Është një këngë e vjetër, me tekst e muzikë nga Mihal Grameno. Një prej këngëve më të bukura shqiptare, trashëguar ndër breza, “Muaji i majit”, për herë të parë u regjistrua para 96 vjetësh.
Ishte patrioti, artisti dhe muzikanti korçar, Spiridon Ilo, i cili regjistroi në disk këngën “Muaji i majit”, në kompaninë e tij “Albanian Phonograph Record”.
Spiridon Ilo ishte një prej firmëtarëve e aktit të pavarësisë, më 1912, po ashtu ndër patriotët që kanë kontribuar me të ardhura, për formimin e shtetit shqiptar.
Patriotizmi i tij, vjen i qashtër mes nesh, me regjistrimin e kësaj kënge, krijimi brilant i Mihal Gramenos. “Muaj i majit”, kjo serenatë kaq e njohur dhe e dashur, do të këndohet me krenari, brez pas brezi.
Këtë regjistrim e ka shpërndarë për publikun Niko Kotherja, drejtor pranë Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale, i cili shkruan:
‘Para 96 vitesh, në kompaninë e tij “Albanian Phonograph Record”, patrioti, artisti dhe muzikanti korçar Spiridon Ilo regjistroi këtë disk me këngën “Muaj i majit”, një krijim brilant me tekst dhe muzike të Mihal Gramenos.
Një serenatë aq e njohur dhe e dashur, e kënduar në breza dhe dekada, përcillet këtu në regjistrimin e parë, i kryer në Nju Jork, në vitin e largët 1923.
Nuk kishte kitare korçare që të mos e njihte këtë serenate!..’ / KultPlus.com