Maksimilian Lamberci ishte albanolog austriak. Maksimiliani ka lënë diku rreth 60 dorëshkrime në të cilat paraqet të dhëna mbi folklorin e folkloristikën, mitologjinë, etnologjinë, gjuhësinë, letërsinë, historinë.
Publikimi i tij i parë në fushën e studimeve shqipe ishte një libër gjuhe dhe leximi shqip më 1913; pastaj shkoi Italinë e Jugut për të shqyrtuar të folmet shqip atje; në veçanti iu kushtua dialektit verior arbëresh në Abruzzo dhe Molise, sidomos dialektit në Badhesas (Villa Badessa).
Studiuesi, profesor universitar dhe albanologu i njohur austriak, prof. dr. Maksimilian Lamberc, që nga viti 1906 kur dëgjoi gjuhën shqipe në Atikë të Greqisë, e deri më 1963, kur vdiq, nuk iu nda punës për t’i çuar përpara studimet albanologjike në fushë të folkloristikës, e sidomos të epikologjisë e të poetikës së përrallës, të mitologjisë, e në veçanti të demonologjisë, të së drejtës zakonore, sidomos të Kanunit të Lekë Dukagjinit, të morfologjisë, të sintaksës, të dialektologjisë, të leksikologjisë, të drejtshkrimit, të historisë së gjuhës, të letërsisë, të historisë së letërsisë, të dramës, të përkthimit, sidomos të Gjergj Fishtës etj.
Sot po e sjellim njërën nga thëniet më të bukura të tij pë shqiptarët:
“Historia e vërtetë botërore do të shkruhet vetëm atëherë kur në hartimin e saj do të marrin pjesë edhe shqiptarët”. /KultPlus.com
Ferdinand Leka, gjuhëtar; albanolog një emër i shquar i mendimit shqip vdiq më 25 korrik në moshën 90 vjeçare.
Leka ishte i vetmi delegat mes 87-të pjesëmarrësve që morën pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit, si përfaqësues i Institutit të Gjuhësisë.
Ky vit shënjon dhe 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe dhe profesori ishte duke shkruar kujtimet mbi këtë ngjarje madhore për gjuhën shqipe.
Prof. Ferdinad Leka është autor i veprave studimore si “Fjalori i Ri Kompakt Italisht-Shqip dhe Shqip-Italisht”, “Ushtrime përgatitore për një italishte me themel”, “Fjalori themelor Italisht-Shqip (Dizionario Fondamentale Italiano-Albaneze”)”, “Fjalori i Termave të Letërsisë”, “Antologji e Historisë së Kohës së Vjetër, Qytetërimet e Lashta, Lindja e Lashtë, Greqia, Roma, Ilirët” etj. Përkthimeve si: “Faik Konica” “Shqipëria, Kopshti Shkëmbor i Europës Juglindore”, titulli i origjinalit “The Rock garden of Southeast Europe”, “Histori e Kishës, Zhvillimi i Jetës së Kishës nga rreshajet deri në ditët tona”, Michel Lemonnier, “Botëkuptimi i Dostojevskit”, Nikolai Berdjajev, “Zanafilla dhe kuptimi i komunizmit Rus”, Nikollaj Berdajev, “Jezusi i Nazaretit”, Joseph Ratzinger (pjesa e dytë nga hyrja në Jerusalem deri te ngjallja), Henry Barraud, “Për të kuptuar muzikën e sotme” etj.
“Këto foto janë realizuar vetëm disa muaj më parë në shtëpinë e tij. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit u shpreh familjarëve ngushëllimet e thella. Nderim për punën e veprën e tij”./Panorama.al / KultPlus.com
Bisedë me Krisztián Csaplár-Degovics, albanolog dhe historian hungarez; nxënës i albanologut dhe përkthyesit hungarez Istvan Schuts.
Bisedoi: Mimoza Hasani Pllana
Mimoza Hasani Pllana: Çfarë ju ka motivuar kaq shumë sa të mësoni gjuhën shqipe?
Krisztián Csaplár-Degovics: Pikësëpari gjithmonë kam pasur dëshirën që të jem historian, që merret me historinë e Europës Lindore dhe gjithmonë kam qenë në kërkim të një historie të caktuar kombëtare, interesante në një kuptim të gjerë, për studimin e së cilës kërkohet përgatitje dhe shkathtësi shkencore specifike. Në universitet jam marrë me historinë polake, sllovake dhe rumune, në përpjekje për të gjetur një periudhë, personalitet apo territor intrigues për t’ia dedikuar përpjekjet e mia shkencore – por ende pa sukses. Pas disa muajve dhe viteve humba interesimin tim për këto vende. Së dyti, unë kam studiuar shkencat arkivore në universitet (1997-2002). Më 1999 kam marrë pjesë në një trajnim në Arkivat Kombëtare të Vjenës organizuar nga Delegacioni Arkivor i Hungarisë në Austri. Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme për mua dhe u dashurova me dokumentet që ofronin Arkivat Kombëtare të Austrisë. Së treti, u ndesha me historinë shqiptare shumë vonë. Ka qenë viti 1999 kur isha duke lexuar monografinë e profesorit austriak Karl Kaser mbi fiset shqiptare (Hirten, Kampfer, Stammeshelden). Kam qenë i fascinuar të mësoj se 4-500 kilometra larg nga Hungaria ekzistonte një shoqëri mirë e organizuar fisnore në fillim të shekullit. Në një moment kur sapo kisha përfunduar së lexuari librin e Kaser, u ndesha me emrin e Nopças dhe dokumentet për të në Arkivat kombëtare vjeneze. U dashurova me personalitetin e tij dhe fillova së shkruari tezën e magjistraturës mbi aktivitetin e Nopças më 1911 në Shqipërinë e Veriut, duke u mbështetur në burimet arkivore të papublikuara të Arkivës kombëtare austriake. Pas diplomës së parë, vendosa që të merrem me historinë shqiptare me intensitet të shtuar dhe në mënyrë profesionale: në muajt e parë kur fillova studimet doktorale e vizitova prof. Schutzin për të marrë pjesë në seminarin e tij gjuhësor.
M.: Sikur edhe gjuha hungareze edhe gjuha shqipe është e veçantë, jo e lehtë për t`u mësuar dhe për t`u folur derisa nuk jeton në vendet shqipfolëse. Sa mbani kontakte fizike me shtetet europiane ku gjuha shqipe është gjuhë zyrtare: Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e zi?
K.C.D.: Gjuha shqipe i takon familjes së gjuhëve indoeuropiane, kështu që marrëdhënia me strukturën gramatikore të saj është e lehtë. Vështirësitë e të mësuarit së shqipes rrjedhin nga fjalori i saj i veçantë dhe dialektet e së folmes. Që nga viti 2004 lexoj publikimet e historiografisë shqiptare (nganjëherë përdor fjalorin), letërsi, veprat e intelektualëve shqiptarë etj. Kështu që mendoj se kapacitetet e mia lexuese janë të mira. Kam studiuar historinë e Europës juglindore në Minhen dhe Vjenë (2002-2004) dhe që nga ajo kohë kurrë nuk i kam shkëputur kontaktet e mia me mësuesit dhe miqtë shqiptarë; ne komunikojmë në gjuhën gjermane dhe shqipe. Në tri vitet e fundit kam marrë pjesë në disa konferenca ndërkombëtare në Tiranë dhe Prishtinë dhe kam filluar të mbaj korrespondencë me historianë dhe shkencëtarë shqiptarë, të cilët nuk i kam njohur më parë.
M.: Fushat tuaja të studimit i përkasin kërkimeve politike, historike, kulturore të popullit shqiptar, nga të cilat keni marrë informacione edhe për gjuhën, traditën kulturore, historinë dhe zakonet e shqiptarëve, andaj a mund të na thoni si e çfarë e dallon gjuhën shqipe dhe popullin shqiptar në mesin e gjuhëve dhe popujve ballkanikë?
K.C.D.: Ngjashëm sikur gjuha hungareze, gjuha shqipe është një “gjuhë ishull”. Në fqinjësi të saj nuk ka gjuhë të tjera që kanë ngjashmëri me të. Për shkak të këtij ‘pozicioni ishullor’ bota shqipfolëse krijon një territor të mbyllur në Ballkan dhe nuk është e vështirë që të dallohen veçoritë kryesore ndërmjet gjuhës shqipe me gjuhën greke dhe sllave. Nga pikëpamja e historianëve, ekziston një dallim i rëndësishëm ndërmjet gjuhës shqipe dhe gjuhëve të vendeve fqinje: ka burime të pakta me vlerë, të shkruara në gjuhën shqipe para fundshekullit të 19-të.
M.: Historia e albanologjisë njeh emra të shquar albanologësh nga koha e Autro-Hungarisë dhe sot. Kujtojmë dy albanologët e dalluar, një nga të parët Franz Nopcsa dhe Istvan Schuts, kontribuesin e madh të kohës sonë. A mund të na thoni a ka ndikuar vepra e tyre në studimet tuaja?
K.C.D.: ‘Mësuesi i parë’ pa dyshim ka qenë Nopça, pastaj Lajos Thallóczy të cilin shoqëria shqiptare nuk e njeh mirë. Nopçja ka qenë shkencëtar i madh, ndërsa Thallóczy ka luajtur një rol të rëndësishëm në proceset e formimit të kombit dhe shtetit shqiptar ndërmjet viteve 1896 dhe 1916. Pas njohjes me Nopçan dhe Thallóczin, kanë qenë profesorët, kolegët dhe miqtë e mi austriakë, bavarezë dhe shqiptar në Mynhen, Vjenë dhe Grac të cilët ma prezantuan albanologjinë austro-hungareze (Karl Kaser, Peter Bartl, Konrad Cleëing, Oliver J. Schmitt, Jonida Xhyra, Kurt Gostentschnigg, Eva Anne Frantz, Bardhyl Demiraj). Ata më ndihmuan t’i artikuloj pikëpamjet e mia apo të shndërrohem në një pasardhës hungarez të albanologjisë austro-hungareze. Unë mësova gjuhën shqipe vetëm një semestër nga prof. Schutz. Në vend të mësimit të gjuhës, ai preferonte që të tregonte anekdota mbi kulturën dhe shoqërinë shqiptare. Për këtë arsye unë shkova në Mynhen, që ta mësoj gjuhën shqipe dhe albanologjinë. Në përgjithësi, unë kam pasur profesorë austriakë, gjermanë dhe shqiptarë, dhe jo profesor Shutzin. Edhe pse nuk llogaritem si student i prof. Schutz, bëj shumë përpjekje që trashëgimia e tij të vlerësohet dhe të kujtohet si në Hungari, ashtu edhe në vendet ka banojnë shqiptarët. Kam respekt për aktivitetin e tij jetësor dhe shkencor.
M.: Të flasim pak për njërin ndër albanologët më të njohur në Europë në shek. XX., Istvan Schuts, që la pas vetes studime monumentale lidhur me prejardhjen e gjuhës shqipe. A mund të na kujtoni z. Schuts sipas njohjes suaj?
K.C.D.: Aktiviteti shkencor dhe jetësor i prof. Schutz ka ngjallur debate në Hungari. Ai ka qenë një shkencëtar i ‘vetëshpallur (vetëbërë)’ dhe një linguist autodidakt. Për shkak të hendeqeve shkencore të tija, sipas meje, linguistët hungarezë kanë refuzuar ta pranojnë në mesin e tyre. Publikimet në hungarisht të Schutzit kanë qenë cak i sulmeve shkencore në kolumne në revista të njohura hungareze. Thënë të vërtetën, ai nuk ka mundur t’i bindë kritikët hungarezë për pikëpamjet e tij. Kjo ka qenë ndër arsyet kryesore pse ai filloi t’i publikojë punimet e tij shkencore në gjuhë të huaja dhe për këtë arsye ai është ndjerë më i respektuar në revista ndërkombëtare shkencore. Sa i përket sfondit të njohurive historike, personalisht i vlerësoj qëndrimet e tij me një dozë kritike. Librat në hungarisht të prof. Schutz, që kanë trajtuar të kaluarën historike të Ballkanit, rrallëherë janë të dobishme për studentët dhe historianët. Në anën tjetër, këto libra kanë qenë ndër librat e para në gjuhën hungareze, të cilat kanë hulumtuar periudhën më interesante dhe më së paku të hulumtuar të Europës Juglindore para fillimit të mileniumit të ri. Për ta përmbledhur, nëse dikush dëshiron ta vlerësojë të kaluarën shkencore të Schutzit ai duhet ta hulumtojë ndikimin e tij në shoqërinë e shkencëtarëve shqiptarë. Besoj se ndikimi i tij dhe kujtesa për Shutzin, po ashtu ka një anë emocionale, përbrenda historisë së albanologjisë. Prof. Schutz filloi të merret me albanologji, filloi të komunikojë me shkencëtarët shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëra në një periudhë të rëndësishme, atëherë kur shqiptarët trajtoheshin si qytetarë të rangut të dytë në Jugosllavi dhe nga një botë e ndarë nga lufta e ftohtë. Prof. Schutz i motivuar dhe i shtyrë nga personaliteti i tij, interesimet e tij të vazhdueshme, gjithmonë i ka konsideruar shqiptarët, kulturën dhe gjuhën e tyre si vlera të përgjithshme të njerëzimit (dhe kjo është arsyeja pse aktiviteti i tij jetësor mund të jetë pjesë e traditave të mira të albanologjisë).
M.: Lidhjet shqiptaro-hungareze janë të hershme, nga koha e dy figurave kombëtare Skënderbeut dhe Hunyadit, për të vazhduar në kohën tjetër të përkrahjes së madhe që AustroHungaria dha për krijimin e shtetit shqiptar, pastaj me lidhjen martesore të Mbretit Zog me vajzën (Mbretëreshën Geraldinë) e njërës prej familjeve të njohura hungareze, Apponyi. Në shekullin që po jetojmë (XXI), Hugaria radhihet nga shtetet e para që njohu pavarësinë e Kosovës. Çfarë do të veçoni nga marrëdhënie shqiptaro-hungarezebrenda periudhës tuaj të studimeve?
K.C.D.: Sa i përket lidhjeve historike shih pjesë në pyetjen e 8-të. Jam dakord me ju se ngjarjet kryesore që kanë shënuar lidhjet hungarezo-shqiptare ndërlidhen me bashkëpunimin e Skënderbeut me Huniadin, lindjen e albanologjisë në Perandorinë Habsburge (1850), rolin austro-hungarez në proceset e formimit të kombit dhe shtetndërtimit tek shqiptarët (1896-1960), ekspeditat hungareze në territoret shqiptare (1916-1918), martesa ndërmjet mbretit Zog dhe Geraldinës, marrëdhënieve shkencore 1945-1955 dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës.
M.: Çfarë jeni duke punuar tani në kontekst të studimeve ballkanike?
K.C.D.: Tani jam duke redaktuar një liber shkencor mbi marrëdhëniet historike, politike, kulturore dhe shkencore shqiptaro-hungareze (prej shekullit 15 e deri më tani). Dymbëdhjetë studime, ku paraqiten përpjekje për të dhënë detaje mbi situatat konkrete historike në të cilat historitë kombëtare të shqiptarëve dhe hungareze janë përpjekur (Skënderbeu dhe Huniadi; familja Arianiti në Hungarinë otomane të shekullit të 16-të; aktiviteti i Gjergj Balshës në Hungari; Pjetër Mazreku; Toma Raspassani; Lajos Thallóczy dhe formimi i kombit shqiptar; detashmenti austrohungarez në Shkodër më 1913; Nopcja në kampanjën ushtarake austro-hungareze në vitin 1916; 25 vjetori i pavarësisë në Tiranë më 1937; mbretëresha Gjeraldinë; marrëdhëniet shqiptaro-hungareze gjatë luftës civile greke 1946-1949; pavarësia e Kosovës dhe Hungaria) dhe katër përmbledhje mbi lidhjet shkencore (historia e albanologjisë hungareze; marrëdhëniet arkeologjike ndërmjet Hungarisë dhe Shqipërisë; botanistët hungarezë në territoret e banuara me shqiptarë; albanologjia dhe linguistët hungarez). Ky libër studimor dhe shkencor është shkruar nga historianët dhe shkencëtarët më të shquar hungarezë dhe financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Hungarisë. Në anën tjetër, synoj që të shkruaj një monografi mbi shtetin e parë shqiptar (1912-1914) nga perspektiva ndërkombëtare dhe globale.
Krisztián CSAPLAR-DEGOVICS: u lind më 1976. Në vitin 2000, mbaroi studimet për Historinë e Përgjithshme në Universitetin e Budapestit, Eötvös Loránd. Më 2003, mbaroi studimet në Shkencat e Arkivit, në po të njëjtin Universitet, ku edhe vazhdoi studimet doktorale në fushën e Shkencave Historike, programi: Historia e Europës Lindore të shekullit XIX dhe XX, të cilat i mbaroi në vitin 2008. Kërkimet shkencore të CSAPLAR-DEGOVICS, i përkasin Historisë së Shqipërisë, Serbisë, Kosovës dhe Maqedonisë, si dhe studime të tjera të lidhura me politikat ballkanike të monarkisë së Austro-Hungareze. Nga arritjet akademike, veçohet puna e tij si këshilltar i lartë i kërkimit dhe udhëheqës i ekipit kërkimor për studime të Europës Juglindore në Akademinë e Shkencave në Hungari, si asistent professor në Departamentin e Historisë së Europës Lindore në Universitetin e Budapestit, Eötvös Loránd. Deri tani, ka publikuar me dhjetëra punime shkencore në fushën e studimeve të marrëdhënieve kulturore dhe historike të vendeve të Ballkanit. Është anëtar i “Shoqatës së Studimeve Austriake”, anëtar i “Institutit Shqiptar” në Mynih, anëtar i komisionit të përbashkët të historianëve bullgaro-hungarez, etj. Është përfitues i disa bursave të studimit në vende të ndryshme europiane. Në vitin 2008, është nderuar me çmimin Péter Hanák, që ndahet për studiuesit e rinj të historisë së Europës Qendrore.
Bisedë e shkëputur nga libri: “Shtegtimi i shqipes në Europë” botuar nga OLYMP, Prishtinë, 2019. / KultPlus.com
Sot bëhen 146 vite që kur ka lindur Gjergj Pekmezi i njohur si profesor i shqipes, bibliograf dhe albanolog shqiptar. Në nder të tij katedra e albanologjisë ne Universitetin e Vjenës mban emrin “Prof. Dr. Gjerg Pekmezi”, shkruan KultPlus.
Studimet e para i kreu në Ohër e Manastir. Më 1887 shërbeu si mësues në Llëngër të krahinës së Mokrës. Studimet e universitare i bëri në Beograd e në Vjenë, ku u diplomua më 1898 për filozofi dhe filologji. Më 1903 u emërua shef i katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin Oriental të Vjenës. Pas një viti themeloi Shoqërinë Kulturore Patriotike “DIJA”. Më 1908 zbulon memorandumin e famshëm të 1878-ës që Vaso Pasha e Sami Frashëri i dërguan Kongresit të Berlinit. Kontribuoi pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve duke vërtetuar shqiptarësinë e banorëve në viset jugore kundrejt orekseve synimeve greke. Punoi si përkthyes pranë këtij komisioni nga vjeshta e 1913 dhe më 1914 u emërua përkthyes i misionit austro-hungarez në Durrës.
Ai ka lënë dorëshkrim një punim mbi dialektologjinë shqiptare “Tiparet dalluese thelbësore të dialekteve kryesore të shqipes, gegërishtes dhe toskërishtes”. Gjithashtu ka mbledhur e dorëzuar 8177 faqe të daktilografuara me materiale e relacione të konsujve austro-hungarezë të Shkodrës, Prizrenit, Janinës, Stambollit, nxjerrë nga arkivi i Ministrisë të jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze. / KultPlus.com