduarit na e vështirëson ta shohim botën në nuanca të tjera, me ngjyra të tjera, përveç atyre bardh e zi.

“Bardh e Zi me ngjyra” do të realizohet me Ilir Muharremin, i cili do t’i shtojë Javës së Terapisë së Artit nuanca të reja në aspektin e perspektivave të reja.

Kjo ngjarje do të zë vend më 15 maj në orën 19:00 në 1 8 Prishtinë.

Aktiviteti i pestë me radhë përfshinë performime poezish nga performues të shumtë të cilët do të ndajnë shkrimet e tyre poetike me audiencën prezente në “Slam Poetry” në ditën e dytë të Javës së Terapisë së Artit.

Ky event do të mbahet më 14 maj në orën 18:00 në M Club.

Ndërsa si aktivitet i gjashtë do të zhvillohet një natë e rrëfimeve e titulluar ‘’Netët pa gjumë”, ku folës do të jenë: Adriana Matoshi, Argenita Fetahu dhe Leart Rama.

Në këtë natë të pranishmit do të kenë mundësi të shpalosin përvojat e tyre nëpërmjet rrëfimeve të cilat do të japin një kuptim të ri netëve pa gjumë.

Eventi do të mbahet më 14 maj në orën 20:00 në M Club.

Akitviteti i fundit i cili do të përmbyllë Javën e Terapisë së Artit është koncerti muzikor me titull ‘’Festivali i Mendjes”, ku do të performojnë artistët si: SKAG Band, Gjina Kelmendi, Fjolla Shaqiri, Liridona Selmani, Lekë Gjurgjiali and Band, Florent Abrashi, dhe Nora Konjuhi.

Ky koncert do të zhvillohet më 16 maj në orën 19:00 në Teatrin Oda.

Java e Terapisë së Artit është organizuar nga Komuna e Prishtinës dhe Qendra për Informim dhe Përmirësim Social./ KultPlus.com

Dita e tretë e “Javës së Kulturës” në qytetin e Vushtrrisë

Në Vushtrri po vazhdon të mbahet “Java e Kulturës”, shkruan KultPlus.

Sot u shënua dita e tretë e cila u karakterizua me panele diskutime dhe aktivitete të ndryshme artistike. Të rinjtë e “OJQ Access” kanë shprehur talentin e tyre përmes pikturimit.

Temën të cilën e kishin zgjedhur për pikturim ishte: “E kaluara dhe e ardhmja në sytë e artistëve të rinj”./ KultPlus.com