Kryeministri Kurti takohet me albanologët Leonardo Savoia dhe Francesco Altimari

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua ditën e sotme me profesorët dhe albanologët Leonardo Savoia nga Italia dhe Francesco Altimari, i cili është arbëresh.

Sipas njoftimit nga ekzekutivi, diskutimi mes tyre ishte i hapur, i sinqertë dhe plot shkëmbime të dijes.

U bisedua rreth identitetit gjuhësor shqiptar e kulturës, si dhe rreth figurave pionere të Rilindjes dhe çështjes kombëtare, të cilët kanë kontribuar në ruajtjen e kultivimin e gjuhës, por edhe përhapjes së saj ndërkombëtarisht.

“Profesori i nderuar Leonardo Savoia, tha se e ka studiuar kulturën shqiptare dhe ndihet i lumtur që shpesh viziton Republikën e Kosovës, për të thelluar më shumë studimet dhe punën kërkimore të tij. Ai së bashku me z. Altimari, do të marrin pjesë në Seminarin e 42-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare”, thuhet në njoftim.

Profesori Savoia ka mbi 40 vite që merret me studimet mbi shqipen dhe arbërishten. Studime të tij janë botuar edhe nga Akademia e Shkencave të Kosovës e të njëjtat prezantohen kudo ku dëshmohet lashtësia dhe lidhja e shqipes me gjuhët e vjetra. Ndërsa z. Altimari është studiues dhe profesor i shqipes dhe letërsisë në Universitetin e Kalabrisë që prej vitit 1992, si dhe ka dhënë mësim edhe në Universitetin e Napolit, Universitetin e Lecce-s, Universitetin e Triestes dhe Universitetin e Milano-Cattolica.