Poezi nga Alban Tartari
Omar Kajami s’i hodhi kupës verë,
Ndërsa rinia rendte
me karvanët në një natë Semerkande,
s’e kish parë pleqërinë tek priste në derë,
Ndaj…
Poeti shkruante e qante…
Poetit i bënte shoqëri nata,
kur mes baltës së jetës e kishin lënë
të gjithë,
Me poezi të penduara pastrohej nga balta,
Dhe tashmë vargjet e digjnin si hithër.
Mendonte poeti plak me sytë në qiell,
Dhe pastronte vargjet prej mëkatesh,
Poeti qe dikur shndrinte si diell…
tashmë mëkatar shkruante e qante.
Dhe këndonin me radhë gjelat udhëve,
Dhe nata miratonte në heshtje vargjet,
diku të dashuruarit poezitë e tij derdhnin buzëve,
kujtonin se zemrën i’ua plagosi Erosi,
me shigjetat që lëshonte nga harqet.
Kajami poet, më s’i derdhi kupës verë,
Kur i vetëm mbyllte sytë në një natë Semerkande,
Për të nuk trokiti kush në derë,
e kurrkush s’u kujtua ta qante.
Ndërsa vargjet e tij merrnin dhenë,
dhe bota buzë më buzë magjinë shpërndante.
Poeti, iku… kur bota pinte verë,
Në një natë të dehur Semerkande. / KultPlus.com