Mbretëresha Elizabetë e Britaninë së Madhe e ka thyer heshtjen pas akuzave të dukës Harry dhe dukeshës Meghan për racizëm dhe mungesë të përkrahjes në familjen mbretërore. Ajo tha se këto çështje do të trajtohen, por në mënyrë private.
Monarkja e shprehu shqetësimin e saj rreth pretendimeve për racizëm dhe pikëllimin e saj pasi mori vesh se sa sfiduese i ishte dukur jeta mbretërore çiftit të ri, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Dukesha Meghan tha se kishte mendime për vetëvrasje, ndërsa çifti akuzoi një anëtar të familjes mbretërore se ka pyetur se sa e errët do të jetë lëkura e djalit të tyre që ende nuk ishte lindur.
Pas shtimit të trysnisë për të reaguar, familja mbretërore doli me një deklaratë në emër të mbretëreshës, në të cilën thuhet:
“Tërë familja është e pikëlluar ta mësojë gjerësinë e plotë të asaj se sa sfiduese kanë qenë vitet e fundit për Harryn dhe Meghanin. Çështjet e ngritura, veçanërisht ajo e racës, janë shqetësuese. Përderisa disa kujtime mund të variojnë, ato merren shumë seriozisht dhe do të adresohen nga familja privatisht.”
Pallati Buckingham nuk ishte i paralajmëruar paraprakisht se çfarë kanë thënë në intervistën për televizionin CBS duka dhe dukesha, e cila u shikua nga 11 milionë britanikë dhe rreth 30 milionë njerëz përtej oqeanit.
Në deklaratën e familjes mbretërore, e cila kishte vetëm 61 fjalë, nuk dënohet ndonjë ngjarje e pretenduar të ketë qenë raciste, ndonëse mbretëresha e njohu racën si një ndër çështjet kryesore që janë ngritur. / KultPlus.com