Kosova sot ndërmori një hap të rëndësishëm për jetësimin e zotimeve në kuadër të Samitit për Demokraci, përcjellë KultPlus.
Këtë lajm e ka dhënë presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e cila është shprehur që përkushtimi i institucioneve tona në këtë drejtim është maksimal.
“Sot kam inauguruar Këshillin për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, mekanizëm përgjegjës për koordinimin dhe garantimin e mbarëvajtjes së punës së të gjitha institucioneve tona, të cilat janë drejtpërdrejt përgjegjëse për përmbushjen e zotimeve të prezantuara në Samitin për Demokraci”, ka shkruar Osmani.
Tutje Osmani është shprehur se përkushtimi i institucioneve tona kyçe në këtë drejtim, përfshirë shoqërinë civile, është dëshmi e seriozitetit të Republikës së Kosovës në përmbushjen e zotimeve të dhëna në këtë samit të President Joe Biden, e që ndërlidhen me luftimin e korrupsionit, mbrojtjen nga autoritarizmi dhe avancimin e të drejtave të njeriut. / KultPlus.com