Alban Beqiri në çerekfinalen e botërorit, shkruan historinë e boksit shqiptar

Alban Beqiri shkëlqeu mbrëmjen e të dielës në Kampionatin Botëror që po mbahet në Beograd të Serbisë. Boksieri shqiptar u kualifikua në çerekfinale pas fitores me Eduardo Beckford nga Panamaja.

Trajneri i tij, ish boksieri i mirënjohur, Sead Bushati, është shprehur për mediat se mbrëmë Beqiri ka shkruar historinë.

“Alban Beqiri shkruan historinë e boksit shqiptar me fitoren e tretë në Botëror duke u futur në 8-të boksierët më të mirë të botës! Me klasin e lartë dhe me zgjuarsi të tij arriti të mposht boksierin shtatlartë dhe teknik të Panamasë!

Në ndeshjen e radhës ka boksierin shumë të fortë nga Jordania i cili mundi 2 here kampionin Olimpik kubanezin Roniel Iglesias Sotolongo, por besoj në aftësitë e Albanit teknikën, inteligjencën e tij dhe shpresoj se do të triumfojë dhe do të na sjell medaljen për herë të parë në një Botëror në Shqipëri!”, është shprehur Bushati.

Alban Beqiri aktualisht është kampion i Ballkanit në fuqi, dalë në muajin maj në Kroaci, fitues i shumë turneve ndërkombëtar dhe dy herë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike Europiane. /Tirana News/ KultPlus.com

Alban Beqiri në Botëror, boksieri shqiptar gati të shkruajë historinë në Beograd

Boksieri Alban Beqiri po nderon Shqipërinë në Kampionatin Botëror të të rriturve që po mbahet në Beograd.

Pasi shënoi fitore ndaj Manian nga Kenia në raundin e parë, Beqiri ka marrë një tjetër triumf duke mundur rivalin lituanez Banis.

Një duel i dominuar totalisht nga shqiptari që në fund kishte 5 gjyqtarët në krahun e tij. Tani, Beqiri do të duhet të presë fituesin e çiftit Bekford të Panamasë me Shiuan të Taipeit për të mësuar kundërshtarin e tij në fazën e 1/16-ve.

Boksieri shqiptar ka të gjitha mundësitë të na bëjë krenar në këtë Botëror nisur dhe nga skandali që u bë ende pa filluar turneu, ku delegacioni i Kosovës nuk u lejua të hyjë në Serbi. / KultPlus.com