Alarm për bombë në shkollën “Xhevdet Doda”, evakuohen nxënësit

Policia e Kosovës është deklaruar lidhur me raportimin për një shpërthim të mundshëm në shkollën “Xhevdet Doda” në Prishtinë.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha për lajmi.net se informacionet e para flasin për një kanosje të dyshimtë e cila ka ardhur përmes postës elektronike.

“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën në atë zonë”, tha ajo.

Po ashtu është thënë se në një perimetër të caktuar janë evakuuar nxënësit dhe personeli i shkollës.

“Ndërkohë janë angazhuar edhe njësitet përkatëse për trajtimin/verifikimin e informatës”.

Gjatë ditës së djeshme ka pasur një raportim tjetër për alarm për bombë tek Rektorati i Universitetit të Prishtinës.

Ky alarm doli të ketë qenë i rrejshëm.

Alarme të ngjashme, ku është raportuar për vendosje të bombave ka patur edhe më herët në vend, shumë prej tyre ishin në kuadër të stacionit të autobusëve në Prishtinë. / KultPlus.com