Kurti viziton kompaninë LinkedIn, i fton në Kosovë për investime

Kryeministri Albin Kurti e ka vizituar objektin e kompanisë së teknologjisë LinkedIn, ku thotë se është takuar me drejtuesit e kompanisë.

Në një postim të shkruar në profilin e tij në Twitter, kryeministri thotë se Kosova ofron një klimë të favorshme investimi për kompanitë e teknologjisë.

Lexo Edhe:

“Potenciali i rritjes së madhe të hapësirës së IT-së në Kosovë ofron një klimë të favorshme investimi për kompanitë e teknologjisë. Kjo nga ana tjetër do të sigurojë vende të reja pune me cilësi të lartë për njerëzit tanë, siç thash gjatë një takimi me drejtuesit e LinkedIn”, është shprehur ai./ KultPlus.com

Kurti për Ditën e Evropës: Për Kosovën, Bashkimi Evropian fillon në shtëpi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar qytetarët për “Ditën e Evropës”.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti thotë se për Kosovën, Bashkimi Evropian fillon në shtëpi duke jetësuar ndryshimet të cilat transformojnë vendin tonë dhe përshpejtojnë anëtarësimin në BE.

Ai tutje shkruan se Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor.

Lexoni më poshtë postimin e plotë të Kurtit:

Sot, me 9 maj, në Ditën e Evropës, kujtojmë deklaratën e ministrit të jashtëm francez Robert Schuman. Kujtojmë idetë dhe idealet e themeluesve të Bashkimit Evropian të cilët pas shkatërrimit që sollën dy luftëra botërore e kuptuan që paqja për të qenë e qëndrueshme, duhet të jetë e lidhur me drejtësinë, barazinë, bashkëpunimin dhe mundësinë për një jetë më të mirë; se integrimi e ndërvarësia sjellin më shumë fitime dhe mundësi sesa rivaliteti e kundërvëniet.

Bashkimi Evropian është projekt dhe proces për Evropën dhe gjithë qytetarët e saj që besojnë në vlerat e lirisë dhe demokracisë, drejtësisë dhe barazisë, të drejtat e njeriut dhe të drejtat civile, lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave, sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit.

Këto vlera sot po mbrohen në Ukrainë. Atje, përballë një agresori e pushtuesi despotik, po mbrohet ideja e një Evropë të lirë dhe të bashkuar. Pikërisht në këtë ditë duhet të zotohemi për të mbrojtur e përshpejtuar projektin e Bashkimit Evropian duke integruar Kpsovën, gjithë Ballkanin Perëndimor dhe gjitha shtetet evropiane paqedashëse të cilat përqafojnë vlerat tona të përbashkëta, duke përfshirë Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë.

Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor. Ne besojmë në demokraci që lufton autokratët, në sundim të ligjit që lufton korrupsionin dhe në ekonomi të zhvilluar që rrit mirëqenien për të gjithë.

Me qeverisjen tonë po dëshmojmë se për Kosovën Bashkimi Evropian fillon në shtëpi duke jetësuar ndryshimet të cilat transformojnë vendin tonë dhe përshpejtojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Urime të gjithë qytetarëve 9 Maji – Dita e Evropës!./ KultPlus.com

Kurti kujton Skendërbeun: Ai frymëzon veprimtarinë tonë shtetërore e politike

Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar heroin kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në ditën e lindjes së tij. Ai thotë se Skënderbeu është ikona e identitetit shqiptar, simbol i denjë i gjallërisë së kombit shqiptar dhe i dëshirës sonë për liri.

Kurti tha se përpjekjet për liri të kombit shqiptar kulmuan me epopenë e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Flamuri i kombit tonë mban edhe sot me krenari simbolikën e tij. Skënderbeu është dëshmia jonë historike për tërë botën se liria është vlera më e rëndësishme e njeriut dhe e popullit. Kur liria cenohet, populli hidhet në luftë çlirimtare me gjithçka ka, paçka fuqisë më të madhe të pushtuesit. Këtë e dëshmuan në shek. XX përpjekjet e kombit shqiptar për çlirim e bashkim kombëtar, veçanërisht epopeja e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Kurti, i cili ndodhet në SHBA për vizitë zyrtare, tha se kujtesa për Skënderbeun, për të cilin tha se ishte mbrojtës së lirisë së popullit të tij dhe Perëndimit, është frymëzuese edhe tani kur rreziqet ndaj sovranitetit janë aktuale.

“Për fat të keq, liria e popujve po rrezikohet sërish në dekadën e dytë të shek. XXI, në një kohë kur dukej se aspiratat për paqen dhe begatinë afatgjatë të kontinentit po bëheshin realitet. Rreziqet ndaj lirisë dhe sovranitetit popullor nuk mungojnë as në rajonin tonë. Prandaj, kujtesa jonë për Skënderbeun, si mbrojtës së lirisë së popullit të tij dhe i Perëndimit në kushtet e shek. XV është aktuale dhe frymëzon veprimtarinë tonë shtetërore e politike”. /KultPlus.com

Kurti deklaron se Kosova ka kryer detyrat e shtëpisë, kërkon liberalizimin e vizave

Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar sot nga kancelari gjerman, Olaf Scholz në Berlin, që Gjermania të shtyjë përpara procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Në një konferencë të përbashkët për media, kreu i Qeverisë së Kosovës tha se dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë i përqendruar në njohje reciproke ndërmjet dy vendeve.

“Edhe dy muaj bëhen katër vite prej se Komisioni Evropian e ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën për herë të dytë. Është koha të thuhet se mjaft është mjaft. Kjo çështje duhet të vendoset në Këshillin e BE-së pasi Kosova i ka kryer detyrat e shtëpisë, dhe është radhe që edhe BE të kryej detyrat e saj”, tha ai.

Kurti tha se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe partneritet me NATO-n ku llogaritet në ndihmën e Gjermanisë. /KultPlus.com

Vrasja e 116 civilëve në Studime, Kurti: Asnjë i dënuar për këtë masakër – vetëm heshtje

Njëzet e tre vjet më parë, 116 civilë shqiptarë, përfshirë edhe fëmijë e gra, u vranë nga forcat serbe të sigurisë, në fshatin Studime të Vushtrrisë. Masakra ka ndodhur prej orës 20 deri në 21 të mbrëmjes të 2 majit.

“Përafërsisht një orë e gjysmë tmerr që shkaktoi humbje të pakthyeshme, vuajtje të pashlyeshme dhe dëm të pariparueshëm jo vetëm te familjarët, por te i gjithë populli”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në akademinë përkujtimore të organizuar në 23- vjetorin e masakrës në Studime.

Njëri prej dëshmitarëve të masakrës ka treguar që ushtarakët serbë kanë tentuar të kthehen për t’i marrë kufomat, por falë UÇK-së nuk kanë mundur. Ai tregon sesi ai bashkë me fshatarët i kanë varrosur për tre ditë rresht.

Përtej tmerrit të vrasjeve, tentimi për largim të trupave dhe fshehjes së këtij krimi makabër – e bën këtë masakër edhe më të rëndë, tha kryeministri Kurti, teksa shtoi se, ajo që rëndon edhe më tepër, është që sot, 23 vite pas luftës, ende nuk ka asnjë vendim gjykate që dënon dikënd për këtë masakër. “Asnjë hetim që ka prodhuar rezultat nga Prokuroria Speciale. Veç heshtje”, u shpreh kryeministri Kurti.

Në anën tjetër, vazhdoi ai, luftëtarë të UÇK-së mbrojtëse, janë arrestuar, burgosur e dënuar dikur nga UNMIK-u, Tribunali i Hagës, EULEX-i e tash po mbahen në burg nga Gjykata Speciale.

Në momente si kjo na duhet të bëhemi bashkë, prandaj këtu jam edhe unë,  është edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi,  janë edhe deputetët e asambleistët e të gjitha partive politike dhe së bashku duke përkujtuar martirët e dëshmorët, të shtrëngojmë fort dhimbjen që ndjejmë e të zotohemi dhe angazhohemi që të bëjmë më të mirën për të ardhmen e vendit tonë, të fëmijëve tanë, të gjeneratave që do të vijnë, tha në përmbyllje të fjalës kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti bëri homazhe dhe vendosi lule në Kompleksin Memorial ku janë të varrosur viktimat e masakrës në​ Studime.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të dashur familjarë të martirëve dhe të dëshmorëve të kombit,

I nderuari Kryetar i Komunës së Vushtrrisë, z.Ferit Idrizi,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, Besim Muzaqi, Gazmend Gjyshinca, Rrezarta Krasniqi, Fjolla Ujkani e Ganimete Musliu,

Veteranë e invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Të nderuar të pranishëm,

Jemi mbledhur sot këtu për të përkujtuar dhe nderuar ata të cilët më s’janë me neve, dhe ata që përtej dëmeve të shkaktuara e kanë parë tmerrin me sy, e janë sot këtu me neve.

Vushtrria ka vuajtur e humbur shumë gjatë luftës. Ka pësuar shumë dhimbje. Ende ka shumë pikëllim. Duke nisur nga masakrimet në Reznik, vrasjet në Kunovik, plagosjet e rënda të Grabanicëve, maltretimet në Burgun e Smrekonicës, masakrimin e familjes së Selatin Gërxhaliut, e deri te masakra e Studimes të cilën e kujtojmë sot.

Kush e ka përjetuar luftën fizikisht nga këtu, i kujtohet që kah prilli i vitit 1999, qytetarët e Vushtrrisë po zhvendoseshin sepse po dëboheshin. Një pjesë nëpër vende që dukeshin më të sigurta në Kosovë, një pjesë në Shqipëri – e një pjesë pati mbetë në zonat përreth deri më 2 maj.

Forcat paramilitare serbe, por edhe ato policore e ushtarake, nisën djegjen e fshatrave, erdhën deri në Studime të Epërme. Me arritjen këtu, forcat kriminale të Serbisë nisën terrorin përmes shkatërrimit të mjeteve të udhëtimit, e dikur në mbrëmje filluan me vrasjet dhe masakrimet e shqiptarëve civilë.

U vranë 116 civilë, përfshirë këtu edhe fëmijë e gra. Krejt kjo ka ndodhur prej orës 20 deri në ora 21 të mbrëmjes.  Përafërsisht një orë e gjysmë tmerr që shkaktoi humbje të pakthyeshme, vuajtje të pashlyeshme dhe dëm të pariparueshëm jo vetëm te familjarët, por te i gjithë populli.

Idriz Popova, një prej dëshmitarëve të masakrës tregon që ushtarakët serbë kanë tentuar të kthehen për t’i marrë kufomat, por falë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk kanë mundur. Ai tregon sesi ai bashkë me fshatarët i kanë varrosur për tri ditë rresht ata.

Përtej tmerrit të vrasjeve, tentimi për largim të trupave dhe fshehjes së këtij krimi makabër – e bën këtë masakër edhe më të rëndë. E ajo që rëndon edhe më tepër, është se sot, 23 vjet pas luftës, ende nuk ka asnjë vendim gjykate që dënon dikënd për këtë masakër. Asnjë hetim që ka prodhuar rezultat nga Prokuroria Speciale. Vetëm heshtje.

Në anën tjetër, luftëtarë të UÇK-së mbrojtëse, janë arrestuar, burgosur e dënuar dikur nga UNMIK-u, Tribunali i Hagës, EULEX-i e tash po mbahen në burg nga Gjykata Speciale.

Por, ja ku ndodhemi, 23 vjet pas luftës, pa asnjë të dënuar për masakrën e Studimes.

Në momente si kjo na duhet të bëhemi bashkë, prandaj këtu jam edhe unë,  është edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi,  janë edhe deputetët e asamblistët e të gjitha partive politike dhe së bashku duke përkujtuar martirët e dëshmorët, të shtrëngojmë fort dhimbjen që ndjejmë e të zotohemi dhe angazhohemi që të bëjmë më të mirën për të ardhmen e vendit tonë, të fëmijëve tanë, të gjeneratave që do të vijnë.

Për hajr e urime Fitër Bajrami të gjithëve e lavdi martirëve e dëshmorëve të kombit. /KultPlus.com

Kryeministri Kurti uron Fitër Bajramin: Agjërimi le të na bëjë më falënderues për begatitë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ua uron Fitër Bajramin të gjithë besimtarëve myslimanë.

Me anë të një postimi në profilin e tij në Facebook, Kurti shkruan:

“Pas një muaji agjërim, vetëpërmbajtje dhe sakrificë, besimtarët myslimanë sot ndajnë gëzimin e Fitër Bajramit.

Le të marrim të gjithë nga pak nga përditshmëria e muajit të Ramazanit dhe ta bëjmë përditshmëri për tërë vitin. Agjërimi le të na bëjë më falënderues për begatitë. Vetëpërmbajtja le të na bëjë më të disiplinuar ndaj lakmisë. Sakrifica le të na bëjë më solidarë me njëri-tjetrin.

Me urimin dhe shpresën që agjërimi dhe lutjet tuaja janë pranuar, me fat të gjithëve Fitër Bajrami”. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti viziton ekspozitën e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës

Lodra, libra, këpucë, fanella e pantallona fëmijësh janë ekspozuar në dollapë prej xhami, në Muzeun e Fëmijërisë së Luftës në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Aty dëgjohen e lexohen rrëfimet e kohës së luftës të fëmijëve nga Bosnja e Hercegovina, Kosova, Kroacia, Serbia, Siria, Afganistani, Palestina, e së fundmi edhe nga Ukraina. Të njëjta janë përvojat, të ngjashme janë ngjarjet, kurse e përbashkëta e tyre është lufta e dhimbshme e shkatërruese.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me nënkryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj.Saranda Bogujevci, e cila i mbijetoi masakrës së forcave paramilitare serbe kundër familjes së saj në vitin 1999, e vizituan ekspozitën.

Një muze shumë i rëndësishëm në përpjekjet tona të përbashkëta për përkujtim e mospërseritje, tha kryeministri Kurti teksa rikujtoi që 1133 fëmijë u vranë e u masakruan gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Është detyrë e secilit prej nesh, shtoi ai, që të mos ndalemi së kërkuari drejtësi, e që e vërteta të dalë në pah për të gjitha këto jetë të humbura të fëmijëve.

Muzeu i Fëmijërisë së Luftës, ka selinë kryesore në Sarajevë, por ka dy javë që është hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ku është plotësuar edhe me rroba e gjësende nga fëmijëria e  luftës e fëmijëve kosovarë.

Ekspozita është hapur me bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Galerisë Kombëtare të Kosovës, ForumitZFD dhe Zyres së BE-së në Kosovë./21Media/ KultPlus.com

Kurti prezanton nismën për anëtarësimin e Kosovës në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë tha se do ta shqyrtojnë nismën për anëtarësim të Kosovës në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave apo Konventën e Parisit.

Kurti para kabinetit qeveritar tha se me anëtarësimin e Kosovës bëhet faktorizimi në skenën ndërkombëtare përmes prezantimit të burimeve njerëzore.

“Ne po ecim përpara me reformat në drejtësi dhe ekonomi, po ecim përpara me nisma të tjera që kanë për qëillim promovimin e Kosovës, një të tillë do ta shqyrtojmë tani në mbledhjen e qeverisë,  atë për anëtarësimin e Kosovës në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave, apo aderimin në Konventen e Parisit që ka për qëllim përfundimtar faktorizimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare përmes prezantimit të burimeve njerëzore, kulturore dhe potencialeve ekonomike si dhe avantazheve për investime në vendin tonë”, tha ai në mbledhjen e qeverisë. /KultPlus.com

Dita Botërore për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, Kurti premton të drejta më të mira të punës

28 Prilli shënon Ditën Botërore për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, e kjo ditë është një fushatë ndërgjegjësimi me qëllim përqendrimin e vëmendjes ndërkombëtare mbi tendencat e reja në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe rëndësinë e problemeve të lidhura me lëndimet, sëmundjet dhe vdekjet në mbarë botën.

Organizata Ndërkombëtare e Punës ka vendosur 28 prillin si Ditën Botërore të Sigurisë dhe Shëndetit në punë për promovimin e parandalimit të aksidenteve dhe sëmundjeve të lidhura me vendin e punës

Për këtë ka shkruar edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se rritja e pagës minimale ishte vetëm një pjesë e luftës së qeverisë për të drejtat e punës.

“Sot shënojmë Ditën Botërore për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë. Gjatë pandemisë, punonjësit tanë heroikë shëndetësorë kanë treguar se sa jetike është të mbrosh sigurinë dhe shëndetin në punë. Rritja e pagës minimale ishte vetëm një pjesë e luftës së qeverisë për të drejtat e punës, përfshirë, shëndetin dhe sigurinë në punë”, shkroi Kurti. /KultPlus.com

Ambasadori amerikan nderohet me praninë e Osmanit dhe Kurtit në varrimin e Albright

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka thënë se është ndjerë i nderuar me prezencën e Presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, në funeralin e ish-sekretares Medeline Albright.

“I nderuar nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti me praninë e tyre në funeralin e djeshëm teksa ata bënë homazhe për Madeline Albright, duke i atribuuar a kontributet e saj të shumta për lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”, ka shkruar Hoevenier.

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me presidenten Vjosa Osmani, dhe ish presidenten Atifete Jahjaga, morën pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-sekretares së Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright, në ambientin historik të Katedrales Kombëtare në Washington.

Kurti theksoi se për Kosovën dhe shqiptarët ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë dhe emri i saj i përveçëm Madeleine Albright i përkasin të njëjtës fjali.

Kurse presidentja Osmani ka lavdëruar rolin e Albright për çlirimin e Kosovës, duke e quajtur atë mike të madhe të Kosovës. /KultPlus.com

Kurti: Ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë dhe emri Madeleine Albright, i përkasin të njëjtës fjali

Bashkë me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ish presidenten, Atifete Jahjaga, i pranishëm në ceremoninë e varrimit të ish-sekretares së Shtetit të ShBA-së, Madeleine Albright, në ambientin historik të Katedrales Kombëtare të Uashingtonit, ishte dhe kryeministri Albin Kurti, përcjell KultPlus.

Kurti ka shpërndarë disa fotografi nga kjo ceremoni në rrjetin social Facebook, ku krahas tyre shkroi se Albright ka lënë trashëgimi tejet të pasur për politikën, diplomacinë dhe historianët.

I dhamë lamtumirën e fundit një gruaje që ka kontribuar më shumë se gati çdokush tjetër për popullin tonë, në momentet e tij më të vështira.

Nga ambasadore e ShBA-ve në OKB te Sekretare Amerikane e Shtetit, nga administrata e Presidentit Jimmy Carter tek ajo e Presidentit Bill Clinton, nga përvoja në fëmijëri si refugjate e persekutimit nazist te vepra e saj e fundit mbase më i rëndësishmi libër anti-fashist në shekullin XXI, Zonja Sekretare Madeleine Albright ka lënë trashëgimi tejet të pasur për politikën, diplomacinë dhe historianët. Kurse për Kosovën dhe shqiptarët ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë dhe emri i saj i përveçëm Madeleine Albright i përkasin të njëjtës fjali.

Në kuadër të ceremonisë, patëm rast të takoheshim me mysafirë të tjerë dhe miq të çmuar të Kosovës, duke përfshirë sekretarin aktual të Shtetit, z. Antony Blinken, ish presidentin e ShBA-së, z. Bill Clinton, ish zëvëndëspresidentin, z. Albert Gore, ish sekretarët e Shtetit znj. Hillary Rodham Clinton, znj. Condoleezza Rice dhe z. John Kerry, si dhe ish kongresistin z. Eliot Engel. Përveç Presidentit Joseph Biden, ish Presidentit Bill Clinton dhe ish Sekretares së Shtetit Hilary Clinton, fjalim prekës mbajtën edhe tri vajzat e saj: Alice, Anne dhe Katharine“, ka shkruar Kurti në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Linku për të parë drejtpërdrejt funeralin e Sekretares Madeleine Albright

Me fillim nga ora 16:00 do të fillojë edhe funerali i Sekretares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright, e cila vdiq këtë vit, shkruan KultPlus.

Për ta ndjekur drejtpërdrejt këtë funeral, ju duhet të klikoni këtu.

“Sot në orën 4:00, miqtë, familjarët dhe kolegët e saj po mblidhen në Katedralen Kombëtare për shërbimin e funeralit. Shërbimi do të transmetohet drejtpërdrejt”, ka njoftuar Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Ndërkohë, për këtë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë udhëtuar në ShBA me ftesë të familjes Albright, ku edhe do të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit. /KultPlus.com

Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti nesër udhëtojnë për në ShBA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nesër do të udhëtojnë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Atje të dy, me ftesë të familjes Albright, do të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-sekretares amerikane, Madeleine, e cila ndërroi jetë në moshën 84-vjeçare më 23 mars.

Përveç pjesëmarrjes në këtë ceremoni, në kuadër të kësaj vizite në ShBA, Osmani dhe Kurti kanë paraparë edhe disa takime të tjera. / KultPlus.com

Kurti uron BNE për kualifikimin historik: I gëzohem çdo të arriture të rinisë sonë

Ekipi kosovar, Bad News Eagles ka shënuar histori gjatë ditës së sotme, duke u kualifikuar për herë të parë në një turne madhor në Counter-Strike:Global Offensive, shkruan KultPlus.

Pas triumfit madhështor ndaj ekipit çek, Sinners, me rezultat 2:1, Bad News Eagles u kualifikuan për të shkuar tutje në PGL Major e cila do të zhvillohet në Antwerp të Belgjikës.

Për këtë gjë ka reaguar edhe Kryeministri Albin Kurti, i cili ka uruar djemtë për këtë arritje të jashtëzakonshme.

“Bravo gamers! Kosova bën historinë me kualifikimin në PGL Antwerp Major 2022. Bad News Eagles sot mposhtën Sinners me rezultat 2:1. Kjo fitore i bën pjesë të garës më të madhe të vitit për CSGO. Pra, prej internet kafesë, ku filluan ushtrimet e para, BNE nga sot na përfaqësojnë në garën më të madhe në botë. I gëzohem çdo të arriture të rinisë sonë. Ata po na dëshmojnë çdo ditë se kur kombinohet pasioni dhe puna, suksesi është i garantuar”, ka shkruar Kurti. /KultPlus.com

Kurti në Ditën e Tokës: Kjo është shtëpia jonë e vetme që do ta njohim ndonjëherë

Sot shënohet Dita e Tokës e cila është vendosur në 22 prillin e vitit 1970. Në këtë datë 20 milionë amerikanë morën pjesë në demonstratën mjedisore nga më spektakolaret që u quajt “Dita e Tokës”.

Edhe në Kosovë pothuajse çdo vit kjo ditë shënohet përmes mbjelljes së fidanëve dhe pastrimit të ambientit, aktivitete këto që organizohen në komuna të ndryshme dhe nga grupe individësh.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar këtë ditë duke thënë se toka është shtëpija jonë e vetme që do ta njohim ndonjëherë.

“Dita e Tokës duhet të jetë më shumë se një vetëm një festë vjetore, duhet të jetë një praktikë e përditshme për të mbrojtur shtëpinë tonë. Toka është shtëpia jonë, e vetmja që do të njohim ndonjëherë”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri Kurti: Vit i artit dhe promovimit ndërkombëtar të shtetit tonë

Në prag të hapjes së Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venedikut, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka bërë një postim në rrjetet sociale dedikuar artit në Kosovë, përcjellë KultPlus.

Këtë vit, Kurti e ka quajtur vit i artit dhe prodhimit ndërkombëtar të shtetit tonë. Sipas tij, Arti është ura jonë lidhëse me botën.

Ky është postimi i plotë i kryeministrit:

Sot hapet pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venedikut, një nga ngjarjet më prestigjioze të artit në botë. Republikën tonë do ta përfaqësojë artisti bashkëkohor Jakup Ferri me veprën “The Monumentality of the Everyday”, që për kuratore ka gjermanen Inke Arns dhe komisionere Alisa Gojani-Berishën.

Sivjet Prishtina do të jetë nikoqire e Bienales Nomade Evropiane, Manifesta (edicioni 14), e cila në edicionin e kaluar u mbajt në Marsej (Francë), ndërsa pas Prishtinës shkon në Barcelonë (Spanjë). Afër 100 artistë nga 32 shtete të botës, gjysma e tyre nga Kosova, nga 22 korriku për 100 ditë rresht do ta shndërrojnë Prishtinën në hapësirë të artit dhe transformimit të hapësirave publike.

Para tri javësh u mbyll Expo Dubai, ndërsa Kosova u paraqit me artistët e saj të dalluar dhe me eksponate muzeale e vepra të artit, si dëshmi e vlerave dhe potencialit të jashtëzakonshëm kulturor e identitar.

Festivalet ndërkombëtare të Kosovës edhe sivjet do të sjellin emra të njohur të artit nga e gjithë bota, nga filmi te muzika, nga arti pamor te romani grafik. Artistë të shumtë nga e gjithë bota zbarkojnë në shtetin tonë gjatë gjithë vitit përmes festivaleve tona që kanë krijuar identitet të fuqishëm ndërkombëtar.

Viti 2022 shënon edhe nisjen e programit tre vjeçar për blerjen e veprave të artit nga artistët vendorë. Përveç kësaj, do të ndahen 20 bursa për studim në arte dhe trashëgimi kulturore në universitete botërore. Kurse gjatë pjesës së dytë të vitit do të vendosen themelet e institucionit më të ri shtetëror të artit, Muzeut të Artit Bashkëkohor, një mundësi shtesë për integrim dhe forcim të pozicionit të Kosovës në skenën botërore të artit pamor.

Këtë vit do të nënshkruajmë marrëveshje të bashkëprodhimit filmik me Francën në festivalin e Kanës, dhe me Izraelin më vonë gjatë vitit. Filmat tanë të suksesshëm edhe sivjet vazhdojnë të udhëtojnë nëpër festivale prestigjioze dhe të shfaqen në kinematë anekënd botës.

Në thirrjen publike për mbështetje të skenës së pavarur kulturore kemi krijuar skemën e veçantë të mobilitetit për prezantimin e produktit tonë artistik në botë. Organizatat kulturore dhe artistët e pavarur do të gëzojnë mbështetje të rritur për paraqitje ndërkombëtare.

Arti është ura jonë lidhëse me botën. / KultPlus.com

Zyrtare: Edhe Kurti shkon në SHBA javën e ardhshme për ceremoninë e varrimit të Sekretares Albright

Kryeministri Albin Kurti pritet të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të marrë pjesë në varrimin e Sekretares Albright. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Bashkë me Presidenten Vjosa Osmani, zyra e së cilës e ka konfirmuar shkuarjen, në Washington, D.C, pritet të udhëtojë edhe shefi i Qeverisë, Albin Kurti.

Kjo nuk është vizita që Kurti e ka paralajmëruar prej kohësh dhe, siç mëson Gazeta Express, Kryeministri do të shkojë në D.C në fillim të javës së ardhshme dhe do qëndrojë atje pak ditë.

Ceremonia e varrimit të ish-sekretares amerikane, Madeleine Albright do të mbahet të mërkurën, më 27 prill, në Katedralen Kombëtare të Washingtonit.

Pjesëmarrja në ceremoni është e mundur vetëm me ftesa, ndërsa ajo do të transmetohet direkt në platforma digjitale.  

Sipas njoftimit nga Presidenca, Vjosa Osmani merr pjesë në ceremoni me ftesë të familjes Albright.

“Presidentja Osmani do të udhëtoj për SHBA në fillim të javës që vjen për të marrë pjesë në varrim të Sekretares Albright, me ftesë të familjes Albright, si dhe për disa takime të tjera”, thuhej në konfirmimin e Presidencës.

Ndërsa, siç mëson Express, nuk ka ndryshuar asgjë rreth vizitës së paralajmëruar për në maj nga Kryeministri dhe ajo pritet të ndodhë. Kurti pati thënë se në SHBA, kur të shkojë në pranverë, do të qëndrojë më gjatë.

“Por nuk vjen në shprehje rishikimi i buxhetit në mes vit pa shkuar unë në ShBA, sepse po e shoh se ndoshta ju jeni më të interesuar se unë. Edhe unë jam i interesuar që të shkoj, edhe kjo do të ndodhë në këtë pranverë. Edhe jo që do të shkoj, por edhe do të kthehem. Do të më duhet të qëndrojë pak më shumë se zakonisht ashtu që edhe do të mund të ma bëni pyetjen “e kur do të ktheheni”, u kishte thënë Kurti gazetarëve. / Gazetën Express /KultPlus.com

Kurti për deklaratat e Vuçiqit për armatosjen e FSK’së: Mos u merrni me gënjeshtrat e Beogradit

Kryeministri Albin Kurti është pyetur nga gazetarët për deklaratat e Vuçiqit, i cili tha se aeroplani ushatarak i Mbretërisë së Bashkuar që ateroi të premten ka sjellë armatim në Kosovë. Në një përgjigje dhënë mediave, Kurti kërkoi që deklaratat që vijnë nga Beogradi të mos merren si fakte.

Pasi bëri homazhe te shtatorja e ish-komandantit të UÇK-së, Zahir Pahaziti, kryeministri Kurti tha para mediave se është shtuar shumë buxheti për mbrojtjen e Kosovës, është rritur për 52 për qind.

“Deklaratat që vijnë nga Beogradi nuk duhet t’i merrni si fakte…Natyrisht që ne e kemi shtuar shumë buxhetin për mbrojtjen e Kosovës, është rritur për 52 për qind buxheti në vitin 2022, krahasur me vitin 2021. Mirëpo për të gjitha hapat e mëtutjeshëm që ne ndërmarrim duhet t’i merrni informacionet vetëm nga Ministria e Mbrojtjes, nga Forca e Sigurisë së Kosovës, nga ministri Mehaj, nga komandati Jashari e kurrsesi nga Beogradi. Nuk ka nevojë që ata t’iu gënjejnë më shumë…”, tha Kurti para gazetarëve. / Gazeta Express / KultPlus.com

Kurti përkujton Omer Kaleshin, do të mbetet imazh simbol i portretit të piktorit të kokave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar piktorin Omer Kaleshi i cili vdiq dje në moshën 90-vjeçare, përcjell KultPlus.

Kurti përmes një postimi në Facebook thotë se Kaleshi do të mbetet imazh simbol i portretit të piktorit të kokave.

Në vijim gjeni postimin e plotë të kryeministrit Kurti:

Për kujtim të Omer Kaleshit (1932 – 2022) 

Një kokë piktoreske e bardhë, me flokë dhe mustaqe të thinjura, do të mbetet imazh simbol i portretit të piktorit të kokave, piktorit të madh shqiptar Omer Kaleshi. Një ekspozitë në Hamamin e Daut Pashës në Shkup, ku ai pa disa gravura të artistit anglez Henry Moore, me njerëz të strehuar në metro nga bombardimet gjatë Luftës së Dytë Botërore, e shtyen Omerin e ri të hiqte dorë nga profesioni i elektricistit për tu bërë piktor. “Rrënjët e artit tim u zunë në Shkup, trungu iu rrit në Stamboll, kurse frutet e tij u poqën në Paris” – thoshte shkurt Omer Kaleshi, kur përshkruante rrugëtimin e tij jetësor prej artisti. Ai nisi duke kopjuar një vepër të Paul Cezanit, për të krijuar gjithë veprën e tij artistike atje ku pikturoi edhe vetë Cezani, në Paris. 

I lindur në Kërçovë më 1932, pas gjashtë vitesh studime në Akademinë e Arteve në Stamboll, Omer Kaleshi u vendos në Paris ku jetoi derisa u nda nga ne, dje më 16 prill 2022, në moshën 90 vjeçare. Ai ekspozoi veprat e tij në mbi 150 ekspozita personale dhe kolektive në kryeqendrat europiane, duke tërhequr vëmendjen e shumë kritikëve të artit, që shkruajtën me vlerësime aq të larta për pikturat e tij.

Koka dervishësh, koka çobanësh, koka me plisa, koka me shamie, koka nga Anadolli dhe koka nga Ballkani, të gjitha të pikturuara pa model. Shumë koka, koka pa trup, vetëm koka, por edhe pse pa trup, kokat e Kaleshit nuk kanë gjak meqë ato nuk janë koka të prera, sepse janë koka të gjalla, siç shpjegonte vetë ai. Koka me sy, por koka shpesh pa vesh, koka të mbështjellura, të dala nga imagjinata e kokës së Kaleshit dhe të pikturuara mjeshtërisht prej tij. Ai pikturonte i vetëm në atele, pa u parë nga askush, ngase duke qenë i vetëm ai besonte se ishte i plotë. Në historinë e artit, piktori i kokave Omer Kaleshi, do të regjistrohet edhe si piktori unik që hapësirat e bardha brenda pikturave të tij, i linte në vetë të bardhën e pëlhurës. Në mbamendjen e shqiptarëve, Omer Kaleshi mbetet piktori model që frymën e tij shqiptare, e përktheu në artin e tij me vlera të përbotshme./ KultPlus.com

Kurti kërkon ndihmën e Portugalisë për njohjen nga Spanja: Madridi s’është Beograd, Spanja s’është Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar ndihmën e Portugalisë për njohjen nga Spanja, duke thënë se Madridi nuk është si Beogradi e as Spanja si Serbia.

Kurti këtë kërkesë e bëri gjatë një intervistë të tij për televizionin publik portugez, ku tha se Kosova e konsideron Portugalinë si aleate dhe partnere.

 “Mendoj se Portugalia mund të na ndihmojë me shtetet që s’na kanë njohur, ndoshta veçanërisht me Spanjën e po ashtu edhe me 4 shtete jo njohëse në NATO. Ne e konsiderojmë Portugalinë aleate dhe partnere dhe nuk kemi asnjë çështje të hapur mes dy shteteve. Në skenarin më të keq edhe nëse Spanja do të vërente ngjashmëri mes Kosovës dhe shteteve baske apo Katalunisë, ajo s’do të duhej asnjëherë ta krahasojnë veten me Serbinë. Madridi, nuk duhet ta krahasojë veten me Beogradin.”, tha Kurti.

Tutje ai shtoi se më e pakta që mund të bëjnë Spanja është njohja e pasaportave tona dhe hapjen e zyrave të tyre ndërlidhëse në Prishtinë.

“Minimumi që mund të bëjnë tani është të njohin pasaportat tona dhe të hapin zyrën e tyre ndërlidhëse në Prishtinë. S’ka paralele ndërmjet intervenimit të NATO-s 23 vjet më parë dhe tani, çfarë shohim në Ukrainë. Atëherë, forcat serbe zhvendosën jashtë Kosovës 860 mijë njerëz. 80% e popullatës ishte dëbuar nga shtëpitë e tyre, 12 mijë civilë të paarmatosur ishin vrarë, 10% e tyre fëmijë, 20 mijë gra janë dhunuar dhe 120 mijë shtëpi ishin shkatërruar apo djegur. Pra, kishte një gjenocid dhe NATO kishte ndërhyrë për ta ndalur”, shtoi Kurti./ KultPlus.com

Qeveria e Kosovës merr vendim, paga minimale rritet në 250 euro

Në mbledhjen e radhës të mbajtur nga Qeveria e Kosovës është miratuar projektligji që cakton pagën minimale në vlerë prej 250 euro neto apo 264 euro bruto, përcjell KultPlus.

Gjatë kësaj mbledhje u vendos edhe për heqjen e tatimit për 250 euro pagë.

Kryeministri, Albin Kurti tha se pavarësisht sa është lartësia e pagës, për pjesën e 250 eurove nuk do të ketë tatim në pagë.

Ndërkaq, ministri Financave, Hekuran Murati tha se nevojitet të ndryshohen ligjet që ndërlidhen me pagën minimale. /KultPlus.com

Kurti prezanton Pakon e re: Nga 100 euro për punëtorët e sektorit privat e publik, studentët dhe pensionistët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se për muajin prill, pensionistëve, punëtorëve të sektorit privat e publik dhe studentëve do t’iu ndahen nga 100 euro.

Sipas tij, vlera totale për këtë ndihmë do të jetë rreth 100 milionë euro.

“Sot po prezantojmë masat e reja në kuadër të Pakos. Kështu që në muajin prill po dyfishojmë vlerën e asistencës sociale për të gjitha familjet që përfitojnë nga kjo asistencë. Pensionisteve do t’ua ndajmë nga 100 euro shtesë për muajin prill, ku nga kjo do të përfitojnë ata që marrin pension bazik, kontribut pagues, për aftësi të kufizuara, të veteranit, e kështu me radhë”, tha Kurti.

“Për herë të parë do të mbështesim me shumë të menjëhershme prej 100 euro të gjithë punëtorët e sektorit privat, pra rreth 300 mijë punonjës. Po ashtu, kjo shumë do të ndahet edhe për 80 mijë zyrtarët publik”, ka shtuar ai. /KultPlus.com

Osmani njofton qytetarët për raportet e saj me Kurtin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po i përgjigjjet pyetjeve që qytetarët i kanë bërë në kuadër të 1 vit qeverisje nga ajo, shkruan KultPlus.

Përmes rrjetit social “Instagram”, Osmani ka shtuar mundësinë e pyetjeve për gjithë qytetarët, ndërsa sot edhe është përgjigjur në disa pyetje nga më të ndryshmet, duke filluar nga falënderimet e deri te raportet me të parin e qeverisë.

E pyetur nga qytetarët për raportet me kryeministrin Albin Kurti, Osmani ka dhënë një përgjigjje të shkurtër.

“Të shkëlqyeshme deri tani”, duke përfshirë edhe një fotografi së bashku me Kurtin, Donika Gërvallin dhe Glauk Konjufcën.

Përpos kësaj pyetje, Osmani ka marrë edhe disa të tjera sikurse për dialogun me Serbinë, ku ka thënë se është aktive në këtë proces. /KultPlus.com

Kurti përfshihet me liderët botërorë për të dërguar mesazh të fortë uniteti dhe solidariteti në Ukrainë (VIDEO)

Në një video të shpërndarë nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, janë të përfshirë liderë nga e gjithë bota që po dënojnë agresionin rus nga Vladimir Putin në Ukrainë, shkruan KultPlus.

“Më shumë se 10 milionë njerëz duhej të largoheshin nga bombat e Putinit dhe të kërkonin strehim brenda Ukrainës ose në vendet fqinje. Dje bota u bashkua me një mesazh të fuqishëm uniteti dhe solidariteti. Të dashur popull ukrainas, qëndroni të fortë. Ne jemi me ty. Ne #QendrojmëPërUkrainën”, shkruhet në postimin e Ursula Leyen.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili shihet përkrahë liderë botërorë përfshirë këtu kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson dhe vetë Volodymyr Zelenskyn, shihet duke thënë se Kosova është rreshtuar krahë shteteve më demokratike të botës dhe i ka vënë sanksione Rusisë.

“Kosova është bashkuar së bashku me vendet më demokratike në botë për t’i vënë sanksione ndaj Rusisë. Që të qëndrojmë me Ukrainën, ne jemi zotuar që të pranojmë 5 mijë refugjatë ukrainas dhe gjithashtu kemi shprehur gatishmërinë tonë për t’i strehuar 20 gazetarë nga Ukraina”. /KultPlus.com