Kujtim Spahivogli (Lushnjë, 30 qershor 1932 – Tiranë, 7 korrik 1987) ka qenë aktor, dramaturg dhe ndër regjisorët më të njohur shqiptar.
Studimet e larta për teatër i ka përfunduar shkëlqyeshëm në Moskë në vitin 1956. Ishte një ndër studentët e shkëlqyer të ardhur nga Bashkimi Sovjetik. Në vitin 1956 emërohet aktor në Teatrin Popullor. Roli i tij i parë në skenën e Teatrit Popullor ishte Xherxhinski në dramën “Orët e Kremlinit”, dhe më pas vijnë një sërë rolesh në dramat “Majlinda”, “Në anën tjetër”, “Dragoi i Dragobisë”, “Hamleti”, etj.
Ai më shumë ka punuar dhe u shqua si regjisor në Teatrin Popullor dhe si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve. Ka vënë në skenë pjesët: “I Çuditshmi”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Në tufan”, “Shtëpia në bulevard”, “Drita”, “Karnavalet e Korçës”, “Qielli i kuq”, etj.
Spahivogli ishte edhe krijues e drejtues i “Teatrit të të Rinjve” i cili u krijua pranë Institutit të Lartë të Arteve. Në mes të pak pjesëve që vuri në skenë me atë trupë qe edhe komedia e njohur e Majakovskit “Banja”. Po ashtu, vuri në skenë edhe pjesë të dramaturgut Fadil Paçrami, dhe kur ky u godit rëndë nga plenumi i katërt i Partisë së Punës, bashkë me të u dënua padrejtësisht edhe Kujtimi. Në vitin 1973 e larguan nga teatri dhe i hoqën të drejtën të vinte pjesë në skenë. Në fillim punoi në disa fshatra, pastaj e çuan punëtor krahu në ndërmarrjen e bonifikimit në Fier.
Ai qe në të njëjtë kohë edhe dramaturg. Drama e tij “Një shok i klasës sonë” pati një sukses të madh. Ai shkroi edhe poezi , artikuj e ese.
Vdiq në vitin 1987 në moshën pesëdhjetepesë-vjeçare, i sëmurë e i harruar, edhe pse kishte qenë një ndër regjisorët e spikatur të teatrit shqiptar.
Pas vdekjes, në vitet ’90 iu dha titulli “Artist i Popullit”./ KultPlus.com
Guljelm Radoja (2 Korrik 1945 – 5 Maj 2021) ishte një aktor shqiptar i filmit dhe teatrit.
Pas përfundimeve studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) për Dramaturgji në vitin 1972, fillon punën si aktor profesionist në Teatrin e Librazhdit. Më pas largohet nga ky teatër për të punuar si aktor dhe regjisor pranë Teatrit “Bylis” të qytetit të Fierit dhe më pas si aktor në Teatrin “Aleksandër Mojsiu” në Durrës.
Ndër interpretimet e tij në teatër mund të përmendim rolet e tij në dramat “Bourgeois Wedding” e Bertold Brehtit, “Me syrin e një klouni” e Heinrich Bëllit, “Trojanët” e Vasilis Theodoropulosit etj.
Në kinematografi ai ka luajtur më shumë se 30 role. Roli i i tij i parë ishte ai i inxhinnierit të pyjeve në filmin “Gjurma” në vitin 1970. Më tej do të vazhdonin një sërë rolesh të tjera si roli i Tenente Gruabardhit në filmin “Në fillim te verës” në vitin 1975, roli i Stefan Bardhit në filmin “Mësonjëtorja” në vitin 1979, roli i Petro Nini Luarasit në filmin “Kush vdes në këmbë” në vitin 1984, roli i priftit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur” në vitin 1989, roli i prokurorit në filmin “Kolonel Bunker” në vitin 1998, etj.
Për meritat e tij artistike Guljelm Radoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.
Ai u nda nga jeta më 5 maj 2021 nga Covid-19 në Tiranë./ KultPlus.com
Më 15 qershor 2010 vdiq aktori që do të linte gjurmë të pashlyeshme në kinematografinë e Ballkanit dhe më gjerë, Bekim Fehmiu.
Sarajeva, ku familja e tij gjakovare vuajti internimin, do të ishte edhe vendi ku Fehmiu do të vinte në jetë. Familja e tij qëndroi me banim në Shkodër deri në vitin 1939. Pas pushtimit italian dhe bashkimit të një pjese të Kosovës me Shqipërinë, u zhvendosën drejt Prizrenit. Gjatë viteve 1956-1960, Bekim Fehmiu studioi në Fakultetin e Artit Dramatik në Beograd.
Spikati veçanërisht në filmin “Mbledhësit e puplave” dhe menjëherë ra në kontakt me shumë shtëpi filmike ndërkombëtare. Ka luajtur një sërë rolesh, duke interpretuar në shqip, në maqedonisht, në serbisht, në turqisht, në spanjisht, në frëngjisht, në anglisht dhe në italisht. Mishërimi mjeshtëror i personazheve prej tij, do të hasej dukshëm në realizimet “Prova speciale”, “Odiseja”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vite të nxehta” dhe “Dezertori”.
Fehmiu ka bashkëpunuar me emra të mëdhenj të artit filmik, si: Ava Gardner, Robert Shoè, John Huston, Dirk Bogard, Irene Papas, Claudia Cardinale etj. Shqipërinë e vizitoi për herë të parë në vitin 1972, ndonëse nuk e fshehu kurrë dashurinë për vendin e origjinës. / KultPlus.com
Sot kujtohet në ditën e lindjes aktori Shpëtim Shëmili, “Artist i Merituar”.
Ai lindi në Tiranë më 15 maj 1941 nga një familje intelektuale elbasanase. Pasi përfundoi shkollën Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan, fillimisht u emërua mësues në qytetin e Cërrikut, e më vonë në fshatin Shtërmen.
Por Shpëtimi ishte një talent i lindur për aktor. Në vitin 1960 fitoi një konkurs dhe menjëherë u pranua në Institutin e Lartë të Arteve në degën e “Dramaturgjisë”. Studimet i përfundoi me rezultate shumë të mira.
Katër vjet më vonë, në vitin 1964 ai emërohet aktor në teatrin “Skampa”. Në këtë institucion punoi deri në vitin 1994, kohë kur u nda nga jeta. Vitet e fundit të jetës ai ishte edhe titullar i këtij institucioni.
Gjatë karrierës 30-vjeçare ai gdhendi në skenë e film nivelin më të lartë artistik e interpretativ. Shëmili ka fiksuar në arkivën e artit shqiptar figura të shquara të dramaturgjisë kombëtare e botërore.
Në teatër ai realizoi mbi 40 role të zhanret e dramës dhe komedisë si Vagabondin tek “Njeriu që pa vdekjen”, Selimin tek “Familja e Peshkatarit”, Don Ëngjëllin tek “Shembja e Idhujve”, Gjyshin tek Ëngjëjt e Skëterrës”, Haraç Hildens tek “Nepërka” etj.
Në kinematografi ai luajti 12 role, mes të cilave më të famshme e të njohura për publikun shqiptar janë ai i Robert Çamçakëzit te “Horizonte të Hapura”, i sinjor Valetës te “Gjeneral Gramafoni”, i merceologut Sami tek “Ëndërr për një karrige”, i oficerit gjerman te “Këshilltarët”, i arkeologut te “Dëshmorët e Monumenteve”, i Vurkos te “Pas vdekjes”, etj.
Ai ka shkruar dramat “Fundi i një intrige”, “Zemër e shqetësuar”, “Telashet e një ndeshjeje”, komedinë me tre akte “Ah kjo traktoristja” etj. Veç këtyre ai shkroi komedi muzikore, gazmore, pjesë për fëmijë për teatrin e kukullave.
Shpëtim Shëmili shpalosi një kulturë të përkryer skenike, letrare dhe artistike. Ai zotëronte tri gjuhë të huaja: italishten, frëngjishten dhe rusishten.
Me rolet dhe talentin e tij Shpëtim Shëmili krijoi karaktere dhe formoi individualitetin që e bënë atë aq të dashur në rrafshin kombëtar.
Personalitete nga vendi dhe bota kanë vlerësuar artin e tij. Viktor Eftimiu e cilësoi atë si “aktor të një spektri të gjerë që mund të matet me aktorë të mëdhenj përtej kufijve shqiptarë”.
U nda nga jeta para kohe nga një goditje cerebrale në vitin 1994, në moshën 53-vjeçare. Ishte pikërisht mosha kur Shpëtim Shmili mund t’i kishte dhënë akoma më shumë skenës dhe artit shqiptar.
Shpëtim Shmili ka pasur një jetë të gjatë artistike e mbushur me çmime, urdhra, medalje të ndryshme. Në vitin 1982, pas 17 vjet pune në skenën e teatrit “Skampa”, nderohet me medaljen “Naim Frashëri”. Ndërsa në vitin 1990 merr urdhrin “Naim Frashëri”, si dhe me disa çmime në aktivitetet e konkurrimit kombëtar të teatrove. Është nderuar edhe me medaljen e 45 vjetorit të Çlirimit dhe në vitin 1992 me titullin “Artist i Merituar”, me motivacionin “Për krijimin me nivel të lartë artistik të roleve e figurave në teatër e kinematografi”. Në 14 shtator 1999, në përkujtim të 5-vjetorit të vdekjes së tij, Këshilli Bashkiak i Bashkisë së Qytetit Elbasan i dha titullin “Qytetar Nderi i Elbasanit”./atsh/ KultPlus.com
Guljelm Radoja (2 Korrik 1945 – 5 Maj 2021) ishte një aktor shqiptar i filmit dhe teatrit.
Pas përfundimeve studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) për Dramaturgji në vitin 1972, fillon punën si aktor profesionist në Teatrin e Librazhdit. Më pas largohet nga ky teatër për të punuar si aktor dhe regjisor pranë Teatrit “Bylis” të qytetit të Fierit dhe më pas si aktor në Teatrin “Aleksandër Mojsiu” në Durrës.
Ndër interpretimet e tij në teatër mund të përmendim rolet e tij në dramat “Bourgeois Wedding” e Bertold Brehtit, “Me syrin e një klouni” e Heinrich Bëllit, “Trojanët” e Vasilis Theodoropulosit etj.
Në kinematografi ai ka luajtur më shumë se 30 role. Roli i i tij i parë ishte ai i inxhinnierit të pyjeve në filmin “Gjurma” në vitin 1970. Më tej do të vazhdonin një sërë rolesh të tjera si roli i Tenente Gruabardhit në filmin “Në fillim te verës” në vitin 1975, roli i Stefan Bardhit në filmin “Mësonjëtorja” në vitin 1979, roli i Petro Nini Luarasit në filmin “Kush vdes në këmbë” në vitin 1984, roli i priftit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur” në vitin 1989, roli i prokurorit në filmin “Kolonel Bunker” në vitin 1998, etj.
Për meritat e tij artistike Guljelm Radoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.
Ai u nda nga jeta më 5 maj 2021 nga Covid-19 në Tiranë./ KultPlus.com
Pirro Mani (Korçë, 14 prill 1903 – Berat, 1 qershor 1993) ishte aktor dhe regjisor i njohur shqiptar. Një nga personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar. Regjisor dhe pedagog i shkëlqyer, për 25 vjet punoi në Teatrin Kombëtar.
Studioi në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS, në Moskë. Pas kthimit në atdhe u emërua regjisor i Teatrit “A. Z. Çajupi”, Korçë, të cilin e drejtoi me sukses për rreth tetë vjet. Që nga 1967 – 1992 ka qënë regjisor i Teatrit kombëtar, ku ka vënë me dhjetra pjesë teatrale.
Në karrierën e tij artistike numëron mbi 80 shfaqje. Është nderuar me shumë çmime. Është mjeshtër i regjisë e skenave masive, njohës i thellë i mizanskenës. Shfaqjet kulminante janë “Cuca e maleve”, “Fytyra e dytë”, “Arturo Ui”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Nata e 12 -të”, “Prometeu”, etj.
Është angazhuar edhe në disa filma artistikë. Ka fituar shumë çmime dhe është nderuar me titullin e lartë “Artist i popullit”. Prej disa vjetësh jeton në Nju Jork, SHBA, së bashku me të shoqen, aktoren e mirënjohur Pavlina Mani dhe familjen.
Pirro Mani u nda nga jeta ne moshën 89 vjeçare me 1 Qershor 1993 në Berat, kupër shumë vite jetoi me familjen, fëmijët dhe gruan, aktoren Pavlina Mani./KultPlus.com
Pandi Raidhi ishte aktor shqiptar i teatrit dhe kinemasë i shekullit të XX.
Raidhi lindi në 14 prill të vitit 1921 në qytetin e Korçës. Ai nisi karieren e tij artistike ne vitin 1937 në shfaqen teatrale “Dasma Korçare” ku fitoi menjeherë simpatinë e publikut korçar.
Në vitin 1948 pas mbarimit të shkollës së mesme u fut në punë në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) ku interpretoi dramën “Dasma Korçare”. Në vitin 1950 u kthye në teatrin “A.Z.Çajupi” të Korçës ku do të interpretonte me dhjetëra role.
Debutimin kinematografik e bëri në filmin e parë shqiptar “Tana” në vitin 1958. Më tej interpretoi në 36 role të tjera të filmave Shqiptar. Roli i tij më i fundit ishte ai i babait të sekretarit në filmin “Njerëz në rrymë” në vitin 1989. Në një karrierë artistike gjysëm shekullore Raidhi ka interpretuar më shumë se 200 role në dramë, komedi dhe opereta.
Ai u kthye shume shpejt në një figurë të dashur dhe shume popullore për të gjithë shqiptarët. Ai kujtohet me respekt për thjeshtesinë buzëqeshjen e ëmbël dhe humorin e tij të hollë. Karakterizohej nga serioziteti i madh për punën. Asnjëherë gjate xhirimit në rolet e tij, kamera dorëzohesh para portretit interesant që ai krijonte.
Për meritat e tij artistike Pandi Raidhi u nderua në vitin 1975 me titullin e lartë “Artist i Popullit”. Për nder të tij Bashkia e Tiranës i ka dhënë një prej rrugëve të Kryeqytetit emrin e tij.
Disa nga projektet kinematografike në të cilat mori pjesë janë: Njerëz në rrymë, Familja ime, Përsëri pranverë, Rrethimi i vogël, Duaje emrin tënd, Kush vdes në këmbë, Nëntori i dytë, Shoqja nga fshati, Partizani i vogël, Agimet e stinës së madhe, Liri a vdekje, Ne vinim nga lufta, Flamur në dallgë, Përballimi, Monumenti, Tokë e përgjakur, Zonja nga qyteti, Beni ecën vetë, Rrugicat që kërkonin diell, Shpërthimi, Shtigje të luftës, Krevati i perandorit, Yjet e netëve të gjata, Kur zbardhi një ditë, Mëngjeze lufte, I teti në bronz, Horizonte të hapura, Vitet e para, Tana etj.
Vdiq në Tiranë në 18 korrik të vitit 1999./KultPlus.com
Gjon Karma (16 mars 1915 – 13 janar 1994) ka qenë aktor i njohur shqiptar.
Gjon Karma filloi aktivitetin artistik në vitin 1932 në vendin e tij të lindjes, Shkodër, me shoqërinë “Bogdani”. Më 1945 vjen aktor në Teatrin Popullor, ku ka interpretuar mbi 80 role në karrierën e tij artistike, duke filluar nga pjesa “Gjido”, në rolin e Pjetrushit. Ishte mjeshtër për sa i përket roleve të karakterit.
Ai ishte i prerë për role të vegjël, dhe është cilësuar si “aktori i madh i roleve të vegjël”. Disa nga rolet e interpretuar ne Teatrin Popullor janë: Babçinskij tek “Revizori”, Orgoni tek “Tartufi”, Vurko tek “Pas vdekjes”, Moni tek “Prefekti”, Polloni tek “Hamleti”, Falstafi tek “Gratë gazmore të Uindsorit”, Lui Gui, etj.
Ai po ashtu ka interpretuar me sukses disa role në filmat artistik, siç janë: Një djalë edhe një vajzë – (1990), Vendimi (1984)… Miço Falli, Një natë pa dritë – (1981)…N/Prefekti, Çeta e vogël – (1979)…Bib Kuka, Koncert në vitin 1936 – (1978)…Kryetari i Bashkisë, Zoti Xhevo, Kur hidheshin themelet – (1978), Vajzat me kordele të kuqe – (1978) Miku i shtëpisë, Ndërgjegja – (1972)…Xha Veliu, Përse bie kjo daulle – (1969) Llogaritari, Toka jonë – (1964)…Simoni, Debatik – (1961)… Jorgo, Tana- 1958…..Portieri etj.
Doli në pension në 1976, por për 15 vjet rresht punoi pranë arkivit të teatrit, duke bërë një punë të mrekullueshme. Ka marrë disa çmime e urdhra ndër të cilët edhe titulli “Artist i Merituar”.
Tradita shqiptare e artit komik është padyshim një nga thesaret e kulturës sonë kombëtare. Rrugëtimi i kahershëm i kësaj marrëdhënie vlerash dhe përfaqësimi është gjithçkaja dëshiruese e shumë personaliteteve të shquara, ndër të cilët rrekemi të veçojmë Vasillaq Vangjelin. Më shumë se një vlerësim për punën dhe kontributin që ai ka dhënë në pasurimin e kësaj tradite, kjo ndërmendje është shkas përshpirtje në përvjetorin e vdekjes. Vasillaq Vangjeli ishte dhe mbeti, për tu përjetësuar në panteonin e vlerave të artit skenik shqiptar një zë dhe një karakteristikë, një profil dhe një tipar, unik. Kjo është thelbësore në art, këtë e jetësoi ai në skenë.
Vasillaq Vangjeli njihet kryesisht si aktor komik. Ai i lindur në 19 shkurt 1948 dhe u shua më 26 shtator 2011, ende pa mbushur 64 vjeç pas një bashkëjetese dhe lufte të gjatë me diabeti. Për më shumë se 45 vjet në skenë, Vangjeli ka luajtur mbi 100 role në teatër, kinematografi dhe estradë.
Në vitin e tretë të Mjekësisë, Vasillaq Vangjeli e braktis shkollën për të hyrë në Institutin e Lartë të Arteve (vitet 1973-1975). Pas përfundimit të tij e çuan për të bërë stazhin në teatër. Nga Teatri Popullor e kaluan në Estradën e Shtetit si aktor i humorit dhe që nga viti 1976 deri më 1 prill 2005 ka qenë aktor dhe regjisor në estradë dhe aktor i Estradës së Tiranës. Në këto kushte aktivizohej që atëherë në Estradën e Shtetit, që nga viti 1967-1968 kur ka qenë regjisor Bujar Kapexhiu.
Për rreth 45 vjet në skenë, me intuitë të hollë e spontanitet të admirueshëm Vangjeli ka bërë për vete me qindra-mijëra spektatorë duke u kthyer kështu në një ndër artistët më të dashur për ta e sidomos në fushën e humorit e të skenës. Ka qenë ndër artistët më të rëndësishëm të Estradës së Tiranës duke luajtur pothuaj në të gjitha premierat. Është një aktor me diapazon të gjerë, vokal, vesh absolute, humorist, recitues. Aktor tragjik-komik me cilësi të mëdha artistike, intuitë e depërtues i thellë në tipa e karaktere, këto janë disa nga cilësitë e Vasillaqit, i cili me mjeshtëri e finesë di ti verë në shërbim të asaj çfarë ai bën. Humorin nuk ta jep shkolla. Ajo vetëm të zhvillon, të drejton nëpërmjet dhuntive të lindura. E kështu ndodh edhe me Vasillaqin.
Humori është i lindur që me lindjen e tij. Në rininë e hershme, sapo kishte mbaruar Akademinë e Arteve për aktrim, i filluan peripecitë e punës apo të emërimit ku do të punonte. Djalë i formuar e plot dëshirë. Kërkonte me çdo kusht të fillonte aktrimin në Teatrin Kombëtar, aq më tepër i dhanë edhe një rol tek drama “Lëvizja” me regji të Pirro Manit, rol që e realizoi me sukses. Por megjithatë, mendimi i partisë ishte që ai të shkonte në Estradën e Tiranës ku edhe e emëruan. Urdhëri ishte urdhër pavarësisht kërkesave e letrave të artistëve të teatrit të cilët kërkonin ta mbanin në kolektivin e tyre. E Vasillaqi nuk donte të shkonte, por pa punë nuk rrihej. Frikë kishte se mos e degdisnin në ndonjë vatër kulturore të humbur, si hakmarrje për moszbatim urdhri. E kështu përfundoi aktor në teatrin e Estradës së Tiranës deri në fundin e merituar të kësaj të fundit.
Estrada nuk e deshi në fillim, punonte pa dëshirë, pa vëmendje. Bënte mungesa në punë, role pa cilësi. Por është po ky artist që u lidh aq shumë me estradën, me humorin, instrumentet, paroditë sa nuk shpjegohet dot më. Më pas Estrada u bë vendi ku shpërfaqi me të gjitha energjitë krijuese talentin dhe vlerat etike, u bë vendi ku realizoi ëndrrën aktoreske. Vlerat i maten me rolet e interpretuara, e nuk janë pak. Të freskët e cilësor e plot shaka. I kalojnë të 100 role të krijuara në estradë, teatër, kinematografi, etj. Të gjithë i kujtojnë : dhëndrin Koçi tek “Zonja nga qyteti”, “Një gjel në qymez”, “Një mburravec që ka frikë nga pëllitja e lopës”, “Dordoleci”, “Donkishoti”, ose rolin e Lolos, një lolo tragjik-komik me nuanca tepër fine të interpretimit.
Të shumtë janë rolet në Estradë si : tek komedia e Vodvil “Mirelo”, Xhixh, “Pa martuar 50-vjeçar” apo të kujtojmë skeçet e paroditë. Tani është i angazhuar me një rol në komedinë “HARVEY”. Komedi e bukur, rol i bukur. Regjia është e Hervin Çulit. Më pas ka regjinë e një varjetee, a një tjetër ftesë në Teatrin Kombëtar, e pastaj një tjetër ftesë…Vaso tani nuk punon më si aktor profesionist pranë ndonjë institucioni.
Ai doli në asistencë si e gjithë trupa e Estradës së Tiranës. Shtëpinë e tij e kishte kthyer në lokal ku argëtonte të tjerët, por argëtohej edhe vetë. I shkonin vazhdimisht miq e shokë, kolegë. Edhe aty humorin nuk e linte, me barcaleta, ngjarje të vërteta e të sajuara. “Pjesë e profesionit”- thoshte.
Naim Frashëri (Leskovik, 15 gusht 1923 – Tiranë, 18 shkurt 1975) ka qenë aktor i njohur shqiptar.
Karrierën profesionale si aktor e filloi në fillim të vitit 1945, por dashuria për teatrin i lindi që në 1942. Naim Frashëri do të luante me sukses një sërë rolesh kryesore e të suksesshme.
Disa prej roleve janë: Valeri në “Tartufi”, Smithi në “Çështja ruse”, Gjoni “Trimi i mirë me shokë shumë”, Selimi “Familja e peshkatarit”, gjenberali “Gjenerali i ushtrise së vdekur”, Leka “Përkolgjinajt”, Nikolla “Armiqtë”, Sasha Ribakov “Orët e Kremlinit”, Lubeni “Proçesi i Lajpcigut”, Ferdinanti “Intrigë dhe dashuri”, Hauardi “Rrënjët e thella”, Hamleti “Hamleti”, Jonuz Bruga “Familja e Peshkatarit”. Për fat të keq roli i Jonuzit ishte i 80 dhe i fundit i tij.
Ndërsa sa i përketë kinematografisë ai ka interpretuar në filmat: Gjurma – (1970), Plagë të vjetra – (1968), Ngadhnjim mbi vdekjen (1967), Fortuna (1959), Qamili (dokumentar), Tana – (1958), Fëmijët e saj – (1957), Skënderbeu – (1953).
Në filmin “Tana” në të cilin ndan rolet kryesore me Tinka Kurtin, shkëmbyen edhe puthjen e parë në kinematografinë shqiptare.
Naim Frashëri është nderuar me shumë tituj dhe çmime të ndryshme, ndër të cilët janë urdhëri i lartë “Hero i punës socialiste” dhe titulli “Artist i Popullit”. Ai mbetet nga ikonat e teatrit shqiptar.
Ai ka vdekur më 18 shkurt 1975 në Tiranë./ KultPlus.com
Lindi më 4 janar 1924 në Ballsh të Mallakastrës, i biri i Maksut dhe Sabrie Roshit, me prejardhje nga Libohova. E ëma i vdiq kur ishte 2 vjeç dhe më pas kur ishte 12 vjeç i vdiq edhe i ati.
Përfundoi studimet e larta në Zagreb të Kroacisë. Ai, e filloi karrierën e tij si praktikant, pastaj si aktor në Teatrin Popullor në moshën 21-vjeçare duke qenë një ndër krijuesit e këtij teatri.
Që nga ajo kohë dhe deri sot ai numëron rreth 180 role në skenë dhe kinematografi, të cilat përbëjnë një jetë të madhe artistike, ku ndërthuren vështirësitë e një jete prej jetimi, çiraku, portieri kinemaje dhe deri tek aktori origjinal me portretin e njeriut të fisëm. Në krah ka pasur gjatë gjithë kohës aktorët e brezit të tij Drita Pelingu, Violeta Manushi, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Marika Kallamata, etj.
Nga shumëkush është konsideruar si legjenda e skenës dhe ekranit shqiptar. Ai ka qënë një aktor brilant dhe me një talent të lindur.
Në vitin 1995 është nderuar me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik, në vitin 1997 me Çmimin e Madh të Nderit. Ai është “Nderi i Kombit” nga viti 1999. Emri i Kadri Roshit është një kolos për filmin dhe teatrin shqiptar, ku ai la figura të spikatura që nuk do të harrohen kurrë.
Filmat në të cilat mori pjesë janë: Kolonel Bunker (1998), Kaskadori shqiptar (1998), Mirupafshim (1997), Ali Pash Tepelena (1997), Tingujt e harresës (1996), Plumbi prej plasteline (1995), Ditët e shkurtra (1995), Një ditë nga një jetë (1994), Dhelpra dhe rrushte, Vdekja e burrit (1991), Fletë të bardha (1990), Misioni përtej detit (1988), Pesha e kohës (1988), Rikonstruksioni (1988), Kur ndahesh nga shokët (1986), Rrethimi i vogël (1986), Dasma e shtyrë (1984), Fejesa e Blertës (1984), Apasionata (1983), Era e ngrohtë e thellësive (1982), Dëshmorët e monumenteve (1980), Partizani i vogël Velo (1980), Ballë për ballë (1979), Këshilltarët (1979), Liri a vdekje (1979), Gjeneral gramafoni (1978), Njeriu me top (1977), Shëmbja e idhujve (1977), Fije që priten (1976), Lulekuqet mbi mure (1976), Përballimi (1976), Tokë e përgjakur (1976), Kur zbardhi një ditë (1971), Malet me blerim mbuluar (1971), I teti ne bronz (1970), Tana (1958).
Ai vdiq më 6 shkurt të vitit 2007 në Tiranë./ KultPlus.com
Athanas Banushi, njohur si Tano Banushi (Shkodër, 4 Shkurt 1927 – 7 gusht 1993) ka qenë një nga aktorët më në zë i humorit shqiptar, ku spikati në gjininë e estradës. Për meritat e tij në këtë lëmë është dekoruar me titullin Artist i Popullit.
Në qershor të 1945 Banushi kreu klasën e shtatë të gjimnazit të shtetit dhe u përfshi në veprimtarinë e Shtëpisë së Artit dhe Kulturës, krijuar pas hyrjes së komunistëve, më 18 janar 1945. Në ditët e fundvitit shkollor, Kompleksi Filarmonik i BRASH-it pranë Liceut Shtetnor paraqitet me dramën “Dje dhe sot” të shkruar nga prof. Filip Ndocaj.
Në këtë dramë, Banushi luajti rolin e Gjinit, shërbëtor i një familjeje shkodrane. Shfaqjet e tjera që u zhvilluan në sallonin e shoqërisë “Vllaznia” ishin si “Klasa e shtatë” dhe “Jak, o Jak”, ku Tanoja u prezantua si humorist, ishin mbase paroditë e para të përdorura për shfaqje variete. Më 1946 luajti rolin e një të dehuri në dramën “Armiku i Popullit” i Ibsenit.
Po atë vit interpretoi në komedinë “Pashuku” të Ndocajt dhe më pas vijoi të përfshihej në veprimtaritë e shumta të klubit “Vasil Shanto” dhe të grupeve artistike të Shtëpisë së Artit e të Kulturës (më vonë Shtëpia e Kulturës dhe e Krijimtarisë Popullore).
Pas një transferimi në Vlorë, u aktivizua edhe në grupet artistike që i drejtonte miku i tij Tish Daija. Pas gati tre vitesh shërbimi ushtarak, në fund të 1949 u emërua korrespondent i Shkodrës për gazetën “Zëri i Popullit”. Pas një kohe kaloi instruktor në Komitetin e Rinisë në sektorin e agjitacion-propagandës dhe u emërua drejtor i Klubit të rinisë “Herojtë e Vigut”, ku ishte organizator kryesor i mbrëmjeve rinore. Aktivizohej si konferencier në shfaqet e estradës së Klubit të punëtorëve “Vasil Shanto” dhe nuk ndërpreu veprimtarinë artistike, qoftë në korin e Shtëpisë së Kulturës, si instrumentist e humorist në Radio-Shkodra dhe si aktor ndër shfaqet teatrale.
Në korrik të 1958 u krijua në Shkodër estrada profesioniste, e përfshirë në kuadrin e teatrit “Migjeni” të porsandërtuar, ku Banushi u emërua aktor profesionist. Më 14 nëntor të po atij viti doli premiera e parë e Estradës së Shkodrës me titullin “Reparti i operacionit të zemrës”, ku Tanoja ishte edhe inspektor skene.
Më 19 shkurt 1959 u shfaq premiera e dytë “Po ta këndoj kangën me saze”, sipas titullit të një kënge shkodrane, libreti u shkrua nga Paulin Sekuj dhe Banushi. Premiera e tretë u dha më 4 qershor të po atij viti, e titulluar “Pastro kopshtin, bahçevan!” Më 1962 estrada nisi turnetë në mbarë Shqipërinë, u dekorua me Urdhërin e Punës të klasit I dhe në njëzet vjetorin e saj më 1978 u dekorua me Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit I
Më 5 shkurt 1986 doli në pension, 4 vjet pasi kishte mbushur moshën e pensionit. Megjithatë, e vijoi veprimtarinë artistike, duke shkruar e botuar edhe skeçe, tregime humoristike e anekdota.
Është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare, Carl Weathers.
Një mori homazhe janë bërë për ish-lojtarin e NFL-së, i kthyer në aktorin e Hollivudit, i cili luajti në “Rocky”, “Predator” dhe “The Mandalorian”, shkruan euronews, transmeton Klankosova.tv.
Matt Luber, menaxheri i tij, tha se Weathers vdiq të enjten. Familja e tij lëshoi një deklaratë duke thënë se ai vdiq “i qetë në gjumë”/ KultPlus.com
Përkujtohet sot në katër vjetorin e ndarjes nga jeta, aktori i njohur i teatrit dhe kinematografisë, Xhevdet Ferri.
Ai u lind në qytetin e Durrësit më 26 nëntor të vitit 1960 dhe u nda nga jeta më 16 janar 2020 në moshën 59-vjeçare nga një sëmundje e rëndë.
Aktori u diplomua në degën e artit dramatik të Akademisë së Arteve të Bukura në vitin 1982 ku menjëherë pas përfundimit të studimeve me rezultate të larta, mbeti pedagog i mjeshtrisë së aktorit. Pak vite më vonë ai ka shërbyer edhe si Dekan pranë Fakultetit të Artit Skenik.
Xhoda sikurse e thërrisnin miqtë dhe kolegët gjatë karrjerës së tij artistike interpretoi rreth 30 role në teatër dhe kinema, por në fakt ishte ekrani i kinemasë ai që do ta bënte edhe më të njohur për publikun. Në kinema ai u përkushtua dhe shkëlqeu me talentin e tij duke interpretuar edhe më shumë personazhe se në teatër.
Gjatë karrjerës, Xhevdet Ferri është vlerësuar me disa çmime dhe medalje.
Disa nga interpretimet më të mira të aktorit kanë qenë në produksione si Vëllezër dhe shokë 1980, Gjurmë në kaltërsi 1981, Era e ngrohtë e thellësive 1982, Hije që mbeten pas 1985, Përrallë nga e kaluara 1987, Treni niset në shtatë pa pesë 1988, Vitet e pritjes 1990, Dasma e Sakos 1998, Gjoleka djali i Abazit 2006, Gjallë 2009, dhe interpretimi i tij I fundit ka qenë në filmin Delegacioni në vitin 2018. / KultPlus.com
Ju kujtohet Gjino tek komedia “14 vjeç dhëndër”, i cili luante rolin e bashkëshortit minoren të Marigosë?
Ka kaluar kaq shumë kohë, por me siguri të gjithë e mbani mend dhe jeni kurioz si duket sot aktori dhe çfarë ka ndodhur me të.
Aktori Admir Sorra aktualisht jeton në Vlorë. Vite më parë ka jetuar edhe jashtë vendit, ku edhe andej nuk kanë munguar njerëz që e kanë identifikuar me emrin e Gjinos.
Admir Sorra lindi në Vlorë më 15 janar të vitit 1975, është i njohur për rolin e tij në filmin “Përrallë nga e kaluara”.
Në vitin 1988 në një konkurs që është bërë në Tiranë, ku filmi “Përrallë nga e kaluara” (14 vjeç dhëndërr) mori çmimin “Naim Frashëri”, regjisori i drejtoi të tërhiqte çmimin e filmit, ky ishte një nder për të, për ta bërë atë të pranishëm në skenën e artit shqiptar. Në Festivalin VIII të Filmit ka marrë medaljonin si “Aktori i vogël më i mirë i filmave shqiptarë”.
Përkundër arritjes së vlerave të larta artistike ai u largua nga Akademia e Arteve në vitin 1993.
Ndërkohë më poshtë ju sjellim disa foto si duket “Gjino” tani./vjosa.net/KultPlus.com
Sot janë bërë 25 vite nga vdekja e aktorit të njohur Shani Pallaska.
Ai ishte aktor pioner i teatrit, filmit televiziv, dhe ekranit të madh. Ai u lind në Gjakovë më 1928 dhe vdiq në Prishtinë më 13 janar 1999.
Në përkujtim të jetës dhe veprës së tij, KultPlus ju sjell një fotografi të rrallë në të cilën janë : Shani Pallaska (majtas), Katarina Josipi, Melihate Ajeti dhe Muharrem Qena.
Të kartërt këta aktorë lanë gjurmët e tyre të paharrueshme në skenën e Teatrit shqiptar. / KultPlus.com
Gjon Karma (11 korrik 1917 – 13 janar 1994) ka qenë aktor i njohur shqiptar.
Gjon Karma filloi aktivitetin artistik në vitin 1932 në vendin e tij të lindjes, Shkodër, me shoqërinë “Bogdani”. Më 1945 vjen aktor në Teatrin Popullor, ku ka interpretuar mbi 80 role në karrierën e tij artistike, duke filluar nga pjesa “Gjido”, në rolin e Pjetrushit. Ishte mjeshtër për sa i përket roleve të karakterit.
Ai ishte i prerë për role të vegjël, dhe është cilësuar si “aktori i madh i roleve të vegjël”. Disa nga rolet e interpretuar ne Teatrin Popullor janë: Babçinskij tek “Revizori”, Orgoni tek “Tartufi”, Vurko tek “Pas vdekjes”, Moni tek “Prefekti”, Polloni tek “Hamleti”, Falstafi tek “Gratë gazmore të Uindsorit”, Lui Gui, etj.
Ai po ashtu ka interpretuar me sukses disa role në filmat artistik, siç janë: Një djalë edhe një vajzë – (1990), Vendimi (1984)… Miço Falli, Një natë pa dritë – (1981)…N/Prefekti, Çeta e vogël – (1979)…Bib Kuka, Koncert në vitin 1936 – (1978)…Kryetari i Bashkisë, Zoti Xhevo, Kur hidheshin themelet – (1978), Vajzat me kordele të kuqe – (1978) Miku i shtëpisë, Ndërgjegja – (1972)…Xha Veliu, Përse bie kjo daulle – (1969) Llogaritari, Toka jonë – (1964)…Simoni, Debatik – (1961)… Jorgo, Tana- 1958…..Portieri etj.
Doli në pension në 1976, por për 15 vjet rresht punoi pranë arkivit të teatrit, duke bërë një punë të mrekullueshme. Ka marrë disa çmime e urdhra ndër të cilët edhe titulli “Artist i Merituar”.
Gazeta ka sjellë sot një rrëfim të pabotuar më parë, të aktorit të madh Kadri Roshi.
Teksa i ndjeri aktor përgatiste së bashku me Petrit Rukën filmin dokumentar për jetën e tij, ka rrëfyer për origjinën e prindërve libohovitë, për nënën edhe babanë, deri tek fakti se vështirësitë ekonomike bënë që prindërit e tij të shkonin në Ballsh.
“Unë edhe kur flas, flas mallakastrioçe”, tregonte Roshi.
Regjisori Ruka kishte zgjedhur që personazh të vetëm në këtë dokumentar, të kishte vetëm atë, i cili gjatë një ore do të tregonte me imtësi çdo detaj të jetës së tij.
Edhe pse mbi shpinë mbante shumë vite, nuk e kishte harruar asnjëherë jetën e vështirë, që kishte kaluar në fëmijëri.
Nëna e kishte lënë dy vjeç, ndërsa babai në moshën 12-vjeçare.
Plaku i thinjur, përshkruante me detaje, natën e ftohtë, që u largua nga Ballshi për në Kavajë tek motra.
Punët e tij të para, si punëtor krahu 13 orë në ditë, që nga shkarkimi i dërrasave dhe shkarkimi i çimentos, do t’i kujtonte, si punët më të vështira që kishte bërë në jetën e tij.
Më vonë ditën e kapitullimit të Italisë fashiste, ai do t’i shpëtonte vdekjes.
Pas kësaj fati i tij i mirë, ishte shkruar që të vinte në Tiranë.
Ndërsa, puna e parë që do të bënte ishte pastrues në drejtorinë e BKT-së të sheshi “Avni Rustemi”.
“Të tre katet i laja brenda dy orësh, i pastroja dhe i bëja edhe me naftë. Nuk ishte e vështirë, sepse isha mësuar me çimenton, që shkarkoja nga 13 orë në ditë”, rrëfente Roshi.
Takimi i tij me kinematografinë ka qenë te kinema “Republika”. Punonte si biletaprerës. “Ngandonjëherë i zoti i lokalit e shikonte se nuk e kisha mendjen te puna, që të grisja biletat. Ndërsa, gjatë intervalit që futeshin njerëz, unë isha i gozhduar pas filmit”.
Në pakun Rinia një ditë takoi mësuesin e tij të shkollës fillore nga Berati. Nuk e njohu. E përshëndeti. E pa dhe i tha: “Jam Kadri Roshi”.
Pasi e njohu e pyeti se me se merrej.
“Jam pa punë i thashë”.
“Pse nuk hyn në sallë të teatrit”, më tha.
“Nga të hy, si të hy, nga hyhet?”
Edhe kështu mësuesi i tij i fillores do të bëhej sebep, që Kadri Roshi të hynte në atë derë, të cilën do ta donte për tërë jetën.
Teksti i parë që mori në dorë, ishte i vështirë për të, aq i vështirë, saqë nuk e kuptoi dot as deri në fund të jetës së tij, kuptimin e tij të vërtetë.
Bëhet fjalë për “Hamletin” e Uilljam Shekspir.
Por, jo gjithçka kishte mbaruar këtu.
Ai nuk do ta kalonte provimin për të qenë pjesë e teatrit.
Por, lotëve të tij plot dënesë do t’u jepte një përgjigje pozitive, drejtori i Teatrit Kombëtar, Xhemal Mbroja.
Ai pasi e pa, vendosi që ta merrte që të angazhohej, si sufler.
“Mezi prisja që të sëmureshin aktorët dhe do t’i zëvendësoja unë. Isha më i sigurt nga të tërë. Por, doni ju që ata nuk sëmureshin”, tregonte Roshi.
Roli i tij i parë në skenë e Teatrit Popullor, që do t’i hapte të dyja dyert e teatrit për të ishte Osipi tek “Revizori” i Gogolit.
Pas këtij roli, atij i del e drejta e studimit në Zagreb të Kroacisë, si aktor.
Por, me prishjen e marrëdhënieve me ish-Jugosllavinë u transferua në Pragë të Çekisë, ku i gjendur përballë një komisioni, sebep apriori kësaj here, që të niste studimet e larta në këtë vend do të ishte origjina shqiptare e Aleksandër Moisut.
Kthimi në Shqipëri në vitin 1955 do të bënte, që ai të luante në skenë role të ndryshëm, ndërsa spektatori i pëlqente të gjitha ato, roli që e bindi atë vet se aktrimi ishte zgjedhja e vërtetë e jetës së tij, do të ishte sërish roli i Osipit nga Gogoli.
“Diplomën e parë ma dhanë pedagogët, por atë më të madhen të shoqëruar me dashuri dhe me ndjenja të pastra dhe fisnike ma dha spektatori”, rrëfen Roshi.
Pas suksesit të Kadri Roshit në interpretimin e rolit Arturo Ui në vitin 1974, u akuzua se kishte ngritur zërin gjatë interpretimit.
Në fund të shfaqjes u dënua, duke u dërguar të punonte, si punëtor në ofiçinën e automjeteve të ndërtimit, OAN.
Por, as pas këtij dënimi nuk ndali së punuari, edhe si aktor edhe si regjisor, duke ngritur një grup amator.
Shfaqja që do të vinte në skenë “Komisari Memo”, do të duartrokitej dhe brohoritej aq shumë nga spektatori, saqë dukej, sikur ata thoshin: “E duam në teatër Kadri Roshin”.
Por, nga se trembej Kadri Roshi? Ai u tremb vetëm nga pleqëria.
“Ajo që më shkatërron mua është pleqëria. Më ruajt qielli prej saj… Çfarë nuk bëj, që bota të mos e vërë re që unë jam plakur, sepse më vjen turp! Hidhem edhe përdridhem, që bota të mos e vërë re. Por, edhe sa kohë thua që do të zgjas kjo gjë…”, rrëfente mjeshtri për vetveten sa ishte gjallë./vjosa.net/KultPlus.com
Lindi më 4 tetor 1954 në Tiranë dhe vdiq më 14 nëntor 2020, ishte arsimuar në nivel parauniversitar, po në Tiranë. Në vitin 1978 përfundoi studimet universitare pranë Akademisë së Arteve në degën e artit dramatik dhe po në këtë vit fillon veprimtarinë e tij profesionale si aktor dhe regjisor në Trupën Artistike të Ushtrisë, në Teatrin Popullor (Kombëtar), pranë kinostudios “Shqipëria e Re” dhe Radio Televi-zionit Shqiptar.
Ka në biografinë e tij artistike 60 role në teatër dhe estradë, 8 role në kinematografi, ka realizuar 5 filma dokumentar etj. Në vitin 1987, krahas studimeve pasuniversitare për titull shkencor të nivelit të parë, përfundon edhe studimet e specializimit në degën e gazetarisë, pranë Fakultetit të Shkencave Politike e Juridike (në bazë të legjislacionit aktual konvertohet me nivelin Master Shkencor në Gazetari). Ka kryer edhe kualifikime në disa vende si Francë, Holandë, Danimarkë, Finland, Itali, Greqi etj. Njëkohsisht, Valter Gjoni është anëtar i nominuar i disa organizmave ndërkombëtare.
V. Gjoni është autor i shumë artikujve kulturor, artistik, problematik, informativ e historik në gazeta, revista, emisione televizive dhe botime të veçanta. Pas një përvoje pune intensive në institucionet e artit dhe medias të Tiranës, në vitin 1991 e në vijim, V. Gjoni emërohet pranë Bashkisë së Tiranës, ku përmbush një sërë detyrash, si drejtues i sektorëve që lidhen me artin, kulturën, ceremonialin e qytetit dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Duke gërshetuar përvojën e tij administrative, gazetareske dhe artistike jashtë funksioneve të tij zyrtare, autori ka realizuar rreth 20 ekspozita dhe 8 botime tematike për vlerat historike, kulturore dhe njerëzore, kryesisht për Tiranën. Valter Gjoni mban disa tituj nderi të vendit dhe ndërkombëtare, ku titulli më i lartë është Kalorës i Urdhrit të Meritës së Republikë Franceze dhe Urdhrin “Naim Frashëri” i Republikës së Shqipërisë dhe “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës”.
Publikohet historia e panjohur e aktorit Sandër Prosi, i konsideruar si një nga kolosët më të mëdhenj të skenës së teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Ai që në rininë e tij, përveç punës që bënte në klinikën stomatologjike të vëllait të tij ku shkonte shpesh për ta ndihmuar, kishte prirje e pasion për muzikën dhe luante bukur në kitarë, violinë, apo këndonte bukur në korin e Kishës Orthodokse në Tiranë, bashkë me shokun e tij të ngushtë, Prokop Mima.
Familja Prosi
Sandër Prosi u lind në 6 janar të vitit 1920 në Shkodër, ku nëna e tij, Aspasia, kishte shkuar për të qëndruar për pak kohë në familjen e saj. Sandri ishte fëmija i fundit i Jovan Prosit, nga tre djem dhe tre vajza që kishte ajo familje e vjetër tiranase me origjinë vllehe dhe kur lindi Sandri, familja e tij banonte në një shtëpi të vjetër në rrugën e “Barrikadave”.
Jovan Prosi, u kujdes që t’u jepte fëmijëve një arsimim sa më të mirë. Kështu Kleanthi, vëllai i madh i Sandrit, u diplomua për stomatologji dhe pas diplomimit ai hapi një klinikë private diku afër “Pazarit të Ri” në Tiranë.
Pas Kleanthit, po në të njëjtin profesion studio edhe i vëllai tjetër, Aristidhi, por ai nuk pati fatin të jetonte gjatë dhe vdiq në Tiranë në moshën 30 vjeçare, pasi ishte kuruar në një nga klinikat e Zvicrës. Vdekjen e Aristidhit, familja e përjetoi dyfish pasi të gjithë ata mbaheshin me të ardhurat e klinikës së Kleanthit dhe Arstidhit.
Kur Sandri ishte në vitin e fundit të gjimnazit të shtetit në Tiranë, shpesh herë shkonte tek klinika dhe punonte, duke zëvëndësuar vëllain e madh, i cili shkonte në Bukuresht për të takuar të afërmit e familjes së tyre.
Pasioni i tij, muzika – Ndonëse fëmijët e Jovan Prosit ishin të dhënë të gjithë pas profesionit të stomatologut, Sandri i vogël bënte dallim nga ata, pasi që kur ishte në bangat e shkollës fillore, shfaqi prirje për muzikën. Këtë pasion i’a ushqeu dhe babai i tij, i cili merrte leksione violine nga mjeshtri i madh, Ludovik Naraçi.
Sandri studioi disa vite edhe instrumentat e fizarmonikës dhe kitares, madje aty nga fundi i viteve ‘30, ai mori vëndin e parë në një konkurs violine të organizuar nga Ministria e Arsimit e Kulturës së asaj kohe. Përveç muzikës, ai ishte i dhënë shumë edhe mbas kinematografisë botërore dhe asokohe ai mbildhte foto të ndryshme revistash të filmave italianë duke i koleksionuar ato.
Pas mbarimit të gjimnazit në vitin 1938, Sandri mundi të përfitojë një bursë nga qeveria e Zogut, për të studiuar për stomatologji në një nga universitetet e Vjenës. Në kryeqytetin austriak, ai studio për dy vite, dhe më pas atij i’u ndërpre bursa pas pushtimit italian të Shqipërisë.
Si pasojë e kësaj ai u detyrua që të kthehej në Tiranë, ku herë pas here ndihmonte të vëllanë, Kleanthin në klinikën dentare. Më pas ai shkoi në Bari të Italisë, ku disa nga miqtë e tij anti-fashistë që ishin të internuar aty, i thanë që të mos rikthehej në Tiranë, pasi aty kishte shpërthyer lufta. “Unë nuk i dëgjova këshillat e miqve të mi, pasi kisha dobësi për nënën time Aspasinë”, kujtonte Sandri lidhur me kthimin e tij në atdhe.
Prosi e Mima në 1943-in te “Vilhelm Tel”
Në vitet 1942-43, maturantët e gjimnazit shtetëror të Tiranës, ku midis të cilëve ishte dhe aktori Naim Frashëri, vunë në skenë dramën “Vilhelm Tel”. Për këtë ata kërkuan ndihmën e shokëve të tyre më të rritur, Sandër Prosit dhe Prokop Mimës, të cilët kishin jo më shumë se 3-4 vite që ishin larguar nga shkolla. Kjo premierë pati një sukses të padiskutueshëm dhe për këtë patën një meritë të madhe Prosi dhe Mima.
Kjo shfaqje do të shënonte edhe fillimin e karrierës së tyre si aktorë të teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Gjatë viteve të pushtimit të vëndit, 1939-’44, Sandër Prosi nuk u përfshi në asnjë nga forcat politike të asaj kohe, por sipas disa dëshmive, në fund të vitit 1944, ai figuronte në listat e komunistëve për t’u arrestuar, si ish-pjestar i formacioneve të rinisë së organizatës nacionaliste të Ballit Kombëtar.
Madje sipas disa dëshmive, si p.sh. ajo e bërë publikisht nga Xhemal Alimehmeti, ish-eksponent rinisë nacionaliste të Ballit Kombëtar, diku aty nga fundi i tetorit apo fillimi i nëntorit 1944, Sandër Prosi me gjithë shokun e tij i ngushtë Prokop Mima, u arrestuan nga një njësit partizan dhe u dërguan në malin e Dajtit në afërsi të fshatit Priskë, ku partizanët i kishin improvizuar disa godina të vjetra si burg dhe mbanin aty shumë nga të arrestuarit e atyre ditëve.
Aty nga mesi i muajit dhjetor, të gjitha të arrestuarit që ishin aty i zbritën në Tiranë dhe i “sistemuan” në dy burgjet që sapo ishin vënë në funksion, por Sandri me Prokop Mimën mundën të liroheshin, pasi përveç pjesmarrjes së tyre në pjesën “Vilhelm Tel” të organizuar nga rina e Ballit Kombëtar, nga hetimet nuk rezultoi që ata të kishin pasur aktivitet në rradhët e asaj organizate nacionaliste.
Por kjo ngjarje dhe akuza si “ish-pjestar i Rinisë së Ballit Kombëtar”, do ta ndiqte Sandrin dhe mikun e tij të ngushtë, Prokop Mimën, edhe për shumë vite, pasi ata kishte filluar punë si aktor në Teatrin Popullor. Në Teatrin Popullor – Pas mbarimit të Luf tës aty nga fillimi i viti 1945, Sandri së bashku me mikun e tij Prokop Mimën, u afruan në korin e Filarmonisë së Shtetit, pasi më parë kishin dhënë “prova”, duke kënduar në korin e Kishës Orthodokse. Në korin e Filarmonsië, Sandri qëndroi deri në fundin e vitit 1947, kur u thirr për të luajtur si aktor në Teatrin Popullor.
Në atë kohë u ofruan pranë atij teatri edhe aktorët Mihal Popi, Besim Levonja, Loro Kovaçi, Prokop Mima, etj. Sandri u aktivizua që në pjesët e para të vëna në skenë nga regjizori Pandi Stillu, ashtu dhe nga rusi Kriçkov.
Lidhur me rolet e tij në Teatrin Popullor, Rikard Ljarja, një nga aktorët e mëdhenj të kinematografisë shqiptare, kujtonte: “Ndonëse për vetë moshën unë nuk kam pasur nderin që të luaj së bashku me Sandrin, përveç dy-tre roleve në kinematografi, di të them se ai ka qënë një njeri i jashtëzakonshëm. Roli i tij më i spikatur ka qënë ai i Horatios tek “Hamleti”.
Them kështu, pasi ai ishte një rol i një njeriu të mirë si në dramë ashtu dhe në filma, është tepër e vështirë që të realziosh role si ai i Horatios, mikut të ngushtë të Hamletit. Megjithatë loja e Sandrit tek Horatio, ishte virtuoze, gjë që e bëri të shkëlqejë atë me gjithë madhështinë e tij. Sandri kishte dhunti interpretuese tek rolet në filma, të cilat fillonin që nga portreti, fiziku i tij, deri tek gjestikulacionet.
Ai diti të dallojë shumë mirë filmin nga teatri, të cilat janë dy gjëra krejt të ndryshme, por ai e gjeti veten më së miri në film”, përfundon Ljarja për kolegun e tij. Sipas dëshmive të Rikard Ljarjes, por dhe kolegëve të tjerë të tij, përveç punës së madhe që ai bënte me rolet në studiot e teatrit, Sandri atë gjë e vazhdonte për orë të tëra, edhe në shtëpinë e tij. Lidhur me këtë, djali i tij i madh, Aristidhi kujton:
”Babai punonte shumë në shtëpi me rolet e tija të Teatrit. Kështu më kujtohet aty nga mesi i viteve ‘60-të, ai ka punuar për afro katër vite për rolin e Otellos. Aq shumë ishte i dhënë pas atij roli, saqë edhe unë që isha i vogël, arrita t’i mësoja përmëndësh, pothuaj pjesën më të madhe të monologjeve të asaj drame. Po kështu edhe kur dilnim në xhiro në shëtitoren e Tiranës, ai shpesh përshpëriste me vete rolet e tija. Në çdo kohë ai e kishte mëndjen vetëm tek rolet”, kujton i biri, Aristidhi.
Në filmat e parë
Pas shumë roleve në dramat e pjesët e tjera që u vunë në skenën e Teatrit Popullor, me krijimin e Kinostudjos “Shqipëria e Re”, kur filluan që të realizoheshin filmat e parë shqiptarë, Sandër Prosi ishte një nga aktorët që u aktivizua me role kryesore në ato filma. Kështu Sandri, mori pjesë në filmin “Furtuna” që ishte një bashkëprodhim shqiptaro-rus, e më pas në filmin “Vitet e para” në rolin e një inxhinieri që punonte për tharjen e asaj kënete.
Pas këtyre filmave me të cilat filloi kinematografia shqiptare, Sandër Prosi vazhdoi të interpretojë një galeri rolesh, ku ndër më kryesoret janë: oficer i Sigurimt të Shtetit te ”Detyrë e Posaçme”, italiani te ”Oshëtimë në Bregdet”, doktor Borova te “I teti në bronx”, Kapedani i bigës, te “Horizonte të hapura”, komunisti te “Debatiku”, babai i Zanës te “Plagë të vjetra”, si dhe role të tjera kryesore te “Mëngjeze Lufte”, “Yjet e netëve të gjata”, “Udha e Shkronjave”, “Shtigje Lufte”, “Fije që priten”, “Përballimi”, “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”, “Nëntori i Dytë”, “Dora e ngrohtë” etj.
Nga roli i drejtorit të shkollës te filmi “Debatik” që ishte roli i tij i parë në kinematografi, e deri tek ai i fundit te filmi ”Pranverë e Hidhur” në vitin 1985, që Sandri nuk arriti ta përfundojë, ai shënon 29 role nga më të arrirët të kinematografisë shqiptare, të cilat kanë hyrë në fondin e artë të filmit shqiptar. Po kështu përveç këtyre, nga viti 1947 e deri në vitet e fundit të karrierrës së tij artistike, Sandër Prosi luajti edhe mbi 100 role në teatrin shqiptar.
Si jetoi Sandër Prosi? Ndonëse Sandër Prosi pati një ngritje të shpejtë si aktor duke u bërë një nga më të njohurit e kinematografisë shqiptare, ai bënte një jetë krejt të thjeshtë. Ai së bashku me familjen e tij, nga bashkëshortja Filomena dhe dy djemtë Aristidhi e Adriani (të dy muzikantë) deri në vitin 1976, kanë banuar në një shtëpi të vjetër tiranase, e cila kishte vetëm një dhomë e një guzhinë, te rruga e “Barrikadave”.
Në vitin 1976, shteti u detyrua që t’i jepte një apartament më të zgjeruar aktorit të madh Sandër Prosi. Në atë shtëpi, Sandri përgatiti pjesën më të madhe të roleve të tija, ku spikati ai i Otellos, për të cilin i’u desh katër vite punë.
Prosi nuk e kishte kurrë zakon të ankohej për kushtet në të cilat banonte dhe punonte. Ndonëse ishte një nga më të famshmit e kinematografisë shqiptare, nuk kishte televizor në shtëpinë e tij dhe shumë nga filmat e kohës ishte i detyruar që të shkonte për t’i parë tek i vëllai Kleanthi.
Siç tregojnë kolegët dhe familjarët e tij, Sandër Prosi ishte i mbyllur në vetvete. Lidhur me këtë djali i tij Aristidhi kujton: ”Babai bënte një jetë të rregullt familjare. Ai nuk pinte alkol, ndonëse frekuentonte zakonisht barin e “Vollgës” dhe atë të katit të tretë në Pallatin e Kulturës, që ishin dhe dy nga lokalet ku ai shkonte zakonisht me kolegët e tij artist, (nga miqtë më të afërt kishte Prokop Mimën e Naim Frashërin) dhe pinte rreth shtatë-tetë kafe në ditë, të cilat i shoqëronte me tre paketa cigaresh”.
Pasionet e Sandrit
Ashtu si gjithë njerëzit e tjerë dhe Sandër Prosi në jetë, kishte hobet e pasionet e tija. Lidhur me këtë, i biri Aristidhi, kujton:”Im atë që nga rinia e tij, kishte një pasion për zogjtë, gardelinat dhe kanerinat.
Ai i mbante ato nëpër kafaze në shtëpi dhe kujdesej shumë për to. Një herë kur në teatër ju desh një kanarinë, ai mori një nga ato të shtëpisë dhe u bë shumë keq kur atë ia hëngri macja, ngaqë dikush nga kolegët e tij i kishte lënë derën e kafazit të hapur.
Po kështu babai nuk i’u nda kurrë muzikës, pasionit të parë të tij. Ai mbante në shtëpi një numër të madh disqesh gramafoni me muzikë klasike dhe operistike, ku më shpesh kishte dëshirë të dëgjonte simfoninë pastorale të katërt të Bethovenit.
Një pasion të madh kishte dhe për librat, ndonëse për vetë natyrën e punës së tij, nuk kishte shumë kohë të lexonte. Përsa i përket kinematografisë botërore, im atë kishte idhull, aktorin e madh francez Zhan Gaben, ndonëse nuk mbante foto të tija në shtëpi, për vetë rrethanat e asaj kohe. Sa herë kishte shfaqe, na merrte me vete e pas mbarrimit të saj, ne e prisnim aty përpara ish monumentit të Stalinit.
Babai nuk e kishte kurrë për zakon që të shante njeri, e aq më pak kolegët e tij. Aktori i madh Sulejman Pitarka thonte shpesh: “Unë nuk kam lënë njeri në teatër pa bërë fjalë, por me të vetmin që nuk u fjalosa kurrë, ishte Sandër Prosi dhe kjo jo për meritën time”. / KultPlus.com
Janë siguruar të hollat për shërimin e aktorit, Genc Fuga, i cili ka pësuar sulm në tru. Lajmin e ka bërë të ditur bashkëshortja e tij, e cila kishte kërkuar ndihmë nga komuniteti medial e artistik për ndihmë, ndërkohë që mbështetja është siguruar për më pak se 24 orë.
“Faleminderoj çdo njerin nga ju për suportin dhe mbështetjen, për çdo fjalë dhe kontribut. Shuma u sigurua”, ka shkruar Enerjeta Jani Fuga.
Shuma e operimit të Fugës ka qenë 19,000 euro. Genc Fuga njihet për shumë role në Teatrin Kombëtar të Shqipërisë. Është edhe mësimdhënës në Akademinë e Arteve në Tiranë. Ka luajtur në filmat “Castle Freak”, “Nata pa hënë”, “Sex, përrallë dhe Celular”, “Stairs”./rtk/KultPlus.com
Sot, në 13 vjetorin e vdekjes së aktorit shqiptar me famë botërore, Bekim Fehmiut, publikohet traileri i dokumentarit artistik në të cilin shfaqet jeta dhe vepra e tij, shkruan KultPlus.
Ky dokumentar i cili paraqet copëza dhe histori nga jeta e autorit të madh shqiptar, Bekim Fehmiut, është realizuar me skenar të Fahri Musliut dhe regji të Valmir Tertinit.
Dokumentari është xhiruar në gjashtë shtete: Kosovë, Shqipëri, Serbi, Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë si dhe Itali/KultPlus.com