Dy ditë plot aktivitete kulturore në Lin të Pogradecit


Rijetojmë trashëgiminë tonë”, është një aktivitet kulturor i cili do të zhvillohet sot dhe nesër në Lin të Pogradecit.

Ky aktivitet do të zhvillohet gjatë ditës në fshatin turistik Lin dhe në mbrëmje në orën 19:30 tek Mozaiku Paleokristian, 20 km larg qytetit të Pogradecit.

Prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole tha se, ky aktivitet i bukur ka për qëllim evidentimin e vlerave etno-kulturore dhe prezantimin e tyre para turistëve të huaj, por edhe qytetarëve shqiptarë që vizitojnë Pogradecin në këte sezon veror.

Vizitorëve do t’iu ofrohet muzikë, kulinari, etnografi, artizanë, sfilatë slow fashion, guida turistike profesionale në fshat dhe tek Mozaiku Paleokristian./ atsh / KultPlus.com

Publikohet kalendari kulturor Shqipëri-Kosovë 2022

Aktivitete mes institucioneve artistike, por dhe bashkëpunime për trashëgiminë kulturore janë pjesë e marrëveshjes nënshkruar mes dy ministrive të Kulturës, të Shqipërisë dhe Kosovës.

Pas mbledhjes së dy qeverive, që u zhvillua në Labinot, Elbasan, dy ministrat Elva Margariti dhe Hajrulla Çeku nënshkruan aktet, që konsistojnë në shkëmbimin dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushën e trashëgimisë kulturore, muzeve, bibliotekave, etj.

Ministrja e Kulturës Elva Maragriti në një status të saj shprehet se institucionet janë ato që do të çojnë përpara marrëveshjet kulturore mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“Bibliotekat, muzetë, opera, arkiva, ansamble e parqe arkeologjike u angazhuan që atë bashkëpunim vëllazëror që kemi pasur deri më tani, ta fusin në korniza institucionale, me të vetmin qëllim: promovimin e kulturës shqiptare, atë që na bën unikë, një gur të çmuar mes kombeve!”, thotë ajo.

Kalendari kulturor Shqipëri-Kosovë 2022 po hyn në vitin e tetë radhazi. Në njoftimin e ministrisë thuhet se përmes këtij bashkëpunimi, është realizuar përfshirja e aktiviteteve kulturore të të dy vendeve në një kalendar të përbashkët.

“Aktivitetet dhe bashkëpunimet do të jenë nga fushat e artit aplikativ dhe skenik, në fushën e bibliotekave, të trashëgimisë, aktivitete për fëmijë dhe të rinj si dhe bashkëpunimi ndërmjet Galerive Kombëtare të Artit, ku do të realizohen ekspozita arti në Kosovë dhe në Shqipëri dhe prezantimin e përbashkët në aktivitete ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Kalendari kulturor

Kalendari parashikon Javën e Bibliotekës në Kosovë, çeljen në Prishtinë te ekspozitës “Kundërbota e Branko Merxhanit”. Pjesëmarrje e përbashkët në festivalin ndërkombëtar të filmit në Berlin, pjesëmarrje e përbashkët në festivalin e Kanës, bashkëpunimi me festivalet e tjera ndërkombëtare të filmit të organizuara në Shqipëri.

Realizimi i shfaqjeve te ndryshme teatrale si “Carmina Burana”, “Monger” dhe popullore si “Gjerdani i Artë”. Por në kalendar shkruhet gjithashtu dhe realizimi i festivalit të regjisorëve dhe dramaturgëve të rinj. Pjesë e tij është dhe pjesëmarrja e TKEKS në festivalin “Femart”, në qershor 2022.

Pjesëmarrja e Artpolis në festivalin që do të organizojë TKEKS në prill 2022, krijimi i një fondi të dedikuar për lëvizjen e artistëve, ekspozitë fotografike dhe promovimi i katalogut “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”, etj.

Protokolli i bashkëpunimit midis Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor dhe Operës, Filarmonisë, Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” të Republikës së Kosovës, konsiston në bashkëpunimin artistik dhe shkëmbimin kulturor, promovimin e shfaqjeve dhe trupave në festivale apo projekte të tjera teatrore, në kuadër të realizimit të programeve dhe veprimtarive të tyre.

Pjesëmarrjen në produksione të përbashkëta të performancave, shkëmbime autorësh, artistësh, etj. TKOBAP do të vërë në dispozicion për Operën e Kosovës shfrytëzimin, kopjimin e arkivit dhe nototekës shqiptare, për të gjitha veprat të cilat nuk kanë të drejtë autori, duke njoftuar të paktën 6 muaj përpara, dhe në mbështetje të rregullave dhe procedurave të legjislacionit në fuqi.

Po ashtu TKOB do të vërë në dispozicion të Operës së Kosovës shfrytëzimin e hapësirave për realizimin e koncerteve premierë ose rivënie, duke njoftuar të paktën 1 vit përpara, etj. / KultPlus.com

Berisha në Asamblenë Komunale të Fëmijëve të Prishtinës: Gjithmonë e festojmë ditën e fëmijëve, por dita e fëmijëve duhet të jetë çdo ditë

Era Berisha

Me rastin e 1 qershorit, e konsideruar si dita më e rëndësishme për fëmijët, Asambleja Komunale e Fëmijëve të Prishtinës organizuan një mbledhje solemne pikërisht në këtë ditë ku përveç që ata shpalosën talentin e tyre në piano, ata parashtruan dhe diskutuan probleme dhe tema të ndryshme me Drejtorinë e Kulturës, Drejtorinë për Sport, Drejtorinë e Arsimit, Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Drejtorinë e Parqeve dhe Drejtorinë e Administratës, shkruan KultPlus.

Asambleja Komunale është konsideruar organi më i lartë i udhëhequr nga fëmijët që ka për qëllim përmirësimin e situatave të ndryshme në të cilën gjenden fëmijët e Prishtinës duke përfshirë këtu: ekspozimin ndaj dhunës në familje, kushtet jo të mira ekonomike, fëmijët që bullizohen pa përkrahje familjare e shumë të tjera.

Kjo ngjarje nisi me fjalimin nga kryetarja e Asamblesë Komunale të fëmijëve të Prishtinës, Era Hysa, e cila foli rreth aktivitete të cilat ata kanë realizuar dhe temat që ata kanë prekur gjatë diskutimeve.

“Asambleja jonë pavarësisht kohës, ka arritur ti mbaj disa takime rreth dy trajnimeve ku trajnimi i parë ka përfshirë shëndetin seksual dhe riprodhues dhe trajnimi i dytë rreth trafikimit me qeniet njerëzore. Po ashtu, janë organizuar disa takime tjera me organizata të ndryshme ku është folur rreth mundësive të ndryshme të bashkëpunimit, takimet me ftesë nga Asambleja Komunale e Fëmijëve në Pejë ku kemi paraqitur punën tonë të deritanishme dhe planet e ardhshme”, thotë Hysa.

Ndërsa, i pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Adrian Berisha, i cili foli rreth rëndësisë së fëmijëve dhe të ardhmes së tyre.

“Fëmijët duhet të mësohen se si të mendojnë dhe jo çka të mendojnë. Është njëra prej thënieve më të rëndësishme sa i përket fëmijëve dhe edukimit. Si Drejtori ne mendojmë që fokusi ynë kryesor duhet të jetë pikërisht në edukimin e gjeneratave të reja që të kemi një zhvillim të jashtëzakonshëm apo atë çka e dëshirojmë si vend dhe shtet” thotë Berisha.

Sipas tij, secili fëmijë do të ketë sfida e vështirësi të ndryshme por një gjë duhet të dihet se i gjithë fokusi duhet të jetë tek fëmijët. Andaj edhe Komuna e Prishtinës në përgjithësi mundohet që fokusin ta ketë në të ardhmen në mënyrë që ajo të jetë sa më e mirë.

“Ne gjithmonë e festojmë ditën e fëmijëve por realisht dita e fëmijëve duhet të jetë çdo ditë”, përfundon Berisha.

Po ashtu, Drejtoresha e Parqeve, Fatime Hajdari, foli rreth rëndësisë së mbjelljes së drunjëve, luleve dhe hapësirave të gjelbërta dhe publike në qytetin e Prishtinës

“Aktivitetet tona përfshijnë shumë fëmijë për arsye se fëmijët janë kryesisht ata që i shfrytëzojnë këto hapësira. Po ashtu, në kuadër të Drejtorisë së Parqeve janë edhe këndet e fëmijëve për të cilat kujdesemi në rast se dëmtohen apo shkatërrohen”, thotë Hajdari.

Sipas saj, është një fatkeqësi që në qytet këto kënde të lojërave apo hapësirat e gjelbëra, degradohen pa qëllim e me rast edhe me qëllim, por e rëndësishme është që mesazhi të përcjellet që të jesh një njeri i mirë, i sjellshëm dhe i kujdesshëm është gjithmonë në modë dhe jo e kundërta.

Pas këtyre fjalimeve, Asambleja Komunale e Fëmijëve të Prishtinës pati rastin që të parashtrojë kërkesa, shqetësime dhe çdo gjë tjetër që ata mendojnë se është dashur të diskutohet.

Pyetjet, kërkesat dhe shqetësimet e tyre të parashtruara ishin rreth këtyre temave: mungesën e psikologëve, mbajtjen e semi maturës dhe ekskursionit, mungesën e fëmijëve gjatë ditëve mësimore në shkolla, ekzistenca dhe mungesa e uniformave në shkolla të ndryshme, mungesa e mjeteve dixhitale në shkolla, mungesa e mjeteve bazike në disa shkolla për zhvillimin e orës mësimore, mungesa e kushteve të nevojshme për kabinetet e lëndëve të ndryshme në shkolla, mungesa e zhvillimit të transportit publik të shpejtë dhe të dobishëm, ndërmarrjet e ndryshme në lidhje me ndotjen e ajrit, kyçja e personave me aftësi të kufizuara në ambientet e shkollës dhe sallave të sportit, përfshirja e aktiviteteve dhe programeve të ndryshme vetëdijësuese për fëmijët, zbatimi i mësimit gjithëpërfshirës, rritja e sigurisë në shkolla dhe masat e ndryshme të ndërmarra si dhe shfrytëzimi i nxënësve me talente në rrjedhën kulturore.

Ndaj këtyre pyetjeve të llojllojshme, të pranishëm për tu përgjigjur ishin përfaqësuesit dhe përgjegjësit e institucioneve si: Drejtoria e Kulturës, Drejtoria e Arsimit, Drejtoria e Shërbimeve Publike, Drejtoria e Administratës, Drejtoria e Sportit dhe Drejtoria e Parqeve, të cilët u përkujdesën rreth brengave dhe shqetësimeve të tyre në kuadër të kulturës, rinisë, edukimit dhe sportit.

Kështu, krejt në fund u ndanë mirënjohje nga drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Adrian Berisha për secilin fëmijë të pranishëm nga Asambleja Komunale e Fëmijëve të Prishtinës. Kurse, është bërë e ditur se do të organizohet një ceremoni në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ për të shfrytëzuar hapësirën për dy gjeneratat që kanë humbur mundësinë për të përjetuar mbrëmjen e maturës dhe njëkohësisht që fëmijët ti japin ‘lamtumirën e fundit’ njëri-tjetrit. Po ashtu, është bërë e ditur se këtë vit është menduar planifikimi për ndarjen e 15 bursave për talentet sportive të Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com

Komuna e Prishtinës hap thirrjen publike për aktivitete kulturore

Drejtoria për Kulturë në Komunën e Prishtinës ka hapur thirrjen publike për fazën e dytë të financimit të projekt propozimeve për organizimin e aktiviteteve kulturore, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet njoftimi të bërë nga ana e Komunës tregohet se OJQ-të, individët dhe bizneset, në përputhje me këtë thirrje publike, mund të aplikojnë me projekt propozimet për organizimin e aktiviteteve kulturore në fushën e artit vizual, botimeve, kinematografisë, muzikës, trashëgimisë kulturore dhe turizmit, si dhe teatër.

Shuma minimale e mbështetjes financiare që mund të jetë për një projekt është 500.00€ , ndërsa shuma maksimale për një projekt është 13,000.00€.

Afati për dorëzimin e propozimeve është i hapur nga sot dhe vlen deri më 28 shtator./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/ShpendAhmetii/photos/a.537644629638722/3291741850895639/?type=3&theater

MKRS pezullon aktivitetet kulutrore, ato sportive mund të zhvillohen pa publikë

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes këtij njoftimi dëshiron të njoftojë qytetarët e Republikës së Kosovës se pas vendimit të Qeverisë për masat parandaluese në funksion të mbrojtjes nga COVID-19, i njohur si Corona Virus, ka marrë vendim me këto masa si më poshtë:

Të gjitha aktivitetet kulturore, shfaqjet teatrale, koncertet, ekspozitat e artit dhe aktivitetet tjera që ndodhin dhe realizohen nga institucionet qendrore të kulturës dhe të trashëgimisë, të cilat janë në varësi të ministrisë, ku ka prezencë të publikut, pezullohen deri në njoftimin tjetër të radhës që do ta bëjë MKRS-ja.

Të gjitha aktivitetet, ndeshjet e tubimet sportive mund të zhvillohen pa praninë e publikut.

Këto masa të cilat janë ndërmarrë nga MKRS-ja janë në kuadër të pikës 5 të vendimit të Qeverisë së Kosovës. Konkretisht kjo masë nënvizon se Aktivitetet publike dhe jopublike mund të zhvillohen të mbyllura/pa praninë e publikut si: ngjarje/tubime sportive, tubime, koncerte, konferenca, tryeza të rrumbullakëta deri në një vendim tjetër. / KultPlus.com

Muzeu i Kosovës fillon sonte aktivitetet për ‘Ditët e Trashëgimisë Evropiane’

Në vitin 1991, Këshilli i Evropës zyrtarisht filloi ‘Ditët e Trashëgimisë Evropiane’ me mbështetjen e Komisionit Evropian. Në vitin 1999, kjo iniciativë u bë një veprim i përbashkët i Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian, përcjellë KultPlus.

Në gjithë Evropës, gjatë fundjavave të shtatorit, Ditëve të Trashëgimisë Evropiane hapin dyert e monumenteve dhe vendeve të shumta, shumë prej të cilave zakonisht janë të mbyllura për publikun, duke u lejuar qytetarëve të Evropës të gëzojnë dhe të mësojnë për trashëgiminë e tyre të përbashkët kulturore dhe t’i inkurajojnë ata të përfshihen në mënyrë aktive në ruajtjen dhe përmirësimin e kësaj trashëgimie për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm.

Sot, Ditët e Trashëgimisë Evropiane mund të konsiderohen si një instrument thelbësor për nxitjen e një përvoje të prekshme të kulturës dhe historisë evropiane, përveç rritjes së vetëdijes së publikut për vlerat e shumta të trashëgimisë sonë të përbashkët dhe nevojës së vazhdueshme për mbrojtjen e saj. Ditët e Trashëgimisë Evropiane kanë arritur të nxisin pjesëmarrjen e shoqërisë civile, përfshirjen specifike të rinisë, punën vullnetare dhe bashkëpunimin ndërkufitar, duke promovuar kështu parimet bazë të dialogut ndërkulturor, partneritetit dhe përgjegjësisë qytetare.

Muzeu i Kosovës, në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Evropiane me moton Ditët e Hapura- Open Days, do të fillojë me aktivitetin ARTS&CRAFTS dhe “ABC për trashëgiminë kulturore” për katër ditë me radhë, si dhe do të bëhet hapja e ekspozitës me fotografi nga autori nga Turqia, Erhan Bayladi. Ditët do të përfundojnë me një ekspozite nga artistet pjesëmarrës dhe koncert nga grupi “Don’t listen to your neighbours”.

“ ARTS&CRAFTS “ – Punimet e artistëve të ndryshëm të inspiruar nga tradita, do të prezantohen duke u lejuar në ketë rast qasje gjithashtu vizitorëve në punën e tyre praktike.

“ABC për trashëgiminë kulturore” – program edukativ interaktiv që zhvillohet në Muzeun e Kosovës, dhe ka për qëllim të edukojë gjeneratat e reja me vlerat e trashëgimisë arkeologjike të Kosovës, ku përmes gërmimeve të improvizuara arkeologjike fëmijët mësojnë për arkeologjinë si shkencë. Njëkohësisht, praktikojnë bashkëpunimin dhe punën në grup gjatë procesit të konservimit, restaurimit dhe prezantimit të “materialit muzeor”.

Agjenda:

E Martë, 26 Shtator 2017
19:00h Ekspozitë me fotografi nga autori nga Turqia, Erhan Bayladi
E Mërkurë, 27 Shtator 2017
11:00h-15:00h ARTS&CRAFTS Prezantim i punës dhe performancë nga artistët
13:00h-14:00h Pauza
11:00h-15:00hABC për trashëgiminë kulturore
E Enjte, 28 Shator 2017
11:00h-15:00h ARTS&CRAFTS Prezantim i punës dhe përformancë nga artistët
13:00h-14:00h Pauza
11:00h-15:00hABC për trashëgiminë kulturore
E Premte, 29 Shtator 2017
11:00h-15:00h ARTS&CRAFTS Prezantim i punës dhe përformancë nga artistët
13:00h-14:00h Pauza
11:00h-15:00hABC për trashëgiminë kulturore
E Shtunë, 30 Shtator 2017
19:00h-20:00h Hapja e ekspozitës “ARTS&CRAFTS” nga artistët pjesëmarrës ne ditët evropiane
20:00h-22:00h Koncert nga grupi “Don’t listen to your neighbours”

Artistët pjesëmarës në ARTS&CRAFTS:
Vlora Hajredini-Hajrullahu
Saba Berisha-Ismaili
Mire Canolli
Ilire Lepaja
Granita Grezda-Lila
Dafina Vitija
Ardita Begu