Jeta artistike e Faruk Begollit përmes 15 fotografive (FOTO)

Artistët e vërtetë nuk vdesin kurrë. I tillë është aktori Faruk Begolli.

Me talentin e tij ai shkriu role të mëdha për të mbetur kështu një ndër figurat më të ndritura të kinematografisë shqiptare.

Figura e tij prej një djali tërheqës dhe plot sharm, ka bërë që ai ende të mbetet një ndër figurat më të dashura të artit shqiptar. Shumë nga fotografitë e tij, qoftë ato të ndara nga rolet e tij të shumta, apo fotografi të rastit, janë ende shumë të pëlqyera nga publiku që e deshi fort.

KultPlus, i ka përzgjedhur disa fotografi të Begollit ku ai shfaqet në momente të ndryshe gjatë karrierës së tij, qysh nga rinia e hershme e deri në ditët e fundit.

Faruk Begolli lindi më 14 shkurt të vitit 1944 në Pejë, Kosovë, dhe vdiq më 23 gusht të vitit 2007, ishte një nga aktorët e mirënjohur në ish Jogosllavi duke arritur një famë shumë të madhe në mbarë Ballkanin dhe me gjerë. Ai studioi në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd dhe diplomoi në vitin 1966.

Faruk Begolli ishte gjithashtu një figurë e rëndësishme e Teatrit dhe Kinematografisë Kosovare. Ishte bashkëthemelues i degës së Aktrimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, ku edhe punoi si pedagog i lëndës së Aktrimit. / KultPlus.com

Në vitet e 90-ta ai së bashku me Enver Petrovcin themeluan Teatrin “Dodona” në Prishtinë, në këtë Teatër ai angazhonte studentët e tij dhe aktorë të tjerë duke inskenuar shfaqje të ndryshme teatrale. Teatri “Dodona” u bë Teatri më i njohur në Kosovë gjatë këtyre viteve duke vazhduar deri më tani.

Faruk Begoli u filmu Purise Djordjevica “Podne”

78 vjet nga lindja e aktorit të shquar, Faruk Begolli

Si një ndër aktorët më të famshëm shqiptar nga Kosova në Jugosllavi, Faruk Begolli studioi në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd ku diplomoi në vitin 1966.

Ai është bashkëthemelues i degës së Aktrimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës. Në vitet e 90-ta ka bashkëthemeluar Teatrin “Dodona” në Prishtinë.

Faruk Begolli ka luajtur në më shumë se 60 filma, duke filluar me ‘Pogled u Zenicu Sunca’ (1966), për të bashkëpunuar pastaj me regjisorin Purisa Dordevic në filmat e tij ‘Podne’ (Mesditë), ‘Jutro’ (Mëngjesi) dhe ‘San’ (Ëndrra).

Rolet e tij të spikatura përfshijnë ‘Bitka na Neretvi’, ‘Cuvar plaze u zimskom periodu’ dhe Dervis i Smrt (Dervishi dhe Vdekja), si dhe rrolet në filmat e njohur Kosovar të viteve të 70ta dhe 80ta si ‘Kur pranvera vonohet’ (1980), ‘Era dhe Lisi’ (1979), ‘Të Ngujuarit’ (1972), ‘Si të vdiset’ (1972), ‘Proka’ (1984) etj./ KultPlus.com

Figura emblematike e humorit shqiptar, Tano Banushi

Përkujtohet sot ditëlindja e njërit prej yjeve të skenës së humorit shqiptar, Tano Baushi, shkruan KultPlus.

Artisti lindi në qytetin e Shkodrës më 4 shkurt të vitit 1927 me emrin Athanas Lluko Banushi megjithëse publiku shqiptar e njeh me emrin Tano. Humori ka qenë pjesë e rëndësishme e jetës së artistit pasi është rritur në një familje e cila humorin e kishin si lajtmotiv të jetës së tyre me në krye babanë e tij, Lluko Banushi.

Që në kohën kur ai ndiqte gjimnazin artisti filloj të aktivizohej në shfaqje të ndryshme deri në momentin kur në Shkodër u themelua edhe estrada profesioniste e qytetit në virin 1958. Ishte pikërisht ky momenti kur Tano Banushi u kthye në një artist i cili u vlerësua shumë dhe u duartrokit nga i gjithë publiku artëdashës shqiptar, pasi cilësitë e tij interpretative ishin shumë të larta.

Gjatë karrierës së tij artisti, Tano Banushi ka interpretuar mbi 1000 role duke mishëruar shumë personazhe, karaktere dhe figura artistike të cilat do ta kthenin në një figurë emblematike të humorit dhe estradës shqiptare.

Disa nga rrolet që do të veçonim nga ky artist janë ato në shfaqjet si “Fejesa” e Cehovit, “Një tragjedi Optimiste”, “Këshilli i ndrikullave”, “Hej moj babë”, e shumë e shumë të tjera.

Artisti gjatë karrierës së tij më të gjatë se gjysmë shekulli shkruante materiale dhe skeçe, por gjithashtu edhe kompozonte muzikën që shoqëronte materialet e krijuara prej tij, pasi sotëronte dhe luante mjaftë mirë instrumentin e kitarës.

Publiku shqiptar e identifikon artistin me shumë materiale dhe personazhe por ajo çka nuk do të iki kurrë nga memoria e publikut është materiali “Fotografia” e cila mund të konsiderohet edhe si një ndër perlat e humorit dhe estradës shqiptare./ atsh/ KultPlus.com

The Weeknd së shpejti vjen si skenarist, aktor dhe producent i një seriali televiziv

Këngëtari i njohur kanadez, The Weeknd, do të luaj, do ta bashkëshkruaj dhe do të shërbejë si producent i një seriali të ri të kanalit “HBO”.

Ylli i hitit “Save Your Tears” do të bashkëpunojë me krijuesin e hitit televiziv “Euphoria”, Sam Levinson, në realizimin e serialit të ri me titull “The Idol”.

Revista “Variety” ka raportuar se ky projekt do të fokusohet në jetën e një pop ylli e cila e fillon një romancë me pronarin enigmatik të një klubi të natës në Los Angeles, që është udhëheqës i një kulti të fshehtë.

Këngëtari 31-vjeçar, vitin e kaluar ka shkruar dhe luajtur në komedinë e animuar, “American Dad”, si dhe njëkohësisht e ka pasur një rol të vogël ku e ka portretizuar vetveten, në filmin e yllit Adam Sandler, “Uncut Gems”.

Për promovimin e albumit të fundit “After Hours”, The Weeknd emri i vërtetë i së cilit është, Abel Tesfaye, e portretizoi një personazh specifik i cili shfaqej me fasha në fytyrë dhe vishej gjithmonë me një kostum të kuq. Çdo performancë e tij në skenë apo emisione televizive, kërkonte një lloj aktrimi nga këngëtari, dhe ai e bëri vërtetë një punë të mirë.

Sidoqoftë, muajin e kaluar The Weeknd i dha fund këtij personazhi duke deklaruar se po bëhet gati për një epokë të re në karrierën e tij. / Koha.net / KultPlus.com

I ati i Bekim Fehmiut u kujdes t’i linte të birit emër shqiptar e me kuptim: Bekim – bekim për popullin

Uliks Fehmiu, në një tekst të botuar në ‘Filozofskimagazin.wordpress.com’, rrëfen shkurt dhe bukur historinë e të atit, aktorit të madh, Bekim Fehmiu e të cilin ju sjellim sot në njëmbëdhjetë vjetorin e vdekjes së aktorit.

Nga: Uliks Fehmiu

Për të folur për të atin tim, Bekim Fehmiun, më duhet së pari të flas pak për gjyshin tim Ibrahimin. I lindur në vitin 1982, në Gjakovë, në një familje tregtarësh dhe intelektualësh, ai ka përfunduar shkollën për mësues dhe medresen në Shkup. Biografia e gjyshit tim më shkurt mund të rrëfehet në shembujt e emrave të fëmijëve të tij të cilët i kishte emëruar personalisht, duke u munduar që këta emra të jenë shqiptar (në vend të emrave turqisht dhe arabisht, që ishin të zakonshëm), emra që në mënyrë simbolike flasin për idealet të cilat i kishte ndjekur.

E bija më e vjetër, Besa – fjalë e nderuar, betim dhe një lloj shenje mbrojtëse te shqiptarët; Shpresa – shpresa për ditë më të mira për popullin shqiptar; Bashkim – i biri i parë – bashkimi i popullit shqiptar; Arsim – edukimi i popullit; Fatmir – fati i mirë për popullin; im atë Bekim – bekim për popullin; Afërdita – mëngjesi është afër popullit shqiptar; Luljeta – lulja e jetës.

Me libër dhe me pushkë në dorë, ka qenë dora e djathtë e Bajram Currit, udhëheqësit të kryengritjes se shqiptarëve kundër turkut, në vitin 1912. Si njeri ndër mësuesit e parë shqiptar, i dedikohet edukimit të popullit dhe hapjes se shkollave si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Për këtë pushteti serbo – malazez e dënon me vdekje. Në kohën e Mbretërisë se Jugosllavisë, e ndjekin si mbështetës i Bajram Currit dhe i Fan Stilian Nolit. Gjyshin e ndjek edhe kryetari i Shqipërisë Ahmet Zogu, kërkon peng për kokën e tij mija dukat. Në vitin 1929 është arrestuar dhe izoluar në Valevë. Për këtë kohë, familja e tij jeton në Gjakovë, për t’u depërtuar të gjithë së bashku në Sarajevë, në vitin 1931, ku përveç tre fëmijëve të lindur, vijnë në jetë djemtë Arsimi, Fatmiri dhe, në vitin 1936, i ati im Bekimi.

Në vitin 1939, pas okupimit të Shqipërisë nga italianet, kalojnë në Shkodër ku gjyshi bëhet drejtor didaktik i shkollave fillore, ku edhe i lind e bija Afërdita. Pas rënies se Mbretërisë se Jugosllavisë në vitin 1941 familja kthehet në Kosovë, në Prizren, ku ai vazhdon punën edukative dhe patriotike. E arrestojnë edhe gjermanët. As në kohën e re të Jugosllavisë Socialiste nuk ndalet rrethi i golgotës ndaj familjes Fehmiu. Gjyshin e arrestojnë dhe pas një procesi të montuar dënohet. Pas lirimit nga burgu vdes shpejt në vitin 1951.

Gjyshja ime Hedija, e lindur në Gjakovë në vitin 1908, ka ndjekur rrugën e gjyshit dhe të gjitha problemet. I ati im mendon se nuk ka gjetur mjaft fjalë adekuate për të përshkruar e gjithë atë që ka duruar dhe ka bërë nëna e tij. Gjenerata e babait tim Bekimit është gjenerata e parë në historinë e Prizrenit e cila tërë shkollimin e ka kryer në gjuhën shqipe – nga shkolla fillore deri te gjimnazi. Pas gjimnazit babai bëhet anëtar i dramës shqipe në teatrin kombëtar rajonal – teatri i vetëm profesional në Prishtinë (përkatësisht në Kosovë). Akademinë e teatrit në Beograd e regjistron në vitin 1956, në klasën e profesorit dhe drejtorit të njohur Mate Milosheviq. Kalon provimin dhe pranohet me kushtin që të mësojë gjuhën serbo-kroate. Teatri i Prishtinës i ndan bursë, por mallkimi të cilin e kanë shënuar “zotërat” politik në familjen Fehmiu e ka kapluar edhe babanë tim. Pas dy muajve ia ndërpresin bursën. Fal rektorit të Akademisë Dushan Matiq fiton shkollimin deri në fund të studimeve.

Shpejt e mëson gjuhën serbo-kroate, që në vitin 1960 të bëhet anëtari i rregullt i teatrit më të mirë – i teatrit të dramës jugosllave. Edhe në ditët e sotme profesorët në akademinë e teatrit (Fakulteti i arteve dramatike) e përmendin babanë tim si shembull i talentit të jashtëzakonshëm dhe pas gjithash student i çmuar, dhe unë si student i po të njëjtit fakultet i kam dëgjuar këto. Deri në vitin 1967, kur jep dorëheqje në teatrin e dramës jugosllave për shkak të trajtimit të keq, bëhet artist i lirë, ka luajtur më shumë se 40 episode, role dytësore dhe disa kryesore, duke përfshirë edhe rolet në Atelje 212. Dy herë ka qenë asistent i regjisë te profesori Milosheviq në Rikardin III dhe Otkriću Dobrice Ćosića. Xhiron edhe filmat Roj, Put, Tople godine, Protest, Deps, Pavle Pavloviq etj.

Pas suksesit të madh të filmit ‘Skupljači perja’ (Mbledhësi i puplave) me regji të Aleksander Petroviqit, ku luan rolin kryesor – Beli Bor (filmi është lauruar me dy çmime në festivalin e filmit Cannes në vitin 1967 dhe është nominuar për Oskar në vitin 1968), fillon karriera e tij ndërkombëtare dhe bëhet ylli i parë botëror nga ky rajon dhe nënshkruan marrëveshjen shumëvjeçare me producentin italian Dino de Laurentis. Bëhet krenaria e ish Jugosllavisë. Kryesisht xhiron në Evropë, SHBA, Amerikën Jugore, Afrikë dhe Azi. Ka luajtur në gjuhën shqipe, serbo-kroatisht, maqedonisht, rome, turqisht, spanjisht, anglisht, frëngjisht dhe në gjuhën italiane.

Edhe sot shikohen filmat e njohur dhe serialet televizive në të cilat ka luajtur, siç janë Odiseja e Homerit me Irena Papas, Avanturistët me Candice Bergen dhe Olivia de Havilland, ku ka luajtur rolin kryesor – pleibojin Porfirija Rubiros, Dezerter me John Huston, me Richard Crenn, Chuck Connorsom; Licenca për të vrarë me Avom Gardner, Dirko Bogard, Timothyje Dalton…, Java e zezë e John Frankenheimera me Martheo Keller, Libera, dashuria ime me Claudio Cardinale, Salon Kitty me Ingrid Thulin, Helmut Berger…dhe shumë tjerë.

Për të fituar rolin kryesor në produksionin e filmit multibuxhetor të Paramountoves Avanturistët (The Adventurers, 1969), me regji të Lewis Gilbert i është dashur të mësoj gjuhën angleze për 10 javë. Rolin e ka fituar në vitin 1968, kur kam lindur unë. Në nder të babait tim është organizuar pritje e madhe në hotelin Pierre në New York ku është ai, në shoqërinë e yjeve tjerë të filmit Avanturistët (Me Olivia de Havilland, Candice Bergen, Anna Moffo, Ernest Borgine, Ferndando Reyom, Rossano Brazzije, Charles Aznavouro…), me ftesa të veçanta të zgjedhura është prezantuar si ylli i ri i filmit. Në këtë rast babai im ka mbajtur të stilizuar kostumin kombëtar shqiptar.

Ka xhiruar më shumë se pesëdhjetë filma në shumicën e tyre ka luajtur rolet kryesore. Në shenj proteste për shkak të propagandës antishqiptare dhe përhapjen e urrejtjes ndaj popullit shqiptar, babai im në vitin 1987 demonstrativisht lëshon shfaqjen në Beograd Madam Kollontaj(Agnete Pleijel) ku demonstron rolin e Leninit dhe Stalinit dhe përshëndetët publikisht me aktivitetet artistike në ish Jugosllavi.

Roli i fundit të cilin e ka luajtur për televizionin italian ka qenë Josipi i shenjt në filmin Djali me emrin Isus (Un bambino di nome Gesù, 1987.) me regji të Franc Rossi, i cili është shfaqur edhe në televizionin amerikan. Skenaristi dhe producenti Francesco Saardamagli ka thënë : “Bekim Fehmiu është i vetmi aktor internacional nga vendet komuniste lindore i cili ka xhiruar në perëndim, përreth 20 vite, duke gdhendur perden e hekurt, deri te shfaqja e Gorbaçovit dhe rënia e murit të Berlinit.”

Filmi i fundit të cilin e ka xhiruar është Gjingis Kan(Gengis Khan, 1992.) me regji të Kena Annakin në të cilin ka luajtur edhe Charlton Heston.

Pas Aleksandër Moisiut, aktorit nga gjysma e parë e shekullit XX, babai im aktori i parë internacional shqiptar në gjysmën e dytë të shek XX.

Shpërbërja e Jugosllavisë, luftë e tmerrshme vëllavrasëse, shkatërrimi i Vukovarit, bombardimi i Dubrovnikut, rrethimi disavjeçar i Sarajevës, lufta në Kosovë, bombardimi i Republikës Federale të Jugosllavisë kanë bërë më shumë që babai im të tërhiqet. Është tërhequr nga skena, çka për aktorin është agjenti më i fuqishëm dhe më i bukur. Është tërhequr në heshtje – në protestë, Hamleti kishte thënë “…ka mbetur heshtja”./ Përktheu: Saranda Rugova / KultPlus.com

Bekim Fehmiu me Uliksin

Njëmbëdhjetë vjet nga vdekja e Bekim Fehmiut, ikonën e papërsëritshme të artit shqiptar


Aktori Bekim Fehmiu lindi në Sarajevë më 1 Qershor 1936. Rrjedh nga një familje e njohur gjakovare. Babai i tij, Ibrahim Fehmiu, ishte patriot i shquar, njëri ndër mësuesit e gjeneratës së parë në Kosovë dhe propagandues i madh i arsimit në gjuhën shqipe, shkruan KultPlus.

Gjurmët e tij në kinematografinë e huaj dhe atë shqiptare nuk janë të vogla dhe sot në njëmbëdhjetë vjetorin e vdekjes së tij ai vazhdon të kujtohet si një prej aktorëve më të mëdhenjë shqiptarë me famë botërore.

Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë.

Është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit që ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ndër rolet më të njohura janë “Prova speciale”, “Odissea”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, të cilat përmenden si kryevepra.

Fehmiu ka bashkëpunuar me emra të njohur të kinematografisë botërore si John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Shou, Dirk Bogart, Irene Papas e të tjerë. Në rolet e tij, Fehmiu ka interpretuar në disa gjuhë.

Në vitin 1972 e ka vizituar Shqipërinë dhe nuk e ka fshehur kurrë mallin që kishte për të.

Nga viti 1987, kur në mënyrë demonstrative braktisi shfaqjen “Madame Kolontine” të Anete Playel, ku luante Leninin dhe Stalinin, në teatrin jugosllav të dramës, ai i dha lamtumirën aktivitetit artistik në Jugosllavi.

Pas disa kohësh mori dhe vendimin për t’i dhënë fund karrierës edhe në aktivitetet artistike botërore.

Kohë më parë në Jugosllavi është botuar edhe libri me kujtime i Bekim Fehmiut, “Shkëlqim dhe frikë”, në të cilin përshkruhet periudha që nga lindja e tij në Sarajevë, duke përfshirë gjithëçka deri në vitin 1955, kur u pranua në teatrin e dramës së Prishtinës.

“Njeriu nuk duhet të fajësojë për diçka që i ndodhë as babanë as vëllezërit, as fqinjën, as perënditë, por vetëm veten. Njëra nga tragjeditë tona lidhet me atë, që duke jetuar për shekuj së bashku nuk kemi mësuar nga njëri-tjetri, por dhe kur e kemi bërë këtë, kemi mësuar vetëm të keqen” – shprehet ai.

Fehmiu u gjet i vdekur në apartamentin e tij në Beograd më 15 qershor 2010. Sipas deklaratave të para, u njoftua se ai kishte kryer vetëvrasje. Në atë kohë ai ishte 74 vjeçar. / KultPlus.com

The Yugoslav actor Bekim Fehmiu acting in ‘Salon Kitty’. Rome, 1975 (Photo by Mondadori Portfolio via Getty Images)

Vdiq aktori Paul Ritter në moshën 54-vjeçare

Aktori britanik i teatrit dhe filmit, Paul Ritter, më së miri i njohur për rolin e tij në serialin komik, “Friday Night Dinner”, ka vdekur nga tumori në tru. Ai ishte vetëm 54-vjeçar.

Lajmin e ka konfirmuar agjenti i aktorit, të martën më 6 prill.

“Me pikëllim të thellë mund ta konfirmojmë lajmin që Paul Ritter humbi jetën mbrëmë. Ai vdiq i qetë në shtëpi i rrethuar nga bashkëshortja e tij Polly dhe djemtë Frank dhe Noah. Ai ishte 54-vjeçar dhe vuante nga tumori në tru. Paul ishte një aktor jashtëzakonisht i aftë dhe i talentuar, që luante një larmi të madhe rolesh në skenë dhe ekran. Ai ishte shumë inteligjent, i dashur dhe shumë qesharak. Do të na marrë malli shumë për të”.

Gjatë karrierës së tij si aktor i filmit dhe televizionit, Ritter kishte luajtur në projekte të tilla si seriali hit i kanalit HBO, “Chernobyl”, drama “Vera and Paul Abbott’s No Offence”, filmi “Quantum Of Solace”, “Harry Potter And The Half Blood Prince”, si dhe së shpejti do të shfaqet me rol dytësor në filmin e ardhshëm të regjisorit John Madden, “Operation Mincemeat”, e cila flet për Luftën e Dytë Botërore dhe ku rolin protagonist e luan aktori Colin Firth.

Ritter po ashtu shquhej si aktor i skenës teatrale. Në vitin 2006 ishte nominuar për çmimin prestigjioz “Olivier Award”, për rolin e tij në shfaqjen “Coram Boy”, he në vitin 2009 kishte marrë nominim për çmim “Tony”, duke u vlerësuar performanca si protagonist i shfaqjes “Norman Conquests”.

Lajmi për vdekjen e aktorit u prit me pikëllim nga komuniteti artistik në Britani të Madhe e më gjerë, dhe rrjetet sociale u pushtuan nga mesazhe të shumtë ngushëlluese. / KultPlus.com

Vdes aktori Yaphet Kotto

Aktori amerikan, Yaphet Kotto, ka vdekur në moshën 81-vjeçare. Ai njihej më së miri nga publiku për performancën e tij në filmin “Alien” dhe portretizimin e personazhit të ligë, Mr. Big, në filmin e vitit 1973 me agjentin James Bond, “Live and Let Die”, ku luajti krahas aktorit të ndjerë Roger Moore.

Bashkëshortja e Kottos, Sinahon, e konfirmoi lajmin e vdekjes së aktorit duke e postuar një mesazh emocional në rrjetin social Facebook, të martën mbrëma.

“Jam e pikëlluar dhe ende e shokuar me vdekjen e bashkëshortit tim prej 24 vjetësh. Yaphet ti në shumë filma i ke portretizuar personazhet e liga por për mua dhe shumë njerëz që të njohën personalisht, je një hero i vërtetë. Një burrë, baba dhe bashkëshort i mirë si dhe një njeri i drejtë dhe i denjë. Ishe një prej aktorëve më të mirë në Hollywood, dhe një legjendë e vërtetë mirë. Pusho në paqe i dashur. Do të më mungosh çdo ditë, miku im i jetës”.

Ende nuk është zbuluar shkaktari i vdekjes së aktorit.

Yaphet Kotto gjatë karrierës së tij filmike kishte luajtur në disa filma të njohur, si horrori fantastiko-shkencor i regjisorit Ridley Scott, “Alien”, si dhe ka luajtur krahas yllit Arnold Schwarzenegger në filmin e vitit 1987, “The Running Man”. Ai gjithashtu e portretizoi lejtënantin Al Giardello në serialin “Homicide: Life on the Street”. / KultPlus.com

Katër vite pa Hadi Shehun, Mulliqi: Në këtë botë, ishin të rrallë artistët dhe njerëzit si ti


Sot janë bërë plotë katër vite pa aktorin e njohur Hadi Shehun, shkruan KultPlus.

Hadi Shehu u lind në Gjakovë më 15 shkurt 1949 dhe vdiç poashtu në Gjakovë më 12 mars 2017

Në teatrin e Gjakovës, fillimisht si amator, aktron në moshën e re si nxënës. Është themelues i Teatrit Profesionist në Gjakovë dhe njëherë dhe Drejtor i këtij teatri deri në vitin 2007. Diplomoi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, më 1974, në degën e artit dramatik, klasa e Faruk Begollit. Në skenën e Teatrit të Gjakovës ka realizuar me qindra role të paharruara dhe të mahnitshme në drama të ndryshme. Vlen të përmendën: “Fisheku në pajë”, “Njeriu me top”, “Epoka para Gjyqit”, “Monserati”, “Kur shpirti ndërron jetë”, etj.

Ka luajt në role kryesore në dhjetëra filma artistik, më të njohurit janë: “Gjurmë të bardha ” (1980), “Kur pranvera vonohet ” (1979), “Era dhe lisi ” (1979).

Në dramën televizive “Epoka para gjyqit” të regjisorit Ekrem Kryeziu, shkëlqeu dhe vërtetoi edhe një herë epitetin Aleksandër Moisiu i Kosovës.

Në vitin 2017, Teatri i Qytetit të Gjakovës u emëruar me emrin e aktorit të madh të skenës gjithë kombëtare, Hadi Shehu dhe sot teatri mban emrin “Teatri i Qytetit-Hadi Shehu”. 

Ndërsa sot, në katër vjetorin e vdekjes së aktorit të njohur, atë e ka kujtuar edhe miku i tij Haqif Mulliqi, i cili duke shprehur dhimbjen për mungesën e tij, njëkohësisht e vlerëson lart edhe artin e Shehut.

“Hadi, vëllai
U bënë katër vjet nga kalimi yt në amëshim. Ikja jote ma mbushi zemren me dhembje! Në këtë botë, ishin të rrallë artistët dhe njerëzit si ti, vëllaçko! Por jeta është e këtillë.
Prehu në paqen tënde, Artist i madh.
Po na mungom shumë”, shkruan Mulliqi. / KultPlus.com

Një ikonë e papërsëritshme si Bekim Fehmiu

Bekim Fehmiu paraqet personalitet që zakonisht një populli mund t’i ndodhë vetëm një herë gjatë një shekulli, e pastaj të vazhdoj të jetojë për shumë shekuj. Ai madje pat refuzuar të ndryshonte emrin e tij për dhjetëra miliona dollarë  nga një shtëpi e njohur producente italiane filmash, e cila kërkoi që talentin e tij ta paraqes si talent italian. I vetmi nga e gjithë Evropa Lindore, ai luajti në shumë filma amerikanë e evropianë me shumë yje botërore.

Bekim Fehmiu kishte një personalitet unik, por zotësia e tij artistike ishte e tillë që ai të mund të luante dy personazhet e pazgjedhur. Në pyetjen: Çfarë korrelacioni mendoni se keni me personazhet Cagliostro dhe Balsamo, ai u përgjigj: Ne të gjithë mbajmë maska të ndryshme për arsye të ndryshme. Ne mbajmë disa maska, sepse ato përfaqësojnë vërtet atë që duam të jemi. Të tjerët, ne i veshim ato, sepse nuk kemi guximin të përballemi me atë që është me të vërtetë poshtë ose sepse je ajo që dikush tjetër do të kishte nevojë që ne të jemi.

Përveç zotësisë së tij, Bekimi ishte edhe shumë i saktë dhe i disiplinuar, kur merrte ndonjë rol qoftë ai kryesor apo edhe dytësor, ai duhet ta perfeksiononte atë deri në përsosshmëri.

Bekimi ishte i përkushtuar në punë. Ai aty garonte me të gjithë por dhe me veten e tij. Kur duhej të luaj në film tek burri i artistes Michel Morgann, atëherë një muaj mësoi intensivisht gjuhën frënge. Por projekti dështoj. Për filmin ” Aventurierët” duhej të mësoj të luaj golf, sport i rëndë dhe i rrezikshëm.

Ishte aq i qëndrueshëm, por edhe mbahej për gjërat që për të ishin thelbësore. Kur e thirri Dino de Laurentis për filmin “Odiseu”, regjisori Francesco Rossi ishte kundër zgjedhjes së tij.

U shpreh: Nuk vie në konsideratë. Është i ri.

E Dino e ndërpreu dhe ia ktheu: Perënditë përherë janë të ri.

Bekim Fehmiu u përket aktorëve të rrallë vendorë që shijuan famën botërore. / KultPlus.com

Kadri Roshi, aktori i mbi 180 roleve në skenë dhe kinematografi

Sot janë bërë 97-vite nga lindja e aktorit të madh Kadri Roshi.

Kadri Roshi, një yll i kinematografisë dhe skenës shqiptare lindi më 4 janar 1924 në Ballsh të Mallakastrës, i biri i Maksut dhe Sabrie Roshit, me prejardhje nga Libohova. E ëma u nda nga jeta kur ishte 2 vjeç dhe më pas kur ishte 12 vjeç i vdiq edhe i ati.

Përfundoi studimet e larta në Pragë në vitin 1951. Ai e filloi karrierën e tij si aktor në Teatrin Popullor në moshën 21-vjeçare duke qenë edhe një ndër krijuesit e këtij teatri. Që nga ajo kohë ai numëron rreth 180 role në skenë dhe kinematografi.

Nga shumëkush është konsideruar si legjendë e skenës dhe ekranit shqiptar. Ai ka qenë një aktor brilant me një talent të lindur. Në vitin 1995 është nderuar me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik, në vitin 1997 me Çmimin e Madh të Nderit.

Ai është “Nderi i Kombit” nga viti 1999. Emri i Kadri Roshit do të kujtohet gjithnjë si kolos për filmin dhe teatrin shqiptar, ku ai luajti role dhe figura të spikatura, që nuk do të harrohen kurrë. / KultPlus.com

Vdes aktori legjendar Hal Holbrook

 

Hal Holbrook ka ndërruar jetë në moshën 95 vjeçare.

Aktori legjendar ishte i njohur për rolin e Mark Twain në “Mark Twain Tonight”, rol të cilin ai filloi të interpretojë për herë të parë në 1954. Jo vetëm që ai interpretoi në shfaqje, por ai gjithashtu e shkroi dhe e drejtoi shfaqjen.

Holbrook fitoi çmimin “Tony” për aktorin më të mirë për punën e tij në vitin 1966 dhe më vonë u kthye në Broadëay për të përsëritur rolin e tij në vitin 1977 dhe 2005. Ai u shfaq në shfaqje më shumë se 2,200 herë gjatë viteve.

Në karrierën e tij të filmit dhe televizionit, Holbrook fitoi katër çmime “Emmy” për role të ndryshme dhe ai u nominua për një Oskar në vitin 2008 për punën e tij në filmin “Into the Wild”. Në atë kohë, ai ishte aktori më i vjetër që është nominuar ndonjëherë për një Oskar.

Holbrook u martua tre herë. Ai u martua me aktoren Dixie Carter në vitin 1984 dhe ata mbetën të martuar deri në vdekjen e saj nga kanceri në 2010. / KultPlus.com

Aktori Roland Trebicka përkujtohet në 74-vjetorin e lindjes

Teatri Kombëtar kujtoi sot në 74-vjetorin e lindjes aktorin e madh që i mungon skenës dhe publikut shqiptar, Roland Trebicka.

Aktori i njohur më së shumti si “Jovan Bregu”, për shkak të rolit të tij në komedinë “Pallati 176”,  vijon të mbetet në kujtesën e artdashësve si interpretimi që e bëri të njohur.Trebicka u nda nga jeta në moshën 65 vjeçare, pasi nuk ka mundur të fitojë betejën me sëmundjen e rëndë, e cila e mundonte prej kohësh.Aktori Trebicka u kujtua sot edhe nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila tha se “përherë me buzëqeshje do ta kujtojmë aktorin tonë të madh Roland Trebicka. Në ditën e tij të lindjes kujtojmë njeriun që na bëri të qeshnim në kohë të vështira, një nga ata aktorë që arrinte të vishte bukur çdo rol, edhe ata më dramatikët, ndonëse te publiku është ngulitur për rolet e tij komike. Dhe, me artin e tij është aq i gjallë, saqë vetëm kjo datë, ka kuptim për artistë si ai”.

Roland Trebicka lindi në Korçë më 18 Janar 1947. Karriera e tij si aktor fillon me rolin e Kostës, në filmin “Debatik”, më 1961. Ndoshta, që këtu e ardhmja e tij ishte vendosur. Humori spontan, i cili i buron dhe në momentet më të vështira u shqua që në kohën e shërbimit ushtarak, ku shërbeu si aktor në Estradën profesioniste të SHQUP (Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore), e njohur si “Estrada e Ushtarit”.

Vitet në këtë trupë profesioniste ishin për Trebickën stazhi i nevojshëm, që i hapi më pas rrugën drejt Teatrit Popullor, sot Teatri Kombëtar. U bë anëtar i trupës së Teatrit Kombëtar më 1971dhe punoi aty deri në vitin 1999. Pas një përvoje trevjeçare me kompaninë “Publimedia”, u kthye në Teatrin Kombëtar. Në jetën e tij artistike, kulmin e suksesit në publik e arriti me rolin e Jovan Bregut në komedinë “Pallati 176”.

Por rolet e aktorit Roland Trebicka në teatër janë të shumtë. Shikuesit e kujtojnë me nostalgji në rolet e Xhenarinos tek “Magjia e madhe”, Zganarelit tek “Don Zhuani”, Hlestakovit tek “Inspektori” (“Revizori”), te “Një burrë me trandafil”, “Ne të gjithë këndonim Margaritën”, “Darka e të marrëve”, “Jashtë bie borë”, “Stjuardesat”, Kontin Almaviva “Berberi i Seviljes”, Vinsenti “Të gjithë me huqe”, “Një tablo absurde”, “Endrra e Ismail Qemalit” etj. Në vitin 2002, për rolin e Rojës te “Mbreti po vdes”, Trebicka ishte kandidat për Çmimin “Aktori më i Mirë Mbështetës” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental, Kajro.

Ka luajtur edhe në disa filma, ndër të cilët vlen të përmenden “Ëndërr për një karrige” (Vaska) dhe “Koncert në vitin 1936” (Nesti). Për kontributin e tij në skenë, ai është nderuar me titujt “Artist i merituar”, “Mjeshtër i Madh” dhe së fundmi bashkia Korçë i akordoi titullin “Nder i qytetit”./atsh/ KultPlus.com

Vdes aktori Fatmir Xhelili

Ka vdekur në moshën 69-vjeçare aktori i humorit Fatmir Xhelili si pasojë e koronavirusit.

Për 46 vite rresht ai ka interpretuar përkrah emrave të mëdhenj si Fuar Boçi, Luftar Paja, Hajrie Rondo etj. Interpretimi me mjeshtëri i roleve që merrte e bënë Fatmirin një figurë të dashur për publikun.

Për aktorët e teatrit Bylis ndarja nga jeta e Fatmir Xhelilit është një humbje e madhe.

Fatmir Xhelili ka interpretuar gjatë karrierës së tij rreth 180 role në dramë dhe komedi, ku është vlerësuar edhe me 4 çmime të para si aktori më I mirë. Disa nga komeditë që ai ka interpretuar, rolet kryesore janë “Dy dyzina me trëndafila”, “Fejesa e Chehovit”, “Një budalla e gjysmë”, “I burgosuri I katit 15”, etj./TCh / KultPlus.com

Qëllohet për vdekje aktori i njohur amerikan

Vritet me armë zjarri në mes të rrugës në Teksas aktori i njohur amerikan Eddie Hassell.

Ylli 30-vjeçar, i njohur për rolin e tij në filmin e nominuar për çmimin Oscar në 2010, “The Kids Are All Right” u qëllua disa herë jashtë apartamentit të së dashurës së tij në Dallas dhe ndërroi jetë më pas në spital për shkak të plagëve të marra.

Sipas të dhënave paraprake mendohet se Hassell u qëllua gjatë një tentative për grabitjen e makinës, por policia po heton dhe pista të tjera.

Eddie Hassell mbahet mend dhe për rolet e tij në serialin “Surface” dhe atë në filmin biografik për themeluesin e Apple, Steve Jobs. / KultPlus.com

Publikohen disa vizatime që Adem Mikullovci i realizonte gjatë seancave në Kuvend

Artistë në kuptimin e plotë të fjalës. Adem Mikullovci përveç skenën e ekranin, e zotëronte mirë edhe vizatimin, shkruan KultPlus.

Mikullovci i cili vdiq ditën e djeshme në moshën 82 vjeçare, ka lënë një zbrazëti të madhe tek të gjithë ata që e njohën. Ndarja me këtë ikonë të artit kosovar po del të jetë shumë e vështirë.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, ka ndarë disa vizatime të ish-deputetit dhe aktorit të njohur kosovar, Adem Mikullovcit.

Sipas Zybas, këto vizatime artisti i ka realizuar gjatë seancave në Kuvendin e Kosovës.

“Përmes disa fotografive nga vizatimet e çastit të shokut të bankës Adem Mikullovci, në Legjislaturën e VI në Kuvend, kujtojmë dhe nderojmë kontributin e tij jetësorë”, ka shkruar ai. / KultPlus.com

Kushtrim Hoxha: Të mos ekzistoj diskriminimi gjinor se teatri nuk është odë e burrave

Në muajin korrik, Teatrit të Gjakovës “Hadi Shehu” i janë shtuar edhe gjashtë aktorë të rinjë, duke plotësuar kështu trupën e aktorëve të këtij teatri.

Ndërsa ditën e djeshme, ishte Teatri “Adriana” i qytetit të Ferizajt që ka bërë plotësimin e trupës rezidente me tetë aktorë të rijnë.

Kushtet e vëna për këtë konkurs, sidomos pas shpalljes së rezultateve dje nga teatri “Adriana” në Ferizaj, nuk janë përkrahur nga artistët të cilët nuk janë vonuar me reagimet e tyre, shkruan KultPlus.

Mos përzgjedhja e aktorit Shpëtim Selmani në trupën rezidente të Teatrit të Ferizajt, ka bërë që aktori Shkumbin Istrefi të reagojë menjëherë. Sipas tij, Selmani është në mesin e aktorëve më të talentuar që kemi.

“Degjova qe aktori Shpetim Selmani nuk qenka pranuar ne ansambel ne Teatrin e Ferizajit. Sipas meje, Shpetimi eshte ne mesin e aktoreve me te talentuar dhe te ngritur qe kemi.
Kjo mund te jete fat per Teatrin Kombetar. Shpetimi e ka vendin ne Teatrin Kombetar”, ka shkruar Istrefi.

Për mënyrën e vlerësimit ka reaguar sot edhe aktori Kushtrim Hoxha. Ai është shprehur se kjo mënyrë vlerësimi që po praktikohet për zgjedhjen e aktorëve është diskriminuese dhe fyerje për aktorin. Ai gjithashtu ka reaguar edhe për diskriminimin gjinor që po bëhet në teatër.

“Eshte shume mire qe teatrot ne Kosove po punsojnë aktoret, mirpo menyra e vlersimit dhe qasja me duken shume gabim. Sidomos ky verzioni me komisione vlersuese me pike shume diskriminues dhe fymje per aktorin.
Gjithashtu te mos egzistoj daskriminimi gjinor se teatri nuk eshte ode e burrave.
Dhe gjithashtu idea qe nje aktor duhet te jete gjithsesi prej nje qyteti ose rajoni te caktuar qe te pranohet ne pune eshte mendesi shume lokaliste dhe per mendimin tim do ta demtoje rande teatrin e Kosoves ne te ardhmen”, ka shkruar Hoxha. / KultPlus.com

Arben Bala bëhet aktori i parë shqiptar me rol kryesorë në një serial ndërkombëtar

Është bërë pjesë e shumë filmave e serialeve të famshme, kryesisht në Norvegji. Aktori shqiptar, Arben Bala nuk i ka munguar as skenës shqiptare. Kur është fjala për filma aksion, Bala është ndër aktorët e parë që ju bie në mend regjisorëve, shkruan KultPlus.

Një projekt gjigant në Norvegji tashmë ka marrë hovin. Bëhet fjalë për serialin “Jordbrukerne” ku aktori Bala po bart mbi supet e tij rolin kryesorë.

Kjo njëherit e bënë atë si aktorin e parë shqiptarë me rol kryesorë në një serial ndërkombëtarë.

Aktori Arben Bala ka treguar për KultPlus se ky rol është ndër më të mëdhenjtë që ka pasur deri më tani dhe kjo padyshim që e bënë tejet të lumtur, por njëkohësisht gjithë këtë projekt e sheh edhe shumë sfidues.

“Xhirimet po shkojnë në formën më të mirë, kjo padyshim pasi që është një projekt gjigand dhe me një ekip tejet profesional. Nuk kam fjalë të përshkruaj sa i lumtur jam sepse ky rol është jashtëzakonisht i rëndësishëm për karrierën time. Jam duke marrë kritika shumë të mira për punën që po e bëj e kjo po shndërrohet në forcë e vullnet që të jap më të mirën nga vetja”, ka thënë Bala për KultPlus.

Projekti është një seri dramë satirike prej 8×45 minuta, e cila do të transmetohet në NRK, dhe është prodhuar nga Rubicon.

Sipas aktorit, seriali bën fjalë për një grup fermerësh shumë të pazakontë në një fshat në Telemark. Katër burra lëvizin nga skaji lindor i Oslos në një fermë në Telemark. Ata presin të përballen me disa paragjykime dhe ksenofobi nga banorët e fshatit, por ndodh e kundërta. Në Telemark, ata gjejnë një bashkësi rurale shumë gjithëpërfshirëse që i mirëpret me krahë të hapur. Banda Oslo kështu përfshihet në një numër incidentesh në komunitetin lokal. Rezulton gjithashtu se ferma vjen me njëqind dhi për të cilët nuk ishin të përgatitur të ishin përgjegjës. Fermerët janë për gjetjen e kuptimit në jetën ku ju e prisni më pak, në një histori që sillet rreth bujqësisë, miqësisë dhe djathit.

Arben Bala është shumë aktivë edhe në rrjetet sociale. Në profilin e tij në Instagram ai sot ka publikuar një fotografi me simbolin e shqiponjës duke e shprehur dashurinë e tij për vendlindjen. Ai ka shkruar se suksesi më i madh për të është atëherë kur e bën krenarë popullin e tij.

“Çdo sukses timin ja dedikoj vendlindjes time. Kosova përherë në zemrën time. Sukseset mund të jenë të ndryshme, por suksesi më i madh për mu është kur e bëj popullin tim krenarë. Shqiptarë me ju e për ju gjithmonë! Stay tuned, projekte gjigande po vijnë”, ka shkruar Balaj.  

Kujtojmë që falë talentit dhe punës së madhe, Arbeni deri më tani ka arritur të bëhet pjesë e shumë filmave dhe serialeve të njohura norvegjeze. Talenti dhe puna e madhe, i hapën dyert e një prej institucioneve më të mëdha në Norvegji, ato të Teatrit Kombëtar Norvegjez në Oslo, duke u bërë kështu për tri vite rresht aktorë rezident i teatrit. Deri më tani Arbeni ka luajtur më shumë se 16-të filma dhe këtu duke mos i përfshirë rolet në teatër. / KultPlus.com

Vdiq aktori Fuat Boçi

Aktori i mirënjohur nga Fieri, Fuat Boçi, ka vdekur në moshën 89-vjeçare.

Aktori i qindra roleve ka ndërruar jetë në shtëpinë e tij në qytetin e Fierit dhe varroset sot në orën 12:00, raportojnë mediet në Shqipëri.

Fuat Boçi lindi në vitin 1931 në Voshtinë dhe në vitin 1938 familja e tij u shpërngul në Fier.

Boçi ka marrë pjesë në rreth 160 premiera duke luajtur mbi 600 role.

Krahas varietesë, ka luajtur shumë role edhe në pjesë për fëmijë, sikurse ne Teatrin e Kukullave të qytetit.

Fuat Boçi mban titullin “Qytetar Nderi i Fierit” dhe “Artist i merituar”./Ora News/ KultPlus.com

Vdes aktori dhe komiku, Jerry Stiller

Komiku dhe aktori amerikan, Jerry Stiller, ka vdekur në moshën 92 vjeç.

Vdekja e tij është konfirmuar nga i biri i tij, Ben Stiller, përmes një publikimi në llogarinë e tij personale në Twitter.

“Jam i pikëlluar të ju them që babai im, Jerry Stiller, ka vdekur sot nga shkaqe natyrore. Ai ka qenë një baba dhe gjysh i mrekullueshëm, dhe burri më i përkushtuar i Anne për 62 vjet. Mungesa e tij do të ndihet shumë. Të dua, baba”, ka shkruar Stiller.

Ai njihet kryesisht për rolet e tij si George Constanza në serinë komike “Seinfeld”, si dhe në rolin e Arthur Spooner në komedinë tjetër teleizive, “The King of Queens”.

Stiller po ashtu shquhet për rolet në filmat si “Heavyweights”, “The Heartbreak Kid” si dhe dy filmat “Zoolander” ku luan përkrah birit të tij të famshëm, Ben. / KultPlus.com

Shfaqet në Gjermani filmi televiziv për mafian shqiptare, luan edhe aktori Ilir Rexhepi

Jeta Zymberi

Një film që flet edhe në shqip është shfaqur mbrëmë premierë në televizionin e parë gjerman ARD, dhe atë zviceran SFR. Bëhet fjalë për filmin serik “Der Zürich Krimi- Bochert und der tote im see”, shkruan KultPlus.

Në film bëhet fjalë për shqiptarët, për bizneset, traditat, konfliktet dhe luftën e policisë zvicerane kundër mafias shqiptare atje. Përveç që filmi bart një histori që sillet rreth shqiptarëve, në brendësi ka edhe një aktorë shqiptar. Ilir Rexhepi, aktori i cili ka një numër të konsiderueshëm të roleve në filma e seriale në Gjermani, në një intervistë për KultPlus ka shpalosur më shumë detaje rreth filmit dhe rolit të tij aty.

Seriali filmik është realizuar nga Graf Film Produktion dhe Mia Film për televizionin e parë gjerman ARD, ndërsa transmetohet në shumë televizione të ndryshme europiane duke pasur një shikueshmëri të lartë.

KultPlus: Jeni bërë pjesë e filmit serik “Der Zürich Krimi…” në Gjermani i cili mbrëmë pati premierën televizive, fillimisht na trego si erdhët deri te ky bashkëpunim ?

Ilir Rexhepi: Meqenëse u bënë shumë vite që unë veproj si aktor në Gjermani, edhe ky rol rrjedh nga bashkëpunimet kolegiale dhe nga angjentët e mi këtu. Si zakonisht, pas kontakteve tona me Produksionin filmik dhe regjisorin mu më është besuar ky rol.

KultPlus: Filmi bën fjalë për mafian shqiptare të cilët janë në përndjekje të policisë zvicerane, kjo nuk është hera e parë që bëhet film e ku shqiptarët paraqiten si mafiozë, si jeni ndjerë kur e keni kuptuar se për çfarë bën fjalë filmi ?

Ilir Rexhepi: Po zakonisht shumica e filmave të mbrëmjes që prodhohen për  televizionet e këtushme shtetërore si ARD, ZDF, WDR etj. përmbajnë skanarë të ndryshëm krimi, prandaj filmat apo seritë e përzgjedhura javore titullohen si psh. “Të ejtën Krimi” etj. Kësaj radhe në këtë pjesë ngjarja zhvillohet për disa shqiptarë, për biznese, tradita, dashuri dhe konflikte brenda disa grupeve të ashtuquajtura si “mafia-s shqiptare”. Këtu flitet për figura protagoniste dhe antagoniste shqiptare, prandaj shqiptarët në role të filmit paraqiten edhe të mirë – në këtë ngjarje filmike të zhanrit dramë-krimi.

Ta marrim shembull njërin nga filmat më të mirë në kinematografinë botërore “The Godfather” nga regjisori Francis Ford Coppola ku rrëfehej për mafian italiane, film i ka thyer të gjitha rekordet por edhe i ka bërë italianet edhe më prezentë në artin e kinematografisë botërore. Prandaj, filma të tillë të nivelit të lartë kinomatografik, pavarësisht skenarëve mendoj që do ishin pozitiv edhe për ne.

KultPlus: Mendon që shqiptarët shihen si mafia në vendet evropiane apo ky perceptim ka ndërruar dhe nuk qëndron?

Ilir Rexhepi: Mendoj se për dallim ndoshta nga kohërat e mëhershme, shqiptarët shihen tani për të mirë, njerëz familjarë, punëtor me biznese të suksesshme në këto vende Evropiane. Filmat flasin për ngjarje dhe personazhe, pavarësisht çfarë nacionaliteti kanë ato.

KultPlus: Në këtë film gjithçka sillet rreth shqiptarëve, po gjuha shqipe a përdorët në film, nëse po jeni ju apo ndonjë aktorë tjetër që flisni shqip ?

Ilir Rexhepi: Ka disa fjalë që fliten në gjuhën shqipe, kam pasur dëshirë të flisja edhe unë por jo, unë luaj vetëm në gjuhën gjermane.

KultPlus: Cili është roli juaj në këtë film serik ?

Ilir FRexhepi: Roli im përshkruan një shqiptar që jeton në Zvicër i quajtur Zef Leka, personazh ky që ndërlidhet me ngjarjen e grupit të një rrjeti mafioz, njëri nga bosët e tyre që luftojnë për t´i mbajtur rrjetet dhe bizneset e tyre në kontroll.

KultPlus: Cilat ishin komentet e regjisorit apo aktorëve për shqiptarët, prapa kamerave ?

Ilir Rexhepi: Ishte kënaqësi e madhe për mua të dëgjoj aq mirë për shqiptarët në Zvicër, isha i vetmi shqiptar brenda një ekipi aq të madh filmi aty. Zviceranët dhe ekipi i filmit flisnin shumë mirë për shqiptarët atje, ishin krenarë për ta, sidomos për sport por edhe konsideroheshin pjesë e rëndësishme dhe e suksesshme mes popullit zviceran. Prandaj, u gëzohesha shumë dhe e kam thënë disa herë, shqiptarët janë faktor shumë i rëndësishëm dhe i mirë në Zvicër dhe kjo është për çdo lëvdatë!

KultPlus: Sa seri do ti ketë filmi ?

Ilir Rexhepi: Ky serial filmit realizohet nga viti 2016 dhe do të vazhdojë edhe më tutje.

KultPlus: Si është të bashkëpunosh me produksione të tilla, ku dihet që janë shumë profesional dhe përbëhen nga ekipe të mëdha ?

Ilir Rexhepi: Po tashmë mbas një përvoje gjashtëvjeçare pune me produksione filmike këndej, konsideroj se është më i lehtë bashkëpunimin profesional me ekipe të mëdha filmi. Gjithçka është e parapërgatitur në nivel profesional që aktori të ndjehet mirë dhe i privilegjuar sipas kontratës me produksionet filmike.

KultPlus: Sa beson në suksesin e këtij filmi serik ?

Ilir Rexhepi: Mbrëmë është mirëpritur pjesa në të cilin unë kam luajtur, ka pasur një shikueshmëri prej 7.14 milion në Gjermani. Mendoj se në reprizat e shumta në televizione të ndryshme do të jetë gjithashtu i shikuar. Sot lexova një shkrim kritik në media, ku shquhej për qasje tjetër dramatike të kësaj pjese duke përfshirë edhe lojën e aktorëve në nivel të lartë. 

KultPlus: Na trego për projektet tjera në të cilat jeni i angazhuar për momentin apo që priten në të ardhmen ?

Ilir Rexhepi: Para dy muajve kam përfunduar xhirimet për “Sankt Maik”, një serialin televiziv i zhanrit Komedi-dramatike që realizohet për televizionin gjerman RTL. Ishte knaqësi të punojë me njërin nga Produksionet më të mëdha gjermane siq është „UFA FICTION“ por edhe me kolegë të mirënjohur si Daniel Donskoy, Bettina Burchard, Vincent Krüger, Marie Burchard etj. Regjinë e këtij cikli do ta bëjë regjisori i mirënjohur Markus Sehr, i njohur nga Kinofilmat „Eine Insel namens Udo“, „Die kleinen und die Bösen“ etj. Xhirime janë bërë kryesisht në qytetin e Kölnit me rrethinë. Gjithashtu këtij viti kam luajtur në radiodramën “Solo für Kruske” të realizuar për Radiotelevizionin gjerman WDR me regji të Thomas Werne. / KultPlus.com

https://www.daserste.de/unterhaltung/film/der-zuerich-krimi/sendung/der-zuerich-krimi-borchert-und-der-tote-im-see-100.html?fbclid=IwAR1nV4e9bfvcor4wO5n4H5Ad9Xv4ZGeIhsOGEtOQSb5jzZzglRyTO0b4-0I

Vdiq aktori bollywoodian Rishi Kapoor

Sot më 30 prill 2020 ka vdekur aktori i njohur i Bollywoodit Rishi Kapoor, në moshën 67-vjeçare.

Siç njofton CNN, veterani bollywoodian Kapoor vdiq në spital pas 2 viteve luftë me leukemi.

Lajmin e kanë konfirmuar vet familjarët e Kapoorit, transmeton Koha.

Kapoor u diagnositifkua me leukemi në vitin 2018 dhe u kthye në Indi nga New York-u për kaluar kohën me familje.

Kapoor bëri emër në botën e Bollywoodit që prej vitit 1970, ku si fëmijë luajti në filmin “Mera Naam Joker”.

Rolin e tij kryesor e luajti në vitin 1973 në filmin “Bobby”, duke fituar edhe çmimin Oskar si aktori më i mirë.

Në karrierën e tij numërohet më shumë se 100 filma, duke luajtur në rol kryesor ose dytësor. / KultPlus.com

Vdes aktori indian i filmit Slumdog Millionaire

Aktori i Bollywood-it, Irrfan Khan, i njohur ndërkombëtarisht për rolin e tij në filmat, Slumdog Millionaire dhe Jurassic Park, ka vdekur në moshën 53-vjeçare.

Khan ka vdekur në një spital në qytetin perëndimor të Indisë, Mumbai, ka njoftuar agjencia e tij për marrëdhënie me publikun.

Më 2018, Khan pati njoftuar përmes një postimi në Twitter se është diagnostikuar me tumor endokrin.

Ai më vonë i ishte nënshtruar trajtimit në një spital në Londër.

Dy muaj pasi ka bërë publike diagnozën që ka, ai pati shkruar një letër të hapur për përvojën e tij gjatë trajtimit me kancer, duke reflektuar në “intensitetin” e dhimbjes dhe “paqartësitë” e jetës.

Më 2013, Khan pati fituar Çmimin Kombëtar për Film në Indi, për rolin e tij në filmin, Paan Singh Tomar, përkatësisht portretizimin e një atleti që bëhet më vonë bandit. / KultPlus.com

Ylli i skenës dhe ekranit, Ndriçim Xhepa feston 63-vjetorin e lindjes

Pa më të voglin hezitim, ai është aktori që spikati deri edhe me rolet më të vogla. Ndriçim Xhepa, feston sot, 63-vjetorin e lindjes. Pa portretin e tij, ku lexohet qartësisht ndjeshmëria e lartë artistike, eleganca dhe fisnikëria, kinematografia shqiptare nuk do ta kishte këtë spektër nuancash e profilesh.

Ndriçim Xhepa u lind në Tiranë, më 21 Janar 1957. Që prej përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve më 1979, z. Xhepa ka interpretuar në mbi 30 role në teatër, ndër të cilat mund të veçojmë: Arseni në Dramën “Nën dritat e skenës” e Ruzhdi Pulahës, Prometeun në dramën me të njëjtin emër të Viktor Eftimiut, për të realizuar më pas figurën e pasionante të Romeos në tragjedinë e famshme të Uilliam Shekspirit: “Romeo dhe Zhuljeta”. Për interpretimet e roleve e tij, ai është shpallur 3 (tre) herë fitues i Kupës për ‘’Aktorin më të Mirë” në ‘Festivalet e Filmit’ në vitet: 1987, 1989 dhe 2000; 2 (dy) herë fitues i Çmimit “Aleksander Moisiu” për “Aktorin më të Mirë” në ‘Festivalin Kombëtar të Teatrit’ me 1986 dhe 1995. Gjithashtu, ai mban titujt “’Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës’’. Pikën kulminante të karrierës, ai e arriti me interpretimin e rolit të Fernandos në vitin 1995 në Dramën “Fernando Krafti më ka shkuar këtë letër” e T. Dorstit. Më pas me rolin e Xhejmsit në komedinë “Kapitulli i Dytë” e Nail Saimonit, ku ndryshoi formatin dhe u fut në zhanrin e komikes dhe lirikes.

Xhepa ka pasur një karrierë mjaft të suksesshme edhe në kinematografi.

Ai ka interpretuar rreth 30 role kryesore, por vëmendjen e tërhoqi për lojën psikologjike në rolin e Fredit në filmin “Hije që mbeten pas” (1982). Në vitin 1988 mishëroi me dramacitet rolin e Tomës në filmin “Flutura në kabinën time”. Më 1998, mbërrin në një nga figurat më të realizuara, sikurse ishte ajo e Alush Beut në filmin “Dasma e Sakos”. /KultPlus.com