Nga Alba Ajdarevikj dhe Berat Bajrami
Pas Parisit, Amsterdamit, Bolognas, dhe Bergamos “Qytetet Natën” (Cities by Night), është realizuar edhe në Prishtinë. Përgjatë dhjetë ditëve të Festivalit FemArt, 14-23 Qershor, ky projekt ka bërë bashkë 12 vajza e gra pjesëmarrëse të udhëhequra nga artistja italiane Valentina Medda.
“Qytetet Natën” është një projekt me pjesëmarrëse gra, i cili vë në pah perceptimin e tyre për rrezikun në mjedisin urban. Gra me moshë, racë, etni e prejardhje të ndryshme janë ftuar për të eksploruar rrugët e qytetit të Prishtinës, duke ecur të vetme kur dielli ka perënduar, duke shmangur kalimin e zonave ku nuk ndjeheshin rehat. Duke bërë këtë, secila ripërcaktoi topografinë e qytetit, duke ripërcaktuar kufijtë e tij përmes trupit të tyre të vendosur dhe përvojës së tyre fizike të vendit, por gjithashtu (të pavetëdijshmes) nga prejardhja e tyre kulturore, statusi i tyre ekonomik, besimet dhe paragjykimet e tyre të brendshme.
Projekti ka lindur më 2012 në një rezidencë artistike tre mujore në Paris, megjithatë ka pësuar ndryshime në formë, në paraqitje e në realizim.
“E kam realizuar vetëm dhe isha ajo që i bëja ecjet dhe krijoja hartën bazuar në frikën time. Më pas kam vazhduar në Amsterdam dhe në një formë e kam deleguar performancën tek dikush tjetër. Kurse në Itali kam pasur mundësi ta zgjeroj edhe më shumë, duke përfshirë persona të tjerë për të zgjeruar perspektivën. Çka na bën të frikësuara neve si gra gjatë natës? Kjo ishte pyetja kyçe. Padyshim se ka rrezik të vërtetë, por ka edhe frikë që është instaluar tek ne. Për mua Qytetet Natën është një projekt për kërcënimet dhe rrezikun, por mbi të gjitha për frikën dhe si mund ta tejkalojmë atë”, shprehet artistja Valentina Medda gjatë një prezantimi për media në edicionin e dhjetë të Festivalit FemArt.
Për dallim nga qytetet e tjera “Qytetet Natën” në Prishtinë u realizua përmes ecjeve të udhëhequra.
“Këtu jemi duke e bërë një format të ri të ‘Qytetet Natën’ përmes ecjeve të udhëhequra. Iu kërkoj vajzave që të dalin ta eksplorojnë qytetin vetëm gjatë natës. Nga qendra e qytetit në periferi, dhe duhet të ndalen kur janë të frikësuara, duke krijuar kështu një kufi të frikës së tyre në hartën e qytetit”, ka thënë Medda.
Në dy ditët e fundit të FemArt 10 këto gra kanë udhëhequr publikun në ecjet e tyre, duke iu përcjellë përjetimet e tyre. Teksa ecja vazhdonte publiku dëgjonte histori të ndryshme përmes dëgjueseve, duke e bërë edhe më reale frikën dhe pasigurinë që gratë e përjetojnë.
“Secili person në publik ka përvojë të veçantë. Secili trup ka përjetimin dhe ngjarjen e vet. Të jesh grua është të jetosh me kalkulime. Më duhet të shkojë në këtë rrugë sepse ka më shumë dritë, apo në atë rrugë sepse ka më shumë njerëz. Gjithmonë i bën këto kalkulime edhe për gjëra të thjeshta, kur të del për kafe apo kur të shkon në market”, shprehet Medda, që ka konceptuar këtë projekt. “frika është cenim i të drejtave, dhe askush nuk duhet të ketë frikë”.
Sugjerimi kryesor i saj për të tejkaluar frikën, qoftë në qytetin e lindjes apo në një qytet të ri, është që të dalin të ecin dhe të ndërtojnë lidhje me atë vend. Të krijojnë kujtime me një vend më familjar. Kështu, edhe vendi që në fillim është dukur si më i rrezikshmi apo më kërcënues, pas një kohe mund të bëhet më i sigurt për atë person.
Njëra nga gratë pjesëmarrëse ka vërejtur është se gjatë ecjeve disponimi i saj shpirtëror ka ndikuar gjithashtu në ndjenjat që i kishte duke ecur. Për shembull, ditën e parë ajo ndjehej më e gëzuar, kështu që ajo kishte më shumë vetëbesim. Ndërsa gjatë ecjes së dytë, që ishte më e mërzitur, ajo nuk ndjehej aq e sigurt gjatë ecjes.
Sidoqoftë, shumë nga këto gra deklaruan që gjatë këtij aktiviteti ato janë bërë më të guximshme dhe më të forta, duke shtyrë kufijtë e tyre dhe qytetit ku ato jetojnë. Madje, njëra nga gratë shtoi se gjatë ushtrimeve, ajo çdo ditë e kishte shtyrë ecjen më tepër, për të fuqizuar veten.
Më 22 dhe 23 qershor ishte koha kur këto gra kishin performancat e tyre. Publiku që kishte shprehur dëshirë për pjesëmarrje u mblodh para Teatrit Kombëtar të Kosovës për t’i marrë udhëzimet e fundit, para se të nisen në rrugëtimin e tyre, të udhëhequr nga një e panjohur. Më 22 qershor u mbajtën dy performancat. Të pajisur me dëgjueset e tyre, një katalog të Festivalit FemArt, dhe një audio të përgatitur nga Valentina Medda, ishin të gatshëm të përjetonin një performancë më të çuditshme se zakonisht. Kjo audio është një kujtim i përvojave dhe opinioneve të grave të tjera në “Qytetet Natën”, të ekzekutuara në edicionet e mëparshme.
Të gjitha gratë patën nga një tjetër pikë filluese, dhe vetëm një person nga publiku mund të përcillte një grua. Gjatë ecjes 20 minutëshe, çdo person nga publiku dëgjoi audion dhe ecte prapa një grua lidere, duke e përcjellë atë deri në fund. Audio, plot me histori të ndryshme dhe zhurma të cilat nganjëherë dukeshin që ishin nga jashtë, i dha një errësirë më të madhe kësaj përvoje. Historitë e grave të cilat ishin përcjellë nga burra të dyshimtë, dhe shpjegimi i mekanizmave mbrojtës që gratë i përdorin kur janë duke ecur vetëm (si, shtrëngimi i çelësave në dorë, ulja e kokës poshtë, ndryshimi i veshjes, etj.) të bëjnë të mendosh më tepër për gjërat që i bëjnë gratë të ndjehen në rrezik.
Në fund të performancës, aty ku përfundon siguria e pjesëmarrëses dhe frika është e theksuar, ajo vizatoi një linjë të bardhë në tokë, për t’u kthyer më pas prapa për ta shikuar personin që iu bashkua në performancë duke i dhënë dorën në të cilën shkruan “Qyteti im mbaron këtu”. Ky sinjal ishte edhe përfundimi i performancës. Publiku që ka ndjekur hapat e pjesëmarrëseve ka përjetuar frikën e grave, duke ecur përgjatë disa kufijve që nuk janë thjesht gjeografikë, por fizikë, emocionalë dhe politikë.
Kjo përvojë, pa dyshim që dallon për një burrë qe është pjesë e publikut, dhe për një grua që veçse e di çfarë ajo apo gratë e tjera bëjnë në momente të tilla. Shumë nga burrat që iu bashkuan performancës shprehen se nuk ishin të vetëdijshëm për rreziqet dhe frikën që gratë përjetojnë gjatë ecjeve natën, qoftë nga burrat në rrugë apo edhe nga qentë, apo edhe vet terri. Edhe vet burrat gjatë këtyre ecjeve teksa përcillnin gratë lidere thonë se nuk ndjeheshin komod. Kurse një nga ata përmendi që edhe pse ata kaluan afër një grupi të burrave të cilët e panë atë duke e përcjellë gruan, asnjë person nga ky grup nuk reagoi lidhur me këtë gjë – diçka që është mjaft shqetësuese.
“Qytetet Natën”, që është përkrahur nga Perform Europe, ka rezultuar me krijimin e një harte me kufijtë e rrezikshmërisë, megjithatë ato janë vetëm perceptim i grave pjesëmarrëse dhe nuk paraqesin rrugët më të rrezikshme të qytetit. Për të shmangur ndonjë keqkuptim artistja ka ndarë përvojën e saj për projektin e realizuar në Bologna.
“Është bërë një hartë finale me të gjitha kufijtë e rrezikshmërisë, që mund të jetë ndihmë për njerëzit e tjerë, por është vetëm si perceptim dhe jo të tregojmë hartën për të ju thënë se këtu nuk mund të shkoni. Kur e kam bërë projektin në Itali ka pasur njerëz që më kanë pyetur se cilat janë rrugët më të rrezikshme në Bologna, por ju them se kjo ka të bëjë vetëm me perceptimin. Ajo çka është ndryshe këtu është se punoj me njerëz të rinj, është një dinamikë tjetër dhe ngjarjet e përjetimet janë të ndryshme”, është shprehur Medda.
Kjo frikë, në një mënyrë e instaluar në trupin dhe mendjen e tyre, buron nga paragjykimet apo ndikime të tjera të pavetëdijshme. Kjo vjen si pasojë e ndonjë përvoje të keqe të cilën ato vetë e kanë përjetuar, apo nga ndonjë përjetim i dikujt tjetër për të cilën ato kanë dëgjuar. Frika perceptohet ndryshe nga personi në person, dhe siç njëra nga gratë theksoi: “diçka që mua më duket e frikshme apo më ngjall frikë, nuk i duket e njëjtë dikujt tjetër”. / KultPlus.com