Pas fitores së Festivalit të Këngës në RTSH, Arilena Ara do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovizion”.
Në një
intervistë ajo ka zbuluar disa detaje nga performanca që do të ketë në skenën e
madhe.
Arilena tha
se menjëherë pas fitores është nisur për në Los Angelos për të përpunuar
versionin Anglisht të këngës “Shaj”, e cila tashmë është gati.
“Në Los
Angelos udhëtuam për të punuar për albumin tim të parë në anglisht, por pas
fitores surprizë realisht për mua më duhet të punoja me ripërpunimin e këngës.
Kënga do
dalë shumë shpejt, por dua të them që meqenëse kënga u ndërtua në fillim në
variantin anglisht, me një demo dhe me një tekst minimalist anglisht, ka një
frymë shumë të ndryshme, shumë më e bukur nga Shaj. Është në të njëjtin
karakter dhe mezi po pres ta ndaj me ju sepse është një ndjesi tjetër, një fuqi
tjetër, emocion tjetër”, ka thënë këngtarja.
E pyetur për
performancën, veshjen dhe detaje të tjera, Arilena tha se gjithçka është
menduar dhe mezi po pret të ngjitet në skenë.
“Nuk mund të mos themi që kemi një ide për performancën, megjithatë nuk dua të flas shumë por do them vetëm një gjë, do jem edhe në ajër edhe në tokë, kaq!”, ka përfunduar Arilena. / KultPlus.com
Këngët pjesëmarrëse për në Festivalin e Këngës në RTSH janë lansuar në kanalin YouTube dhe interesimi i publikut për t’i dëgjuar është i madh, shkruan KultPlus.
Elvana Gjata e Arilena Ara janë dy emrat pretendentë për të
fituar në këtë festival por pjesëmarrësit janë të shumtë.
Elvana Gjata, Tiri Gjoci, Arilena Ara, Olta Boka, Eli Fara
dhe Stresi, Gena, Kamela Islamaj, Era Rusi, Bojken Lako e Robert Berisha, janë
disa nga emrat që i janë futur kësaj gare.
Fituesi i këtij festivali shkon automatikisht në Eurovizion.
Të gjithë po i presin netët finale për të kuptuar se kush do
të fitojë në festival dhe kush do ta përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion.
KultPlus ju sjell këngët pjesëmarrëse. / KultPlus.com
Kanë dalë në shitje bluzat që janë dizajnuar nga Dua Lipa, fitimet nga shitjet e të cilave do të shkojnë për të ndimuar të prekurit nga tërmetet në Shqipëri.
Këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa është një prej personazheve të njohur të ekranit që është duke mbledhur fonde për t’ju ardhur në ndihmë shqiptarëve.
Këngëtarja ka treguar se ka zgjedhur të mbledhë të ardhura nëpërmjet shitjes së një bluzave që tregojnë edhe kauzën e vendit tonë.
Pak më parë Dua ka zbuluar edhe dizajnin e bluzës, e cila duket të jetë bërë me kujdes. Në pjesën e pasme qëndron emri i këngëtares dhe më poshtë krijohet një rreth me fjalët : Pray for Albania (Lutuni për Shqipërinë).
Kjo bluzë shitet për 45 dollarë dhe vjen në sasi të limituar.
Me të ardhurat e grumbulluara Dua do të ndihmojë familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.
Një fotografi e një qeni që po pret pronarin e tij, e po dyshohet të ketë qenë në Shqipëri, po qarkullon në rrjetin social ‘Facebook’. Por, një informacion i tillë ka rezultuar të jetë një lajm i rremë.
Me një të kërkuar në motorin e kërkimit ‘Google’, Lajmi.net ka arritur të kuptojë se fotografia është marrë nga arkiva e kësaj të fundit.
Siç shihet edhe në detajet që ofrohen poshtë fotos, mund të vërehet se fotografia është ngarkuar më 2 janar të këtij viti.
Sido që të jetë, Shqipëria është goditur sot nga një termet destruktiv, prej 6,4 ballësh, duke shkaktuar 15 viktima dhe dhjetëra të lënduar.
Po ashtu, pak minuta më parë, rajoni ka përjetuar edhe një termet tjetër, përkatësisht në orën 14:05, por që ende nuk është raportuar për ndonjë lëndim. / KultPlus.com
Shqipëria ngjit 12 vende në klasifikimin botëror të turizmit për 2019, thuhet në shkrimin e gazetares së CNN-it, Julia Buckley, e cila analizon Raportin Konkurrues të Udhëtimit dhe Turizmit 2019 nga Forumi Ekonomik Botëror, organizata me seli në Zvicër që mbledh çdo vit elitën globale për të diskutuar çështje madhore.
Në renditjen e përgjithshme, më shumë lëvizje pati jashtë 10 vendeve të para.
”Shqipëria, Rumania dhe Serbia u ngjitën me 12 vende, përkatësisht në vendin e 86-të, 56-të dhe 83-të”, shkruan CNN.
”Egjipti u ngjit me nëntë vende”, shton Buckley.
”Me më shumë se 3 000 milje vijë bregdetare dhe jo më pak se 48 qendra të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Spanja është shpallur vendi më i mirë në botë për t’u vizituar.
Lidhur me sigurinë, Finlanda, Islanda dhe Omani u vlerësuan si vendet më të sigurta. Ndërsa, El Salvadori, Nigeria dhe Jemeni u renditën më pak të sigurta.
Ndërkohë, Tajvani humbi shtatë vende në renditje dhe ra në vendin e 37-të, Ekuadori ra nga vendi i 57-të në të 70-in dhe Trinidad Tobago pësoi rënien më të madhe, duke rënë 14 vende nga vendi i 73-të në të 87-in./ atsh/ KultPlus.com
Shqipëria dhe plazhet e saj janë përzgjedhur mes gjashtë destinacioneve turistike botërore, ndër to Gjermania, Bullgaria, Norvegjia dhe Kina, të cilat duhet të vizitohen gjatë muajit shtator.
Agjencia çeke e udhëtimeve “Kiwi.com” shkruan se nga të gjitha vendet e preferuara për pushime deri më sot, me bregdetin dhe plazhet e saj mahnitëse, Shqipëria ka të gjitha tiparet e një destinacioni klasik mesdhetar.
Moti është ende shumë i mirë, por megjithatë sezoni turistik thuajse ka përfunduar. Por çfarë u ofron vizitorëve muaji shtator?
Fëmijët pothuajse në të gjitha vendet tashmë janë rikthyer në shkollë dhe çmimet ndërkohë janë ulur. Për këtë arsye, shtatori është muaji kur mund t’u gëzoheni pushimeve paksa të vonuara verore. Ne kemi disa ide që mund t’ju frymëzojnë për të zgjatur edhe pak sezonin e pushimeve verore.
Plazhet e Shqipërisë
Jeni në kërkim të pushimeve diku në bregdet, ku numri i pushuesve nuk është më edhe aq i lartë, ndërkohë që moti është ende i mirë? Greqia? Ende plot e përplot me turistë. Kroacia? Sigurisht, por një vend gjithnjë e më i zhurmshëm. Spanja? Praktike, por e eksploruar së tepërmi. Shqipëria? Epo… sigurisht, përse jo?
Deri më sot, nga të gjitha vendet e preferuara turistike, Shqipëria ka të gjitha tiparet e një destinacioni klasik mesdhetar. Në pjesën jugore, Shqipëria ka një vijë të gjatë bregdetare dhe plazhe, që, në shumicën e tyre, janë vërtet mahnitës. Në atë që tashmë njihet si Riviera Shqiptare ju do të gjeni plazhet e Gjipesë dhe Jalit, rreth 13 kilometra larg njëri-tjetrit, dhe që të dy të fshehur në gjire magjepsës shkëmborë.
Jugu i Shqipërisë ofron edhe dhjetëra opsione të tjera. Plazhi i Dhërmiut, që shtrihet pranë fshatit me të njëjtin emër, është vendi që duhet ta vizitoni patjetër nëse ju mundon dilema e përjetshme e përzgjedhjes mes plazhit me rërë dhe atij me gurë. Në mënyrë të pazakontë, ky plazh i ofron të dyja. Kepi i Rodonit është një gadishull mahnitës i rrethuar nga plazhe dhe me një kështjellë mbi të; ky vend mund të arrihet lehtësisht nga kryeqyteti i vendit, Tirana. Po kështu, nëse ju pëlqen historia, në Parkun Kombëtar të Butrintit mund të vizitoni rrënojat romake rrethuar nga një peizazh i mrekullueshëm.
Atëherë, të vizitoni Shqipërinë? Përse jo? / atsh / KultPlus.com
“Shqipëria po shndërrohet në një destinacion të turizmit kulinar”, kështu fillon reportazhi i medias gjermane për turizmin kulinar të Shqipërisë, që nga ta po vlerësohet si shumë unik.
KultPlus më poshtë ju sjellë disa nga pjesët më interesantë të përshkrimit në këtë reportazh.
“Pallate të bardha të ndritshme me shtylla prej guri dhe shqiponja të arta mbi çati, shtëpi me fasada tërheqëse, kafene të populluara mbi tarraca, struktura me kupolë të stërmadhe e Katedrales moderne “Ngjallja e Krishtit”. Një udhëtim me taksi nëpër kryeqytetin e Shqipërisë është si një turne nëpër ndalesat kryesore të historisë shqiptare – dhe pse jo një pjesë e pazbuluar e Europës”.
“Vendi nuk është akoma i mbipopulluar, ndonëse shquhet për pushime në bregdetin e Adriatikut, me fshatra origjinale, çmime të arsyeshme, njerëz mikpritës dhe, mbi të gjitha, kuzhinën e shkëlqyer tradicionale. Ky vend ishte harruar prej kohësh. Shqipëria zë një sipërfaqe të vogël dhe ka arritur të ruajë shumë mirë traditën e saj të kulinarisë”.
“Kuzhina tradicionale e Shqipërisë po modernizohet
Pjesa e parë e udhëtimit kulinar nëpër kuzhinën orientale-mesdhetare të Shqipërisë na çon në skajin e Parkut të Madh me liqenin e krijuar nga dora e njeriut, ku gjendet edhe një shatërvan tepër i këndshëm. Një ndërtesë e viteve ’70, fasada me elementë në ngjyrë portokalli”.
“Specialitetet në Qytetin e Trashëgimisë Botërore në Berat.
Udhëtimi të çon në drejtim të kundërt. “Të gjithë gjermanët shkojnë në Berat”, thotë taksisti në Tiranë me shaka. Vizitorët e apasionuar pas turizmit kulturor shkojnë në qytetin e vogël rreth 120 kilometra në jug të Tiranës për t’u njohur me arkitekturën osmane: pallatet e bardhë në kafe që ngrihen sipër njëra-tjetrës deri në kështjellën mbi kodër – Trashëgimia Botërore e UNESCO-s në Shqipëri”.
“Por nëse largohesh nga qendra historike dhe ecën përgjatë Rrugës Antipatrea, është si të udhëtosh mbrapa në kohë drejt komunizmit, sepse ka kaq shumë fasada të pangjyrosura ose të çimentuara si për të thënë. Dyqanet e vogla ushqimore ofrojnë të njëjtën pamje si në Tiranë: ushqim vendas, birrë shqiptare, ujë nga kompanitë lokale në vend të korporatave ndërkombëtare”.
“Edhe bajamet e pjekura në shtëpi dhe reçeli prej mandarine i përgatitur në kushte shtëpie janë produktet në shitje – shumë pronarë po fitojnë të ardhura shtesë falë këtij biznesi. Ndihet aroma e kafesë së sapobluar. Asnjë Starbucks dhe McDonald nuk duket në horizont. Në ditët e sotme, nuk ia vlen që korporatat globale të zgjerohen në vende relativisht të vogla dhe të varfra. Frutat dhe perimet në shitje vijnë nga zonat rurale më në brendësi të vendit”.
“Kthehuni në Tiranë ku nuk duhet të humbisni një vizitë në “Fishop”, një restorant i vogël, kuzhina e të cilit është e dukshme përmes një paneli xhami. Edhe në orët e vona të pasdites, dhoma e ftuarve është e mbushur plot e përplot”.
“Një vend i cili nuk tund kokën. Nuk ke pse të hysh në një bisedë për Flinë, peshkun e freskët dhe verën vendase, për të vizituar Shqipërinë”. / KultPlus.com
Nga një bazë ushtarake e paarritshme në një atraksion turistik, ja përse ky ishull i vogël po shndërrohet në një destinacion që nuk duhet humbur, shkruan portali italian që i kushtohet udhëtimeve dhe turizmit, “siviaggia.it”.
Për grekët dhe romakët antikë ishte “Sason”, ndërsa për shqiptarët quhet “Sazan”.
Sazani është një ishull i vogël prej rreth gjashtë kilometrash katrorë, që ndodhet përballë gjirit të Vlorës, në Kanalin e Otrantos. Një shkëmb gjigant që prej dekadash ka qenë një bazë ushtarake e paarritshme, dhe që sot po shndërrohet në një prej atraksioneve turistike kryesore të Shqipërisë.
Në fakt, ishulli është një parajsë e vogël me natyrë të egër dhe të padëmtuar, ku mund të eksplorosh shtigje jo shumë të rehatshëm por jashtëzakonisht tërheqës dhe misterioz, dëshmi e të kaluarës së tij të trazuar ushtarake. Këtu ujërat e kristalta dhe plazhet mbresëlënëse shërbejnë si kundërpeshë ndaj relikteve të Luftës së Ftohtë, një pjesë e të cilave është mbledhur nga arkeologët dhe ekspozuar në Muzeun Arkeologjik të Durrësit.
E kaluara e trazuar e Sazanit shfaqet në çdo cep të këtij shkëmbi gjigant me një kulm prej gati 340 metrash mbi nivelin e detit, mes 3600 bunkereve të shpërndarë në sipërfaqen e tij dhe galerive nëntokësore të gjata disa kilometra, të ndërtuara për ushtarët e Shqipërisë komuniste të Enver Hoxhës.
Gjatë fashizmit, këtu u shfaqën veprat e para të fortifikimit, por edhe rrugë, shtëpi, shkolla dhe teatro. Nga pak, kudo mund të admirohen disa prej godinave të ndërtuara gjatë dominimit italian dhe më pas ato të periudhës së Luftës së Ftohtë, ndonëse një pjesë e mirë e strukturav u shkatërruan gjatë manovrave të fundit të përbashkëta mes forcave ushtarake të NATO-s dhe atyre shqiptare. Mes këtyre u shkatërrua edhe vila që Musolini ngriti në ishull në vitin 1930.
Sazani ndodhet gjysmë ore larg me traget nga Vlora, porti që pret turistët ndodhet në pjesën lindore. Nga këtu, mund të shkohet në këmbë në bregun perëndimor, ku ndodhet Gryka e Xhehenemit dhe Gjiri i Djallit, që përbëjnë një peizazh spektakolar.
Duke vazhduar në drejtim të jugut, do të shihni një prej vendeve më të jashtëzakonshme të ishullit, të mrekullueshmin Plazhi i Admiralit, mes shkëmbinjve që lagen nga ujëra transparenca e të cilëve është një dëshmi e qartë e izolimit që ka mbrojtur Sazanin, duke i mundësuar që të mos ndotet.
Nga viti 2010, ishulli bën pjesë, bashkë me gadishullin e Karaburunit, në Parkun Kombëtar Karaburun-Sazan, që mund të arrihet nëpërmjet një prej shumë anijeve që nisen nga porti i Vlorës. Këtu mund të admirohet Shpella e Mrekullueshme e Haxhi Aliut, e konsideruar si më e madhja dhe e thella në gjithë Shqipërinë. Një spektakël unik dhe emocionues si pakë në botë. /atsh / KultPlus.com
Për një kohë të gjatë e shkëputur nga bota, Shqipëria pret tashmë gjithmonë e më tepër turistë, veçanërisht francezë, që joshen nga vendet magjepsëse dhe çmimet e ulëta, thuhet në një dokumentar të posaçëm të televizionit më të shikuar francez, TF1, kushtuar turizmit në Shqipëri.
”Ujëra të kristalta dhe plazhe të virgjëra rrëzë maleve. Nuk jemi në Korsikë, por në Shqipëri, një parajsë e panjohur, në veri të Greqisë. Ecim buzë Adriatikut për të shkuar drejt Qeparoit. Pikërisht këtu familja De Vorge vendosi të kalonte pushimet.
Ai laget nga plazhe ende të kursyera nga turizmi masiv. Ishte pikërisht kjo që i shtyu të vinin në Shqipëri.
Është pikërisht pjesa e plazheve të paprekura, autentike, plazhe të mëdha me guralecë dhe më në fund, me pak njerëz, që na pëlqen veçanërisht. Nëse familja ka zgjedhur Shqipërinë është gjithashtu edhe për shkak të çmimeve të ulëta”, thuhet në dokumentar.
”Çdo vakt, pjata kryesore, pijet dhe ëmbëlsirat kushtojnë 50 euro për të gjashtë pjesëtarët e familjes. Më pak se nëntë euro për person. Për sa i përket hotelit, familja zgjodhi këtë hotel me katër yje, me pishinë dhe me pamje nga deti për 80 euro nata.
“Këtu, ne mund të kemi shërbime cilësore, që sigurisht nuk mund t’i kishim në vende të tjera dhe që fëmijët tanë të mund t’i shijojnë”.
Ashtu si ata, numri i francezëve që zgjedhin Shqipërinë për të kaluar pushimet është gjithmonë e më i madh. 50 000 vetëm këtë vit.
Uji me temperaturë 27 gradë Celsius dhe guralecë. Duket sikur jemi në plazhet më të bukura të Rivierës Franceze. Me ndryshimin se në Shqipëri, turistët nuk vijnë vetëm për banja dielli ose deti, por edhe për ta vizituar atë”, shtohet në të.
”Ndër rajonet e Shqipërisë, Berati është bërë një etapë e pashmangshme për francezët. Pikërisht në këtë qytet të klasifikuar në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s ky çift nga Lioni ka vendosur të kalojë mbrëmjen.
Bashkë më guidën ata njihen me qytetin e vjetër. Unë jam joshur nga ky peizazh dhe nga arkitektura. Çdo mur, çdo ndërtese flet për një histori popujsh të ndryshëm. Në hotelin e tyre ata takojnë këtë çift nga Bretanja, kanë rastin të pijnë lëng thane, një frut vendas, i shërbyer në gjuhën e Molierit.
Stafit i është dashur të mësojë bazat, sepse këtu, më tepër se një në katër turistë është francez. Ky vit është mbresëlënës. Kemi pritur më tepër se 500 turistë kundrejt vetëm 100 vitin e kaluar. Beranger Thibeault ishte francezi i parë qe krijoi agjencinë e tij të udhëtimit në Shqipëri.
Sot ai po viziton këtë hotel të ri në bregdet. Si gjithmonë ai do të inspektojë gjithçka, pishinën, banjën, dritaret përpara se t’ua ofrojë klientëve të tij. Ndërsa turizmi po zhvillohet, kur i bëjmë gjërat shumë shpejt, ndonjëherë nuk i bëjmë doemos shumë mirë.
Shqipëria mund të bëhet së shpejti Kroacia e re. Në mes të zhvillimit, vendi duhet t’i rezistojë betonizimit, për të mos iu errësuar qielli”, përfundon dokumentari i televizionit më të shikuar francez, TF1./ /i.pu/ a.jor.
Kryeqyteti i Shqipërisë është një perlë e Ballkanit, e pazbuluar nga shumica e njerëzve. Duke u nisur nga Piramida e Tiranës, sheshi “Skënderbej”, deri te xhamitë e zbukuruara dhe muzetë të ndërtuar brenda bunkerëve atomikë, ka ende shumë për të zbuluar, shkruan Sam Baker i faqes së njohur turistike britanike wanderlust.co.uk.
Nëse ndaloni në Ballkan për një aventurë në natyrë, mos e përjashtoni mundësinë për të vizituar kryeqytetin e pazakontë të Shqipërisë me kuriozitete si bunkerë dhe piramida që mund t’i eksploroni.
Ja gjërat më të mira për të bërë në Tiranë
Ngjituni me teleferik në Dajt
Bukuria natyrore e Tiranës shtrihet në malet që rrethojnë qytetin. Përfitoni nga një ditë me qiell të pastër për t’u ngjitur në malin e Dajtit. Një udhëtim 20 apo 30-minutash me autobus nga qendra e qytetit dhe gjatë ngjitjes do të ngeleni pa frymë nga pamjet e tij të jashtëzakonshme dhe lartësitë marramendëse. Ia vlen të kryesh një udhëtim që të ofron të shohësh pamjen e qytetit nga mali. Pas zbritjes nga Dajti Ekspres, ju mund të zgjidhni aventurën tuaj – mbase një lojë mini golfi, ose të vendosni të bëni një udhëtim qetësues më këmbë.
Bëni një fotografi me Piramidën e Tiranës dhe bunkerët e qytetit
Në shikim të parë, Tirana u ngjan qyteteve të tjera ish-sovjetike me ndërtesa të vjetruara që kufizojnë ndërtimet e reja dhe një mozaik gjigant, të stilit të realizmit socialist, të vendosur në qendër, në sheshin “Skënderbej”.
Duke ecur, ju mund të vëreni shtresa betoni. Këto janë bunkerë nga ditët e ish-diktatorit të Shqipërisë, Enver Hoxha, i cili i ndërtoi ato në një moment paranojë si një shprehje e politikës së izoluar pas shkëputjes së kombit nga Bashkimi Sovjetik. Po aq i çuditshëm dhe me një stil të rreptë të arkitekturës Piramida e Tiranës shërbeu për një kohë të shkurtër si Muzeu i Enver Hoxhës, pas vdekjes së tij. Duke marrë shumë qëllime që nga ajo kohë, piramida e tanishme e mbuluar me mbishkrime tërheq më shumë vëmendje pikërisht për shkak se tani nënkuptonte një armiqësi ndaj Hoxhës.
Shëtitje rreth liqenit në Parkun e Madh
Për ajër të pastër, shkoni në Parkun e Madh të liqenit në pjesën jugore të qytetit. E ndërtuar për të ofruar më shumë gjelbërim në këtë qytet urban, Parku i Madh është zonë e njohur për vendasit dhe vizitorët.
Në park gjendet një liqen artificial, i rrethuar nga kodra piktoreske. Shëtisni rrugët rreth liqenit, shikoni njerëzit që qëndrojnë në stola ose pini diçka në një kafene buzë liqenit.
Njihuni me historinë komuniste të Shqipërisë
Për të kuptuar historinë e të kaluarës komuniste të këtij kombi ballkanik dhe sesi i ka formuar shqiptarët, vizitoni një nga muzetë e Bunk’Art. Nëse jeni një adhurues i historisë, duhet t’i vizitoni të dy. Bunk’Art iu njeh me një pasqyrë më të gjerë të jetës së përditshme gjatë epokës komuniste. Ky muze ndodhet në bunkerin atomik të ish-diktatorit të Shqipërisë, Enver Hoxha, në periferi të Tiranës.
Bunk’Art 2 është lehtësisht i arritshëm në qendër të qytetit. Një eksperiencë e frikshme nëntokësore, ky bunker përqendrohet në historinë e policisë politike dhe viktimat e tyre nën regjimin komunist.
Shijojeni si një vendali kulturën e kafesë në Tiranë
Kultura e kafesë është një pjesë thelbësore e jetës në Tiranë dhe mëngjesi nuk bën përjashtim. Por, kini kujdes: shumë kafene nuk shesin asgjë për të ngrënë.
Para se të uleni në një bar, ndaloni në një furrë lokale dhe merrni një byrek, një trekëndësh prej petësh, i mbushur me djathë të freskët ose me spinaq.
Pasi të blini byrekun dhe të gjeni një kafene me verandë, mos ngurroni të porositni lëng frutash të freskëta, përveç pijes tuaj të preferuar të ekspresit. Lëngjet shpesh janë të bëra në shtëpi.
Prandaj uluni dhe shijoni rrjedhën e këndshme të udhëtarëve të mëngjesit.
Vizitoni xhaminë dhe selinë bektashiane
Prirja shqiptare ndaj tolerancës fetare është një parim i identitetit të saj kombëtar. Filloni një bisedë me një shqiptar dhe është e zakonshme të dëgjoni se babai është mysliman dhe nëna ortodokse katolike.
Sekti bektashi i Islamit është i vendosur në Tiranë. Një vizitë në xhaminë e tyre të bukur është një domosdoshmëri. Muzeu poshtë xhamisë përshkruan në detaje historinë e bektashinjve dhe besimin e tyre tolerant islamik.
Xhami më të zbukuruar ju nuk mund të gjeni në të gjithë botën.
Zbuloni traditat shqiptare (dhe alkoolin)
Në gjysmën e rrugës midis një dyqani antik dhe një bari të modës, bar-muzeu “Komiteti” ekspozon objekte kulturore të tilla si rrobat shqiptare, pajisjet bujqësore të fermës, që varen nga muret dhe tavani.
Ky është edhe vendi më i mirë për të provuar pijen alkoolike kombëtare shqiptare, e njohur si raki. Ajo shërbehet atje në një larmi shijesh.
Nga sherbela deri tek boronica, këto aroma e bëjnë shijen e rakisë të tolerueshme dhe, në disa raste, madje, edhe mjaft të shijshme.
Kënaqësia e tetë pjatave të preferuara të Shqipërisë
Darka në restorant “Mullixhiu” nuk mund të anashkalohet në Tiranë. E vendosur në afërsi të Parkut të Madh dhe liqenit artificial, ky restorant tradicional ofron një vakt me gjashtë ose tetë gjërash të ndryshme për 13-15 euro.
Një përvojë e këndshme, me varietete nga djathërat vendas dhe supa e pasur me kunguj deri te mish i kecit dhe buka e shtëpisë dhe makaronat.
Të paraqitura artistikisht, tek pjatat e “Mullixhiut” ndërthuren përbërësit tradicionalë shqiptarë me elegancën moderne. Në dyqane ju gjithashtu mund të blini disa dhurata të këndshme për t’i marrë me vete në shtëpi. / atsh / KultPlus.com
Ku të shkoni për pushime në shtator – atëherë kur
ditët e lodhura e të nxehta të stinës së verës të kenë përfunduar?
Siç edhe thonë,
shtatori është janari i ri e kjo nënkupton se është koha për fillime e aventura
të reja, transmeton Telegrafi.
Nëse veç
planifikoni që t’i bëni pushimet gjatë muajit shtator, atëherë revista e njohur
për udhëtime Conde Nast Traveler ka përpiluar një listë me
25 vendet më të mira që ia vlen t’i vizitoni.
Përderisa lista
është e gjatë dhe e mbushur me vende të ndryshme të botës, kjo revistë nuk ka
harruar ta fus në listë edhe Shqipërinë e bukur, duke e renditur atë në vendin
e 10’të.
Ndonëse nuk
është ende “Kroacia e re”, kjo gjë e bën Shqipërinë tërheqëse sepse perla e
Ballkanit ka arritur që ende të qëndroj jashtë radarit.
Në Shqipëri keni
mundësi të bëni shumë gjëra, duke filluar nga shëtitja nëpër alpet shqiptare e
deri te ikja në rivierën e Shqipërisë për t’u takuar me rërën e artë dhe ujin e
kristaltë.
Përndryshe, për Shqipërinë vazhdimisht po shkruajnë mediat e njohura botërore duke e rekomanduar si vend që vërtet ia vlen të vizitohet dhe eksplorohet. / KultPlus.com
Marka “Anjunadeep” e grupit “Above & Beyond” organizoi një festival prej gjashtë ditësh dhe pesë netësh të quajtur “Explorations” në Dhërmi, Shqipëri për të përzier kulturën e festivaleve muzikore me luksin e jetës bregdetare, shkruan revista prestigjioze amerikane “Forbes” në një artikull që i kushtohet një prej festivaleve ndërkombëtare më të njohur të zhvilluar në Shqipëri.
“Festat tona kanë marrë shumë famë vitet e fundit, me evente ku janë shitur të gjitha biletat në të gjithë botën”, thotë menaxheri i “Anjunadee”, Dom Donnelly.
“Ne besojmë se tingujt tanë shijohen më mirë jashtë nën rrezet e diellit, pra ne jemi larguar nga klubet e natës dhe jemi afruar me festat ditën. Pra një festë që zgjat gjithë fundjavën në plazh duket si një evoluim i natyrshëm”, thekson ai.
Sipas James Grant, menaxheri i grupit “Above & Beyond” që prej vitit 2001 dhe bashkëthemelues i markës “Anjunadeep”, “Explorations” janë festivalet e para që zgjasin gjithë ditën për “Anjunadeep” dhe ato u zhvilluan nga data 20-25 qershor në Dhërmi.
Eventi solli 45 artistë, duke u kthyer në spektaklin më të madh të organizuar nga grupi për mbledhjen në një vend të vetëm të talenteve si “Lane 8”, “Dusky” dhe “Yotto”.
Festivali kishte katër skena, ku skenat kryesore në mbrëmje ishin “Empire” dhe “Splendor” ndërsa skenat e gjatë ditës ishin “The Cove” dhe “Yacht Club”. Kishte edhe një vend të pestë të quajtur Gjipe për pjesëmarrësit që të shijonin muzikën.
Donnelly thotë se “Riviera Shqiptare është vërtetë një prej sekreteve të fundit të mbetura në Mesdhe”.
Ai tha se “turistë ndërkombëtarë kanë udhëtuar deri në këtë vend të vogël të mbushur plot plazhe magjepsëse që janë të gjitha të mrekullueshme për t’i kthyer në pista intime vallëzimi”.
“Ne shpresojmë të ndërtojmë një marrëdhënie të fuqishme me komunitetin lokal në vitet në vijim dhe po punojmë në një numër iniciativash në këtë drejtim, përfshirë punën me artizanë dhe tregtarë të zonës, duke kërkuar DJ shqiptarë të talentuar për të performuar dhe për të mbledhur fonde për fëmijët e fshatit SOS. Një bamirësi për t’u kujdesur për fëmijët në nevojë”, shtoi Donnelly.
Pjesëmarrësit e këtij festivali mundën të marrin pjesë në shumë aktivitete si meditime, seanca për fleksibilitet, joga dhe “gong baths” (qetësim nëpërmjet tingujve të një daulleje të madhe).
“Ajo që i bën Explorations unike janë qasja jonë gjithëpërfshirëse ndaj eventit dhe komuniteti i jashtëzakonshëm i fansave të Anjunadeep”, thekson Donnelly . /G.S/ KultPlus.com
Një artikull nga studiuesi anglez Dr.David Harrison Përkthyer nga Mevi Rafuna
Kur Lord Byron vizitoi Shqipërinë me 1809, në kuadër të Grand Tour ( ishte një udhëtim rreth botës, që e bënin të rinjët e aristokracisë angleze, në shek. XVIII dhe shek.XIX,) ishte nën shoqërimin e mikut të tij John Hobhouse, ai u inspirua për të shkruar poemën e tij epike, Peligrinazhi i Childe Harold’s , poema përmbledhte eksperiencën e tij në Shqipëri; pasi që Lord Byron e kishte gjetur veten të mirëpritur në një vend të panjohur në periferi të Europës. Lordit Byron i ishte dhuruar një kostum tradicional, të cilin ai e kishte veshur në portretin e tij tashmë të famshëm, e që ky kostum shfaqte esencën e bukurisë s’ë traditës shqiptare duke i falur shkëlqimin poetit romantik. Në Shqipëri Lordi Byron takoi Ali Pashën (1740-1822), Prijësin shqiptar, fama e të cilit kishte pushtuar Ballkanin, në luftën e tij ndaj osmanëve. Mikpritja që Ali Pasha bëri ndaj poetit romantik, bëri që ky i fundit t’i jap përjetësinë Ali Pashës në vargjet e tij poetike. “Nuk flas nga mëshira, nuk flas nga frika, Ai s’do t’ja dinte që t’i shërbente Vezirit, Që nga ditët e profetit tonë, osmanët nuk panë, Një prijës kaq madhështor si Ali Pasha”.1 Kush ishte ky shqiptar i madh, që kishte kaq ndikim në Byron-in? Ali Pasha nga Tepelena, me të bëmat e tij tërhoqi vëmendjen e osmanëve si një bandit, e që më vonë me titullin e tij prej Pashai do zgjeronte pushtetin në territoret e jugut të Shqipërisë dhe veriun e Greqisë, duke u vendosur në Janinë, që tani gjendet në veriperëndim të Greqisë. Ali Pasha e adhuronte Byron-in dhe sigurisht Aliu krijoi një impresion të përhershëm në poetin, i cili i referohet atij si Childe Harold dhe Don Juan. Kështu në një letër që Byron ia dërgon nënës, e përshkruan takimin me Ali Pashën kështu: ‘Ai më tha mua ta konsideroja atë si baba, ndërsa isha në Shqipëri dhe më thoshte se më shikonte mua si të birin e tij. Me të vërtetë ai më trajtonte si një fëmijë, më dërgonte arra dhe sherbet me fruta, ëmbëlsira, 20 herë në ditë. Ai më lutej ta vizitoja më shpesh, kryesisht gjatë mbrëmjeve kur ai ishte më i lirë. Pinim bashkë kafe dhe tymosnim duhan, e që për mua ishte hera e parë që provova duhanin.”2 Kohë më vonë, kur Byron arrin në Janinë, Ali Pasha ishte në një betejë kundër osmanëve, ndërsa Byron-i shkon direkt në shtëpinë e Ali Pashës në Tepelenë dhe e pret për ta takuar. ‘Ekziston një teori nga një studiues i Byron-it, Peter Chochron, i cili thekson se takimi i Lordit Byron me Ali Pashën është zhvilluar për të inkurajuar Ali Pashën që të mbështeste interesat britanike në Ishujt Jonian.’3 ‘Në të vërtetë ky nuk ishte rasti i fundit që Byron filtronte me intriga politike.’4 Vizita në Shqipëri la gjurmë të përjetshme në krijimtarinë letrare të Lord-it Byron. Kujtimet e tij ai do i shkruaj përsëri në poemën epike me titullin Don Juan, ku ai i referohet imazhit të një shatërvani në dhomë; ‘Një shatërvan mermeri pikon në errësirë me trishtimin…’5 ‘Ky shatërvan ishte edhe në sallonin e Ali Pashës, kjo vjershë rrëfen një përrallë në stilin e joshjes otomane ku një ‘eunuk i zi’ blente të pafetë dhe një Don Juan i cili hyn në dhomën që ngjallë trishtim, e që duhet e pajetë.’6 Kur Lordi Byron la pallatin dhe mikpritjen e Ali Pashës për t’u larguar në territoret greke, ai ka mundësi të këtë takuar Andreas Londros një person jo shumë i njohur i cili më vonë u bë lider në luftën greke për pavarësi. Byron u kthye përsëri me 1823 në Shqipëri, por një vit më herët me 1822, miku i tij Ali Pasha pa fundin në luftën me osmanët. Koka e tij e prerë iu dorëzua si trofe Sultan Mehmet II. Ndërsa trupi i tij prehet në mauzole pranë xhamisë Fetije në Janinë. / KultPlus.com
Pjesë të turizmit që shqiptarët i anashkalojnë, të huajt kanë gjithmonë e më shumë interes dhe e shijojnë më së shumti gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha gjatë një interviste televizive se janë të huajt ata të cilët na mësojnë akoma edhe më shumë Shqipërinë tonë. Sipas saj, ata janë të parët që kanë vizituar Thethin apo Valbonën si dhe shprehin interes të lartë për turizmin natyror e sportiv.
“Janë të huajt ata të cilët na mësojnë akoma edhe më shumë Shqipërinë tonë. Po të takosh të huajt, ata janë të parët që kanë qenë ne Theth, në Valbonë, Zogaj, Shirokë, e vende të tjera. Ka shumë të huaj që shkojnë në Nivicë dhe vizitojnë kanionet e Nivicës. Ka pjesë të turizmit që ne Shqiptarët disi i kemi anashkaluar apo mënjanuar që kanë të bëjnë më turizmin sportiv, më turizmin natyror të cilët të huaj e shijojnë gjithmonë e më shumë. Ata patjetër që janë larguar bregdetit, ata e shijojnë për dy apo tre ditë dhe më pas vazhdojnë drejt pjesëve më të brendshme të Shqipërisë. Edhe pjesa e Rilindjes Urbane ka bërë të mundur që të shtohen edhe disa funksione të tjera”, -theksoi Margariti.
Ministrja tha po ashtu se është thelluar bashkëpunimi me bashkitë dhe kjo vihet re në organizimin e festave lokale tanimë jo vetëm në qytete por edhe fshatra.
“Ka ndryshuar sidomos kam vënë re bashkëpunim me bashkitë për festat lokale. E lidh ketë edhe me atë qe u tha më parë, me pjesën e folklorit, e traditës, është një nismë që vazhdon edhe tani. Në këtë sezon turistik kemi bashkëpunim shumë të mira me bashkitë. Ne kemi një Task forcë të ngritur, një grup punë në ministri, një kalendar aktivitetesh. Me ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit ka gjithashtu një bashkëpunim shumë të mirë për të gjithë këtë kalendar. E rishikoj me interes atë që thashë edhe në fillim. Pra, është një zinxhir nismash dhe nuk ngelemi më vetëm në qytetet por vazhdojmë edhe me aktivitete të tilla i kryejmë në kala ose vende të tjera në zonat rurale”, -shpjegoi ajo.
Më tej, Margariti tha se është rritur numri i turistëve që promovojnë traditat shqiptare.
“Jo më larg se dje isha në Krujë dhe aty takuam një grup që ishin turistë dhe artistë bashkë, holandezë të cilët bashkë me një grup folkloristik po ndërmerrnin një nismë që kishte të bënte me promovimin e kësaj pjese të folklorit tonë në Holandë. Të gjitha këto janë të mbështetura nga ne, nga fakti që i lejojmë të bëjnë xhirimet e tyre”, -tha Margariti. Ajo nënvizoi se interes të lartë për Shqipërinë kanë shfaqur edhe gazetarë të huaj në gazeta e revista prestigjioze.
“Kemi shumë interes nga gazetarë të huaj, të cilët gjithnjë e më shumë kanë interes më të madh për sitet arkeologjike, i bëjmë të vizitueshme dhe të frekuentueshme gjatë periudhave të caktuara sidomos për grupet e gazetarëve të mëdhenj. Kemi në dorë monumente shumë të rëndësishme që në këtë moment është në dorën tonë dhe është e rëndësishme që të fillojmë ti promovojmë dhe t’i promovojmë mirë. Ne i kemi, duhet t’i dokumentojmë dhe të dimë t’i tregojmë bukur. z.tosku/ /atsh / KultPlus.com
Shqipëria turistike e cila ofron një itinerar gjithëvjetor dhe ka një natyrë të mrekullueshme në katër stinë, vijon të mbetet destinacioni i preferuar i turistëve nga Europa.
Për turistët Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë vijon të jetë një nga destinacionet më të preferuara. Në këto ditë ku ka nisur dhe sezoni turistik rrugët e kryeqytetit janë të mbushura me turistë të huaj.
Gjatë një vëzhgimi nga Agjencia Telegrafike Shqiptare grupet e turistëve i gjen kryesisht përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, tek “Piramida”, por edhe në muzeumet e Tiranës, të cilat mbeten një nga pikat e preferuara të tyre, pasi turistët nga Europa kanë interes të mësojnë shumë për kulturën dhe traditën shqiptare.
Turistët e huaj përveç Tiranës, kanë vizituar edhe qytetin muze të Beratit, Gjirokastrën, Sarande Durrësin, Shkodrën, Tropojën, etj.
Ata shprehen të mrekulluar nga bukuria natyrore, historia, kultura dhe mikpritja e shqiptarëve.
Turistët e huaj që gjenden në Tiranën gjatë këtyre ditëve, janë nga vende si Holanda, Gjermania, Franca dhe Anglia gjë kjo e cila vërteton se tashmë Shqipëria është një pikë kyçe e itinerareve turistike për këta turistë.
Një turiste nga Holanda shprehet se, “kjo është vizita jonë e parë në Shqipëri. Është vend i mahnitshëm. Na pëlqen vërtet ky vend. Për ne është magjepse që ju keni një përzierje ndikimi otoman, italian, por dhe komunist gjë që përbën një përzierje interesante”.
Turistja holandeze vijon se “njerëzit janë shumë miqësorë, ishte një eksperiencë e mrekullueshme. Ne qëndruam këtu për tre javë duke i rënë përreth Shqipërisë. Filluam në Tiranë, shkuam në jug, në Butrint. Pamë Beratin, Gjirokastrën dhe Vlorën. Më pas vijuam udhëtimin tonë në veri, në Theth, pamë liqenin e Komanit dhe ishte shumë i bukur. Mikpritja na bëri përshtypje, e ndjemë se njerëzit e bëjnë me dashuri, dhe kjo të bën përshtypje. Do rikthehemi përsëri, pasi duam të shohim shumë gjëra në Veri. Nuk patëm kohë të mjaftueshme për të bërë ecje të gjata në Veri. Duam vërtet të vijmë përsëri”.
Një i ri nga nga Gjermania shprehet se, “kjo është hera e parë që vij në Shqipëri. Arkitektura në Tiranë është vërtetë e mahnitshme, të lë pa frymë. Mendoj se këtu është vërtet këndshëm. Në Tiranë do qëndrojmë dy ditë dhe në të gjithë Shqipërinë tri javë. Do shkojmë në Alpet e Shqipërisë dhe Rivierën në Jug. Njerëzit këtu janë shumë miqësorë dhe mikpritës. Janë njerëz të mirë”.
“Në Tiranë do të qëndrojmë vetëm dy ditë. Këtu është shumë bukur. Ka shumë pemë dhe gjelbërim. Njerëzit janë shumë të mirë. Ushqimin ende nuk e kam provuar, por mëngjesi ishte shumë i mirë”, – shprehet një tjetër turiste nga Gjermania.
Një çift turistësh gjermanë u shprehën se, “kjo është hera e parë që vijmë në Shqipëri. Do udhëtojmë rreth gjithë Shqipërisë nga veriu, në lindje dhe jugu në perëndim. Këtu çdo gjë është e bukur. Veriu është shumë i mirë për të bërë ecje. Jugu është interesant për kulturë si Butrinti dhe lindja për liqenin e Ohrit. Në Tiranë gjithçka është shumë ndryshe. Njerëzit janë shumë miqësorë dhe të sjellshëm. Ia kaluam shumë mirë këtu. Çdo gjë është e mirë në Shqipëri”.
Një tjetër turist nga Anglia tha se “vij për herë të tretë në Shqipëri. Më pëlqen shumë është një vend interesant me një histori të mahnitshme. Kemi ardhur në Shqipëri me një grup studentësh për të mësuar për Shqipërinë dhe historinë e saj. Ky udhëtim do jetë një përvojë e mrekullueshme. Do qëndrojmë pesë ditë në Shqipëri. Do shkojmë në Elbasan, Librazhd, Durrës dhe natyrisht në Tiranë. Këtu më pëlqejnë shumë njerëzit pasi janë miqësorë dhe interesantë. Këtu dëgjon shumë histori mahnitëse”.
“Jam nga Franca dhe është vizita ime e parë në Shqipëri. Tirana është qyteti i parë që kemi vizituar. Do shkojmë në Jug. Gjithashtu do vizitojmë Beratin dhe më pas në det”, – u shpreh një tjetër turiste nga Franca. /atsh/ KultPlus.com
Gazeta më e madhe e Pakistanit në gjuhën angleze ”The Express Tribune” rendit pesë vendet me shumicë myslimane, që nuk duhen humbur së vizituari.
Sipas kësaj gazete, Shqipëria ndodhet në pesë vendet kryesore që përbëjnë trend në në destinacionet turistike për këtë vit.
”Një sekret i jashtëzakonshëm ballkanik i ruajtur më së miri, Shqipëria ka një pafundësi atraksionesh natyrore që duket se duhet të jetë në listën e çdo blogeri udhëtimesh. Çdo gjë, që nga malet me kurora dëbore te plazhet e kristalta dhe një trashëgimi të fortë islame në zemër të kryeqytetit të saj kozmopolit”, shkruan ”The Express Tribune”.
”Por, jo vetëm kjo, pasi Shqipëria ka një histori të shquar mikpritjeje. Le të mos harrojmë faktin shqiptarët mbrojtën hebrenjtë gjatë Holokaustit nazist dhe të gjithë ata arritën të mbijetonin në Shqipëri”, shton gazeta.”Riviera Shqiptare. Mendoni plazhe me rërë me ujëra blu në jeshile, rrugë të gurta dhe lule kudo. Plazhet më të mira për t’u vizituar janë Dhërmiu, Drimadhe, Vuno, Qeparo dhe qyteti bregdetar i Himarës”, përfundon gazeta më e madhe e Pakistanit në gjuhën angleze ”The Express Tribune”./ atsh / KultPlus.com
Kanina, 3 km larg qytetit bregdetar të Vlorës, është e njohur për bukurinë e saj të rrallë.
Pamja që të ofron ky fshat mbi qytetin e Vlorës është mbresëlënëse për këdo që e viziton këtë fshat turistik, shumë pranë Vlorës.
Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmengjes me një video, nga ku shfaqet peizazhi mahnitës i Vlorës.
“Mirëmengjes dhe me këto pamje nga Kalaja e Kaninës, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.
Kalaja e Kaninës shpalos historinë 3000-vjeçare të kësaj qendre të banuar, që është më shumë se një thesar për kombin.
Kalaja dhe fshati, ndodhen në një pikë strategjike me një bukuri të rrallë. Sot Kanina përmban rreth 253 objekte. Përveç kalasë, ndodhen aty edhe 3 objekte monument kulture të kategorisë së parë: Teqeja e Kaninës, banesa e Shefikat Begajt dhe banesa e Kujtim Hamzait.
Në lagjen e vjetër të Kaninës ka edhe banesa të tjera që spikasin me vlerat e tyre arkitektonike dhe dekorative, të cilat meritojnë të bëhen pjesë e trashëgimisë sonë kulturore./ atsh/ KultPlus.com
E izoluar nga pjesa tjetër e botës për një periudhë të gjatë të shekullit të XX, nuk është e habitshme që njerëzit e njohin kaq pak Shqipërinë, fillon reportazhin për vendin tonë portali i njohur londinez ”City Matters”.
Vetëm pas vitit 1991, kur regjimi brutal komunist u rrëzua, të huajt filluan të zbulojnë malet epike, fshatrat e thellë dhe plazhet e kristalta mesdhetare të përhapura në të gjithë vendin.
Shqipëria konsiderohet si Kroacia e re dhe një xhevahir i fshehur i Mesdheut për shkak të peizazhit të saj shumë të larmishëm.
Fshatrat e vogla janë ende të mbushura me banorë të zonës që drejtojnë sipërmarrjet tyre dhe plazhet janë të pastra dhe pa shumë njerëz, edhe në muajt më të nxehtë. Por kjo nuk do të zgjasë shumë. Ajo, pa dyshim që do të përballet me të njëjtin fat si vendet fqinje Greqia dhe Kroacia. Pra nëse keni ndërmend ta vizitoni, bëjeni sa më shpejt.
Bjeshkët e Namuna
Kjo zonë malore që njihet si Alpet Shqiptare, por që preferohet më shumë emërtimi që duket sikur ka dalë nga filmi “Lord of the Rings”, Bjeshkët e Namuna.
Dhe me siguri i përshtatet më së miri këtij emir. Atu mund të gjeni disa nga pamjet më mbresëlënëse, si dhe duhet të lodhesh shumë për t’i arritur ato. Sepse industria e turizmit është ende në hapat e para dhe aty mund të shkohet falas për ata që janë të gatshëm të bëjnë një ecje të gjatë mes maleve. Megjithatë, vështirësia e bën qëllimin përfundimtar shumë më shumë shpërblyes.
Izolimi e bënë gjithë këtë zonë të duket sikur është imagjinare dhe shumë larg Europës së shekullit XXI. Mes shkëmbinjve të thepisur që qëndrojnë sipër luginave të gjelbra ndodhen shtëpi të vogla prej guri shumë të vjetar dhe komunitete tradicionale të cilët ecin hap pas hapi me ujqërit.
Parku Kombëtar i Thethit është një prej pjesëve më të famshme dhe të arritshme të Bjeshkëve të Namuna dhe ofron pak nga çdo gjë. Është njësoj si Lugina e Madhe në filmin “Land Before Time”, një oazë biodiversiteti, rrethuar nga maja të thepisura. Poshtë luginës gjenden sisteme të gjata lumenjsh, lagunash, ujëvarash dhe çdo gjë tjetër që lidhet më florën dhe faunën e egër. Duket kaq shumë origjinale.
Riviera shqiptare
Ndërsa vargmalet janë pjesa më pak e vizituar e Shqipërisë, plazhet sigurisht që janë më popullorët. Rekomandohet të marrësh me qira një makinë kur shëtit vijën bregdetare që të mund të ndalosh në çdo plazh të fshehur që të del përpara, nga të cilët ka shumë për t’u numëruar.
Për ata që kanë një buxhet të limituar, ka ende shumë autobusë që përshkruajnë zonën dhe autostopi vazhdon të jetë shumë popullor. Shqiptarët i marrin të huajt me kënaqësi dhe duke i dërguar nga një qytet bregdetar në tjetrin. Saranda është një prej qendrave më të mëdha për të pasionuarit pas detit. Aty mund të gjesh jetën e natës më të mirë dhe shumëllojshmëri restorantesh.
Në opinionin tonë, në Shqipëri shkohet për pak paqe dhe qetësi, të paktën për momentin. Duke ecur në drejtim të veriut përgjatë bregut, ndaloni në Palas që ka një plazh shumë të gjatë ku Jul Çezari dhe trupat e tij mbërritën gjatë Luftës Civile në Romake në vitin 48 pas e.s. Vizitorët ende mund të gjejnë relikte të këtij zbarkimi, si dhe disa mure mbrojtëse të braktisur të historisë së gjatë shqiptare.
Dhërmiu është gjithashtu një destinacion që duhet të vizitohet, me plazhet e tij mahnitëse, limane dhe gjire të fshehur. Një prej vendeve më piktoresk është Drimadha, që është aq i gjatë sa që kurrë nuk duket i mbushur. Këtu mund të gjeni resorte të lira dhe hotele luksoze.
Tirana
Para se kapitalizmi t’i zinte vendin komunizmit, kryeqyteti i Shqipërisë ishte i njohur si një qytet gri dhe i ngadaltë. Por Tirana ka ndryshuar me hapa të shpejtë në dekadat e fundit, duke u bërë një kaleidoskop ngjyrash dhe kulture. Sigurohuni të mos humbisni kutitë elektrike që janë mbuluar me lloj-lloj veprash arti.
Sheshi Skënderbe është gjithashtu një pikë ku do të kaloni shumë herë ndërkohë që shkoni tek Muzeu Kombëtar i Historisë, Pallati i Operas, Xhamia e Et’hem Beut dhe Monumenti i Skënderbeut që i dedikohet liderit shqiptar që i rezistoi osmanëve.
Bunk’Art ndodhet pak më larg, por ia vlen rruga. Bunkeri që ishte ndërtuar nga regjimi i Hoxhës, është transformuar në një vend ekzibicioni dhe hapësirë eventesh ku arti dhe objektet historike përzihen. Ky është vendi perfekt ku tregohet se si Tirana përqafon të kaluarën e saj, duke e kthyer disa të errët dhe tronditëse në shkëlqim dhe plot pozitivistet. / atsh / KultPlus.com
“Pasi dëgjonin se sapo ishim kthyer nga një udhëtim në Greqi dhe Shqipëri, askush nuk na pyeste për Greqinë. Pyetja që na bënin të gjithë ishte përherë e njëjta… Po pse në Shqipëri?”, shkruan blogerja e njohur kanadeze, Colleen Friesen, në faqen e saj të internetit www.colleenfriesen.com, në një përshkrim të kujdesshëm për Shqipërinë, i trajtuar në mënyrë shumë interesante.
Por, babai im do të thoshte: Pse jo në Shqipëri?
Në rregull. Ndoshta ai nuk thoshte pjesën e Shqipërisë, por sigurisht që i pëlqente të përgjigjej me pse jo? sa herë që i jepej mundësia.
Megjithatë, për të kapërcyer faktorin pse jo, sugjeroj këtë foto të parë si përgjigje. Mes Malit të Zi dhe Greqisë, Shqipëria ka 482 kilometra vijë bregdetare, me shumë plazhe.
e më pas do të kaloja te pasuria arkeologjike…
ose ndoshta tek njerëzit e dashur…
ose te barinjtë e deleve, lopëve dhe dhive…
ose te fakti se ”fëmija” brenda meje kishte qejf të thoshte shitet. Dhe pata mundësi ta thosha për shumë kohë pasi tabelat shitet gjendeshin gjithandej…
Edhe pse regjimi shtypës shkatërroi këtë vend, njerëzit dhe disa prej ndërtesave arritën të mbijetonin.
Kishte edhe disa arsye të tjera, disa prej të cilave i zbuluam ndërkohë që udhëtonim në këtë vend:
ne gjithsesi do të shkonim në Greqi dhe Shqipëria ishte ngjitur me Greqinë, kështu që ishte e thjeshtë.
nuk kishim qenë kurrë aty.
për vite të tëra kemi udhëtuar në vendet më lindore të Europës. Kemi qenë në Hungari, Bullgari, Rumani, Republikën Çeke, Kroaci, Mal të Zi, Bosnje-Hercegovinë, Estoni dhe me një udhëtim në Greqi, dukej e thjeshtë të shkonim në Shqipëri.
mënyra e vetme që unë të kuptoj dhe përvetësoj historinë e një vendi është duke shkuar atje. Mund të lexoj çdo libër historie, por nëse nuk e shoh vendin, thjesht nuk më ngjit. Unë gjithashtu mësoj duke lexuar libra të shkruar në atë vend (në Tiranë, gjeta disa përkthime në anglisht të autorit fitues të shumë çmimeve ndërkombëtare, Ismail Kadare, por nuk munda të thellohem në historinë e Shqipërisë. Po e ndjeja tashmë shumë dhimbjen e vendit. Kam plan ta lexoj tani që kam ardhur në shtëpi).
5 – Pas Luftës së Dytë Botërore, vendi me shumicë myslimane, ishte i vetmi vend në Europë ku, pas mbarimit të luftës kishte më shumë hebrenj se sa para fillimit të saj. Në fillim të luftës kishte rreth 200 hebrenj në vend. Rreth 2 000 hebrenj të tjerë duke iu larguar Hitlerit, u strehuan gjithashtu në vend. Pavarësisht kërcënimeve ekstreme naziste, hebrenjtë u mbajtën dhe u strehuan në familjet myslimane. Shqiptarët refuzuan të dorëzonin listat që iu kërkuan me emrat e tyre. Kjo vjen si pasojë e kodit shqiptar të nderit të quajtur ”Besa” që përfaqëson tolerance fetare dhe trajtim me respekt dhe barazi ndaj të tjerëve. Mysafirët duhen mbrojtur dhe çdo refugjat hebre konsiderohej i tillë. Kjo histori është akoma pjesë e rëndësishme e nderit kombëtar të Shqipërisë.
6 – Ne mundohemi të mos harxhojmë shumë dhe Shqipëria është ideale për këtë. Qëndruam në disa hotele spektakolare dhe hëngrëm ushqim shumë të mirë për më pak dollarë kanadezë nga sa kishim harxhuar në një hotel të lënë në Grand Folks. Gjithashtu, shqiptarët dinë se si të bëjnë pije shumë të mira dhe, ashtu si grekët, duan të ulen në kafenetë e pafund dhe e zgjasin një kafe për disa orë.
7 – Malet pranë qyteteve ishin shumë interesantë për t’u eksploruar.
Ushqimi ishte i freskët dhe plot aromë; mish qengj organik, oktapod, kallamar, mish derri, fruta, perime dhe të preferuarat e mija, pak patate të skuqura në mëngjes … të shkëlqyera.
Ishte kënaqësi të shikoje të gjithë grupet e burrave të moshuar të veshur e të mbërthyer duke luajtur domino dhe shah. Unë nuk e dija që mund të vije një gur dominoje duke shkaktuar aq shumë zhurmë.
Megjithatë, jo çdo gjë ishte e mrekullueshme. Komunistët e donin arkitekturën e shëmtuar. Ata kërkonin të ndërtonin ndërtesa katrore, në blloqe, ngjyrë gri dhe kërcënuese. Dhe akoma më keq, në vitin 1967, kur ata e shpallën Shqipërinë vendin e parë ateist , shkatërruan shumë xhami dhe kisha, pa përmendur vrasjen dhe burgimin e imamëve dhe priftërinjve.
Çfarë ndjeva se mungonte në Shqipëri ishte bukuria spontane e Greqisë. Duket sikur mungonin disa detaje hijeshie… si mënyra se si grekët shpesh përdornin kanaçet e vajit të ullirit si vazo lulesh në shtëpitë borë të bardha. Megjithatë, pamë shumë grafiti agresivë në Athinë dhe Selanik, që në Shqipëri kishte shumë pak.
Shumë nga shtëpitë më të reja që pamë në fshat dukeshin shumë utilitare. Nuk është habi, pasi regjimi i tmerrshëm ishte në fuqi deri në vitin 1991. Ende nuk ka shumë para shtesë për asgjë përveç bazikeve. Ndoshta bukuria vjen vetëm pasi të kapërcehet mbijetesa?
Megjithatë, në një shtet me rreth 3 milionë banorë, me një milion që jetojnë në kryeqytet, ka shumë shpresa. Për shkak se shumë njerëz kanë migruar nga vendet e origjinës në kryeqytet, Tirana ka mbjellë në bulevardet e bukura pemë dhe barishte që përfaqësojnë fshatrat nga i gjithë vendi. Ata po pikturojnë muret e shumë ndërtesave me ngjyra të ndryshme. E gjithë kjo tregon shpresën dhe qëndrueshmërinë e pabesueshme të këtyre njerëzve.
Vendi akoma përkufizohet si mysliman, edhe pse duket të jetë më shumë nga ana kulturore se sa fetare. M’u duk si këndvështrimi që kam unë për rrënjët e mija menonite… unë jam më shumë për ushqimin dhe gjërat menonite se sa për fenë. Nëpër vend, pamë shumë pak myslimanë të veshur me veshje tradicionale të fesë. Pothuajse të gjithë të rinjtë vishen me rroba të stilit perëndimor dhe mbajnë në dorë celularin e pashmangshëm.
Ne shkuam në një tur me ecje në Tiranë dhe guida na tha se gjatë regjistrimit kombëtar, babai i tij e deklaroi veten mysliman. Guida i kishte thënë të atit: ”O ba, e para, ushqimi yt i preferuar është mishi i derrit. Dhe e dyta, kur ka qenë hera e fundit që ke shkuar në xhami?”. Dhe babai kishte rrudhur supet.
Pasi kaluam nëntë ditë duke i dhënë makinës në ”Skoda”-n tonë të vogël me qira, Kevini u bë mjaft ekspert në metodën shqiptare të mos lirimit të rrugës. Koncepti i radhës ose i kthimit as nuk konceptohet në Shqipëri. Ne gjithashtu mësuam se makina kishte përparësi ndaj këmbësorëve. Nuk ka tolerim në kalimin e rrugës në Shqipëri.
Por, përtej kësaj njerëzit ishin shumë të sjellshëm, të ndihmonin shumë dhe ishin të lumtur që ne po na pëlqente vendi i tyre. Ky është një nga ato vende ku e di që çdo lek që harxhon po ndihmon në mënyrë të drejtpërdrejtë një vend që të ngrihet në këmbë.
Nëse kam mësuar ndonjë gjë përmes udhëtimeve, është se kryesisht… njerëzit janë të mirë.
Njerëzit gjithandej thjesht duan të jetojnë në mënyrë të ndershme, të mësojnë, të luajnë, të shijojnë komunikimin përmes ushqimit dhe të krijojnë në jetesë të mirë për fëmijët e tyre. Shumica prej nesh thjesht duan të jetojnë në paqe dhe të respektohen.
Bukuria e të shkuarit në vende të reja është mundësia për të zbuluar se si çdo vend i qaset këtyre gjërave në kontekstin e kulturave të tyre të veçanta. Këto interpretime i bëjnë udhëtimet interesante.
Ju që hyni në Shqipëri, lini çdo vend tjetër. Kalimi i Adriatikut është mënyra më e mirë për të rishkruar perceptimin italian të kësaj toke dhe të këtij populli, shkruan “lagenziadiviaggi.it”, rrjeti i parë multimedial i informacionit turistik në Itali.
”Jo një komb i vjetër, konservator dhe i varfër, por i ri (më shumë se ai italian), i projektuar drejt së ardhmes dhe me një ekonomi në zhvillim (OKB vlerëson rritjen e PBB-së në rreth 4%).
Plazhe të ngjashme me ato tonat dhe një det që i ngjan atij grek. Një kuzhinë që ka sintetizuar në mënyrën e vet dhe origjinale ndikimet greke, otomane dhe madje italiane dhe një mikpritje që është tipike për një destinacion të ri turistik, pak naive, por që dëshiron të përmirësohet. Shqipëria mund të nënkuptojë në radhë të parë detin. Në jug, nën Ngushticën e Otrantos, janë brigjet që dalin nga Joni: toka shkëmbore dhe ujëra të qarta. Si një lloj Greqie apo Pulia e Ballkanit.
Në Sarandë, një nga vendpushimet kryesore turistike, janë hotelet e mëdha të ndërtuara nga viti 2000 e këtej me pamje nga deti. Resorte të tilla si «Bouganville Bay», që përfshin një SPA, dy pishina të brendshme të mbushura me ujë nga deti Jon dhe një sërë dhomash me pamje nga gjiri, si dhe një pamje të detit të rezervuar për klientët, me shezlongë të vendosur deri në metrin e fundit të platformës.
Një port i vogël shqiptar, por që ka tashmë një shëtitore të rindërtuar në dekadën e fundit.
Fshati i afërt i Ksamilit ofron një peizazh më të gjelbër, me plazhet e tij të krijuara duke hequr gurët dhe duke i zëvendësuar ato me rërë. Në kohën e komunizmit e quajtën “qytet pa varreza” sepse shteti kishte nxitur familjet e reja që të jetonin në këtë zonë, e cila në atë kohë ishte e mbushur vetëm nga disa kazerma dhe që për shumë vite nuk pati asnjë funeral.
Një det disi i ndryshëm është ai i Durrësit (më tej në veri përgjatë bregdetit). Shumë më tepër i ngjashëm me rivierën romanjole apo të Markexhanës, plazhet këtu janë të gjatë dhe plot me rërë natyrore. Hotelet janë ndërtuar direkt pranë plazhit dhe shumë hotele si “Blu Fafa” ofrojnë një pishinë me pamje nga deti dhe një linjë të gjatë çadrash për ata që nuk duan të heqin dorë nga rëra nën këmbët e tyre. Sigurisht që nuk duhet të habitemi nëse ecja pengohet nga disa mbetje të komunizmit, si kullat e vjetra të përforcuara të betonit, të ndërtuara dikur për të parë pushtuesin kapitalist që mund të vinte nga deti.
Por, Shqipëria nuk është vetëm det. Në jug të vendit, UNESCO ka njohur dy vende si Trashëgimi Botërore: Butrintin dhe Gjirokastrën. E para është një nga vendbanimet më të vjetra në zonë, sot një park natyror që mbulon një sipërfaqe prej 94 kilometrash katrore. Këtu u vendosën grekët dhe romakët, dhe sipas Virgjilit, këtu ka qënë dhe Enea dhe shekuj më vonë arritën venecianët.
Gjirokastra është një nga qytetet më të vjetra, një shembull i rrallë i vendbanimeve osmane, shqiptarët e quajnë atë “qytet argjendi”, sepse pas shiut duket se shkëlqenin gurët e bardhë dhe gri të ndërtesave dhe çative. Mos lini pa provuar një nga oshafët më të mirë në vend, një ëmbëlsirë me qumësht të kondensuar të deles, kanellë dhe fiq të thatë.
Por, nëse doni të mësoni për historinë e Shqipërisë, nuk mund të mos shkoni në Krujë, qytetin e Skënderbeut, në veri të vendit. Për heroin shqiptar, i cili mundi osmanët dhjetëra herë, ka një muze-kështjellë, i rindërtuar mbi rrënojat e lashta dhe i ngjitur nëpër shkëmbinj. Kjo është një nga zonat e vendit më të përkushtuara drejt turizmit, restorante si ‘’Panorama’’ ofrojnë dreka me pamje nga kalaja dhe rrugët e qytetit janë ende të shtruara me gurë qindravjeçarë, tanimë të zbutur nga kalimet e shpeshta aty dhe nga moti.
Vetëm për sa i përket historisë, Shqipëria ende duket të jetë “e pandreqshme”. Gjatë periudhës së komunizmit të gjitha gjurmët e kulturave të kaluara janë fshirë për një të ardhme të përjetshme tipike të diktaturave. Kishat dhe xhamitë e mbyllura ose të shkatërruara, feja e vetme e mundshme apo narrativa ishte vetëm ajo e shtetit. Një represion dekadash që shpërtheu në zemërim kur komunizmi u zhduk, deri në atë pikë sa u lëvizën të vdekurit dhe trupi i udhëheqësit shqiptar Enver Hoxha, nga varrezat e dëshmorëve u zhvendos në një varrezë më modeste.
Sidomos në Tiranë, shumë ndërtesa janë rilyer për të hequr zymtësinë e komunizmit. Ndërtesat e mesit të viteve 1900 janë zëvendësuar me ndërtesa të reja. Dhe disa struktura ikonike të regjimit kanë mbetur në këmbë pas muajsh debati mbi mundësinë për t’i shembur ato. Kjo ka ndodhur me Muzeun Historik Kombëtar, një ndërtesë që nga viti 1981, dhe me fasadën e mozaikut që portretizon historinë e vendit që nga themelimi i tij.
Shqipëria duket se dëshiron të tregojë veten si një fletë bosh gati për t’u rishkruar. Po ndërtohet kudo dhe po rindërtohen rrugët. Pas ’91, ata që kishin pak para i përdorën ato për të rindërtuar, duke filluar që nga shtëpia. Duke përshkuar vendin mund të vihet re se fshatrat janë të mbushura me shtëpi dykatëshe, aq të reja sa kanë ende erë të suvasë së freskët. Në shumë nga to janë vendosur disa armatura prej hekuri, gati për një kat të ri, sapo të sigurohen para të tjera. Shqipëria është e vendosur të projektojë veten në të ardhmen duke lënë pas të kaluarën. Dhe shqiptarët janë të vendosur të gjejnë tek turizmi një pjesë të pasurisë për këtë hap përpara.
Thirrja e ministrit Klosi për italianët
“Të nderuar italianë, pse nuk vini me pushime në Shqipëri?”
Kjo është pyetja që ministri shqiptar i Turizmit, Blendi Klosi, u kërkon turistëve italianë gjatë një takimi me Sara Calabrese, CEO i operatorit turistik “Dirotta da Noi”, shoqëruar nga 20 agjentë udhëtimi.
“Dy vendet tona kanë shumë gjëra të përbashkëta si dhe marrëdhënie të mira që kanë zgjatur për shekuj me radhë”, thotë ministri.
“Vitin e kaluar shumë kompani italiane turizmi kanë krijuar marrëdhënie me Shqipërinë: sot kemi fluturime të drejtpërdrejta, që ndalen në Sarandë apo Durrës si dhe shumë paketa turistike. Ne ofrojmë jo vetëm detin, por edhe natyrën, kulturën dhe sportet e aventurës. Kështu që ne presim që italianët të jenë mes vizitorëve tanë të parë”, thekson ai.
Në Shqipëri, në kohën e komunizmit, këngët e Sanremos ishin si mallra kontrabandë që këndoheshin dhe dëgjoheshin fshehurazi regjimit dhe sot në Shqipëri, shumë flasin italisht dhe pothuajse të gjithë e kuptojnë atë.
“Vitin e fundit, ne mirëpritëm gjashtë milionë turistë, vitin e kaluar pesë milionë dhe në katër muajt e parë të vitit 2019 tashmë kemi regjistruar + 10%. Prandaj do të donim që numri i vizitorëve italianë të rritet dhe ne tashmë po punojmë për këtë gjë’’, thekson Klosi. / KultPlus.com
Vera po vjen dhe mediet ndërkombëtare i kanë kthyer sytë nga destinacionet përrallore, që duhet t’ua propozojnë lexuesve të tyre.
Ato italiane, edhe këtë vit ndalen te Shqipëria, destinacioni më i ri i Mesdheut, për shkak të bukurisë së detit dhe raportit të shkëlqyer mes cilësisë së shërbimeve të ofruara dhe çmimeve.
Një vend që ofron peizazhe sugjestionuese dhe shumë mikpritje. Veç të tjerash, për italianët Shqipëria është afër dhe arrihet lehtësisht me traget. Por, cilat janë plazhet më të bukura sa i takon pastërtisë së ujit, shërbimit dhe natyrës që i rrethon? Ja çfarë propozon “TGCOM”:
Saranda është pjesa më speciale e brigjeve shqiptare. Ajo është e famshme edhe për atmosferën e natës. E ndodhur mes Jonit dhe kodrinave me ullinj para ishullit të Korfuzit, pak kilometra larg Greqisë, ajo ofron mundësinë e qëndrimit në hotele luksoze me çmime të përballueshme, një vakt në Kalanë e Lëkurësit, eksplorimin e Butrintit pasuri të UNESCO-s, etj..
Riviera e Ksamilit, më në jug, është një tjetër dhuratë e natyrës. Ksamili – thotë “TGCOM”, – konsiderohet si perla e Jonit sa i takon bukurisë. Plazhi i Jalës vjen në stil karaibesh. Është një nga vendet më të bukura të bregut të Jonit, që mbledh të gjitha aromat e Mesdheut.
Pas tij vjen Himara, vërtet joshëse, me aromën e pishave dhe shikimin drejt Jonit. Porto Palermo është plazhi me ngjyrë blu të mëndafshtë, që ka edhe një kështjellë veneciane. Nuk mbetet pas as gadishulli i Karaburunit, një margaritar i natyrës që ofron skenare të jashtëzakonshme, bashkë me ishullin e Sazanit.
Vlora është po ashtu porti i dytë më i madh i vendit, qyteti ku Adriatiku dhe Joni bashkohen. E më në jug të tij vjen Dhërmiu, plazhi i gurëve dhe detit të ëndrrave./ atsh / KultPlus.com
Nga qytete plot jetë, te parqet kombëtare dhe deri tek plazhet mahnitëse të Rivierës Shqiptare, ndajmë me ju vendet më të bukur që duhen vizituar dhe gjërat më të mira që ka Shqipëria, shkruan portali i njohur belg, cheeseweb.eu, i specializuar për udhëtimet.
Shqipëria është një vend i vogël, por i mbushur me destinacione interesante. Vija e gjatë bregdetare e me terren të thyer dhe shumë e bukur po bëhet ngadalë një destinacion turistik shumë i pëlqyer.
Arkitektura osmane, plazhet mahnitëse dhe ajri i freskët mesdhetar e bëjnë Shqipërinë një vend që duhet vizituar me patjetër nga udhëtuesit që preferojnë vendet më pak të udhëtuara. Është në mënyrë të habitshme edhe një destinacion pushimesh i përballueshëm, gjë që e bën vendin perfekt për udhëtarët me buxhet të kufizuar.
Ku ndodhet Shqipëria
E gjendur në Europën Juglindore, Shqipëria kufizohet me detin Adriatik në anën perëndimore. Mali i Zi ndodhet në verilindje të Shqipërisë, ndërsa Kosova në veri të saj. Shqipëria gjithashtu kufizohet me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Greqinë, respektivisht në lindje dhe jug.
Pse ta vizitojmë Shqipërinë?
Shqipëria ishte një vend shumë i izoluar derisa u lirua nga regjimi komunist në vitin 1991. Me kalimin e kohës, numri i udhëtarëve që i drejtohen Shqipërisë për pamjet frymëmarrëse, plazhet mahnitëse dhe zonat historike në të gjithë vendin, është rritur.
Vendi është i mbushur me një shumëllojshmëri destinacionesh turistike, duke filluar nga kështjellat e vjetra në qytete të gjalla e deri tek ecjet e qeta në fshatra. Shumë qytete janë tepër piktoreske dhe plazhet shpesh konsiderohen si bizhuteritë e fshehura që shumë udhëtues ende nuk i kanë eksploruar.
A është Shqipëria e sigurt?
Pasi pati një periudhë të shkurtër trazirash në vitin 1997, Shqipëria nuk ka qenë pjesë e një konflikti të madh që prej Luftës së Dytë Botërore. Rastet e dhunës janë shumë të rralla, madje as hajdutët e xhepave nuk janë shumë të zakonshëm.
Shqipëria është gjithashtu shumë mikpritëse ndaj turistëve, si shumica e Europës. Pasi vizitorët janë akoma një gjë e re, shumë shqiptarë i shohin turistët me kuriozitet, dhe shpesh lënë punët e tyre për të ndihmuar turistët që mund të jenë pak të humbur.
E vetmja zonë ku Shqipëria mund të duket e rrezikshme për turistët është rruga. Shqiptarët nuk i ndjekin mirë rregullat e trafikut dhe qarkullimit rrugor, gjë që mund të çorientojë disa vizitorë. Megjithatë kjo nuk është tërësisht jo normale, pasi pjesa më e madhe e Europës Jugore është kështu.
Vendet më të bukura për t’u vizituar në Shqipëri
Kur kërkon për vendet më bukura në Shqipëri, të paraqiten shumë mundësi. Nga qytetet plot jetë e deri tek plazhet mahnitëse, ka diçka për të gjithë. Plus, vendet e shumta historike tërheqin me patjetër vëmendjen e të pasionuarve pas historisë.
Qytetet më të bukura të Shqipërisë
Nga qytetet e mëdha e deri tek ata të vegjlit, Shqipëria ka shumë çka t’ju ofrojë udhëtuesve që preferojnë të përjetojnë jetën e përditshme si vendasit. Ja disa nga qytetet shqiptare që nuk duhet t’i humbisni.
Durrësi
Durrësi ish kryeqyteti i Shqipërisë. I gjendur në bregdet. Ka disa plazhe të bukura. Megjithatë, bregdeti është i mbushur gjithashtu me restorante të mrekullueshme ku gatuhen produkte deti, duke u bërë kështu një mundësi shumë e mire për ushqim.
Amfiteatri mahnitës Roman dhe muzeu arkeologjik në Durrës thjeshtë nuk duhen humbur. Vetëm duhet të dini se Durrësi mund të jetë pak i mbushur gjatë verës kështu që ata që duan të jenë më në qetësi mund të duan ta planifikojnë udhëtimin e tyre për në pranverë apo vjeshtë.
Gjirokastra
Gjirokastra është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s qyteti është i mbushur me shembuj të arkitekturës osmane. Nëse mundesh do të vizitosh Gjirokastrën vitin e ardhshëm, ndoshta në 2020-tën, atëherë duhet ta shohësh me patjetër. Gjithashtu planifiko të ndalosh në pazarin osman, i cili duhet të jetë në listën e çdo udhëtuesi.
Berati
I njohur si “Qyteti i një mbi një dritareve”, Berati konsiderohet prej shumë personave si një nga qytetet më të bukura në të gjithë Ballkanin. Kishat e epokës osmane dhe bizantine janë një shembull i mrekullueshëm i arkitekturës historike. Plus, aty gjendet një kështjellë e shekullit të 13-të në majë të kodrës nga ku shikohen fshatrat përreth.
Nëse do të kalosh ca kohë duke eksploruar historinë e qytetit, bën mire të shkosh në dy muzetë unikë. Aty mund të shohësh kostume vendase dhe objekte të vjetra të ndryshme.
Plazhet më të bukur të Shqipërisë
Me bregdetin e gjatë, plazhet e Shqipërisë duhet të jenë në listën e çdo udhëtari. Megjithatë me kaq shumë mundësi zgjedhjeje, të zgjedhësh nuk është e lehtë.
Nëse do ta fokusosh agjendën në plazhet që duhen parë patjetër, ja një listë e tyre.
Plazhi i Palasës
Nëse do të guxosh të udhëtosh mes rrugëve të Llogorasë , shpërbleje veten tënde me një udhëtim në plazhin e Palasës. Rrugë të mrekullueshme rëre të bardhë dhe uji blu presin ata që ia dalin ta mbarojnë udhëtimin.
Plazhi është me të vërtetë i paprekur, dhe qyteti është i mbushur me kafene madje ka dhe një klub nate. Megjithatë ky nuk është një destinacion i zakonshëm për turistët, kështu që e ruan hijeshinë e tij dhe është gjithmonë një mundësi e mirë për ata që duan të shmangin turmat.
Plazhi i Gjipesë
Shumë e konsiderojnë Gjipenë si një vend që duhet parë me patjetër nga personat që udhëtojnë në rivierën shqiptare. Është një nga vendet më mahnitës në Shqipëri dhe gjendet mes Dhërmiut dhe Himarës.
Borshi
Lehtësisht i konsideruar si një nga plazhet më të bukur në Shqipëri, Borshi është opsioni perfekt për këdo që do të lërë pas zhurmat e qytetit. Në Borsh gjendet vija më e gjatë e bregdetit në të gjithë vendin, pra ata që duan të marrin rreze dielli mund të shpërndahen dhe t’i japin hapësirë njëri-tjetrit.
Nëse do të shohësh një pamje fantastike të plazhit, shko në rrënojat e kalasë së Borshit. Gjendet në anë të shkëmbit dhe ofron një pamje të ujërave të shkëlqyeshëm blu, shumë turistë as nuk e dinë për ekzistencën e saj.
Gjiri i Kakomesë
Gjiri i Kakomesë nuk duket si të gjithë plazhet e tjerë të qetë; duket pothuajse si një parajsë magjike e fshehur. Rëra e bardhë, gjelbërimi dhe uji i qartë blu e bëjnë zonën veçanërisht piktoreske. Plus që mund të arrihet me makinë, edhe pse shumica preferojnë një udhëtim më të thjeshtë me anije.
Pema e thatë
I gjendur pranë ishullit grek të Korfuzit, Pema e thatë është një plazh i vogël, ideal për vizitorët me fëmijë të vegjël. Uji nuk shkon shumë thellë, kështu fëmijët dhe ata që nuk janë notues të mirë ndihen shumë rehat këtu. Gjithashtu uji është shumë i qartë dhe plazhi rrallë herë tejmbushet.
Liqeni I Ohrit
Në brigjet e liqenit të Ohrit, do të gjesh Pogradecin ku gjendet një prej plazheve më të mrekullueshëm në Shqipëri. Është shumë i pëlqyer si nga vendasit ashtu edhe nga turistët si dhe ka shumë hotele dhe restorante interesante me pamje nga uji, që janë të gatshëm të mirëpresin udhëtarët.
Kur gjendesh në anë të ujit mund të shohësh pasqyrimin e maleve në ujë, që e bën veçanërisht të bukur. Gjithashtu, çadrat me ngjyra dhe varkat e peshkatarëve e bëjnë plazhin më të gjallë, dhe I shtojnë energjinë që nuk e gjen në çdo plazh tjetër.
Parqet Kombëtare më të bukura në Shqipëri
Udhëtuesit që ju pëlqen të shijojnë natyrën gjatë udhëtimit të tyre, duhet me patjetër të bëjnë pak kohë për parqet kombëtare të Shqipërisë. Ka disa opsione që ia vjen të eksplorohen, kështu që është i thjeshtë planifikimi i një udhëtimi me këto mundësi zgjedhjeje.
Ja disa nga Parqet Kombëtare më të bukura në Shqipëri.
Parku Kombëtar i Thethit
Me shumë mundësi një prej vendeve më të bukur në Shqipëri është Parku Kombëtar i Thethit. Vizitorët zakonisht dynden drejt kullave të ngujimit ose Ujëvarës së Grunasit, që të dyja spektakolare. Gjithashtu aty ka shtigje të thjeshta për ngjitje dhe mundësi për të eksploruar natyrën, duke u bërë vendi perfekt për ata që kanë dëshirë të kalojnë kohë në natyrë. Ndërsa je aty mund edhe të shohësh ndonjë shqiponjë, ari të murrmë, dhi të egër, madje edhe ndonjë rrëqebull.
Parku Detar Karaburun-Sazan
Parku Detar i vetëm në të gjithë vendin, ai i Karaburunit dhe Sazanit gjendet pranë Vlorës në jug perëndim të Shqipërisë. Mbulon një pjesë të madhe të detit dhe aty gjenden poshtë ujit rrënoja anijesh të mbytura disa prej të cilave datojnë në kohën e romakëve. Shumë i drejtohen kësaj zone për zhytje, për të parë thellësitë e detit.
Jeta detare është e bollshme në park, kështu që mund të shohësh lundra, dre apo derr të egër. Tre lloje breshkash deti jetojnë në park, si edhe delfinët janë vizitorë të rregullt.
Lugina e lumit të Valbonës
Nëse po kërkon aktivitete për të bërë në Shqipëri, ecja midis Thethit dhe Valbonës është një mundësi e mirë. Është një nga rrugët më pak të shkelura në të gjithë Europën, që e bën këtë eksperiencë unike.
Sidoqoftë, edhe nëse nuk keni ecje në axhendën tuaj, nisja drejt Luginës së Valbonës është një shtesë e shkëlqyer për udhëtimin tuaj. I gjendur në veri të Shqipërisë, Parku Kombëtar i Valbonës është vendi ideal për të eksploruar Alpet shqiptare, të mbushura me burime akullnajore, ujëvara dhe maja të thepisura.
Butrinti
Konsideruar si vendi i disa prej gërmadhave më spektakolare në Rivierën Shqiptare, Parku Kombëtar i Butrintit me të vërtetë është një opsion unik në mesin e të gjitha tërheqjeve turistike të Shqipërisë. Vendndodhja piktoreske është pjesërisht historike dhe pjesërisht natyrore. Në park, ju mund të eksploroni mure të lashta të qytetit, një bazilike bizantine, mbetjet e një teatri romak, madje edhe dy kështjella.
Së bashku me gërmadhat, që përfaqësojnë një histori të habitshme 2 500-vjeçare, mund të dalloni disa prej 1 200 llojeve të kafshëve dhe bimëve që banojnë në kodrat, ligatinat dhe ishujt përreth./ /esko/KultPlus.com
E pozicionuar në afërsi të lumit Shkumbin vetëm 4 km larg nga deti Adriatik, Kalaja e Bashtovës është një perlë e fshehur në Shqipërinë qendrore, që pak njerëz, për momentin, kanë fatin për ta parë.
Kështu shkruan gazetarja italiane Francesca Masotti në blogun e saj “Letters from Balcan” duke i kushtuar një tjetër shkrim potencialeve turistike e kulturore të Shqipërisë si ftesë për turistët e huaj.
Fortesa, në fakt, nuk gjendet afër qytetit-muze të vendit, as përgjatë bregdetit të famshëm dhe për pasojë, ende është pothuajse e panjohur për turistët të cilët, të tërhequr nga destinacionet më të famshme, nuk dinë për ekzistencën e saj.
Shtojeni kësaj faktin se informacioni për Kështjellën është shumë i vogël: Bashtova është një nga thesaret më të mira të fshehura të Shqipërisë.
A keni qenë ndonjëherë vizitorët e vetëm në një vend arkeologjik dhe kulturor në Europë? Mua, për momentin, më ka ndodhur vetëm në Shqipëri dhe gjithashtu në Bashtovë kam pasur këtë fat të madh. Por le të shkojmë në historinë e kësaj kalaje.
Sipas shkrimtarit dhe udhëtarit turk Evliya Çelebi, Kalaja u ndërtua nga Venediku në shekullin e 15-të dhe më pas, në vitin 1478, u pushtua nga osmanët. Roli i saj strategjik për kontrollin mbi Detin Adriatik dhe vendndodhja ideale pranë rrugës historike Via Egnatia, ka bërë të mundur që prej dy vjetësh Kalaja është përfshirë në listën paraprake të Unesco, lista e pritjes për t’u regjistruar në trashëgiminë botërore të njerëzimit.
Sot vetëm këto mure (nëntë metra të larta) dhe dy kulla (dymbëdhjetë metra të larta) mbeten nga kjo kala e shkëlqyer drejtkëndore, por sipas disa studimeve arkeologjike, në të kaluarën fortesa duhej të ishte në dy kate.
Ajo që e bën Bashtovën të veçantë në krahasim me kështjellat e tjera që mund të vizitohen në Shqipëri është fakti se ajo është e vetmja kështjellë e ndërtuar në një fushë dhe jo në majë të kodrave apo maleve.
Vendndodhja, në të vërtetë, në mes të fushave të kultivuara është thjesht spektakolare. Këshilla ime? Nxitoni ta vizitoni tani, para se të gjithë ta dinë./k.s/KultPlus.com
“Që nga hapja e kufijve të saj, Shqipëria duket origjinale, e ruajtur dhe tërheqëse”, e nis artikullin e saj media franceze “20 minutes”, duke renditur sitet arkeologjike, peizazhin e paprekur dhe gastronominë si arsye për ta vizituar.
Kryeministri Edi Rama këtë të diel zgjodhi këtë artikull për të uruar një të dielë të qetë. “Me këtë artikull të medias franceze për thesaret tona të trashëgimisë kulturore, biodiversitetin dhe gastronominë si disa ndër shumë arsyet për të vizituar Shqipërinë, ju uroj një të dielë të qetë”, tha ai.
Artikulli i “20 minutes.fr”.
”Që nga hapja e kufijve të saj, Shqipëria duket origjinale, e ruajtur dhe tërheqëse. Një kthesë e vogël për këtë vend interesant, të cilin bota nuk e ka njohur për një kohë të gjatë.
Shqipëria ka plazhe mahnitëse dhe limane të qeta.
Për një kohë të gjatë, Shqipëria mbeti nën petkun e një diktature që përzihet me marksizmin dhe kultin e personalitetit. Sunduesi i saj i vetëm, Enver Hoxha, e izoloi vendin nga pjesa tjetër e botës deri në mesin e viteve 1980.
Si një paranojak që ishte, ky tiran shpërndau gjatë bregdetit bunkerë duke menduar se pushtimi ishte afër. Edhe pse tashmë shumë prej tyre janë shkatërruar, një numër i konsiderueshëm i këtyre ndërtesave të këqija mbeten ende të dukshme. Një film i vitit 1996 “Kolonel Bunker”, i drejtuar nga Kujtim Çashku, të ringjall këtë valë delirante.
A dëshironte Hoxha të mbronte regjimin e tij, apo të ruante në mënyre strikte thesaret e vendit të tij? Kjo pyetje lind që nga hapja e kufijve dhe zbulimi i gjurmëve të pabesueshme të lashta. Shqipëria ka tërhequr me të vërtetë lakminë e qytetërimeve të mëdha: greke, romake, bizantine, osmane dhe ilire, ku me këta të fundit, shqiptarët e konsiderojnë veten pasardhës të drejtpërdrejtë, kanë lënë shenjën e tyre aty.
Në udhëkryq të kulturave
Si një mozaik historik, Shqipëria është një parajsë për të pasionuarit pas arkeologjisë. Vizita në Butrintin e lashtë që ndodhet pranë qytetit të Sarandës, anulon rrjedhën e kohës. Ky port i vogël që bashkohet me ishullin grek të Korfuzit të lë përshtypjen e një tempulli, ky amfiteatër çuditërisht i vendosur në anë të një kodre dhe një manastiri madhështor.
Virgjili dhe Racine aty kanë imagjinuar takimin e Andromakës, Helenusit dhe Eneas. I banuar që nga kohët parahistorike, vendi reflekton tërheqjen e shumë kulturave për këtë vend strategjik me një atmosferë magjike, tashmë pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Qyteti i Apolonisë, i nxjerrë në dritë pas Luftës së Parë Botërore nga Leon Rey, është i famshëm për portikun e tij të jashtëzakonshëm. Muzgu që bie mbi detin Adriatik ofron një shfaqje magjike në një heshtje që mezi thyhet nga erërat që fryjnë nëpër pemët e ullinjve.
Qyteti i ri, dekor i ri. Durrësi, qyteti i dytë më i madh në vend, është shtëpia e një prej amfiteatrove më të shquar – më i madhi në Ballkan – që daton në shekullin II. Kripta e tij, ndërtuar nga të krishterët e hershëm, tregon një mozaik kompleksiteti të rrallë. I njohur dikur si Epidamnus, qyteti ishte një port imponues në rrugën tregtare Egnatia ndërmjet Romës dhe Bizantit. Ky qytet është sot një vendpushim bregdetar shumë popullor për turistët.
Flora dhe fauna në harmoni
Përveç bregdetit të saj jugor dhe mrekullive të lashta, Shqipëria është në dy të tretën e saj e përbërë nga pyje, livadhe dhe relieve të ndryshëm. Natyra që ende gëzon të gjitha të drejtat e saj, ku mund të gjejmë ujqër, arinj, dhia e egër dhe rrëqebulli që jetojnë në harmoni në rezervate natyrore të mëdha.
Mali i Tomorit është simboli i kësaj bote të egër që ende ruhet. Është shtëpia e qytetit muze, Beratit 2400-vjeçar. Kalaja, kishat bizantine dhe xhamitë madhështore dëshmojnë për të kaluarën e pasur. Më tej në veri, Gjirokastra, një nga qytetet më të rëndësishme në jug të vendit, është shpallur gjithashtu një qytet muze për shkak të shtëpive të vogla mesjetare që kufizojnë rrugët e saj të ngushta.
Një kryeqytet i këndshëm
Natyrisht, Tiranën gjithashtu ia vlen ta vizitosh, veçanërisht për ndikimet e saj ruse dhe sheshin e saj mahnitës “Skënderbej”, emri i heroit të rezistencës ndaj turqve, të cilit shqiptarët i detyrohen flamurin e të tyre të kuq me një shqiponjë me dy koka. Aty gjejmë dhe xhaminë e vjetër të Et’hem Beut, si dhe Kullën e Sahatit, Pallatin e Kulturës me opera, teatër, bibliotekë dhe shumë muze që do të na mësojnë më shumë për vendin.
Një ndalesë në kryeqytet gjithashtu fton turistët të zbulojnë kuzhinën shqiptare, që vërtet ia vlen të ndalosh. Pjata kombëtare është tava e kosit, mish qengji i gatuar në kos. Një mrekulli, sidomos nëse shoqërohet me verërat më të mira të vendit. Llokume dhe kafetë e stilit turk do ta mbyllin këtë largim në vendin e shqiponjave.
Çfarë të hamë?
Kuzhina shqiptare është e ndikuar nga gastronomia turke dhe greke. Aty gjejmë dollmatë, perimet e mbushura dhe mbizotërimin e mishit të deles.
Qëndrimi
Meqenëse turizmi është relativisht i ri në Shqipëri, infrastruktura hoteliere është kryesisht e vendosur në qytetet e mëdha dhe në vendet turistike. Akomodimi është mjaft i lirë, edhe pse në Tiranë çmimet janë më të larta. Ka edhe disa hostele dhe fushata të rinjsh me tarifa shumë të volitshme. Sidoqoftë, mikpritja dhe ndjenja e të qenit i mirëpritur janë vlera kryesore në të gjithë vendin. Një proverb afirmon gjithashtu se “shtëpia e shqiptarëve është e zotit dhe e mikut”. Qëndrimi tek banorët vendas është një aventurë për t’u provuar”. /j.p/ KultPlus.com