Sarandë Selimi
Aktorët rezident të Teatrit Kombëtar të Kosovës, pas shumë kërkesave drejtuar MKRS-së, për rritjen e pagës bazë, e poashtu pas nisjes së grevës deri në plotësimin e kërkesave të tyre, patën arritur marrëveshje me ministrin e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Kosovës.
Më 17 tetor ishte ndërprerë greva e aktorëve rezident të Teatrit Kombëtar të Kosovës, dhe ministri Kujtim Gashi, pati dorëzuar një propozim për amendamentimin e Ligjit të Buxhetit për vitin 2018-të, ku është kërkua që në këtë amendament të parashihet rritja e pagave për krijuesit dhe performuesit e kulturës dhe punonjësve profesional të trashëgimisë kulturore.
Por, dje ky amendament është refuzuar nga Komisioni Parlamentar përkatës për kulturë.
Lajmin e ka konfirmuar për KultPlus, Jehona Shyti-shefe e kabinetit të ministrit të Ministrisë së Kulturës, Kujtim Gashi.
“Është për të ardhur keq ky veprim i deputetëve që janë barikaduar kundër një kërkese shumë legjitime dhe shumë të arsyeshme për një komunitet kaq me rëndësi, që fatkeqësisht akoma ka paga minore. Sidoqoftë, ne do ta vazhdojmë betejën për rritjen e pagave të tyre, duke i përdorur të gjitha metodat e ligjshme. Këtë kërkesë prapë do ta shtrojë ministri Gashi në seancën parlamentare kur do të diskutohet Ligji për Buxhetin”, ka thënë ër KultPlus, Jehona Shyti.
Rikujtojmë se Trupa Rezidente e Teatrit Kombëtar të Kosovës ka kërkuar që pagat e tyre të nivelizohen me ato të profesorëve të Universitetit të Prishtinës, dhe një kërkesë e tillë ka koston në vlerë prej mbi një mijë eurove për një aktor./ KultPlus.com