Kushtrim Hoxha: Duhet të keni një ëndërr, unë kam sakrifikuar shumë për të realizuar ëndrrën time


Të kesh ëndrra të mëdha dhe të punosh për realizimin e tyre, do të thotë që t’i beson në fuqinë tënde në radhë të parë dhe në atë që ai që punon edhe shpërblehet. Një mision të tillë ka ndjekur edhe aktori kosovar Kushtrim Hoxha. Si shumë të tjerë, edhe Kushtrimi u largua nga Kosova drejt SHBA gjatë kohës së luftës në Kosovë, por jo si shumë të tjerë, ai punoi fort dhe e shfrytëzoi këtë rast për të arritur edhe ëndrrat e tij, vazhdimin e studimeve për aktrim. Hoxha, aktori i cili karrierën e tij e filloi me disa shfaqje në Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin Dodona, Teatrin e Gjakovës, dhe shumë teatro regjionale dhe festivale të ndryshme ndërkombëtare, ai vazhdoi suksesshëm rrugën e tij si aktor, duke u bërë kështu pjesë e shfaqjeve, filmave e serialeve të famshme, kryesisht në Neë York. Rolet ndërkombëtare të aktorit kosovar, duke përfshirë këtu serialin e famshëm amerikan “Elementary”, “BlueBloods”, “Person ofinterest”, si dhe “The Americans”, bën që zëri i Kushtrimit të dëgjohet dhe emri i tij të lartësohet, për të fituar kështu edhe role të reja. Deri më tani vetëm në SHBA, Hoxha numëron më shumë se gjashtë role në seriale televizive, dy filma dhe rreth 12 role në teatër. Për të shpalosur më shumë rreth sfidave, sukseseve, mundësive dhe jetës si aktor në SHBA, Kushtrim Hoxha me një modesti të jashtëzakonshme që e karakterizon, në një intervistë për KultPlus rrëfen këtë periudhë interesante, sa të vështirë aq edhe të suksesshme për të.


Jeta Zymberi

KultPlus: Qysh në fëmijëri keni filluar të merreni me aktrim, por shkollimi juaj në degën e aktrimit në SHBA ju ka bërë një aktor profesionist, fillimisht karrierën e nisët në Kosovë por e vazhduat në SHBA, si e përshkruani këtë kapërcim?

Kushtrim Hoxha: Ka qenë rrugëtim interesant . Studimet e mia të aktrimit kanë filluar në Akademinë e Arteve në vitin 1996 për tri vite deri në vitin 1999, unë kam qenë në vitin e tretë të aktrimit kur ka filluar lufta në Kosovë dhe unë kam përfunduar si refugjat në SHBA. Në Amerikë për fat të keq nuk mi pranuan vitet e mëparshme të fakultetit që kisha bërë në Kosovë , kështu që mu desh të filloj edhe njëherë nga fillimi në Universitetin e North Carlines në Greensboro ku pas 4 viteve, në vitin 2003 diplomova, pastaj jam kthyer në Kosovë deri në vitin 2012, kur jam pranuar për Master në Universitetin e San Diegos dhe Teatrin Old Globe, dhe nga ajo kohë jetoj në USA.

KultPlus: Ju tashmë numëroni disa role të rëndësishme ndërkombëtare, por cili rol është më domethënës për ju?

Kushtrim Hoxha: Çdo rol është i rëndësishëm për mua edhe ne çdo rol që e luaj gjej diçka të re që më intrigon. Në Amerikë rolet që kam pasur në seriale televizive nuk është se janë role të mëdha dhe që kanë një thellësi të jashtëzakonshme, mirëpo unë mundohem që edhe në ato role të bëj më të mirën që mundem. Mund të them se për çdo rol të ri që marr mundohem të jap maksimumin dhe të mishërohem me personazhin që luaj.

KultPlus: Rrugëtimin tuaj ndërkombëtar në aktrim po e vazhdoni suksesshëm, cilat janë projektet me të cilat është angazhuar Kushtrimi së fundmi?

Kushtrim Hoxha: Para pak ditësh kam përfunduar një film të metrazhit të shkurtër, filmi quhet ‘Jane’ nga një regjisor i ri shumë i talentuar Joey Schëeitzer. Momentalisht nuk kam ndonjë angazhim tjetër, mirëpo vazhdoj të marr pjesë në audicione dhe shpresoj në projekte të reja dhe sfiduese.

KultPlus: Të jesh aktor në Kosovë dhe SHBA, padyshim që është një ndryshim i madh, por ku e sheh të metën më të madhe të aktrimit në Kosovë?

Kushtrim Hoxha: Nuk shoh ndonjë të metë të aktrimit në Kosovë, përkundrazi unë mendoj që aktorët e Kosovës janë aktorë shumë të mirë duke marr parasysh në kushtet në të cilat punojnë. Kohët e fundit ka pasur një ngritje të madhe të cilësisë në filma, apo teatër, projekte që kanë vënë në pah shumë aktor/e të talentuar. Në anën tjetër unë mendoj që është shumë më vështirë të jesh aktor në Neë York se sa në Kosovë. Puna e aktorit për fat të keq është e njëjtë gjithkund në botë, është punë shumë e vështirë, jo të gjithë aktorët që studiojnë për aktrim përfundojnë si aktorë. Në NY ku unë jetoj, janë vetëm të regjistruar diku 150 mijë aktorë, mirëpo shumë prej tyre edhe nuk arrijnë të punojnë për shkak të konkurrencës së madhe dhe përfundojnë duke bërë punë të tjera që sigurojnë ekzistencën.

KultPlus: Karriera juaj është më shumë e fokusuar në SHBA, por nuk mungoni as në projektet shqiptare, ju kishit rolin kryesorë te filmi “Nëntor i Ftoftë”, si është të punosh me regjisorët shqiptarë?

Kushtrim Hoxha: Po kam pasur fatin të jem pjesë e filmit “Nëntor i ftoftë” , ka qenë privilegj për mua të marr ftesë për këtë rol dhe kënaqësi e veçantë të punoj me regjisorin Ismet Sijarina, i cili ka bërë një punë të mrekullueshme me filmin, producentin/ aktorin Fatmir Spahiu, partneren time në film Adriana Matoshin, dhe gjithë ekipën e këtij filmi. Marrë parasysh buxhetin e ulët që ka pasur filmi dhe kushtet në të cilat punohet filmi në Kosovë, atëherë unë besoj që regjisori dhe producenti ja kanë arritur të bëjnë një film të mrekullueshëm me të cilin morëm pjesë në disa festivale shumë të mëdha dhe u prit shumë mirë.

KultPlus: Po me këtë rol, ju u bëtë edhe fitues i çmimit ‘Aktori më i mirë’ në Festivalin e Filmit të Bosforit në Stamboll, a e keni pritur këtë çmim

Kushtrim Hoxha: Jo nuk e kam pritur se do të fitoj sepse në konkurrencë kam pasur aktorë me shumë më tepër eksperiencë se sa unë, aktor fantastik, kështu që ka qenë një befasi e këndshme. Për mua ka qenë me rëndësi që filmi ka pasur rrugëtim të mirë, dhe kemi pasur një tregim të viteve të 90-ta, tregim që është dashur të tregohet, një testament për gjeneratat e ardhshme që nuk kanë qenë të lindur në atë kohë. Mirëpo, edhe ky çmim nuk është meritë e imja por e gjithë ekipit të filmit pa dallim, që më kanë ndihmuar ta punoj rolin.

KultPlus: Keni xhiruar përkrahë yjeve të njohura të filmit, si është të punosh me ta dhe çfarë mendimi kanë ata për shqiptarët?

Kushtrim Hoxha: Ka pasur raste kur disa nga aktorët dhe regjisorët kanë dashur të dinë më shumë kush jam dhe nga vij, në raste të shumta nuk është se dinë shumë për Kosovën, unë gjithmonë flas me krenari dhe jam i hapur për biseda interesante rreth vendit prej nga vij.

KultPlus: Ju gjithashtu keni qenë aktiv edhe në muzikë, a keni në plan ndonjë projekt të ri muzikor?

Kushtrim Hoxha: Për fat të keq nuk është se jam marr me muzikë kohën e fundit, kam shumë tekste e këngë që mund t’i punoj, mirëpo ende nuk e kam gjetur kohën e duhur. Shpresoj në një të ardhme të afërt të punoj një këngë te re.

KultPlus: Cili është mesazhi i Kushtrimit për të gjithë të rinjtë shqiptarë që synojnë tregun ndërkombëtarë?

Kushtrim Hoxha: Nuk e di saktësisht përgjigjen për këtë pyetje, mund të cek vetëm disa gjëra nëpër të cilat unë kam kaluar, kam sakrifikuar shumë, kam punuar shume, kërkohet një disiplinë e jashtëzakonshme , duhet të jesh i gatshëm të ballafaqohesh me refuzime, mirëpo gjëja më e rëndësishme është të bësh punën që e do me dashuni e respekt, t’i duash dhe respektosh njerëzit që të japin përkrahje e të mësojnë, dhe të kesh një ëndërr. Të tjerat vijnë vet.

KultPlus: Si do ta përshkruani vitin që po lëmë pas me disa fjalë?

Kushtrim Hoxha: Ka qenë një vit interesant me ngritje e zbritje, mirëpo në përgjithësi një vit pozitiv. Shpresoj që në vitin 2019 të ketë më shumë dinamikë, punë, projekte interesante dhe paqe dhe dashuri për të gjithë. /KultPlus.com

Art Lokaj: Mesazhi im për prindërit kosovarë, t’i përkrahin fëmijët e tyre në çdo rrugëtim

Alberina Haxhijaj

KultPlus ju sjellë intervistën e realizuar me aktorin e ri por shumë premtues, Art Lokaj. Arti ka shpalosur kujtime nga xhirimet e tij të para, dashurinë që ka marrë gjatë xhirimeve në Kosovë dhe sfidat të cilat po i hasë tani në Amerikë. Viti 2018 ka qenë një vit i cili ka sjellë ndryshime të shumta në jetën e Art Lokajt. I vogël por i roleve kryesore, Arti mishërohet lehtësisht me çdo rol që i ofrohet. Për këtë fundvit, po e sjellim Artin në këtë formë.  

KultPlus: Si lindi dashuria e Artit për aktrimin?

Art Lokaj: Në rolin e parë që e kam marrë. Isha 6 vjeç në filmin “Rooftop story” të regjisorit Gazmend Nela. Aktori Xhevdet Doda në një takim të rastësishëm me mamin (Arbana Xharrën) gjatë DokuFest-it në Prizren, i tregon se në një projekt filmik po e kërkojnë një djalë 6 vjeçar dhe e pyet mamin se sa vjeç janë fëmijët. Me dërgoi mami në audicion pas disa ditësh dhe e fitova rolin. Ka qenë hera e parë për mua dhe më shumë gëzohesha për ditët e xhirimit për stafin me të cilët kisha shumë afërsi. Mbaj mend skenat kur duheshim që t’i përsëritnim, ishte e lodhshme. Kam pasur një skenë ku unë kam pasë të pijë ujë dhe sa herë kthehej skena unë pija dhe dikur mu fry barku shume sepse e kisha tepruar.

KultPlus: Jeni rritur në mes të sportit, aktrimit dhe gazetarisë, profesione të familjarëve tuaj. Si ndikoi kjo tek ju dhe cila fushë mbetet më e preferuara për ju?

Art Lokaj: Sporti në fillim, futbolli ndoshta për shkak se babi (Andin Lokaj) ishte tërë kohën në televizion, edhe qysh të vegjël kemi nisë bashkë me vëllain Andin të luajmë. Gazetaria më pëlqen sepse shkoja shpesh tek mami në redaksi dhe më pëlqente era e letrës së gazetës dhe më bënte përshtypje sa shumë shkronja ishin të radhitura nëpër faqe. Kur nisa me aktrim mami më thoshte se i kam ngjarë gjyshit, aktorit Selman Lokaj. Unë mendoj se talentin e kam trashëguar nga familja dhe se ky do të jetë profesioni im.

KultPlus: Jeni në fillim të karrierës suaj në aktrim. Si do e përshkruanit këtë fillim, çfarë e karakterizon atë?

Art Lokaj: Unë kam luajtur në disa filma të shkurtër por edhe dy të metrazhit të gjatë. Më pëlqen arti i aktrimi se futesh në rol sikurse je në një botë tjetër dhe vet ti në një trup të huaj.

Më pëlqen gjithçka rreth aktrimit, prej skenarit kur nisi ta mësoj, e deri tek puna me staf, është kënaqësi e madhe të punosh me njerëz të filmit, me të gjithë jo vetëm aktorët, por edhe stafi teknik edhe vozitësit të gjithë kanë qenë shumë të mirë me mua dhe dua ti falënderoj secilin.

KultPlus: Jeni me moshë shumë të re, mirëpo keni arritur që përgjatë punës suaj të keni përkrah regjisorë të njohur. Sa ka ndikuar kjo tek ju?

Art Lokaj: Unë kam pasur fatin të punoj me regjisoren Lendita Zeqiraj, ajo ka luajtur një rol të madh në fillimin e karrierës sime.

Lendita më ka dhënë rolet kryesore në dy projektet e saj filmike, “Gardhi” i  metrazhit të shkurtër dhe “Aga” – film i metrazhit të gjatë. Falë punës së saj të mrekullueshme unë kam marrë pjesë në festivale të mëdha në Amerikë. Ndërsa në filmin ‘Aga’ i cili ende nuk është shfaqur ka qenë një eksperiencë mahnitëse, kisha një mbështetje të madhe të Lenditës. Isha disa muaj me ta deri natën vonë, hanim bashkë, luanim në pauzë, nuk do ta harroj kurrë atë përvojë. Dua të përmend edhe Basri Lushtakun me të cilin kemi luajtur në këtë film, ai më ka trajtuar sikur djalin e tij jo vetëm gjatë xhirimeve. Po ashtu me Rosafa Çelajn ka qenë eksperiencë shumë e mirë. Unë të gjithë këta i konsideroj më shumë se kolegë, këta janë familje për mua.

KultPlus: Deri tani keni qenë pjesë e disa filmave duke përfshirë këtu  “Gardhi”, “Aga’s House” dhe “Rooftop Story”. Çfarë mësuat gjatë këtij rrugëtimi dhe sa ka ndryshuar Arti përgjatë këtyre projekteve filmike?

Art Lokaj: Unë kam mësuar shumë dhe më është dhënë mundësia që të shfaqem nëpër kino, nëpër festivale të mëdha të filmit, nëpër botë të krijoj miq e kolegë të mrekullueshëm. U jam shumë mirënjohës dhe suksesin tim gjithmonë do të ia dedikoj të gjithë atyre që më mbështetën. Unë e dua aktrimin sepse loja në film edhe në teatër më bën të lumtur. E dua botën e aktorëve. 

KultPlus: Tashmë po synoni edhe një karrierë filmike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si mund ta përshkruani gjithë këtë eksperiencë?

Art Lokaj: Unë kam pasur disa audicione, në më të rëndësishmin atë për rolin në “Madam Secretary” u njoftova me aktorin Eric Stoltz, i cili edhe më përzgjodhi nga audicioni. Pasi kisha eksperiencën nga Kosova e mësova tekstin shpejt dhe isha i vetmi në audicion pa letër përpara. Kur u futa në dhomën e audicionit më pyetën se ku e kam skriptën, u thash se e kam memorizuar. Ata me kërkuan të shkoj sërish ditën tjetër, isha shumë i lumtur. Kam pasur shfaqje në teatër të New York-ut po ashtu kam marrë pjesë edhe në një garë të madhe në Chicago. Aty jemi prezantuar me monolog para agjentëve dhe kompanive të ndryshme. Shtatë nga kompanitë me kërkuan të takohesha bashkë me mamin, na morën të dhënat për projektet e tyre të ardhshme. 

KultPlus: Rrugëtimin tuaj ndërkombëtar por edhe atë kombëtar në aktrim po e vazhdoni suksesshëm, cilat janë projektet në të cilat jeni angazhuar së fundmi?

Art Lokaj: Ndërkohë jam duke punuar edhe me mësues privat për zë dhe teatër sepse në New York ku jemi të vendosur ka shumë mundësi të mira për në Broadway. Tash kam nisur mësimet private për zë dhe aktrim në teatër me Rance W Wright.

KultPlus: Cili është mesazhi i juaj për moshatarët tuaj të cilët dëshirojnë po ashtu të bëhen aktorë…
Art Lokaj:
Unë kam mesazh për prindërit e tyre, sepse ne si fëmijë e dimë çka na pëlqen por ka shumë rëndësi që të na mbështesin prindërit. Mami jo vetëm që më ka shtyrë nga fillimi por ajo merret me të gjitha edhe me përgatitjet e mia para audicioneve, me monologjet, me udhëtime, me takime. Më flet çdo ditë për rëndësinë e punës, disiplinën e leximit, më jep vullnet duke më rikujtuar suksesin që mund ta arrij nëse punoj me përkushtim. Pra kam mesazh për prindërit, ti përkrahin fëmijët e tyre, fëmijët tuaj…

KultPlus: Dhe për fund, Art, si do ta përshkruani vitin që po lëmë pas me pak fjalë fjalë?

Art Lokaj: Jo shumë i lehtë por shumë i suksesshëm për fillimin e karrierës sime. Jam duke zbuluar sa shumë të jep befasi e kënaqësi aktrimi. Më pëlqen se në Amerikë ka diversitet të kulturave, të gjitha këto së bashku po i sjellim në teatër e në film. Pra ishte një vit që më ka sjellë ndryshime të mëdha. / KultPlus.com

Aktori Afrim Muçaj me gjashtë role kryesore këtë vit

Aktori kosovar Afrim Muçaj është ndër aktorët më të angazhuar gjatë këtij viti. Ai sapo ka përfunduar xhirimet e dy filmave të metrazhit të gjatë, ka nisur realizimin e filmit të tretë, përderisa dy produksione të tjera janë në pritje të nisjes së xhirimeve, ku Muçaj është në mesin e roleve kryesore të këtyre prodhimeve të reja filmike.

Xhirimet për realizimin e filmit “Bolero në vilën e pleqve” kanë nisur në Tiranë dhe lokacione të tjera në Shqipëri. Një ekip i madh artistësh janë bërë bashkë për të realizuar “ëndrrën” e regjisorit të njohur Spartak Pecani, i cili ka shkruar edhe skenarin e tij. Filmi, është duke u realizuar në cooproduksion mes dy shtëpive filmike, Kosovës dhe Shqipërisë, mbështetur nga QKK-të përkatëse. Në këtë film, Afrim Muçaj luan përballë një kaste të mirënjohur aktorësh shqiptarë, siç është Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Gentiana Ramadani, Olta Gixhari, Olta Daku, Ledion Zoi, etj.

Muaj më parë, aktori Muçaj ka qenë pjesë e dy projekteve të tjera filmike. Ai ka luajtur njërin ndër 4 rolet kryesore në filmin “Cirku fluturues” të regjisorit të mirënjohur kosovar Fatos Berisha. Menjëherë pas përfundimit të xhirimeve të “Cirkut…”, Muçaj ka kaluar në sheshin tjetër të xhirimit, atë të regjisorit turk Emre Konuk, i cili kishte nisur realizimin e filmit “Shpata prej druri”, një rrëfim nga Kosova, i mbushur me emocione.

Afrim Muçaj ka thënë se është fatlum që nuk do të mund të pushoj këtë vit. Në muajin nëntor, ai do të jetë në një kastë me aktorin e njohur kosovar Arben Bajraktaraj për të realizuar filmin “Furgoni”, një produksion ky, shqiptaro-francez, nën regjinë e Erenik Beqirit.

Filmi tjetër që pritet të nis xhirimet këtë vit është edhe “I tretuni’ nga Arben Thaçi, një cooproduksion maqedono-kosovar, ku Afrimi sërish do të luaj njërin ndër rolet më me ndikim të tij. Mund të thuhet lirisht se 2018-ta për aktorin Muçaj, është vit shumë i suksesshëm, por të gjithë ata që e njohin e din se ky vit ishte edhe i trishtueshëm. Vdekja e regjisorit, profesorit dhe mikut të tij, Bekim Lumit, ka qenë goditje e madhe jo vetëm për të, por për të gjithë ekipin e aktorëve të shfaqjes “Arturo Ui”, të cilën e prodhoi regjisori Lumi, gjatë kohës sa përballej me sëmundjen e tij shkatërruese. Përmes personazhit të Ernesto Romas, që e kishte realizuar Afrimi në këtë shfaqje, i’u dha lamtumira e fundit maestros së teatrit kosovar Bekim Lumit, gjatë ceremonisë komemorative të tij. “Arturo Ui” vazhdon të shfaqet në sallën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. /KultPlus.com

Shkumbin Istrefi: Shteti mundet me pritë, ndërsa pensionistët nuk presin, sepse vdesin

Aktori i njohur kosovar Shkumbin Istrefi, ka reaguar përmes një statusi në Facebook rreth një çështje të ndjeshme në lidhje me fondet pensionale të bllokuara. Sipas tij një shtet normal duhet të reagoj ndaj kësaj çështje me prioritet, shkruan KultPlus.

Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë të aktorit:

“Nje shtet i cili mendon per popull, ne situaten kur fondet pensionale jane te bllokuara ne Serbi, kish vepru keshtu:
Ia kish dhane popullit pensionet e bllokuara nga fondi i vet, dhe ne kuader te negociatave me Serbine kish kerku me u kthy ai fond. Kjo eshte me prioritet se shume “investime” te tjera”, ka shkruar Istrefi. /KultPlus.com

Pesë interpretime të fuqishme të aktorit Mirush Kabashi (VIDEO)

Mirush Kabashi është një aktor shqiptar i cili numëron rreth 100 role në teatër dhe filma. Kabashi tek publiku mbahet mend veçmas për interpretimet artistike të poezive të ndryshme.

Me interpretimet e tij të disa poezive shqipe, ai ka dëshmuar potencialin e rrallë të një interpretuesi. Shumë poezi janë gjetur, rilexuar pikërisht si rezultat i interpretimit të aktorit Mirush Kabashi. Tonaliteti e përjetimi i tij në secilën strofë arrin të krijojë një komunikim tejet të afërt me publikun dhe këto poezi përjetohen me emocion, e përcillen me duartrokitje gjatë recitimit.

Sot në datëlindjen e 70-të të aktorit të madh, KultPlus ju sjellë 5 interpretime të mahnitshme poezish nga aktori Mirush Kabashi.

https://www.youtube.com/watch?v=ux0EZVg493Y

https://www.youtube.com/watch?v=kUEvrqt-XrI

Mirush Kabashi feston 70-vjetorin, ambasadori i teatrit në skenat botërore

Artisti i Merituar dhe Mjeshtri i Madh i skenës shqiptare, Mirush Kabashi feston sot 70-vjetorin e tij. Ai vijon të përcjellë emocion, me forcën e vërtetë të fjalës shqipe në skenat më prestigjoze të botës.

Me një karrierë shumë të pasur 48- vjeçare, mes skenës dhe ekranit, aktori i mirënjohur vazhdon të punojë intensivisht brenda dhe jashtë vendit, kudo ku ka shqiptarë.

Ai ka lartësuar gjuhën dhe teatrin shqiptar në skenat më prestigjioze të Parisit, Vjenës Kajros, Kievit, Torontos, Athinës, Beogradit, duke marrë duartrokitje dhe vlerësime të veçanta.


Që nga mesi i viteve ’90, kur ngriti në skenë “Apologjinë e vërtetë të Sokratit”, ai punon në mënyrë unike, duke krijuar një profil të veçantë aktorial.

Aktori Mirush Kabashi numëron në karrierën e tij mbi 100 role në teatër dhe më shumë se 20 të tjerë në kinematografi.

Çmimet dhe Nderimet

Pasioni për aktrimin u shfaq që në fëmijëri tek artisti. Interpretimi dhe ngjyrimi emcional i roleve, e veçojnë Mirush Kabashin.

Personazhet e mishëruara nga Kabashi bien në sy për origjinalitet, për elegancën, duke frymuar karaktere me ndryshime të ndjeshme nga njëri te tjetri, të përzgjedhur me mençuri dhe intuitë. Spikat në rolet satirike dhe komike.

Në festivalin Kombëtar të teatrove profesioniste 1989 u shpall “Aktori më i mirë” me rolin e Sadush Nezirit te komedia “Hija e tjetrit” e Ruzhdi Pulahës.

Po me këtë rol, në Festivalin Teatror Ballkanik të zhvilluar në Korinth të Greqisë, u vlerësua ndër aktorët më të mirë. Në vitin 2002 fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist në Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002” me rolin e Nokës në komedinë “Sa mirë bëri që vdiq” të Ilir Bezhanit.

Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi është vlerësuar me “Sfinksin e artë” si interpretuesi më i suksesshëm mes 1000 aktorëve pjesëmarrës nga 46 vende të botës.

Mirush Kabashi, në vitin 2014 u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, duke iu shtuar titujve të fituar më parë “Artist i Merituar”dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”./a.a/ KultPlus.com

Faruk Begolli dhe Astrit Kabashi bashkë në një tavolinë (FOTO)

Aktori Astrit Kabashi është shumë i pëlqyer nga publiku për rolet e tij në projekte të ndryshme filmike.

Ai ka përfunduar Akademinë e Arteve në Prishtinë – dega aktrim, dhe si çdo aktor tjetër i gjeneratës së tij, edhe ai ka kaluar përmes duarve të të madhit Faruk Begolli, i cili njëherësh ishte edhe profesor në këtë Universitet.

Tash e sa vite, Begolli është ndarë nga jeta, teksa studentët e tij vazhdojnë ta kujtojnë atë me mall vetëm përmes fotografive që u kanë mbetur.

Këtë ka bërë së fundmi aktori Kabashi, i cili ka publikuar në llogarinë personale në Instagram një fotografi bardhë e zi, ku shfaqet pranë aktorit Faruk Begolli.

Ndryshe, aktorin do ta shohim në javët në vazhdim në projekte të ndryshme teatrale dhe filmike. / KultPlus.com

Shpëtim Shmili, një meteor mbresëlënës në kinemanë dhe teatrin shqiptar (VIDEO)

Shpëtim Shmili mund të konsiderohet si një meteor që shkëlqen në qiellin e një nate mbushur plot me yje. “Gjenitë thonë nuk jetojnë gjatë dhe Shpëtimi pati një fat të tillë. Por në vitet e karrierës së tij ai dëshmoi se ishte një aktor brilant, një artist i lindur dhe i talentuar.

Aktor i shquar i teatrit “Skampa” dhe një ndër më famshmit e kinematografisë shqiptare. Ai mban titullin “Artist i Merituar”.

Shpëtim Shmili lindi në vitin 1941 në një familje intelektuale të Elbasanit. Përfundoi shkollën Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në këtë qytet dhe fillimisht u emërua mësues në qytetin e Cërrikut e më tej në fshatin Shtërmen.

Por Shpëtimi ishte një talent i lindur për aktor. Në vitin 1960 ai fitoi një konkurs dhe menjëherë u pranua në Institutin e Lartë të Arteve në degën e “Dramaturgjisë”. Studimet i përfundoi me rezultate shumë të mira.

Katër vjet më vonë, në vitin 1964 ai emërohet aktor në teatrin “Skampa”. Në këtë institucion punoi deri në vitin 1994 kohë kur u nda nga jeta. Vitet e fundit ai ishte edhe titullar i këtij institucioni.

Gjatë karrierës 30 vjeçare ai gdhendi në skenë e film nivelin më të lartë artistik e interpretativ. Shmili ka fiksuar në arshivën e artit shqiptar figura të shquara të dramaturgjisë kombëtare e botërore.

Në teatër ai realizoi mbi 40 role të zhanret e dramës dhe komedisë si “Vagabondin” tek “Njeriu që pa vdekjen”, “Selimin” tek “Familja e Peshkatarit”, “Don Ëngjëllin” tek “Shembja e Idhujve”, “Gjyshin” tek Ëngjëjt e Skëterrës”, “Haraç Hildens” tek “Nepërka” etj.

Në kinematografi ai luajti 12 role mes të cilave më të famshme e të njohura për publikun shqiptar janë : Robert Çamçakëzin tek “Horizonte të Hapura”, sinor Valetën tek “Gjeneral Gramafoni”, oficerin gjerman tek “Këshilltarët”, arkeologun tek “Dëshmorët e Monumenteve”, Vurkon tek “Pas vdekjes”, etj.

Ai ka shkruar dramat “Fundi i një intrige”, “Zemër e shqetësuar”, “Telashet e një ndeshjeje”, komedinë me tre akte “Ah kjo traktoristja” etj. Veç këtyre ai shkroi komedi muzikore, gazmore, pjesë për fëmijë për teatrin e kukullave.

Shpëtim Shmili shpalosi një kulturë të përkryer skenike, letrare dhe artistike. Ai zotëronte tre gjuhë, italishten, frëngjishten dhe rusishten. Dy prej tyre, italishten dhe frëngjishten e mësoi si autodidakt.

Me rolet dhe talentin e tij Shpëtim Shmili krijoi karaktere dhe formoi individualitetin që e bënë atë aq të dashur në rrafshin kombëtar.

Personalitete nga vendi dhe bota kanë vlerësuar artin e tij. Viktor Eftimiu e cilësoi atë si “aktor të një spektri të gjerë që mund të matet me aktorë të mëdhenj përtej kufijve shqiptarë”.

U nda nga jeta në vitin 1994 në një moshë shumë të re, vetëm kur ishte 53 vjeç. Ishte pikërisht mosha kur Shpëtim Shmili mund ti kishte dhënë akoma më shumë skenës dhe artit shqiptar. Por megjithatë vepra që ai ka lënë pas shërben si një shembull i lartë frymëzimi.

Bashkim Paheshti: E kush e harron “Robert Çamçakëzin”

Shpëtim Shmili do të mbetet një ndër figurat e paarrira në skenën e teatrit. Do të sjell këtu vetëm një kujtim nga koha kur interpretonte Shpëtim Shmili. Ishin provat e përgjithshme të pjesës “Tokë e Ndezur”. Zakonisht ato bëheshin në tavolinë dhe aktori duhet ta zotëronte pjesën e tij. Në këtë kast merrnin pjesë aktorët e mirënjohur si Demir Hyskja, Kadri Roshi, Astrit Çerma, Pirro Kita dhe mes tyre ishte edhe Shpëtim Shmili. Kur të gjithë duhet të hidhnin ndonjëherë sytë për rolin e tyre, Shpëtimi ka interpretuar sikur të ishte në skenë. Ai e zotëronte aq mirë tekstin saqë të gjithë u habitën. Kadri Roshi dhe Astrit Çerma u ngritën dhe e përqafuan. I tillë ishte Shpëtim Shmili me një kulturë të gjithanshme dhe me disa gjuhë të huaja. Ai shkruante njëkohësisht, përkthente dhe ishte një miqësi e mirë për të gjithë. Ndërroi jetë shumë herët në moshën 53 vjeçare por ka lënë aq shumë role të klasit të lartë sa ne nuk do ta harrojmë. Nuk do të harrojmë rolin me të cilin është skalitur ai siç ishte Robert Çëmçakëzi tek filmi “Horizonte të hapura” . unë mund të them se nuk gjej një profil tjetër të ngjashëm me të dhe tani e kam parasysh këtë personazh me ecjen karakteristike. Për teatrin Skampa Shpëtim Shmili do të mbetet një ikonë me shumë vlera. (Marrë nga Konica.al)./ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=pZp-UqiKylY

Teatri i Qytetit të Gjakovës merr emrin e aktorit Hadi Shehu

Sot është mbajtur mbledhja e shtatë e rregullt e Kuvendit të Komunës së Gjakovës ku janë diskutuar dhjetë pika të rendit të ditës, ndër të tjera edhe ato në fushën e kulturës, përcjellë KultPlus.

Në mbledhjen e fundit për këtë vit të Asamblesë Komunale në Gjakovë, u miratua unanimisht pa asnjë votë kunder dhe asnjë abstenim, pika e rendit të ditës për emërtimin e ri të Teatrit të Qytetit me emrin e aktorit të madh të skenës gjithë kombëtare, Hadi Shehu dhe nga sot e tutje Teatri do të mbajë me përgjegjësi të plotë emrin “Teatri i Qytetit-Hadi Shehu”. / KultPlus.com

Kushtrim Hoxha shumë shpejt me këngë të re (VIDEO)

Aktori dhe këngëtari kosovar, Kushtrim Hoxha i cili po vazhdon me prurjet e tij sidomos në aktrim, ku është bërë pjesë e shumë filmave e serialeve kryesisht në New York, kësaj radhe po vjen me një këngë, shkruan KultPlus.

Hoxha në rrjetin e tij social Facebook ka shpërndarë këngën “Qytetit”, këngë të cilën e solli në vitin 2014, por ai ka vazhduar të tregoj se është në proces të punës për të sjellë një tjetër këngë.

“Ni kange e para 2-3 vjete per qytetin , shiun etj. Ne proces tu e shkru kangen e re, se metem…”, ka shkruar Hoxha.

Këngët e Kushtrimit gjithmonë vijë të veçanta dhe me plot stil, mbetet të shihet se çfarë do të na sjellë kësaj radhe artisti. / KultPlus.com

Katër rolet ndërkombëtare të aktorit Kushtrim Hoxha (VIDEO)

Kushtrim Hoxha, aktori i cili karrierën e tij e filloi me disa shfaqje në Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin Dodona, Teatrin e Gjakovës, dhe shumë teatro regjionale dhe festivale të ndryshme ndërkombëtare, ai vazhdoi suksesshëm rrugën e tij si aktor, duke u bërë kështu pjesë e shfaqjeve, filmave e serialeve të famshme kryesisht në New York, shkruan KultPlus.

Aktori, ka postuar një video ku në të janë përfshirë katër role të rëndësishme ndërkombëtare të tij, kjo video është postuar në ‘Vimeo’.

“Kushtrim Hoxha TV Showreel” shfaq katër nga rolet ndërkombëtare të aktorit kosovar, duke përfshirë këtu serialin e famshëm amerikan “Elementary”, “Blue Bloods”, “Person of interest”, si dhe “The Americans”.

Në “Elementary”, Hoxha ka luajtur në episodin e 19-të. Në këtë serial ai ka luajtur përkrahë aktorëve të famshëm si Lucy Liu dhe Johnny Lee Milerr.

Pas rolit në serialin “Elementary”, aktori shqiptar Hoxha u prezantua në serialin “Person of Interest”, serial i cili transmetohet në CBS. Roli i Kushtrimit në këtë serial ishte ai i një rusi i cili quhet Vasily.

Një tjetër rol i rëndësishëm i Kushtrimit, ishte edhe ai në episodin e parë të sezonit të shtatë të “Blue Bloods”. Në këtë serial Tom Selleck vjen në rolin kryesor, krahas Len Cariou, Bridget Moyahan, e mes tyre edhe Hoxha. Blue Bloods ka nisur për herë të parë transmetimin në vitin 2010-të.

Pas disa roleve në teatër dhe seriale në Amerikë, ai ishte i përzgjedhur të jetë edhe pjesë në njërin nga episodet e serialit të famshëm amerikan “The Americans” i cili punohet me regji të Joe Weisberg. Ky rol ishte i një rëndësie të veçantë për Kushtrimin duke pas parasysh shikueshmërinë e serialit dhe famën e tij.

Këto role ishin jo pak të rëndësishme për aktorin Hoxha i cili po vazhdon suksesshëm rrugën e tij si aktorë duke bërë karrierë ndërkombëtare. Më poshtë po ju sjellim videon e postuar në ‘Vimeo’. / KultPlus.com