Elizabeth Taylor, aktore në më shumë se 50 filmave, është një ndër yjet më të vlerësuara në botë.
Për më shumë se 7 dekada ajo na magjepsi me bukurinë e talentin e saj bashkë me personazhet e saj shumë emocionalë.
Jeta personale e saj gjithmonë ishte një ndër temat kryesore që tërhiqte vëmendjen e medieve, për shkak të tetë martesave të saj dhe sëmundjeve të rënda.
Ja ku janë 7 thënie nga ‘mbretëresha e aktrimit’ për t’iu motivuar!
“Mbushni vetës një gotë, vendosni ca buzëkuq, dhe bëhuni më të forta se kurrë!”
“Unë jam një e mbijetuar – një shembull perfekt se në çka mund të kalojë njeriu dhe të mbijetojë.”
“Supozoj se meshkujt kur arrijnë njëfarë moshe, frikësohen të piqen. Duket sikur sa më të moshuar që bëhen, aq më të reja janë gratë e tyre.”
“Ndihem shumë aventuriere. Ka shumë dyer për tu hapur, dhe nuk kam frikë të shikoj se çfarë ka brenda tyre.”
“Shumë për tu bërë, e kaq pak janë bërë…”
“Nuk më pëlqen çdo gjë që kam bërë, ose që jam, ose që kam qenë. Por unë jam unë. Zoti e di, unë jam unë!”
“Kam kaluar në çdo gjë, e dashur, unë jam nëna e kurajës!”/unikportal/KultPlus.com
Elizabeth Taylor ishte një ikonë e Hollywood-it dhe një aktore që bëri histori në kinema.
Elizabeth Taylor ishte një nga aktoret më të njohura dhe të dashura të kinemasë së Hollywoodit. Ajo lindi në Angli më 27 shkurt 1932 dhe u rrit në SHBA. Karriera e saj fillimisht filloi si aktore e vogël në disa filma, por me kalimin e kohës ajo arriti të bëhej një prej aktoreve më të famshme të botës, shkruan KultPlus.
Taylor ishte një aktore shumë e talentuar dhe ishte e njohur për performancat e saj të fuqishme dhe emocionuese në ekran. Ajo fitoi dy herë çmimin Oscar, një herë si aktore kryesore në filmin “Butterfield 8” në vitin 1960 dhe një herë si aktore e dytë në filmin “Who’s Afraid of Virginia Woolf?” në vitin 1966.
Taylor u bë e njohur për rolet e saj në filma si “Cleopatra”, “Cat on a Hot Tin Roof”, dhe “Giant”.
Aktorja, këngëtarja, prezantuesja dhe diva e ekranit të vogël dhe të madh thuhet se ka ndërruar jetë në shtëpinë e saj e rrethuar nga të dashurit e saj.
“Sandrocchia”, siç e quante Federico Fellini, për të cilën ishte një muzë, ishte një nga aktoret më të njohura të kinemasë italiane.
Sandra Milo, emri i vërtetë i së cilës ishte Salvatrice Elena Greco, lindi në Tunis më 11 mars 1933. Ajo ka luajtur në rreth 70 filma.
Një socialiste në kohën e Bettino Craxi (kryeministër i Italisë nga viti 1983 deri në vitin 1987), me të cilin ka qënë në një lidhje për dy vjet, dhe e dashura e regjisorit Federico Fellini prej 17 vitesh (gjë që e ka rrëfyer për herë të parë në emisionin “Porta a Porta” në vitin 2009), mund të thuhet se ka bërë një film të vërtetë të jetës së saj emocionale.
Në vitin 2021 ajo mori çmimin “David di Donatello” për arritjet në karrierë, i konsideruar si Oscar- e Italisë./atsh / KultPlus.com
Roza Anagnosti, vajza e bukurisë së kristaltë që u bë një nga ikonat e artit tonë skenik, për të mbetur sërish një hir vezullues.
Foto e rinisë, dëshmimi në celuloid i një kohe pa kthim, aradha e vajzës që sfidoi me talent dhe kumtin interpretues që spikat, janë tërësorja e një kujtese dhe urimi, sot në ditëlindjen e Roza Anagnostit. Vajza që nuk u mjaftua vetëm me privilegjin e natyrës, por kërkoi që këtë lëndë të nyjshme ta shndërronte në formatin e një identiteti artistik që në kohëpaskohje erdhi duke konsoliduar, për t’u bërë një nga emblemat e artit tonë skenik. Parakalim në ndërmendjen fotografike të rinisë së Roza (Xhuxha) Anagnosti, i bukurisë së kristaltë të shkodranes që u bë një nga ikonat e artit tonë skenik, është një cytje në kohë e një bukurie dhe një shkasi që rrjedhimisht solli ambicien dhe triumfet skenike.
Ishte dhe mbeti e bukur, si në fotografi, në skenë dhe në përditshmërinë e vajzës së dlirë dhe gruas së përkorë, aktores së talentuar dhe bashkëshortes së dinjitetshme të një regjisori të madh. Luftoi, u përpoq, sfidoi dhe arriti, i’a dorëzoi veten një karriere të suksesshme skenike dhe kinematografike.
Ajo është një hir që edhe sot pas 80 vitesh nuk ka mundur mosha ta zbresë nga piedestali, edhe pse ka lejuar që vitet të rishkruajnë në dritat e një skalitjeje fryme, portretin e Rozës artiste.
Për një njohje më të themeltë të aktores kam huajtur sikurse fotot edhe një nga teksti i mikut tim, Xhahid Bushati të botuar në shqiptarja.com më 1 shtator 2019. Roza Xhuxha – Anagnosti ka lindur, më 27.10.1943, në Tiranë. I ati qe oficer karriere, ndërsa e ëma shtëpiake. Pas vitit 1944, familja Xhuxha vjen të jetojë në Shkodër. Në këtë qytet jetonte familja e gjyshit nga nëna.
Në Shkodër, Roza përfundoi shkollën fillore, më pas të mesmen, shënon Bushati.
Që e vogël shquhej si këngëtare dhe balerinë, të cilat do të rrezatonin në vitet që do të vinin. Ajo është mirënjohëse për jetë mësuesve të palodhur, si: Leonard Deda, Hilë Shahini, Tonin Harapi (në Shtëpinë e Pionierit); kompozitorit Prenkë Jakova (në Shtëpinë e Kulturës). Në kujtimet e saj, Roza shkruan: “… më cilësuan si një vajzë me talent në të ardhmen, ndonëse, më pas ëndrrat nuk i pata të lehta”, vijon ai.
Dënimi i të atit, përjashtimi nga Liceu do të ishin tragjike për jetën e Rozës, e cila donte të bëhej artiste dhe kishte plot ëndrra. Mbi të, nënën dhe motrën do të rëndonin varfëria dhe pasojat e luftës së klasave. Roza vazhdoi gjimnazin “29 Nëntori”. Në të njëjtën kohë jepte dhe provimet me korrespondencë në Liceun Artistik (dega e artit dramatik). Në vitin 1965 diplomohet. Një rreze drite e ftoi për të vazhduar rrugën e bukur të artit. Bëhej fjalë për vitin 1958, kur ishte nxënëse në shkollën e mesme. E ftojnë në premierën e parë të teatrit të estradës. Më pas edhe në teatrin dramatik, në pjesën “Kunora e Nurijes” e dramaturgut Kolë Jakova, me regji të Lec Shllakut.
Në vitin 1961 babai i Rozës lirohet nga burgu. Artistja Xhuxha (Anagnosti) përveç skenës teatrore, pushton dhe ekranin. Ajo interpretoi plot role që shkëlqejnë në panteonin e teatrit dhe filmit shqiptar, por rrugëtimin e saj artistik që e nisi në skenën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, nuk do ta harrojë… Dhe mirënjohjen Roza nuk e harroi. Pas shumë e shumë vitesh ajo erdhi për të lënë “dëshminë” e saj përmes arkivit të pasur e lavdiplotë.
Duke kujtuar filmin, Roza rrëfen përsëri: “Bashkëpunimi im i parë me regjisorin Hysen Hakani është në filmin ‘Toka jonë”. Ai mbetet në kujtesën time shumë i veçantë. Në këtë film Dhimitri ishte operator. Në këtë film ne u njohëm dhe në fund të tij u fejuam me Dhimitrin. Më pas krijuam dhe familjen tonë. Është një film që ka shumë poezi në të gjithë drejtimet. Për mua ai ishte një rol shumë i bukur. Më pëlqente shumë. Regjisori Hysen Hakani kishte shumë humor, ishte kërkues, kishte mënyrën e tij të punës. Në ato vite kishim shumë pak regjisorë. Në fillim kam xhiruar filmin “Detyrë e posaçme” me regjisorin Kristaq Dhamo. Më pas kam xhiruar me regjisorin Hysen Hakani, për të vijuar me xhirime me Viktorin dhe Dhimitrin, e në vijim filma të tjerë. … Po kujtoj një rol tjetër, atë të Files. Roli i Files ishte një karakter shumë i veçantë dhe, unë, pasi bëra kinoprovën, fitova. Në këtë film interpretonte ajka e aktorëve shqiptarë. Përmend këtu aktoren Tinka Kurti që ishte fantastike dhe unë e ëndërroja në atë kohë. Në kohën kur u xhirua filmi isha vetëm 19 vjeçe. … Në atë vit, kur unë kam bashkëpunuar me regjisorin Hysen Hakani isha aktore në teatrin e qytetit të Shkodrës. Ai më kishte parë në teatër dhe më ftoi të bëja një kinoprovë… Filmi “Ndërgjegjja” ishte i këndshëm. Në këtë film isha në rolin e një mësueseje të re. Në film kishte skena dashurie të kohës së atëhershme, kishte romantizëm. Përderisa regjisori Hysen Hakani më mori sërish të interpretoja, besoj se kishte mbetur i kënaqur nga unë në këtë film.”
Rolet…
Roza (Xhuxha) Anagnosti vazhdon të ngjit shkallët e teatrit “Migjeni”. Kalon korridorin dhe i afrohet skenës…, skenës së njohur. Si një imazh, që papritur bëhet real e përmallues, nga arkivi që ka pranë vetes “zgjohen” personazhet që interpretoi… Roza “dorëzohet”… dhe kujton interpretimet në vite, si te: “Dy binjakët Venecianë” (11.01.1959, në rolin e Kolombinës –dublante), “Kunora e Nurijes” (15.03.1959, në rolin e Nurijes, dublante me Tinka Kurtin. Roza këtë rol e ka luajtur 63 herë, kurse Tinka e ka luajtur 19 herë), “Trumpetjerja” (15.07.1959, roli: Zoja Paramanova), “Maskat” (02.07.1960, në rolin e Martës), “Nora” (28.12.1960, në rolin e Norës), “Histori irkutase” (05.04.1961, Zinka), “Gjuetarët e ujqërve” (21.06.1961, Barbulla), “Këneta” (06.11.1961, R. Mushi), “Mësuesja” (07.03.1962, Mësuesja), “Bileta e llotarisë” (09.05.1963, Burbuqja), “Përtej pragut” (27.05.1964, Fata), përfundon Xhahid Bushati.
Ky panoramim njohës është një vlerë trashëguese e thesareve të gjalla të artit tonë skenik dhe i personalitetit interpretues dhe njerëzor të Roza Anagnostit. Kujtesa na ysht në mirënjohje për çfarë kjo aktore dha përmes kontributit të saj interpretues. Ditëlindja na thërret që ne t’i rijetëzojmë ato momente të bukura që ajo na dhuroi përmes roleve dhe karaktereve, personazheve dhe identiteteve që ajo shpirtëro artistikisht. / Albert Vataj / KultPlus.com
Supermodelja e viteve 70 dhe aktorja e njohur në filmat “The Associates” dhe “For Love and Honor”, Shelley Smith ka vdekur në moshën 70-vjeçare, në “Hollywood Presbyterian Hospital” si pasojë e atakut kardiak.
Lajmin e trishtë e ka bërë të ditur bashkëshorti i saj Michael Maguire, përmes një videoje në rrjetin social “Facebook”.
“Asaj i pëlqente të ndihmonte njerëzit. Mbi të gjitha, ajo më ndihmoi mua. Ajo më bëri një person shumë më të mirë se sa do të kisha qenë ndonjëherë. Ne patëm një martesë të mrekullueshme. Nuk di si të vazhdoj pa të”, është shprehur Michael.
Smith filloi karrierën e saj të modelingut në fillim të viteve 1970, duke u futur në ‘Harper’s Bazaar’ dhe duke marrë pjesë në revistat ‘Vogue’, ‘Mademoiselle’ dhe ‘Glamour’. Në vitin 1979, ajo hyri në botën e televizionit dhe luajti nj në filmin “The Associates” së bashku me aktorët Martin Short, Wilfrid Hyde-White dhe Alley Mills.
Nga vitin 1983 deri në 1984, ajo u shfaq si kapiten Carolyn Engel në serialin “For Love and Honor” me Cliff Potts, Yaphet Kotto dhe Gary Grubbs.
Përveç roleve të saj me skenar në ekran, Smith ishte një konkurrente më të forta në programet e lojërave, teksa u shfaq në “Super Password”, “Body Language” dhe “10,000 Pyramid” të Dick Clark.
Pas vdekjes aktorja ka lënë pas fëmijët dhe burrin e saj. / KultPlus.com
Ikona e kinemasë ndërkombëtare, Meryl Streep, sot feston ditëlindjen. Aktorja amerikane, me një karrierë të shquar prej më shumë se katër dekadash, ka fituar dashurinë dhe adhurimin e shumëkujt nëpërmjet talentit të saj të rrallë dhe aftësisë për të shndërruar veten në çdo rol që interpreton.
Meryl Streep lindi më 22 qershor 1949 në Summit, New Jersey. Që në fillim të karrierës së saj, ajo u dallua për aftësinë e saj të jashtëzakonshme për të portretizuar karaktere të ndryshme dhe për të kapur thelbin emocional të secilit rol. Ajo është një aktore e rrallë që ka aftësinë për të interpretuar me shkëlqim rolet dramatike, komike, dhe tragjike. Për këtë arsye, shumë kritikë e quajnë atë “aktoren më të mirë të gjeneratës së saj”.
Streep ka lënë gjurmë të thella në skenën e kinemasë dhe televizionit me një gamë të gjerë të rolave të shquar. Ajo ka luajtur në shumë filma të njohur, duke përfshirë “Kramer vs. Kramer”, “The Deer Hunter”, “Sophie’s Choice”, “Out of Africa”, “The Devil Wears Prada”, “Mamma Mia!”, dhe “The Iron Lady”. Përmes këtyre performancave të përkryera, ajo ka arritur të fitojë 3 çmime “Oscar” dhe ka qenë nominuar për 21 herë, duke u bërë aktorja me numrin më të madh të nominimeve në historinë e “Oscar”-it.
Përveç suksesit të madh në karrierën e aktrimit, Meryl Streep ka qenë një frymëzim për shumë aktorë të rinj dhe aktore të tjera në industrinë e kinemasë. Ajo është një simbol i forcës, elegancës, dhe përkushtimit ndaj profesionit të saj. Më shumë se njëherë, Streep ka ndarë mendime të thella mbi zërin e aktorëve gra në industri, duke theksuar nevojën për barazi gjinore dhe përfitimet e një paraqitjeje të diversifikuar në ekran.
Në jetën e saj personale, Meryl Streep është një grua e martuar dhe një nënë e dy fëmijëve. Ajo ka treguar se është e mundur të mbash me sukses karrierën e aktrimit dhe të jetosh një jetë të qetë familjare në të njëjtën kohë. Streep është një personazh i mbyllur dhe nuk ekspozon jetën e saj private shumë në media, por ajo ka dhënë prova të mrekullueshme se është e mundur të ruajë balancën midis jetës profesionale dhe atë personale. / KultPlus.com
Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar se është hapur thirrje për audicion për filmin e metrazhit të gjatë “Me fjalë tjera” me regji të Val Jasharit.
Ftohen të gjithë aktorët të marrin pjesë në audicion për filmin në fjalë, në datat 21. 22 dhe 23 Qershor 2023.
Për të aplikuar në audicion ju duhet të dërgoni të dhënat: emrin, mbiemrin, moshën, një fotografi, video prezantuese dhe CV (për ata që kanë punuar më herët) në e-mail: [email protected]
Audicioni mbahet në Prishtinë dhe data e fundit e aplikimit është 18 qershor 2023. / KultPlus.com
Elizabeth Taylor ishte një ikonë e Hollywood-it dhe një aktore që bëri histori në kinema.
Elizabeth Taylor ishte një nga aktoret më të njohura dhe të dashura të kinemasë së Hollywoodit. Ajo lindi në Angli më 27 shkurt 1932 dhe u rrit në SHBA. Karriera e saj fillimisht filloi si aktore e vogël në disa filma, por me kalimin e kohës ajo arriti të bëhej një prej aktoreve më të famshme të botës, shkruan KultPlus.
Taylor ishte një aktore shumë e talentuar dhe ishte e njohur për performancat e saj të fuqishme dhe emocionuese në ekran. Ajo fitoi dy herë çmimin Oscar, një herë si aktore kryesore në filmin “Butterfield 8” në vitin 1960 dhe një herë si aktore e dytë në filmin “Who’s Afraid of Virginia Woolf?” në vitin 1966.
Taylor u bë e njohur për rolet e saj në filma si “Cleopatra”, “Cat on a Hot Tin Roof”, dhe “Giant”.
Përveç karrierës së saj të suksesshme në kinema, Taylor u bë edhe një ikonë e modës dhe stilit. Ajo ishte e njohur për stilin e saj të sofistikuar dhe për veshjet e saj të bukura. Ajo gjithashtu bëri shumë punë bamirëse dhe angazhime politike, duke u bërë një zë për të drejtat civile dhe për luftën kundër AIDS-it.
Taylor vdiq më 23 mars të vitit 2011 në moshën 79 vjeçare në Los Angeles, California, U.S.
Në këtë ditë të shënuar, ne kujtojmë përvjetorin e vdekjes së saj, por Taylor mbetet një simbol i përhershëm i elegancës, bukurisë dhe talentit. / KultPlus.com
Kinematografia shqiptare ka humbur një tjetër ikonë të saj. Këtë herë bëhet fjalë për aktoren Mimika Luca, e cila ka vdekur si pasojë e një ishemie cerebrale në moshën 85-vjeçare.
Lajmi e ka konfirmuar i biri i saj, biznesmeni Gjergj Luca, i cili me anë të një postimi në rrjetet sociale ka bërë me dije ndarjen nga jeta të së ëmës, ndërsa njofton se varrimi bëhet nesër.
Po kush ishte Mimika Luca?
Një aktore shumëdimensionale si në teatër ashtu edhe në kinematografi, pas njohjes me bashkëshortin e saj Ndrek Luca, një aktor i jashtëzakonshëm edhe ky për interpretimin e karaktereve dhe figurave artistike, Mimika Luca iu përkushtua me dashuri artit dramatik dhe ku pati sukses në interpretimet e saj.
Mimika Luca u lind në Gjirokastër, më 24 dhjetor të vitit 1937. Interpretoi në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, si balerinë, nga 1951 – 1962. Më 1962 pranohet aktore në Teatrin Popullor.
Gjatë karrierës së saj si aktore Mimika Luca ka interpretuar në rreth 30 role, Luçia te “Borgjezi fisnik”, Tjen Ny te “Muri i madh”, Dila te drama “Cuca e maleve”, Nica te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Laja te “Kur hidheshin themelet”, Sonja te “Xhaxha Vanja”. Interpretimin e saj ndër më të mirët e ka në dramën “Drita”, dramë e shkruar nga vetë aktorja.
Mimika Luca interpretoi gjithashtu edhe në 12 filma artistikë, si “Treni niset në shtatë pa pesë” “Përrallë nga e kaluara”, “Taulanti kërkon një motër” e shumë të tjerë. Shkroi edhe disa drama, të cilat u vunë në Teatrin Popullor, më e njohura “Drita”, etj. Në vitin 1977 kalon pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve, dega dramë.
Në vitin 1977 ajo emërohet edhe pedagoge në “Institutin e Lartë të Arteve” dega e Dramës. / KultPlus.com
Përveçse një ndër këngëtaret më të suksesshme me famë botërore, Rita Ora po shfaq talentin e saj dhe në aktrim. Ylli shqiptar mori pjesë më parë në “Fifty Shades of Grey” por jo vetëm, dhe tani do ta shohim në një tjetër prodhim. Bëhet fjalë për filmin “The Pocketwatch”, një vazhdim i “Descendants”.
Pjesë e këtij filmi do të jetë dhe Brandy Norwood, e cila rikthehet me rolin e Hirushes, të cilën ajo e luajti për herë të parë në versionin ikonik të “Walt Disney” të vitit 1997 të “Hirushes së Rogers dhe Hammerstein”. Anëtarët e kastit të shpallur më parë China Anne McClain, Kylie Cantrall dhe Dara Reneé.
Filmat “Descendants” shpalosën një mitologji të dy tokave të reja, Auradon idilik dhe Ishulli i Humbur, shtëpia e pasardhësve adoleshente të personazheve më ikonë të Disney-t dhe veçanërisht keqbërësve të tij më famëkeq. Sipas Disney-t, “The Pocketwatch” kthehet në këto vende dhe gjithashtu i çon audiencën në territorin armiqësor të papërfshirë të Wonderland, një vend magjik, misterioz i bërë i famshëm në Alice in Wonderland.
Brandy luan Hirushen, personazhin klasik të Disney-t, i cili është elegante, e ngrohtë, zemërmirë dhe diplomatike. Rita Ora portretizon “Mbretëreshën e Zemrave” tiranike, e fshehtë, e cila sundon mbi mbretërinë e Botës së Çudirave. Cantrall është Red, vajza rebele 16-vjeçare e Mbretëreshës së Zemrave.
Red e di që nuk do të marrë kurrë miratimin e Mbretëreshës, ndaj gjen mënyra për të provokuar nënën e saj dhe për të nxitur telashe. /abcnews.al / KultPlus.com
Është opinioni i përbashkët dhe i shpërndarë në Hollywood, që pas moshës 50 vjeçare fillon rënia e çdo aktori. Rolet më të mira nuk të ofrohen më, regjisorët dhe producentët nuk janë më aq shumë entuziastë për idenë e të pasurit në shesh xhirim.
Por, Julia Roberts sot, 28 tetor, mbush 55 vjeç dhe është dëshmi e gjallë që mosha është thjesht një numër.
“Kam edhe unë pasqyrë, por nuk jam e fiksuar me idenë e bukurisë me çdo kusht. Dikush ka thënë se deri në moshën 40 vjeçare, vishe jetën tënde me fytyrën tënde, më pas fillo t’i veshësh jetën tënde fytyrës, gjë që do të më çojë të kem një fytyrë të lezetshme, sepse jam e lumtur me jetën time”, është shprehur ajo.
Julia Fiona Roberts mbetet një nga aktoret me buzëqeshjen më magjepsëse të Hollywood, një nga gratë më të fuqishme të showbiz-it dhe ndoshta një nga kandidatet për çmimet e ardhshme Oscar. / KultPlus.com
Sacheen Littlefeather, aktivistja dhe aktorja indigjene amerikane, e cila në vitin 1973 refuzoi çmimin Oscar për Marlon Brando, vdiq në moshën 75-vjeçare.
Njoftimin e bëri të ditur vetë Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit, mbrëmë vonë me një postim në Twitter.
”Kur të jem larguar, mbani mend gjithmonë se sa herë të ngriheni për të vërtetën tuaj, do të mbani gjallë zërin tim dhe zërin e kombeve tona dhe të popullit tonë”, janë fjalët e Littlefeather të cituar nga Akademia.
E lindur më 14 nëntor 1946, Marie Louise Cruz ndryshoi emrin, ndërsa eksploroi rrënjët e saj vendase amerikane dhe u bë një aktiviste në të 20-at e saj.
Littlefeather përfaqësoi Marlon Brandon në çmimet e 45-ta të Academy Awards më 27 mars 1973, ku ajo, në emër të Brandos, refuzoi çmimin e aktorit më të mirë që ai fitoi për interpretimin e tij në ”The Godfather”.
Brando e bojkotoi ceremoninë si një protestë kundër portretizimit të Hollivudit të amerikanëve vendas.
Fjalimi i saj për të refuzuar çmimin Oscar u prit nga një përzierje miratimesh dhe kundërshtish./atsh / KultPlus.com
Tinka Kurti, artistja e madhe e skenës dhe e kinemasë shqiptare feston sot përvjetorin e 90-të të lindjes.
Kurti lindi më 17 dhjetor te vitit 1932 në Sarajevë. Ajo ka lindur dhe është rritur në një familje artëdashëse pasi nëna e saj në rininë e vet ka qenë aktore kryesore në Teatrin Kombëtar të Sarajevës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Arsimin bazë 7-vjeçar ajo e mori në Sarajevo dhe kur ishte vetëm 13 vjeç familja e saj u shpërngul për në qytetin e Tiranës ku vazhdoi edhe studimet në Politeknikumin e Tiranës.
Sikurse e thotë shpesh edhe vetë Tinka Kurti, ajo rastësisht u regjistrua për të studiuar në degën e Dramës në shkollën e mesme të Dramës së asaj kohe. Shumë pak kohë pasi kishte filluar të ndiqte studimet në këtë specialitet, ajo u përjashtua nga shkolla me motivacionin “shfaqje të prirjeve liberale”.
Ishte pikërisht regjisori Andrea Skanjeti ai që pikasi talentin e saj të jashtëzakonshëm për ta rikthyer Tinkën edhe njëherë tjetër në skenë me shfaqjen “Dasëm Shkodrane”. Pas themelimit të Teatrit “Migjeni” në qytetin e Shkodrës ajo bëhet pjesë e trupës si aktore gjysmë profesioniste dhe ishte gjithashtu ndër 10 aktorët që themeluan institucionin e qytetit të Shkodrës.
Ishte çmimi “Aktorja më e mirë e Republikës” dhe kupa e festivalit në Festivalin e parë të Teatrit Shqiptar që e ngjitën aktoren Tinka Kurti në kategorinë e aktorëve profesionistë me rolin në shfaqen “Toka Jonë” me regji të Kol Jakovës.
Gjatë karrierës së saj aktorja Tinka Kurti ka interpretuar rreth 260 role në skenën e teatrit dhe 95 role në kinematografi.
Në 1994 ajo hyri në Enciklopedinë e Institutit Biografik Amerikan si një nga 5,000 gratë më të shquara në botë dhe madje më 17 Dhjetor 2007 ajo u ftua në Uashington (SHBA) për të vendosur një pllakë mermeri me emrin e saj në këtë Institut.
Roli i saj më i fundit do të ishte në kinematografi në filmin “Bota” (2014).
Tinka për karrierën e saj artistike është vlerësuar me Çmime dhe Tituj të tjerë si Artiste e Merituar & Artiste e Popullit 1961, me urdhërin “Grand Master” i akorduar nga Presidenti i Republikës për veprimtarinë e saj artistike. /atsh/ KultPlus.com
Aktorja amerikane Nichelle Nichols, e njohur më së shumti për rolin e saj në serialin televiziv sci-fi të viteve 1960 “Star Trek”, ka vdekur në moshën 89-vjeçare.
Nichols theu barrierat në rolin e saj si togere Nyota Uhura në serial, duke u bërë një nga aktoret e para me ngjyrë në SHBA që luante një figurë me autoritet, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Ajo u punësua më vonë nga NASA në një përpjekje për të inkurajuar më shumë gra dhe afrikano-amerikanë që të bëhen astronautë.
Ajo vdiq të shtunën mbrëma, tha djali i saj Kyle Johnson.
Në një deklaratë të postuar në Facebook, Johnson shkroi: “Me keqardhje ju informoj se një dritë e madhe në qiell nuk shkëlqen më për ne, siç ka bërë për kaq shumë vite”.
“Drita e saj sidoqoftë, si galaktikat e lashta që shihen tani për herë të parë, do të mbetet që ne dhe brezat e ardhshëm ta shijojmë, të mësojmë dhe të marrim frymëzim.”
Seriali televiziv “Star Trek” shkatërroi stereotipet në vitet 1960 duke vendosur aktorë me ngjyrë dhe minoritarë në rolet kryesore./ Klan Kosova / KultPlus.com
“Unë jam patologjikisht e paaftë që të tradhtoj ndërgjegjen time”, tha artistja dhe muzikantja nga Shën Petersburgu, Aleksandra Skochilenko, e cila dha një intervistë për Radion Evropa e Lirë nga një qendër paraburgimi.
“Nuk kam shpresë. Komiteti i Hetimeve dhe kreu i tij, Aleksandr Bastrykin, personalisht më kanë zgjedhur mua që të vuaj ndëshkimin më të ashpër të mundshëm”, tha ajo për Realitetet e Veriut të REL-it.
Artistja 32-vjeçare që shpesh përdor vetëm emrin Sasha, u arrestua në prill pasi ajo ndryshoi pesë etiketa çmimesh në një dyqan me mesazhe kundër pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës. Ndaj saj është ngritur akuzë për shpërndarje të informacioneve “të rreme” lidhur me forcat e armatosura dhe mund të përballet deri me dhjetë vjet burgim.
“Shteti im është i etur për gjak”, tha ajo. “Përfshirë timin”.
Pavarësisht gjendjes së brishtë shëndetësore dhe natyrës jo të dhunshme të akuzës ndaj saj, Skochilenko e pranon se ka ndryshuar etiketat e çmimeve, por mohon se ka thënë diçka të rreme apo shpifëse. Ajo për më shumë se tre muaj gjendet në një qendër paraburgimi. Masa e paraburgimit i është zgjatur deri më 1 gusht dhe qëndrimi në paraburgim mund t’i zgjatet edhe më shumë.
Radio Evropa e Lirë pati mundësi që t’i dërgonte pyetje me shkrim Skolchilenkos për këtë intervistë dhe ajo ktheu përgjigjet me shkrim përmes avokatit të saj.
Duke përfshirë Skochilenkon, të paktën 73 persona në Rusi janë akuzuar në bazë të një ligji të ashpër të miratuar disa ditë pas nisjes së pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës më 24 shkurt. Shumica e të pandehurve janë politikanë, gazetarë, priftërinj, aktivistë dhe madje edhe zyrtarë policorë. Më 8 korrik, ligjvënësi komunal i Moskës, Aleksei Gorinov, u dënua me shtatë vjet burgim, në bazë të këtij ligji.
Skochilenko tha se zyrtarët e burgut kanë ngurruar që të akomodojnë kufizimet e saj dietale për shkak se ajo ka intolerancë ndaj glutenit, pavarësisht presionit që kanë bërë aktivistët e shoqërisë civile dhe avokatët e saj, që burgu t’i mundësojë një dietë të përshtatshme për të.
“Në mënyrë të vazhdueshme kam dhimbje barku dhe nganjëherë vjelli kur jam duke ngrënë”, tha jo. “Imagjinoni të jetoni çdo ditë me simptomat e helmimit nga ushqimi. Kjo është jeta ime tani”.
Ajo po ashtu ka filluar që të ketë probleme me zemër, që kishte arritur t’i mbante nën kontroll qëkur ishte adoleshente.
“Në dy muajt e fundit kam dhimbje të zemrës”, tha ajo për REL-in. “Kohë pas kohe, shikimi më errësohet, kam probleme me frymëmarrje, shtrëngim gjoksi, marramendje dhe dhimbje në krahun e majtë”.
Ajo shtoi se shqetësohet se shoqja e saj e qelisë nuk do të mund të thërrasë për ndihmë nëse humbet ndjenjat gjatë natës ose që autoambulanca nuk do të arrijë në kohë për ta ndihmuar.
‘Rregulla të çuditshme’
Fillimisht, Skochilenko ishte vendosur në një qeli standarde me gjashtë të burgosur dhe një prej të burgosurave ishte një e “besuar”, e quajtur Yelena. Zyrtarisht, Yelena ishte përgjegjëse për të siguruar që qelia të mbahej e pastër, por në realitet, tha Skochilenko, detyra e saj ishte që t’ia bënte të mjerueshme jetën artistes.
“Para të gjithëve, ajo më tha se unë ‘kundërmoj’ dhe më detyroi që të laja të gjitha rrobat me dorë”, tha Skochilenko. “Ajo më shikoi gjatë gjithë kohës dhe më detyroi që ta pastroja tualetin me një sfungjer në vend të brushës”.
“Ka edhe rregulla të tjera të çuditshme që ajo shpikte, të tilla sikurse ju mund të mbani fshesën vetëm në një mënyrë të caktuar”, shtoi Skochilenko. “Ne na duhej ta pastronim komplet qelinë tri herë në ditë. Për pastrimin e çdo sipërfaqeje kishte një leckë të posaçme, dhe të gjitha leckat duhej të laheshin me dorë pasi pastronim qelinë…. [Yelena] nuk lejonte askënd që të hapte frigoriferin dhe na lejonte që të hanim vetëm në kohë të caktuara… Gjithë ditën ajo e linte televizorin e ndezur dhe shikonte filma lufte apo shikonte lajme për ‘operacionin e posaçëm ushtarak’”.
Yelenës, sipas Skochilenkos, më vonë iu zbut dënimi dhe u dërgua në burgim shtëpiak.
Zyrtarët po ashtu duket se synojnë që të dëshmojnë se Skochilenko është e paaftë mendërisht. Një psikiatër i burgut, që e kontrolloi në qendrën e paraburgimit, erdhi në përfundim se Skochilenko ishte e aftë.
Pavarësisht kësaj, hetuesit insistuan që ajo të dërgohej në një spital psikiatrik për një vlerësim dyjavor. Një komitet “prej pesë doktorësh dhe një konsulent” po ashtu erdhën në përfundim se Skochilenko është e aftë dhe nuk ka nevojë për ilaçe psikotrope.
“Ndoshta ata vepruan kështu si një formë shtesë për të më bërë presion ose ndoshta ata thjesht duan të më turpërojnë sa më shumë që të munden”, tha Skochilenko. Pasi ajo u kthye nga spitali në burg, hetuesit i kërkuan që ajo t’i nënshtrohej edhe një vlerësimi tjetër psikiatrik në burg.
Sipas Skochilenko, konstatimi i paaftësisë mendore mund të përdoret për të justifikuar një trajtim të detyruar mjekimi. Ajo tha se një nga psikiatrit që e kontrolloi “vazhdoi të këmbëngulte që unë të shkoja në kishë”.
Skochilenko për një kohë të gjatë ka vuajtur – por, ka qenë duke u trajtuar – nga çrregullimi bipolar, që përfshin periudha të “depresionit paralizues”. Megjithatë, ajo tha se gjendja e saj nuk ishte një problem i posaçëm për të qëkur është arrestuar.
“Vitet e tëra që kam kaluar duke punuar në shëndetin tim mendor dhe edukimin, përfshirë konsultimet me doktorë, ilaçet, vite të terapisë psikike dhe pjesëmarrja nëpër seminare, kanë dëshmuar se janë efektive”, tha Skochilenko për REL-in. “Dhe unë kam pranuar mbështetje të madhe, gjë që më ka ndihmuar që ta përballoj” arrestimin.
Autoritetet janë “tmerrësisht të frikësuar”
Ajo tha se nuk pendohet që vendosi në etiketat e çmimeve informacione për luftën e Rusisë në Ukrainë, edhe pse “ato pesë etiketa vendosën fatin tim”.
“Një grup i tërë i policisë u krijua për të më gjetur dhe pas dhjetë ditësh ata më kapën”, tregoi ajo. “Sigurisht, unë kurrë nuk u fsheha”.
Ajo beson se Bastrykin dhe hetuesit e tjerë synojnë që ta ndëshkojnë atë sa më shumë që të munden sepse ata “janë tmerrësisht të frikësuar”.
“Kur një person është tmerrësisht i frikësuar, ai priret të shohë kërcënime të mëdha diku ku nuk ka asgjë”, tha ajo. “Unë peshoj 47 kilogramë, nuk di të shti me armë. Nuk mund të luftoj. Nganjëherë vuaj nga depresioni paralizues. Shëndeti im është i dobët. Edhe nën një stres të vogël, unë menjëherë kam simptoma. I dua njerëzit, fëmijët dhe kafshët. Unë jam një kandidate e keqe për organizimin e një rebelimi të armatosur. Por, frika është një gjë e paarsyeshme”.
“Sikurse të gjithë që ndiqen padrejtësisht në Rusi, unë nganjëherë frikësohem”, tha ajo. “Unë jam këtu dhe me gjasë do të vdes në burg për liri të shprehjes dhe pacifizëm”.
“Por, besimi im në liri të shprehjes dhe në humanizëm është më i fortë se frika ime”, përfundoi ajo./ REL / KultPlus.com
Aktorja Mary Mara u shfaq në seriale të shumta televizive gjatë karrierës së saj.
Mary Mara, një aktore e njohur për rolet në “ER” dhe “Ray Donavan”, ka vdekur në moshën 61 vjeçare, tha menaxheri i saj, Craig Dorfman, në një deklaratë për CNN, transmeton KultPlus.
“Mary ishte një nga aktoret më të bukura që kam takuar ndonjëherë,” tha Dorfman. “Më kujtohet ende që e pashë në skenë në vitin 1992 në ‘Mad Forest’ në Broadway. Ajo ishte elektrike, qesharake dhe një individ i vërtetë. Të gjithë e donin atë. Ajo do na mungojë.”
Sipas një njoftimi për shtyp nga Policia e Shtetit të Nju Jorkut, oficerët iu përgjigjën një thirrjeje të dielën rreth orës 8:10 të mëngjesit me orën lokale për një “mbytje të mundshme”. Ambulanca mbërriti në vendngjarje dhe “zbuluan një grua të vdekur në lumin St. Lawrence”, thuhet në njoftim.
“Nga hetimet paraprake dyshohet se viktima është mbytur teksa po notonte”, bën me dije policia.
Nuk kishte shenja të lojës së keqe, shtoi policia në deklaratën e saj. Zyra e Ekzaminuesit Mjekësor të Qarkut Jefferson pritet të kryejë një autopsi për të përcaktuar shkakun zyrtar të vdekjes, sipas policisë.
Mara kishte një listë të titujve që përfshinin televizionin dhe filmin, duke përfshirë role me shumë episode në shfaqje si “Dexter”, “The Practice” dhe “Star Trek: Enterprise”. Ajo ishte ndoshta më e njohur për rolet e saj në “Nash Bridges”, “ER” dhe “Ray Donovan”.
Meritat e filmit të Marës përfshinin “Mr. Saturday Night” dhe “Love Potion #9”. Projekti i saj i fundit ishte në filmin e vitit 2020, “Break Even”. / KultPlus.com
Intervistoi: Jeta Zymberi Fotografia: Artan Korenica
Rreth dy dekada më parë bëri hapin fillestar drejt aktrimit. Ishte vetëm 17 vjeçare ku u bë pjesë e një audicioni që ishte një shkëndijë së artit shqiptar po i shtohej një artiste krejt e veçantë. Dhe nuk u desh shumë kohë që ajo të dëshmonte diçka të tillë, pasi shumë shpejt bëri debutimin e saj të parë televiziv në serialin “Familja Moderne”. Tutje jetësoi edhe disa role në film e teatër, por viti 2015 e gjeti me një vendim të ri. Ajo bashkë me familje u larguan drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku jeton edhe sot. As atje nuk qëndroi larg aktrimit, por shkëlqimin e saj të merituar e arriti pas gati një dekade ku me artin e saj shpërthej kufijtë.
Yllka Gashi e cila është e njohur për mbështjelljen e plotë të personazheve të saj, duke kapur nuancat, modelet e të folurit dhe personalitetet e tyre, është shumë e kujdesshme edhe në përzgjedhjen e roleve. Në rolet e saj në teatër, film e seriale, ajo është transformuar në njerëz kaq të ndryshëm duke fituar kështu dashurinë e publikut gjatë rrugës. Ndërsa një nga cilësitë më mbresëlënëse të aktores është aftësia e saj për të mbajtur vëmendjen tuaj pa sforcim, për t’u dukur sikur aktrimi në një film është gjëja më e natyrshme që një person mund të bëjë.
E thjeshtë e modeste që suksesi vetëm sa e ka bërë më falënderuese e më të përkushtuar, Yllka këtë vit ka pushtuar zemrat e publikut e kritikëve me nam botërorë me rolin e saj në filmin “Zgjoi”.
Tek “Zgjoi”, ajo banon plotësisht në një figurë të botës reale – këtë herë në atë të zonjës Fahrije Hoti. Bazuar në historinë e vërtetë të Fahrije Hotit, gruas luftarake që ngriti biznesin e ajvarit në Krushë të Madhe, për Yllkën, siç potencon ajo, ky rol ishte nder jetësorë.
Performanca e saj në këtë film tashmë i ka dhënë asaj çmime dhe ka marrë vlerësime të mira nga kritikët. Madje gazeta amerikane ‘The Austin Chronicle’ shkroi se “performanca e Yllka Gashit është një nderim për një grua që ndryshoi jetën në heshtje, pa u bërë kurrë një shenjtore”.
Yllka bëri një kërkim të gjerë rreth jetës së zonjës Hoti përpara se të fillonin xhirimet. Ajo takoi personalisht atë e ëndërroi përreth një dekade jetësimin e këtij roli. Por, kur “Zgjoi” erdhi në jetë, ai erdhi për të bërë histori për kinematografinë kosovare. Në “Sundance Film Festival” u shpall fitues i trefishtë. Rrugës deri më sot ku filmi mori vëmendjen botërore si filmi i parë i gjatë nga Kosova që ka hyrë në listë të ngushtë për çmimin “Oscar”, ai ka marrë edhe dhjetëra çmime të tjera, duke u bërë pothuajse çdo muaj lajm në mediat botërore.
Por gjithë këtë sukses Yllka nuk e gëzoi me shumë entuziazëm. Ishte dhimbja për humbjen e babait që asaj i krijoi një zbrastësi të madhe dhe sikur balancoi emocionet. Por ajo është e lumtur që të paktën babai arriti të shoh suksesin e filmit në Sundance çka e bëri edhe shumë krenarë.
Për rrugëtimin e saj, gjithë këtë sukses të filmit “Zgjoi” ku ajo bart në supe rolin kryesorë, për ndjesinë, sfidat, triumfet e gjithçka tjetër, ajo përgjigjet plot përkushtim e sinqeritet në një intervistë për KultPlus.
KultPlus: Një prej aktoreve më të dashura për publikun shqiptar, sot ka marrë dashurinë e botës, si ndihet Yllka pas gjithë këtij suksesi me filmin “Zgjoi”?
Yllka: Faleminderit për fjalët e bukura e për vlerësimin së pari! Ndjehem e lumtur dhe shumë e nderuar!
KultPlus: Ka kohë që nuk ishit pjesë e skenës kosovare, pasi që prej vitesh jetoni në Amerikë. Por duket se u kthyet në kohën e duhur dhe me projektin e duhur. Si e pritet ftesën e regjisores Blerta Basholli për të qenë pjesë e filmit “Zgjoi”?
Yllka: Ideja për ta bërë “Zgjoi-n” daton që nga viti 2011. Atë kohë ishim duke punuar bashkë me Blertën në një projekt tjetër, derisa ajo bëhej gati për filmin e diplomës në NYU. Kur e pat ndarë me mua idenë për ta takuar znj. Fahrije e nëse ajo pajtohet, atëherë edhe për të bërë një film për të dhe unë ta luaj atë, përgjigjja ime e menjëhershme ka qenë PO! Shumë gjëra kanë ndodhur ndërmjet vitesh prej 2011 deri në 2019 kur e kemi xhiruar filmin, mirëpo ne të dyja- i kemi qëndruar besnike njëra tjetrës dhe idesë fillestare duke e ushqyer ëndrrën e njëjtë që së bashku ta bëjmë këtë film.
KultPlus: Nga momenti që të është propozuar roli e deri te takimi me zonjën Fahrije Hotin, çka të sillej nëpër mendje?
Yllka: Të dyja kanë ndodhur në të njëjtën kohë pothuaj. Së pari ka qenë ideja ta takojmë zonjën Fahrije e të flasim me të, pastaj brenda asaj jave e kemi kontaktuar dhe kemi shkuar në Krushë. Kam qenë shumë kureshtare ta takoj personalisht znj. Fahrije sepse duke e ditur tragjedinë që e kane kaluar gratë e Krushës dhe duke qenë konsumatore e produkteve të tyre disa vite radhazi, gjithmonë kam pasur respekt, simpati, e dhembshuri për to. E pas takimit me to, ato më kanë inspiruar tej mase.
KultPlus: Po pas takimit, sa besoje që do ta portretizoje këtë grua në mënyrën e duhur dhe në fund pasi përfunduan xhirimet, cili ishte komenti që ia bëre vetes?
Yllka: Në takimin e parë, ne jemi mahnitur me znj. Fahrije. Me karakterin e saj, me dinjitetin e stoicizmin që e karakterizon, por edhe me ngrohtësinë e mikpritjen e saj. Ka qenë takim i gjatë dhe mbaj mend që u patëm emocionuar shumë nga rrëfimi i saj dhe sakrificat e sprovat nëpër të cilat ajo e gratë e Krushës kanë kaluar. Që nga atëherë, për mua u bë ëndërr ta luaj këtë grua të jashtëzakonshme në film e mision të nderoj figurën e saj. E kam ëndërruar e pritur këtë rol për gati 10 vite, kam menduar për të, për jetën e saj, për sfidat me të cilat është përballur dhe mënyrën se si i ka kaluar ato, prandaj kur filluan xhirimet nuk ka pasur as pengesë e as vështirësi që më është dukur e pakalueshme ose e pamundur. Ajo energji më ka përcjellë gjatë gjithë xhirimeve dhe është reflektuar në punë, por edhe ka ndikuar te pjesa tjetër e ekipit si shtysë e motiv. Përgjegjësia për ta bartur në supe personazhin e dramën e jetës së znj. Fahrije padyshim që ka qenë e madhe, mirëpo e kam pasur besimin e plotë në vendimet e Blertës dhe bashkërisht jemi munduar që ta bëjmë më të mirën. Pas xhirimeve, ishte ndjenjë e plotësimit, se një mision u krye me sukses edhe pse e dija që Blertën e producentët i pret një fazë e re e punës në postproduksion të filmit.
KultPlus: “Zgjoi” është filmi i parë kosovar që ka arritur një sukses të tillë, por njëkohësisht përmes këtij filmi ju shpalosët para botës talentin dhe shpirtin tuaj artistik, a e keni menduar që një ditë do ta përjetoni gjithë këtë sukses?
Yllka: Po e them me modesti por me bindje të plotë po. Sepse thellësisht besoj që secilit artist që punon me përkushtim i vjen koha e vet, i vjen koha e shkëlqimit dhe mundësia ta marr vëmendjen e duhur. Ky sukses nuk ka ndodhur brenda natës, është punuar e investuar në të për një kohë shumë të gjatë. Dhe gjithsesi është edhe fat i madh! Edhe më parë sa kam jetuar e punuar në Prishtinë, jam angazhuar në projekte – seriale televizive, filma apo shfaqje teatrale- që kanë pasur sukses, shikueshmëri e disa prej tyre edhe janë shpërblyer ndërkombëtarisht. Natyrisht, “Zgjoi” ka bërë histori dhe nuk krahasohet, mirëpo sukseset, çmimet e popullariteti nuk janë ndonjë risi për mua dhe nuk më kanë ndikuar ndonjëherë në ndryshim të karakterit apo etikes së punës. Sukseset janë stimulues e motivues i mirë, por nuk janë gjithçka e as nuk të përkufizojnë si njeri, si artist ndoshta po, por jo edhe si njeri! Për “Zgjoin” nga fillimi e kam pasur një parandjenjë të fortë që do të jetë film i mirë sepse rrëfimi është i tillë dhe Blerta ka punuar me pasion e këmbëngulësi të jashtëzakonshme disa vite me radhë, pastaj producentët Ylli, Valoni e Agoni janë angazhuar me përkushtim në çdo aspekt të organizmit e të parapërgatitjeve për xhirim e për postproduksion. Kameramanin Alex Bloom e kemi pasur shumë të mirë, montazherin Enis Saraçin gjithashtu, ekipin e aktorëve të jashtëzakonshëm, ekipi i filmit kanë punuar me shumë vullnet e pa përtesë, xhirimet na kanë shkuar mbarë e me lehtësi, pra të gjithë kanë investuar që puna të kryhet mirë. Kështu që e kam ditur se nga gjithë ajo punë e ai përkushtim, rezultati do të jetë i mirë patjetër. Jam e gëzuar që kam pasur fat e mundësi të jap kontribut në këtë film e ta gëzojmë bashkërisht këtë sukses!
KultPlus: Filmi po vazhdon të shfaqet nëpër kinema, si në Kosovë, Evropë e Amerikë, madje në Kosovë ka thyer rekord shikueshmërie, jeni mësuar tashmë me këtë sukses apo ende po ju përcjellin emocione të forta?
Yllka: Secili prezantim që e kemi bërë ka ardhur me emocione të veçanta sepse jemi takuar me njerëz të ri të cilët e shihnin filmin për herë të parë dhe emocionet e përshtypjet e tyre ishin të sinqerta. Është ndjenjë shumë e veçantë kur i dëgjon komentet pas shfaqjes së filmit ose e sheh publikun të përlotur duke dalur nga salla dhe e kupton që kanë bashkëndjerë me personazhin e filmin.
KultPlus: Me rolin tuaj në filmin “Zgjoi” ju keni fituar tri çmime si aktorja më e mirë në tre festivale të mëdha botërore, sa janë të rëndësishme çmimet për ju?
Yllka: Çmimet janë të mirëseardhura padyshim, posaçërisht kur vijnë nga festivale prestigjioze e me traditë sepse aty konkurrenca është e madhe dhe nuk ka kompromis. Është nder kur të çmohet puna e sakrifica që e ke bërë për një projekt të caktuar. Disi të duket që po vuloset merita jote dhe që ja ka vlejtur barra qiranë për krejt mundin e bërë, mirëpo çmimet nuk janë gjithçka dhe nuk janë gjithmonë synim. Për mua është shumë me rëndësi që puna të bëhet mirë dhe pos punës, edhe procesi të shkojë mbarë sepse mund të bësh një rol të mirë e të kesh fat të marrësh çmime, mirëpo nëse nuk ke kaluar mirë gjatë kohës sa e ke punuar atë rol dhe nuk ke krijuar miqësi e raporte të shëndosha të punës, të cilat do të sjellin punë e bashkëpunime të reja apo nuk kë mësuar diçka nga ajo përvojë, disi edhe shpërblimet që mund të vinë janë më të zbehta. Mirëpo, kur puna bëhet mirë e procesi shkon mbarë dhe pastaj ajo shpërblehet edhe me çmime, kënaqësia është e plotë e më domethënëse!
KultPlus: Ambasadorët më të mirë shteti i Kosovës i ka artistët, së fundmi këtë e dëshmuat edhe ju pasi përdorët zërin tuaj për të kërkuar nga Spanja njohjen e Kosovës shtet, si u prit kërkesa juaj, kishte reagime?
Yllka: Thënë të drejtën, unë nuk e kam menduar aspak çfarë pasojash apo reagimesh mund të ketë ajo kërkesë dhe nuk e kam bërë si deklaratë pompoze politike. Artistët ndoshta edhe duhet të qëndrojnë larg politikës, mirëpo artistët poashtu janë ata që kanë zë e ndikim e platforma më të fuqishme se sa diplomatët e politikanët. Për mua ajo kërkesë ka qenë organike dhe e sinqertë dhe më është dukur moment i përshtatshëm që ta shpreh një dëshirë e ëndërr të përbashkët tonën. Të gjitha gazetat në Spanjë por edhe këto vendoret pastaj e bënë lajm atë deklaratë. Për mua ai moment ka qenë i veçantë në karrierën time padyshim, mirëpo nga zemra e shumë sinqerisht kam dashur që atë çast gëzimi personal t’ia kushtoj popullit e vendit tim!
KultPlus: Në premierën e filmit në Amerikë nuk mungoi as Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani dhe Dua Lipa e cila edhe përkrahi filmin duke e shpërndarë para mijëra ndjekësve të saj në rrjete sociale, si e vlerësuat këtë veprim të Duas?
Yllka: Oh Dua!!! Dua është dashuri e madhe si emri që ka! Mua më pëlqen shumë muzika e saj dhe jam fanse e Dua-s nga dita e parë. Ajo është shumë inspiruese! Dua Lipa është shembull i shkëlqyeshëm se si është një yll i vërtetë, që para së gjithash mbetet njeri modest e me këmbë në tokë. E lindur e e rritur në Londër, me karrierë shumë të suksesshme, sensacion ndërkombëtar që i ka arritur majat e suksesit me punë e talent, Dua para së gjithash mbetet një vajzë e dashur, e bukur brenda e jashtë, e ëmbël, e afërt e modeste dhe shumë e lidhur me familjen e saj. Jemi me fat që ajo është e jona dhe me krenari këtë fakt e tregon para miliona fansave të saj në botë. Ajo na ka nderuar pa masë bashkë me prindërit e saj dhe jemi shumë mirënjohës e falënderues për përkrahjen e tyre! Gjithashtu presidentja e Kosovës – Vjosa Osmani na ka nderuar me përkrahjen e saj që nga suksesi në Sundance për çfarë e falënderojmë e jemi mirënjohës!
KultPlus: Fotografia ku shiheni bashkë, ju, presidentja Vjosa Osmani, këngëtarja Dua Lipa dhe regjisorja Blerta Basholli, është përcjellë me reagime të shumta nga publiku të cilët janë shprehur shumë krenarë për sukseset e vajzave shqiptare, po ju si e shihni rrugëtimin e tyre duke përfshirë edhe vetën këtu, jeni krenare?
Yllka: Krenare dhe shumë e lumtur, por edhe tejet mirënjohëse për dashurinë e respektin dhe për përkrahjen e jashtëzakonshme që na e kanë dhënë publiku! Kur gratë bëhen bashkë duke e përkrahur njëra tjetrën, bota bëhet vend më i mirë e jeta më e bukur!
KultPlus: Me filmin “Zgjoi” ju jeni shprehur që keni realizuar ëndrrën e fëmijërisë, cila është ëndrra e radhës që prisni ta realizoni?
Yllka: Ah, ka shumë!
KultPlus: Cila ka qenë kritika më e mirë dhe ajo më pak e mirë që keni marrë për rolin tuaj në filmin “Zgjoi”?
Yllka: Ajo që po më kujtohet tash sepse ka ndodhur rishtazi është komenti shumë dashamirës i Kongresmenit Elliot Engel i cili ishte i pranishëm në New York në premierën e filmit në Film Forum dhe kur e mori fjalën të na uroj për punën tonë, në fund tha “You deserve the Academy Award for your acting!”.
KultPlus: ‘Zgjoi’ është filmi që Kosova ka përzgjedhur për Oscars, tashmë të gjithë bashkë me ju jemi në pritje të publikimit të nominimeve ‘Oscars’, e ku përfundimisht do të kuptohet nëse ky film do ta përfaqësojë Kosovën në akademinë e çmimeve më të njohur në gjithë botën. Por duke qenë pjesë e filmit, kuptohet qe emocionet më të forta i bartni ju. Çfarë prisni realisht nga kjo garë?
Yllka: Është fat i madh që kemi hyrë në listën e ngushtë dhe tash jemi në konkurrencë me 14 filma të tjerë, disa prej tyre shumë të suksesshëm e me regjisorë që tashmë janë të shpërblyer me Oscar në karrierën e tyre. Është luftë e ashpër dhe shumë e vështirë. Është edhe punë fati se ka shumë anëtarë të Akademisë të cilët do të votojnë dhe shijet janë të ndryshme. Më afër nominimit Kosova nuk ka qenë kurrë, kjo është e sigurtë. Do të ishte nder i jashtëzakonshëm nëse nominohemi sepse për ne ky tashmë nuk është qëllim personal por ka kaluar në qëllim më të madh, posaçërisht duke e parë gëzimin e krenarinë, motivimin e shpresën që këto suksese po lënë tek njerëzit tanë. Mendoj që e meritojmë të paktën të nominohemi sepse filmi është shpërblyer dhjetëra herë deri tash në festivale të ndryshme nëpër botë e nga juri të ndryshme. Gjithashtu edhe kritikat kanë qenë pozitive si nga kritikët e filmit e njerëzit e industrisë, poashtu edhe nga publiku i thjeshtë por, prapë po e them ka shumë konkurrencë dhe lufta tash bëhet e pamëshirshme sepse vetëm pesë filma arrijnë të nominohen. Çka më gëzon e nderon është fakti që me e pa nominim në Oscars, “Zgjoi” ka bërë histori në Sundance si filmi i parë më i shpërblyer në kategorinë e filmave ndërkombëtar dhe për të kanë shkruar gazetat më prestigjioze në botë si New York Times, Vogue, Variety, Deadline, Indiewire, LA Times, Screendaily, Cineuropa, Austin Chronicles e shumë të tjera duke e përmendur Kosovën, luftën e fundit, masakrat në Krushë dhe suksesin e znj. Fahrije Hoti. E në dashtë Zoti e paçim fat, nominimi në Oscars do të ishte një tjetër sukses e nder i madh për të gjithë!
KultPlus: A keni pasur oferta për projekte të reja, nëse po a mund të zbuloni diçka?
Yllka: Po, ofertat nuk kanë munguar asnjëherë fatbardhësisht. Kam qenë unë ajo që është dashur t’u them jo disa projekteve për shkaqe të ndryshme, të largësisë, kohës së papërshtatshme të xhirimeve etj. Por tash ofertat janë shtuar edhe më shumë dhe kjo më gëzon pa dyshim. Jam në bisedime për dy projekte, por ende në fazë të hershme dhe nuk guxoj të bëjë asgjë publike.
KultPlus: Si ka ndikuar në jetën tuaj suksesi që po përjetoni kohëve të fundit?
Yllka: Më ka gëzuar padyshim, mua, familjen e të afërmit e mi. Ka hapur dyer të reja e mundësi të reja. Mirëpo, unë këtë vit kam humbur babain tim kështu që, edhe sukseset e gëzimet i kam përjetuar disi më me rezervë pas asaj. Gëzohem që ai e ka parë filmin e ka qenë shumë krenar për çmimet në Sundance dhe përkrahës e motivues i madh i imi gjatë tërë jetës… mirëpo humbja e tij, ka lënë zbrazëti në jetën time dhe në të njëjtën kohë më ka shërbyer edhe si barometër që t’i përjetoj gjërat me modesti e pa ndonjë ekzaltim të tepruar. Pos kësaj jeta ime është e thjeshtë dhe modeste. Suksesi nuk ma ka ndryshuar fokusin e as përkushtimin ndaj asaj që për mua është e shenjtë e kjo është familja ime. Unë ende merrem ekskluzivisht me vajzën time Ninen, me punët e obligimet e nënës e të gruas, pastroj, gatuaj e planifikoj çfarë do të bëjmë në vikend. Natyrisht krejt këto, duke pasur shumë takime e intervista online me angazhime extra për punë. Kam pasur edhe udhëtime të shpeshta që nga shtatori, të cilat kanë qenë të mirëseardhura si mini aventura, mirëpo në cep të mendjes gjithmonë e kam familjen time, posaçërisht Ninen sepse jemi të lidhura dhe e kam të vështirë të jem larg saj dhe nuk ka gjë në botë që më përmbushë më shumë se koha e kaluar me të!
KultPlus: Kujt ja dedikon Yllka gjithë këtë sukses?
Yllka: Shumë njerëz janë meritor për sukseset e mija dhe u jam mirënjohëse përgjithmonë për ndihmën, dashurinë, kontributin, këshillat e durimin. Familjes time -prindërve, motrave, vëllait, burrit tim Albianit e vajzës sime Nines- së pari e më së shumti sepse ata më kanë përkrahur e motivuar në çdo hap të jetës dhe jam mirënjohëse përjetësisht! Pastaj edhe atyre të cilët janë meritor në këtë sukses e me të cilët e kemi bërë krejt këtë punë – ekipit të filmit, në veçanti Blerta Bashollit e Yll Ukës! Por, pa e harruar gruan që na ka inspiruar e vazhdon të na inspirojë znj. Fahrije Hoti dhe gratë heroina të Krushës! Edhe publikut, publikut të mrekullueshëm që pa kushte na ka përkrahur, i ka mbushur sallat e kinemave kudo dhe është gëzuar bashkë me ne!
KultPlus: Krejt për fund, po flasim për mirënjohjen që e more së fundi nga qyteti i Stamfordit ne Connecticut, dhe ju deklaruat se para gjashtë viteve, nëpër ato rrugë, ju me vajzën tuaj keni bërë vetëm shëtitje, pa menduar se pas gjashtë viteve do të nderoheni nga ajo komunë, pasi jemi edhe në fund vit, këtë pjesë e ndërlidhim me dëshirat e të rinjve, Yllka, thjeshtë na trego, sa guxojmë të ëndërrojmë?
Yllka: Sa të kemi qejf e imagjinatë! Ëndrrat e shpresat janë ato që na e mbajnë shpirtin gjallë e të ri gjithmonë! Janë motivuesi më i mirë për punë! Ëndërroni çka t’ua do loçka e zemrës e punoni me vullnet që ato ëndrra të jetësohen e të bëhen realitet edhe mos u dorëzoni para sfidave sepse sa më shumë sfida që tejkaloni me dinjitet aq më i kënaqshëm e domethënës bëhet suksesi!
Të realizoni ëndrrën e juaj të madhe duke qenë vetëm një fëmijë i vogël është diçka e jashtëzakonshme, e këtë fat dhe arritje të madhe ka realizuar vajza e vogël me emrin Arona Zyberi, e cila u bë shumë e dashur për publikun në ekspeditën e saj në Itali me kastën e aktorëve të filmit “Vera Andrron Detin”, shkruan KultPlus.
Aktorja më e re në moshë në këtë film, tregon në një intervistë për KultPlus se fillimisht ka qenë pjesë e një projekti së bashku me Teuta Krasniqin, e nga aty ka dëgjuar që po kërkohet një fëmijë i vogël për të luajtur në një film me regji të Kaltrina Krasniqit.
“Mami kishte dëgjuar për audiconin dhe më ka njoftuar mua, e më pas edhe kemi vazhduar aty”, thotë Zyberi.
Kur ishte në moshën shtatë-vjeçare, Arona filloi aventurën e saj për të qenë pjesë e një filmi të madh dhe kësisoj aplikoi e u pranua të bëhej pjesë e kastës së këtij projekti.
“Fillimisht regjisorja më ka pyet që ta bind mamin me ma ble një arush, e unë i kam thënë që nuk e kam arushin e bardhë dhe duhet me ma ble një të tillë”.
Ka mjaftuar pjesa e një arushi që Arona të jetë pjesë e një filmi me suksese ndërkombëtare tanimë, “Vera Andrron Detin”.
“Ata e kanë lajmëru mamin në telefon dhe më ka njoftu mami që e kom fitu rolin. Kam qenë duke i bërë detyrat dhe e kam marrë lajmin si në befasi. Kam dashtë me ia bo befasi, por në fund nuk doli”, e thotë ajo me shumë ngazëllim në fytyrë.
Mirëpo, përpara se ta fitonte rolin, Arona ndau një vlerë të jashtëzakonshme që ajo posedon në karakterin e saj.
“Aty ka pasur edhe fëmijë të tjerë e unë nuk kom besu që kam me marrë rolin. Kur kam dalë prej audicionit unë i kam tregu edhe fëmijëve të tjerë për ato se çfarë më pyetën pasi nuk besoja se mund ta fitoja rolin, e kur kam fituar më kanë uruar”.
Pasi ka arritur të fitojë këtë audicion dhe është bërë pjesë e kastës së filmit, Arona tregon se kishte filluar xhirimet në moshën tetë-vjeçare, por për arsye se disa skena kërkonin qëndrimin në një vend, ishin pak të mërzitshme për të.
“Në moshën tetë -vjeçare e kam filluar aktrimin, xhirimet kanë ndodhur në disa vende e jo vetëm në një lokacion. E kemi filluar në shtëpi e më pas kemi lëvizë, përveç Kosovës edhe në Shqipëri. Për pjesën time kanë qenë 11 ditë xhirime, e për të tjerët më shumë. Kanë zgjatë më shumë se që e kam pritë, e pak të lodhshme. E kam pasë një rol me qëndru shtritë duke fjetur dhe është dukë vetëm një këmbë, nuk më ka pëlqy edhe shumë kur kam qëndruar veç në një vend”.
Vajza me një karrierë në aktrim tanimë, pohon se bashkëpunimi me një regjisore siç është Kaltrina Krasniqi ka qenë shumë i mirë dhe madje është gëzuar shumë kur e ka përzgjedhur në film.
Marrëdhëniet e krijuara në film kanë ndikuar që Arona të bëjë disa shoqe të reja në jetën e saj.
“Me Teutën e kam një marrëdhënie më të mirë në film sesa me nënën edhe pse në film kam dashuri për të dyja, por me gjyshen kam bërë më shumë skena dhe është kujdesur më shumë për mua”.
Përshtatja e jetesës për një film është paksa e vështirë, kjo për shkak që një fëmijë ka edhe angazhime të tjera në jetë, por shkolla e ka mirëkuptuar një gjë të tillë.
“Ka pasur disa ditë kur nuk kam qenë në shkollë për shkak të filmit, por në fund filmi ka qenë shumë i mirë. Kur e kam përfunduar filmin, në shkollë dhe në klasë isha njeri i famshëm”.
Derisa nëna e saj shpjegonte nga afër se si ishte pjesa e shkollimit të Aronës, aty ishte e përfshirë edhe pjesa e vizitës në Venecia, si një gjë e jashtëzakonshme e që ndodhë shumë rrallë nëpër Festivale të Filmit.
Prezantimi dhe pjesëmarrja e Aronës në festival ishte magjike për vetë faktin që presidenti i festivalit ishte në emocion dhe ngazëllim kur e pa atë.
“Çdo aktorë ka qenë në lot pas përfundimit të filmit në Venecia, duke më përfshirë edhe mua. Eksperienca në Itali shumë e mirë, njerëzit në rrugë na ndalnin dhe gjithnjë po na komplimentonin për filmin, ndjenjë e veçantë”.
Ajo gjithashtu tregon se gjatë ekspeditës në Itali ka marrë edhe komplimentin që është aktorja më e mirë, gjë për të cilën është ndjerë shumë mirë.
“Kam qef me shku edhe në festivalet e tjera dhe shpresoj që më ftojnë edhe atje i gjithë ekipi”.
Hera e parë kur Kosova dërgoi dy fëmijë të vegjël për të bërë paraqitje në tapetin e kuq në një festival të madh të filmit ishte në edicionin e 88-të të Oscar, kur aktorët Andi Bajgora dhe Lum Veseli bënë paraqitjen e tyre në tapetin magjik.
E rrethuar nga një numër i madh i aktorëve eminent të skenës shqiptare, Arona shihet e buzëqeshur dhe në disponim të mirë në disa fotografi që u publikuan gjatë ecjes në tapetin e kuq në Festivalin e Filmit në Venecia.
“Regjisorja më ka tregu që ka ndodhë shumë rrallë një përfaqësim i tillë. Jam ndje krenare që kemi përfaqësu Kosovën, jam ndje krenare përveç me filmin por edhe me veten. Jam ndje shumë mirë kur është përfundu filmi dhe eksperienca në Venecia, shumë persona na kanë uru për filmin. Shpresoj që edhe personat e tjerë kanë me marrë pjesën e këshillës që me bo çka të dëshirojnë dhe me arritë gjithçka”, ka thënë në vazhdim dhjetë vjeçarja.
Rreth karrierës dhe të ardhmes së saj, Zyberi thotë se do të vazhdojë tutje të merret me film në qoftë se ka role për fëmijë, por tani ajo thotë se ka më shumë filma të dhimbshëm sesa për fëmijët.
E pyetur se ku e gjen veten më mirë, në aktrim apo balet, Arona thotë se këto dyja dallojnë shumë mes veti.
“Aktrimi shumë më i vështirë pasi duhet të kesh talent, edhe baleti është i vështirë por unë mendoj që në aktrim është më vështirë”.
Dëshira e madhe e Aronës për vitin 2022 është që filmi ku ajo merr pjesë të vijë në Kosovë dhe klasa e saj ta shohë këtë pjesë.
“Po pres me padurim që të shfaqet filmi, dua t’i bëj ftesë të gjithë klasës me ardhë e me e pa e gjithë filmin, është dëshirë e imja”.
Përveç aktrimit, ajo ka marrë pjesë edhe në disa reklama të ndryshme, derisa me KultPlus, Arona ndan edhe ëndrrën e saj më të madhe.
“Ëndrra ime është të bëhem e famshme, por jo ta lavdëroj shumë vetën. Kam dëshirë të bëhem një aktore e famshme, ose këngëtare ose edhe një mjeke”.
Mesazhi i Aronës për fund ishte që gjithmonë të ndjekni ëndrrat e juaja dhe të mos i leni diku tjetër, sepse në fund ato realizohen.
Mbështetja e vazhdueshme e prindërve ka ndikuar që një fëmijë i vogël siç është Arona të arrijë diçka të jashtëzakonshme dhe të marrë pjesë në një festival kaq prestigjioz.
Ndërkaëq, filmi “Vera Andrron Detin” është një portret intim por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë të pabarazisë gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme’. Ky film pritet që gjatë janarit të vitit 2022 të fillojë të shfaqet edhe në Kosovë. /KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore dhe fituese e çmimit ‘’Grammy’’, Dua Lipa po bashkohet me një formacion të aktorëve që përfshin: Henry Cavill, Sam Rockwell, Bryce Dallas Howard, Bryan Cranston, Catherine O’Hara, John Cena dhe Samuel L. Jackson për filmin më të ri të zhanrit triler të titulluar ‘Argylle‘, me ç’rast ajo do të debutojë në rolin e aktores, transmeton KultPlus.
Bazuar në romanin spiunazh, filmi Argylle nga autori Ellie Conway dhe producenti Vaughn’s Mary, ndjek spiunin më të madh në botë ‘’Argylle’’ ndërsa ai është kapur në një aventurë globale.
Filmi pritet të jetë i pari nga të paktën tre filmat në ekskluzivitet dhe është i vendosur në Amerikë, Londër dhe vendndodhje të shumta në të gjithë botën. Xhirimet e tij pritet të nisin në muajin gusht në Evropë.
Ajo do të sigurojë gjithashtu muzikë origjinale për filmin, teksa kujtojmë se sukseset e saj sa vinë e shtohen./ KultPlus.com
Ishte viti 1946 kur seritë e para u shfaqen në ekran. Sot ato kanë një rol shumë të madh dhe shumë të rëndësishëm në kinematografinë moderne.
Gjithashtu, serialet kanë gjetur vendin e tyre në zemrat tona sepse disa prej tyre zgjasin me vite, ne mësohemi me personazhet tanë të preferuar aty dhe ndihemi sikur të jenë miqtë tanë të ngushtë për të cilët dimë gjithçka.
Kështu që vendosëm të zbulojmë se si ndryshoi portreti i personazheve të serialeve të famshme, duke filluar nga episodi i parë i tyre e deri në shfaqjen e fundit në serial./ klan/ KultPlus.com
Adele pati fituar një “Oscar” dhe një “Golden Globe” për këngën e saj “Skyfall” në filmin e “James Bond”.
Këngëtarja britanike ka bërë të ditur se po synon një arritje tjetër të madhe, që pritet të jetë nga bota e filmit.
Adele, 32-vjeçare ka bërë të ditur se ekipi i saj është duke punuar që t’ia mundësojë asaj një paraqitje sa më të mirë në një prej filmave të ardhshëm hollivudian.
“Ekipi i Adeles do të bënte gjithçka për ta bërë të lumtur atë”, ka thënë një burimi, transmeton KultPlus.
Pavarësisht kësaj, ekipi i këngëtares nuk dëshiron që ta lodhë shumë atë pasi dëshiron që ajo të jetë e lirë për të kryer edhe albumin e saj të radhës. / KultPlus.com