Në Prizren me datë 7 korrik do të bëhet hapja e edicionit të katërt të Bienales së Autostradës, në të cilën do të paraqiten instalacione artistike tërheqëse, ngjarje kulturore dhe aktivitete zhytëse për ndërtimin e komunitetit, përcjell KultPlus.
Në mesin e këtyre aktiviteteve do të dalë para publikut edhe monumenti “Punë, art, dije” i artistit dhe profesorit universitar, Alban Muja. Ky monument, i konsideruar si njëri ndër simbolet kryesore të qytetit të Mitrovicës, u largua nga aty 13 vite më parë, për tu kthyer edhe më fuqishëm këtë vit.
Në Facebook, artisti Alban Muja, ka shpërndarë edhe disa detaje të veprës së tij, duke shpalosur para njerëzve skicën dhe procesin e punës për këtë vepër.
Edicioni i katërt i Bienales së Autostradës do të hapet në tri qytete të Kosovës, ku me datën 7 korrik do të jetë në Prizren, ndërsa me 9 në Prishtinë dhe Mitrovicë. / KultPlus.com
Është bërë inaugurimi i veprës së artit në hapësira publike “Never Say Never” e artistit Alban Muja.
Ky i fundit është shprehur i lumtur që ka arritur ta përfundojë këtë vepër, e cila ka filluar rreth një viti. Muja ka treguar edhe idenë se si ka rrjedhur deri te realizimi i kësaj vepre.
“Është kënaqësi dhe privilegj që po e prezantojmë një punë që kemi filluar qe një vit. Si ide rrjedh më shumë se 20 vjet kur kemi dëgjuar për herë të parë, pra si inspirim vjen nga diskutimi publik i Adem Demaçit që thërriste për lirinë që e gëzojmë sot. Dhe si ide kemi menduar që një vepër duhet dedikuar atij dhe gjithë të burgosurve politikë”, tha Muja.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, e ka vlerësuar veprimtarin Adem Demaçin si një nga figurat vendore të rezidencës kombëtare shqiptare.
“Janë dy dobi të karakteristika të veçanta që shenjon kjo vepër, dhe që lidhet me figurën e Adem Demaçit, një nga figurat qendrore të rezidencës kombëtare shqiptare, dhe jo vetëm me emrin e tij, por edhe me të tjerët që kanë qenë pjesë e rezidencës. Sot po e shtojmë edhe një pikë në qytetin e Prishtinës për ta memoralizuar gjithë ekzistencë kombëtare që e ka udhëhequr Adem Demaçi. Hapësirat publike të jenë hapësira për më shumë art mes publikut dhe veprave të artit. Kjo praktikë do të jetë e rregullt edhe me sheshet dhe hapësirat e tjera”, tha Çeku.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se kjo vepër e përjetëson punën e kamotshme të Adem Demaçit dhe përmes kësaj kujtohen të gjithë të burgosurit politik që kanë besuar që vendi mund te jetë i lirë.
“’Never say never’ përjetëson edhe fjalën e tij që e ka thënë në Beograd. Kurrë mos thuaj kurrë duhet të merret si një pikënisje e gjithë popullit tonë. Nëse ne besojmë mund të arrijmë çdo gjë, është fjalë që e ngrit vetëbesimin në popullin tonë dhe kujton të gjithë të burgosurit politikë që kanë besuar që mundemi të jemi të lirë, të barabartë e po ashtu mund të mbërrijmë çdo gjë që besojmë”, tha Rama./rtv21/ KultPlus.com
Sot bëhet inaugurimi i veprës “Never Say Never” të artistit Alban Muja.
Inaugurimi i veprës do të bëhët në parkun “Adem Demaçi”, sot, me datën 06 dhjetor, në orën 12:00.
Pas inaugurimit planifikohet një koktej rasti, te “Papirun Express”, ngjitur me pompën e benzines “Exfis” përballë parkut “Adem Demaçi”. / KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka vizituar instalacionin “Mbi të gjithë”, mbindërtim ky në qendër të kryeqytetit i realizuar nga artisti Alban Muja, në kuadër të Bienales Manifesta 14.
Artisti i njohur i artit bashkëkohor, Muja, përmes kësaj vepre ka aktualizuar fenomenin e mbindërtimeve, i cili ka zgjuar debat lidhur me mbindërtimet dhe ndërtimet ilegale në Kosovën e pasluftës dhe ndikimin që mund të kenë në planin urbanistik.
Alban Muja është artist që ka analizuar dhe trajtuar shumë fenomene shoqërore, të cilat i ka paraqitur përmes veprave të tij dhe i ka ekspozuar në shumë galeri të vendeve të ndryshme. / KultPlus.com
Përparim Rama ka njoftuar se artisti Alban Muja po rikthen në memorie gabimet e së shkuarës, që kanë rezultuar në degradim të Prishtinës, shkruan KultPlus.
Në kuadër të “Manifesta 14”, artisti Alban Muja ka bërë një “ndërtim ilegal” në mes të Prishtinës.
Postim i plotë i Ramës:
“Ndërtimet pa leje na kujtojnë një periudhë kohore të Kryeqytetit të cilën nuk do të lejojmë të përsëritet!
“Ky ndërtim legal – ilegal” në mes të Prishtinës, është vepër e artistit Alban Muja në kuadër të Manifesta Biennial, por që rikthen në memorien tonë gabimet e së shkuarës, të cilat kanë rezultuar në degradimin e Prishtinës.
Alban Muja sot jeton në Berlin dhe arti i tij vazhdon të vlerësohet nga kritik me renome botërore te artit.
Për mua, si Kryetar i Kryeqytetit, është kënaqësi e veçantë të shoh që artistët tanë, rikthehen në kryeqytet me veprat dhe talentin e tyre duke kthyer kështu edhe vëmendjen ndërkombëtare të artit dhe medias në Prishtinë”, thuhet në postimin e të parit të Prishtinës. /KultPlus.com
Gjithsej katër artistë nga Britania e Madhe dhe tre artistë kosovarë janë futur brenda botës artistike për të shpalosur shqetësimet e tyre rreth çështjeve mjedisore e njëkohësisht për të rritur ndërgjegjësimin ndaj tyre përmes pikturave dhe instalacioneve diversive, me ç’rast ekspozita ‘Smogu i madh i vitit 2021’ solli para të pranishmëve gjendjen kaotike të natyrës nëpërmjet ngjyrave të errëta e deri tek ato më të lehtat, për të shënuar kështu edicionin e fundit të programit ‘’Ne jemi këtu: EKOLOGJITË E SË ARDHMES” në Ballkanin Perëndimor, shkruan KultPlus.
Eksplorimi i veprave të artistëve si: Alban Muja, Blerta Hashani, Ben Rivers, Charlotte Prodger, Louis Henderson, Nimon Lokaj dhe Uriel Orlow nisi fiks në orën 19:00 ku u shënua edhe hapja e ekspozitës në Galerinë Kombëtare të Kosovës, me kurator Engjëll Berisha.
Piktura e realizuar në vitin 1976 e artistit Nimon Lokaj ishte ajo që fillimisht rrëmbeu vëmendjen e gjithsecilit me bukurinë që posedonte. E titulluar “Pishat e Deçanit”, piktura dukej se po gjallërohej moment pas momenti duke shpalosur një gërshetim të nuancave të ndryshme të ngjyrës së gjelbër, një precizitet të teknikës së pikturimit dhe një ngrohtësi që të kaplonte në çast me ndërhyrjen e pishave të shëndosha mes drunjve të gjatë.
Ndërkohë, në anën e djathtë të kësaj ekspozite, po ashtu ndodhej një pikturë tjetër e vitit 1977 por kësaj here, gjelbërimi i veçantë kishte lënë vend edhe për një hapësirë gjelbërore të rrafshët por që nuancat e errëta po vazhdonin të përshkonin gjendjen mjedisore.
Në të njëjtën hapësirë, vepra e realizuar në vitin 2008 dhe e titulluar “Window Seat” e artistit Alban Muja, porsi tematika e tyre, po qëndronte në një nivel më të lartë se e zakonshmja. Dy pikturat e krijuara me akuarel dhe akril në letër, ngërthenin në vete një qetësi absolute, ajo e cila vjen nëpërmjet vështrimit të qiellit, mjegullës dhe reve. Pra, një qetësi që flen brenda qenies njerëzore nga ngjyrat e lehta por të cilat vrullshëm pushtonin atmosferën në secilën sekondë.
Përballë veprës së Mujës, piktura dhe instalacioni i artistes Blerta Hashani, të titulluara “42.438186” dhe “Bocë e Misrit”, erdhën në një kontrast me atë se çfarë tashmë kishim parë. Ngjyra kafe, e bardhë dhe portokalli nga piktura binin këndshëm në sy kur para saj instalacioni i misrit kishte gjetur vendin e tij. Për të portretizuar një fëmijëri, atëherë kur teknologjia nuk kishte vend, të dy veprat e Hashanit përçuan një ndjenjë të kthimit mbrapa në kohë, aty ku natyra me të cilën rrethoheshim ne, ishte i vetmi gjësend që njeriu njihte e me të cilën edhe shpeshherë krijonte një lidhje të brendshme e krejtësisht shpirtërore.
Pastaj, artistët britanik si: Ben Rivers, Charlotte Prodger, Louis Henderson dhe Uriel Orlow, videot e së cilëve u ndërlidhën së bashku për të sjell një video-instalacion, përmes së cilës po shfaqej një përmbledhja e videove nga koleksioni britanez ‘LUX’ dhe ‘British Council’ e të cilat tregonin për veprimet e shoqërisë tonë ndaj natyrës dhe mosveprimet e tyre ndaj ndryshimeve klimatike që po shndërrojnë botën tonë të pasur e të gjelbër në një planet ku ngjyrat e zbehta e depresive do të dominonin dukshëm.
Ndërsa, për të treguar më shumë rreth krijimit të ekspozitës dhe përshtypjeve të tij për KultPlus foli kuratori Engjëll Berisha.
“Së pari British Council e ka lansuar një mundësi për të aplikuar me një linjë të projekteve siç është ‘Future Ecologies’ ku pjesë e saj ka qenë një koleksion që është bazë e LUX-it. Pra, ‘British Council’ në partneritet me LUX-in, kanë ardhur deri në një pikë ku e kanë realizuar këtë si projekt ku prej shumë vendeve të Ballkanit, kemi mundur që të aplikojmë me idetë tona lidhur me ekspozitën. ‘Smogu i madh i vitit 2021’ i referohet në fakt tragjedisë që ka ndodh në Londër në vitin 1952. Kanë kaluar 70 vite prej që është zgjidhur problemi i tyre e ne jemi ende duke u marrë me të”, thotë Berisha.
Sipas tij, titulli është përdorur si një pretekst për të diskutuar më gjerë për ndryshimet klimatike. Kurse, në anën tjetër, ai është munduar që të formojë peizazhet si medium e formë e punës duke i përdorur ato që kanë fokus natyrën në aspekte të ndryshme sociale e ekonomike për të shpalosur dëmin tonë ndaj natyrës.
“Përmbledhja e videove është nga koleksioni britanez ‘LUX’ dhe ‘British Council’ ku katër artistë britanik që kanë fituar çmime të mëdha, i kanë realizuar ato video. E kjo ka qenë për mua një mundësi shumë e mirë dhe një projekt që e kam punuar me shumë dashuri. Ka qenë e vështirë që nga gjithsej 50 punime, të zgjidhen vetëm 10 nga to. E ndoshta edhe se si qëllimi të arrihet pa e tepruar, do të ishte ndoshta vështirësia më e madhe që kam hasur”, thotë ai.
Për të, ajo se çka do të veçonte do të ishte se sa shumë dhe sa gjatë nuk janë parë live punimet e Nimon Lokajt.
“Në momentin që i kam parë punimet e tij, më kanë lënë përshtypje dhe më janë dukur komplet të një bote tjetër e Galeria më ka dhënë këtë rast që të përdor punimet e tij që janë nga fondi i koleksionit të Galerisë, prandaj punimet për mua kanë qenë ndoshta edhe arsyeja që unë kam nisur këtë ekspozitë. Po e mendoja një realitet distopian dhe kur e mendova atë, së pari mendova se si në vitin 2050 nëse dikush do të kishte kujtuar natyrën si diçka që ka qenë në të kaluarën, do e kishte kujtuar me pikturat e Niman Lokajt”, përfundon Berisha.
Kurse, artistja e kompozicionit të vetëm të shfaqur, Blerta Hashani për KultPlus tregoi idenë pas veprës artistike të saj.
“Vepra ime përbëhet prej një pikture dhe një instalacioni, ku të dyja së bashku e formojnë një kompozicion. Tematika ose koncepti i saj është bazuar nga fëmijëria ime dhe nga loja e mëhershme ku atëherë nuk ka qenë në funksion ose aktive, teknologjia. Kemi luajtur me gjëra natyrore, me simbole e elemente të natyrës, e po ashtu jetesa ime në fshat ka shtyrë që elementet e instalacionit tim të përbëhen nga fushat të cilat mbjellin boçat e misrit”, thotë Hashani.
Sipas saj, atëherë si fëmijë, nga një perspektivë si në prapaskenë në ngjarje, ajo ka dashur që të tregoj se si kanë luajtur me boçat e misrit në atë kohë e që sot është përshtatur me konceptin e ekspozitës, për ekologjinë e së ardhmes dhe smogun që po mbizotëron kohëve të fundit në ambientin tonë natyror.
“Vështirësia ime më e madhe ka qenë procesi para krijimit të veprës, pra puna e idesë, si të vendos dhe pastaj ka filluar procesi pas vendosjes time. E në vazhdim, pjesa e realizimit ka qenë shumë më e lehtë sesa puna ideore e projektit”, përfundon Hashani.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 8 dhjetor dhe gjatë kësaj kohe do të organizohen evente të ndryshme që do të eksplorojnë artin si një mjet për rritjen e ndërgjegjes për çështjet mjedisore.
‘Smogu i madh i vitit 2021’ eksploron mundësitë e një të ardhmeje ku mosveprimi i shoqërisë ndaj ndryshimeve klimatike e ka kthyer botën tonë dikur të gjelbër në një planet të hirtë distopiane; një planet të përbërë nga betoni dhe teknologji të ngjashme me ato që shohim shpesh në filma të së ardhmes ose në videolojëra. / KultPlus.com
Në mbyllje të vizitës njëditore në Kosovë, Kryeministri Edi Rama vizitoi në Galerinë e Arteve ekspozitën e artistit bashkëkohor kosovar, Alban Muja.
“Në mbyllje të vizitës edhe ‘ëmbëlsira në fund’ në ekspozitën e një talenti të madh si Alban Muja, në Galerinë e Arteve”, tha Rama.
Ekspozita e Mujës “Whatever happens, we will be prepared” qëndron e hapur në Galerinë e Arteve në Prishtinë prej mesit të këtij muaji.
Kjo ekspozitë do të jetë e hapur deri më datë 2 nëntor 2021.
Në këtë ekspozitë krahasohen përzgjedhje të larmishme të veprave ekzistuese si dhe të veprave të reja të Mujës, dhe për herë të parë në Kosovë shfaqet projekti “Family Album”, (Albumi familjar), i cili e përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Venecias në vitin 2019.
Muja përdor një sërë mediumesh duke përfshirë këtu filmin, fotografinë, pikturën, grafikën dhe skulpturën, shpesh duke trajtuar tema komplekse dhe të çuditshme të cilat ai i zgjedh para shikuesit./atsh/Kultplus.com
Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, mbrëmë u mbajt ekspozita e artistit Alban Muja, me titull: “Whatever Happens, We Will Be Prepared”, kuruar nga Maria Isserlis. Në këtë ekspozitë artisti Muja është prezantuar përmes video Instalacioneve, filmave të shkurtër dhe dokumentarëve, vizatimeve, pikturës dhe performancës.
Artisti Muja i takon një grupi artistësh kontemporan të cilët arritën sukses përmes shprehjes me anë të mediumeve të reja. Muja është gjerësisht i ndikuar nga proceset e transformimit social, politik dhe ekonomik të vendit të tij të lindjes Kosovës. Ai i takon një brezi artistësh të cilët janë bërë akterë në proceset transformuese të shoqërisë sonë, duke formuluar perspektivat personale të pakomprometuar nga interesi ekonomik dhe politik duke krijuar hapësira për diskutime dhe opinione me publikun e gjerë vendorë dhe ndërkombëtar. Shpesh përmes veprave të tij ai ka bërë audiencën e vet poashtu akterë përmes pjesëmarrjes aktive të tyre në proceset artistike.
Në këtë ekspozitë vizitorët kanë pasur rastin të shohin një video instalacion të ri të Mujës me titull “Family Album” të realizuar për Pavijonin e Kosovës, në Bienalen e Venecias, i cili gërmon thellë në kujtesën personale dhe kolektive të Luftës së Kosovës (1998-1999) dhe heton rolin që imazhet dhe mediat kanë në konstruktimin dhe formësimin e narracionit, identitetit dhe historisë, sidomos në kohëra të konflikteve.
Si pikënisje e këtij projekti të Mujës shtrihet një përzgjedhje fotografish të fëmijëve refugjatë të marra gjatë luftës në Kosovë, imazhe që ishin publikuar në gazetat dhe në lajmet përgjatë vendeve të ndryshme në botë, dhe të cilat janë bërë sinonim i luftës, emblema të kaosit, traumave dhe dhembjes të komunikuar publikut nga mediat globale. Muja preokupohet si imazhet e dhëna veprojnë si bartës të kujtesës personale dhe si këto kujtesa ndikuan në formësimin e kujtesës së gjerë kolektive politike dhe kulturore.
Kujtesa kolektive i referohet mënyrës sesi shoqëria kujton të kaluarën e vet. Kinezët kujtojnë shekullin e poshtërimit, ndërsa amerikanët kujtojnë 11 Shtatorin dhe ngjarjet e mëvonshme, dhe njerëzit e shumë kombeve kujtojnë epokën e Luftës së Dytë Botërore. Të kuptosh kujtesën e një vendi do të thotë të kuptosh diçka thelbësore në lidhje me identitetin dhe pikëpamjen e tij kombëtare. Sigurisht, vendet nuk kanë kujtime; janë njerëzit në vend ata që ruajnë kujtimet, por shpesh ka edhe ngjarje dhe motive të përbashkëta. Kur u kërkohet të kujtojnë Luftën e Dytë Botërore, amerikanët tregojnë ngjarje të shumta, por shumica e njerëzve kujtojnë sulmin në Pearl Harbor, Ditën D dhe bombardimet në Hiroshima dhe Nagasaki. Kur u kërkohet shqiptarëve të kujtojnë luftën, ata së pari do të kujtojnë ngjarje nga eksodi i refugjatëve të vitit 1998-99.
Jan Assman në veprat e tij përkufizon Kujtesën kolektive, si një term të përgjithshëm, i cili përfshin “kujtesën komunikuese” dhe “kujtesën kulturore”. Sipas Assmanit e para është e bazuar në komunikimet orale dhe përfshin një periudhë prej vetëm disa gjeneratave të njëpasnjëshme. E dyta, ajo kulturore është e institucionalizuar, “e jashtësuar, objektizuar, dhe e ruajtur në formë simbolike”, e aftë të kaplojë shumë gjenerata. Kujtimet kolektive mund të ndodhin edhe në nivele individuale. Secili prej nesh ka një lloj kujtese kolektive për çdo grup të rëndësishëm shoqëror të cilit i përkasim. Njëzet vite më vonë, Muja zhurmon individët, tani të rritur, të kapluar në këto imazhe për të gërmuar mënyrën në të cilën imazhet veprojnë si bartës të kujtesës personale dhe si ato ndihmuan në formësimin e kujtesës më të gjerë kolektive politike dhe kulturore përtej kontrollit të subjekteve të prezantuara në imazhe.
“Besa”
Derisa kujtesa individuale kulturore është e ndikuar nga kontekstet personale, kujtesa kolektive kulturore duhet të freskohet në mënyre konstante nga individët të cilët ndajnë të njëjtin nocion të së kaluarës. Në të kundërtën, ai humb ndikimin e tij social dhe bien në harresë apo zhdukje (Bruno Notteboom, Andreas Wesener). Muja përmes mediumit të video instalacionit, ndihmon në objektizimin e kujtesës jetëshkurtër individuale, duke krijuar me anë të videos së tij një kujtesë Kulturore për brezat e ardhshëm.
“Agimi”
Kujtimet kolektive të një populli mund të ndryshojnë ndër breza. Një studim i kohëve të fundit tregoi se të rinjtë dhe më të vjetërit i shpërfaqnin ndryshe ngjarjet kritike të shoqërisë. Kujtesa kolektive kombëtare nuk është fikse, por ndryshon me kohën. Kujtesa kolektive nënkupton që edhe harresa kolektive ndodh, dhe ne e kemi studiuar një harresë të tillë në një kontekst të veçantë: sa shpejt politikanët janë të harruar.
Në bartjen e kujtesës kolektive krahasuar me fjalët, imazhet gjithmonë shfaqen si forma më të preferuara për themelimin dhe ruajtjen e njohurisë së përbashkët, pasi që ato ofrojnë një “zë” vizual për të ndihmuar në përshkrimin e së kaluarës së përbashkët (Barbie Zelizer). E adresuar më herët nga Frances Yates, ndikimi i imazheve është dëshmuar përmes shembujve të artefakteve materiale të periudhave të civilizimeve antike të cilat kanë lehtësuar kapacitetin për të mbajtur mend, prandaj objekti material për një kohë të gjatë është parë si sinekdokë e ngjarjeve dhe çështjeve të mëdha dhe të rëndësishme. Ky nocion është elaboruar nga analistë të shumtë, duke përfshirë Paul Connerton, Barry Schwartz, dhe Jacques Le Goff. Këta të fundit theksuan instrumentalitetin e mbajtjes në mend të ngjarjeve komplekse përmes mjeteve të memories kolektive. Sidomos, nocioni i Pierre Nora-s “lieux de memorie” apo “sajtet e memories” ka ndihmuar për të demonstruar lidhshmërinë në mes të aftësisë për të mbajtur mend dhe vendeve fizike dhe konceptuale ku memoriet e përbashkëta janë ruajtur.
Teoritë e reprezentimit vizual kanë qenë të përfshira për një kohë të gjatë në përkufizimin e mënyrave si imazhet veprojnë ndryshe nga fjalët. Në të vërtetë, konsiderimi si imazhet veprojnë krahasuar me fjalët daton qysh nga veprat e Gotthold Lessingut. Në esenë e tij të hershëm mbi “Laokunin (Laokoon: oder über die Grenzen der Malerei und Poesie)”, ai argumentonte se imazhi ndryshon nga poezia thjesht sepse ai “mund të përdorë një moment të vetëm të akcionit, prandaj duhet të zgjedh momentin më të ngarkuar, më sugjestiv të asaj që ka ndodhur më parë dhe asaj që do të ndodh në të ardhmen.” Me fjalë tjera vizualja, përkundër verbales, mund të tregoj më së miri storien duke kapluar strategjikisht gjërat në mes. Ajo shpërfaq për shikuesit e vet momentin në zhvillimin e një ngjarje në të cilin ata marrin pjesë derisa duke qenë e vetëdijshme se ku do të sjellë ky zhvillim. Kjo do të thotë se vizualja shpesh përfshin kapjen e një sekuence ngjarjesh apo çështjesh në mes, duke i ngrirë ato në mënyrë strategjike në momentin potencialisht më të fuqishëm të prezantimit kuptimplotë (The Voice if the Visual in Memory, Barbie Zelizer).
Ky moment është krucial në përshrimin e rolit të imazheve në memorie. Kjo sugjeron se imazhet na ndihmojnë të mbajmë në mend të kaluarën duke ngrirë reprezentimin e saj në një moment të fuqishëm të mirënjohur për ne.
“Besimi dhe Jehona”
Normalisht që imazhi është një formë e fuqishme e shprehjes vizuale. Siç kishte pohuar Aaron Siskindi: “Fotografia është një mënyrë e ndjenjës dhe përjetimit. Ajo që është mbajtur në film është kapluar përgjithmonë…ajo mban mend gjëra të vogla, shumë kohë pasi ne kemi harruar çdo gjë”. Muja në veprën e vet “Family Album” vendos që përmes mediumit të Video instalacionit ti rijetësojë këto imazhe. Por, në këtë rast, videoja si medium ndihmon në sqarimin e mëtejmë të ngjarjeve për të cilat shumë shikues nuk dinin asgjë. Dhe natyrisht njohja më e mirë me protagonistët e këtyre imazheve, dhe rrethanave në të cilat këto imazhe janë jetësuar, kontribuon në përjetimin më të thellë dhe empatinë ndaj personave që përjetuan këto ngjarje. Dhe në këtë aspekt, duke kujtuar thënien e Ingmar Bergmanit mund të përfundojmë se: “asnjë formë tjetër e artit nuk depërton në ndërgjegjen tonë sikur filmi, dhe kalon direkt në ndjenjat tona, thellë në dhomat e errëta të shpirtrave tonë” (Ingmar Bergman). / KultPlus.com
Sot, në Galerinë Kombëtare të Kosovës është hapur ekspozita ‘Whatever happens, we will be prepared’ e artistit, Alban Muja dhe kuratores, Maria Isserlis.
Vepra të realizuara në sërë mediumesh duke filluar nga filmi, fotografia, piktura, vizatimi dhe skulptura kanë gjetur vend në katër kategoritë, Family Album, Personalja, Socialja dhe Kombëtarja, që autori Muja ka vendosur t’i ekspozojë në ‘Whatever happens, we will be prepared’, shkruan KultPlus.
Autori, Alban Muja në një deklaratë për KultPlus thotë se është i kënaqur që po e prezanton këtë ekspozitë para publikut kosovar pas dy shtyerje për shkak të përhapjes së pandemisë.
“Whatever happens, we will be prepared” është një segment të cilën ne e kemi marrë në njërën prej videove të Family Album. Në këtë ekspozië kemi punuar përreth dy viteve dhe jemi të kënaqur që pas dy shtyerjeve po e hapim” – thotë Muja duke folur për realizimin e ekspozitës.
Ai tutje shton se “Whatever happens, we will be prepared” është e ndarë në katër kategori: Family Album, Personalja, Kombëtarja dhe Socialja.
Kati i parë i galerisë është i dedikuar vetëm për veprën ‘Family Album’ me të cilën artisti Muja përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Venedikut në vitin 2019. Në këtë vepër shpalosen rrëfime të të mbiejtuarve nga periudha e luftës në Kosovë. Vepra përmban video-incizime që artisti ka sjellë në mënyrë shumë të veçantë në tre kanale.
“Kati i parë është i dedikuar për ‘Family Album’ me përjashtim të veprës së parë nga e cila ka nisë gjithçka, është fotografia si refugjat i kryeministrit Jose Maria Aznar, i cili është edhe si referencë politike për ata që e shohin të kaluarën apo marrëdhëniet që i kemi pasë dhe që i kemi sot me Spanjën, por ato janë lënë anash edhe pse ka qenë një lloj motivimi” – shton më tutje Muja.
Në katin e dytë janë paraqitur kategoritë Kombëtarja, Personalja dhe Socialja në të cilat artisti thotë se shfaqen kryesisht projektet e reja që ai ka realizuar, dhe ato që kuratorja e ekspozitës, Maria Isserlis, ka vendosur t’i ekspozojë.
Krejt në fund, Alban Muja thekson rëndësinë që ka kjo ekspozitë për të. “Çdo vepër këtu është e rëndësishme, e sidomos për mua dhe secila komunikon në një formë apo tjetër me publikun kosovar, për të cilin po prezantohet.”-shton ai
I pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite ishte edhe drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha, i cili e cilëson këtë ekspozitë si një ekperiencë të jashtëzakonshme dhe të veçantë për të.
“Sot jam ndjerë si çdonjëri apo çdonjëra që e ka vizituar këtë ekspozitë, në mënyrë të veçantë duke marrë parasysh edhe titullin ‘Çfarëdo që ndodhë, ne jemi të përgatitur’ pikërisht në këtë periudhë të pandemisë. Tri sferat që janë brenda ekspozitës tregojnë në një mënyrë që ne jemi të gatshëm të jetojmë në kohëra të ndryshme si tash në pandemi, apo në aspektin kombëtar ashtu edhe në aspektin personal e social , që të trija këto kanë një ndërlidhje me njëra-tjetrën. Prandaj ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme dhe shumë e veçantë të jem i pranishëm dhe ta përjetoj krejt këtë përurim të mrekullueshëm që po ndodhë sot.”- ka deklaruar Berisha për KultPlus.
Një numër i madh i vizitorëve kishin zënë vend në hapsirat e galerisë dhe prisnin në radhë për të hyrë brenda për t’i parë veprat. E entuziazmi i tyre shihej edhe pasi ata kishin shijuar pamjet brenda ekspozitës.
“ Albani ka kaluar nivelin e yllit lokal, tashmë është i njohur edhe ndërkombëtarisht me vlerat e veta artistike të të gjitha mediumeve si në foto, video, në pikturë, vizatimet e tij janë të shkëlqyeshme poashtu”- thotë piktori, Bashkim Kabashi i cili më tuje e përgëzon artistin Muja për këtë realizim.
Ekspozita ‘Whatever happens, we will be prepared’ do të jetë e hapur deri më 2 nëntor./KultPlus.com
Artisti kosovar, Alban Muja, do të hapë ekspozitën e tij personale “Whatever happens, we will be prepared” më 15 shtator, përcjell KultPlus.
Kjo eskpozitë do të mbahet në Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe do të jetë e hapur deri më datë 2 nëntor 2021.
Në këtë ekspozitë do të krahasohen përzgjedhje të larmishme të veprave ekzistuese si dhe të veprave të reja të Mujës dhe për herë të parë në Kosovë do të shfaqet projekti ‘Family Album’, (Albumi Familjar), i cili e përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Venedikut në vitin 2019.
Ky do të jetë një udhëtim përmes rrëfimeve vizuale shumë shtresore në të cilat vizitori ftohet të zbulojë një sërë pozicionesh sociale dhe gjeopolitike si dhe procese të shumta që formojnë identitete të ndryshme personale, kombëtare dhe shoqërore.
Për të eksploruar këto tema të ndryshme, Muja përdor një sërë mediumesh duke përfshirë këtu filmin, fotografinë, pikturën, grafikën dhe skulpturën, shpesh duke trajtuar tema komplekse dhe të çuditshme të cilat ai i zgjedh para shikuesit.
Alban Muja është një artist bashkëkohor kosovar. Ekspozitat e zgjedhura të tij përfshijnë: Muzeu Ludëig, Budapest; Muzeu Maxxi Romë; Bienalja e 3 -të e Artit Industrial, Istri, Kroaci; Galeria e Arteve Craëford, Cork; Qendra Eksperimentale MOMus për Artet, Selanik; Muzeu i artit Kumu, Talin; Muzeu i Artit Guangdong; Muzeu i Artit Bashkëkohor – Shkup; MeetFactory, Pragë; Forum Stadpark, Graz; ‘Trieste Contemporanea, Trieshtë; Galeria James, Neë York; Galeria e Arteve e Qytetit të Ljublanës; Muzeu i Artit Zhejiang, Hangzhou; Muzeu i Arteve të Bukura, Split; Muzeu i Artit Modern dhe Bashkëkohor, Rijekë; Galeria Kombëtare e Artit Zachęta, Varshavë; Bienali i 2-të i Artit Bashkëkohor në strehën Atomike në Konjic, BiH; Galeria Shkuc, Ljubljanë; Galeria Kombëtare e Kosovës; 60‘Berlinale’; Galeria Gagosian, Beverly Hills; Galeria Kombëtare Sllovake; Staatliche Kunsthalle, Baden-Baden; Bienalja e 28-të Grafike e Ljublanës; nGbK, Berlin; Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë; Bienalja e Cetinjës dhe të tjera.
Ekspozita “Whatever happens, we will be prepared” është e kuruar nga kuratorja, Maria Isserlis./KultPlus.com
Presidenti George Bush gjatë vizitës së tij në Tiranë në vitin 2007 kishte deklaruar: “Ka ardhur koha, madje sa më shpejt, që të themi “Mjaft më!” (Enough is enough!), Kosova është e pavarur!”, duke i dhënë një mesazh të qartë të gjithë politikës ndërkombëtare, por edhe duke rikujtuar edhe një herë fatet e lidhur të Kosovës e Shqipërisë.
Platforma e Artit Bashkëkohor HARABEL do të përurojë veprën publike me titull “Enough Is Enough” nga artisti Alban Muja, këtë të premte, më 19 mars 2021, në orën 16:00 tek ura e këmbësorëve mbi lumin Lana, përballë OSHEE në Tiranë.
Kjo vepër vjen në kuadër të një projekti afatgjatë të Harabel që ka nisur përgjatë vitit 2020 dhe përmban një seri veprash arti të realizuara nga artistë bashkëkohorë, të cilat do të vendosen në hapësirat publike të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë.
Ky projekt ka si qëllim vendosjen e publikut në ndërveprim të afërt me artin bashkëkohor, si dhe krijimin e një dialogu të hapur mes hapësirës urbane dhe artit.
“Enough Is Enough” është vepra e dytë që bën pjesë në këtë projekt, i cili ka nisur me përurimin e veprës “Bukurshkrimi” të artistit Adrian Paci, në nëntorin e vitit të kaluar.
Koncepti “Enough Is Enough” është një vepër arti publik e artistit Alban Muja, e cila lind prej deklaratës së bërë prej Presidentit George Bush gjatë vizitës së tij në Tiranë në vitin 2007: “Ka ardhur koha, madje sa më shpejt, që të themi “Mjaft më!” (Enough is enough!), Kosova është e pavarur!”, duke i dhënë një mesazh të qartë të gjithë politikës ndërkombëtare, por edhe duke rikujtuar edhe një herë fatet e lidhur të Kosovës e Shqipërisë.
E para e këtij lloji për artistin bashkëkohor Alban Muja, kjo vepër është një skulpturë në hekur e cila, si një urë, lidh dy brigjet e lumit të Lanës, në një prej zonave më urbane të kryeqytetit. Vepra, që më shumë se një instalacion është mirëfilli një skulpturë, e përbërë prej gërmave formuese të togfjalëshit “Enough is Enough”, është 17.5 metra e gjatë dhe secila gërmë 1,8 metra e lartë.
Pavarësisht kësaj, ajo mbart një monumentalitet diskret, pasi nuk është e dukshme prej rrugëve në të dy anët e lumit që lidh, por mund të shihet veçse prej kalimtarëve në urat që ka pranë, ose prej atyre që kërkojnë ta shohin mes bimësisë që e rrethon.
Kjo vendosje është sigurisht e qëllimtë: bashkimi i dy brigjeve është një gjest retorik, por një paralelizëm që i përgjigjet të vërtetës së dy vendeve të lidhur prej gjithnjë e përgjithmonë; nga ana tjetër, vendosja thuajse e fshehur e një monumenti me përmasa kaq të mëdha, thërret sërish një tjetër të vërtetë të madhe: atë të mikpritjes shqiptare të eksodit të Kosovës gjatë luftës, e madhe por pa zhurmë. Temat e kujtesës, luftës së Kosovës dhe përfaqësimit material të dhimbjes janë tema të vazhdueshme të hulumtimit artistik të Alban Mujës.
“Enough Is Enough” është e pazakontë për të në formë, por një vazhdimësi e diskursit që ngre Muja në punën e tij, duke e vendosur publikun përballë çështjeve të mëdha të luftës, emigrimit e ndarjes, por edhe rëndësisë së vlerave humaniste, si ndihmesa kolektive, gjendja e njeriut për njeriun. Vendlindja është pikënisja e sigurtë e punës së Mujës, sikurse është dhe lufta, si një e vërtetë e jetuar e tij, por “Enough Is Enough” nuk është vetëm një monument i lidhjes së Kosovës me Shqipërinë, por edhe një eko e situatës së çdo refugjati sot në botë.
Në këtë kondvështrim, “Enough Is Enough” është edhe një akt politik universal që tejkalon territorin ku lind, një kundërvënie ndaj modeleve të sotme socio-politike që vendosin kufirin (territorial) përpara jetës së njeriut dhe të drejtës së tij për siguri dhe stabilitet. Synimi i veprës nuk është rikujtesa e luftës, por përqasja me pasojat e saj tek popujt e prekur dhe problematizimi i pushtetit si qëllim. “Enough Is Enough” vjen si kujtesë historike pas dy dekadash, e si e tillë mund të duket e vonuar, por ajo është pikërisht dëshmi e një bote që ndryshon pak, një thuajse artefakt i krizës së madhe refugjate që përjetoi Ballkani e që me sa duket pati pak impakt mbi sjelljen politike ndërkombëtare, duke qenë se bota sheh vazhdimisht lindjen dhe zgjerimin e zonave akute të krizave humanitare. Në këtë kontekst, Enough is Enough nuk vjen vetëm si përgjigjja që Presidenti Amerikan i dha statusit të pavarësisë së Kosovës, por edhe si vënie në pyetje e marrëdhënies afatgjatë mes pushtetit dhe lirisë së njeriut.
Alban Muja është një artist bashkëkohor kosovar që jeton mes Berlinit dhe Prishtinës. I ndikuar kryesisht nga proceset e transformimit shoqëror, politik dhe ekonomik në rajonin e gjerë përreth, ai shqyrton historinë dhe temat socio-politike dhe i lidh ato me pozicionin e tij në Kosovë sot. Disa prej ekspozitave të zgjedhura ku ai ka marrë pjesë janë : Muzeun Ludwig, Budapest; Muzeu Maxxi, Romë; Bienaleja e 3-të e Artit Industrial, Istria, Kroaci; Qendra Eksperimentale MOMus për Artet, Selanik; Muzeu i Artit Kumu, Talin; Muzeu i Artit Guangdong; Muzeu i Artit Bashkëkohor – Shkup; MeetFactory, Pragë; Forum Stadpark, Graz; Galeria James, New York; Galeria e Arteve e Qytetit të Lubjanës; Muzeu i Artit Zhejiang, Hangzhou; Muzeu i Arteve të Bukura, Split; Trieste Contemporanea; Muzeu i Artit Modern dhe Bashkëkohor, Rijeka; Galeria Kombëtare e Artit Zachęta, Varshavë; Ien Bienaleja e 2-të e Artit Bashkëkohor në strehën Atomike në Konjic, BiH; Galeria Škuc, Ljubljana; Galeria Kombëtare e Kosovës; Muzeu i Arteve të Bukura, Split; Galeria Gagosian, Beverly Hills; Galeria Kombëtare Sllovake; Staatliche Kunsthalle, Baden-Baden; Bienaleja e 28-të Grafike e Lubjanës; nGbK, Berlin; Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë; Bienalja e Cetinje dhe të tjerët. Muja në vitin 2019 përfaqësoi Pavionin e Republikës së Kosovës në Bienalen e 58-të të Venecias me projektin e quajtur “Albumi Familjar”./ KultPlus.com
Artisti Alban Muja nëpërmjet një postimi ka shprehur mendimin e tij për dy shtatoret që u zbuluan dje në Prizren, shkruan KultPlus.
Muja është shprehur se të tilla nuk na duhen dhe se shumica e shtatoreve nga periudha e pas luftës duhet të largohen e zëvendësohen bashkë me narracionet e tyre.
Në të njëjtën kohë, ai ka listuar edhe kriteret të cilat nevojiten të përmbushen para se të ngritet një shtatore.
KultPlus ua sjell të plotë shkrimin e Alban Mujës:
Nuk na duhen shtatoret te tilla, por edhe nese i bejm, ti bejm siç duhet. Shumica e shtatoreve te punuara pas luftes duhet me u largu dhe me u zevendesu, jo vetem shtatoret por edhe narracioni per to.
Keto jane vetem disa nga kriteret per ngritjen e nje shtatore/permendore :
…
1. Per zgjedhjen e nje shtatore/monumenti ne hapsire publike, duhet te kemi konkurs te hapur, transparent.
2. Nje komision apo juri vlersues. Per vendet e vogla si ne, mundesisht nderkombetare.
3. Se paku tre propozime nga ata autore qe njohin punen/anatomine.
4. Nese nuk kemi propozime te mira dhe te pershtateshme, hapet prap konkursi, kete rast nderkombetare patjeter, deri sa te jete se paku nje propozim i mire.
5. Propozimet duhet te jene anonim, pa emer, me nje xx shiher.
6. Propozimet behen me makete, skice dhe koncepte ide.
7. Propozimet duhet ti permbahet kushteve qe parapakisht shtrohen nga punedhenesi (komuna, qeveria, institucioni etj)
8. Pas zgjedhjes jep arsya se pse ka fitu propozimi nr.xx nga juria, komisioni.
9. Juria apo komisioni duhet te perfshij ne vete, artiste vizuel, arkitekte, historian, dizajner i ambientit, antropolog ect.
10. Mos te kete ndikmime poltike ne perzgjedhje, dhe asesi poltikan ne juri apo komision.
11. Duhet te behet studimi i hapsires/sheshit para vendosjes se nje permendorje.
12. Perzgjedhja duhet te jete ne pajtim me familjen e heroit dhe sidomos me banoret ku vendoset shtatorja/permendorja.
…
Jam i sigurt qe mund te kete edhe kushte apo kritere tjera, varsisht nga konkursi, por NUK kemi nevoj me zbulu asgje, vetem me marre shembull si veprohet ne vendet normale, pasi shtatoret apo permendoret ne hapsire publike, jane reflektim i shoqerise dhe i udheheqesve te saj. Mjaft qeshem, duhet intervenim i shpejt. / KultPlus.com
Ndërtimi i Xhamisë Qendrore në Prishtinë ka hapë debat të madh në shoqërinë kosovare, ku disa e kundërshtojnë, e disa e mbështesin ndërtimin e këtij objekti fetar, por ka edhe shumë reagime për përzgjedhjen arkitektonike të këtij objekti, që sipas tyre, nuk do të duhej të aprovohej një projekt i tillë, shkruan KultPlus.
Së fundi ka reaguar edhe artisti i njohur Alban Muja, i cili ka përfaqësuar Kosovën edhe në Bienalen e Venecias.
KultPlus po ju sjell të plotë dhe pa ndërhyrje reagimin e Mujës.
Prishtina e Tirana, dy kryeqytetet tona, se shpejti munden me u ‘krenu’ per dy xhamite me te medha dhe me te shemtuarat ne Europe. Edhe Tirana ka pas mundesi para do vite te kete nje xhami dhe nje qender kulturore Islame moderne, por nuk e beri kete, e njejt po veprojm edhe ne, po e sjellim arkitekturen all Al-Fallujah ne qender te Prishtines. Marre./ KultPlus.com
Pavijoni i Kosovës në Bienalen e 58-të të Venedikut dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) kanë promovuar katalogun e veprës “Family Album” të artistit Alban Muja.
Drejtoresha e Galerisë Kombëtare, njëherësh edhe Komisionere e Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venecies, Arta Agani, deklaroi se gazetat ndërkombëtare e kanë vlerësuar Pavijonin më interesant në Bienalen e 58-të të Venedikut.
Siç tha ajo, është gjë e rëndësishme që Pavijoni i Kosovës të zgjedhet në mesin e përfaqësive ndërkombëtare.
“Ne kemi filluar para një viti që të bëjmë përgatitjet. Ekipi ynë ka kaluar në faza të ndryshme të projektit. Fotografitë që janë të përfaqësuara këtu, janë historike të marra nga fotografët botëror. Shumë revista dhe gazeta ndërkombëtare e kanë përmendur si një ndër pavijonet më interesante. Kjo është e rëndësishme që në një përfaqësi aq të madhe të përzgjidhet pavijoni i Kosovës, me një sukses të madh. Jemi këmbëngulës që Kosova të marr pjesë në hartën ndërkombëtare të skenës bashkëkohore. Ministria e Kulturës, Zyra e Presidentit, Ministria e Integrimeve Evropiane, Ministria e Mjedisit e disa sponsor të tjerë të cilët e kanë përkrahur pavijonin e Kosovës”, tha ajo.
Artisti Alban Muja, tha se e gjitha ka ndodhur për të rikthyer realitetin që ka ndodhur para 20 vjetëve.
Muja tha se projekti ka qenë sfidues.
“Ne kemi filluar punën për të ndërtuar një ekip që me sjell një projekt sa me të mirë e voluminoz. Kemi punuar disa muaj në krijimin e këtij koncepti. Ne kemi marr lejen për tri fotografi botërore, ku gjithçka fillon nga ato që ti përdorim për atë që ka ndodhur 20 vjet më herët. Projekti ka qenë sfidues për të treguar realitetin si dhe të jetë human”.
Koordinatori i projektit, Engjull Berisha, njoftoi se në vitin e ardhshëm i njëjti projekt do të jetë në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
“Ka qenë nder ne qenë pjesë e këtij projekti madhor. Kemi punuar intensivisht. Ka qenë një eksperiencë e paharrueshme. të njëjtën punë kemi me sjell në vitin e ardhshëm në Galerinë Kombëtare të Kosovës”, u shpreh ai.
Editor i katalogut është Vincent Honore dhe Anya Harrison, botues Mousse Publishing. / Ekonomia Online/ KultPlus.com
Është për t’u çuditur përse askush nga mediat, madje nuk është mbajtur asnjë konferencë ose debat në lidhje me mos realizmin komplet të projektit të artistit Alban Muja në Bienale të Venedikut 2019. Aty munguan fotot e qytetarëve të cilëve ju kërkua t’i dërgojnë. Nuk u shpjegua përse asnjë nga fotot e qytetarëve nuk u shfaq, por vetëm videoinstalacion i Alban Mujës, me çrast u kërkuan që fotot të ishin personale dhe të pa shfaqura. Kjo i bie që secili nga artistët mund të manipulojë me Institucionin dhe publikun dhe jo më kot thuhet se masa dirigjohet sikur delet. Kjo u dëshmua me pjesmarrje në Bienale.
U shpenzuan 25 mijë euro për 22 zyrtarët institucionalë që
shkuan për Bienale dhe askush nga ta nuk kërkoi shpjegim për fotot e munguara.
Me 3 prill në faqen e Facebook bëhet një kërkesë publike në
kuadër të konceptit të veprës së Mujës që populli t’i dërgoj fotografitë
familjare të shkrepura gjatë kohës së luftës të viteve 1998-99. Ja postimi
origjinal:
“Bashkëqytetarë të nderuar, artisti i mirënjohur Alban Muja,
sivjet përfaqson Kosovën Bienalen e Venedikut, ngjarjen më të madhe në fushën e
artit bashkëkohor. Projekti i tij multimedial i quajtur “Albumi Familjar”, flet
për të kaluarën tonë gjatë luftës, e cila ndodhi pikërisht 20 vjet më parë.
Ju ftojmë që të bëheni pjesë e projektit duke na dërguar
fotografitë tuaja familjare, të bëra gjatë periudhës së luftës, viteve
1998/1999.
Fotografitë duhet të jenë familjare, jo profesionale, me
pamje të ndryshme të përditshmërisë suaj gjatë kësaj kohe. Ato mund t’i dërgoni
në emailin tonë:
[email protected] ose në faqen në FB: https://www.facebook.com/kosovopavilion58/notifications/ Ju falemnderit!”. Si duket fotografitë munguan dhe nuk u shfaqen, madje në faqen kryesore “Kosovo Pavilion / 58th Venice Biennale 2019 / Alban Muja”, nuk ka asnjë foto të ndonjë individi të dërguar gjatë 1998-99./KlutPlus.com
Artisti Alban Muja, sivjet përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Venedikut, që llogaritet si njëra ndër ngjarjet më të mëdha në fushën e artit bashkëkohor.
“Albumi Familjar” ka emrin projekti ku Muja flet për të
kaluarën e kosovarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë, ngjarje kjo që ndodhi
20 vjet më parë, njofton Klan Kosova.
Për “Albumin Familjar” Muja ftoi katër persona që të flisnin
mbi fotografitë e tyre të bëra dy dekada më parë.
“Një njeri duket përtej kamerës, sytë e tij luten dhe mbushen me lot. Ai e mban portofolin e tij, duke treguar dy fotografi të fëmijëve të vegjël – ku ata janë duke qëndruar duke qeshur. Është një imazh tragjik, marrë në vitin 1999 nga Peter Turnley, një fotoreporter i cili po dokumentonte luftën e Kosovës. Rreth 13,500 njerëz u vranë ose u zhdukën gjatë konfliktit, i cili zgjati nga shkurti 1998 deri në qershor 1999; mendohet të ketë shkaktuar një nga zhvendosjet më të mëdha të popullsisë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Fotot e tilla si kjo treguan vuajtjet personale prapa titujve”, thuhet në shkrimin e The Economist për Alban Mujën.
“Duke shënuar përvjetorin e 20-të të përfundimit të luftës, Alban Muja, një artist kosovar, ka bërë në tre prej këtyre imazheve pikënisjen për në Bienalen e Venedikut. Në tre filma, të titulluar “Albumi Familjar”, ai interviston katër refugjatë fëmijë, tani të rritur, të cilët ishin subjekt i fotografive. I ndezur në një sfond të errët, pjesëmarrësit diskutojnë fluturimin e tyre nga Kosova, momenti kur u fotografua dhe ndikimin që shpërndarja e tij kishte mbi familjet e tyre”, thuhet mes tjerash në shkrim.
“Kemi kërkuar që ta përshkruajnë imazhin, por përmes imazhit ata flasin për atë që përjetoi familja e tyre”, ka thënë Muja./KultPlus.com
Paivilioni i Kosovës i prezantuar nga artisti Alban Muja, në Bienalen e Venedikut në edicionin e sivjetshëm është pritur jashtëzakonisht mirë dhe është vlerësuar lartë duke u rënditur edhe në mesin e dhjetë pavijonëve më të mira.
Mënyra më e mirë për të kuptuar pulsin e artit bashkëkohor mbarëbotërorë mund të jetë duke i vizituar pavijonet kombëtarë të Bienales së Venedikut.
Duke prezantuar “Zëra të shumtë,” siç tha presidenti i Bienales Paolo Baratta në konferencen e së mërkurës, këto hapësira janë fusha pjellore për artistët që të adresojnë gjendjen aktuale të vendeve të tyre dhe të botës në përgjithësi. Dhe në Bienalen e Venedikut të 58-të ketë vitë, së bashku me ekspozitën e Ralph Rugoff, “May you Live in Interesting times” (Të jetoni në kohërat interesante), artistët dërgojnë mesazhe bindëse tek qeveritë e tyre, duke inkurajuar komunitetin dhe duke treguar tregime të freskta që krijojnë empatinë.
Këto janë dhjetë pavijonet më dinamike dhe më magjepsëse në Arsenali dhe Gjardini sipas vlerësimit të publikuar nga Artsy.net.
Australia; Polonia; Shba, Brazili, Gana, Franca, India, Zvicer, Filipine, Kosova./KultPlus.com
20 vite më parë kur Kosova ishte në luftë, fotoreporter të njohur vizituan këtë vend dhe realizuan fotografi që preken gjithë botën.
Një nënë me gjirin jashtë duke ushqyer të bijën (të cilën e kishte menduar të ngrirë dhe e kishte vendosur në shporet për ta ngrohur), një babë i cili tregon fotografin e djalit dhe vajzës së tij (për të cilët nuk dinë se a janë gjallë) dhe një fëmijë duke kaluar mes telave me gjemba, ishin në mesin e fotografive të realizuara 20 vite me parë e që akoma të ngjallin mornicat në trup.
20 vite pas, këta katër personazh të këtyre fotografive kanë rrëfyer për artistin Alban Muja ato çfarë kujtojnë nga kjo periudhë. Rrëfimet e tyre janë bërë pjesë e projektit multimedial “Albumi Familjar” me të cilin Muja po përfaqëson Kosovën në ngjarjen më të madhe të artit pamor, Bienalen e Venedikut.
Për artistin ishte e rëndësishme që të mësonte sesi i kujtojnë këto momente pas 20 viteve këta
fëmijë. Mirëpo projekti “Albumi familjar” shkon përtej të treguarit se çfarë ka
ndodhur në Kosovë pasi që po ashtu vë theksin te ajo se çfarë po ndodh sot dhe
vë në fokus çështjen e refugjatëve edhe në ditët e sotme.
Republika e Kosovës merr pjesë në Bienalen e Venecias me një pavijon kombëtar që nga viti 2013. Prezantimet e mëparshme përbëheshin nga prezantimet solo të punimeve të Petrit Halilaj (2013), Flaka Haliti (2015) dhe Sislej Xhafa (2017). /KultPlus.com
Alban Muja në intervistën e dhënë për revistën Sleek në prag të prezantimit të tij në Bienalen e 58-të të Venedikut, ka treguar për ndikim që ka pasur tek ai lufta e fundit në Kosovë, përcjellë KultPlus.
Muja i cili e ka përjetuar luftën dhe ka qenë refugjat, në mesin
e detajeve që jep për Pavilionin e Kosovës, tregon edhe ndikimin që ka pasur
shkrimtari dhe aktivisti “Jusuf Gërvalla” në të.
“Shkrimtari dhe aktivisti kosovar Jusuf Gërvalla ka lënë përshtypje
të thella tek unë. Ai dikur shkroi nga mërgimi poezi për nënën e tij në
Jugosllavi. Në vitet 1980, ai kishte kërkuar azil politik në Gjermani së bashku
me vëllain e tij për të shpëtuar nga Shërbimi Sekret Jugosllav (UDBA). Gjatë
kohës sa ai ishte jashtë vendit u mundu që të nxiste respektimin e të drejtave
dhe lirive të shqiptarëve, statusi i të cilëve në atë kohë në Jugosllavi nuk
ishte i caktuar”, ka treguar Muja.
Jusuf Gërvalla, kurrë nuk u kthye te nëna. Në vitin 1982, ai u gjet i vrarë në Stuttgart. KultPlus ju sjellë më poshtë të plotë poezinë “Do të kthehem nënë”./ KultPlus.com
Artisti i mirënjohur Alban Muja, sivjet përfaqëson Kosovën në Bienalen e Venedikut, ngjarjen më të madhe në fushën e artit bashkëkohor. Në Pavijonin e Kosovës i cili do të hapet sot duke filluar nga ora 14:00, ai do të paraqitet me projektin e tij multimedial të quajtur “Albumi Familjar”. Në këtë projekt, Muja flet për të kaluarën e kosovarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë, ngjarje kjo që ndodhi 20 vjet më parë, shkruan KultPlus.
Gjithë ideja për këtë projekt sipas Mujës ka filluar në kohën kur ai ishte duke shfletuar albumin e tij familjar dhe kishte gjetur një fotografi të tij së bashku me kryeministrin e Spanjës, në vitin 1999 (Jose Maria) Aznar. Mirëpo sipas tij, përdorimi i kësaj fotografi mund të shihej si një projekt politik pasi që babi i tij ishte një ish i burgosur politik si dhe mund të ishte subjektive. Prandaj projekti mori një drejtim tjetër dhe krijoi lidhshmëri me përjetimet e tij që i kishte si refugjatë.
Projekti i tij multimedial flet për të kaluarën e shqiptarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe si pikë referuese i ka përvojat e refugjatëve. Në këtë projekt do të flitet për tri fotografi të njohura të luftës, duke bërë kështu që të mos diskutohet për luftën direkt mirëpo për anën njerëzore të kësaj periudhe. Videoja e realizuar për këtë projekt sjell kujtimet e katër personazheve.
Sipas Mujës kjo është edhe një ftesë për të mos e harruar të kaluarën e Kosovës si dhe njëkohësisht nxitë diskutimin për gjendjen e refugjatëve nëpër botë./ KultPlus.com
Historia prapa Pavilionit të Kosovës të titulluar “Albumi familjar” ka filluar kur artisti Alban Muja ka shfletuar albumin e tij familjar. Ai 20 vite me parë ka qenë një refugjatë i cili ka jetuar në një kohë krize. Tashmë si përfaqësues i këtij Pavilionit, përmes video-instalacionit ku në qendër janë katër personazhe, ai po rikthehet prapa në atë kohë.
Sipas komisionerës së Pavilionit Arta Aganit, ky rikthim gërshetohet me temën e Ekspozitës së Bienales së Venedikut “Të rroni në kohëra interesante”, si ekuivalent i një mallkimi të lashtë kinez në të cilin i dëshirohet dikujt që të jetoj në kohë interesante që kanë të bëjnë me pasiguri, krizë dhe jostabilitet. E sipas saj, kjo ndërlidhet shumë me kohën në të cilën jetojmë ne sot.
“Artisti Alban Muja është një artist i cili ka një karrierë të gjatë, veprimtaria e të cilit bazohet në hulumtimin e fenomeneve shoqërore të cilat pastaj bëhen diskutim përmes storieve individuale. Shpesh Albani është vet protagonistë i këtyre storieve dhe me këtë është artisti ideal i cili do të na përfaqësojë në Bienale”, u shpreh Agani.
Në Pavilionin e Kosovës, Muja do të paraqesë një video instalacion, përmes të cilit eksploron kujtimet personale dhe kolektive të luftës në Kosovë (1998-1999).
Kuratori i Pavilionit të Kosovs Vincent Honoré, njëkohësisht edhe drejtor i ekspozitave të MOCO, Montpellier CONTEMPORAIN, u shpreh se e rëndësishme për këtë Pavilion do të jenë emocionet që do të ngjallen tek vizitorët. Sipas tij, ndërtimi i Pavilionit do të bëhet në atë mënyrë që njerëzit të cilët do e vizitojnë do të largohen me një ndjenja emocionale dhe estetike.
“Dëshirojë që të ju sigurojë që Pavilioni i Kosovës këtë vit do të jetë në mesin e Pavilioneve më të mira në Venedik. Kemi punuar me Albanin që disa muaj dhe kemi zhvilluar një koncept i cili do të paraqes disa çështje. Do të jetë një lidhje e historisë së përgjithshme për luftën e fundit në Kosovë, me histori personale. Do të jetë një adresim bazuar në histori të vërtetat kundrejt historive artistike, do të jetë po ashtu një prezantim i arkivës personale të artistit dhe historive familjare të tij. Puna ka të bëjë me krizën, mirëpo po ashtu është për historitë personale. Puna është një video-instalacion i cili do të sjellë tre portrete, tri video të cilat do të jenë një eksperiencë emocionale”, u shpreh Vincent Honoré i cili tha se për herë të parë artisti po adreson direkt çështjen e shtetit të tij.
“Është një punë shumë personale dhe shumë e rëndësishme për artistin. Me shumë mundësi do të shënojë edhe një tranzicion për artistin, në mes të asaj që ai ka bërë më herët dhe asaj që ai do të adresojë me vonë”, theksoi ai.
Projekti i Mujës fillon me një përzgjedhje fotografish të marra nga fëmijët refugjatë gjatë luftës, imazhe të cilat janë botuar në gazetat dhe faqet e lajmeve në mbarë botën dhe janë bërë sinonim me luftën, dhe emblemë e kaosit, traumave dhe dhimbjes të cilat i janë komunikuar publikut ndërkombëtar. 20 vjet më vonë, Muja ndjek gjurmët e këtyre individëve, tani të rritur. Sipas artistit Alban Muja është e rëndësishme që këto histori të ndahen me të tjerët në kë rast vizitorë e Bienalës.
“20 vite me parë edhe unë kam qenë njëri nga refugjatët i cili ka pasur një të kaluar si shumica prej njerëzve në Kosovë dhe kemi besuar që ana humane e ngjarjeve që kanë ndodhur në Kosovës gjatë viteve 98-99 duhet me u tregu dhe u nda me një audiencë shumë të madhe siç është ajo në Venedik. Kemi vendosur që në një mënyrë me u tregu ngjarjet para 20 viteve që kanë ndodhë nëKosovë, përmes një projekti multimedial pa dashur me e diskutu anën politike, mirëpo gjithmonë pjesën humane. Ne nuk do të themi që ndoshta nuk ka diçka që mundet me u diskut aty edhe në anën politike, por ana humane është ajo që na ka interesuar neve me e nda me publikun”, u shpreh artisti Alban Muja.
Republika e Kosovës merr pjesë në Bienalen e Venecias me një pavijon kombëtar që nga viti 2013. Prezantimet e mëparshme përbëheshin nga prezantimet solo të punimeve të Petrit Halilaj (2013), Flaka Haliti (2015) dhe Sislej Xhafa (2017). Ministri i Kulturës Kujtim Gashi u shpreh se si ministër që dy vite ka rikthyer pjesëmarrjen e Kosovës në Bienale pasi që e konsideron këtë ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme për promovimin e Kosovës.
“Artistët tanë po e promovojnë
shtetin tonë më së miri nëpër ngjarje kulturore dhe janë pikërisht artistët të
cilët po e bëjnë punën e sektorëve të tjerë, përkatësisht të ministrive dhe të atyre
që janë kompetent për të promovuar shtetin siç janë ambasadat dhe ministria e
jashtme. Jam shumë i lumtur që si ministër e kam përzgjedhur një artist që është
i dëshmuar dhe besoj që kemi bërë një përzgjedhje shumë të mirë”, u shpreh ai.
Hapja e Pavijonit të Kosovës në Ekspozitën e 58-të Ndërkombëtare të Artit – La Bienale di Venezia do të bëhet më 11 maj 2019. Kjo ekspozitë do të përfundojë më 24 nëntor, 2019./ KultPlus.com
Pas propozimit të komisioneres së Pavijonit të Kosovës në Bienalen
e Venedikut, Arta Agani, njëherësh drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Kosovës,
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, pati marrë vendim që
artisti Alban Muja të prezantojë Kosovën në edicionin e 58-të të Ekspozitës
Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venedikut që do të mbahet nga 11 maj deri
më 24 nëntor 2019.
Alban Muja në mëngjesin e sotshëm, ka ndarë me publikun disa fotografi teksa tregon që tashmë kanë filluar përgatitjet për realizimin e veprës që do të përfaqësojë Kosovën në Bienalen e 58-të të Venedikut.
Vepra ka filluar përgatitjet për realizim në Teatrin Kombëtar të
Kosovës.
Artisti Alban Muja, i cili do të prezantojë Kosovën në Bienale, është emër i afirmuar edhe në skenën botërore të artit. Puna e Mujës është ekspozuar gjerësisht në festivale të ndryshme, panaire arti, ekspozita grupore dhe solo./ KultPlus.com
Nuk ka muaj të vitit që Alban Muja nuk është i pranishëm në ndonjë ekspozitë nëpër Evropë, e shpesh edhe jashtë saj. Nëse jo ai fizikisht i pranishëm, puna e tij është e ekspozuar në galeri arti, në muze, në ekspozita kolektive e shpeshherë personale. Artist i njohur nga Kosova por një shpirt artistik që i përket botës, Alban Muja këtë vit është përzgjedhur për përfaqësimin e Kosovës në Bienalen e Venecias, për 2019-tën. Në këtë intervistë të fundvitit, Albani na tregon më shumë për këtë paraqitje të rëndësishme artistike, për karrierën e tij, për artin në Kosovë por edhe për Fakultetin e Arteve – institucionin ku edhe vetë ka ligjëruar për një kohë. Djali që krijoi “Palestinën” dhe “Tibetin”, dhe punët tjera artistike që janë shfaqur në Kosovë e jashtë saj, zbulon më shumë në këtë intervistë për KultPlus.
KultPlus: Po e nisim me atë se çka po bën momentalisht Albani? Ku është arti i Albanit, si dhe inspirimi brenda kokës së Albanit, kah anon? Alban Muja: Ka një kohë që jam në Paris, dhe këto ditë janë të fundit të një projekti që po e bëj këtu. Jam në një institucion që pret shumë artistë të mediumeve të ndryshme nga mbarë bota për residenca dhe çmime të ndryshme artistike. Është ‘Cite International des Arts’, institucioni kryesor për residenca artistësh në Francë dhe ndër institucionet më të mëdha në botë për residenca. Unë jam këtu pas një nominimi nga dy kuratorë francezë nga Muzeu i Artit Modern i qytetit të Parisit, Odile Burluraux dhe Jessica Castex, të cilat vitin e kaluar kishin bërë një udhëtim dhe kanë takuar artistët nga rajoni dhe kishte ardhë kësisoj edhe nominimi i tyre me emrin tim.
Nominimi ishte
siguruar për një listë të gjerë artistësh. Pastaj komiteti i ‘Cite International
des Arts’ më kanë zgjedhur mua dhe disa artistë nga vendet e ndryshme të botës
për këtë residencë e cila në rastin tim është përkrahur edhe nga Ambasada Franceze
në Prishtinë.
Pra nga nominimi e deri tek këto ditët e fundit në Paris është një projekt i tërë francez ku përfshin edhe një projekt timin që është në realizim e sipër në bashkëpunim me artistët tjerë në residencë. Por ajo çka është më e mira, jemi duke diskutuar se si një program i tillë me ju nda më shpesh artistëve nga Kosova, pasi këtu në ‘Cite’ shumica e shteteve por edhe institucionet e artit kanë studiot e veta ku i dërgojnë artistët, gjë që shpresojmë që në një të ardhmë të afërt, ku edhe jemi duke punuar në këtë drejtim, të ndodhë që edhe artistët kosovarë të kenë një studio të veten dhe të kenë mundësi që të kalojnë në Paris disa muaj kohë si formë e studimit dhe hulumtimit të ndonjë projekti që ata propozojnë.
Fotografia: Fadil Berisha
KultPlus: Këtë vit, një ndër sukseset më të mëdha tuat është përzgjedhja të përfaqësosh Kosovën në Bienalen e Venecias? Na trego më shumë çka do të ndodhë, me çka do të paraqitesh atje dhe sa ka rëndësi kjo arritje për karrierën e Albanit? Alban Muja: Padyshim, nominimi im për ta krijuar Pavijonin e Kosovës në Biennalen e 58-të të Venedikut është një privilegj por edhe përgjegjësi e madhe, pasi siç e dimë Bienalja e Venedikut është eventi më i rëndësishëm i artit në botë, ndoshta edhe i kulturës në përgjithësi. Çdo artist e pret këtë rast, pasi është eventi i vetëm kur artisti nuk e prezanton vetëm emrin e tij por edhe shtetin nga vjen. Si i tillë, ky moment e shton edhe më shumë peshën dhe përgjegjësinë që të kemi një prezantim sa më dinjitoz. Mos të harrojmë se shteti ynë është një shtet i ri dhe i vogël, shumë shpesh edhe i kontestuar, dhe kjo më bën edhe më të përgjegjshëm që prezantimi im, përkatësisht i Kosovës të jetë në nivel. Gjithsesi, kur i shtohet këtu edhe fakti që prezantimet paraprake të Kosovës kanë qenë mjaft dinjitoze, shpresojmë edhe ne të vazhdojmë me suksese!
Sa i përket projektit, së bashku me ekipën e Pavijonit jemi ende në proces e sipër. Por ajo çka kemi kujdes, së bashku me Arta Aganin, e cila është komisionere e pavijonit, është të bëjmë një ekipë sa më profesionale dhe në ekipë kemi ftuar si kurator Vincent Honore, një kurator i rëndësishëm në skenën e artit botëror që të kurojë pavijon tonë. Honore me eksperiencën që ka në disa prej institucioneve më të rëndësishme të artit në Europë, si në ‘Palais de Tokyo’ në Paris dhe ‘Tate Modern’ në Londër, së bashku me asistenten e tij Anya Harrison, po ashtu kuratore e angazhuar mjaft, ndër të fundit angazhimi i saj dhe i kuratorit Honore në MoCo (Montepellier Contemporary), do të ndihmojnë që Pavijoni të marrë formën e duhur. Por sikur thashë më parë, ne si shtet i vogël dhe i ri gjithsesi duhet të fokusohemi t’i tregojmë botës së artit të kaluarën tonë duke mos dashur ta ekzagjërojmë por asnjëhërë duke e fshehur të kaluarën dhe rrugën tonë deri tek ky prezantim i yni që vjen pikërisht njëzetë vjet pas çlirimit të Kosovës.
Germans are a bit scared of me / 2013
KultPlus: Meqë po flasim për një paraqitje ndërkombëtare, a është arti kosovar sipas teje një promoter i mirë në diplomacinë kulturore? Alban Muja: Artistët vizuel në Kosovë që nga koha e okupimit kanë qenë mjaft aktivë në skenën e artit bashëkohor botëror dhe besoj me të drejtë mund të quhen promoterë të fortë në diplomacinë kulturore. Gjithsesi edhe artet tjera kanë një ngritje të mirë viteve të fundit dhe besoj që ajo po shihet edhe me prezencën e artistëve kosovarë në eventet më të rëndësishme sot të artit dhe kulturës së botës. Shpesh, nëse flasim për artet vizuele, ndoshta nuk komunikon me masën gjithmonë, por kanë një komunikim me një skenë të rëndësishme që nuk është vetëm e artit. Unë ende besoj që nuk ka promoter më të mirë për një shtet se arti dhe kultura, pa harru edhe sportin, andaj përkrahja duhet të vijë jo gjithmonë vetëm nga fondet publike, por edhe nga ato private pasi besoj që edhe ata duhet të jenë konsumues dhë përkrahës të rregullt të artit.
KultPlus: Sa ka marrë mbështetje Albani nga institucionet shtetërore për Bienalen e Venecias, duke marrë parasysh përmasat e Bienales? Alban Muja: Gjithsesi, pjesëmarrja e Kosovës që nga aplikimi deri te sigurimi i hapësirës që është një punë shumë, shumë e madhe, është shtetërore, pasi siç e përmenda është eventi i vetëm i këtij lloji ku nuk prezantohet vetëm artisti por edhe shteti. Andaj sikur edhe aplikimi dhe konfirmimi për pjesëmarrje por edhe buxheti kryesor vjen nga Ministria e Kulturës. Mund të them që nga nominimi im kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë si me ministrin Kujtim Gashi edhe me Ministrinë në përgjithësi. Kjo nuk do të thotë që nuk mund të kemi përkrahje edhe nga institucionet tjera si ato shtetërore dhe private, e që besoj do të kemi, por barrën kryesore në të gjitha shtetet sikurse edhe te ne e mbanë Ministria e Kulturës, që nga inicimi i pjesëmarrjes së Kosovës, në atë kohë në vitin 2013 nga Memli Krasniqi, që ishte një vendim shumë i mirë dhe i mirëpritur nga artistët në përgjithësi. Nuk ka event më të madh të artit në botë, për të promovuar artin dhe kulturën e një shteti, e kjo neve na duhet më së shumti.
HOTel 2014-2016 Installation
KultPlus: Dihet se Bienalja është edhe garuese. Pretendon Albani ta krijojë një Pavijon që mund të ketë vëmendjen dhe sytë e kritikëve? Alban Muja: Ajo çka po provojmë së bashku me ekipin është që të kemi një prezantim sa më dinjitoz, besoj ajo kërkohet nga ne dhe ky është fokusi ynë kryesor. Ne jemi të vetëdijshëm që të gjitha shtetet, madje ato shtete që kanë buxhet milonësh, dërgojnë artistët apo projektet më të mira që kanë për momentin. Andaj duke qenë të vetëdijshëm për këtë, nuk është që kam menduar shumë në këtë drejtim, pasi është mirë të jemi realist dhe të fokusohemi në atë çka mundemi dhe kemi mundësi t’i sjellim ne botës së artit. Dhe ky është qëllimi ynë i vetëm, pra të sjellim para audiencës së madhe dhe kritikëve një prezantim sa më të mirë, të një projekti që do flasë kryekëput për rrugën tonë si vend dhe si popull deri më tani.
KultPlus: Si artist tash e disa vite aktiv brenda e jashtë Kosovës, ku e sheh sot artin kosovar? Ku janë problemet dhe përparësitë në fushën e artit dhe kulturës në Kosovë? Alban Muja: Besoj që artet vizuele në Kosovë, sidomos artistët i kanë paraprirë zhvillimeve në përgjithësi në Kosovë me prezencën e tyre në skenën e artit botëror, andaj shpesh skena e artit e Kosovës edhe pse e vogël ka pasur një rëndësi të veçantë jo vetëm në rajon por edhe më gjerë, nëse shohim kushtet por edhe problemet në përgjithësi, që nga edukimi por edhe konsumimi i artit në vendin tonë. Edukimi në art në përgjithësi duhet të jetë shtylla kryesore, gjë që nuk ka ndodhë deri më tash mjaftueshëm, edhe pse besoj që ka iniciativa, si ato nga individë tek institucionet publike por edhe te institucionet private të edukimit.
Besoj që në të ardhmen duhet patjetër të fokusohemi te edukimi, pastaj investimi më i madh në burime njerëzore e deri te hapësirat e artit si ato publike por edhe ato private. Patjetër që vendit tonë i duhet në të ardhmen e afërt një Muze Arti, modern dhe bashkëkohor, pasi ka çka të tregohet, por para se një gjë e tillë të ndodhë duhet investime tek të rinjtë, pasi siç e dimë vendit tonë i mungojnë disa hallka të artit, përveç artistëve. Që nga kritikët dhe historianët e artit, besoj që duhet investim në të ardhmen e deri tek galeritë komerciale dhe koleksionistët, gjë që nëpër vendet tjera nuk mungojnë. Ne fatkeqësisht thuajse nuk kemi ose kemi shumë pak kritikë apo historianë të artit, asnjë kurator që ka këtë punë primare, dhe tregu i artit thuajse është inekzistent. Për të gjitha këto, përveç edukimit, ne nuk duhet të presim që çdo herë të inicohet nga fondet publike por edhe me iniciativë private.
My Name Their City / Miloti
KultPlus: Cilët janë artistët e preferuar të Albanit, në fushën e artit pamor? Alban Muja: Shpesh mendoj se kush janë artistët që unë i pëlqej, ka shumë, por më shumë ka vepra, andaj është e vështirë të them emra, pasi jam i sigurtë që do harroj shumë. Por ajo çka shpesh shoh në hapësira ekspozuese janë veprat, pasi jo çdo vepër e ndonjë artisti të preferuar mund të më pëlqejë. Zakonisht më pëlqejnë ato vepra tek të cilat nuk përfundon diskutimi aty brenda hapësirës ekspozuese apo ato vepra që ‘marrin’ me vete çdo gjë për disa sekonda. Arti ka ndryshu, siç ka ndryshu edhe qasja ndaj artistëve andaj vepra nuk duhet të jetë komforte por të ngritë debat për fenomene të ndryshme shoqërore.
KultPlus: Para se të përfundojmë, një pyetje rreth Fakultetit të Arteve në Kosovë, ku keni dhënë mësim… A është ky Fakultet në nivelin e duhur, meqë shpesh është objekt i sulmeve të ndryshme nga qarqet akademike dhe artistike. Alban Muja: Thënë të drejtën ka një kohë që nuk kam folë e nuk kam dashtë të merrem me Fakultetin e Arteve, pasi që nuk ka ndryshuar mendimi im sikur atëherë kur kam punuar për dy vite në këtë institucion, madje ku edhe e pata bashkëinicu dhe e kam shkruar vetë një program të ri që sot çka e di vazhdon të ecë disi.
Mendimi im është dhe sot pak a shumë i njëjtë: Fakultetit të Arteve i cili është institucion publik dhe paguhet me taksat tona, i duhet një reformim total. Atëherë pata thënë që ndoshta duhet me e mbyllë për një kohë deri sa të rishikohen disa gjëra, sidomos programet dhe stafi, tash po provoj me qenë më i butë dhe po them i duhet reformim, me të vetmin qëllim që mos të marrim gjeneratat e reja në qafë. Nuk them që nuk ka pasur iniciativa, por problemi është i thellë pasi shpesh lëndët janë ndërtuar për profesorët dhe jo për studentët dhe të tilla raste janë shumë. E di që ka një udhëheqje të re që një kohë dhe e di që është tentuar për një reformim, por një gjë e tillë nuk e di a ka ndodhur, pasi problemi është i grumbulluar në dy dekadat e fundit, së paku. Duhet të rishikohen programet dhe stafi akademik, nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, besoj që është e vështirë për të ndryshuar pozitivisht. Gjithsesi, besoj në gjeneratat e reja që një ditë do të ngrisin zërin në këtë drejtim.
Fotografia: Matteo Fieni
KultPlus: Dhe për fund, planet e Albanit për vitin e ardhshëm, pos Bienales? Alban Muja: Gjithsesi angazhimi kryesor për momentin dhe deri sa të hapet Bienalja e Venedikut në muajin Maj, është projekti për këtë ekspozitë. Ka disa oferta dhe propozime sikurse edhe disa ekspozita, por të gjitha do shqyrtohen dhe do vlerësohen pas Biennales pasi si natyrë pune e kam pasur çdo herë problem me kry një punë të dytë para të parës, përveç pjesëmarrjes në disa ekspozita me vepra të punuara më herët. Gjithsesi, besoj dhe shpresoj që angazhimet nuk do të ndalen, pasi ka disa projekte të reja që i kam punuar dhe që besoj që duhet ekspozuar apo ndarë me publikun.
Pas propozimit të komisioneres së Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venedikut, Arta Agani, njëherësh drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka marrë vendim që artisti Alban Muja të prezantojë Kosovën në edicionin e 58-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venedikut që do të mbahet në vitin 2019 nga 11 maj deri më 24 nëntor.
Me këtë rast, ministri Gashi tha se prezantimi i Kosovës në këtë ngjarje përmes Alban Mujës, është tejet i rëndësishëm dhe Kosova do të ketë një prezantim të suksesshëm në këtë edicion të vitit të ardhshëm.
Ministri po ashtu tha se e vlerëson pjesëmarrjen e Alban Mujës në ekspozita dhe festivale të ndryshme jashtë vendit.
“Artisti Alban Muja, i cili do të prezantojë Kosovën në Bienale, është emër i afirmuar edhe në skenën botërore të artit. Puna e Mujës është ekspozuar gjerësisht në festivale të ndryshme, panaire arti, ekspozita grupore dhe solo”, tha ministri mes tjerash Gashi. / KultPlus.com