Presidentja Osmani: Alban Bujari e bëri historinë të pavdekshme përmes imazhit

Presidentja Osmani ngushëllon familjen, Grupin “Koha” dhe komunitetin e gazetarëve për ndarjen e parakohshme nga jeta të fotoreporterit Alban Bujari.

“Me dhembje të thellë morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Alban Bujarit, ikonës së fotografisë dhe dëshmitarit të pashoq të historisë sonë më të re.

Nëpërmjet objektivit, ai dokumentoi të vërtetën e Kosovës në vitet më të vështira, duke na lënë një arkiv të jashtëzakonshëm kujtese dhe historie. Nga momentet e para të luftës së UÇK-së, ai rrezikoi jetën e tij për t`ia treguar botës imazhet që dëshmuan luftën, sakrificën dhe vuajtjen e popullit tonë.

Përmes fotografive të tij, masakrat në Prekaz, Reçak dhe Rogovë nuk mbetën vetëm plagë të kujtesës sonë, por u bënë dëshmi e krimeve ndaj Kosovës para syve të botës. Me profesionalizëm dhe guxim të rrallë, ai e bëri historinë të pavdekshme përmes imazhit, duke na lënë një trashëgimi të çmuar për brezat që do të vijnë.

Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, Grupit “Koha”, si dhe komunitetit të gazetarëve e fotoreporterëve!

I përhershëm qoftë kujtimi për Alban Bujarin!”, thuhet në postim./ KultPlus.com

Vdes Alban Bujari, fotoreporteri që solli kujtimet e luftës përmes fotografive

Ka ndërruar jetë fotoreporteri i “Koha Ditore”, Alban Bujari.

Lajmin për vdekjen e tij e bënë të ditur familjarët dhe të afërmit, derisa u bë e ditur se i ndjeri varroset sot në varrezat e Dragodanit.

I ndjeri ishte fotoreporter gjatë luftës së fundit në Kosovë, ku dhe hapi ekspozitën e quajtur “Erë Gjaku”, ku u kujtua Masakra e Rogovës së Hasit në Gjakovë, aty ku forcat serbe vranë e më pas masakruan 21 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe disa civilë të këtij fshati./ KultPlus.com

Alban Bujari hap ekspozitën me fotografi të shkrepura gjatë pandemisë

Është hapur ekspozita në lidhje me COVID-19 e fotografit Alban Bujari në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

Ekspozita shfaq fotografi të autorit që janë shkrepur gjatë kohës së pandemisë, izolimit, karantinimit të zonave të caktuara, kufizimit të lëvizjes e fillimit të vaksinimit kundër virusit, transmeton Klan Kosova.

Në këtë organizim po marrin pjesë qytetarë dhe adhurues të fotografisë të cilët kanë mundësinë të shohin nga afër krejt punën e cila është e shkrepur gjatë pandemisë. / KultPlus.com