Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja zhvilloi një takim me përfaqësues të organizatës “Trashëgimia Kulturore pa kufij” (Cultural Heritage Without Borders – Albania).
Në qendër të takimit ishte ecuria e projekteve me këtë organizatë, të cilën Gonxhja e falënderoi për punën e shkëlqyer me në fokus rijetësimin e trashëgimisë kulturore për zhvillimin socio-ekonomik të zonave ku ato ndodhen.
“Diskutuam për restaurimin e monumenteve të dëmtuara, disa që nga tërmetet, si dhe për projekte konkrete siç është kthimi i ish-burgut famëkeq të Spaçit në një muze kujtese, ndërhyrjet në Kalanë e Krujës, ndihmë, konservime e shpëtime të tjera anembanë vendit dhe mundësi bashkëpunimi”, shkruan Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.
Gonxhja tha se “theksuam rëndësinë e shpejtimit të praktikave dhe koordinimit më të mirë mes ekipeve tona respektive”.
“Trashëgimia Kulturore pa kufij” ka zbatuar disa restaurime në monumente të ndryshme të trashëgimisë kulturore, në Shqipëri./atsh/KultPlus.com
Berati, qyteti i një mbi një dritareve, po mirëpret një numër gjithnjë e më të lartë turistësh, në të gjitha stinët e vitit, ndërsa qeveria po investon në disa vepra infrastrukturore në këtë zonë.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot foto të një prej urave më të bukura të periudhës së perandorisë osmane në Shqipëri, e ndërtuar në shek. XVIII, asaj të Goricës që lidh qytetin me lagjen e të njëjtit emër.
Ajo harkohet në mes me një elegancë të theksuar, me këmbët e saj të cilat zbresin nga 10 metra lartësi mbi dy anët e shtratit të lumit Osum. Shtatë harqe, parmakë prej druri, e “dritare” të vogla, të cilat shpeshherë duken si fytyra njerëzish, i japin kësaj ure një pamje të rrallë.
Berati, tashmë qytet i UNESCO-s, të ofron ndër të tjera plot shtëpi të epokës otomane, struktura mbresëlënëse të kështjellës dhe kishave mistike dhe xhamive, të vendosura në krah të kodrave dhe maleve që kanë në mes lumin Osum.,
Kalaja e Beratit është një nga atraksionet më piktoreske në zonë. Kjo kështjellë e epokës romake ulet sipër një kodre shkëmbore në bregun e majtë të lumit Osum me pamje nga qyteti i Beratit.
Numri i vizitorëve ka ardhur gjithnjë e në rritje dhe ky sezon veror ka pritshmëri të lartë jo vetëm në Berat por edhe në destinacionet e tjera turistike të vendit./atsh/KultPlus.com
Si sot, më 25 mars 1897, u botua në Bruksel numri i parë i revistës “Albania”.
Kjo revistë ishte e përmuajshme politike, kulturore e letrare, që u themelua nga “enciklopedia shëtitëse”, Faik Konica.
Faqet e saj farkëtuan mendimin shqiptar në fushën e historisë, të letërsisë, të gjuhësisë, të folklorit etj. Në këtë tribunë mendimi, panë dritën e botimit shkrimet e elitës së Rilindjes Kombëtare, sikurse ishin: Filip Shiroka, Luigj Gurakuqi, Andon Zako Çajupi, Hilë Mosi, Fan Noli etj.
“Albania” synonte që të arrinte zgjimin e ndjenjës kombëtare, emancipimin shoqëror dhe pavarësinë e Shqipërisë.
Gjuhët e botimit të saj ishin shqipja, frëngjishtja dhe turqishtja. Revista u publikua deri në vitin 1909.
Revista “Albania” u shnëdrrua në një tribunë të mendimit shqiptar, ku publikoi dhe lëvroi pjesa më elitare e Rilindjes Kombëtare./atsh/KultPlus.com
Shqipëria këtë vit në “Eurovisioni” do të përfaqësohet nga këngëtarja, Ronela Hajati me këngën “Sekret”.
Kënga përfaqësuese e Shqipërisë së fundmi ka arritur një sukses tjetër në mesin e këngëve të “Eurovisionit”.
“Sekret” është renditur e 7-ta në mesin 20-të videove më të shikuara gjatë muajit prill.
Eurovision nis më 10 maj dhe është pikërisht këngëtarja shqiptare, Ronela Hajati e cila do të bëjë hapjen e kësaj gare me këngën “Sekret”. / KultPlus.com
Mediat e huaja, në Sllovaki bëjnë me dije se një banor i zonës në fshatin Hubinë, teksa ishte duke mbledhur kërpudha, gjeti nën tokë disa kupa të veçanta, me përmbajtje të lartë bakri. Ndërkohë arkeologët kanë thënë se kupat janë të lara me flori të kuq, transmeton KultPlus.
Gjetjet iu dorëzuan Zyrës Rajonale të Monumenteve të Trnavës, ndërsa specialistët kërkuan me detektorë metalikë te i njëjti vend, por nuk gjetën sende të tjera.
Sipërfaqja e të dy kupave është e mbushur dendur me unaza të vogla të farkëtuara, duke krijuar një efekt vezullues.
Ajo që e bën të veçantë, por edhe të mistershme këtë gjetje, është origjina e tyre. Arkeologët thonë se nga inspektimi i imtësishëm, në brendësi të njërës prek kupave është shquar mbishkrimi “Albania”, inicialet dhe një numër.
Sipas tyre, këto enë janë përdorur në liturgjinë kishtare, ndërsa origjina e tyre ballkanike konfirmohet edhe nga punimi karakteristik dhe motivet në këto kupa. Por si kanë përfunduar këto enë kishtare nga Shqipëria në pyllin e fshatit Hubina, në Sllovakinë e largët? Ka gjasa se këto enë, si dhe shumë thesare të tjera të çmuara, të kenë rënë në duart e gabuara, të trafikantëve.
Arkeologët sllovakë besojnë se do të arrijnë të zbulojnë edhe më tepër rreth origjinës së objekteve, ndërsa në të njëjtën kohë i bëjnë thirrje banorëve të zonës, që nëse kanë gjetur objekte të ngjashme, t’i dorëzojnë. /noa/ KultPlus.com
Shkrimtarja japoneze Mizuho Ota e njohur për udhëtimet e saj nëpër botë dhe kulturat e ndryshme, vijon serinë e saj të shkrimeve për Shqipërinë në faqen japoneze te internetit asahi.com.
Pas Sarandës, Mizuho ka shkruar për traditën shqiptare dhe ushqimin shqiptar.
Mizuho shprehet se i ka shijuar shumë qoftet dhe birrat në shesh, ushqim që në Japoni nuk e kishte provuar kurrë.
“Në Shqipëri, të cilën e kam vizituar dy herë deri më tani, më vjen ende keq që u ktheva në Japoni pa realizuar setin e shumëpritur të tre pjesëve të “Qofte dhe birrë në tarracë”. Sa herë që shkoja në treg në Tiranë, shikoja një grup njerëzish që hidhnin mish të pjekur në skarë dhe pinin birrë në orët e para të pasdites. Sidomos nëse një fllad i këndshëm dhe me diell kalonte midis çadrave dhe erën e këndshme të mishit të pjekur në skarë”, shkruan Ota, e cila këtë pjesë e quan “Shesh, qofte, birra” dhe që dëshiron shumë ta provojë në Shqipëri kur të vijë herës tjetër.
Pasi përshkruan me një gjuhë të thjeshtë shijimin e kësaj menyje në Tiranë, Mizuho vendos të bëjë qofte vetë në Japoni.
“Kur u njoha me ambasadorin Teneqexhiu për një punë në fund të vitit të shkuar dhe bisedova për udhëtimin tim në Shqipëri ai më tha: Nëse keni ndonjë pyetje, ju lutem më pyesni në çdo kohë”.
Megjithëse kërkesa ime ishte e papritur, ai u tregua i gatshëm të më mësonte recetën e gruas së tij Elona në Tiranë”, shkruan ajo./atsh/ KultPlus.com
Një parajsë në brigjet e rivierës shqiptare. Kështu e cilësojnë mediet e huaja Ksamilin, që ndodhet 12 km larg Sarandës dhe që pret çdo vit në ishujt e tij, mijëra turistë vendas e të huaj.
Ksamili me plazhet e tij po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e medieve dhe portaleve të huaja, të cilat e rendisin ndër destinacionet që duhen vizituar çdo verë.
Shumë prej tyre i kanë konsideruar plazhet e Ksamilit si më të bukurit në Europë.
Tërheqja kryesore e Ksamilit është e përfaqësuar nga plazhet e tij të kristalta për mijëra turistë që duan të gëzojnë detin e bukur, një tipar pothuajse i të gjitha plazheve në Vendin e Shqiponjave, ku rëra është e mirë dhe e pastër, ndërsa deti ofron një pamje të plotë të jetës marine me qartësinë e tij.
Rëra e bardhë, deti kristal tërheq çdo vit turistët vendas e të huaj, për të kaluar pushimet verore.
I mbipopulluar kryesisht në muajt korrik, gusht, Ksamili ofron një pamjeje mbresëlënëse me ishujt e vegjël shkëmborë me një bimësi të egër të dendur.
Në një lartësi nga 7.5 deri në 15 metra mbi nivelin e detit këta ishuj janë vendosur pranë njeri-tjetrit të mbuluar me një vegjetacion tipik mesdhetar mjaft të zhvilluar.
Këta ishujt e bëjnë Ksamilin aq të veçantë e të dëshirueshëm nga turistët e sidomos nga të rinjtë. Me varka të ndryshme që ndodhen në Ksamil ju mund të vizitoni ishujt që preferoni për të bërë një shëtitje dhe për tu larë në detin e kristaltë.
Agjencia Telegrafike Shqiptare sjell një fotogaleri me pamje nga Ksamili në këto ditë pranvere, ku temperaturat kanë filluar të rriten dhe bën që qytetarët të presin me padurim nisjen e sezonit turistik, që këtë vit do të jetë me masa të larta sigurie për shkak të pandemisë COVID-19 që ka prekur vendin tonë dhe pothuajse shumicën e vendeve në botë.
Turizmi në plazhet e Ksamilit po rritet çdo vit. Fshati është i mbushur me restorante që shërbejnë kuzhinë shqiptare, ku vendin kryesor e zënë pjatat me produkte të zonës si prodhimet e detit, por edhe ato të tokës.
Në Ksamil ka shumë njësi akomoduese, hotele apo edhe apartamente me qira, që dikur mbusheshin nga shqiptarët, ndërsa vitet e fundit gjithnjë e më shumë nga të huajt nga vende të ndryshme.
Tërheqja kryesore e Ksamilit është e përfaqësuar nga plazhet e tij të kristalta për mijëra turistë që duan të gëzojnë detin e bukur, një tipar pothuajse i të gjitha plazheve në Shqipëri, ku rëra është e mirë dhe e pastër, ndërsa deti ofron një pamje të plotë të jetës marine me qartësinë e tij./ATSH / KultPlus.com
Gjirokastra është qyteti i traditës, shijes dhe historisë. Gjirokastra nuk është vetëm e shqiptarëve dhe e gjirokastritëve, por një pasuri botërore që duhet shijuar në radhë të parë nga shqiptarët.
Kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare ka bërë me dije se paketat turistike këtë sezon turistik do të përfshijnë hyrjen në muze pa pagesë për ata që zgjedhin Gjirokastrën për të kaluar pushimet apo një fundjavë.
“Flasim për një qytet që si pasuri botërore që shtyllën kryesore të zhvillimit ekonomik ka turizmin. Në këtë sezon prisnim pikun, në maj qershor është piku në Gjirokastër dhe mbi 80% e turistëve që vijnë dhe qëndrojnë në Gjirokastër janë të huaj. Është gjithë lugina e Drinos një pasuri më vete, ku veç se shijohet historia, trashëgimi, kulturë, çdo shtëpi në Gjirokastër është një muze më vete, kalaja, qyteti antik i Antigonesë, ka kala dhe në zonat përreth Gjirokastrës. E gjithë lugina e Drinos është një mundësi për të kaluar më shumë se një fundjavë”, shprehet Golemi.
“Deri në këto moment ka qenë e aksesueshme dhe tërheqëse për të huajt. I bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, pasi ka shumë që nuk e kanë shijuar Gjirokastrën dhe më vjen mirë që këto ditë, pasi jam takuar me miq e shokë, shoh dhe vetë hotelet që rezervohen dhe këto rezervime janë për dy apo tre vite, pra deri në vitin 2022-2023. Gjatë periudhës së punimeve te pazari kemi pasur një shfrytëzim deri 70% të kapacitetit të strukturave akomoduese. Këtë vit kishim parashikuar mbi 90% shfrytëzim dhe prandaj unë bëj thirrje të gjithë shqiptarëve ta shijojnë Gjirokastrën, ku do gjejnë historinë, kulturën, aventurën, kalërimin, hicking dhe patjetër kulinarinë. Gjirokastra është një surprizë e paprovuar për shqiptarët, jo vetëm të Shqipërisë, por dhe të Kosovës. Prandaj duhet të shijojmë vendin tonë dhe të zbulojmë vendin tone”, shprehet Golemi.
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë operatorët, strukturat akomoduese dhe zemra e turizmit është pjesa e pazarit. Po flasim për një zonë shumë të ngushtë, më shumë se 500 shtretër, të kufizuar vetëm në një zonë. E gjithë pjesa tjetër, në periferi bujtinat e shumta që janë shtuar vitet e fundit e plotësojnë këtë mozaik, me gjithë strukturat akomoduese kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm. Si Këshill Bashkiak, si Bashki, kemi paraqitur para një muaji lehtësirat fiskale për dy muajt e pandemisë, mars e prill për tarifat vendore i kemi 0 për të gjitha bizneset e mbyllura dhe ato që mund të kenë qenë hapur, por për shkak të situatës nuk kanë pasur dot klientë. Ne si bashki me një kosto i kemi 0 tarifat vendore”, deklaroi GolemI.
“Ndërkohë thash dhe për specifikën që ne kemi, do t’i paraqes pas një jave Këshillit Bashkiak, të gjithë operatorëve, strukturave akomoduese, të gjithë sistemit muzeal për të gjitha paketat që janë bërë gati për t’ju ofruar të gjithë shqiptarëve të zerohen. Pra hyrja dhe vizitat në muzeumet në bashkinë e Gjirokastrës do jetë e zeruar. Kjo do vihet në shërbim për strukturat akomoduese. Të ardhurat që presim për muzeumet, ua kemi vënë në dispozicion operatorëve turistikë dhe strukturave akomoduese. Jemi në koordinim me ta, kemi nxjerr paketat e para dhe do vijojmë të jemi konkurrues me të gjithë këtë treg që do të ofrohet. Kjo është një mundësi për shumë shqiptarë që nuk kanë arritur të shijojnë Gjirokastrën, që mund të kenë qëndruar disa orë, por duhet të qëndrojnë më shumë se kaq. I presim të vijnë dhe të shijojnë Gjirokastrën”, theksoi Golemi.
“Gjirokastra ngelet nga qarqet më të sigurta. Ka qenë në fakt nga ato qytetet që edhe në vitin e mbrapsht të ’97-ës qytetarët gjirokastritë paguanin dritat dhe ujin”, tha ai.
Goli foli edhe për takimin me ambasadorin italian, ku tha se “më erdhi shumë mirë për dashurinë me të cilën ai foli për Gjirokastrën pasi shumë e njohin si qytetin e Kadaresë, një nga arsyet që shumë dëshirojnë të shohin dhe vizitojnë vendin ku ka lindur ky shkrimtar i madh. Ai u mrekullua dhe fjala e tij ishte se kjo vizita ishte një aparitiv, pasi unë do jem një nga ata persona që do ta kem Gjirokastrën në fokus dhe do jem edhe Ambassador i Gjirokastrës”,- përfundoi kryebashkiaku i Gjirokastrës. /atsh / KultPlus.com
“Brenda majit Shqipëria do të jetë e hapur tërësisht, kufijtë e Shqipërisë do të jenë hapur dhe ne do të përgatitemi për sezonin turisitik”.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Kuvend, duke theksuar se “ natyrisht jo duke i kërkuar atyre që bëjnë zgjedhjen e gabuar duke i kthyer shpinën të madhit Shekspir. Ndërkohë që i kanë sytë ngulur tek teatri, por duke përgatitur neve në rast se do të vijë një valë tjetër që do të jetë e rëndë po ua them sot ajo që kaluam edhe për ne, edhe sikur të përsërisim të njëjtat gjëra, sidoqoftë ta përballojmë përsëri me atë dinjitet e seriozitet që e përballuam duke e vendosur Shqipërinë në atë grup shumë të vogël vendesh që sot shihen me admirim për rezultatin e arritur”.
“Jam shumë krenar që shumë kolegë të mi, jo me larg se mbrëmë Presidenti i Turqisë, më kanë shprehur këtë admirim për ç’ka ka bërë shteti shqiptar dhe për çfarë rezultatesh janë krahas Shqipërisë në tabelën e përgjithshme”, – tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “kur po të shihja (deputetit Myzlim Murrizi) që po flisni për popullin, i prekur siç jam, prekur nga kjo dashuri e beftë për Teatrit, që ka shpërthyer në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë papritur fytyra jote mu zëvendësua me fytyrën e Sandër Prosit që thoshte në një rol të tij: “Eh sa gjera thuhen në emrin tend o popull”.
Rama tha se “meqë kështu erdhi kjo punë dhe Shqipëria papritur u kthye në arene ku përplasen bijtë e Shekspirit me një regjim të imagjinar në filxhanin e Ledi Makbeth, e duke qenë se ndërkohë jemi edhe në një kohë kur përballemi me sëmundje ngjitëse, po ju kujtoj fjalët e Shekspirit juve këtu dhe të gjithë atyre që kanë zgjedhur të përfshihen jo për një plan politik, po për një lëndim shpirtëror. “Budallallëku dhe mençuria ngjiten kollaj, njësoj si sëmundjet infektive, prandaj zgjidhni me kujdes ata që dëgjoni”, thotë Shekspiri”.
Kryeministri Edi Rama tha se “ meqënëse Teatrin e politikës sot e ka pushtuar politika për teatrin më lejoni të ju them se ky është një lajme i mirë në këtë moment kur nëse nuk do të kishim bërë të gjitha gjerat e duhura mund të mos ishim këtu ose mund të mos u takoheshim fare këtu, por mund të përjetonim një halla të madhe duke numëruar humbjet e jetës, plagët e rënda dhe kolapsin e sistemit tonë shëndetësor në kushtet e një përballje që shumë shtet shumë më të fuqishme, shumë më të ditura, shumë më të zhvilluara se ne e humbën”.
Rama tha më tej se “jeta më ka çuar dikur pa dashjen time pranë njeriut të zemrës në një spital amerikanë në Masacusten dhe kur kam hyrë në atë spital dhe kam parë se çfarë ndodhte, kam menduar se kjo këtu është dora e Zotit, se s’ka mundësi. Dhe para syve të mi kam parë atë qenie për të cilën do jepja jetën time të kthehej nga koma. Dhe sot në atë vend ku gjendet ai spitale, numërohen deri më tani 6 mijë të vdekur, me vetëm dyfishin e popullsisë së Shqipërisë. Por, si çdo sukses edhe ky sukses ka koston e vet dhe kostoja e këtij suksesi është pikërisht rritja e përditshme e numrit të atyre që thonë ishte lojë, që përqeshin, që tallën dhe të atyre që te gjithë te ajo që bëmë shohin fytyrën e vërtetë të diktaturës dhe diktatorit që mbylli shqiptarët sepse i do brenda, që krijoi një zinxhirë autorizimesh dhe lejesh dhe që i detyroi me pahir të hynin në botën digjitale dhe të vuanin padrejtësish internimin në kolltuqet e tyre para ekraneve të televizorit, të vuanin sakrificat e madha të një lufte të përgjakshme në krevat duke fjetur pa nevojën për të shkuar në punë e kështu em radhe. Kjo është kostoja e këtij suksesi. Përderisa ne ia dolëm natyrisht që shumëkush duke bërë zgjedhjen e gabuar dhe duke mos dëgjuar këshillën e Shekspirit që të zgjedh ata që dëgjon, të bjerë pre e zinxhirit të infektimit të budallallëkut që kalonë gojë më vesh dhe vesh me gojë”./ atsh / KultPlus.com
Thesarin e Rivierës Shqiptare e ka konsideruar Ksamilin faqja e specializuar amerikane për turizmin thrillist.com.
”Ndoshta ju nuk e keni vënë Shqipërinë në krye të listës për pushimet e këtij viti sepse nuk keni parë Ksamilin”, shkruan ajo.
Plazhi i Ksamilit
”A është Shqipëria në krye të listës për pushimet verore? Ndoshta jo, por kjo vjen sepse ju nuk keni parë plazhin e Ksamilit”, shkruan thrillist.
”Ksamili është thesari i Rivierës Shqiptare, me rërë të bardhë, ujë të kaltër dhe tre ishuj. Mos harroni pajisjet për zhytje në ujë”, porosit faqja e specializuar amerikane për turizmin thrillist.com.
”Këtë muaj, shumë vende europiane filluan të lehtësojnë masat e izolimit dhe njoftuan se do të rihapen për turistët. Megjithatë, ndalimi i Europës për udhëtimet e huaja është zgjatur deri më 15 qershor dhe pjesa më e madhe e SHBA-së është pjesërisht ose plotësisht e mbyllur. Në normalitetin tonë të ri, është e vështirë të imagjinohet të bëjmë fotografi përgjatë lumit Sena ose të pimë xhin dhe tonik në Barcelonë”, shkruan thrillist.
”Për këtë arsye, po ju sjellim më të mirën e Europës. Gjithsej ekzistojnë 48 shtete në të gjithë këtë kontinent super të larmishëm, nga Islanda në veri deri në Qipro në jug dhe madje edhe deri në malet Urale në Rusi. Këtu janë vendet më të bukura. Ato duhet t’i shtoni në listën e vendeve për t’u vizituar”, shton ajo./ atsh/ KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare, Arilena Ara, në dhjetor të vitit të kaluar ishte zgjedhur të përfaqësonte Shqipërinë në festivalin evropian, Eurovision.
Sot faqja zyrtare e Eurovisionit, ka lëshuar një gafë pasi e ka prezantuar këngëtaren shqiptare si armene, raporton Zeri.Info
Duke shkruar për biografinë e këngëtares shkodrane, Eurovision.tv, shkruan se ‘Këngëtarja armene ka marrë pjesë në shumë paraqitje live viteve të fundit”. E kjo nuk ka ikur nga fansat shqiptarë të festivalit të cilët e kanë publikuar edhe këtë gafë në rrjetet sociale.
Ky lëshim është përmirësuar pas disa orësh dhe tani në faqen e Eurovisionit fjala “Armenian” është zëvendësuar me “Albanian”.
Kujtojmë, se këtë vit për shkak të pandemisë është anuluar edhe festivali evropian ku e kishin konfirmuar pjesëmarrjen 41 shtete./KultPlus.com
Nënkryetari i Durrësit, Florian Tahiri tha se për shkak të COVID-19, nuk do të ketë një sezon turistik si gjithmonë dhe numri i turistëve nuk do të jetë si më parë.
Tahiri tha se bizneset kanë nisur përgatitjet dhe kanë shpresë që qytetarët e Kosovës do të shkojnë dhe t’i kryejnë pushimet në Durrës.
Tahiri tha se do të ketë disa masa pa i përket distancimit por plani turistik akoma nuk ka përfunduar.
“Plani është në përfundim dhe do të ketë informacion të mjaftueshëm se si do të bëhet plazhi në këtë vit”, tha ai në RTV Dukagjini. / KultPlus.com
Ministri i Turizmit, Blendi Klosi deklaroi sot në një intervistë në media se vendi ynë në krahasim me Kroacinë, Greqinë dhe Turqinë favorizohet nga strukturat e vogla hoteliere të cilat menaxhohen më lehtë.
Sipas tij, parashikohet që fluturimet e para charter me turistë të huaj të mbërrijnë në fund të këtij muaji, ndërkohë që do të synohet që kufiri tokësor të hapet përpara kësaj date për të pasur më shpejt turistë nga vendet e rajonit.
“Nuk do të kemi shifrat e vitit 2019, por do të kemi turistë të huaj këtë sezon. Bashkë me ministrin Ahmetaj që menaxhojmë situatën e krizës së pandemisë, do t’i propozojmë qeverisë hapjen e kufijve tanë tokësorë për të pasur mundësinë e lëvizjes së turistëve nga vendet fqinjë dhe do të synojmë që në fund të muajit maj të kemi çarterat e parë me turistë të huaj. Janë disa vende me të cilat ne kemi komunikim të shpeshtë si Çekia, Polonia, vendet Skandinave, Ukraina, Bjellorusia, që janë të gatshme të dërgojnë çartera nëse ne si struktura shtetërore e hoteliere i garantojmë standarde të higjienës.
“Po synojmë hapjen e parë në rajon”, deklaroi ministri i Turizmit.
Klosi tha se do të synohet së pari një turizëm rajonal për të shpëtuar sektorin nga kriza. Jemi qeveria e parë në rajon, nënvizoi ministri Klosi që kemi ofruar një paketë mbështetëse për industrinë e turizmit. Lidhur me ligjin që do të përcaktojë rregullat për funksionimin e plazheve, ai tha se pritet të jetë gati brenda kësaj jave.
Ministri Klosi vuri në dukje se protokolli i paraqitur për rregullat e pushimeve është pranuar nga 95% e operatorëve turistikë, ndërsa shtoi se ka disa elementë që pritet të ndryshohen.
Beautiful turquoise spring Blue Eye (Syri i Kalter) near a town of Muzine, Albania. The spring is very powerful, cold and deep and is a source of a river Bistrice
“Është një proces që ministria e ndjek shpesh, pra materiali është shpërndarë për mendim. E gjithë ideja e këtij manuali, është që turizmin ta kemi jo vetëm një mjet kënaqësie, por ta kemi edhe industri. Është një industri që mban me mijëra njerëz në punë, që mban rrjete të tjera industrish me punë dhe kemi mundësitë, falë investimeve që janë kryer në këtë industri, që të dalim të parët në treg”, u shpreh Klosi.
Ai theksoi se ky draft dhe ky protokoll masash është hartuar për kushtet në të cilat jemi, por nëse situata do të ndryshojë, Klosi tha se masat do të lehtësohen. /atsh / KultPlus.com
Do t’ju tregojmë sot për një nga kryeqytetet më ekzotike dhe tërheqëse europiane, shkruan Cristina Fernandez Gonzalez e revistës së njohur spanjolle të udhëtimeve, traveler.es.
”Tirana është rishfaqur fuqishëm pas dekadave vuajtje nga diktatura paranojake e Enver Hoxhës. Ajo që e la Shqipërinë plotësisht të izoluar nga bota dhe që, në një farë mënyre, i jep asaj këtë rol misterioz, atë të thesarit për ta zbuluar, që sot na pëshpërit në vesh këngë sirenash.
Tirana ka diçka që të fut në kurth. Kjo ju befason dhe ju fton ta ”zhvishni” atë dalëngadalë deri sa të zbuloni se cili është thelbi i saj i vërtetë. Dhe ne jemi të gatshëm ta ”zhveshim”. Për 48 orë, jo më pak.
Dita e parë
Ora 09:30. Pas një mëngjesi të bollshëm, i denjë për kampionë, për ditën turistike që na pret, vendosëm itinerarin apo pikënisjen e çdo rruge nëpër qytet: Sheshin ”Skënderbej” dhe 40 000 metra katroret e tij që na presin.
Nga kjo hapësirë e jashtëzakonshme, nderohet heroi kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili u vu në krye të luftës kundër osmanëve në shekullin XV. Statuja e tij ekuestriane dominon mbi gjithçka. Por, ky shesh është gjithashtu vendi i përsosur për të ndjerë pulsin e qytetit.
Por, gjithashtu, është vendi i përsosur për të matur pulsin e qytetit: i përshtatur për këmbësorë që nga viti 2017, nëse ndalojmë të shikojmë lëvizjen e jetës, do të shohim zotërinj të moshuar që shëtisin në kohën e lirë, të rinj me biçikletë rrugës për në vendet e tyre të punës dhe turistë të rastit duke masakruar me klikime aparatesh fotografike muralen e madhe që kurorëzon Muzeun Historik Kombëtar. Titulli i tij? Shqiptarët.
Ora 10:00. Sapo muzeu hap dyert e tij, ne jemi atje për të zbuluar dhe për të mësuar historinë e Shqipërisë. Vizita e plotë atje mund të zgjasë një jetë dhe prapë se prapë diçka do të na mungojë.
Ne bëjmë një udhëtim të shkurtër kohor që na çon nga Parahistoria në të kaluarën e tij ilire; nga pushtimi osman deri në Luftën e Dytë Botërore; nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë te, natyrisht, vitet e diktaturës së errët. Një orë e gjysmë ku pamë xhevahire si koka e Apolonit nga shekulli IV para Krishtit dhe deri te mozaiku i parë i zbuluar në Shqipëri: Bukuroshja e Durrësit.
Ora 11:30 Përsëri në shesh po hedhim një vështrim nga Banka Kombëtare, Hotel Tirana Internacional dhe Pallatin e Kulturës, me Operën në krye: ndërtesat e thjeshta, por monumentale në një stil racionalist vazhdojnë të flasin për kohët e shkuara dhe kontrastin me ato modernet, rrokaqiejt që ngrihen atje, në distancë, në sfond. Përpara nesh, Xhamia historike e Et’hem Beut nga shekulli XVIII, një nga ndërtesat më të vjetra në Tiranë. Të dy afresket e saj të jashtme dhe pikturat e brendshme janë një kënaqësi absolute.
Por, ne mund të gjejmë pamjen panoramike të sheshit edhe nga maja e Kullës së Sahatit, një tjetër nga reliket arkitektonike të qytetit, megjithëse kjo vështirë se përfshin ngjitjen në shkallët e pjerrëta dhe të ngushta në 35 metra lartësi.
Ora 12:00 Rrethinat e sheshit ”Skënderbej” vazhdojnë të na mbushin me histori të vjetra: ne hasim nëpër ato rrugë që ishin dhe akoma janë, Toptanasit, një nga familjet fisnike më të rëndësishme dhe më të pasura në Shqipëri, dhe ndërtesat e tyre të bukura.
Deri tani kemi kuptuar se Tirana është një qytet që më shumë ndihet sesa duket. Një qytet që na kërkon fort që ne ta ”gërvishtim” thellë nga brenda. Dhe për ta bërë këtë, asgjë nuk vlen më shumë sesa të vizitosh një nga mijëra bunkerët që Hoxha urdhëroi të ndërtonte në të gjithë vendin, e gjithë kjo nga frika e tij e jashtëzakonshme nga një sulm bërthamor nga armiqtë e tij.
Tirana ka dy që janë thelbësore. Për të vizituar Bunk´Art 1 do të jetë e nevojshme të kaloni disa orë, pasi ai ndodhet në periferi të qendrës historike: një kompleks i tërë, që përfshin zyra dhe dhoma gjumi për zyrtarët qeveritarë, apartamente për liderët politikë, madje edhe një kantinë, gjithsej 106 dhoma. Për afërsi dhe prakticitet, vendosim për Bunk´Art 2, ngjitur me sheshin ”Skënderbej”, që lidhej me korridore nëntokësore me Ministrinë e Brendshme, që do të kishin shërbyer në rast të ndonjë sulmi.
Përgjatë korridoreve të tij, në këtë bodrum të qytetit, fshihen deri në 24 ambiente të zymta, të shpërndara mes dhomave të marrjes në pyetje, qelitë për të arrestuarit, një dhomë dekontaminimi, një apartament luksoz për ministrin e Brendshëm dhe madje disa instalime artistike moderne.
Pamë panele informative dhe video me dëshmi, që jo vetëm na mësojnë shumë për historinë politike të Shqipërisë, por që edhe na ngritën qimet e kokës përpjetë.
Ora 14:00 Kur kuptojmë se stomaku po na kërkon ”karburant” dhe mendja diçka më të lehtë, çfarë të hamë? Ne zgjodhëm bulevardin me pemë ”Murat Toptani”, vetëm disa hapa larg, ku ndodhen edhe Teatri Kombëtar, Kinema “Millenium”, kopshte rastësore dhe tarraca të ndryshme. Në këtë zonë të qytetit, jeta rrjedh me një ritëm të ngadaltë, boritë e makinave janë larg. Më të afërtat janë cicërimat e zogjve, që rrinë pezull rreth tryezave, në pritje për të marrë çdo thërrime. Një mjedis i qetë dhe i përsosur për të ngrënë një vakt të lehtë, para se të vazhdoni rrugën.
Ora 15:30 Tani është radha e artit. Dhe rezulton se jemi pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, një monument i vërtetë i trashëgimisë kulturore dhe një botë tjetër për të eksploruar përsëri historinë e Shqipërisë, këtë herë bazuar në krijimtarinë e artistëve të saj.
Në muret e saj shpaloset një festival i tërë pikturash dhe punimesh, me të cilat mund të zbulohet realizmi socialist, deri tek mostrat shumë interesante të propagandës komuniste. Paradoksalisht, ishte pikërisht këtë herë, kur censura ishte më e rëndë, që arti njohu rritjen më të shpejtë në vend.
Çdo devijim nga arti i promovuar socialist ishte rreptësisht i ndaluar. Veprat artistike duhej të idealizonin Enver Hoxhën. Ata që guxuan të anashkalonin rregullat u ndëshkuan rëndë. Për fatin tonë të mirë, pikturat dhe skulpturat për të tani janë shfaqur në muze.
Një shënim i fundit? ”Cloud” vepra artistike shumë origjinale e arkitektit japonez Sou Fujimoto që dekoron kopshtin në natyrë që prej vitit 2016, është një nga qoshet më të mrekullueshme dhe të paharrueshme në të gjithë Tiranën.
Ora 17:30 Ne zbresim rrugën drejt një prej ikonave të kryeqytetit, por jo përpara se të kalojmë pranë kalasë së vjetër të Tiranës, pronë e familjes Toptani, që vendosi ta rimodelojë atë dhe ta hapë së fundmi. Aty gjenden restorantet bashkëkohore të kuzhinës – pastat që përgatisin te ”Luga e Argjendtë” janë spektakolare, me dyqane origjinale, të përqendruara në delikatesat kombëtare, ashtu sikurse vajrat e ullirit të prodhuar në Vorë dhe sendet origjinale artizanale.
Ora 18:30 Dhe tani, po: pas një shëtitje të shkurtër që na çon përtej lumit Lana, shkojmë te ndërtesa e Piramidës. Piramida, një sulm autentik ndaj estetikës, e realizuar nga vetë vajza e Enver Hoxhës. Ndërtimi, që gjithashtu nuk kalon pa u vënë re, u krijua për të strehuar një mauzole në nder të babait të saj, megjithatë, gjatë luftës së Kosovës, funksionoi edhe si një qendër konferencash dhe seli e NATO-s.
Sot është krejtësisht e braktisur, pa roje. Jo pak njerëz guxojnë të ngjiten në muret e saj të pjerrëta deri në majë, me gjithë rrezikun që sjell aventura. Sigurisht, ka nga ata që thonë se soditja e perëndimit të diellit nga lart është gjëja më e mirë për të bërë në Tiranë.
Ora 19:30 Dhe më në fund arritëm në lagjen në modë, Blloku, lagje ku një pjesë e madhe e nomenklatura komuniste – përfshirë edhe vetë Hoxhën – banonin gjatë viteve të diktaturës.
Ajo ishte e mbyllur për njerëzit e zakonshëm për katër dekada. Kur mbaroi diktatura dhe tiranasit më në fund ishin në gjendje të përshkonin rrugët e saj, ata gjetën shtëpi që nuk kishin asnjë lidhje me ndërtesat e stilit komunist të pjesës tjetër të qytetit.
Sot, shumica e atyre shtëpive janë shndërruar në restorante, bare, kafene të lezetshme dhe klube. Shëtisim nëpër rrugët e saj dhe shijojmë si atmosferën e gjallë, ashtu edhe tezgat e librave.
Në kohën e darkës, ne zgjodhëm ”Salt”, në rrugën ”Pjetër Bogdani”, një restorant me një stil avangard, elegant dhe të rafinuar, dizajni i të cilit në format dupleks na bën të dashurohemi.
Specializuar në kuzhinën mesdhetare, ushqim deti dhe sushi, ajo gjithashtu ka edhe një ambient për koktej. Aty gjendet edhe ”Choko” që bashkon tradicionalen me modernen në të njëjtën pjatë.
Për një pije pas darke, ”Nunu Club” ka tavolina të larta dhe një zonë tarracë ku mund të shijoni me kënaqësi cilindo nga koktejet e shijshme në menunë tuaj.
Dita e dytë
Ora 10:00 Pas një dite të parë intensive, destinacioni i radhës ishte Pazari i Ri, megjithëse në realitet origjina e tij daton nga 1939.
Kjo hapësirë ku mëngjeset janë të mbushura me atmosferë u rimodelua në fund të vitit 2018 për t’u bërë një treg më në përputhje me ato europiane. Kjo është arsyeja pse, nga mesdita, dyqanet mbyllen, por restorantet hapen aty ku ne mund të kënaqemi me të gjitha llojet e shijeve. Gjithashtu, shpesh organizohen ngjarje kulturore si festivale, koncerte dhe panaire artizan ale.
Ora 12:00 Shkojmë për shëtitje me një itinerar shumë origjinal: ai që na çon të zbulojmë të gjitha ato fasada, që ishin pjesë e një projekti karakteristik të promovuar nga ish-kryetari i bashkisë së qytetit, Edi Rama, tani kryeministër i vendit. Që nga viti 2000, ai kërkoi t’i jepte një pamje të re të gjitha ndërtesave gri të kohës së komunizmit, të shpërndara në të gjithë qytetin. Si? Duke pikturuar fasadat e tyre me ngjyra dhe figura të ndritshme.
Guidat me rrugën e shënuar janë falas dhe mund të merren në Zyrën e Turizmit pranë sheshit ”Skënderbej”. Ka edhe itinerare të arkitekturës komuniste, historisë dhe temave të tjera dhe përfshin një mori fasadash më befasuese, të shpërndara përreth qendrës historike të Tiranës.
Artistë kombëtarë dhe të huaj kanë marrë pjesë në projekt si Ann Edholm nga Stokholmi, Franz Ackermann nga Berlini ose Tala Madani, nga Irani – të cilët vazhdojnë, edhe sot, duke reflektuar krijimtarinë e tyre përmes vizatimeve origjinale dhe muraleve mbi ndërtesat.
Qëllimi? Shndërrimi i Tiranës në një galeri të vërtetë të hapur arti.
Ora 14:30 Jemi duke provuar kuzhinën tradicionale shqiptare në restorant ”Oda”, një restorant komod i vendosur në një shtëpi të vjetër, kuzhina e të cilit kombinon receta antike me propozime të tjera më moderne.
Mjedisi? Autentik. Aq shumë, sa besojmë se po drekojmë në shtëpinë e një tirani: tavolina të ulëta prej druri, dekorim disi të veçantë dhe vëmendja më e kujdesshme sigurojnë një përvojë të shkëlqyer. Në pjatë, të gjitha llojet e propozimeve me një aromë Shqipërie: Qengji i pjekur, byrek me spinaq dhe patëllxhanë të mbushur.
Ora 16:30 Është e domosdoshme të shihni Shtëpinë e Gjetheve. Ky muze, i hapur në vitin 2017, zë ndërtesën e vjetër nga epoka komuniste që shërbeu si bazë për Sigurimin, policinë sekrete shqiptare.
Në dhomat e saj tregohet gjithçka që mund të imagjinohet për procedurat dhe sistemet e spiunazhit: pajisje fotografike, sisteme regjistrimi, mikrofonë, video, intervista…
Një univers paralel që tregon, edhe një herë, që ndonjëherë realiteti tejkalon trillimet.
Ora 18:30 Vendi ideal për t’i thënë lamtumirën Tiranës, këtij qyteti që na ka treguar kaq shumë fytyra të ndryshme, është mushkëria e gjelbër e kryeqytetit: 289 hektarët e Parkut të Madh janë vendi ideal ku të shëtisësh, të merresh me sport, të peshkosh në liqenin e tij artificial ose të pushosh, i shtrirë në lëndinë, pas një ditë të ngarkuar.
Në këtë pikë, një gjë është e qartë për ne, Tirana po ndryshon me hapa të mëdha, duke u munduar të kompensojë kohën e humbur, por pa hequr dorë nga e kaluara e saj, thelbësore për të kuptuar se cila është bërë sot.
Dhe për ta zbuluar atë, bëni mirë të nxitoni, sepse kur erërat e reja të Europës ta pushtojnë, ka për të qenë vonë. / KultPlus.com
Edhe pse kohë pandemie zonat turistike të qarkut të Kukësit janë gjallëruar nga ngjyrat e lulet e pranverës edhe pse dëbora ende nuk ka shkrirë në majat e maleve.
Kjo pranverë e ka zbukuruar më shumë Kukësin dhe Tropojën me lule të shumëllojshme dhe kurorat e gjelbra të pemëve rreth e përqark.
Ermal Hallaçi, guidë turistike në qarkun e Kukësit tha për ATSH-në se “në këto zona turistike në këto ditë pranvere ndjehet mungesa e turistëve që në këtë kohë nuk ishte e pakët. Pikat turistike të qarkut sidomos në pranverë pushtoheshin nga turistët vendas e të huaj, që mahniteshin me bukuritë natyrore që ofrojnë Kukësi dhe Tropoja”.
“Në parkun kombëtar të Valbonës që sot do të ishte në përgatitjet e para për sezonin turistik, fundjavat do të ishin plot me turistë duke shfrytëzuar kohën e mirë të këtyre ditëve dhe ajrin e pastër”, – shprehet Hallaçi.
Sipas tij, të paktë kanë qenë banorët e Tropojës që kanë kaluar ndonjë fundjavë në ndonjë lëndinë apo ecje në natyrë.
“E njëjta situatë është edhe në Parkun Natyror Korab-Koritnik qetësi, turistë të huaj jo e jo, por as vendas. Në këto parqe mungojnë grupet e alpinistëve, si dhe të apsionuarit pas ngjitjeve në mal. Por shpresojmë që shumë shpejt kjo situatë të ndryshojë dhe këto zona turistike të kthehen në një oaz pushimi për turistët”, – tha Hallaçi.
Lugina e Valbonës, një nga bukuritë e rralla natyrore të vendit tonë, vazhdon të tërheqë çdo ditë e më shumë turistë vendas e të huaj. Fundjavat janë dhe piku më i lartë i këtij fluksi. Rruga deri në Valbonë është një mrekulli më vete me peizazhe pyjore e ujore, male e lugina mbresëlënëse.
Lundrimi me tragetin Koman-Fierzë paraqet një atraksion të vërtetë turistik për këdo që viziton Tropojën dhe Valbonën në të katër stinët. Por, janë dhe dy rrugë të tjera që të çojnë në luginën e bukur.
Ndërsa parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, ka një bukuri të rrallë. Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës.
Burimet e ftohta të ujit, liqenet natyrore, majat e maleve mbuluar me borë, ofrojnë mundësi të mëdha për të shijuar çdo detaj të turizmit malor, dimër dhe verë./atsh / KultPlus.com
Faqja e njohur e udhëtimeve turistike TripAdvisor ka shpallur listën me 25 destinacione, të cilat i sugjeron për t’u vizituar këtë vit.
Në renditjen e Tripadvisior, qyteti i Sarandës renditet në vendin e dytë, që duhet vizituar këtë vit. Vlerësimi bëhet sipas destinacioneve që panë rritjen më të madhe të vlerësimeve pozitive dhe sipas kërkesës së turistëve.
Saranda është një qytet që nga viti në vit, ka një rritje të numrit të turistëve të huaj që kalojnë pushimet në këtë vend.
Në vendin e parë të TripAdvisor, është krahina ruse e Kaliningrad, dhe pas saj vjen Saranda dhe pas saj Bejruti i Libanit.
25 destinacionet më të reja në botë sipas “TripAdvisor” janë si më poshtë:
Dhërmiu është padyshim një nga destinacionet më tërheqëse turistike të Shqipërisë.
Ministri i Turizmit, Blendi Klosi, ka vijuar edhe këtë të mërkurë, promovimin e destinacioneve turistike të vendit tonë. Fokusi tashmë ka qenë te turizmi blu dhe Dhërmiu padyshim është një nga perlat e bukurisë shqiptare.
Fshati i Dhërmiut, prej nga merr emrin edhe bregdeti, ndodhët 52 km në Jug të Vlorës, 72 km në vëri të Sarandës dhe rreth 210 km nga kryeqyteti i Tiranës. I vendosur buzë detit Jon dhe në shpatet e maleve , midis gjelbërimit të ullinjve, fshati ka një bukuri madhështorë.
Dhërmiu shtrihet në fund të një plazhi më tepër së pesë kilometra të gjatë, plazh i cili përfundon më një kodër, mbi të cilën ngrihet manastiri i Shën Theodhorit. Fshati përbëhet nga tri lagje: Kondraqa, apo Kallami që është lagja e parë për ata që vijnë nga Llogoraja; vijuar nga Gjileku dhe Dhërmiu – lagja e tretë dhe më e madhja që i ka dhënë edhe emrin fshatit. Në total, tërë fshati ka rreth 600 shtëpi, ku rreth 300 janë në Dhërmi.
Dhërmiu është një vend ku gërshetohet tërheqja nga deti i kaltër dhe i pastër i Jonit më atë të ajrit të pastër dhe të shëndetshëm të maleve. I mbrojtur nga veriu nga gadishulli i Karaburunit, fshati është tepër tërheqës edhe në periudhën e dimrit, pa vënë në dyshim atë të verës që tërheq edhe më shumë turistët. I cilësuar si një nga perlat e Rivierës shqiptare është pa dyshim nga vendet më tërheqëse të Shqipërisë, siç njihet edhe shumë guida turistikë të vendit dhe të huaja.
Shpella e Piratëve është një shpellë e bërë e famshme nga libri i Petro Markos dhe më pas nga filmi i Kinostudios “Shqipëria Sot” me të njëjtin titull. Mund të arrihet nga deti dhe toka. Vendosur në shkëmbej thikë, në një det shumë të thellë që merr “ngjyrën e verës“ (Homer), Shpella e Piratëve, ruan vlera të rëndësishme turistike, që të sjellin në kohërat e Mesjetës. /atsh/ KultPlus.com
Ministrii i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi tha se kemi të gjitha shanset që sektori i turizmit ta mbajë ekonominë të mos gjunjëzohet në kushtet e pandemisë COVID-19.
Klosi theksoi se ka shumë interes për të bërë turizëm në Shqipëri dhe për shkak të masave të marra për të luftuar COVID-19.
Duke marrë skenarin sikur mos hapen kufijtë, Klosi tha se “nëse ndodh do të ketë më tepër rregulla për turizmin e brendshëm, por nëse do vazhdojë kriza kaq e fort padyshim do ketë humbje të mëdha, por mendoj shumë për të filluar hotelerinë pa strukturat e mëdha ndihmëse, por duke krijuar atraksion brenda hotelit do kemi mundësi të bëjmë turizëm por të mos fitojmë shumë”.
“Ajo që dua shumë që ky sektorë të mos goditet aq shumë sa të gjunjëzohet dhe unë mendoj se nuk do të gjunjëzohet. Në 2019 35% e eksportit shqiptar ka ardhur nga turizmi, pra para të reja që futen në ekonomi. Dhe ne i kemi të gjitha shanse që ky sektor ta mbaje ekonominë të mos gjunjëzohet”, tha ai.
Në lidhje me hapjen e turizmit, Klosi në qoftë se nuk do të kishim menaxhuar në mënyrë të shtrënguar krizën, sot nuk do bëhej biseda për turizmin dhe këtë bisedë nuk do ta bëje dot në Itali kur dihet gjithë bota është super e infektuar. Debati është kur do fillojnë masat lehtësuese. Ka turistë që luten të bëjnë marrëveshje më 30 maj, por problemi është a e bëjmë dot. Në qoftë se ne bëjmë diçka të zgjuar vazhdojmë aty ku jemi, përpiqemi të karikojmë fort këtë lloj biznesi. Ne do të bëjmë gjera që të jemi reaktiv, ne duhet të veprojmë”, u shpreh Klosi.
Klosi shton se “ne kemi kapacitete për të pritur turistë, por problemi është se nuk dimë datën e hapjes”. /atsh/ KultPlus.com
Kryeministri Rama tha se agjenci turistike mendojnë se Shqipëria është vendi ku mund të bëhet turizëm këtë verë, pasi nuk ka probleme me COVID-19, por ne do ecim me kujdes.
Në lidhje me periudhën e turizmit dhe lehtësimit të masave për turizëm, Rama tha se “kemi pas disa interesime nga Itali, Çekia, Japonia për turizëm, dhe agjenci të rëndësishme turistike mendojnë se Shqipëria është vendi më i sigurt për të bërë turizëm këtë verë se praktikisht nuk ka probleme me COVID. Marrja e këtij vendimi është një barrë shumë e madhe, nuk di çfarë të them tani se do shikojmë dhe të tjerët”.
“Pra, do ecim me kujdes duke parë dhe të tjerët, por ne nuk jemi Reali, Barcelona, por ne do bëjmë atë që mundemi me forcat që deri tani nuk na kanë lënë në baltë dhe na shohin si shembull dhe po thonë, si po ia dalin kaq kollaj”, tha ai. /atsh/ KultPlus.com
Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, deklaroi se “duke parë mënyrën shumë të mirëmenaxhuar të pandemisë së koronavirusit, besoj do të kemi një sezon relativisht jo të dëmtuar në maksimum, një sezon që mund të shpëtojë për realitetin shqiptar”.
Në një intervistë televizive, Klosi tha se “nëse do të vendosim rregulla të qarta të distancimit dhe higjienës, besoj do të kemi një sezon që do t’i shpëtojë katastrofës në vendin tonë. Kemi turistë nga Kosova, Mali i Zi, turistë që nuk janë të varur nga kompanitë e fluturimit”.
“Avantazhet e turizmit në Shqipëri janë fakti që biznesi hotelier është familjar dhe nuk ka nevojë për vendimmarrje në borde, ndërkohë që me anulimin e fluturimeve dhe mosditjen se kur do të rinisin, vendi ynë ka një numër të madh turistësh që vijnë nga toka. Në gjithë historinë e koronës dhe krizës në Shqipëri dhe botë, pyetja më e vështirë është se kur do të përfundojë. Vendimi se kur do të hapet situata nuk dihet. Nuk dihet nëse sezoni do të jetë i përfshirë në aktivitet”, nënvizoi Klosi.
Ministri Kosi u shpreh se “me grupet e ekspertëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, është duke u përgatitur një material të plotë për mënyrën e re të sezonit turistik ku të respektohen rregullat e higjienës dhe të distancimit social”.
Sa i përket fluturimeve, Klosi tha se “nëse situata fillon të marrë për mirë, dhe të kufizohet aq sa mundemi në raportin e higjienës besoj se do të fillojnë fluturimet, nga qershori me fluturimet e para shumë më tepër të kontrolluara për të hapur mundësi për udhëtime çarter”, tha ministri.
I pyetur nëse në qershor ka mundësi për të hapur fluturimet nëse kemi këta tregues, ministri Klosi tha se “rregullat e reja më shumë se sa pasaporta identifikuese, do të ketë ajo e historikut shëndetësor. Megjithatë, situata duket jo premtuese për rinisjen e fluturimeve nëse deri atëherë nuk do të gjendet vaksina”.
“Po diskutohet të hapen fluturime të kontrolluara ku më tepër se pasaporta me emër me mbiemër, do të ketë rëndësi pasaporta shëndetësore. Pa dalë vaksina do ta kemi të vështirë të kthehemi në normalitet”, theksoi ministri Klosi.
Lidhur me masat specifike për distancat mes çadrave në plazhe, Klosi tha se “ne kemi përgatitur një material të plotë së bashku me Ministrinë e Shëndetësinë që edhe ai është në diskutim nga grupet e ekspertëve. Italia i ka nxjerrë materialet e para, se e ka më specifike sipas rajoneve dhe ka nxjerrë masat e reja për plazhet, me distanca nëpërmjet çadrave, ka propozime në turizëm elitar ku të ketë ndarje me pleksiglas ndërmjet çadrave”.
“Ne e kemi bërë një material, do të jetë pjesë e diskutimet deri në momentin që do të mendojmë se do të fillojë hapja, një ide se si mund të jetë sezoni i plazhit po përpunohet nga grupi i ekspertëve. Sa i përket hotelerive dhe lokaleve, do të jenë të fundit që do të hapen”, tha Klosi. /atsh/ KultPlus.com
Turbullimet ditë për ditë më të dëndura në Ballkan na shtrëngojnë ta lëmë për më pastaj kryeartikullin që kishim nër mënt të shkruajmë përmi Papën e math qi vdiq, e të flasim për punët më të tanishme e më të ziarrta të vëndit t’onë.
Lufta në mes të Turqisë e të Bullgarisë duket se do të kërcasë, e, kur të bierë ky numër i “Albanies” nënë syt’ e këndonjëtorëve, munt të ketë krisur. Po munt edhe t’a ndalojn fuqit’ e mbëdha. Në e ndalofshin, punët po thua do të mbeten si janë, veç qi do të ketë ca Bullgarë më pakë, liri më tepër për Bullgarët e mbetur e robëri e shtrëngim më të fortë për Shqipëtarët të cilëve, ç’do që në ngjaftë në Turqi, u ngarkohet kurdoherë faji. Po, si ka më tepër të ngjarë, lufta do të kërcasë, e ahere ç’do humbasë, ç’do t’fitojë Shqipëria? Këtë duam të rrëfejmë këtu në pakë fialë.
Tri punë munt të ngjasin në u-bëftë kio luftë. E para është që Turqia, e ndodhur balla-ballës me Bullgarinë vetëm, do t’a muntjë në tri a katër javë. Shqipëtarët, n’atë të ngjarë, do të vriten disa mijëra; tepërimet e ushtërisë së tërë, do t’u ngarkohen atyreve vetëm, si kurdoherë; edhe fuqit’ e mbëdha do t’i thonë Turqisë: “Tani që e munde Bullgarinë edhe q’u hoq reziku i kryeqities, mëso mënt edhe ji e dreqtë. Dreqtësia është t’u lësh Bullgarëve liri të hapin disa shkolla të tiera, nga ana e Elbasanit dhe e Tetovës (që t’i qasen, sa më tepër, detit), edhe t’u marrsh Shqipëtarëve gjer më të vogëlën thikë (çdo Shqipëtar e di sepse)”.
E dyta e ngjarë është që, për ndihmë të Bullgarisë, munt t’i çfaqin luftë Turqisë edhe Sërbia me Malin-e-Zi. Se kush i di udhët e errëta, lidhiet e mpshehta të Pansllavismit? Punë në të cilat s’i vete mëntja njeriut, munt të dalin sheshit nesër. Turqia, me ushëtarët e saj të pakënaqur nga uria, me zbrazien e thesarit, e më tepër me tradhësin’ e qeveritarëve të kryeushëtarëve të Turqisë të cilët, nëndë për dhietë, janë shërbëtorët e Pansllavismit (si e thotë me arësye atdhetari Naço), ka të ngjarë të mundet për gjysmë – sa do që Bullgarët e Principatit janë të paktë, shumë më të paktë pakë Malëzestë, Sërbët ngordhanikë më të zotërit për të vrarë gra pa armë se për të dalë në fushë, e sa do që kryeqitësit s’kanë miaft armë e përmbushie.
Edreneja e dhënë Bullgarisë, s’na prish aq punë”, shkruan Konica. “Po Bullgaria në Monastir, Sërbia në Prizren, Mali i Zi në Shkodrë, Greqia e ardhur e mbetur në Janinë për ndihmë të Turqisë – ç’i mbeti Shqipërisë? Një pun’ aq’ e rëndë me të vështirë munt të ngjasë, vërtet; Turqia rrëfeu në luft të fundit me Rusinë se ka edhe forcë, e më në funt ka edhe disa fuqi të mbëdha qi munt të mos e lënë aqë leht të vënët e këmbës sllave afër anëve t’Adriatikut. Po Historia është plot me të ngjara të pa-pritura; sa punë duken të çuditëshme e të rënda më parë se të mbarohen, e, kur u-mbaruan, i duron sicilido duke thënë “u-bë tani, le t’a durojmë” – “s’incliner devant le fait accompli” thotë frëngu.
Përandaj, sido që në qoftë, prapë Shqipëtarët do t’humbasin, se jemi një komb i ftohtë, ku sicilido menton për veten e tija, e në një të tillë komb s’munt të lidhen ay bashkim e ajo marrë-vesh ku sicilido punon për të mirën e të gjithëve e të gjithë punojnë për të mirën e sicilitdo e janë gati për t’i bërë ballë me udhë (me methudhë do me thënë) rrezikut. Ata Shqipëtarët për të cilët bota thotë se janë t’egër, Shqipëtarët e maleve e të pyjeve, ata s’janë të ftohtë, për kundrë janë Shqipëtarë të mirë e do t’ishin atdhetarë sikur të kishin njerës t’u jipjin të kuptojin. Po të tillë njërës janë të paktë e të shtrënguar, pa bërë dot gjë, të shikojnë me zëmrë të shtrydhur se si humbet nji komb.
Eshtë nji e tretë e ngjarë qi munt të pritet. Turqia, e zonjë e Bullgarisë e gati t’u shtierë prush në shalë “Maqedhonasve” qi janë shkakëtorët e gjithë turbullimeve, munt t’i forcojë fuqit’ e mbëdha të hedhin disa mijëra ushtarë në Turqi t’Evropës. Kio ushtëri e huaj, si të lidhë në hekura gjithë qenat e tërbuar, do të përpiqet të ngrehë një shtetësi të vërtetë t’atyre vëndeve. Ahere, ndofta do t’na jipen edhe neve aqë (nukë duam më tepër) të dreqta sa edhe kombeve të tierë të Turqisë. E ja pse kio e ngjara e tretë është më e mira për ne. /KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim me banorët e Thumanës për projektet e rindërtimit u shpreh se falë rindërtimit të banesave të reja Thumana do të zhvillohet si një qytezë turistike në shembullin e Pukës dhe Belshit.
“Ne duam që Thumana, tani kjo ju mund të duket si përrallë. Po përrallat e mia përgjithësisht dalin. Ka ndonjë përrallë që nuk ka dalë akoma se kërkon kohën e vet po të jeni të sigurt që dalin. Kur thosha unë që Puka do të bëhet qytet turistik, vetë pukjanët thoshin kur do iki ky palla i gjatë se boll na kanë pallu në rrena të shkurtrit, por të vijë një i gjatë që rren nuk durohet fare, se i shkurtri mund të rrejë dhe pastaj fshihet. Dy metra rrena nuk ke ku i fsheh. Shkoni në Pukë, shiheni Pukën”, tha Rama.
“Belshi ishte njësoj si Thumana nga pikëpamja e degradimit, more s’kishte asgjë. Pse kujtoj Pukën dhe Belshin, sepse dhe në Pukë dhe në Belsh ka një liqen që është ngjitur me zonën e banuar. Edhe këtu ka një liqen. Ai liqeni është komplet i shkëputur nga jeta juaj. Nuk e di a i bini ndonjëherë nga liqeni, po di që ai liqen aty është një arsye për të besuar se dhe Thumana mund të bëhet një zonë. Ku jo vetëm njerëzit të jetojnë shumë më mirë se sa jetonin, por edhe të tjerë të vijnë. Do thoni kush do të vijë për në Thumanë për ditë të shtunë dhe të dielë. Këtu do jemi”, theksoi Rama.
Por, shtoi Kryeministri, “le ta fillojmë me këtë pjesë njëherë se ne në fillim na intereson që të sistemohen, familjet që janë këtu, pastaj do shikoni se do të vijnë dhe të tjerë”.
Rama shtoi se, “zona që do të ndërtohet do ketë parametra komplet ndryshe. Po bëjmë projektin e infrastrukturës që do të thotë do të fillojmë shumë shpejt me rrugët e brendshme, me kanalizimet, ujësjellësin, ndriçimin, dhe pastaj do të fillojmë me ndërtimin”. /atsh / KultPlus.com
Komiteti i Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura në Qarkun Vlorë, në drejtimin e kryetarit Flamur Mamaj, njëherësh edhe prefekt i këtij Qarku, miratoi në mbledhjen e fundit që u zhvillua Sarandë, Planin e Menaxhimit për Zonën e Mbrojtur të Parkut Natyror “Syri i Kaltër “.
Ky plan u diskutua gjerësisht nga anëtarët e këtij komiteti, ekspertë të mjedisit dhe specialistë nga rajoni i këtij Qarku.
Flamur Mamaj, prefekt i qarkut Vlorë, me cilësinë e kryetarit të Komiteti të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura të këtij qarku, vuri në dukje se ”Prezantimi i draftit të Planit të menaxhimit “Syrit te Kalter” përbën një event të rëndësishëm jo vetëm se realizohet për herë të parë një produkt i tillë me një vizion bashkëkohor dhe një standard të ri të shërbimeve por edhe se adreson objektiva të qarta të menaxhimit të qëndrueshëm.“
Nexhip Husolakoj, drejtor i Administrates se Zonave të Mbrojtura të qarkut Vlorë tha për ATSH-në se “anëtarët e Komitetit me diskutimet, vërejtjet dhe adresimet konkrete, sollën një pasurim të dobishëm të draftit për menaxhimin e Zonës së mbrojtur “Syri i Kaltër”, një nga pasuritë më të vizituara gjeonatyrore të vendit, nga mijëra shtetas vendas e të huaj. Husolakoj, vuri në dukje se në këtë park është planifikuar funksionimi i biletarisë elektronike si në Butrint dhe përmirësime të disa shërbimeve sot me mangësi si nyje hidrosanitare, tualete, pika informacioni, shtigje me sinjalistikë në natyre, etj.
Parku natyror i Syrit të Kaltër përfshihet në territorin administrativ të Bashkisë Finiq në qarkun Vlorë. Ky park mori statusin Zonë e Mbrojtur në vitin 2002.
Brenda zonës së mbrojtur përfshihen sipërfaqe ujore, sipërfaqe pyjore, livadhe dhe toka bujqësore. Nga pikëpamja mjedisore e shkencore, me harmonizimin midis pyllit të dendur dhe gjelbërimit gjithëvjetor, burimeve ujore të Syrit të Kaltër me ujërat e kthjellta dhe të ftohta, ky park nga pikëpamje turistike dhe ekologjike paraqet rëndësi të veçantë kombëtare./ atsh/ KultPlus.com
Beautiful turquoise spring Blue Eye (Syri i Kalter) near a town of Muzine, Albania. The spring is very powerful, cold and deep and is a source of a river Bistrice