Traveler.es: Shqipëria parajsa e re mesdhetare

Imagjinoni Mesdheun! Çfarë ju vjen në mendje? Brigjet gjarpëruese të mbushura me shkëmbinj dhe limane. Qielli fantastik, pa një njollë reje. Dhe sigurisht, një det i jashtëzakonshëm, për të cilin nuk ka epitet që mund ta përshkruajë. Nëse nuk i keni planifikuar ende këto pushime verore, ju jeni ende në kohë për të bërë zgjedhjen e duhur. Plazhet fantastike të jugut të Shqipërisë janë perlat e Mesdheut dhe ju duhet patjetër t’i vizitoni, shkruan Traveler.es.

”Shqipëria, objektivi juaj i ardhshëm.

Mundohuni të kujtoni plazhe si Costa Brava, Costa Azur ose bregdetin amalfitan… janë destinacionet e para që vijnë në mendje për disa pushime verore të paharrueshme në vijën e bardhë gurore dhe ujin blu të plazheve. Është koha për të shtuar në këtë listë edhe një vend të ri: Rivierën Shqiptare.

Plazhet më të mira të Rivierës Shqiptare

Shqipëria më në fund ka hapur dyert e saj për turistët dhe pushuesit dhe nuk ka nevojë për shumë argumente, thjesht shikoni fotot. Plazhet i ngjajnë parajsës në tokë (dhe disa janë pothuajse të braktisura). Surpriza arkeologjike dhe të gjitha me ndjenjën e zbulimit të një prej sekreteve të mirëfshehura në anën tjetër të Mesdheut.

Një breg i mbushur me surpriza

Riviera nuk ka kufij të përcaktuar, por nëse doni të vendosni një portë, ndoshta do të jetë në Vlorë, 150 kilometra në jug të kryeqytetit shqiptar, Tirana. Këtu është vendi ku Adriatiku takon Jonin, në një takim detar që ju fton të bashkoheni që nga momenti i parë. Vlora vjen me një ngarkesë të madhe historike: Aty u shpall pavarësia e Shqipërisë nga Perandoria Osmane në vitin 1912. Që atëherë, ajo është rritur për t’u bërë një qendër për aktivitetin e rëndësishëm të portit, gjithashtu dhe një nga  plazhet kryesorë të Rivierës fantastike .

Plazhi më i ri në dispozicion mund të jetë zgjedhja e ardhshme nëse nuk doni ta ndani veten në shumë bare të këtij plazhi. Uji i Ftohtë, vetëm dy kilometra larg, është një shtrirje e plazheve më pak të frekuentuar, por me një nivel të aktivitetit për t’u pasur zili.

Nëse dëshironi një ofertë të mirë për kohën e lirë, Vlora duhet të jetë zgjedhja juaj.

Pas bregdetit në jug, ndalesa tjetër është qyteti i qetë i Himarës, i ndarë midis vendpushimeve moderne dhe tavernave tradicionale greke. Pak me larg nga Himara është Llamani, një plazh i bukur, i rrethuar nga dy kodra, shumë popullor për turizmin vendas.

Po kërkoni një eksperiencë më të relaksuar? Shkoni në Qeparo, një fshat piktoresk i kapur pas dy shkëmbinjve dhe me pamje nga skena e Mesdheut, pikërisht ajo që keni në mendjen tuaj: portin e artë, detin bruz dhe qiellin e përjetshëm.

Mbërritja në Sarandë, qendra strategjike e Rivierës dhe një destinacion që po fiton popullaritet në Ballkan. Saranda, përkundër popullsisë modeste të saj, po përjeton një periudhë rritjeje të lartë, e cila dallon dukshëm nga “bumi” i ndërtesave në të gjitha kodrat përreth qytetit bregdetar. Por, për momentin (dhe fatmirësisht), Saranda mbetet një opsion i këndshëm si një bazë për të eksploruar plazhet aty pranë, kur ju i keni parë tashmë ata që janë në rrugë.

Oazet e Ksamilit

Midis tyre, Ksamili merr trofeun më të mirë, jo vetëm në zonë, por ndoshta në të gjithë Rivierën. Ky arkipelag i vogël, 20 milje në jug të Sarandës, ka tre plazhe të vogla gurore që pothuajse mund të bashkohen me njeri-tjetrin. Ksamili është shumë afër qytetit të lashtë të Butrintit, sot një nga vendet më të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri. Me një park kombëtar, Butrinti tregon shenja të vendbanimeve të lashta romake dhe greke që kanë jetuar aty, në një përzierje interesante që do t’ju marrë një gjysmë dite, për t’ju nxjerrë kështu nga peshqiri i plazhit.

Ejani dhe zbuloni parajsën e re mesdhetare. Apo keni nevojë për më shumë arsye?”, përfundon Traveler.es./ /ash/ KultPlus.com


Blogerët kolumbianë reportazh fantastik Shqipërisë: Udhëtim në xhevahirin e Ballkanit

Blogerët kolumbianë, Lina dhe Andres i kanë kushtuar një reportazh fantastik Shqipërsië, duke e përshkruar atë nga veriu në jug dhe duke e vlerësuar si xhevahirin e Ballkanit në blogun e tyre “Renunciamos y Viajamos”.

Ashtu si Kolumbia, Shqipëria është e mbuluar nga një mantel, nën të cilin qëndron një vend plot me xhevahire për t’u zbuluar. Vetëm ata që guxojnë, do të kenë mundësinë të shijojnë koktejlin që u ofrohet vizitorëve në shenjë mikpritjeje, të eksplorojnë pasurinë historike dhe bukurinë e pashembullt natyrore të këtij vendi. Shqipërisë i është veshur një imazhi famëkeq duke e bërë pjesë të rreziqeve të ndryshme si mafia, droga, krimet dhe emigrantët. Por, mjafton të shkelësh në këtë vend dhe të përshkosh pozitën e tij gjeografike për të kuptuar se Shqipëria ofron më shumë sesa disa lajme të këqija për të cilat televizioni mbetet përgjegjës. Por, natyrisht që këto fenomene ndodhin edhe në një vend si Kolumbia. Gjatë një turi dy-javor, ne zbuluam bukuritë që ofronte Shqipëria dhe zonat që ne vizituam i tejkaluan pritshmëritë tona, historia dhe bukuria e natyrës që ky vend ofron na nxiti dhe më shumë për t’u rikthyer sërish në Shqipëri.

Kjo është historia sesi ne u gjendëm në një situatë të vështirë në Shqipëri.

Kolumbianë? Prisni aty, ju lutem.

Ata nuk e kishin idenë se çfarë mund të bënin me pasaportat tona. Ne mbërritëm me taksi nga Ulqini, qyteti kufitar i vendit fqinj, Mali i Zi. Kaluam pothuajse të gjithë Ballkanin, por vetëm sot, ditën që kaluam kufirin shqiptaro-malazez, u përballëm me një situatë që na i vështirësoi mundësitë tona për të udhëtuar. Taksia na la pasi vulosëm daljen nga Mali i Zi dhe shkuam drejt pikës kufitare shqiptare. Kabinat dukeshin sikur ishin shpëtuar nga braktisja. Ne qëndruam në pritje ndërsa çantat e shpinës i vendosëm në dysheme.

Ku janë vizat tuaja? Pyet një oficer me një anglishte të çalët.

Që prej muajit dhjetor 2018,  siç është raportuar, Shqipëria ka qënë vendi i fundit në listën e kombeve që hapën dyert për kolumbianët për të hyrë pa viza në territorin e tyre. Por zotërinjtë këtu nuk e dinë. Ata futen në “Google”, flasin me njëri-tjetrin, thërrasin eprorin dhe na pyesin sërish.

Ku po shkoni?

Sot ne duam të flemë në Shkodër dhe pastaj të vazhdojmë rrugën drejt Tiranës.

Dhe si u gjendët në këtë kufi?

Ata as që nuk e dinë se çfarë janë duke kërkuar. Papritur, njëri prej tyre fillon të shfletojë fletët e pasaportave. Ai zbulon se pasaportat përmbajnë pulla dhe viza.

Më falni, nuk i pamë pasaportat tuaja. Sa kohë dëshironi të qëndroni në Shqipëri?

I’a hodhëm edhe stresit në kufi. Ne bëhemi gati të udhëtojmë drejt një vendi të ri, për të cilin kemi shumë pritshmëri, por shumë pak njohuri.

Shkoder, kthimi në doganën plot kaos

Herën e fundit që u larguam nga shtëpia shkuam në Kanada dhe pastaj në Gjermani. Ndërmorrëm një udhëtim që zgjati më shumë se një muaj drejt Rusisë kur luhej kampionati botëror i futbollit për t’u kthyer në Europë dhe më pas në Ballkan. Vende të mbushura me kështjella, ndërtime madhështore dhe sinjalistika rrugore që respektohen. Pastërtia dhe nivelet e zhurmës në rrugë, të tolerueshme edhe për një të porsalindur, trena të shpejtë dhe të përpiktë, një rregull i panjohur për ne dhe ushqim pa erëza për dy udhëtarë latinë të mësuar me kaosin e vendit prej nga vijnë.

Për këtë arsye, kur mbërritëm në Shqipëri na u duk sikur na nxorrën nga akuariumi i shndritshëm dhe i rregullt për të na hedhur përsëri kundër rrymës. Aty ku makinat ecin në rrugë të hapura me punime që nuk kanë përfunduar ende dhe teksa ecën përgjatë rrugës mundohesh të evitosh  kabllot që varen nga rrjeti i energjisë, ku autobusin duhet ta presësh në stacione të padukshme ndërtuar me material të bëra me porosi.

Ne jemi dy peshq më shumë në këtë pellg ku çdo gjë duhet bërë. Kësja duhet t’i shtojmë një mikpritje të ngrohtë në mes të këtij dimri të ftohtë ballkanik dhe çmimet më të ulta se në çdo vend tjetër të Europës na bën të ndihemi si në shtëpi.

Është ftohtë këto ditë. Krishtlindjet po afrohen dhe temperaturat po shkojnë drejt zero gradë. Mbërrijmë në Shkoder, si gjithmonë, pa rezerva por në pritje të fatit të rradhës. Me çanta mbi supe ne ecim nëpër rrugë derisa shenja që  kërkonim shfaqet përpara nesh. Është një reklamë e madhe, që shkëlqen në krye të ndërtesës më të bukur në lagje, lexon me gërma të mëdha: “HOTEL ARGJENTINA”. Ne e ndiejmë thirrjen e destinacionit nga vijmë dhe ecim drejt saj.

Hyjmë brenda, drejtohemi tek recepsioni dhe kërkojmë pronarin. Përshëndetje, ne jemi Andres dhe Lina, ne udhëtojmë nëpër botë, jemi blogerë udhëtimi dhe sapo kemi ardhur në Shqipëri. Ky është projekti ynë i udhëtimit. Njeriu, i cili nuk është argjentinas, por shumë më i ri se ne, na dëgjoi sikur të ishin duke  pritur prej kohësh. Ai na ofroi tri netë në hotelin e tij: “Mirë se vini, mëngjesi shërbehet deri në orën 10:00”.

Bëme një pushim, u ngrohëm dhe ecëm në këmbë për të parë Shkodrën. Berbera dhe dyqane bastesh në çdo rrugë ku dhjetëra burra mblidhen për të ndjekur  ligat më të mëdha europiane dhe për të vënë bast për ekipet e zemrës.

Gjithmonë shije e mirë të mbetet nga këta njerëz që të buzëqeshin kudo që shkel,  që u rekomandojnë vizitorëve vendet e bukura të qytetit të tyre, që shpjegojnë me qetësi gatimet që ofron menuja dhe reklamojnë në rrugë shumë rroba dimri të përdorura. Meqë ra fjala, Lina gjeti disa dorashka marke për vetëm dy dollarë.

Si pjesë dikur e Perandorisë Osmane, në Shqipëri pjesa më e madhe e popullsisë (70%) praktikon fenë islame. Pjesa tjetër (30%) ndahet mes katolikëve që janë 20% dhe ortodoksëve që janë 10%. Mes viteve 1967 dhe 1990 besimi ishte i ndaluar nga regjimi komunist i diktatorit Enver Hoxha dhe të gjitha kishat dhe xhamitë u mbyllën ose shkatërruan, si dhe në vitin 1973 ky ishte vendi i parë në botë që e shpalli veten ateist. Por sot thirrjet për lutje të myslimanëve janë pjesë e zhurmave të jetës së përditshme të shqiptarëve.

Shqipëria është Kolumbia e Europës, na tha Marko kur shëtitëm me veturën e tij luksoze “Mercedes Benz”. Ai nuk kuptonte as spanjisht as anglisht, por fliste shumë mirë italiasht, gjuha e dytë më e përdorur në Shqipëri për shkak të afërsisë me Italinë.

Të kesh sot një “Mercedes Benz” në Shqipëri është njësoj si të kishe një veturë “Reanult” në vitet 80’ në Kolumbi. Ato i sheh kudo, ato përdoren nga çdo punëtor dhe rrugët janë të mbushura plotë me këto vetura të parkuara dhe me ofiçina të specializuara për t’i rregulluar. Por vetura e këtij tipit është si një anije. Kur mbërritëm në Tiranë filloi repertori i ankesave për qytetin, vendin, shoqërinë që çdokush ia shpreh kujtdo me të cilin krijon konfidencë. Rregullat janë të këqija, këtu nuk funksionon asgjë, shiko sa keq është punuar kjo dhe ajo, si dhe për çdo gjë e ka fajin mafia.

Ai ende nuk e kishte përfunduar listën e tij të ankesave kur një veturë tjetër e goditi nga pas. Ai doli plot zemërim, pa me vëmendje bojën e bardhë të fildishtë të veturës së tij si anije kozmike dhe u kthye duke buzëqeshur.

“Nuk ishte asgjë, kjo ndodh shpesh këtu, sepse trafiku është një katastrofë”. Rreth 15 minuta më pas e njëjta gjë ndodhi me një veturë tjetër, “ai duket djalë i mirë, ska gjë”, buzëqeshi dhe vazhdoi rrugën e tij. Më në fund mbërritëm. Patëm një debat të vogël me shoqëruesin, pasi ai pretendonte që të paguhej për udhëtimin që na ofroi, ndërkohë që menduam se na mori sepse dëshironte të na ndihmonte.

Mirësevjen në shtëpi

“Nuk ndodhi asgjë, keni për të parë, do e dashuroni Shqipërinë, vajtëm në shtëpi, u shlodhëm dhe më pas dolëm për të ngrënë diçka”.

Këtu njohëm, Juan Carlos, një kolumbian, i cili na ftoi në apartamentin e tij që e kishte marrë me qera ndërkohë që ishte duke zhvilluar një projekt konsultimi për të ngritur sipërmarrjet që nuk kishin arritur të gjenin rrugën e suksesit.

Shqipëria është një vend me një histori fantastike, plotë kështjella, qytete osmane që janë pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, një kryeqytet që nuk ngjason me kryeqytetin e asnjë vendi tjetër, por ende vazhdon përpjekjet për të lënë pas gjysmëshekulli komunizëm që nuk ka shumë vite që ka përfunduar. Por mbi të gjitha, ka një atmosferë madhështore në gjendje që të lërë gojëhapur cilindo që e eksploron. Shlodhje, adrenalinë, male, det, lumenj, plazhe, laguna, dëborë… Çdo gjë ndodhet në menunë shqiptare që është duke pritur që të shërbehet sipas shijeve të udhëtarëve. Dhe sigurisht që ne e provuam.

Pelikanët e Ujit

Ne vendosëm në ujë varkat me rrema në mënyrë që të udhëtonim nëpër lagunën më të madhe të vendit. I ftohti është i hatashëm por ndjesia e të qenurit vetëm në këtë pafundësi e shnëdrron këtë në një kënaqësi që të shlodh nga shtatë muajt e fundit mbushur plotë udhëtime me çantën në shpinë. Në fakt ne nuk jemi krejtësisht vetëm, varka jonë drejtohet nga Blerina Ago, vajza 30-vjeçare që është shndërruar në imazhin e turizmit të qëndrueshëm në vend.

Me Blerinën u njohëm nëpërmjet, Juan Carlos dhe kur i treguam për udhëtimin tonë, ajo u ofrua që të na shëtisë një fundjave për të jetuar eksperienca plot aventurë me kompaninë e saj “Active Albania”. Udhëtimi filloi këtu, në perëndim të vendit në lagunën gjigante të Karavastasë, një nga më të mëdhatë në Mesdhe. Horizonti pret në dysh qiellin me ujërat e akullt ku lundrojnë qindra pelikanë gjigantë. Këtu jetojnë 5% e popullsisë botërore të këtij pelikani.

Në  furgonin që na mori në Tiranë, shkuam deri në Berat, qytetin e vjetër pjesë të tragjëgimisë kulturore të UNESCO i njohur si “Qyteti i njëmijë dritareve”. Shqipëria ishte prova se udhëtimet janë një cikël që vazhdon të përsëritet. Pasi kishim kaluar Europën, Rusinë dhe pjesën tjetër të Ballkanit duke kërkuar një strehë sa për të fjetur, këtu ju kthyem të fjeturit në hotele të ngrohtë dhe të rehatshëm. Fillimisht në hotelin “Argjentina” në Shkoder e tani në hotelin e mrekullueshëm “Castle Park” në Berat, një hotel luksoz në të cilin Blerina na ftoi të kalonim netët bashkë me ekipin e produksionit. Ushqime tipike shqipëtare, verë, ëmbëlsira dhe shoqëri e mire. Shqipëria na ka rrëmbyer me të vërtetë. Por më e mira nuk ka filluar akoma.

Përballja me frikën për tu ndjerë të gjallë

Nëse fama e keqe e shekullit XXI që ka marrë Kolumbia është për shkak të serialit të “Netflix”, “Narcos”, kjo famë Shqipërisë i ka ardhur nga aktori i famshëm Liam Neeson protagonist në filmin “Taken”, në të cilin ai luan rolin e një babai të dëshpëruar dhe të inatosur i cili bën çdo gjë për të shpëtuar vajzën e tij të rrëmbyer nga mafia shqipëtare. Por nëse në Kolumbi miti i Pablo Eskobar tërhoqi një valë turistësh që këkonin të ndiqnin gjurmët e monstrës që televizioni e ktheu në një “Robin Hood” të ligë, në Shqipëri ndodhi e kundërta me Neeson-in. “Hollywood”-i hapi fjalën se Shqipëria është një vend rrëmbyesish dhe është më mirë të mos vish këtu nëse të dhimbset jeta ose nëse nuk ke një baba që di karatenë që të të shpëtojë. Kjo në mendjen e zgjuar të Blerinës solli idenë e fushatës “Taken by Albania” (të rrëmbyer nga shqipëria) në të cilën shumë shqipëtarë ftojnë Leam Neeson të vizitojë vendin e tyre dhe të rrëmbehet nga mikpritja e tyre, traditat, kuzhina shumë e mire dhe mrekullitë natyrore dhe historike. Në videon e fushatës shihen pamje impresionuese që nuk mund të krahasohen lehtë me asnjë vend të planetit. Si kanioni i lumit të Osumit, ku kemi ardhur sot për të bërë rafting me Blerinën dhe ekipin e saj.

Sërish kostumet ngjyrë të ndezur na bëjnë të dukemi njësoj. Kemi helmeta dhe këpucë të veçanta që nuk e lejojnë ujin e ftohtë akull të na prekë këmbët. Sytë jeshil të Linës u mbushën me lot ashtu si çdo herë që do të përjetojë një eksperiencë në ujë. Sigurisht që mund të kishte qëndruar në hotel ndërkohë që ne të tjerët rrezikonim të vdisnim nga argëtimi në mes të rrymës së lumit. Duke parë zogjtë dhe ujëvarat ndërkohë kalonim duke dëshmuar natyrën në formën e saj më të bukur.

Drejtuesi i barkës sonë është drejtori i Ligës Kombëtare të Rafting në Shqipëri, me ne është edhe Blerina e cila ka kaluar 14 vite të jetës së saj duke sfiduar rrymat e lumenjve. Ajo na tha më përpara se të hipnim në barkë se për të kjo ishte si një droge, dhe se nga e hëna në të premte në zyrën e saj në Ministrinë e Turizmit ajo mezi pret fundjavën për t’u kthyer tek lumenjtë apo malet.

Në barkë ne ndiqnimim udhëzimet e gudës tone. “GO” për të vazhduar përbara, “BACK” për të vozitur mbrapsht dhe “STOP” që të ndalonim, elementaret. Rruga mes mureve gjigande të kanionit është më shumë për t’u parë se sa ekstreme, por ka momente kur krahët të dhembin nga vozitjet e shumta në ujë, gurët bëjnë që barka të lëkundet dhe lumi na tërheq me vërshim. Ne po lundrojmë në venat e hapura të Shqipërisë në kanionin e lumit të Osumit mes mikpritjes së këtyre njerëzve të cilët mundohen të largojnë paragjykimet dhe t’i tregojnë botës se kufijtë e tyre mbajnë brënda një stoli të papërpunuar që pret të zbulohet.

Qershia mbi tortë ishte shëtitja nëpër Berat në rrugicat e qytetit të njëmijë dritareve dhe fotografimi i maleve që plotësojnë imazhin. Mund të zgjatemi më shumë duke treguar çdo detaj që zbuluam gjatë ecjes  në këtë bukuri osmane, por këtë here po ja lëmë lenteve të flasin dhe të na transportojnë për pak minuta në magjinë e qytetit.

Pas një nate Krtishtlindjesh Kolumbiane dhe një darke tek shtëpia e Juan Carlos-it, e mbyllëm këtë aventurë që na e hapi derën me duart bosh dhe na përcolli me zemrat plot me dashuri dhe kujtime. Ne u rrëmbyem nga Shqipëria  dhe mezi po presim të kthehemi që të zbulojmë më shumë nga qytetet, plazhet dhe fashatrat që nuk i vizituam këtë herë.

 Nga tani e tutje, sa here që dikush do të kërkojë një vend për të udhëtuar në Europë ne do t’i përmendim shqipërinë. Është gjithmonë mirë të rrëmbehesh nga njerëz aq të mirë dhe gjëra aq të bukura dhe të lira./atsh / KultPlus.com

Mediet e huaja jehonë Shqipërisë turistike

Shqipëria është pjesë e destinacioneve që duhet të vizitohen gjatë 2019 në listat e mediave dhe blogjeve të huaja të udhëtimit.

Në harkun kohor të 7 ditëve, “Lonely Planet”, “Who” dhe ” Il sole 24 ore” i kanë kushtuar Shqipërisë artikuj që e përshkruajnë atë si vendi me bukuri marramendëse natyrore, me histori e tradita për t’u njohur, me mikpritjen dhe buzëqeshjen për të mos u humbur.

Një shkrim i veçantë i kushtohet dhe agroturizmit, një atraksion i shtuar që po zhvillohet falë investimeve dhe politikave zhvilluese të qeverisë.

LONELY PLANET: SHKONI DHE SHIKONI SHQIPËRINË E PAEKSPLORUAR!

”Turistët që e duan kulturën autentike dhe ushqimin vendas, së shpejti do të kenë një mundësi për të zgjedhur një shumëllojshmëri vendesh në Shqipëri dhe, për më tepër, për t’i shijuar të dyja këto karakteristika së bashku. Nga data 8 deri më 10 maj, një koleksion prej gjashtë fermash të reja agroturizmi do t’u hapin dyert vizitorëve për një tërheqje turistike triditore në fshatrat e bukur dhe malorë të vendit.

Si pjesë e projektit “AgroTourism Albania”,kjo tërheqje turistike do të fokusojë fermat që kanë punuar shumë për të zhvendosur aftësitë e tyre nga bujqësia në turizëm duke ofruar eksperienca autentike, ushqime të shkëlqyera, kurse gatimi dhe akomodim në bujtina, të gjitha këto duke e parë Shqipërinë në shijen e saj natyrale”.

“Il SOLE 24 ORE”: SHQIPËRIA, DESTINACIONI I DËSHIRUAR NË ÇDO STINË! 

”Me 300 ditë me diell në vit, Shqipëria paraqitet si destinacion i dëshiruar në të gjitha stinët “Në të vërtetë, pa nxehtësinë e verës, mund t’i vlerësoni më mirë qytetet në brendësi të vendit dhe zonat arkeologjike me të cilat është i mbushur Vendi i Shqiponjave…. Ajo që perceptohet sot është një dëshirë e madhe për të promovuar bukuritë dhe vlerat kombëtare përmes turizmit, para së gjithash mikpritjen dhe bujarinë”.

“WHO”: SHQIPËRIA, NDËR VENDET MË TË MIRA PËR NJË VERË EUROPIANE

“Mund të mos jetë e njohur si vendet e tjera, por ky vend i bukur në jug të Europës meriton të njihet si një nga destinacionet që nuk duhet humbur për vitin 2019. Më ekonomike se Greqia dhe Kroacia, Shqipëria ka peizazhe të jashtëzakonshme malore, plazhe dhe qytete pa turma. Fshati i vogël i Ksamilit, përgjatë bregut jugor shqiptar pranë Sarandës dhe Korfuzit, ka disa nga plazhet më spektakolare të Europës, një bollëk të peshkut të freskët dhe ndodhet në distancë të shkurtër prej dy vendeve të ndryshme të trashëgimisë UNESCO: Butrinti dhe Gjirokastra “.

THE FEELING REMAINS: VIZITOJENI MENJËHERË SHQIPËRINË!

”Qëndrova në Shqipëri për gati dy muaj sepse ky vend është fantastik dhe njerëzit këtu janë shumë të sjellshëm dhe të ndihmojnë! Për më tepër, Shqipëria është jashtëzakonisht e bukur! Ky vend është bërë një prej vendeve të mia të preferuara dhe është një destinacion ku sigurisht që do të kthehem. Provojeni vetë para se të tjerët të kuptojnë se sa magjik dhe i paprekur është ky vend”. /a.a/ KultPlus.com



Puka, nga një zonë e braktisur në një destinacion të jashtëzakonshëm turistik

Puka është kthyer në qendër atraksioni turistik ku natyra e mrekullueshme dhe ndërhyrjet në infrastrukturë e kanë shndërruar në një vend që jo vetëm ia vlen ta vizitosh, por edhe të kalosh pushimet. Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me bukurinë e peizazhit pukjan.

“Me këto pamje të transformimit të Pukës nga një zonë e braktisur për vite të tëra, në një destinacion të jashtëzakonshëm turistik, ju uroj një të dielë të bukur”, tha Kryeministri Rama.

Ndër investimet e kryera në Pukë janë rivitalizimi i shëtitores së qytetit, një investim prej 2.2 miliard lekë që përfshin rivitalizimin e sheshit “Tërbuni” atë pranë urgjencës dhe Hotel Turizmit, ndriçimin dhe shëtitoren në mesin e dy shesheve.

Po kështu është bërë i mundur dhe rikonstruksioni me sistem kapot i fasadave të ndërtesave që përfshin zonën e rivitalizuar.

Puka është një qytet alpin në veri të Shqipërisë, 145 km nga Tirana. Ajo mbetet e preferuara e adhuruesve të malit, ajrit të pastër, qetësisë dhe frymëzimit nga natyra, për të përballuar më tej ditët e lodhshme të punës dhe zhurmat e qyteteve të mëdha. Puka njihet për masivin e madh pyjor të pishave, me një sipërfaqe prej 400 hektarësh. Vetitë kurative të pishës janë të shumta.

Vendi parë për t’u eksploruar është liqeni i qytetit, i sistemuar me vende pushimi mes bredhave të lartë, prej nga mund të ngjitesh në Kodrën e Hanit për të eksploruar pistën natyrore të skive apo livadhet dhe kodrat që nuk ndodhen larg qytetit.

Puka shërben edhe si bazë për ushtrimin e alpinizimit, në malin e Munellës, Bjeshkët e Tërbunit dhe mali i Krrabit. / KultPlus.com

Swedish Nomad: 15 plazhet më të bukura në Shqipëri që duhen vizituar gjatë 2019

Shqipëria është shnëdrruar shumë shpejt në një destinacion veror popullor, falë bregdetit mahnitës dhe plazheve të bukura që janë disa prej faktorëve madhorë që qëndrojnë pas rritjes në shifra të turistëve që vijnë, shkruan “Swedish Nomad” në një artikull që ia kushton plazheve në vendin tonë.

“Në Rivierën Shqiptare ka shumë vende të bukura dhe për t’i bërë planifikimet më të lehta, më poshtë vijojnë 15 plazhet më të bukura në Shqipëri që duhen vizituar në 2019”, thekson portali suedez që i kushtohet udhëtimeve.

Plazhi i Gjipesë

Një prej xhevahireve të fshehura të Shqipërisë dhe me siguri një plazh përallor. Vizitorët mund të shkojnë atje me varkë ose makinë, megjithatë, atyre që përdorin automjete do ju duhet të ecin një pjesë të rrugës deri sa të dalin në plazh.

Plazhi është i rrethuar nga shkëmbin të lartë, që të japin ndjesinë se ndodhesh në një ishull të shkretë dhe jo në një plazh normal.

Uji në Plazhin e Gjipesë është kristal i pastër dhe ka ngjyra të kaltra të mrekullueshme. Aventurierët mund të gjejnë gjithashtu disa plazhe të vogla përgjatë vijës bregdetare si dhe shpella.

Gjiri i Gramës

Një prej vendeve më të bukura për të vizituar në Shqipëri, Gjiri i Gramës është një vend i mrekullueshëm për të kaluar ditën buzë detit dhe është pranë Vlorës.

Aty preferohet të shkohet me varkë, megjithatë, alpinistët mund të shijojnë një ecje shtatë orë të gjatë. Lejohet edhe kampingu, por sigurohuni të merrni me vete ujë, ushqime dhe produkte të nevojshme të tjera sepse Gjiri i Gramës është i izoluar dhe nuk ka shërbime.

Plazhi i Dhërmiut

Dhërmiu është i njohur për jetën e natës gjatë verës dhe shtëpitë tradicionale prej guri. Në vitet e fundit, gjithnjë e më shumë turistë skandinavë kanë ardhur deri këtu dhe është një vend sa i bukur edhe i kursyer nga turmat e turistëve në raport me destinacione të tjera në Shqipëri.

Drimadhë

Shumë pranë më Dhërmiun, vizitorët mund të shijojnë një palzh edhe më të izoluar dhe më pak të populluar, Plazhin e Drimadhës.

Plazhi i Livadhit

Nëse po viziton Himarën, atëherë nuk duhet të humbasësh Plazhin e Livadhit, që ndodhet shumë pranë.

Plazhi i Livadhit është një prej më të gjatëve në këtë rajon dhe është bërë i famshëm për ujin e tij ngjryë blu të errët si dhe pemët e ullirit që e rrethojnë.

Borsh

I konsideruar si një prej plazheve më të gjatë në Detin Jonë, Borshi është i famshëm për ujërat e kaltër dhe pastërtinë e plazheve.

Plazhi është shtatë kilometra i gjatë dhe ende është i paprekur nga turizmi masiv.

Plazhi i Lukovës

Plazhi i Lukovës është një prej plazheve më të famshme përgjat Rivierës dhe vërtetë është një prej plazheve më të bukur në shqipëri.

Ai rrethohet nga gjelbërimi dhe uji i detit është kristal i pastër dhe me ngjyrë të kaltër.

Plazhi Pulëbardha

Një plazh i vogël dhe i bukur mes Sarabës dhe Ksamilit. Ai ndodhet në veri të Ksamilit.

Plazhi Mango

Një plazh popullor në Sarandë që ka të gjitha karakteristikat që ju duhen për të kaluar pushime të shkëlqyera. Saranda është gjithashtu një vend fantastik nga ku të eksplorosh Jugun e Shqipërisë dhe aty ka qindra hotele dhe restorante të fashave të ndryshme të çmimeve.

Plazhi Paqyrta

Një xhevahir i fshehur në pjesën më të madhe të vitit, ky plazh në muajin gusht shndërrohet në një nga vendet më të populluara. Plazhi Pasqyrat është shumë i njohur në zonë dhe ndodhet në veri të Ksamilit.

Ksamil

Në fakt në Ksamil ka disa plazhe, pra nuk do jetë një problem për të gjetur një vend të mirë këtu.

Megjithatë, Ksamili është vërtetë një parajsë në Europë, për pasojë në korrik dhe gusht është i mbushur plot me njerëz njësoj si destinacionet popullore në rajonin e Mesdheut.

Koha më e mirë për të vizituar këtë zonë është në maj ose fillim të qershorit, por mund të shkoni edhe pasi kalon vera në shtator.

Plazhi i Palasës

Një plazh natyror me ngjyrë magjpsëse të ujit. Plazhi i Palasës ndodhet në veri të Himarës dhe Plazhit të Drimadhës, si dhe vazhdon të jetë i paprekur duke mos pasur shumë godina dhe zhvillim përreth.

Durrës

Durrësi është një prej destinacioneve më popullore në vend dhe një prej plazheve më të zhvilluara në Shqipëri.

Durrësi është vetëm 40 minuta me makinë larg kryeqytetit të Shqipërisë, pra përveç turizmit ndërkombëtar, ai është gjithashtu popullor edhe për shqiptarët gjatë verës. Këtu do të gjeni gjithçka ju duhet për të kaluar pushime të këndëshme në buzë të detit.

Plazhi i Jalës

Jala është një tjetër plazh popullor në Shqipëri, veçanërisht gjatë verës. Ky destinacion shumë turistik ndodhet mes Dhërmiut dhe Himarës.

Rana e Hedhun

Një prej plazheve më unike në Shqipëri, tek Rana e Hedhun ndodhen disa duan rëre gjigante që ndodhen në anë të malit.

Ky plazh ndodhet pranë Shëngjinit dhe është rreth një orë e gjysmë larg Tiranës me makinë. Falë një rruge relativisht të re, Rana e Hedhun është lehtësisht e aksesueshme. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij. / KultPlus.com

Burimi: https://www.swedishnomad.com/best-beaches-in-albania/

NEX24news: Shqipëria thesari i pazbuluar i kirurgjisë estetike

Shqipëria, vendi i vogël përgjatë bregdetit adriatik dhe atij jonian, nuk ka rënë ende në sy për sa i përket turizmit shëndetësor, shkruan faqja e njohur gjermane NEX24.news.Jo shumë të huaj njohin bukurinë e peizazhit dhe mikpritjen e njerëzve atje.E megjithatë, Shqipëria mund të ofrojë më shumë.

Turizmi shëndetësor, një lloj i ri i turizmit, po bëhet gjithnjë e më popullor në vitet e fundit. Nëse disa pacientë e shfrytëzojnë atë për parandalimin e sëmundjeve, për të tjerët bëhet domosdoshmëri për trajtime mjekësore.

Në Gjermani, shoqëria është duke pësuar ndryshime dhe për këtë arsye shëndetit i jepet një rëndësi e madhe. Nga njëra anë, kjo përforcohet nga zhvillimi demografik, nga ana tjetër nga ndryshimi i strukturave të financimit.

Një trajtim dentar mund të çojë në një barrë shumë të madhe financiare, ndërkohë që kirurgjitë estetike janë të papërballueshme për shumë njerëz. Për këtë arsye, parandalimi shëndetësor dhe trajtimet mjekësore rrisin kërkesën për shërbimet e turizmit shëndetësor. Gjithnjë e më shumë vende po i përmbushin këto kërkesa.

Një treg i ri, që cili po rritet me shpejtësi.

Vetëm disa vjet më parë, Franca, Italia, Spanja dhe Anglia ishin destinacionet kryesore për trajtim mjekësor jashtë vendit, ndërsa tani janë shtuar me kalimin e kohës dhe Hungaria, Republika Çeke, Polonia dhe Rumania. Për disa vite, Turqia ka qenë gjithashtu një destinacion shumë i njohur për udhëtimet shëndetësore.

Në panairin më të madh ndërkombëtar të botës për turizmin, ITB, që u hap në Berlin, ky lloj i ri i turizmit për shumë ekspozues zinte një pjesë të konsiderueshme në prezantimin e vendeve të tyre.

“Shqipëria është ende pak e njohur në këtë sektor, por ne kemi mjekët dhe spitalet më të mira”, u shpreh Anduela Çela, nga klinika “Travel and Smile” ose “Viaggiare e Sorridere” në një bisedë me NEX24, në ambientet e këtij panairi.

Ajo thekson se kursehen mbi 60 për qind të vlerës për sa i përket trajtimeve dentare si dhe për procedurat estetike të cilësisë së lartë krahasuar me vendet e tjera evropiane.

Sipas Dritan Gremit, themeluesit të kompanisë, në këtë mënyrë, ata do t’u ofrojnë pacientëve të tyre edhe shërbime individuale turistike për ta bërë qëndrimin e tyre në Shqipëri sa më të këndshëm.

“Misioni ynë nuk përbëhet vetëm nga përsosmëria mjekësore, por ne gjithashtu garantojmë mirëqënie dhe mikpritje”, shpjegon themeluesi Gremi, duke shtuar se “shpenzimet e trajtimit përfshijnë transfertën vajtje-ardhje nga aeroporti si dhe akomodimin në hotel ose apartament. Shoqërimi nga një përkthyes si dhe vizita nëpër vende të bukura të një kombi të ri dhe dinamik, në kryeqytetin e të cilit duken simbolet e rilindjes së tij, të cilat janë gjithashtu pjesë e shërbimit falas”, thotë Gremi.

‘’Travel and Smile’’ është ende një klinikë e re. Në vitin 2009, Dritan Gremi realizoi ëndrrën e tij. Ishte e rëndësishme për të që të kombinonte bukurinë e vendit të tij me artin mjekësor të shërimit. Ai ndërtoi një klinikë dentare dhe një qendër kompetente bashkëpunimi për klinikat, të cilat janë të specializuara në trajtimet minimale invazive të kirurgjisë estetike. Ndërhyrjet kryhen nga mjekë specialistë të njohur ndërkombëtarisht.

Sipas deklaratës së Anduela Çelës, klinikat janë duke zhvilluar punën në nivelin më të lartë.

Ata ofrojnë trajtime dentare të cilësisë së lartë duke përdorur teknika pa dhimbje dhe mini-invazive, si dhe produktet dentare të certifikuara nga BE. Implantet dentare nga Tirana tashmë i kanë dhënë një buzëqeshje të re shumë pacientëve.

Që nga themelimi i tij janë trajtuar me sukses 12 000 pacientë. Një pjesë e konsiderueshme e klientëve vijnë nga Italia, por gjithnjë e më shumë pacientë gjermanë kanë vlerësuar përparësitë e një trajtimi profesional në klinikën e tij./  a.jor. / KultPlus.com

“Evening Standard”: Drimadhe, ndër 30 plazhet më mahnitëse në Europë


Nga një perlë e fshehur përgjatë Rivierës Shqiptare, në një vend të nxehtë të famshëm në Francë dhe plazhet më të mira në ishujt grek, gazeta londineze ”Evening Standard” ka listuar 30 plazhet më mahnitëse në Europë që duhet të vizitohen gjatë kësaj vere.

Mes destinacioneve të Greqisë, Turqisë, Portugalisë, Francës etj, ”Evening Standard” ka renditur dhe Rivierën Shqiptare ku veçon plazhin e Drimadhësit afër Dhërmiut, mes 30 plazheve më mahnitëse në Europë që duhet vizituar këtë verë.

“Një nga gjërat më të mira për të jetuar në Mbretërinë e Bashkuar është se ne kemi disa plazhe të shkëlqyera rreth nesh. Jo vetëm në Britani të Madhe, por fqinjët tanë europianë gjithashtu mburren me disa nga plazhet më mahnitëse në botë”, shkruan gazeta londineze.

“Shqipëria ndoshta nuk është vendi i parë që mendoni kur imagjinoni një destinacion europian për plazh, por plazhet përgjatë Rivierës shqiptare kanë ngjyrën blu të fortë si plazhet e Greqisë, por pa rrëmujë dhe turistë të shumtë. Gjiri i vogël në Drimadhes është më i miri për t’u vizituar, me një shkëmb të madh që ndan plazhin me guralecë nga ai me rërë. Mos e humbisni por zbulojeni”, shkruan ”Evening Standard”.

Si të arrini atje: një fluturim i drejtpërdrejtë tre orësh do t’ju vendosë në aeroportin e Tiranës dhe një udhëtim prej gati katër orësh me makinë ju çon në këtë plazh. Bëjeni një udhëtim rrugor në Shqipëri dhe ndaluni në qytetet e vogla përgjatë rrugës. /a.g/ KultPlus.com

Një reportazh i bukur francez për Shqipërinë

Shqipëria dhe ujërat e saj të kristalta, me peizazhe malore dhe natyrën e paprekur, ka tërheq turistët nga e gjithë Europa dhe jo vetëm. Televizioni francezë “Francë 2” ka risjellë në vëmendje një reportazh mjaft të bukur për turizmin në vendin tonë, ndërsa thekson se siguria dhe çmimet e ulëta e kthejnë Shqipërinë në një perlë turistike të Ballkanit.

“E shkëputur nga bota prej një kohe të gjatë nga një diktaturë komuniste, Shqipëria tërheq gjithnjë e më shumë turistë, me një argument të fuqishëm, çmimet e ujëra. Larg nga turizmi masiv dhe qyteteve e populluara, e zhytur në mes të asaj që e quajmë gjithashtu “Perla e Ballkanit””, thuhet ndër të tjera në reportazhin e “Francë 2”

“Sipas vëzhgimit tonë për pushimet me çmim të lirë, Shqipëria, që pas Malit të Zi dhe Kroacisë, është vendi që tërheq turistët e gjithë Europës, me plazhe, male madhështore, parqe kombëtare gjigante. Thesaret e Shqipërisë janë të shumta, por mbi të gjitha janë çmimet e saj të ulëta që joshin. Ky është një vend ende i panjohur nga turistët, një parajsë sekrete, përballë Italisë, mes Greqisë dhe Malit të Zi. Shqipëria dhe ujërat e saj të kristalta, me peizazhe malore dhe natyrën e paprekur”, theksohet në reportazh.

“E shkëputur nga bota prej një kohe të gjatë nga një diktaturë komuniste, Shqipëria tërheq gjithnjë e më shumë turistë, me një argument të fuqishëm, çmimet e ulëta. Larg nga turizmi masiv dhe qyteteve e populluara, e zhytur në mes të asaj që e quajmë gjithashtu “Perla e Ballkanit”, vijon reportazhi.

Në reportazh, turistë francezë përshkruajnë emocionet e tyre gjatë udhëtimit turistikë në Shqipëri.

“Jemi në rrugën përgjatë Rivierës Shqiptare, 90 kilometra asfalt që lidh qytetet bregdetare, si Saranda. Në këto plazhe, këto dy pariziane të sapodiplomuara kanë vendosur të bëjnë një ndalesë. Shqipëria dukshëm iu imponua atyre, pasi ato panë çmimet për një javë pushime këtu”, thuhet në reportazh.

“Ne këtu, për një javë, duke përfshirë hotelin, avionin, përveç ushqimit dhe të tjerave, shkon rreth 500 euro java për person. Restorantet në vend janë shumë të lira, mund të hash me 3-4 euro personi dhe më pas ke mundësi për të marrë makina me qira apo e varka etj”, thekson njëra prej vajzave.

“Ato kanë ardhur në Shqipëri para katër ditësh. Një destinacion që e kanë zbuluar nëpër blogje, por vendi mban edhe një reputacion të keq. Megjithatë, njësoj si gjithë turistët që kemi takuar, ato shprehen se ndjehen të sigurta”, vijon reportazhi.

“Shumë na kanë thënë të bëjmë kujdes në Shqipëri, bëni kujdes për veten, jeni dy vajza. Por mos ia vini veshin, pasi është një vend super i sigurt etj. Përfundimisht ne jemi këtu, ishim shumë të habitura kur mbërritëm, sepse ishim super të sigurta si ditën edhe natën, është vërtetë e mrekullueshme”, saktëson njëra prej vajzave.

“Ne vazhdojmë rrugën tonë për të hyrë në thellësi të vendit, që mban gjithashtu disa thesare kulturore. Si qyteti i Beratit. Një qytet i klasifikuar në trashëgiminë botërore të njerëzimit, ku xhamitë qëndrojnë përballë kishave. Në tavolinë mbërrijnë specialitetet lokale. Byreku, peta të kripura me djathë, spinaq ose mish.

Pra ai do i kërkojë hotelit një seri punimesh të vogla, para se të dërgojë klientët e tij në këto dhoma, me pamje nga deti, që kushtojnë mes 60-90 euro nata bashkë me mëngjesin”, përshkruhet në reportazhin e “Francë 2”.

“Në pak vite, numri i turistëve francezë në Shqipëri ka kaluar nga 5 000 në 35 000. Dhe sipas analistëve nëse vendi përqendron investimet e nevojshme në infrastrukturat rrugore dhe turistike, Shqipëria ka të gjithë potencialin që të bëhet Kroacia ose Mali i Zi i ardhshëm”, theksohet në reportazh.

Promovimi i Shqipërisë nëpër botë, 41 aktivitete nga SHBA në Japoni

Promovimi i turizmit, kulturës, traditave, kulinarisë apo artizanatit shqiptar nëpër botë do të ketë një rëndësi të veçantë gjatë vitit 2019, teksa do të ketë një program eventesh që do të shtrihen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deri në Japoni.

Një prej arritjeve të Samitit të Dytë të Diasporës, të mbajtur në datat 28 shkurt-2 mars në Tiranë, ishte dakordësimi i një kalendari të përbashkët të eventeve, për promovimin e turizmit, kulturës, traditave, kulinarisë apo artizanatit shqiptar nëpër botë.

Aktualisht, janë 41 evente të planifikuara, por lista e tyre pritet të zgjerohet me vende të tjera gjatë vitit, ndërkohë që edhe në Shqipëri do të mbahen për herë të parë një numër konferencash/panairesh/eventesh me fokus promovimin e imazhit të vendit tonë dhe forcimin e lidhjeve të biznesit.

Konkretisht, kalendari i eventeve nisi në Milano në muajin shkurt, me një event për artizanatin, duke vijuar me Tel Avivin dhe Berlinin.

Gjatë marsit, evente që promovojnë turizmin dhe vlerat e tjera shqiptare do të zhvillohen në Berlin, Kiev, Prishtinë dhe Lajpcig.

Në prill, kalendari i eventeve parashikon ndalesa në Moskë, Dubai, Bruksel dhe Toronto.

Do të vijohet në maj me Torinon, Kanën, Venecian, Zvicrën, Bakunë dhe Lisbonën, ndërsa në qershor, vëmendja zhvendoset në Kinë, në një panair të madh ndërkombëtar.

Pas ndalesës verore, vëmendja do të përqendrohet në shtator në Tokio dhe në disa qytete italiane.

Në tetor, ndalohet në Këln, Paris dhe Rimini. Ndërsa në nëntor, në Dyseldorf, Varshavë dhe pjesëmarrja në prestigjiozen e “Fiera di Milano”.

Dhjetori përmbyllet me evente në Itali dhe një event dedikuar diasporës shqiptare në Nju Jork.

Këtë vit, një vend të veçantë do të zërë edhe promovimi i kulinarisë shqiptare, ku në 6 mujorin e parë të vitit do të organizohen 10 evente, në Vienë, Amsterdam, Londër, Francë, Zvicër, Athinë, Selanik dhe tre qytete italiane.

Ndërsa eventi “Ditët e Shqipërisë”, do të zhvillohet në Poloni, Çeki, Gjermani, Bullgari dhe një listë vendesh të tjera ku vendi ynë ka një potencial të madh zgjerimi në fushën e turizmit./gj.mima/ KultPlus.com

Fluturim mbi atraksionet më të bukura turistike në Jug (VIDEO)

Me vijën e gjatë bregdetare dhe thyerjen e relievit malor, me monumente natyrore dhe kulturore të shumta si dhe me site arkeologjike të njohura, jugu i vendit është një destinacion i padiskutueshëm turistik.

Përmes një videoje promovuese, Kryeministri Edi Rama solli pamjet e mrekullueshme turistike të jugut të vendit.

“Mirëmëngjes dhe me këtë fluturim mbi disa nga atraksionet më të bukura turistike në Jug të Shqipërisë, ju uroj një javë sa më të mbarë”, u shpreh Rama.

Një përzierje e detit, maleve dhe burimeve të mahnitshme natyrore, si dhe një trashëgimi e pasur kulturore, traditë dhe kuzhinë të shijshme, e bëjnë jugun e vendit ideal për të gjitha llojet e aktiviteteve në natyrë dhe një destinacion perfekt turistik./m.m/ KultPlus.com

“DonneCultura”: Mrekullitë e rivierës së Shqipërisë që nuk duhen humbur në 2019

Portali europian “DonneCultura” që i kushtohet udhëtimeve dhe kulturës, i ka dedikuar një reportazh jugut të Shqipërisë ku vlerëson plazhet shumë të pastra dhe ujërat e kristalta që karakterizojnë këtë zonë.

“Shqipëria është vendi që ka pasur rritjen më të madhe të turizmit në vitin 2017, madje në vitin 2011 u zgjodh destinacioni i vitit nga portali i njohur Lonely Planet”, shkruhet në reportazhin e “DonneCultura”.

Në fakt Shqipëria është bregu tjetër i mrekullueshëm i rivierës puljeze dhe asaj greke, por “Low Cost”.

Madje për të pritur këtë fluks turistësh, Shqipëria është pajisur mirë, pasi mund të shkohet me traget ose me avion me çmime të arsyeshme, mbi të gjitha jashtë sezonit turistik.

Bregu ka arritur të ruhet nga rritja e ndërtimit dhe ofron ujëra dhe plazhe magjepsëse, ndonëse tashmë përballet me një rritje të turizmit masiv në kulm të sezonit.

Sipas portalit “DonneCultura”, destinacionet që nuk duhen humbur janë Karaburuni, që ofron peizazhe unike në gjithë Europën. Në këtë gadishull ndodhet edhe Gjiri i Gramës ku gjenden shkrime antike nga marinarët dhe shpella e famshme e Haxhi Aliut që ndryshe quhet “Shpella e Piratëve”.

Duke vazhduar në jug, vjen mali i Llogarasë, ku kalon në një rrugë piktoreske në një lartësi prej 1 027 metra. Pasi zbret këtë mal, mbërrin në Rivierën Shqiptare që mund të fotografohet lehtësisht edhe kur je sipër Llogarasë.

Plazhi i parë i famshëm është ai i Dhërmiut. Në muajt e verës, Dhërmiu është plot me turistë, por mund të zgjidhni të shkoni në gjiret e shumta përreth, si Drimadha apo Jala që është një plazh i vogël, i mrekullueshëm dhe i qetë.

Ndërsa në Himarë, përpiquni të evitoni plazhet e mbushura me turistë si Spille, Potam dhe Prinos, e njëjta vlen edhe për Livadhin, vetëm tre kilometra larg qendrës. Më mirë të shkoni në Llaman, që është më pak i frekuentuar edhe në kulm të sezonit.

Porto Palermo, një gadishull i vogël është vërtetë sugjestive dhe është përdorur gjithashtu nga regjisorët për kështjellën e saj të vogël.

Fshati i Borshit është fantastik për një shëtitje përgjatë bregut. Plazhi është i rrethuar nga ullinj dhe agrume.

Saranda është Rimini i Shqipërisë, anashkalojeni për shkak të fluksit të lartë të turistëve dhe shkoni për në Ksamil dhe katër ishujt e tij të paharrueshëm, të pasura me gjelbërim, që arrihen lehtësisht me not ose me varka me pedale.

Pranë Ksamilit ndodhet Parku Kombëtar i Butrintit, trashëgimi njerëzore në UNESCO për historinë e tij antike. /G.S/ KultPlus.com

“Be taken by Albania”, nis fushata ndërkombëtare për promovimin e turizmit shqiptar

“Be taken by Albania” u gjend si shprehje nga të rinjtë dhe të rejat e Federatës së Rafting Albania atëherë kur ata panë turistët që vizitonin kanionet e Osumit, dhe kur ndjenë pasthirrmat e turistëve që shihnin madhështinë e Alpeve shqiptare, kur shijuan bukurinë e Korçës, traditën e Shkodrës dhe bukuritë e agroturizmit shqiptar. Kjo është një pasthirrmë e gjithë atyre turistëve që kanë vizituar Shqipërinë dhe kanë parë sa e bukur është natyra jonë”, u shpreh ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi gjatë prezantimit të fushatës ndërkombëtare dixhitale ”Be taken by Albania”.

“Të bukurën shqiptare duam t’ia ofrojmë turizmit, duam të integrohemi në familjen e Bashkimit Europian duke i ofruar asaj bukurinë e natyrës shqiptare, energjinë tonë rinore, t’i ofrojmë ushqimet bio dhe mbi të gjitha t’i ofrojmë Europës turizmin shqiptar, mikpritjen, buzëqeshjen e të rinjve shqiptarë. Në vitin e kaluar kanë vizituar vendin tonë 1 milion turistë më shumë se një vit më parë. Për këta turistë duhet të bëjmë turizëm me traditën”, tha Klosi.

“Sot jemi në një botë tjetër turistike, ku turizmi është një kombinim i bukurisë së qyteteve me natyrën, bregdeteve të kombinuara me malin, ditët e plazhit të kombinuara me kulinarinë pra janë mundësi të arta që ne duhet t’ia ofrojmë turistëve për të pasur mundësinë që sfida jonë 10 milionë turistë të jetë e vërtetë”, theksoi ministri Klosi.

”Në verë ne do të lançojmë përsëri projektin tonë ”Smile Albania” për të ofruar 1 mijë buzëqeshje kudo në Shqipëri. Gjithashtu Samiti i Diasporës është mundësia e artë që ne t’i kërkojmë të gjithë shqiptarëve t’i ftojnë njerëzitë dhe miqtë e tyre të vizitojnë Shqipërinë për t’u rrëmbyer nga bukuritë e vendeve që ne kemi”, vijoi ai.

Klosi shtoi se Shqipëria ka shumë për të ofruar. “Kemi mikpritjen, buzëqeshjen pasi shumë gjëra kanë ndryshuar, por ne nuk e kemi ndryshuar buzëqeshjen, kemi përsëri buzëqeshjen mikpritëse, pra kemi një Shqipëri që padyshim mund të ofrojë magjinë”, tha ai.

“Turizmi është ekonomi, punësim është e ardhmja dhe ne e kemi këtë mundësi të artë, të rrëmbehemi ta bëjmë Shqipërinë turistike, ta tregojmë këtë vend siç është dhe të jemi pjesë e nismave të tilla si kjo sot. Pra, le të rrëmbehemi dhe ne nga Shqipëria, nga pasioni për të paraqitur një Shqipëri tjetër, nga buzëqeshja tradicionale e njerëzve të thjeshtë të këtij populli të mrekullueshëm”, përfundoi Klosi. /j.p/ KultPlus.com

IOL: Në Shqipëri, ku shëtitja është një argëtim kombëtar

Shqipëria tashmë është kthyer në një nga destinacionet më të lakuara nga revistat dhe portalet prestigjioze duke filluar nga britaniket “The Guardian” apo “The Sun” deri tek Australia e largët me “Lonely Planet”.

Këtë herë është portali multimedial IOL, nga Afrika e Jugut, që i dedikon një reportazh të mrekullueshëm Shqipërisë turistike:

“Krejt papritur, filluam një ngjitje drejt malesh të mbuluara nga retë, duke kaluar pranë bletarëve që shisnin mjaltë në anë të rrugës. Më pas kaluam përmes reve të dendura të shiut dhe dalluam detin shumë poshtë. U dehëm nga kjo pamje.

Motra ime dhe unë kemi kërkuar një destinacion mesdhetar për të pushuar. Kriteri i vetëm? Jo pushime që të boshatisin llogarinë bankare, por një aventure me plazhe dhe shumë kulturë.

Shqipëria qëndron në krye. Një drekë për dy persona në Korfuzin fqinj, Greqi, kushton 60 dollarë, por në Shqipëri kushton vetëm 20 dollarë.

Për më tepër ka udhëtime në rrugë epike. Mësuam se rruga e Llogorasë, nga ku admiruam peizazhin, është një prej rrugëve më të larta të shtruara në Europë, një udhëtim emocionues nëpër klima të ndryshme. Ndërsa poshtë dukeshin plazhet ikonike të detit Jon.

Shqipëria, vendi i shqiponjave, sundohet nga legjenda shekullore dhe një grupim karakteresh të shumëllojshme përfshirë luftëtar trim të shekullit XV që quhej Skënderbe, një mbret i shekullit XX me emrin Zog dhe një diktator komunist, Enver Hoxha, i cili e izoloi vendin për 40 vite duke ngritur bunkerë betoni në të gjithë vendin. Ndoshta nuk ishte edhe aq paranojak, thuhet se Hoxha i ka mbijetuar më shumë se 50 përpjekjeve për vrasje. Kur regjimi i tij komunist ra në 1990, qytetarët u larguan nga vendi në turma të mëdha.

Sot, Shqipëria është një konservuese e kohës me një përzierje të traditave antike dhe ambicieve moderne.

Nga plazhi në Qeparo, u ngjitëm në kodrat që rrethojnë bregdetin jonian. Dhe më pas u shfaq fshati i vjetër. Një bastion qindra vjeçar prej gurësh që qëndrojnë në krye të kodrës, ndërsa deti shkëlqen nga poshtë. Këtu, ndërsa endeshim nëpër rrugicat, të mbuluara nga vreshtat me rrush, hasëm një grua të moshuar të veshur me rroba tradicionale të zeza. Qyteza e re ndodhet pranë bregut shumë larg, por ky i vjetri, një fshat i harruar vazhdon të ruajë gjithë lavdinë e tij antike.

Një parkim makinash është ngjyrosur si një flamur gjigant i kuq, ndërsa krahët e shqiponjës së zezë shtrihen përgjatë makinave. Sipas legjendës, gjenerali i madh Skënderbe mbante një flamur me shqiponjën dy krenare në betejë kundër osmanëve në shekullin XV, një simbol i fortë i krenarisë kombëtare sot.

Vendi është krejtësisht i pazakontë, gjuha shqiptare nuk ka lidhje me ato sllave apo latine dhe ka degën e saj në familjen e gjuhëve indo-europiane.

Më vonë, morëm një tjetër mësim historie, nga menaxheri i një restoranti në anë të detit. Restoranti “Barbarossa”, plot stil, shërben ushqime deti shumë të shijshme dhe gatime tradicionale, si spinaq i egër i skuqur me barëra të egra. Familja e tij u largua nga Shqipëria kur ra regjimi, në ishullin grek të Paros.

“A e dini që ka një lidhje mes Shqipërisë dhe Eneas?”, pyeti ai.

Qyteti antik i Butrintit në jug u themelua nga trojanët që u larguan nga Troja. Sikurse përshkruhet në veprën e Virgjilit, Eneda, Butrinti u ndërtua që të ngjante me një Trojë të Vogël. Disa ditë më vonë, e gjetëm veten duke shëtitur në rrënojat arkeologjike të Butrintit, të shpallur Trashëgimi Botërore nga UNESCO në vitin 1992.

Më pas vizituam qytetin e Ksamilit, bregdeti i të cilit është i mbushur me klube buzë detit. Një shëtitje nëpër librat e autorit shqiptar, Ismail Kadare, i cili fitoi në vitin 2015 “Man Booker International Prize”, një zhytje në folklor dhe tradita. Kadare i referohet shpesh Kanunit të Lekë Dukagjinit, një kod antik i ligjeve shqiptare bazuar mbi nderin dhe mikpritjen.

“Shtëpia jonë i përket Zotit dhe mikut”, thotë një shprehje e vjetër.

Kjo mikpritje shfaqet në Berat, “qyteti i një mbi një dritareve”, për trashëgimi e mrekullueshme e Perandorisë Osmane në qendër të Shqipërisë. I njohur si Trashëgimi Botërore nga UNESCO, Berati është i famshëm për shtëpitë e tij të bardha osmane që ngjiten në anë të kodrës që ndodhet buzë lumit Osum. Qyteti u pushtua nga turqit osmanë në vitin 1450, por kështjella e tij daton që në vitin 4 para e.s.; si rezultat përzierja kulturore është e dukshme mes kishave bizantine dhe xhamive.

Qëndruam gjithashtu në qytetin e famshëm bregdetar të Sarandës, që ndodhet në jug të vendit. Ky qytet port të dhuron emocione fantastike. Në mbrëmje, një gumëzhimë e fortë na tërhoqi të dilnim në ballkon. Në shëtitoren buzë ujit, gjyshërit, të vegjlit, adoleshentë të dashuruar, të gjithë shëtisnin me ngadalë në anë të detit.

Në Shqipëri, xhiroja, ose shëtitja e pasdites, është një ritual i shenjtë dhe aktivitet krijues. Si të mos dashurohesh me një vend ku argëtimi kombëtar është një shëtitje mbrëmjeje?” /G.S/ KultPlus.com

Nga Mary Winston Nicklin

https://www.iol.co.za/travel/world/europe/albania-where-strolling-is-a-national-past-time-18891909?fbclid=IwAR30LW20xx7kxi9JzOYacmWqATxrrxd1iznCPYyiuyZo-2G5iNqJYDyWZr0

Gallup: Shqipëria në vendin e parë me popullin më pozitiv në botë, Kosova e fundit në Ballkan


Një raport i ri mbi ndjenjat e njerëzve, i bërë nga Gallup, ka renditur Shqipërinë ndër vendet më pozitive në botë, ndërkaq Kosova renditet e fundit në Ballkan.

Sipas studimit të Gallup, shqiptarët e Shqipërisë, ndonëse jetojnë në një ndër shtetet më pak të zhvilluara të Evropës, dinë të shijojnë jetën dhe nuk u mungojnë emocionet e mira.

Shtetet që kryesojnë këtë studim janë ato latine si Paraguai, Kosta Rika dhe Panamaja, ndërsa në fund renditen Jemeni, Turqia dhe Iraku.

Ndërkaq, në Ballkan rezultatet janë thuajse të njëjta, Shqipëria me 51% ndiqet nga Maqedonia e Veriut me 47%, Mali i Zi me 46%, Serbia me 42%, Bosnja Hercegovina dhe Kosova me 41%, përcjell Telegrafi.

Ky studim është kryer nga Gallup, fokusohet kryesisht në sjelljet njerëzore të një vendi, dhe bazohet në pyetjet që iu janë bërë njerëzve kudo në botë rreth respektit për të tjerët dhe vetes, çfarë mësojnë dhe a u intereson ajo, a qeshin shpesh, a shijojnë ditët e jetës së tyre çdo ditë etj. Ndërsa për të kapur ndjesitë negative pyetjet bazoheshin në dhimbjet e përjetuara, shqetësimet, stresi e të tjera.

Ndërsa Greqia rezulton në nivelet më të stresuara në të gjithë botën, me rreth 66% të të intervistuarve që pohojnë se kanë përjetuar stres ditëve të fundit./KultPlus.com

Valbona nën vellon e dëborës (VIDEO)

Valbona të emocionon në çdo stinë, por nën vellon e dëborës të ofron një peizazh mahnitës dhe merr një tjetër nur.

E kthyer në një oaz çlodhës dhe përkëdhelës për të gjithë, në lartësinë e 800 metrave mbi nivelin e detit, në këto ditë dimri që të zgjojnë shijen e dimrit me dëborë kudo në luginën e Valbonës, të magjeps bukuria e bardhësisë.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, në një video të publikuar sjell bukurinë mbresëlënëse të Valbonës nën petkun e dëborës.

“Valbona e bukur turistike, e veshur me të bardha! Shqipëria, potencial i jashtëzakonshëm për tu shfrytëzuar për turizëm në të 365 ditët e vitit. Turizmi malor dhe ai i aventurës, prezantuar mes videove të postuara në rrjetet sociale, apo paketave nga operatorët turistikë, ftojnë turistët të zgjedhin Shqipërinë, si një destinacion për t’u zbuluar… nga bukuria”, shprehet Klosi.

Parku Kombëtar i Valbonës është një kompleksitet bukurish interesante, ashtu siç janë vetë Alpet Shqipëtare.

Këtu bukuritë e natyrës marrin formën e majave shkëmbore të larta e imponuese me faqe të veshura me pyje mes të cilave shtrihen e ndihet rrjedha e përrenjve edhe e lumit të Valbonës.

E parë nga lart të ofron imazhin e një krateri gjigand të zbukuruar mrekullisht me të gjitha ngjyrat e natyrës së gjallë. Në hyrje të kufirit lindorë, në afërsi të Shoshanit, të impresionon një peizazh i rrallë për nga bukuria.

Lugina e Valbonës është shpallur Park Kombëtar në janar të 1996. Ky park ka një sipërfaqe prej 8000 hektarësh. Konsiderohet si mrekullia e Alpeve. Ndodhet 25-30 km në veri – perëndim të qytetit Bajram Curri, qendra e rrethit të Tropojës.

Kufizohet me Parkun Kombëtar të Thethit dhe zonën natyrore të mbrojtur”Lumi i Gashit”. Territori i tij përshkohet nga rruga automobilistike Bajram Curri-Dragobi-Valbone e Çerem.
Ka maja të larta e të thepisura dhe për çdo stinë ndërron koloritin e ngjyrave dhe duke paraqitur një dinamikë të jashtëzakonshme imazhesh në kushtet e një lugine plot të papritura e me shumë labirinte.

Parku Kombëtar i Valbonës ka vlera të larta shkencore,turistike, shoqërore kuruese, të cilat pasurohen me një biodiversitet me rëndësi kombëtare dhe më gjerë./k.s/ KultPlus.com

Britanikja “Express” rendit Ksamilin në pikat turistike kryesore për 2019-ën

Gazeta prestigjoze britanike “Express” ka renditur Kasmilin si një nga destinacionet turistike kryesore për t’u vizituar gjatë vitit 2019.

Ksamili në Shqipërinë e Jugut është përshkruar si një “perlë e fshehur kur bëhet fjalë për plazhe të bukura” me ushqim deti të mrekullueshëm dhe njerëz miqësorë.

E vendosur në riverën shqiptare, Ksamili ka “ujëra të qarta, plazhe të izoluara dhe restorante paqësore”, me një liqen si Syri i Kaltër një pikë turistike popullore, ku flluska krijojnë ngjyra që duken si sy.

Ksamili, një qytet në Meksikë, një qytet në Ruandë, një qytet në Kolumbi, një qytet holandez, një shkretëtirë në Jordani, një qytet antik i Rrugës së Mëndafshit në Gjeorgji dhe një qytet i rrethuar nga malet dhe liqenet në Uzbekistan janë ndër destinacionet kryesore të udhëtimit për këtë vit, thekson Express./gj.mima/ KultPlus.com

“The Washington Post”: Në Shqipëri, te tradita antike dhe plazhet e bukura

Vendi ynë vlerësohet e rekomandohet si vendi i traditave antike, plazheve të bukura dhe të lira mesdhetare, kulturës e historisë nga prestigjiozja “The Washington Post” në një artikull kushtuar Shqipërisë.

Mes magjisë së vendit bregdetar dhe lashtësisë, “The Washington Post” nënvizon fort mikpritjen që ka mbetur e pandryshuar nga kohët.

MIRËMËNGJES, dhe me këtë artikull të shkruar bukur nga “The Washington Post” dedikuar Shqipërisë dhe atraksioneve të jashtëzakonshme turistike të saj, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan kryeministri Edi Rama duke publikuar artikullin e plotë kushtuar vendit tonë.

”Në vijë të drejtë – siç e konfirmon edhe Google – bregdeti ishte vetëm çështje miljesh larg. Një udhëtim i lehtë me makinë dhe ne do të ndiheshim mirë në Mesdhe. Në vend të kësaj, makina lëvizte përgjatë rrugëve të papastra duke ndaluar nga ndonjë dhi e vetmuar apo karrocë, ndërsa shoferi buzëqeshte nga reagimi ynë.

Papritmas temperaturat u ulën, ndërkohë që filluam ngjitjen në malet e mbështjella nga mjegulla, me maja të veshura që dukej se fusnin hundën në re. Përshëndetje, harta Google?! Makina ngadalësoi shpejtësinë, ndërsa kalonim bletërritësit, të cilët shisnin kavanoza me mjaltë në anë të rrugës. Dhe më pas vazhdojmë nën retë e dendura dhe detin që shkëlqen nga poshtë. Duke bërë gjeste triumfuese, shoferi e ndaloi makinën në një vend me pamje të bukur. Dolëm nga makina për ta shijuar.

Unë dhe ime motër ishim në kërkim të një destinacioni mesdhetar për një pushim të shkurtër veror. Kriteri i vetëm? Jo pushime në një vend të rrahur nga era, por një aventurë që do të mundësonte shumë plazhe të bukura, not në det të hapur dhe kulturë.

Albania, apo Shqipëria siç e quajnë vendasit, ka turistë të shumtë. Ndërsa dreka për dy vetë në Korfuzin e afërt, një destinacion popullor pushimi në Greqi, mund të kushtonte fare mirë 60 dollarë, në Shqipëri hëngrëm drekë si për festë për më pak se 20 dollarë.

Dhe më vonë kishim ato udhëtime epike – krejtësisht të papritura në një vend me përmasat e Merilendit. Do të mësonim se Qafa e Llogorasë, ku ishim tani, është një nga rrugët e shtruara më të larta të Europës – një udhëtim emocionues nëpër kushte të ndryshme klimaterike – nga nxehtësia e peizazheve mesdhetare deri te mjegulla dhe pyjet me gjelbërim të përhershëm. Më poshtë, ne mund të shihnim një brez të rërës të bardhë në bregun e detit Jon. Këto plazhe të pazhvilluara në formën e gjysmëhënës janë disa nga gjërat më të bukura që mund të gjeni në një hapësirë të kaltër.

Jashtë, gjinkallat gumëzhinin dhe aroma e rigonit të pjekur nga dielli përhapej në makinën tonë. Ne zbritëm nga retë në Rivierën Shqiptare. Një varg si perlë e qyteteve bregdetare shtrihej në jug drejt kufirit grek. Shqiptarët mund të jenë një grup njerëzish i dashuruar me muzikën elektronike të klubit që i tund klubet e plazhit deri në orët e vona.

Edhe nëse nuk je një buf nate, mund të gjesh kënaqësi përgjatë këtij shtrati idilik të vijës bregdetare. Ne e gjetëm atë në Qeparo, një fshat i përgjumur, i rrethuar midis maleve dhe detit. Ne u bashkuam me pushuesit shqiptarë vendas në shezlongët e plazhit (pesë dollarë në ditë) dhe pamë të gjitha ujërat ku – sipas legjendës së shkëlqyer të Homerit – Odiseja doli në breg në Korfuz.

Pas rënies

Por, më lejoni t’ju rrëfej për Shqipërinë, “vendin e shqiponjave”, një vend me legjenda të vjetra dhe personazhe përfshirë një trim luftëtar të shekullit XV, Skënderbeun, një mbret i shekullit XX, i quajtur Zog dhe një diktator komunist, Enver Hoxha, i cili vulosi kufijtë e vendit për 40 vjet, ndërsa ngriti bunkerë betoni në çdo cep të vendit. (Ndoshta, ai nuk ishte paranojak, Hoxha thuhet se u mbijetoi 50 tentativave për atentat.) Kur regjimi i tij komunist ra në vitet ’90, qytetarët ikën masivisht nga vendi. Sot, Shqipëria është një vend me tradita të lashta të përziera me ambicie moderne.

Nga plazhi në Qeparo, ne lidhim çantat e shpinës për një ngjitje në kodrat që duket se kanë përqafuar vijën bregdetare të detit Jon. Ne ndalemi me ngurrim në rrugën që ndahet në dysh. Një treshe zotërinjsh të moshuar, ulur jashtë në një kafene, na nxisin, duke bërë me gisht përpjetë. Duke shprehur falënderimet tona, ne fillojmë ngjitjen që do të na çojë në peizazhin e egër me diell të Mesdheut, këngën e vazhdueshme të gjinkallave që ndërpritet vetëm nga thirrjet e një bariu. Era sjell aromën e livandos, nenexhikut dhe lulemines; zhurma e largët e këmbanës së kishës së fshatit dëgjohet nëpër luginë. Dhe pastaj fshati i vjetër i Qeparoit afrohet: një bastion shekullor prej guri që kapet në një majë kodre, deti që shkëlqen shumë më poshtë.

Këtu, ndërsa kalojmë përmes rrugicave, nën hijen e hardhive, kalojnë disa zonja të moshuara të veshura tradicionalisht me të zeza. Qyteti “i ri” i Qeparoit është vendosur në bregdet shumë më poshtë, por ky fshat i vjetër, i harruar, ende ekziston në gjithë lavdinë e tij të lashtë. Zukatja e bletëve, ”fluturimet” e rrobave nga telat ku janë nderur, lulet e trëndafilave bëjnë kontrast me muret e lyera… Ne kemi ecur në kohë.

Ne tronditemi përsëri ndërsa shohim një makinë të parkuar, të pikturuar si një flamur i madh, i kuq, shqiptar, me krahët e shqiponjës së zezë të shtrirë në të gjithë kofanon e makinës. Sipas legjendës, gjenerali i madh Skënderbeu mbajti një flamur të një shqiponje me dy koka në betejë kundër osmanëve në shekullin XV. Flamuri i shqiponjës është një simbol i krenarisë kombëtare. Vetë vendi është krejtësisht unik; gjuha shqipe nuk është e lidhur me gjuhët sllave ose gjuhët romane që rrjedhin nga latinishtja dhe zë degën e vet të familjes indoeuropiane. Një nga vendet më të vogla në botë, Shqipëria nuk ishte pjesë e Jugosllavisë së Titos.1 nga 3  

Më vonë atë pasdite, ne marrim një tjetër mësim historik për mirësjelljen e menaxherit ortodoks grek të një restoranti përpara detit. Në restorantin ”Barbarossa”, shumë elegant, shërbehen ushqime deti të shijshme dhe pjata tradicionale si spinaq me erëza.

Familja e menaxherit u largua nga Shqipëria pas rënies së regjimit komunist dhe ai mori zanatin e kuzhinierit duke punuar në ishullin grek të Parosit.

“A e dini lidhjen e Shqipërisë me Enean? Ne shqiptarët dëshirojmë të gjejmë figurat tona historike nga Antikiteti”, shpjegon ai me një buzëqeshje duke na ofruar një pjatë bujare me shalqin për ëmbëlsirë. Qyteti i lashtë i Butrintit, në Shqipërinë e Jugut, u themelua nga trojanët, të cilët ikën pas rënies së Trojës. Siç përshkruhet te “Eneida” e Virgjilit, Butrinti u ndërtua për t’u dukur si një miniTrojë.

Disa ditë më vonë, ne e gjejmë veten duke ecur ngadalë mbi rrënojat arkeologjike të Butrintit, që në vitin 1992 u shpall Trashëgimi e UNESCO-s. Duke datuar që nga shekulli XIII përpara Krishtit, Butrinti është një vend me bukuri të pashoqe, një park natyror i pyllëzuar, i mbushur me ekualipte dhe që laget nga baticat e detit. Madje, edhe turmat e vizitorëve njëditorë që marrin anijet nga Korfuzi nuk mund ta zvogëlojnë misticizmin e tij. Aty ka rrugë të ndërtuara nga helenët, një teatër dhe banjo romake, një bazilikë të madhe nga periudha e hershme kristiane (shekulli VI) dhe një kështjellë veneciane të shekullit XIV.

Pas disa orësh në vapën e mesditës, ne freskohemi në qytetin e afërt të Ksamilit, ku çdo centimetër i bregdetit të tij është i mbushur me lokale plazhi. Prej këtu ju mund të notoni drejt tre ishujve të vegjël, që pluskojnë në Mesdhe, pas komardareve të mëdha në formën e kuajve njëbrirësh dhe varkave me pedale.

Mikpritja dhe folklori

Një vështrim i shpejtë te librat e autorit shqiptar, Ismail Kadare, i cili fitoi për herë të parë çmimin ndërkombëtar ”Man Booker International Prize”, në vitin 2005, është një zhytje në folklor, traditë dhe shprehje të çuditshme si – ”dhi e zgjebosur dhe bishtin përpjetë” – për të mos përmendur gjakmarrjen dhe krenarinë mashkullore. Kadare bën referenca të shumta me Kanunin e Lekë Dukagjinit, kodin antik të ligjeve shqiptare të bazuara mbi nderin dhe mikpritjen.

”Shtëpia jonë i takon Zotit dhe mikut”, thotë një sentencë e vjetër.

Kjo mikpritje manifestohet në Berat, i njohur si ”qyteti i një mbi një dritareve”, një trashëgimi e mrekullueshme e Perandorisë Otomane, që ndodhet në qendër të Shqipërisë. I njohur si Trashëgimi e UNESCO-s, Berati është i njohur për shtëpitë e tij të bardha të stilit otoman, që i ngjiten një faqe kodre mbi lumin Osum. Qyteti ra nën kontrollin e turqve osmanë në vitin 1450, por kështjella e tij daton që nga shekulli IV përpara Krishtit. Ndërthurja kulturore është e dukshme në ansamblin e kishave bizantine dhe xhamive.

Kur mbërritëm në hotelin ”Mangalemi”, që drejtohet nga një familje, i ndërtuar mbi një shtëpi të madhe të shekullit XVIII, ne u pritëm me pije dhe buzëqeshje, pikërisht si motoja e re e turizmit shqiptar ”Buzëqeshje nga Shqipëria!” (”Smile from Albania!”). Hotel ”Mangalemi” ofron një pritje të ngrohtë, pa përmendur një restorant dhe një tarracë panoramike të jashtëzakonshme, vetëm për 45 dollarë nata.

Si për të provuar se mikpritja është ligj në këtë vend, më vonë ne ngecëm në një restorant që gjendej brenda shtëpisë së një djali që quhej Lili. Ai na shoqëroi në një tavolinë në kopshtin e shtëpisë, ndërkohë që bashkëshortja e tij përgatiste specialitete tradicionale si byrek me spinaq dhe fërgesë, për t’u ”shpëlarë” me verën e prodhuar nga babai i tij. Ne nuk parashikuam as gotat me raki të fortë që Lili na dha pasi hëngrëm.

Përpara se të iknim për në Korfuz, ne qëndruam në Sarandë, resorti popullor i pushimeve dhe një pikë kyçe e bregdetit jugor të Shqipërisë. Me të mbërritur, na u shfaq një pamje e vrullshme ndërtimesh të larta mbi plazh. Por, ky port ka një atmosferë fantastike. Në pikë të mëngjesit, sarandjotët notonin përgjatë bregut pa çarë kokën për trafikun e anijeve. Çadra të shumta shumëngjyrëshe ndodhen në rërën me guralecë, ndërkohë që restorantet që ofrojnë ushqime të shijshme gumëzhijnë.

Në mbrëmje, një turmë e zhurmshme na çon drejt ballkoneve për të parë se çpo ndodh. Duke vëzhguar me kujdes nga shëtitorja përgjatë bregut, ne pamë një paradë njerëzish – gjyshër, fëmijë, adoleshentë të dashuruar – duke bredhur ngadalë pranë detit, ndërkohë që dritat e verës veniteshin në errësirë. Në Shqipëri, ”xhiroja”, apo shëtitja e mbrëmjes, është një ritual i shenjtë dhe aktivitet rekreativ.

Mallkuar qoftë gjakmarrja historike. Si mund të rrimë ne pa e pëlqyer një vend, koha e lirë e të cilit është thjesht një shëtitje në mbrëmje? Ne zbritëm shkallët për t’u bashkuar me ta”. https://www.washingtonpost.com/lifestyle/travel/in-albania-age-old-traditions-and-mediterranean-beaches-on-the-cheap/2019/01/10/9a744ca2-0d1e-11e9-831f-3aa2c2be4cbd_story.html?fbclid=IwAR1ELiH_SeasRWX9a-ipvFKldMz_ZEv4i33pRmYbl_tM8p_phBeal3l2wBI&noredirect=on&utm_term=.8d335c01ba2f

12 atraksionet më të bukura të Shqipërisë, në kalendarin e Ambasadës së Zvicrës

Ambasada zvicerane në Shqipëri, ka përzgjedhur 12 vendet, atraksionet më të bukura dhe më të spikatura në Shqipëri, për t’i pasqyruar ato në kalendarin e Vitit të Ri 2019.

“Kalendari ynë për 2019 përmban foto nga e gjithë Shqipëria”, shkruan Ambasada e Zvicrës në Tiranë duke uruar edhe “Gëzuar Vitin e Ri!”.

Fotografitë me pamjet e spikatura nga laguna e Divjakës, ishulli i Sazanit, kanionet e Osumit e vargmalet e mbuluara me borë, etj, janë pjesë të kolazhit artistik që përmes ngjyrash të relievit gjeografik që pasqyrojnë, reflektojnë jo vetëm bukuritë turistike të Shqipërisë, por edhe 4 stinët e vitit. /e.xh//a.g/KultPlus.com

Turizmi i bardhë, Valbona destinacioni i preferuar

Sezoni i turizmit dimëror ose turizmi i bardhë, tashmë ka nisur dhe  biznesi privat i ka filluar përgatitjet, ka ngrohur ambientet pritëse dhe kërkon ndihmën e pushtetit lokal dhe atij qendror në mirëmbajtjen e rrugëve e shërbimeve energjetike e mjekësore për të qenë në lartësinë e duhur. Flitet për zonat e veriut të vendit ku dhe prania e dëborës është më e madhe dhe më e vizitueshme.

Thethi është vend i bukur për t’u vizituar, por është shumë vështirë për të shkuar atje në dimër, sepse, sipas informacionit që kemi nga Drejtori i AdZM Shkodër Agim Dardha, nga Qafë Thorë deri në Theth, rruga është e vështirë dhe kalohet me mjete të larta. Ndërsa për në Razëm është e mundshme.

Po kështu, vështirësi në periudhën e dimrit paraqesin edhe  Valbona. Besnik Hallaçi, specialist i AdZM Qarku Kukës që mbulon zonën e Tropojës, konfirmon për ATSH se rrugë-kalimi drejt Luginës së Valbonës është i kalueshëm dhe vizitorët e bardhësisë janë të përditshëm por sidomos në fundjavë. Halluçi thotë se më të shumtit vijnë nga Kosova, por pritet që ndërrimi i viteve t’i gjej hotelet dhe bujtinat vendase të mbushura sepse pronotimet po thuajse janë mbyllur.

Turizmi malor duket se është shndërruar në një nga tendencat më të pëlqyera të shqiptarëve.

Tashmë dëshira për të kaluar pushime nuk mbetet vetëm në sezonin veror.

Dimri është një mundësi po aq bindëse për të kaluar bukur dhe ndryshe përmes udhëtimesh apo sporteve dimërore, peizazheve dhe natyrës së bukur. Në natyrën tonë ka disa vende që preferohen për pushimet dimërore.

Destinacionet më perfekte për të provuar një aventurë të tillë, çmimet dhe alternativat që ato ofrojnë, mundësitë infrastrukturore që deri diku janë të përballueshme në mënyrë normale, janë edhe Razma e Boga, në veri të vendit mbi Shkodër, por edhe Voskopoja e Dardha në zonën e Korçës.

Edhe Razma ofron mundësi për zhvillimin e disa llojeve të turizmit, më i frekuentuar është ai i skive në morenat akullnajore, sidomos në fushën e Zezë e në fushën sportive të kampit të Razmës etj.

Po kështu dhe Boga sipër Razmës është një destinacion tepër interesant për turizmin dimëror.

Këtu keni mundësi të akomodoheni në disa shtëpi pritëse mjaft komode, të ushqeheni në restorantet e fshatit, të provoni gatimet tradicionale si, mishin e fërlikut, jardunin e deles, djathin e zier, kaçamakun, patatet në kaki etj.

Biznesi i turizmit të dëborës ka nisur përgatitjet për të pritur vizitorët e shumtë që preferojnë këto lartësi të ashpra malore që nisin me malësinë e Shkodrës e vazhdojnë me ato të Tropojës, Kukësit, Peshkopisë e të jugut të Shqipërisë. Ne sot u njoftuam për lartësitë e veriut me Thethin e Valbonën, por ndërrimi i viteve do të ketë më shumë vizitorë të lartësive të bardha. Dhe të parët kanë mbërritur bashkë  me festën e Krishtlindjes.

Ata janë vendas dhe të huaj që kanë nisur pronotimet hotelerike. atsh / /Kultlus.com

Kënga e Jonida Maliqit në Eurovizion do të këndohet në shqip

Pas tri ditëve konkurrimi intensiv në Festivalin e ’57 të këngës në RTSH, i cili u mbajt në Pallatin e Koncerteve në Tiranë, mbrëmë është përzgjedhur edhe kënga fituese, shkruan KultPlus.

Këtë edicion e fitoi me këngën “Ktheju tokës” këngëtarja Jonida Maliqi.

Kjo nënkupton që kjo këngë ka fituar të drejtën e përfaqësimit shqiptar në Eurosong 2019 në Izrael.

Këtë vit kënga përfaqësuese e Shqipërisë në Eurovision do të këndohet në gjuhën shqipe nga këngëtarja Jonida Maliqi.

Këngës tashmë pritet t’i bëhet edhe videoklipi.

Vitin e kaluar Shqipëria është prezantuar nga Eugent Bushpepa me këngën “Mall”./ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=zTItDns7O4Q

“Flight Network”: Gjiri i Gjipesë mes 50 plazheve më të bukura të botës

Gjiri i Gjipesë është renditur mes 50 plazheve më të bukura të botës për vitin 2018 nga faqja më e madhe kanadeze që u kushtohet udhëtimeve, “Flight Network”, në një listë që është përpiluar duke u bazuar në opinionin e 1 200 gazetarëve, botuesve, blogerëve dhe agjencive të udhëtimeve për të dhënë këndvështrimin e tyre prej eksperti.

“Nëse po kërkoni për një parajsë, ju e keni gjetur atë”, shkruan “Flight Network” për plazhin e Gjirit të Gjipesë.

“Plazhi i Gjipesë duket më shumë si një ishulli i vetmuar përrallor se sa një tjetër plazh në Europë dhe kjo sepse mënyra më e lehtë për të vajtur është me varkë”, lexohet në faqen kushtuar për udhëtimet.

“Shkëmbinj me gura të bardhë, ujëra të kaltra, rëra e bardhë dhe shpellat e rehatshme me hije krijojnë atë që është një prej plazheve më të pastra, por edhe më të pavlerësuara në botë”, shkruhet në këtë klasifikim të 50 plazheve më të bukur të vitit 2018.

“Merr me vete kamerën, shumë krem për diellin dhe mos harroni rrobat e banjës, sepse është e pamundur që t’i rezistosh ujërave kristal të pastra”, e mbyll përshkrimin për plazhin e Gjirit të Gjipesë “Flight Network”, të cilin e ka renditur mes 50 plazheve më të bukur të të gjithë botës./ /G.S/ a.jor. /KultPlus.com

Sonte Shqipëria do të zgjedhë përfaqësuesin për në Junior Eurovision 2018

Gjashtëmbëdhjetë artistë do të marrin pjesë në skenë në Tiranë sonte me shpresën e përfaqësimit të vendit të tyre në garën e ardhshme të këngës në Eurovizion, shkruan KultPlus.

Shqipëria debutoi për herë të parë në garën e Eurovizionit Junior në vitin 2012, dhe deri më sot kanë pasur 4 përfaqësime.

Më poshtë gjeni pjesëmarrësit në këtë garë.

Hera Hysi – “Melodi pranverore” (Spring melody)

Emmi Rushiti – “Mbremje feste (Celebration night)

Kristiana Veshaj – “Sot” (Today)

Efi Gjika – “Barby”

Jasmina Hoko – “Happy”

Sindi Goga – “Me tinguj fantazi” (With fantasy melody)

Iris Sula & Samanta Qoshku – “Çdo gjë do dashuri” (Everything needs love)

Era Rakipllai – “Panorama”

Merlin Xhai – “Bote e re” (New world)

Laura Boriçi – “Eshtë koha” (It’s time)

Iris Dollani – “Ylberi im” (My rainbow)

Sajana Kodheli – “Ylim” (My star)

Ana Kodra – “Prindër ju lutem” (Parent, please)

Melodian Mancala – “Enderroj” (I dream)

Speranca Bregasi – “Ditari” (Diary)

Uendi Goga – “Olellin dhe yjet i dua” (The sky and stars love)

“Il Messaggero”: Numër i madh turistësh në Shqipëri, në mesin e tyre shume italiane

Bum turistësh drejt Shqipërisë, një prej destinacioneve më popullore gjatë verës 2018, sipas të dhënave nga portalet e prenotimeve të hoteleve dhe fluturimeve, shkruan në faqen e saj në internet gazeta italiane “Il Messaggero”.

Vendi i Shqiponjave pëlqehet shumë edhe nga italianët. Rreth 5,7% e tyre e kanë zgjedhur si destinacion për të kaluar pushimet e verës. Por, edhe ata që kërkojnë në internet informacione për Shqipërinë janë të shumtë.

Një rezultat i jashtëzakonshëm, nëse shihet historia e këtij vendi, që vetëm pak vite më parë turizmi gati nuk ekzistonte fare.

Arsyet përse turistët zgjedhin këtë vend si destinacion për pushimet e tyre janë të shumta.

Në radhë të parë ka një raport të shkëlqyer cilësi-çmim. Shqipëria është një destinacion i lirë dhe cilësia e shërbimeve është e mirë.

Nga ana tjetër, komentet e turistëve janë shumë pozitive dhe kjo tregon se vendi ka shumë për të ofruar.

Për të mos u nënvlerësuar është edhe pozicioni i mirë i Shqipërisë, që është pranë të gjitha baseneve të Mesdheut.

Në fund, një faktor tjetër i rëndësishëm që tërheq gjithnjë e më shumë persona janë 3390 atraksionet turistike të vendit.

Mund të gjeni për të gjitha shijet. Nga plazhet e bukura të Velipojës, Rana e Hedhun, tek Parku Kombëtar i Divjakë-Karavastasë dhe gadishulli i Karaburunit, pa harruar qytetet dhe fshatrat e shumta për të vizituar. / KultPlus.com
https://economia.ilmessaggero.it/economia_e_finanza/albania_turismo_italiani-3952366.html

Turistja angleze për Kalanë e Rozafës: Unike (VIDEO)

Sezoni turistik i këtij viti ka shënuar një rritje të konsiderueshme të turistëve në monumentet e kulturës në gjithë vendin.

Kalaja e Rozafës në Shkodër, një vend atraktiv ku historia, arkitektura, peizazhi fantastik ndërthuren në mënyrë të përkryer, po mahnit gjithnjë e më shumë turistët e huaj dhe ata vendas.

Numri i vizitorëve është gjithnjë në rritje në këtë atraksion turistik, i cili përveç bukurive mban dhe misterin e historisë së Rozafës.

Një turiste angleze e cila vizitoi Kalanë e Rozafës dha përshtypjen dhe disa nga ndjesitë e para duke u shprehur se ,”më pëlqeu shumë ,nuk e kam parë asnjëherë dhe ishte vërtetë unike. E pashë është interesante po është e vështirë për tu mbajtur mend por mund të shikosh dhe të ecësh. Gjithashtu vizitova dhe pjesën poshtë të qytetit dhe kalanë dhe kjo vizitë zgjati rreth 40 minuta”.

Kalaja e Shkodrës në periudhën janar- korrik 2018 është vizituar nga 58,241 turistë, nga të cilët 16.105 përfituan nga hyrjet falas në ditët e përcaktuara nga Ministria e Kulturës.

Gjatë këtij viti ka pasur një rritje të konsiderueshme të vizitorëve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar , ku kalaja u vizitua nga 22,823 turistë./a.a/ KultPlus.com