Xhemile Hysenaj
Mbrëmë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, u promovua për herë të parë Kalendari Albanian Excellence-Zonjat që bëjnë Shqiptarinë 2020, shkruan KultPlus.
Mbrëmja kishte karakter miqësorë, ku u diskutua për historitë e suksesit të Zonjave që janë pjesë e këtij kalendari. Ku shpalosën detaje rreth çelësit të suksesit të tyre, sakrificave e përkushtimit të madh në profesionin e tyre.
Nën moderimin e Arbër Selmanit, mbrëmjen e hapi Drejtoresha Ekzekutive e Albanian Exellence, Flora Nikolla, e cila me kënaqësinë më të madhe i falenderoj gratë e pranishme për ardhjen e tyre, duke potencuar se ka qenë ëndërr e saj që të promovonte Zonjat që bëjnë Shqiptarinë, pasiqë këto 121 histori suksesi i konsideronte të ishin projekte mjaft madhore.
‘’E respektoj dhe e falenderoj Ardianën për atë çfarë ajo ka ndërtuar, KultPlusi është një përçues i vlerave. Me punën tuaj këmbëngulëse keni krijuar një komoditet të jashtëzkonshëm që shqiptarët kudo në botë të kuptojnë çfarë është kultura shqiptare. Ndërsa, sonte ti e hape KultPlusin për zonjat që kanë një emër të madh’’, vazhdoi tutje Nikolla
Flora Nikolla, ndër të tjera i njoftoi të pranishmit edhe me një historik të shkurtër rreth rrugëtimit të Albanian Exellence. Ajo tregoi për punën e madhe që është bërë për të promovuar Zonjat qysh nga viti 2012, ku për herë të parë u promovuan për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, duke vazhduar më pas me ‘Berati Histori Suksesi’, ‘Fieri Hisotri Suksesi’, ‘Vlora Histori Suksesi’, pastaj Zonjat Shqiptare në New York.
‘Ne i përkasim globalizmit, gratë shqiptare përkasin globalizmit. Kemi zonja shqiptare shumë të rëndësishme në botë’, potencoi ajo.
Në mesin e këtyre Zonjave, ishte edhe gazetarja e Radio Kosovës, Flora Durmishi, e cila shprehej tejet e kënaqur që ishte në mesin e Zonjave për të cilat kishte dëgjuar e i kishte parë, gra që sipas saj e kanë inspiruar dhe motivuar që të mbajë kokën lart për vet faktin se edhe ajo është grua.
‘’Ne jemi shumë më mirë se që kemi qenë. Kur e kam filluar emisionin tim ‘’Zëri i grave të Kosovës’, emisioni i parë në Kosovë për gruan pas luftës, fillimisht kam pasur problem që ti bëjë të flasin, shpesh jam ndjerë e fyer, kur nuk ndaleshin e nuk përgjigjeshin por unë e kam parë të domosdoshme të krijojë një hapësirë për gruan, ku gratë mund të shpalosnin idetë e tyre haptazi. Ndërsa, sot kur e shikoj nga kjo distancë e shoh se është bërë një punë e madhe, tani gratë flasin kaq lirshëm. Prandaj unë ndjehem shumë e vlerësuar që jam pjesë e këtij kalendari dhe këtij libri. Ky është një vlerësim shumë I madh për mua, sidomos kur vjen nga një grua si Flora Nikolla që e njeh mirë gazetarinë’’, deklaroi Durmishi.
Secila nga këto Zonja, tregonte histori të ndryshme, që sigurisht se përfshinin sakrifica, mund e përkushtim të madh ndaj profesionit të tyre. Qëllimi i këtij misioni ishte të promovonte gratë nga të gjitha trojet shqiptare, edhe nga ato që shpesh harrohen nga të tjerët si Lugina e Preshevës, Mali i Zi etj.
Zonja nga Mali i Zi, ishte Ilmira Lika, gazetare dhe drejtoreshë e televizionit ‘Teuta’, e cila fliste me nderimet më të larta për titullin që i është dhënë, pasiqë sipas saj, shqiptarët e Malit të Zi shpesh lihen anash në të tila raste. ‘Kur e kuptova se do të jem në mesin e këtyre Zonjave, për mua ishte nder shumë i madh. E kam ndjerë veten jashtëzakonisht mirë’, vazhdoi tutje Lika.
Teuta Fazliu, profesoreshë e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe si dhe Zyrtare e Qeverisë së Kosovës, u shpreh e nderuar për faktin që ishte pjesë e këtyre Zonjave, pasiqë Fazliu tregoi se të kesh prejardhjen nga një vend i vogël si Bujanoci, një qytet I diskriminuar shumë, është një gjë shumë e madhe të bëhesh pjesë e Zonjave që bëjnë Shqiptarinë. ‘’Albanian Exellence ka qenë organizata e parë që ka shkelur në luginë të Preshevës, ne kemi pasur mungesë të aktivitete të tilla. Prandaj, ky çmim më ka bërë nder sepse rrugëtimi im në Kosovë ka qenë një rrugëtim i dhimbshëm sepse kam ardhë këtu sapo filloi lufta, u mbylllën kufijtë dhe një kohë të gjatë nuk kam mundur të isha në shtëpi, prindërit e mi ishin pa punë dhe sakrifikuan shumë’’, u shpreh Fazliu.
Anita Hoxha, poete, e cila kishte fituar edhe çmime ndërkombëtare në fushën e letërisë, autore e tre librave, tregoi se rrugëtimi i saj nuk ka qenë aspak i lehtë. Martesa, familja e shumë faktorë të tjerë, kishin ndikuar që ajo të fillonte me vonesë të shkruaj dhe të krijojë artin e saj, gjë kjo që nuk kishte ndikuar më pak në suksesin e saj. ‘’Unë nuk punoj, jam shtëpiake, fillova të shkruaj pas 23 viteve, jam nga ato zonjat e thjeshta’’, vazhdoi tutje ajo me një modesti të pashoqe. Duke ngjallur kështu emocione të mëdha tek të pranishmit.
Ky promovim pati edhe një befasi për Voltana Ademin, Kryetaren e Bashkisë së Shkodrës. Ajo u nderua me çmimin ‘’Zonja që bën Shqiptarinë’’.
Ajo u shpreh shumë e nderuar që pranonte një çmim të tillë, pasiqë sipas saj Albanian Exellence është një platformë ku promovohen zonjat që janë profesioniste në fushën e vet, që kontribojnë e sakrifikojnë. ‘’Shumë pak nga ne e njihnim njëra tjetrën, kam pasur mundësinë të njoh zonja të cilave ndoshta u kam dëgjuar emrin por për arsye të ndryshme nuk kam pasur rastin ti takoj.. ndjehem krenare që jam pjesë e këtij grupi të madh. Fakti që kam arritur të njoh figura të mëdha në të gjitha fushat, ka qenë një ndjenë shumë e mirë’’, vazhdoi tutje ajo.
Për të mbyllur këtë mbrëmje, që brenda vetes pati rrëfime, të qeshura e shumë emocione, fjalën e mori Kryeredaktorja e KultPlusit, Ardiana Pajaziti.
Pajaziti si mikëpritëse e këtij eventi, falenderoi të pranishmit për prezencën e tyre, duke deklaruar se të mbash një titull të tillë, si Zonjë që bën Shqiptarinë, është një titull që kërkon përgjegjësi. ‘’Secila prej nesh kur në rininë tonë të hershme kemi filluar të mirremi me një pasion nuk e kemi menduar ndoshta asnjëherë që do të rrumbullakësohet në këtë formë. Është një kënaqësi shumë e madhe për mua dhe për të gjitha zonjat që janë pjesë e këtij libri.
Në kalendarin që u promovua, secila nga Zonjat prezantohej me një veshje që paraqet zonën prej nga vijne, poashtu bashkangjitur me fotografitë në kalendar, janë edhe thëniet që secila prej këtyre Zonjave i ka pasur si moto jetësore në rrugëtimin e tyre drejt suksesit.
Ndërsa, siç u bë e ditur nga Flora Nikolla, në këtë vit pritet që të dalë botimi numër dy i 121 storieve të suksesit.
Kur mbaruan diskutimet e rrëfimet, mbrëmja vazhdoi me një koktel dhe nën tingujt e muzikës së bukur shqipe, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com