Viti 2021 ka qenë vit i sukseseve për filmat kosovar, ku së fundmi filmi “Luaneshat e Kodrës” është shpërblyer me njërin prej çmimeve kryesor në Festivalin e Filmit Calgary të mbajtur në Alberta, një provincë e Kanadasë, shkruan KultPlus.
Filmi me regji të Luana Bajramit ka arritur që të korr edhe një sukses të madh ndërkombëtar, duke fituar çmimin special të jurisë në Festivalin e Filmit “Calgary”.
‘Luaneshat e Kodrës’, një film i xhiruar në Kosovë shtjellon ëndrrat e tri personazheve kryesore që vijnë nën aktrimin e jashtëzakonshëm të Flaka Latifit, Era Balajt dhe Uratë Shabanit.
Këto tri shoqe të pandashme me njëra tjetrën që refuzojnë ti shpalosin vështirësitë e tyre personale mes vete, përfytyrojnë një të ardhme të ndritur e të mbushur deri në kupë me një liri tejet të dëshiruar si asnjëherë më parë.
Diku larg vendit ku ato jetojnë, në një qytet të madh, aty ku nuk ekzistojnë thashethemet dhe pengesat e gropat e vazhdueshme nëpër të cilat duhet të kalojnë çdo ditë të jetës së tyre, është pikërisht ai vegimi përrallor që mban gjallë shpresat, pritjet e parashikimet e tyre gjatë rrugëtimit të tyre të quajtur ‘jetë’. E se si ardhmja e tyre do të lulëzojë, këtë filmi e tregon qartazi. /KultPlus.com