KultPlus ju sjell 25 vajzat dhe gratë e Kosovës që u shndërruan në zërin e vajzave, djemve, grave dhe burrave të Kosovës.
Vajzat dhe gratë e Kosovës po vazhdojnë të shkëlqejnë në fusha të ndryshme, duke shndritë nëpër botë.
Me rastin e 8 Marsit, KultPlus ka përzgjedhë 25 vajza e gra që nëpërmjet fjalimeve, performancës, muzikës, sportit, filmit e biznesit kanë ngritë dhe kanë përfaqësuar vendin në mënyrë dinjitoze, e duke shndërruar Kosovën në një Kosovë të artë, në një Kosovë që synon Oscar, në një Kosovë që me rrëfimet e nxjerra po nga ky vend, i ka treguar botës po për dhimbjen, kurajën dhe guximin e vajzave dhe grave të vendit më të ri në kontinentin e vjetër.
Po këto vajza dhe gra u shndërruan në inspirimin e shumë vajzave, djemve, grave e burrave, të cilët kuptuan se ëndrrat nuk duhet dhe nuk mbeten vetëm ëndrra.
KultPlus iu sjell në vazhdim një nga aktoret kosovare më të suksesshme vitin e kaluar, Yllka Gashi, e cila me rolin e saj në filmin “Zgjoi” arriti që aq mrekullisht ta portretizojë jetën e historinë e Fahrije Hotit.
Shtëpia e parashikimeve për çmime të ndryshme ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Oscars, Variety, pati përfshirë Yllka Gashin në mesin e 15 aktoreve që do të përfshihen në listën e ngushtë për Çmimet e Akademisë Britanike të Filmit (BAFTA).
Yllka Gashi luajti rolin e saj në filmin “Zgjoi”, i cili ka bërë bujë të madhe, duke u përfshirë madje edhe në listën e ngushtë të çmimeve Oscars.
Variety pati përfshirë Gashin në mesin e aktoreve kryesore në film, së bashku me aktore të njohura siç janë: Nicole Kidman, Lady Gaga, Emilia Jones etj. / KultPlus.com