Përkujtohet “Artisti i Merituar”, aktori Fadil Hasa

Teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit, kujtoi sot aktorin Fadil Hasa, në 84-vjetorin e lindjes.

Fadil Hasa lindi në Krujë, me 8 prill 1940 dhe kreu gjimnazin “29 Nëntori” në Shkodër, ku u aktivizua në aktrim e për t’u bërë më pas i njohur si aktor me të dhëna të shprehura ndaj teatrit të varietesë, qysh me grupin e Estradës Amatore të Portit të Durrësit (1963-1970).

Falë aftësive të tij, në vitin 1970 u thirr si aktor profesionist në Estradën e Durrësit, ku punoi deri sa doli në pension, në 1993.

Gjatë karrierës së tij ka luajtur mjaft role në komedi me një akt, skeçe, parodi e pantomime, dialogje dhe forma të tjera të shkurtra të estradës.
Personazhet e shumta që Hasa ka sjellë kane marrë shumë vlerësime nga publiku.

Fadili ka shënuar emrin e tij edhe në kinematografi. Disa nga rolet e Hases janë filmat “Kronikë provinciale”, “Mao Ce Dun” & “Zëvendësi i grave”.

Fadil Hasa është nderuar 4 herë si “Aktori më i mirë i humorit”, gjithashtu me disa çmime kombëtare për kontributin e tij në fushën e aktrimit. Mbante titullin “Artist i merituar”. Fadil Hasa do të mbahet mend gjatë në kujtesën e publikut dhe artdashësve. U nda nga jeta me 16 korrik të vitit 2018. / atsh / KultPlus.com

Enver Petrovci sot feston 70 vjetorin

Enver Petrovci lindi më 28 shkurt 1954 në Prishtinë. Është një aktor dhe regjisor shqiptar. Fillimishtë studioi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë në degën e aktrimit, më pastaj mbaroi studimet Universitare për aktor edhe në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit.

Ka arritur karrierë shumë të suksesshme në teatër, sidomos në atë “Atelieja 212” me rolet e luajtuara aty u bë i njohur në mbarë ish Jugosllavinë duke u vlerësuar si një nga aktorët me të famshëm të asaj kohe. Pas mbarimit të luftës në ish Jugosllavi, pas vitit 1999 vazhdoi me sukses karrierën e tij artistike kryesisht në trojet shqiptare, në Kosovë, Shqipëri por edhe më gjerë.

Interpretimet e tij në film ishin gjithashtu shumë të mirëpritura duke arritur famë shumë të madhe në kinematografinë ish jugosllave, shqiptare dhe ndërkombëtare.

Është njëri nga themeluesit dhe profesorët e parë të degës së Artit Dramatik pranë Fakultetit të Arteve në Univerisitetin e Prishtinës. Pra, në vitin 1989 ai kthehet nga Beogradi për të ligjëruar lëndën e aktrimit në Universitetin e Prishtinës, ku dhe formohen kuadro të reja të aktorëve në Kosovë./ KultPlus.com

Në 100-vjetorin e lindjes, përkujtohet mes emocionesh aktori i madh, Kadri Roshi

Familjarë, miq dhe artdashës të shumtë u mblodhën mbrëmjen e djeshme në një përkujtimore emocionuese me rastin e 100-vjetorit të lindjes së aktorit të madh, Kadri Roshi.

Kolosi i skenës e ekranit shqiptar, Kadri Roshi, “Artist i Popullit” dhe “Nderi i Kombit” u nda nga jeta më 6 shkurt 2007.

Të pranishmit në aktivitetin e përkujtimit të tij ndanë kujtimet e tyre dhe ndoqën materialet e përgatitura me kujdes për ta bërë nderimin e figurës së aktorit sa më të ngrohtë dhe emocionues.

Kadri Roshi u lind më 4 janar të 1924-ës, në Ballsh të Mallakastrës në një familje me prejardhje nga Libohova. Aktori përjetoi një vogëli të trazuar, pasi humbi të ëmën në moshën 2-vjeçare dhe mbeti jetim dhjetë vjet më vonë, kur i vdiq edhe i ati.

Karriera e tij si aktor nisi në moshën 21-vjeçare në skenën e Teatrit Popullor. Në vitin 1951 përfundoi edukimin universitar në Pragë. Me t’u kthyer në atdhe, Roshi interpretoi rolet e para në Teatrin Kombëtar.

Kadri Roshi ka luajtur rreth 180 role në skenë dhe në kinematografi, duke lënë në kujtesën e teleshikuesve dhe të spektatorëve një portret të pashlyeshëm. Rolet e tij variojnë nga skllavi Ezop në teatrin “Dhelpra dhe rrushtë”, tek kujdestari në filmin “Lulëkuqe mbi mure”; nga mbrojtësi i thekshëm i gjuhës shqipe në filmin “Liri a vdekje”, deri tek plaku Mere në filmin “Njeriu me top”.

Disa prodhime të tjera filmike ku Roshi ka mishëruar role protagoniste, janë: “Vdekja e burrit” (1991), “Apasionata” (1983), “Partizani i vogël Velo” (1980), “Ballë për ballë” (1979), “Gjeneral gramafoni” (1978), “Njeriu me top” (1977), “Fije që priten” (1976), “Përballimi” (1976), “Malet me blerim mbuluar” (1971) dhe “I teti në bronz” (1970).

Për kontributin e dhënë në artin e fjalës dhe të interpretimit, Kadri Roshi u nderua me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik të vitit 1995, me Çmimin e Madh të Nderit në vitin 1997 dhe iu akordua vlerësimi “Nderi i Kombit” në vitin 1999.

Aktori Kadri Roshi ka mbetur në kujtesën e shumë brezave që ndoqën interpretimet dhe rolet e tij të spikatur./ atsh / KultPlus.com

91 vjetori i lindjes së Xhevat Qenës, aktori i qindra roleve në film e teatër

Aktori Xhevat Qena lindi në Mitrovicë më 5 tetor të vitit 1932. Ai ka luajtur qindra role në teatër. Rolin e parë kryesor e ka luajtur ndërmjet viteve 1956-1957.

Sensi i tij për komiken si dhe profili i tij i veçantë kanë bërë që ai të jetë një prej aktorëve më të kërkuar në komedi, megjithëqë, siç pohon ai në një intervistë të tij, më tepër e ka dashur dramën: “Unë e kam dashur dramën se e kam në vete njëfarë dramaciteti, e kam njëfarë fuqie për dramë… P.sh., roli që me ka lënë mbresa shumë ka qenë një rol episodik i një avokati, i një të çmenduri, në dramën “Oda e errët. Gati jam çmendur edhe vet, duke u thelluar në atë rol”.

Kolegët dhe njerëzit që njohën potencialin e tij, mendojnë se është mëkat që ai është shfrytëzuar shumë pak në drama. Xhevat Qena ka luajtur shumë, edhe role kryesore edhe role të dyta apo madje edhe të treta. Aktori Dibran Tahiri pohon se kur në ndonjë shfaqje teatrore ka partner Xhevat Qenën, ndien siguri të madhe. Xhevat Qena mund të përshkruhet si aktor që ka një aftësi të jashtëzakonshme të mbajë të përqendruar vëmendjen e publikut.

Një prej roleve më të suksesshme të Xhevat Qenës është padyshim ai në shfaqjen “Përqafimi”, i autorit Ranko Marinkoviq, me regjisor Tomislav Durbeshiqin, ku kishte partner Dibran Tahirin. Shfaqje tjetër, ku potenciali i Xhevat Qenës si aktor del i plotë, është “Duart e ndyra”, të Sartrit, në të cilën luan edhe bashkëshortja e tij Leze Qena, pastaj shfaqja “Ushtari i mirë Shvejk”, në regji të Abdurrahman Shalës, ku Xhevat Qena luan rolin e Shvejkut, një personazh tragjikomik. Madje, në shfaqjen “Vinetu” (vitet e 60-ta), në të cilën luan rolin kryesor, atë të Vinetus, personazh i njohur i filmave uestem të asaj kohe….

Për mbi dyzet vjet në skenë, Xhevat Qena hyn në radhën e aktorëve cilësor, me merita të pakontestueshme për teatrin kosovar. Rolet e tij, por edhe të bashkëshortes së tij Leze Qena, për këto vite kanë rrezatuar te publiku subtilitetin që ofron bota artistike a teatrit dhe flimit.

Aktori Xhevat Qena, ka arritur që për dyzet vjet të krijimtarisë së tij, të përçojë te publiku “bardhësinë” e shpirtit të tij krijues, t’ia përçojë emocionet më të sinqerta publikut, i cili vazhdon ta respektojë dhe ta kujtojë me nostalgji. /KultPlus.com

Nga ‘Babai i Tilit’ te ‘Tingujt e luftës’, rolet që e ngritën në piedestal Mjeshtrin e Madh Lutfi Hoxha


Kinematografia shqiptare mban zi ditën e sotme, pasi aktori i mirënjohur i skenës dhe ekranit shqiptar, Lutfi Hoxha është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare.

Lajmin e ka bërë të ditur Teatri “Aleksandër Moisiu” ditën e sotme nëpërmjet një njoftimi.

Hoxha numëron shumë role në filmat shqiptar, mes tyre babai i Tilit, tek “Shoku ynë Tili”, “Dollia e dasmës sime”, “Tingujt e luftës”, etj.

Ai lindi më 1 Qershor 1934. Në janar 1953 ishte një nga themeluesit e teatrit “Aleksandër Moisiu”, ku ai luajti deri në fund të karrierës së tij artistike.

Filmat ku ka luajtur:

Ne dhe Lenini (2009)
Një ditë e mrekullueshme (2003)
Vetmi (1990) – Leko
Pranvera s’erdhi vetëm (1988)
Nata e parë e lirisë (1984) – Hamalli
Shoku ynë Tili (1981) – Qemali
Në prag të lirisë (1981) – Veliu
Intendenti (1980) – File
Dollia e dasmës sime (1978) – Krushku
Një udhëtim i vështirë (1977)
Tingujt e luftës (1976)
Thirrja (1976) – Ndue
Pylli i lirisë (1976) – Nauni
Ilegalet (1976)
Rrugicat që kërkonin diell (1975) – Përgjegjës i bojaxhinjve – anëtar i njësitit
Detyre e posaçme (1963). / KultPlus.com

TKK pas vdekjes së aktorit Xhevat Qorraj: Do të vazhdojë të ndriçojë rrugën e artit për shumë gjenerata

Ka vdekur sot në moshën 76 vjeçare aktori i mirënjohur kosovar, Xhevat Qorraj, përcjell KultPlus.

Lajmin për vdekjen e aktorit e kanë pritur me pikëllim të thellë jo vetëm familjarët po edhe komunitetit artistik dhe publiku që e deshi shumë.

Një telegram ngushëllime vjen edhe nga Teatri Kombëtar i Kosovës të cilët shprehen të pikëlluar për këtë humbje.

Nga TKK janë shprehur se Qorraj do të kujtohet për talentin e tij të rrallë, rolet e tij të shumta, kolegialitetin e tij të pashoq dhe kontributin e tij të pafund në kulturën dhe artin tonë kombëtar.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për humbjen e njeriut tonë të çmuar, aktorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës e artistit të njohur, Xhevat Qorraj.

Rolet e tij në teatër dhe film do mbahen mend gjatë dhe do të vazhdojnë të ndriçojnë rrugën e artit për shumë gjenerata.

Teatri Kombëtar i Kosovës do ta kujtojë Xhevat Qorrajn për talentin e tij të rrallë, rolet e tij të shumta, kolegialitetin e tij të pashoq dhe kontributin e tij të pafund në kulturën dhe artin tonë kombëtar.

Le të kujtojmë dhe të nderojmë së bashku jetën dhe veprën e mrekullueshme të Xhevat Qorraj.

Ngushëllime të sinqerta për familjen dhe të gjithë komunitetin artistik.

Për detaje të ceremonisë së varrimit do të ju lajmërojmë me kohë!”, shkruajnë nga TKK. / KultPlus.com

Vdes aktori i “Titanic”, Lew Palter

Lew Palter, i cili ka luajtur në filmin “Titanic”, ka vdekur në moshën 94-vjeçare.

Palter ishte diagnostikuar me kancer në mushkëri dhe vdiq të dielën në Los Angeles.

Ai është i njohur më së shumti për paraqitjen në filmin e James Cameron të vitit 1997 si njeriu që shtriu gruan e tij në shtrat, ndërsa anija u fundos në një skenë vërtet rrëqethëse.

Foto: Straus Historical Society

Është një xhirim që zgjat vetëm për sekonda, por ende mbahet mend si një nga momentet më zemërthyese të filmit.

Karakteri i tij bazohej në një person real, pasi Isidor Straus dhe gruaja e tij vdiqën vërtet në bordin e anijes.

Foto: Instagram

Për më tepër, ai punoi si profesor në Shkollën e Teatrit CalArts.

Ai mësoi studentë që do të vazhdonin të arrinin famë globale, duke përfshirë të nominuarit për “Oscar”: Don Cheadle dhe Ed Harris, dhe të nominuarën për “Emmy”, Cecily Strong.

Foto: Instagram

Përmes karrierës së tij të gjatë dhe të larmishme, Palter drejtoi gjithashtu një sërë shfaqjesh jashtë Broadway.

Ylli i “Steagle” ka lënë pas vajzën e tij, Catherine Read Palter, të cilën e ndau me gruan e tij, aktoren Nancy Vawter. / KultPlus.com

Foto: Reuters

Vdes aktori dhe rigjisori i njohur shqiptar, Anastas Nika

Aktori dhe regjisori i njohur shqiptar Anastas Nika ka vdekur në moshën 63-vjeçare.

Nika vuante nga një sëmundje e rëndë tash e një vit, por pavarësisht donacioneve të mbledhura për shërimin e tij, Nika nuk ia ka dalë të jetojë.

Lajmin për ndarjen nga jeta të artistit e ka bërë të ditur djali i tij Enea përmes një postimi në Facebook.

Nika ka ndërruar jetë në spital në Athinë, derisa varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër në orën 13 në varrezat e Sarandës.

Nika ka realizuar rreth 130 role në skenë, kinema dhe televizion, si dhe ka shkruar e shfaqur në skenë mbi 70 vepra e shfaqje të gjinive të ndryshme letrare. / KultPlus.com

Al Pacino, gjiganti që erdhi nga rruga

Alfred James Pacino lindi më 25 prill 1940 në New York.

Al Pacino është një aktor dhe regjisor, biri i Salvatore dhe Rose Pacino, me origjinë italiane nga Korleone e Siçilisë. Kalon një fëmijëri të varfër, në shkollë është i dalluar si përsëritës, me përjashtim të literaturës angleze. Nga fundi i viteve 60-të studion teatër me Lee Strasberg i cili dallon në të prirje të jashtëzakonshme për recitim dhe dëshirë të flaktë për tu larguar nga jeta e varfër e fëmijërisë. Me filmin Me Natalie shënon fillimin e karrierës së tij, ndjek pas dy vitesh The Panic in Needle Park në të cilin merret parasysh edhe nga regjisori Francis Ford Coppola. Ky i fundit shënon thelbin e famës së tij në vitin 1972 me filmin The Godfather në të cilin interpreton rolin e Michael Corleone.

Në vitin 1993 shpërblehet me Oscar si aktori më i mirë protagonist me filmin Scent of a Woman, në të cilin interpreton një kolonel të verbër.

Aktori i famshëm Al Pacino, i cili feston sot 82-vjetorin e lindjes, ka një jetë interesante personale dhe profesionale.

Më poshtë janë disa kuriozitete që kanë shënjuar jetën e tij:

Alfredo James Pacino nuk është martuar kurrë, por ka pasur marrëdhënie romantike me 11 aktore.

Me dy prej tyre, Jan Tuarant dhe Beverly D’Angelo ka tre fëmijë, një vajzë dhe dy binjakë për të cilët u kujdes më vonë.

Marrëdhëniet e tjera janë me Jill Clayburgh, Tuesday Weld, Marthe Keller, Carol Cane, Diane Keaton, Penelope Ann-Miller, Madonna, Lucila Solà dhe Meital Dohan, izraelitja me të cilën jetoi deri shkurtin e kaluar.

Në karrierën e tij, që ka pothuajse çmim në çdo paraqitje në ekran, lista e filmave të  refuzuar fillon nga ”Taxi Driver” deri te ”Star Wars”, nga ”Apocalypse Now” te ”Kramer vs Kramer”, nga ”Once Upon a Time in America” te ”Pretty Woman”.

Al Pacino është djali i dy emigrantëve sicilianë (babai u largua nga familja kur Al ishte ende me rroba banjo).

U lind në Harlem më 25 prill 1940.

Kaloi fëmini të vështirë në Bronx dhe përjetoi ligjet e ashpra të rrugës: duhanpirës dhe konsumator i drogave të lehta që nga mosha 10 vjeç.

17 vjeç la shkollën.

20 vjeç troket më kot në dyert e ”Studio Actors”.

Lee Strasberg njohu te ai cilësi të pazakonta aktoriale.

Fillon karierën kur Jerry Shatzberg i ofron atij rolin e protagonistit, tregtarit të ri të drogës Bobby, në ”Panic in Needle Park”.

Francis Coppola vëren se ai është aktori i duhur për rolin e Michael në ”The Godfather”.

U nominua për Oscar për rolin më të mirë mbështetës në këtë film, por Al Pacino sfidon jurinë duke thënë se roli i tij nuk është inferior ndaj atij të Marlon Brando, që e fitoi çmimin Oscar. Rezultati? Të dy nuk morën pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.

Që atëherë Al Pacino u bë aktori i preferuar i kineastëve amerikan. /KultPlus.com

Tre vjet pa Rikard Ljarja, aktori karizmatik i sa e sa roleve

Tri vjet më parë u nda nga jeta Rikard Ljarja, aktor, regjisor dhe skenarist.

Ljarja lindi më 1 prill 1943 në Shkodër. Në vitin 1960 mbaroi maturën dhe në vitin 1965 u diplomua në Shkollën e Lartë të Aktrimit “Aleksandër Moisiu” në Tiranë.

Pas diplomimit, punoi për 8 vjet me radhë si aktor i teatrit “Migjeni” në Shkodër. Prej vitit 1973 deri në vitin 1996 ai ishte aktor, skenarist dhe regjisor i filmave të prodhuar nga Kinostudio. Prej vitit 1996 deri në 2002, kur doli në pension, shërbeu si drejtor artistik në Televizionin Publik Shqiptar.

Aktori karizmatik, realizues i sa e sa roleve, ka mbetur në kujtesën e publikut si fillrojtësi Dedë tek “Rrugë të bardha”, mësuesi Dritan Shkabaj tek “Komisari i dritës” apo Skënderi tek “Duel i heshtur”.

Rikard Ljarja mbetet ende një prej aktorëve më të dashur prej publikut. / atsh / KultPlus.com

Një jetë në skenë, aktori ikonë Robert Ndrenika sot feston 81 vjetorin e lindjes

Robert Ndrenika feston sot ditëlindjen e 81-të. Vitet kalojnë, por aktori i madh vetëm sa fiton gjithnjë e më tepër dashurinë e publikut shqiptar. Pa të, arti do të ishte më i paplotë, shpirtrat më të varfër.

Aktori tejet i dashur për të gjithë brezat, sjell gjithnjë mesazhe me peshë dhe aktuale me rolet e tij. Të gjithë e duan dhe e admirojnë thjeshtësinë e tij. Të gjithë e vlerësojnë për sjelljen në jetën reale, por edhe për personazhet që tashmë i përkasin. Askush s’i harron batutat e tij në teatër apo filma, dy botë që Ndrenika s’i ndau kurrë.

Robert Ndrenika lindi në Tiranë, në vitin 1942. Talenti i tij spikati që në vitet e para të jetës, kur ai kultivonte pasionin e tij për teatrin në Shtëpinë e Pionerit në Tiranë. Pas përfundimit të gjimnazit “Qemal Stafa”, në vitet ai 1960-1964 nis studimet për aktor në Shkollën e Lartë “Aleksandër Moisiu”.

Nga ky vit, deri më 1970, punon si aktor në Teatrin “Skampa” të Elbasanit. Në vitet 1970-1974 punon si aktor në Teatrin e Institutit të Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve), më pas në Teatrin Kombëtar, deri sa doli në pension.

Për shumë vite punoi si aktor i lirë (pas pensionit). Midis të tjerash, ka interpretuar: “Besa” e Sami Frashërit, “Ura” e Minush Jeros, “Prefekti” i Besim Levonjës, “Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës, “Bashkë me agimin” e Kolë Jakovës, “Midis dy njerëzve” e Kiço Blushit, “Skënderbeu” i Lec Shllakut, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Stinë e mërzitshme në Olimp” të Ismail Kadaresë, “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës, “Fytyra e dytë” dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit, “Shkallët” dhe “Shtëpia me dy porta” të Ruzhdi Pulahës, “Shumë zhurme për asgjë”, “Nata e dymbëdhjetë” dhe “Zbutja e kryeneçes” të Shekspirit, “I sëmuri për mend” dhe “Kopraci” të Molierit, “Udha e largët” e Arbuzovit, “Luiza Miler” e Shilerit, “Prometeu” dhe “Njeriu që pa vdekjen me sy” të Viktor Eftimiut, “Dashuri e tillë” e Kohoutit, “Banja” e Majakovskit, “Arturo Ui” e Brehtit, “Vdekja e një komisioneri” e Millerit, “Vizita e damës plake” e Dyrrenmatit, “Magjia e madhe” dhe “Cilindri” të De Filipos, “Darka e të marrëve” e Veberit, “6 vjet shtatzënë” e Cikliropulosit, “Pulëbardha” e Anton Çehovit, “Histori zooparku” e Ollbit, etj.

Në vitin 1979, Ndrenikës iu akordua titulli “Artist i Merituar” dhe në vitin 1988 titulli “Artist i Popullit”.

Është nderuar me Kupën për Aktorin më të Mirë në Festivalin Kombëtar të Teatrit, më 1994, për rolin e Di Spetes në shfaqjen “Magjia e Madhe”, te De Filipos dhe në Festivalin e Filmit te vitit 1979, për rolin e Prefektit në filmin “Koncert në vitin 1936”.

Për disa vite, punoi si pedagog i mjeshtërisë së aktorit dhe fjalës artistike, në degën e aktrimit, në Institutin e Lartë te Arteve.

Robert Ndrenika ka dy vajza. Ai kishte një histori mjaft të bukur dashurie me gruan e tij, Polikseni. Ai e adhuronte bashkëshorten e tij. Por edhe ajo e adhuronte të shoqin, dhe e shoqëronte gjithmonë në prova. Por pasi Polikseni u sëmur dhe vdiq, Robert Ndrenika e vuajti shumë largimin nga jeta të bashkëshortes së tij. Aq sa për katër vite nuk shkeli më në teatër.

Por në prill të vitit 2012 ai fitoi mbi vuajtjen dhe iu rikthye fuqishëm teatrit me rolin e doktor Shuster.

Ai nderohet nga presidenti i asaj kohe, Bamir Topi me titullin “Nder i Kombit” ( ne 2012).

Ne 2014 ai futet në botën e një personazhi kapriçoz përmes premieres “Djemtë gazmore”, pjesë e shkruar nga shkrimtari amerikan Neil Simon.

Në 2015, u shpall Aktori i Vitit dhe gjatë marrjes së çmimit, publiku u ngrit në këmbë dhe duartrokiti gjatë në nder dhe respekt të tij.

Robert Ndrenika, “Artist i Popullit” meritoi çmimin vjetor nga Akademia e Artit dhe Kulturës “Kult”.

Robert Ndrenika përfaqëson jo vetëm nderin e dhe krenarinë e kombit por historinë e jashtëzakonshme të një njeriu të madh, që ka bërë histori përmes thjeshtësisë së madhështisë së tij.

Filmat:

Kronikë provinciale (2009)
Tifozët – (2004) komedi
Njerëz dhe fate – (2002-2
Tirana, viti zero
Parullat – (2001), Lleshi
Bolero – (1997)
Nata e dymbëdhjetë
Edhe kështu edhe ashtu
Botë e padukshme -azi
Përrallë nga e kaluara – (1987), Vangjeli
Vrasje në gjueti
Dhe vjen një ditë – (1986) si vëllai i Llano Bletës
Gurët e shtëpisë sime – (1985)
Tre njerëz me guna – (1985)
Shi në plazh – (1984) teater-komedi
Shirat e vjeshtës – (1984) , Sotiri
Nxënësit e klasës sime – (1984), Kristofori
Kohë e largët – (1983), Anastas Grigori
Besa e kuqe – (1982), Gjoni
Era e ngrohtë e thellësive – (1982) (TV)
Nëntori i dytë – (1982), karrrocieri i Ismail Qemalit
Prefekti, komedi, Qazim Mulleti

Vëllezër dhe shokë – (1982), Sokrati
Një shoqe nga fshati – (1980) Agushi
Ditët që sollën pranverën – (1979) (TV)
Mësonjëtorja – (1979), kocka
Në shtëpinë tonë – (1979), Stefi
Koncert në vitin 1936 (1978), Fotaqi (n/prefekti)
Shembja e idhujve – (1977), kapteri
Emblema e dikurëshme – (1976) (TV)
Duke kërkuar 5-orëshin – (1974) Zeqo
Rrugë të bardha – (1974), Ganiu
Shtigje të luftës – (1974), Shabani
Kryengritje në pallat – (1972)
Odiseja e tifozave – (1972)
Kapedani – (1972), i biri i xha Sulos
I teti në bronx – (1970), Xhemali
Horizonte të hapura – (1968), Azemi
Oshëtimë në bregdet – (1966), Gjergjiekti komedi , Qazim Mulleti / KultPlus.com

103 vjet nga lindja e Sandër Prosit, ikonës së filmit dhe teatrit shqiptar

Më 6 janar të vitit 1920 lindi në Shkodër, Sandër Prosi, i cili do të bëhej më vonë një prej aktorëve ikonë të filmit dhe teatrit shqiptar, personazhet e të cilit kanë mbetur në kujtesën e brezave dhe në arkivën e artë të kinematografisë.

Njeriu që i dha drejtim frymës së kohës, me kredo në gjendjen e edukimit të artit nëpërmjet filtrit të së vertetës dhe kënaqësisë. Njeriu që i bëri të gjithë për vete me urtësinë që e karakterizonte; zërin dhe sytë e paqtë.

Aleksandër Prosi, njeriu që i dhuroi i pari teatrit ndërsjelljen gjegjëse të gjëndjeve: planeve logjike dhe monologjeve të brendshme.

Udha për te njeriu është e vështirë, por Sandri e gjeti shtegun për të mbetur i pavdekshëm tek të gjithë vdekatarët. Ai kristalizoi individualitetin e tij të spikatur në mbi 100 role. Gama e gjerë e personazheve të cilat ai jetëzoi kanë mbetur aty; jo vetëm në arkivën e artë të Teatrit Kombëtar, por dhe në sirtarin sekret të kujtesës sonë emocionale.

Në shënimet e tij të fëmijërisë, shkruante: ‘’Më pëlqen të ndjek filmat. I adhuroj! Sidomos ato të Charlie Chaplin. Më pëlqen shumë kinemaja. Ëndërroj të bëhem violinist…’’

Lindur në Shkodër më 1920. Pas mbarimit të gjimnazit në Tiranë nga ku merr dhe pjesë në dramën ‘’Vilhem Teli’’, do të shkonte në Austri për të ndjekur studimet për stomatologji. Por duket se i la në gjysmë, për të përfunduar atë çka donte: Artin.

Ndaj dhe kthehet për të marrë pjesë në konkursin që asokohe mbahej në Teatrin Popullor më 1947 dhe e fiton atë, për të nisur kështu me përgjegjshmëri profesionin e aktorit, kontributi i të cilit përçon dhe sot mesazhe të qarta duke na bërë thirrje mes rikuptimësimesh; edukimin e të bërit dhe të qenët artist. Nga ku në fakt, sot, druaj kjo tokë nuk pjell më…

Të gjithë filmat e tij, i kemi parë. Janë rreth 30, por shumë prej kolegëve dhe artdashësve veçojnë: ‘’Përballimi’’ – 1976, ‘’Udha e Shkronjave’’ -1978, ‘’Gjeneral Gramafoni’’- 1978, ‘’Njeriu me top’’ – 1977, ‘’Nëntori i dytë’’- 1982, ‘’Dora e ngrohtë’’- 1982, me interpretime të një mjeshtërie të lartë njërzore, filmike dhe skenike.

Në teatër ka shkëlqyer në rolin e Otellos. Nuk iu deshën pak, por plot katër vjet për të arritur magjinë e këtij personazhi, duke punuar veçmas me vetveten, për të arritur ndjesitë komplekse të kësaj figure. Shumë teatro në fakt, e trajtojnë si tragjedi të xhelozisë, por Sandri rezulton ndryshe; duke i mëshuar nderit dhe besës, veçori këto që e ndoqën deri në fund të jetës, duke e lënë dënimin e pabesisë për në fund.

Ka interpretuar gjithashtu në “Cuca e maleve”, “Orët e Kremlinit”, “Fytyra e dytë”, “Hamleti”, “Makbethi”, “Familja e Peshkatarit”, “Epoka para Gjygjit”, “Revizori”, “Xhaxha Vanja”, etj… / KultPlus.com

Arben Bala, aktori shqiptar që u bë pjesë e gashtë serialeve ndërkombëtare brenda vitit

Ishte seriali norvegjez “Countrymen”, prodhim i regjisori shqiptar Izer Aliu, i cili u cilësua si një nga 13 serialet më të mira ndërkombëtare gjatë vitit 2021, që aktorin shqiptar Arben Bala e solli me një ndër rolet kryesore në këtë serial.

Ky rol, Arbenin e solli në një frymë ndryshe nga ajo që jemi mësuar ta shohim dhe i dha aktorit edhe çmimin për aktorin më të mirë në Festivalin e Filmit në Kanë. Kjo si duket ishte dritarja e suksesit, pas të cilës fshiheshin edhe shumë të tjera që secila priste të jepte shkëlqimin e saj, shkruan KultPlus.

Bëhet fjalë edhe për pesë seriale të tjera që ishin rezervuar për aktorin shqiptar. Një angazhim i madh brenda vetëm një viti, por që aktorit Bala i dha një ndër eksperiencat më të bukura në jetë dhe sfidat u tejkaluan lehtësisht sepse dëshira e madhe për të qenë pjesë e këtyre serialeve u konsideruar një sfidë e bukur për të.

Aktori Arben Bala, i cili tashmë ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në Norvegji, në një intervistë për KultPlus, ka rrëfyer më shumë për sukseset e tij e sidomos përgjatë këtij viti.

“Gjithçka nisi para një viti me serialin “Countrymen” dhe çmimin në Cannes. Ky serial më hapi dyert e suksesit më tej, ku më pas u angazhova në disa seriale norvegjeze. Pas “Countrymen”, u bëra pjesë e serialeve si: “Kjære landsmen”, “Crypto kings”, “Gangs og Oslo”, “Pörny” dhe “Nede”, ku angazhimi im në këto seriale më dha një eksperiencë të mahnitshme”, thotë Bala.

Nga gjithë këto projekte, Bala veçon serialin “Nede” i cili sipas tij po bën bujë të madhe në Viaplay dhe poashtu është nominuar në festivalin Cannes.

“Të jesh pjesë e gjithë këtyre projekteve brenda një viti, nuk është e lehtë, sepse është e qartë se unë si aktor i huaj më duhet të punoj edhe më shumë për të bindur norvegjezët sepse kjo është një industri mjaft e vështirë. Përparësitë e kësaj janë se sa më mirë që përfshihem në rol aq më të mëdha janë shanset për mua për t’u përfshirë në projekte të tjera”, thekson Bala.

Përderisa çmimet nuk kanë munguar si në Francë, Kanadë, Amerikë dhe shtetet skandinave, Bala thotë që në Kosovë nuk ka marr shumë vëmendje seriali dhe as ai personalisht si aktorë dhe këtë e arsyeton me faktin se seriali nuk është shfaq për publikun kosovar.

Sa i përket projektet në Kosovë, Bala thotë që ende nuk ka diçka zyrtare, por që ato ndërkombëtare nuk po i mungojnë. Tashmë ai ka nënshkruar edhe tri kontrata të reja për vitin e ardhshëm dhe që është në bisedime edhe për projekte të tjera. / KultPlus.com

Imer Kutllovci me rol kryesor në serialin që po shfaqet në Amazon, në fokus mafia shqiptare

Jeta Zymberi

Pa shumë zhurmë, por me shumë punë e rezultate, aktori shqiptar Imer Kutllovci shkallët e suksesit po i ngjet me hapa të sigurt. Pas suksesit si aktor teatri në Paris, ai u bë edhe pjesë e disa filmave gjithmonë duke marrë vëmendje e duke dhënë rezultate të shkëlqyera, shkruan KultPlus.

Por kësaj radhe do të flasim për një tjetër sukses të jashtëzakonshëm të Imerit.

Është seriali “Darknet-sur-mer” që u shfaq në Amazon Prime Video më 7 tetor dhe Imer Kutllovci bart një ndër rolet kryesore dhe ne lirshëm mund të themi që kjo është hera e parë që një aktor shqiptar bart një rol kryesor në një serial që shfaqet në Amazon.

“Darknet-sur-Mer”, shkruar dhe drejtuar nga Rémy Four dhe Julien War, është në dispozicion në Amazon Prime Video nga 7 tetori dhe po konsiderohet si një komedi-thriller e destinuar për sukses.

Ky serial me gjashtë episode tregon historinë e dy miqve geeks që gjenden përballë dy anëtarëve të mafias shqiptare pas një mashtrimi në Darknet – një faqe interneti misterioze që ofron shërbime nga vrasës me pagesë e që rezulton të jetë një mashtrim. Ndërmarrja e Ben dhe Flo së shpejti i fut në telashe me Alkanin, i cili po kërkon një vrasës me pagesë për të vrarë shefin e një bande.

Për “20 minuta”, pesë aktorët kryesorë diskutojnë rolin e tyre dhe flasin për të dy çiftet dhe kiminë me partnerin e tyre në film.

Aktori shqiptar, Imer Kutllovci, përbën dyshen mafioze, Aklan (Artus) dhe Veran (Imer Kutllovci) të cilët kanë folur për 20 minute duke u shprehur se janë përputhur shpejt.

“Përputhej shumë shpejt, nuk kishte luftë ego siç mund të ketë ndonjëherë, kështu që shpejt u afruam shumë dhe ishte super e këndshme”, thotë Artus, partneri i Imerit në film. Përtej këtij aspekti, ata patën kënaqësi duke kompozuar këtë tandem mafioz të përbërë, të paktën në pamje, nga një i butë dhe një i fortë.

“Është pak si Asterix dhe Obelix”, bën shaka Imer Kutlovci. Të dy vlerësuan ambivalencën e karakterit të tyre. Artus, i cili luante një agjent të DGSE në The Legends Office, këtë herë shkon në anën tjetër: “Të luash një djalë të keq është gjithmonë mirë. Por atje është një horr që luan horr, por që nuk është në të vërtetë”, shpjegon ai.

Ndërsa, Imer Kutlovci, gëzohet që për një herë i ofrohet një rol i mafiozit, por me një dimension tjetër: “Verani ka dy anë. Me të tjerët është shumë i ashpër, shumë i vendosur, por me Alkanin është shumë i butë dhe shumë njerëzor. Kjo është ajo që krijon një komedi në vetvete”, shprehet Kutllovci.

Tanimë mbetet për t’u parë nëse banorët e Poney-sur-Mer, vendi imagjinar ku zhvillohet ngjarja, do të gjejnë një vend në zemrat e abonentëve të Amazon Prime Video. Nëse do të ishte kështu, nuk do të habiteshim të shihnim serialin me një sezon të dytë. / KultPlus.com

I famshmi Leslie Jordan vdes në moshën 67-vjeçare

Aktori dhe komediani Leslie Jordan, i njohur për rolet e tij në seriale si ”Will & Grace” dhe ”American Horror Story” dhe për videot e tij frymëzuese gjatë pandemisë, ka vdekur pas një aksidenti me makinë në Hollywood.

Jordon fitoi një çmim Emmy, në vitin 2006, për rolin e tij si Beverley Leslie në serialin hit ”Will & Grace”.

Oficerja Elizabeth Lomeli deklaroi për ”The Times” se Jordan ishte pas timonit të një BMW-je kur u përplas në anë të një ndërtese.

Aktori u shpall i vdekur në vendngjarje.

Mbetet ende e paqartë nëse Jordan humbi jetën nga përplasja apo pësoi një emergjencë mjekësore paraprakisht.

Jordan, gjithashtu u bë i njohur pas videove të tij komike, të cilat u bënë virale gjatë muajve të parë të pandemisë./atsh / KutPlus.com

Dy vite më parë, mbylli perden përgjithmonë aktori Adem Mikullovci

Më 15 shtator 2020, pikërisht sot para dy viteve, vdiq aktori Adem Mikullovci. Ai iku për t’u përjetësuar gjithmonë përmes veprave që la pas vetes, vepra këto që filluan qysh në kohët më të vështira për popullin e Kosovës e vazhduan deri sot e kësaj dite, e ndoshta disa prej tyre akoma gjejnë vend në aktualitetin e shoqërisë së sotme kosovare, shkruan KultPlus.

Adem Mikullovci ka qenë një artist i popullit, i cili pareshtur ka punuar për popullin e Kosovës. Arti i tij nuk ka qenë vetëm një satisfaksion individual, ai ka punuar vazhdimisht duke shfrytëzuar artin e tij për të hedhur dritë mbi të këqijat që janë pjesë e këtij vendi, ka realizuar seriale e filma që kanë ardhur si një formë revolte e kundërshtimi për mendësinë e popullit tonë. Arti i tij gjithmonë ka përçuar mesazhe të fuqishme.

‘Po e lëshoj perden, dhe po i fiku dritat….Teatri i jonë Leze-u mbyll’, ishin këto fjalët që qarkulluan më së shumti në rrjetet sociale. Këto fjalë të shkruara aq thjeshtë por që aq shumë e përshkruajtën dhimbjen e madhe që Adem Mikullovci pati me vdekjen e Leze Qenës, duke u mbyllur kështu një epokë e artë e artit teatral. Mirëpo, e vërteta nuk qëndron kështu sepse arti i tillë është, jeton e përjetësohet me shekuj e shekuj, duke i dhënë frymë secilit artist edhe pas vdekjes.

Teatri i Ademit, i Lezes, i Xhevatit, Shanisë e shumë të tjerëve, nuk u mbyll, ai veçsa ka marrur një formë tjetër, duke emëruar vetveten si Epoka e Artë e Teatrit të Kosovës.

Në këtë përvjetor, Teatri Kombëtar i Kosovës nuk ka harruar ta kujtoj aktorin e njohur.

“2 vite me parë, mbylli perden përgjithmonë aktori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Adem Mikullovci!
Në këtë përvjetor, TKK e kujton me mall e dashuri, Bacen Adem”, shkruajnë nga TKK. / KultPlus.com

Vdes aktori i njohur shqiptar, Pandi Siku

Një lajm i hidhur ka mbërritur këtë mëngjes për kinematografinë shqiptare. Aktori Pandi Siku ka vdekur sot në moshën 73-vjeçare.

Mësohet se Siku prej një viti vuante nga një sëmundje e rëndë. Ai jetonte në SHBA, në shtetin e Illinois.

Pandi Siku ishte aktor i suksesshëm i teatrit dhe filmit shqiptar.

Lindur me 28 Korrik 1949 në Tirane ai u diplomua në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë në degën e dramës dhe më pas në vitin 1973 ai iu bashkua trupës së Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar) duke interpretuar mjaft role, kryesisht role të dyta.

Aktiviteti i tij do të shtrihet në harkun kohor nga 1973 – 2001. Në teatër debutimin e bën ne dramën “Toka e jonë” dhe “Bashkë me agimin”.

Më pas mund të përmendim edhe shumë shfaqje të tjera teatrale si: Adlinin në “Lumi i vdekur” ; Halimi “Pas provimit të fundit”; Arjani në “Jeta e tjetrit”; Shpendi në “Epoka para gjyqit” (1978), Bardhi në Furrnalta (1979), “Besa e madhe”; “Karavidhet”; Rrema në “Komunistët” (1981), Merkusi në “Romeo dhe Zhuljeta” ; Valentini në “Dy zotërinj nga Verona” (1990), “Nata e 12-të; Lucencio në “Zbutja e kryeneçes”; Kostandini në “Kush e solli Doruntinën” ; Rexhepi në “Besa”; Pjestar i korit në “Quoa vadis”; Amnekofi në “Absurditeti antik” etj. / KultPlus.com

35 vjet nga vdekja e aktorit dhe regjisorit Kujtim Spahivogli

Aktori i njohur shqiptar, Kujtim Spahivogli u lind më 30 qershor të vitit 1932 në Lushnjë dhe vdiq më 7 korrik të vitit 1987.

Studimet e larta për teatër i kryen shkëlqyeshëm në Moskë në vitin 1956. Ishte një ndër studentët e shkëlqyer të ardhur nga Bashkimi Sovjetik. Në vitin 1956 emërohet aktor në Teatrin Popullor. Roli i tij i parë në skenën e Teatrit Popullor ishte Xherxhinski në dramën “Orët e Kremlinit”, dhe më pas vijnë një sërë rolesh në dramat “Majlinda”, “Në anën tjetër”, “Dragoi i Dragobisë”, “Hamleti”, etj. Por më shumë ka punuar dhe u shqua si regjisor në Teatrin Popullor dhe si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve. Ka vënë në skenë pjesët: “I Çuditshmi”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Në tufan”, “Shtëpia në bulevard”, “Drita”, “Karnavalet e Korçës”, “Qielli i kuq”, etj.

Spahivogli ishte edhe krijues e drejtues i “Teatrit të të Rinjve” i cili u krijua pranë Institutit të Lartë të Arteve. Në mes të pak pjesëve që vuri në skenë me atë trupë qe edhe komedia e njohur e Majakovskit “Banja”. Po ashtu, vuri në skenë edhe pjesë të dramaturgut Fadil Paçrami, dhe kur ky u godit rëndë nga plenumi i katërt i Partisë së Punës, bashkë me të u dënua padrejtësisht edhe Kujtimi. Në vitin 1973 e larguan nga teatri dhe i hoqën të drejtën të vinte pjesë në skenë. Në fillim punoi në disa fshatra, pastaj e çuan punëtor krahu në ndërmarrjen e bonifikimit në Fier.

Kujtimi qe në të njëjtë kohë edhe dramaturg. Drama e tij “Një shok i klasës sonë” pati një sukses të madh. Ai shkroi edhe poezi, artikuj e ese.

Vdiq në vitin 1987 në moshën pesëdhjetepesë-vjeçare, i sëmurë e i harruar, edhe pse kishte qenë një ndër regjisorët e spikatur të teatrit shqiptar.

Pas vdekjes, në vitet ’90 iu dha titulli “Artist i Popullit”. / KultPlus.com

Ikona e ekranit francez, Jean-Louis Trintignant vdes në moshën 91-vjeçare

Jean-Louis Trintignant, një nga aktorët më të njohur francezë që luajti në më shumë se 100 filma, ka vdekur në moshën 91-vjeçare, transmeton KultPlus.

Trintignant u shfaq në Tri ngjyra: Red, Z, Konformisti dhe Amour – i cili fitoi një Oscar dhe Palmën e Artë.

Ylli fitoi simpati të madhe publike në Francë në vitin 2003, pasi vajza e tij Marie u rrah për vdekje nga i dashuri i saj ylli i muzikës rock.

Ai vdiq herët të premten në rajonin jugor Gard “i rrethuar nga të dashurit”, tha gruaja e tij për agjencinë e lajmeve AFP.

I lindur më 11 dhjetor 1930, Trintignant u rrit gjatë fatkeqësive të Luftës së Dytë Botërore dhe u dërgua si një rekrut i ri në Algjeri, atëherë një koloni franceze.

Vitet e hershme sfiduese të Trintignant mendohej se shpjegonin gatishmërinë e tij për të pasur sukses në role sfiduese, duke përfshirë banditë dhe kriminelë, përmes një karriere që përfshin më shumë se gjashtë dekada. /KultPlus.com

GettyImages

Nga yll i skenës te përjashtimi nga shkolla dhe mbyllja në psikiatri, përballja e vështirë e Enea Zhegut me regjimin

Një tjetër aktor do t’i mungojë tashmë kinematografisë shqiptare dhe të gjithë shqiptarëve. Aktori i njohur, Enea Zhegu, ka mbyllur sytë përgjithmonë mëngjesin e kësaj të diele, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Ai ka ndërruar jetë në moshën 57-vjeçare, duke lënë pas një sërë role, për të cilët do të mbahet mend gjithmonë. Ai u bë i njohur që në fëmijërinë e tij.

Mbarësia do t’i vinte që në vitin 1978, kur regjisori Dhimitër Anagnosti e zgjodhi për filmin “Lulëkuqet mbi mur”. Një vit më pas, Viktor Gjika do ta merrte për filmin “Njeriu me top” e në këtë kohë do të zgjidhej dhe për rolin kryesor të filmit “Tomka dhe shokët e tij”, pra për rolin e Tomkës që do ta bënte të famshëm, ndërsa ai ishte ende nxënës në klasën e shtatë. Enea Zhegu ishte ndërgjegjësuar nga dy eksperiencat e para se ç’do të thoshte të bëheshe pjesë e një filmi. Ndaj në ditën kur Xhanfize Keko kishte mbledhur fëmijët, po aq të njohur sa edhe ai në botën e filmit, e dëshironte me gjithë shpirt Tomkën. Dhe kur fitoi konkursin që iu duk shumë i vështirë (sepse kishte rivalë të fortë), u ndje jo vetëm i gëzuar, por edhe disi superior ndaj të tjerëve. Ai do të ishte komandanti. Enea e kuptoi shumë mirë rolin që po i kërkohej të bënte, aq sa do të mësonte shpejt ta luante bukur edhe jashtë sheshit të xhirimit. I gjendur gjithmonë në qendër të vëmendjes (sidomos pas shfaqjes së filmit “Tomka dhe shokët e tij), i llastuar jo pak nga gjyshërit e tij dhe i preferuar nga regjisorët e njohur, Enea do të ndjehej shumë i rëndësishëm. Deri diku dhe i paprekshëm. Ndoshta prandaj, vite më pas, kur nuk do të ishte më fëmija të cilit mund t’ia falnin lehtë gabimet, jeta nuk do t’i vinte dhe aq e mbarë sa në fëmijëri.

Filli i kujtimeve të bukura për Enean u ndërpre me mbarimin e filmit “Një jetë më shumë”, të regjisorit Gjergj Erebara. Pas tij nuk do të kishte më filma të tjerë. Shpirti i lirë dhe paksa rebel që ishte krijuar pak e nga pak brenda tij, nisi të nxjerrë krye më shumë në vitet e gjimnazit. Aq sa emri Enea Zhegu do të regjistrohej pothuajse në regjistrat e të gjitha gjimnazeve të Tiranës. Sapo përjashtohej nga njëra shkollë, e dërgonin tek një tjetër, derisa do të përfundonte në shkollën e natës. Bëmat i mbeteshin atij, Tomkës. Shumëkush vazhdonte ta identifikonte si Tomkën djaloshin plangprishës. Enea ndjehej mirë prej kësaj nofke, e cila do ta ndiqte nga pas edhe në kohën kur arriti të hyjë në Akademinë e Arteve, ku do të ndjente për herë të parë dëshirën që të bëhej një aktor, ndërsa gjithçka kishte ndodhur më parë në shesh të xhirimit, nuk e kishte marrë dhe aq seriozisht. Atje në Akademi, do të ndodhte mrekullia që nuk do të zgjaste shumë. Sepse që në vitin e pare, Enea Zhegu do të përjashtohej sërish nga shkolla për “sjellje të këqija”. Dënimi i parë që mori ishte vetëm për një vit shkollor. Ndërsa në vitin e dytë, një tjetër dënim që do të merrte, po për sjellje jo të mirë, do ta përjashtonte përfundimisht. “Tomka” vazhdonte të ishte i mbrapshtë, ndaj jeta do t’i vinte gjithnjë e më e mbrapshtë.

Në vitin 1989 do të provonte për herë të parë se ç’do të thoshte të të mbyllnin në një psikiatri. Në këtë herë të parë do ta mbanin brenda vetëm 15 ditë, ndërsa në herën e dytë plot një muaj. Këtyre kohëve të mbrapshta Enea do t’u shpëtonte vetëm në 1990-ën, kur do të nisej për në Greqi, e pak vite më pas në Itali. Tashmë është kthyer sërish në Tiranë. Që në ditët e para që do të mbërrinte do të shkonte në Akademinë e Arteve, sepse donte që filli të lidhej pikërisht aty ku ishte shkëputur këtu e vite të shkuara. Gjithsesi, nuk u mbërthye shumë pas nostalgjisë. E kuptoi shpejt se jeta nuk ishte ajo filmave, se kohët nuk ishin më si atëherë kur xhirohej për Tomkën. Ndaj nisi shpejt të mendojë që të hapte një aktivitet të tijin, një bar-restorant që e quajti “Vila 31”, por që më shumë është bërë i njohur si lokali i Tomkës. Sepse edhe në kohën kur bë një menaxher i vërtetë, Enea Zhegun vazhdonin ta thërrasin Tomka, e mbase kështu do të kujtohet gjithmonë. / Voal / KultPlus.com

Al Pacino, gjiganti që erdhi nga rruga

Alfred James Pacino lindi më 25 prill 1940 në New York.

Al Pacino është një aktor dhe regjisor, biri i Salvatore dhe Rose Pacino, me origjinë italiane nga Korleone e Siçilisë. Kalon një fëmijëri të varfër, në shkollë është i dalluar si përsëritës, me përjashtim të literaturës angleze. Nga fundi i viteve 60-të studion teatër me Lee Strasberg i cili dallon në të prirje të jashtëzakonshme për recitim dhe dëshirë të flaktë për tu larguar nga jeta e varfër e fëmijërisë. Me filmin Me Natalie shënon fillimin e karrierës së tij, ndjek pas dy vitesh The Panic in Needle Park në të cilin merret parasysh edhe nga regjisori Francis Ford Coppola. Ky i fundit shënon thelbin e famës së tij në vitin 1972 me filmin The Godfather në të cilin interpreton rolin e Michael Corleone.

Në vitin 1993 shpërblehet me Oscar si aktori më i mirë protagonist me filmin Scent of a Woman, në të cilin interpreton një kolonel të verbër.

Aktori i famshëm Al Pacino, i cili feston sot 83-vjetorin e lindjes, ka një jetë interesante personale dhe profesionale.

Më poshtë janë disa kuriozitete që kanë shënjuar jetën e tij:

Alfredo James Pacino nuk është martuar kurrë, por ka pasur marrëdhënie romantike me 11 aktore.

Me dy prej tyre, Jan Tuarant dhe Beverly D’Angelo ka tre fëmijë, një vajzë dhe dy binjakë për të cilët u kujdes më vonë.

Marrëdhëniet e tjera janë me Jill Clayburgh, Tuesday Weld, Marthe Keller, Carol Cane, Diane Keaton, Penelope Ann-Miller, Madonna, Lucila Solà dhe Meital Dohan, izraelitja me të cilën jetoi deri shkurtin e kaluar.

Në karrierën e tij, që ka pothuajse çmim në çdo paraqitje në ekran, lista e filmave të  refuzuar fillon nga ”Taxi Driver” deri te ”Star Wars”, nga ”Apocalypse Now” te ”Kramer vs Kramer”, nga ”Once Upon a Time in America” te ”Pretty Woman”.

Al Pacino është djali i dy emigrantëve sicilianë (babai u largua nga familja kur Al ishte ende me rroba banjo).

U lind në Harlem më 25 prill 1940.

Kaloi fëmini të vështirë në Bronx dhe përjetoi ligjet e ashpra të rrugës: duhanpirës dhe konsumator i drogave të lehta që nga mosha 10 vjeç.

17 vjeç la shkollën.

20 vjeç troket më kot në dyert e ”Studio Actors”.

Lee Strasberg njohu te ai cilësi të pazakonta aktoriale.

Fillon karierën kur Jerry Shatzberg i ofron atij rolin e protagonistit, tregtarit të ri të drogës Bobby, në ”Panic in Needle Park”.

Francis Coppola vëren se ai është aktori i duhur për rolin e Michael në ”The Godfather”.

U nominua për Oscar për rolin më të mirë mbështetës në këtë film, por Al Pacino sfidon jurinë duke thënë se roli i tij nuk është inferior ndaj atij të Marlon Brando, që e fitoi çmimin Oscar. Rezultati? Të dy nuk morën pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.

Që atëherë Al Pacino u bë aktori i preferuar i kineastëve amerikan. /KultPlus.com

Jim Carrey deklaron se do të largohet nga aktrimi

Aktori Jim Carrey, i cili kohët e fundit tha se ishte ‘i mërzitur’ nga Will Smith që goditi Chris Rock në Oscar, tani ka zbuluar planet e tij të ardhshme të aktrimit dhe këmbëngul se ai është ‘mjaft serioz’, përcjell KultPlus.

60-vjeçari deklaroi për Access Hollywood se ai ‘ndoshta’ do të tërhiqet nga aktrimit, duke thënë: “Epo, unë po tërhiqem, jam mjaft serioz”.

Jim shpjegoi se i pëlqen të jetojë jetën e tij të qetë, duke bërë gjëra të rëndomta të cilat nuk kërkojnë shumë përkushtim dhe bëhen me dashuri të madhe.

Jim shtoi: “Më pëlqen shumë jeta ime e qetë, dhe me të vërtetë e dua jetën time shpirtërore dhe ndihem sikur kam kam bërë mjaft, jam mbushur nga puna”, tha Carrey.

Disa prej filmave të tij më të njohur jnaë: Dumb & Dumber, Yes Man, Batman Forever, Liar Liar etj. /KultPlus.com

87 vjet nga vdekja e aktorit të mirënjohur shqiptar, Aleksandër Moisiu

Aleksandër Moisiu ose Alexander, Alessandro Moissi ose Moisi, lindi më 2 prill të vitit 1879 në Triestë të Italisë. Ai  ishte aktor i njohur austriak me origjinë shqiptare, shkruan KultPlus.

Moisiu lindi në Triest të Italisë. I ati ishte shqiptar nga Kavaja dhe e ëma ishte arbëreshe. Në moshën 19 vjeçare shkon në Vjenë, ku me ndihmën e Jozef Kainc iu përkushtua aktrimit. Më 1898 e nisi karrierën e vet si kompars (aktorë që luajnë rol të vogël) në Burgtheatër. Pastaj vijuan angazhime në teatër në Pragë dhe Berlin. Në Berlin Aleksandër Moisiu u pranua në seminarin e Max Reinhardt me të cilin shkoi në turne në Petersburg (1911). Atje u dallua për rolin e Edipit. Pas këtij suksesi ai u angazhua në shumë vende të Evropës dhe Amerikës Veriore.

Fusha e veprimit të Moisiut përmblidhte të gjithë spektrin e literaturës evropiane të teatrit, duke filluar që nga tragjedia antike greke e deri te koha moderne. Shumë të njohura u bënë interpretimet e tij të Hamletit, të Edipit, të Jedermann dhe të Fedja në veprën e Leon Tolstoit “Kufoma e gjallë”. Ai luajti po ashtu edhe rolet kryesore në premierat e pjesëve teatrale të Hauptmann-it (“Der ëeiße Heiland“), të Ëedekind-it (“Frühlings Erëachen”) dhe të Hofmannsthal-it (“Jedermann”).

Në vitin 1920 ishte i pari që në Lojërat Festive të Salzburgut (Salzburger Festspiele) luajti rolin kryesor në “Jedermann”.

Moisiu vlerësohej shumë nga publiku i tij për shkak të zërit të tij të bukur si dhe për angazhimin e tij emocional. Ai llogaritej sidomos në vitet para fillimit të Lufta e Parë Botërore si një nga aktorët më të mëdhenj në hapësirën gjermanofolëse. Në periudhën mes dy luftërave ishte shumë kohë në turne. Në Berlin aktronte në këtë kohë vetëm si mysafir. Stili i tij i aktrimit llogaritej këtu si i vjetëruar dhe nuk mund të matej më me zhvillimet teatrore si ai i ekspresionizmit, apo teatri politik i Brecht-it apo i Piscator-it.

Prej vitit 1910 e deri më 1935 mori pjesë në 10 produksione të filmave, 8 prej tyre ishin filma pa zë.

Në vitin 1935, pak kohë para vdekjes së tij, Moisiu kërkoi shtetësinë e Shqipërisë si dhe atë të Italisë. Shqipëria refuzoi këtë kërkesë, kurse Italia ia dha shtetësinë Moisiut, kur ai ishte i shtrirë në shtratin e vdekjes.

Ai vdiq më 23 mars të vitit 1935 në Vjenë. Ai është i varrosur në varrezat e komunës së Morcote-së, pranë qytetit Lugano në kantonin e Tessin-it në Zvicër.

Moisiu sot adhurohet dhe respektohet sidomos në Shqipëri si një ndër aktorët më të mëdhenj të vendit, edhe pse ai që nga rinia e tij më nuk e vizitoi Shqipërinë. Shkolla e aktrimit në Tiranë, Universiteti i Durrësit, Shkolla e mesme e përgjithshme në Kavajë dhe teatri i Durrësit e mbajnë emrin e tij.

Gruaja e tij Maria Moisiu ishte nga Vjena. Aleksander Moisiu është stërgjyshi i aktorit Gedeon Burkhard (ndër të tjera i njohur me rolin e tij kryesor në serinë “ Komisar Rex”), shkruan voal.

Aleksandër Moisiu vdiq më 23 mars të vitit 1935 në Vjenë. /KultPlus.com

Vdiq në moshën 71-vjeçare aktori fitues i Oskarit, William Hurt

Aktori fitues i Oskarit, William Hurt, ylli i Kiss of the Spider Woman dhe Body Heat, ka vdekur në moshën 71-vjeçare, përcjell KultPlus.

“Me pikëllim të madh familja Hurt po vajton vdekjen e William Hurt, babait të dashur dhe aktorit fitues të Oskarit, më 13 mars 2022, një javë para ditëlindjes së tij të 72-të. Ai vdiq i qetë, në familje, nga shkaqe natyrore.” Variety tha se një mik i familjes e konfirmoi lajmin.

Hurt fitoi Oscarin për aktorin më të mirë në vitin 1986 për Kiss of the Spider Woman, në të cilën ai kishte luajtur një burrë homoseksual që ndan një qeli me një me një të burgosur politik në Brazil. Ai mori nominime të mëtejshme për Oscar për aktorin më të mirë për Children of a Lesser God dhe Broadcast News, dhe për aktorin më të mirë dytësor për A History of Violence.

I lindur në vitin 1950, Hurt studioi teologji në universitet, por iu kthye aktrimit dhe u regjistrua në shkollën Juilliard në vitin 1972. Pas një sërë rolesh skenike, ai fitoi rolin e tij të parë të madh në filmin e tmerrshëm trupor të Ken Russell, Altered States, i cili u ndoq me shpejtësi. nga thrilleri erotik i atëhershëm sensacional Body Heat, në të cilin ai luajti përballë Kathleen Turner. Famëmarrja e Body Heat bëri emrin e tij dhe Hurt u bë një yll i madh i viteve 1980. Ai luajti në një rol të spikatur në dramën komedike të ansamblit The Big Chill, dhe thrillerin spiun Gorky Park, dhe më pas u luajt në Kiss of the Spider Woman nga regjisori Héctor Babenco.

Hurt ishte martuar dy herë, me Mary Beth Hurt nga 1971 deri në 1982 dhe Heidi Henderson nga 1989 në 1992. Ai gjithashtu kishte marrëdhënie të profilit të lartë me Matlin, Sandra Jennings dhe Sandrine Bonnaire. /KultPlus.com