Margarita Xhepa, aktorja e mbi 150 roleve



Sot është datëlindja e aktores së madhe shqiptare, Margarita Xhepa. Ajo lindi indi më 2 prill 1932 në Lushnje të Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Nga viti 1950 u aktivizua si artiste probiste në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) dhe njëkohësisht studioi në Liceun Artistik, Dega e Dramës.

Ka krijuar mbi 150 role në teatër, midis të cilëve mund të përmendim: majlindën tek “majlinda” (Xh. Broja), Dafina tek “Lumi i vdekur” (dramatizim nga K. Velça i romanit me të njëjtin titull të Jakov Xoxës), Filja tek “Cuca e maleve” (Loni Papa), Zonja Mëmë tek “Kush e solli Doruntinën” (dramatizim nga Edmond Budina e Pirro Mani i romanit me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë), Nëna “Përballë vetes” (Ruzhdi Pulaha) etj.

Ka qenë njësoj e suksesshme në rolet e dramaturgjisë botërore, si Ofelia tek “Hamleti”, Vajza e dytë tek “Mbreti Lir”, Dado tek “Romeo e Xhulieta”, Mbretëresha Margaret tek “Rikardi i III”, të Shekspirit.

Në rolet e tjera nga dramaturgjia botërore spikasin Klea tek “Dhelpra dhe rrushtë” (Figereido), Lena tek “Xhaxha Vanja” (Çehov), Ledi Milford tek “Luiza Miler” (Shiler), Zonja Berling tek “Vizita e inspektorit” (Pristli), Zonja Lomen tek “Vdekja e një komisioneri” (A. Miller), Ana Andrejevna tek “Revizori” (Gogol), Marsela tek “Qeni i kopshtarit” (De Vega), Mashenka tek “Mashenka” (Afigenov), Shejla tek “Morali i zonjes Dulska” (Zapolska), apo Dado tek “Elektra” e Sofokliut, nën drejtimin e regjisorit grek Dhimitri Mavriqis, në Teatrin Kombëtar të Greqisë, në Athinë.

Veç roleve në teatër, ka realizuar edhe 32 role në kinematografi, duke punuar me shumicën e regjisorëve shqiptarë. Me K. Dhamon xhiron “Vitet e para” dhe “Gjurmët”, me I. Muçajn e K. Mitron “Dimri i fundit”, “Tokë e përgjakur”, “Një djalë edhe një vajzë” dhe “Apasionata”, me Viktor Gjikën, “Gjeneral gramafoni”, me E. Musliun, “Rrethi i kujtesës” dhe “Vitet e pritjes” (E. Musliu), me Kujtim Çashkun, “Dora e ngrohtë”, me Dhimitër Anagnostin, “Gurët e shtëpisë sime”, me P. Milkanin, “Pranvera s’erdhi vetëm”, me S. Kumbaron, “Koncert në vitin 1936”, me Gj. Xhuvanian “E diela e fundit” dhe “I dashur armik”.

Në vitin 1997 interpretoi ne filmin grek “Mirupafshim” (regjisor J. Koras, K. Vupuras). Filmi u laureua me Çmimin e Madh ne Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar në Selanik, ndërsa Margarita Xhepa, Çmimin e Nderit.

Xhepa cilësohet si një nga Zonjat e Mëdha të teatrit shqiptar. Në maj 2004 u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar, për të shkëlqyer në dramën “Streha e të harruarve”, një tjetër sukses në karrierën e saj 50- vjeçare. / KultPlus.com

22 vjet nga vrasja e aktores Adriana Abdullahu nga forcat serbe

Sot shënohet 22 vjetori i vrasjes makabre të aktores Adriana Abdullahu, e cila u vra në mars të vitit 1999 nga sulmi i forcave serbe në një kafiteri në Prishtinë, pak para fillimit të bombardimeve të NATO-s, shkruan KultPlus.

Adriana ishte një aktore e talentuar, plot jetë e e dashur për të gjithë. Kishte fatin të shëtiste botën dhe kjo e kishte kultivuar edhe më shumë personalitetin e saj kulturorë e social.

Me rastin e përvjetorit të vdekjes së Adrians, teatri i qytetit të Ferizajt që njëkohësisht mban emrin e aktores, e ka kujtuar atë përmes një postimi në facebook ku shprehin krenarinë e tyre që teatri mban emrin e aktores.

“Prindërit e kolegët e saj e përshkruajnë si një vajzë të hareshme e me dell humori të rrallë. Buzëqeshja dhe perspektiva e aj u ndërprenë dhunshëm nga një sulm i papritur i forcave serbe në një lokal ku Adriana dhe miqtë e saj takoheshin mbrëmjeve, kështu duke shuar një shpirt artisteje, e një vajzë që ishte shembull emancipimi e progresi shoqëror. Sot, teatri i Ferizajt, mban me krenari emrin “Teatri Adriana” dhe në vazhdimësi mëton të kujtoj e të afirmoj vlerat e saja  njerëzore e artistike”. / KultPlus.com

Aktoret e famshme që nuk harrohen kurrë

Aktorët përveç veçantisë së interpretimit artistik secili në mënyrën e vet, krijojnë edhe një lidhje emocionale për periudha të ndryshme kohore me publikun, duke lënë kështu gjurmë në mendjet e tyre.

1.Audrey Hepburn

Hepburn është një aktore britanike. E njohur si ikonë e filmit dhe modës, ajo u rendit nga Instituti Amerikan i Filmit si legjenda e tretë më e madhe e ekranit në mesin e aktoreve nga Epoka e Artë e Hollywood-it dhe u fut në Listën për veshjen më të mirë ndërkombëtare. Aktorja është e njohur për filmat e saj “Breakfast at Tiffany’s”, “Sabrina”, etj. Audrey Hepburn ka vdekur në moshën 64 vjeçare në vitin 1993.

2. Merly Streep

Mary Louise “Meryl” Streep është një aktore dhe këngëtare amerikane. Shpesh e përshkruar si “aktorja më e mirë e brezit të saj”, Streep është veçanërisht e njohur për shkathtësinë dhe thekset e saj. Aktorja është e njohur për filmat e saj “Devil wears Prada”, “Mamma Mia”, “Julie&Julia”, “The Post” etj.

Aktorja është fituese e shumë çmimeve, ndër to “Best Actress Academy Awards 2004” dhe e “Golden Globes 2017”.

3.Sophia Loren

Sofia Villani Scicolone Dame Grand Cross OMRI, e njohur profesionalisht si Sophia Loren është një aktore italiane. Ajo u emërua nga Instituti Amerikan i Filmit si ylli i 21-të më i madh i Kinemasë klasike të Hollywood-it.  Loren ka fituar pesë çmime Golden Globes, një çmim në Grammy Awards, etj.

Ajo është e njohur për filmat e saj “Two Women”, “Marriage Italyan Style”, “Yesterday, Today and Tomorrow”, etj.

4. Julie Andrews

Dame Julie Andrews DBE është një aktore, këngëtare dhe autore angleze. Me një karrierë që shtrihet në shtatë dekada, ajo ka qenë marrëse e disa vlerësimeve, duke përfshirë një Çmim të Filmit të Akademisë Britanike, një Çmim të Akademisë, dy Çmime Emmy dhe tre Çmime Grammy.

Aktorja njihet për filmat e saj “The Princess Diaries”, “The Sound of Music”, “Victor/Victoria” etj.

5.Brigitte Bardot

Brigitte Anne-Marie Bardot, shpesh e përmendur me inicialet e saj BB, është një aktiviste franceze për të drejtat e kafshëve dhe ish-aktore dhe këngëtare. E famshme për portretizimin e personave të emancipuar me stilet e jetës hedoniste, ajo ishte aktiviste për të drejtat e njeriut.

BB është e njohur për filmat “And God created Woman”, “Contempt”, “Viva Maria” etj. /op/ KultPlus.com

Teatri “Adem Mikullovci” hapë audicion për aktorë

Teatri “Adem Mikullovci” në Vushtrri ka hapur audicion për aktorë/e për shfaqjen “Breket” sipas Turit.

Të gjithë aktorët e interesuar mund të paraqiten nga data 03.02.2021. Audicioni do të mbahet më 16 shkurt 2021.

Të gjithë të interesuarit mund të paraqiten në zyrën e teatrit çdo ditë nga ora 09-12:00. / KultPlus.com

Nga “Toka Jonë” te “Cifti i lumtur”, gjurmët e pashlyeshme të aktores Antoneta Fishta në teatër dhe kinematografi

Përkujtohet sot 99 vjetori i lindjes së aktores së mirënjohur, Antoneta Fishta.

Artistja ka lindur më 22 janar të vitit 1922 në Vjenë të Austrisë. Për shkak të humbjes së prindërve të saj, ajo kthehet në Shqipëri ku rritet nga murgeshat dhe ndjek studimet në shkollën normale “Donika Kastrioti” dhe diplomohet për mësuesi, profesion të cilin ajo e ushtroi në rininë e saj.

Me vendosjen e saj përfundimisht në Shkodër dhe mëqënëse pasioni që ajo kishte që në fëmijëri nuk i ishte zbehur, aktorja Fishta si fillim bëhet pjesë e grupeve artistike në Shkodër.

Ajo u bë pjesë e teatrit “Migjeni” të Shkodrës duke interpretuar si fillim në shfaqjet “Çështja Ruse”, “Portreti” dhe “Ishulli i paqes”, shfaqje këto që nxorën në pah talentin e madh të artistes dhe që më pas do t’i besoheshin role të rëndësishme në vepra të tjera të vëna në skenën e teatrit “Migjeni”.

Në këtë teatër, artistja ka interpretuar më tepër se 70 personazhe nga më të ndryshmet. Por përveç teatrit, ajo u bë shumë shpejtë pjesë edhe e kinematografisë shqiptare duke interpretuar edhe këtu rreth 12 role të cilat kanë ngelur gjatë në memorien e publikut.

Ndër shfaqjet dhe filmat që ajo ka interpretuar dhe ka lënë gjurmë janë “Shtrëngata e Ostrovskit”, “Tirani i Padovës”, “Toka Jonë”, “7 shaljanet”, “Këshilli i ndrikullave”, “Detyrë e posaçme”, “Shtigje lufte”, “Çifti i lumtur”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Radiostacioni”, “Flaka e maleve”, “Rruga e lirisë” dhe shumë e shumë role të tjera.

Artistja është vlerësuar shumë herë me çmime dhe medalje të mara në festivale të ndryshme teatrorë dhe kinematografikë.

Antoneta Fishta ka lënë gjurmë të pashlyeshme në artin shqiptar dhe për shumë breza me radhë do të ngelet një figurë dhe model i rëndësishme në artit shqiptar.

Ajo u nda nga jeta më 26 tetor 2016 në Itali në moshën 84 vjeçare./ atsh/ KultPlus.com

Mimika Luca, aktorja shumëdimensionale e teatrit dhe kinematografisë

Mimika Luca, një ndër aktoret e dashura për publikun feston sot 83-vjetorin e lindjes.

Ajo cilësohet si një aktore shumëdimensionale si në teatër ashtu edhe në kinematografi.

Ajo u lind më datë 24 dhjetor të vitit 1937 në qytetin e Gjirokastrës. Gjatë fëmijërisë së saj ka kaluar shumë vështirësi ku edhe përfundoj në strehën vorfnore. Megjithatë ajo arriti të ndiqte pasionin e saj për artin dhe sidomos atë për baletin. Ajo ka interpretuar si balerinë së skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit nga viti 1951 deri në vitin 1962 ku edhe spikati per talentin dhe për aftësitë e saj fizike.

Pas njohjes me bashkëshortin e saj Ndrek Luca, një aktor i jashtëzakonshëm edhe ky për interpretimin e karaktereve dhe figurave artistike, Mimika iu përkushtua me dashuri artit dramatik dhe ku pati sukses në interpretimet e saj.

Ajo u pranua si aktore e Teatrit Popullor sot Teatri Kombëtar në vitin 1962.

Gjatë karrierës së saj 15-vjeçare si aktore Mimika Luca ka interpretuar në rreth 30 rrole ku ndër to do të veçonim Luçia te “Borgjezi fisnik”, Tjen Ny te “Muri i madh”, Dila te drama “Cuca e maleve”, Nica te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Laja te “Kur hidheshin themelet”, Sonja te “Xhaxha Vanja”. Interpretimin e saj ndër më të mirët e ka në dramën “Drita”, dramë e shkruar nga vetë aktorja.

Mimika Luca interpretoj gjithashtu edhe në shumë filma artistik si “Treni niset në shtatë pa pesë” “Përrallë nga e kaluara” “Taulanti kërkon një motër” e shumë të tjerë.

Në vitin 1977 ajo emërohet edhe pedagoge në “Institutin e Lartë të Arteve” dega e Dramës. /atsh/ KultPlus.com

Aktorja Marika Kallamata përkujtohet në 90-vjetorin e lindjes

Marika Kallamata i përket asaj plejade të brezit të aktorëve që krijuan institucionin e artit skenik shqiptar. Ajo lindi në qytetin e Fierit më datë 17 nëntor të vitit 1930.

Në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria doli prej saj me vështirësi shumë të mëdha. Menjëherë u bë thirrje për të krijuar teatrin dhe pjesë e tij të bëheshin të rinj që gjatë luftës ishin aktivizuar me pjesë të vogla teatrore që kryheshin për të argëtuar batalionet që luftonin për çlirimin e vendit.

Sikurse shume emra si Naim Frashëri, Violeta Manushi etj, ishte edhe Marika Kallamata që më pas edhe studioi dhe u diplomua pas luftës. Megjithëse u diplomua në vitin 1963 ajo ishte pjesë e Teatrit Kombëtar që në vitin 1950 ku spikati për talentin e saj të jashtëzakonshëm.

Në teatër Marika Kallamata numëron mbi 60 role të suksesshme dhe 16 role të tjera ne kinematografi ku veçojmë rrolin e Asparisë tek “Karnavalet e Korçës” apo Ortensian tek “E zonja e Bujtinës” dhe role të tjerë të dashur për publikun.

Gjatë jetës së saj artistike ajo u vlerësua me disa çmime ku vlejnë të përmenden vlerësime si “Artiste e Merituar” dhe gjithashtu titulli “Naim Frashëri i klasit të parë”.

Megjithëse në vitin 1985 doli në pension, ajo u ngjit sërish në skenë në vitin 2004 me shfaqjen “Streha e të Harruarve”.

Marika Kallamata u nga jeta një vit më parë më datë 23 dhjetor të vitit 2019. /atsh/ KultPlus.com

85 vjet nga lindja e aktores së papërsëritshme , Melihate Ajeti

Sot, është 85 vjetori i lindjes së aktores së papërsëritshme, Melihate Ajeti, e cila lindi në Prishtinë më 9 tetor 1935.

Semimaturën e kreu në Prishtinë. Vijoj shkollën e aktrimit në Prishtinë dhe bëri një specializim në Paris (Comedie Française). Aktorja numër një e teatrit prishtinas, e nisi aktrimin si 16 vjeçare më 1951 në Teatrin Krahinorë të Kosovës dhe shkriu në skenë 180 role kryesore me të cilat dëshmoi talentin, bukurin e kapacitetin e madh prej aktoreje.

Melihate Ajeti, apo siç e quanin miqtë, Meli, qe një kombinim mes të prekshmes dhe mitologjikes, mes përrallores dhe të dukshmes.

Loja e saj e jashtëzakonshme në teatër dhe në filmat “Vajza pa pajë”, “Kur pranvera vonohet”, “Trimi”, “Etja”, e bëjnë Melihate Ajetin primadonë të filmit e të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Aura e saj rrezatuese, tepër e madhe për skenën e vogël të Teatrit të Kosovës!

Shpërblimet e lëvdatat e panumërta: Për Zonjën me Kamelie – Shpërblimi i dhjetorit (1963). Joakim Vujic(1972) dhe (1975) për Hajrijën dhe Svingën. Shpërblimi i Shoqatës së Artistëve të Jugosllavisë për Ervehen (1971). Çmimi më i lartë i punës (1976). Më 1985 shpërblimi i parë për rol femre në “Shtetrrethimin” në festivalin Joakim Vujic.

Këto janë vetëm disa mirënjohje që dëshmojnë se Melihate Ajeti ishte Primadona e skenës shqiptare. Ajo vdiq më 26 mars 2005 në Prishtinë. / KultPlus.com

Aktorët që nuk kanë fituar asnjëherë Oscar

Ka disa arsye të vlefshme përse disa aktorë nuk kanë fituar ende një ‘Oscar’. Më poshtë, mund të gjeni disa nga vëzhgimet dhe supozimet pse nuk ka ndodhur kjo.

Më poshtë gjeni 17 aktore dhe aktorë të talentuar të cilët janë nominuar për një ‘Oscar’ të paktën një herë, por nuk e kanë fituar këtë çmim akoma.


1. Amy Adams

Amy Adams është nominuar për ‘Oscar’ 5 herë për filma si ‘Doubt’, ‘The Master’ dhe ‘American Hustle’. Në vitin 2016, ajo ishte e shkëlqyer në rolin e saj si Louise Banks në filmin “Sci-fi flick Arrival”. Dhe ajo nuk u propozua as për një ‘Oscar’ për këtë pjesë, gjë që i bëri tifozët e saj të zemëruar.

Ndoshta arsyeja pse Adams ende nuk e ka fituar këtë trofe është sepse ajo ka filluar karrierën e saj në Hollywood në moshë të vonuar, ajo ishte tashmë 25 vjeç në kohën kur filloi të ishte pjesë e industrisë së filmit. Deri në këtë moshë, shumë yje janë nominuar për një ‘Oscar’ disa herë pasi është shumë normale të fillosh një karrierë në moshë të re. Por Adams ende ka shumë kohë për ta fituar këtë çmim.


2. Bradley Cooper

Bradley Cooper u nominua për një ‘Oscar’ tri vjet me radhë. Herën e parë ai u nominua në vitin 2013, kur ai u propozua për aktorin më të mirë për rolin e tij kryesor në “Silver Linings Playbook”, por statuja shkoi në duart e aktorit Daniel Day-Lewis për performancën e tij në filmin “Lincoln”. Vitin e ardhshëm, Cooper u propozua për “Aktorin më të mirë në rol dytësor” për filmin “American Hustle”, por ishte Jared Leto i cili fitoi ‘Oscar’-in atë kohë. Herën e tretë, ndërsa herën e tretë që ai u nominua, çmimin e fitoi Eddie Redmayne që luajti rolin e Stephen Hawking.

Duket se Cooper nuk ka marrë ende mundësinë e tij të artë. Megjithatë, ai do të ketë një shans të vërtetë të mirë për ta lënë ceremoninë me çmimin në dorë këtë vit. Projekti i tij, “A star is born”, ku ishte regjisor, producent, skenarist dhe aktori kryesor, është shumë premtues. Shpresojmë që ai do të fitojë këtë statujë të shumëpritur dhe të merituar.


3. Saoirse Ronan

Saoirse Ronan është vetëm 24 vjeçe, por tashmë ka marrë pjesë në garën për çmimin më prestigjioz të filmit tri herë. Nominimi i saj i parë u bë kur ajo ishte vetëm 13 vjeçe. Pastaj ajo ishte një nga kandidatët më të mirë të aktores për rolin e saj në filmin “Brooklyn”, dhe vitin e kaluar ajo pothuajse fitoi çmimin për rolin e e saj kryesor në “Lady Bird”.

Ronan është një nga shembujt e një karriere të hershme. Por gjatë ceremonisë së vitit të kaluar, ajo kishte për të konkurruar me aktoret e mëdha si: Frances McDormand (60 vjeçe) dhe Meryl Streep (68 vjeçe). Ronan tha në intervistën e saj se ajo nuk është konkurruese për çmime dhe se vetë nominimi u ndje si një fitore ndaj saj. Ajo do të ketë një shans të mirë për të fituar një ‘Oscar’ këtë vit për rolin e saj si Mary Stuart në “Mary Queen of Scots”.


4. Joaquin Phoenix

Joaquin Phoenix ka patur tri nominime për çmimin ‘Oscar’ deri më tani, dhe më i rëndësishmi ishte ai për “Aktorin më të mirë në rol dytësor” për filmin “Gladiator”. Është e çuditshme, por ai kurrë nuk u nominua për rolin e tij të shkëlqyer në filmat si “Her” dhe “Inherent Vice”.

Ka pasur zëra se Phoenix nuk dëshiron të marrë pjesë në këto ngjarje të pafundme dhe duhet të japë intervista të panumërta vetëm për t’u konsideruar për çmimin.


5. Helena Bonham Carter

Ky aktore është nominuar dy herë për një ‘Oscar’. Herën e parë ndodhi në vitin 1998 kur ajo mori një nominim për “Aktoren më të mirë” për filmin “The Wings of the Dove”. Herën e dytë, ajo ishte në vitin 2011 në kategorinë “Aktorja më e mirë në rol dytësor” për rolin e saj në dramën historike “The King’s Speech”. Mjerisht, në të dyja rastet, fati nuk ishte në anën e Carterit. Është interesante se ajo nuk fitoi asnjë çmim dhe nuk u nominua as për ndonjë gjë për punën e saj të jashtëzakonshme për rolin e Marlas në “Fight Club”.

6. Johnny Depp

Gjatë gjithë karrierës së tij të gjatë Depp është nominuar për çmimin Oskar 3 herë. Në vitin 2004, nga të tre nominimet Deep nuk e fitoi asnjëherë këtë çmim. Depp thotë në intervistat e tij se ai nuk është i interesuar më për cmime. Ai ka thënë se, kurrë nuk donte të fitonte çmimin Oskar, duke e sqaruar se nuk mori pjesë për hir të fitimit të çmimit por për fansat e tij.


7. Sharon Stone

Sharon Stone ka luajtur në më shumë se 40 filma artistikë, por ajo u bë me famë botërore falë pjesës së saj në Basic Instinct. Sa për çmimin Oskar, ajo u propozua për këtë çmim vetëm një herë për pjesën e saj në Cazino, por çmimi u fitua nga Susan Sarandon atë vit. Ajo u bë e famshme në moshën 34 vjeçare. Para se të niste këtë karrierë ajo punonte si modele dhe merrte pjesë në aktrim, në filmat B. Ajo nuk ndenji gjatë në SHBA, por zhvendosi vëmendjen e saj në Evropë. Thonë se është ajo që e bëri Festivalin e Filmit në Kanë një nga festivalet më të njohura dhe më të njohura të filmit në botë, e cila nuk është më pak prestigjioze sesa Çmimet e Akademisë.


8. Bill Murray

Ky aktor që është shuam i dashur nga miliona fansa, u nominua për çmimin Oskar vetëm një herë në 2004 në kategorinë e aktorëve më të mirë për pjesën e tij në Lost in Translation. Në atë kohë, ai humbi me Sean Penn. Është interesante që pavarësisht pjesëve që ka aktruar në filmat më të mirë, ai kurrë nuk ka fituar ndonjë çmim për ta. Në një nga intervistat e tij, Murray pranoi se ai kishte vendosur të mos merrte pjesë më në garën e Oskarëve. Ai krahasoi dëshirën për të fituar një Oskar me një virus që e pengon atë të mendojë qartë. Pasi nuk e fitoi Oskarin për Lost in Translation, ai tha, “6 muaj më vonë, kuptova se e kisha marrë virusin. Unë kam qenë i infektuar. ”


9. Keanu Reeves

Është e vështirë të besohet, por Keanu Reeves kurrë nuk është nominuar për një Oskar. Ai u bë i famshëm në mbarë botën pas filmave të suksesshëm si Speed and Point Break, dhe Matrix e bëri atë një figurë të famshme. Edhe pse ai nuk ka fituar çmimin Oskar, Reeves ka fituar vetëm çmime MTV Movie.


10. Tom Cruise

Tom Cruise u nominua për një Oskarin në kategorinë e aktorëve më të mirë në vitin 1990 për herë të parë. Situata e Cruise-it mund të shpjegohet me një teori të quajtur Pitt-Hanks Continuum që thotë se ka dy lloje aktorësh në Hollywood. Tipi i parë i ngjan Brad Pitt, i dyti i ngjan Tom Hanks. Aktorët e tipit të parë vazhdimisht mund të shfaqin performancë të shkëlqyer, por ata kurrë nuk do ta fitojnë çmimin. Ndërsa aktorët e tipit “Hanks” mund të fitojnë një Oskar për punën e tyre të parë të suksesshme.


11. Jessica Chastain

Suksesi i vërtetë erdhi tek Jessica Chastain pas realizimit të filmit The Help. Ajo u emërua menjëherë për çmimin Oskar në kategorinë e aktorëve më të mirë. Megjithatë, ajo nuk fitoi trofeun e artë të atij viti. Vitin e ardhshëm ajo u propozua përsëri për filmin Zero Dark Thirty, por humbi me Jennifer Lawrence. Përveç kësaj, sipas Jessica, ajo tha se ajo ishte shumë e modës së vjetër në fillim të karrierës së saj. Aktualisht tani ajo është në kulmin e suksesit të saj, dhe ka një shans shumë të mirë për të fituar Oskarin e lakmuar në të ardhmen e afërt.

12. Will Smith

Është e vështirë të besohet, por Will Smith ka fituar shumë pak çmime serioze. Në të njëjtën kohë aktrimi i tij ka qenë gjithmonë i mirë, pa marrë parasysh se çfarë zhanri ka luajtur. Ai është emëruar dy herë për çmimin Oskar por në asnjëherë nuk e fitoi këtë çmim. Ndërsa në vitin 2016, Will dhe gruaja e tij Jada Pinkett Smith akuzuan Akademinë e Racizmit dhe u kërkuan njerëzve me ngjyrë të mos marrin pjesë për çmimin Oskar.


13. Michelle Williams

Williams ka marrë pjesë katër herë në çmimin e Oskarit. Dy herë është nominuar në kategorinë e aktorëve më të mirë për dy filmat e saj. Ndërsa 2 herë të tjera ajo u propozua për Best Supporting Actress në filmat Brokeback Mountain dhe Manchester by the Sea. Por pavarësisht të gjitha këtyre filmave ajo nuk arriti të fitonte trofeun e Oskarit. Kohët e fundit, aktorja ka vendosur të kalojë nga role të thella dhe dramatike në projekte më të thjeshta si Feel Pretty dhe Venom.

14. Keira Knightley

Keira ka luajtur në shumë filma të suksesshëm dhe ka qenë e nominuar dy herë për një çmimin Oskar. Emërimi i parë u zhvillua në vitin 2006, për pjesën e saj në Krenari dhe Paragjykime. Herwne dytë është dominuar në 2015, për pjesën e saj në dramën historike The Imitation Game.

15. Robert Downey Jr

Gjithashtu edhe situata me Robert Downey Jr duket e padrejtë. Ai u propozua për herë të parë për çmimin Oskar shumë kohë më parë në vitin 1993 për aktorin më të mirë në Chaplin, por nuk fitoi. Hera e dytë dhe e fundit ishte në vitin 2009 kur ai u emërua në kategorinë e aktorëve më të mirë për Tropic Thunder, por nuk fitoi. Kohët e fundit ai ka thënë se në moshën e tij j 53 vjeçare, do të dukej patetik me një një kostum superhero.

16. Glenn Close

Shumë njerëz e njohin Glenn Close për pjesën e saj si Cruella De Vil në filmat e 101 Dalmateve. Por shumë pak janë të vetëdijshëm se Close është nominuar për një çmimin Oskar 6 herë gjatë karrierës së saj 36-vjeçare. Vlen të përmendet se nominimet e saj të para, 5 prej tyre u zhvilluan në vitet 80. Emërimi i saj i fundit u zhvillua në vitin 2012 për rolin e saj si Albert Nobbs në Albert Nobbs. Ndoshta, aktorja ka qenë e pafat me konkurruesit e tjerë sepse ajo ka dalë kundër, duke humbur me aktoret si Jessica Lange, Cher dhe Meryl Streep.


17. Brad Pitt

Askush nuk do ta besojë se Brad Pitt nuk ka fituar akoma çmimin Oskar. Pranimi i parë i Pitt u zhvillua në vitin 1996 për pjesën e tij në filmin Dymbëdhjetë Majmunët. Hera e dytë ishte në vitin 2009 për pjesën e tij në The Curious Case of Benjamin Button, por sërish nuk fitoi. Në vitin 2012, Brad Pitt kishte edhe 2 nominime për aktorin dhe producentin më të mirë dhe fitoi çmimin “Best Picture Academy Aëard” por humbi përsëri Oskarin. / KultPlus.com

Vdiq aktorja Shirley Douglas, nëna e yllit hollywoodian Kiefer Sutherland

Nëna e Kiefer Sutherlandit e cila ishte aktore, Shirley Douglas, ka vdekur në moshën 86-vjeçare.

Djali i yllit të filmit “Lolita”, e ka bërë të ditur lajmin përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shpjegoi se nëna e tij Shirley Douglas, vdiq nga pneumonia dhe jo nga koronavirusi, transmeton Koha.

Aktori Sitherland, i cili është i biri i aktorit po ashtu të njohur hollywoodian, Donald Sutherland, e përshkroi nënën e tij si një grua e jashtëzakonshme e cila e ka jetuar një jetë të jashtëzakonshme po ashtu.

“Në mëngjesin e sotëm nëna ime, Shirley Douglas, vdiq nga komplikimet e shkaktuara nga pneumonia, dhe gjendja e saj nuk kishte lidhje me COVID-19. Nëna ime ishte një grua e veçantë e cila e ka jetuar një jetë të jashtëzakonshme. Fatkeqësisht ajo kishte kohë që po luftonte me probleme shëndetësore, dhe të gjithë ne si familje po e prisnim vdekjen e saj të pashmangshme,” kishte shkruar aktori në mesazhin e tij të postuar në Twitter.

Përveç rolit në filmin e vitit 1988 të adaptuar nga romani i Stanley Kubrickut, “Lolita” dhe disa projekteve tjera kinematografike, Shirley Douglas po ashtu njihej si aktiviste kundër luftës në Vietnam, dhe betejës së saj rreth kujdesit shëndetësor publik.

Në vitin 2012 ajo u nderua nga Mbretëresha Elizabeta e Dytë, me medaljen “Diamond Jubilee Medal”.

Douglas ka lënë prapa djalin 53-vjeçar, Kiefer Sutherland, dhe motrën e tij binjake Rachel, të cilët i kishte nga martesa e saj 4-vjeçare me aktorin, Donald Sutherland, si dhe një djalë nga martesa e saj e parë, Thomas Emil Sicks.

Pasioni i yllit hollywoodian Kiefer Sutherland për aktrimin, kishte lindur nga nëna e tij. / KultPlus.com

Rozafa Çelaj, aktorja që mori fokusin e kritikëve botërorë, shumë shpejt në rolin e regjisores

Jeta Zymberi

Role, sfida, çmime, kritika e krahasime të nivelit botëror, ishin vetëm disa nga arritjet e aktores Rozafa Çelaj për një kohë relativisht të shkurtër në karrierën e saj. Kinematografisë shqiptare ajo iu bashkua në mënyrë më sfiduese këto vitet e fundit. “Konflikti” i saj me botën e aktrimit zuri fill qysh në fëmijëri. Të rriturit në një familje artistësh, ka bërë që Rozafa Çelaj të jetë gjithmonë pranë teatrit dhe filmit. Ajo ishte aktive me disa paraqitje teatrale dhe filmike qysh në fëmijëri, por roli i parë serioz ishte ai në filmin e shkurtër “Gardhi” nga Lendita Zeqiraj, këtu ku edhe spikati talenti i Rozafës. Entuziazmin për pranimin e rolit të parë, sfidat, sukseset dhe ballafaqimin e saj me nënën në skenë, Rozafa i përmbledh në një intervistë ekskluzive për KultPlus, të cilën e nis duke shpalosur hapat e parë në karrierë.  

“Isha shumë e entuziazmuar për të filluar punimin e atij filmi dhe sot e asaj dite mbetet një përvojë shumë e veçantë. Pas përfundimit të filmit “Gardhi”, regjisorja Zeqiraj ishte e vendosur që në projektin e saj të radhës do të donte që të isha pjesë e kastës së aktorëve dhe normalisht që rruga do të vazhdonte pasi ishte diçka që herët ose vonë e dija se nuk do t’i ikja”.

Profesioni i prindërve ndikon pa vetëdijshëm tek fëmijët dhe është ndër profesionet e para që ata ëndërrojnë. Duke pasur të dy prindërit aktorë, Ilire Vincën dhe Lirak Çelajn edhe ndikimi të Rozafa ishte gati i pashmangshëm.

“Përkushtimi dhe dashuria e prindërve të mi ndaj profesionit të tyre mendoj që ka ndikuar që edhe unë ta çmoj. Duke i ditur vështirësitë shpesh herë kanë provuar edhe të më largojnë nga fusha e artit të cilën tash e kuptoj në një mënyrë por asnjëherë nuk ma kanë imponuar asnjë profesion”.

Sapo iu bashkua me seriozitet kinematografisë shqiptare, Rozafa Çelaj u bë pjesë e tre prej filmave më të suksesshëm kosovarë për këto dy vitet e fundit, “Gardhi”, “Shpia e Agës” dhe “Në Kërkim të Venerës”, ky sukses i menjëhershëm ka rritur ndjenjën e përgjegjësisë për të.

“Është fat të jesh pjesë e projekteve të tilla, të shohësh gjithë atë punë dhe të vlerësohesh brenda dhe jashtë vendit, pa dyshim një ndjenjë e mirë. Por kjo gjithashtu nënkupton rritjen e përgjegjësisë dhe punës e cila asnjëherë nuk është e lehtë”.

 “Shpia e Agës” film ku Rozafa portretizoni një ndër rolet kryesore, hapi konkurrencën e ‘East of the West’ në festivalin ndërkombëtar Karlovy Vary të Çekisë, ky ishte edhe prezantimi i parë për të në një festival kaq prestigjioz, se sa ishte i fortë emocioni dhe barra e saj si aktore e këtij filmi, ajo shprehet kështu:  “Emocioni më i fuqishëm është reagimi i publikut, sidomos kur personazhi dhe filmi është një ngjarje autentike dhe merr përmasa jashtë atyre kufijve”.

Figura e saj nuk ka mbet pa rënë në sy edhe nga kritikët e filmit ndërkombëtar. Prof. Dr. Maja Bogojević, teoriciene dhe kritike e filmit, figurën e Rozafës e ka krahasuar me atë të yllit botëror, Juliette Binoche.

“Është e rëndësishme që puna jonë, e artistëve tanë të ketë audiencë ndërkombëtare dhe kur kjo vlerësohet nga kritikë të filmit tregon nivelin e lartë të artistëve tanë.”

Duke trajtuar jetën e pesë grave, secila viktima të fatit të tyre, pjesë e të cilave ishte edhe Ermira, rolin e së cilës e luan Rozafa te filmi “Shpija e Agës”, ajo doli fituese e çmimit të aktores më të mirë në festivalin ndërkombëtar Cine Balkan Panorama, ky njëherit është çmimi i parë për të si aktore, por Rozafa pohon se asnjëherë nuk e mendon punën e çmimeve kur merr role. Për të e rëndësishme është t’i përkushtohet maksimalisht punës, ndërsa kur vlerësohet me çmim kjo është vetëm një shtytje.

Bashkë me koleget e saj aktore te filmi “Shpia e Agës”, ato fituan çmimin e përbashkët për aktoren më të mirë në festivalin prestigjioz të Cotbusit, Gjermani,  një tjetër sukses, ndonëse i përbashkët, por ky çmim ishte lehtë i kuptueshëm. Shpërblimi si ekip në këtë rast, erdhi për faktin se raporti i pesë grave në film ishte me të vërtetë organik, duke mos lënë hapësirë të ndahen.

“Ashtu siç kemi qenë prapa kamerave mendoj që njëlloj pasqyrohet edhe shihet puna e përbashkët dhe mbështetja e secilës për njëra tjetrën edhe në film”, arsyeton kështu Rozafa çmimin e përbashkët.

Ka ndarë skena me shumë aktore, por ajo ka luajtur edhe përkrah nënës, Ilire Vincës. Ky bashkëpunim e ka sjellë Rozafën në një rezultat.

“Deri sa nuk fillova vetë të merresha me aktrim nuk ma kishte marr mendja që është aq vështirë sa e kam kuptuar tani. Duke e parë kaq shumë vite nënën time Iliren duke performuar, dukej shumë më e lehtë nga këndi i publikut, e ta bësh të duket ashtu mendoj që është një ndër mjeshtëritë kryesore. Këtë e pashë edhe kur pata rastin ta kem partnere dhe si e tillë me profesionalizmin e saj më ndihmoi të ndaj raportin personal me atë të një partnereje në skenë”.

Për të fituar kaq shpejt dashurinë e regjisorëve dhe publikut, nuk është e lehtë. Por modestia nuk e lë Rozafën të vlerësojë vetën. Ajo pohon që punën e merr me shumë dashuri dhe përkushtim.

Secili rol e përballë aktorin e sfida të reja. Për Rozafën këto sfida nuk krahasohen me njëra tjetrën,  secili rol është proces nga fillimi. “Përvoja ndihmon, por në gjëra praktike apo teknike”, thotë ajo.

Në të ardhmen, Rozafa pritet të vijë edhe në rolin e regjisores. Angazhimet e vazhdueshme si aktore, nuk i kanë dhënë mundësi të fokusohet ende në regji, po kjo nuk do të marrë edhe shumë kohë. Ajo pohon për KultPlus se nuk do ta lërë edhe shumë gjatë pas dore regjinë.

Ka pasur zëra që Rozafa do të tërhiqet nga aktrimi, por sipas saj ajo ende nuk i ka hyrë mirë kësaj punë, e për tërheqje nuk bëhet fjalë.

“Ende nuk jam në pikën që kam hyrë në këtë profesion që të tërhiqem nga ai. Jam duke e shijuar punën momentale dhe nuk e mendoj si diçka që duhet të vendosi në atë mënyrë. Jam ende në fazën e zbulimit. Meqë jam edhe regjisore e filmit e vetmja “tërheqje” do të ishte zhvendosja ime prapa kamerës.”

Për të demantuar këtë, më mirë se gjithçka do të flas puna e saj në vazhdim. Ajo tashmë është angazhuar në disa projekte të cilat do t’i zbuloj gjatë vitit 2020. Deri atëherë do të mund të shijoni rolet e saj në filmat e realizuar deri më tani. / KultPlus.com

Aktorja e parë që nënshkroi kontratë në Hollywood

Aktorja Mary Pickford më 24 qershor të vitit 1916, bëhet ylli i parë femër që nënshkruan kontratë milionë dollarëshe në Hollywood.

Lindur në Toronto, Kanada më 1892, e pagëzuar si Gladys Mary Smith, ajo u bë aktore, regjisore dhe skenariste e njohur me emrin ‘e dashura e Amerikës’ në periudhën e filmit pa zë.

Vdiq më 1979, në Santa Monika, Kaliforni. / Insajderi / KultPlus.com

Fotografi e rrallë e Safete Rogovës kur ishte e re (FOTO)

Safete Rogova është një nga artistët më të shquara që u kanë dhënë jetë shumë roleve në skenën e filmit dhe të teatrit shqiptar, shkruan KultPlus.

Ajo numëron pothuajse një gjysmë shekulli në skenën artistike shqiptare, ku ndër vite ka lënë gjurmë. Aktorja Safete Rogova në vitin 2013 është dekoruar nga Presidentja Atifete Jahjaga me Medaljen Presidenciale e Meritave, çmim ky që u jepet personave që me punën e tyre kanë kontribuar në fusha të veçanta si arsim, shkencë, kulturë, rini, sport, siguri, shërbim civil.

KultPlus sot ju sjellë një fotografi ku aktorja shihet në një moshë të re. Fotografia është publikuar nga Micky Haxhiislami./ KultPlus.com

Vdes regjisorja shqiptare Drita Agolli

Ka ndërruar jetë në moshën 90-vjeçare, regjisorja e njohur shqiptare Drita Agolli.

Drita Agolli (Strazimiri) lindi më 2 qershor të vitit 1927 në Maqellarë të Peshkopisë, ishte aktore, regjisore dhe pedagoge e njohur shqiptare.

Në vitin 1950 filloi punë në Teatrin Popullor si aktore. Roli i parë i Drita Agollit ka qenë Marieli tek “Zëri i Amerikës” nga Lavrenjev, në vitin 1951. Në 1954 Drita Agolli ndoqi studimet e larta në Institutin e Arteve të Bukura në Bukuresht, Rumani, për skenografi dhe kostume teatri. Në shtator të 1956 vijon studimet e larta në ish Bashkimin Sovjetik, në Institutin e Artit Dramatik të Moskës me emrin e Lunaçarskit për regji teatri. Pasi diplomohet në atdhe, në 1960 emërohet në Teatrin Popullor, si aktore, por pas vitit 1963, e emëruar tashmë regjisore në Teatrin Kombëtar, ve në skenë disa pjesë të suksesshme të dramaturgjisë botërore dhe kombëtare.

Ndër rolet e saj janë Marieli te “Zëri i Amerikës”, Bianka tek “Otello”, Gertruda te “Hamleti”, Klea te “Dhelpra dhe rrushtë”, Ortensia te “Zonja e Bujtinës”, Drita te “Mbi gërmadhat”, Anarda te “Qeni i kopshtarit”, Elena Andrejevna te “Qeni i kopshtarit”, etj.

Si regjisore ka vënë në skenën e Teatrit Kombëtar disa vepra, si “Shtrëngata”, “Llampa e neonit”, “Tokë e zjarrtë”, “Lumi i vdekur”, “Pabesia”, “Luiza Miler”, “Familja e peshkatarit”, etj. Në vitin 1974, ajo u emërua shefe e Katedrës së Dramaturgjisë në Institutin e Lartë të Arteve, sot Akademia e Arteve të Bukura.

Ceremonia e varrimit për aktoren e regjisoren e mirënjohur do të zhvillohet të enjten në orën 14:00. / KultPlus.com