Zonat turistike në të gjithë vendin nga veriu në jug, më shumë sesa kurrë më parë, vijnë me një kalendar festash dhe aktivitete argëtuese për të gjithë pushuesit.
Kështu, kalendari i festave numëron plot 500 festa për sezonin veror, 300 prej të cilave janë konsumuar me pjesëmarrjen e dhjetëra mijëra pushuesve dhe banorëve të zonave që kanë shprehur interes të madh kundrejt tyre. Shifrat u bënë publike nga ministri i Turizmit, Blendi Klosi.
‘Viti 2018 ka sjellë risi në gjallërimin e të gjitha zonave turistike nga veriu në jug përmes një programi shumë të pasur festash dhe aktivitetesh argëtuese. Kalendari i festave numëron plot 500 festa për sezonin veror, 300 prej të cilave janë konsumuar me pjesëmarrjen e dhjetëra mijëra pushuesve dhe banorëve të zonave të cilët kanë ndjerë që ky është një moment shumë interesant jo vetëm për të zhvilluar imazhin turistik të zonave të tyre por edhe për të ngritur biznesin e vogël, e për të pasur mundësi riaktivizimi të burimeve të brendshme të komunitetit . Edhe gjatë muajit gusht do të vazhdojë ky kalendar sipas dakordësisë që kemi midis institucioneve tona”, tha Klosi.
Më tej, ai vuri në dukje se një nga projektet më interesant me të cilën ky sezon vjen është Smile Albania, ku të huajt mirëpriten në zonat kufitare nga të rinjtë e vendit, me buzëqeshje dhe informacione orientuese per ta.
”Programi ynë i ri, Smile Albania është aktiv në të gjitha zonat hyrëse të vendit tonë me përparësi zhvillimi të turizmit. Duke pasur parasysh që 1 mijë të rinjtë në 26 pikat e info-point të dhurojnë buzëqeshje, informacion mbi bukuritë natyrore të vendit tonë, potencialin turistik dhe të bëjnë edukimin e munguar mjedisor në konceptin e turizmit shqiptar”, -përfundoi Klosi./ ata