“Shfaqja më e mirë muzikale me kukulla” është çmimi, që i jepet Teatrit të Kukullave të Tiranës me shfaqjen “Kësulkuqja”, i cili përfaqësoi Shqipërinë në festivalin botëror të kukullave “Rainforest World Puppet Carnival”, në Malajzi.
Festivali u organizua nga ministria e Kulturës dhe Sportit në Borneo, Malajzi.
Në këtë festival morën pjesë teatro të rëndësishme nga vende të ndryshme të botës, si Australia, Gjermania, Rusia, Vietnami, Malajzia, Peru, Rumania, Spanja, Kina, Indonezia, Argjentina, Brazil, Meksika, India, Bullgaria dhe teatrot e vendit organizator.
“Emocione dhe vlerësime që na bën të motivohemi më shumë. Urime aktorëve që performuan dhe të gjithë artistëve që janë pjesë e kësaj shfaqje”, shprehet drejtori i Teatrit të Kukullave, Fatjon Sulstarova.
Shfaqja teatrore “Kësulkuqja” është me regji nga Paulo Comentale nga Italia dhe në skenë ajo erdhi nën interpretimin e aktorëve Jorida Meta, Shegushe Bebeti dhe Ermonela Alikaj. Realizimi i kukullave është nga Lucrezia Tritone. /atsh / KultPlus.com