Kurti prezanton Pakon e re: Nga 100 euro për punëtorët e sektorit privat e publik, studentët dhe pensionistët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se për muajin prill, pensionistëve, punëtorëve të sektorit privat e publik dhe studentëve do t’iu ndahen nga 100 euro.

Sipas tij, vlera totale për këtë ndihmë do të jetë rreth 100 milionë euro.

“Sot po prezantojmë masat e reja në kuadër të Pakos. Kështu që në muajin prill po dyfishojmë vlerën e asistencës sociale për të gjitha familjet që përfitojnë nga kjo asistencë. Pensionisteve do t’ua ndajmë nga 100 euro shtesë për muajin prill, ku nga kjo do të përfitojnë ata që marrin pension bazik, kontribut pagues, për aftësi të kufizuara, të veteranit, e kështu me radhë”, tha Kurti.

“Për herë të parë do të mbështesim me shumë të menjëhershme prej 100 euro të gjithë punëtorët e sektorit privat, pra rreth 300 mijë punonjës. Po ashtu, kjo shumë do të ndahet edhe për 80 mijë zyrtarët publik”, ka shtuar ai. /KultPlus.com

Osmani njofton qytetarët për raportet e saj me Kurtin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po i përgjigjjet pyetjeve që qytetarët i kanë bërë në kuadër të 1 vit qeverisje nga ajo, shkruan KultPlus.

Përmes rrjetit social “Instagram”, Osmani ka shtuar mundësinë e pyetjeve për gjithë qytetarët, ndërsa sot edhe është përgjigjur në disa pyetje nga më të ndryshmet, duke filluar nga falënderimet e deri te raportet me të parin e qeverisë.

E pyetur nga qytetarët për raportet me kryeministrin Albin Kurti, Osmani ka dhënë një përgjigjje të shkurtër.

“Të shkëlqyeshme deri tani”, duke përfshirë edhe një fotografi së bashku me Kurtin, Donika Gërvallin dhe Glauk Konjufcën.

Përpos kësaj pyetje, Osmani ka marrë edhe disa të tjera sikurse për dialogun me Serbinë, ku ka thënë se është aktive në këtë proces. /KultPlus.com

Kurti përfshihet me liderët botërorë për të dërguar mesazh të fortë uniteti dhe solidariteti në Ukrainë (VIDEO)

Në një video të shpërndarë nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, janë të përfshirë liderë nga e gjithë bota që po dënojnë agresionin rus nga Vladimir Putin në Ukrainë, shkruan KultPlus.

“Më shumë se 10 milionë njerëz duhej të largoheshin nga bombat e Putinit dhe të kërkonin strehim brenda Ukrainës ose në vendet fqinje. Dje bota u bashkua me një mesazh të fuqishëm uniteti dhe solidariteti. Të dashur popull ukrainas, qëndroni të fortë. Ne jemi me ty. Ne #QendrojmëPërUkrainën”, shkruhet në postimin e Ursula Leyen.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili shihet përkrahë liderë botërorë përfshirë këtu kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson dhe vetë Volodymyr Zelenskyn, shihet duke thënë se Kosova është rreshtuar krahë shteteve më demokratike të botës dhe i ka vënë sanksione Rusisë.

“Kosova është bashkuar së bashku me vendet më demokratike në botë për t’i vënë sanksione ndaj Rusisë. Që të qëndrojmë me Ukrainën, ne jemi zotuar që të pranojmë 5 mijë refugjatë ukrainas dhe gjithashtu kemi shprehur gatishmërinë tonë për t’i strehuar 20 gazetarë nga Ukraina”. /KultPlus.com

Kurti zhvillon disa takime në Forumin Ekonomik në Delfi, nga Lajčák e deri te Escobar

Raportet e mira ndërshtetërore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, avancimi i mëtejmë i tyre dhe i fqinjësisë së mirë, u diskutuan në takimin, që Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati me Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në margjina të Forumit Ekonomik në Delfi.

Kurti gjithashtu zhvilloi takim me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák.

Në këtë forum, i pari i ekzekutivit është takuar edhe me Zëvendësndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, njëherit i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Aty u bisedua mbi sukseset e Republikës së Kosovës në ekonomi, me ngritjen e paprecedent ekonomike dhe në drejtësi, me luftimin e korrupsionit dhe grupeve kriminale. Në takim u diskutua edhe rreth zhvillimeve në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor dhe rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në këtë rajon, me theks te invazioni rus dhe agresioni ushtarak në Ukrainë. U diskutua për ndikimin rus dhe rrezikun e nxitjes së konflikteve të mundshme në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Si pasojë e këtyre zhvillimeve, kryeministri potencoi nevojën për kthimin e vëmendjes për sigurinë në rajon dhe investimeve në Kosovë. Ai theksoi renditjen e Kosovës përkrah botës demokratike në sanksionimin e Rusisë, si edhe për gatishmërinë e qeverisë së Republikës së Kosovës për të pranuar 5000 refugjatë nga Ukraina. /KultPlus.com

Takimi Kurti dhe Fayot, diskutohet për rritje të bashkëpunimit mes dy shteteve

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ministrin për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Çështje Humanitare, njëherit ministër i Ekonomisë i Dukatës së Madhe të Luksemburgut, Franz Fayot.

Kryeministri shprehu mirënjohjen e Qeverisë për ndihmën dhe mbështetjen e dhënë në vazhdimësi nga shteti i Luksemburgut. Duke e falënderuar për kontributin në zhvillimin e Kosovës, Kryeministri Kurti theksoi mundësitë e rritjes së mëtejme të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

Ministri Fayot e përgëzoi kryeministrin Kurti për të arriturat në vitin e parë të mandatit qeverisës, për stabilitetin institucional dhe progresin në shumë fusha. Duke theksuar se ky progres është inkurajues, ai tha se si vend mik e partner i vjetër, shteti i Luksemburgut është i interesuar për të ndërmarrë hapa të mëtejmë drejt bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët.

Ministri Fayot shprehu interesimin për forcim të miqësisë, rritje të bashkëpunimit afat-mesëm dhe kalim nga perspektiva e zhvillimit, në partneritet të rregullt ndërmjet dy shteteve evropiane të barabarta.

Kryeministri Kurti foli për progresin në një vit qeverisje, për prioritetet e qeverisë si dhe për potencialin e bashkëpunimit në fushën e edukimit, digjitalizimit e transformimit e gjelbër.

Duke biseduar për tranzicionin energjetik dhe zhvillimin e kapaciteteve të reja energjetike të cilat ofrojnë siguri të furnizimit, kryeministri potencoi kapacitetet për energji të ripërtëritshme, me fokus të veçantë në atë diellore dhe të erës. Kryeministri veçoi  parkun e erës “Selac Windpark” me kapacitet prej 105 MW dhe 27 turbina, si dhe projektin “Solar4Kosovo” me kapacitet prej 70 MW, që njëherësh do të jetë një nga termocentralet më të mëdha diellore në Evropë, me sipërfaqe prej 69 mijë metër katror.

Kryeministri Kurti tha se digjitalizimi është një nga objektivat e programit qeverisës që parashihet të jetë pjesë e të gjitha fushave të qeverisjes. Nëpërmjet digjitalizimit synojmë që të rrisim transparencën, llogaridhënien dhe efikasitetin e qeverisjes dhe në të njëjtën kohë të përmirësojmë shërbimet ndaj qytetarëve dhe bizneseve, shtoi kryeministri.

U bisedua edhe për synimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës rreth reformimit të Sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional dhe rolit që ka në plotësimin e hendekut të shkathtësive dhe potencialit për zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së. /KultPlus.com

Regjime gjenocidale në Ukrainë, Kurti: Rusia duhet të mbajë përgjegjësi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar për luftën dhe gjenocidin që po ndodhë në Ukrainë nga pushtimi rus, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Twitter”, i pari i ekzekutivit ka shkruar se autorët e masakrave duhet të sillen përpara drejtësisë dhe të mbajnë përgjegjësi.

“Varrezat masive, njerëzit e vrarë brutalisht me gjymyrë të humbur, shtëpi të djegura dhe qytete të kthyera në rrënoja janë të gjitha skena të njohura nga regjimet gjenocidale. Autorët e Masakrës Bucha duhet të sillen para drejtësisë dhe Rusia duhet të mbajë përgjegjësi”, ka deklaruar Kurti.

Ukraina ka akuzuar Rusinë për kryerjen e vrasjeve në qytetet afër Kievit, duke përfshirë Bucha, Irpin dhe Hostomel, me presidentin Volodymyr Zelenskyy që i cilësoi forcat ruse si “vrasës, torturues dhe përdhunues” që po kryenin “gjenocid” në vendin e tij. /KultPlus.com

Kurti për fitoren e Markut: Na bëri krenarë të gjithëve

Florian Marku ka nokatuar në raundin e katërt Chris Jenkis dhe kësisoj ka arritur ta mbrojë titullin IBF në peshat e lehta, shkruan KultPlus.

Për fitoren e Markut ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili është krenuar me sukseset e boksierit.

“Floriani jonë mbetet kampion i pamposhtur. Ndeshja e tij e 12-të, fitorja e 11-të. Kësaj radhe nuk iu deshën më shumë se 4 raunde për të mbrojtur titullin e tij, e për të na gëzuar e bërë krenarë të gjithë ne”, shkroi Kurti në “Twitter”.

Në 12 ndeshje, Marku nuk ka akoma asnjë humbje. /KultPlus.com

Kurti vë fjongon e kaltër në gjoks, premton më shumë mbështetje për njerëzit me autizëm

Në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka bërë një deklarim përmes platformës Twitter. Ai ka premtuar më shumë përkujdesje në të ardhmen për këtë kategori të qytetarëve.

Ai ka thënë se sot, edhe në qeveri janë vënë fjongot e kaltra për të njohur dhe nderuar talentet unike të njerëzve me autizëm.

 “Për Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, ne vendosëm fjongot e kaltra për të njohur dhe nderuar talentet dhe aftësitë unike të njerëzve me autizëm”, ka shkruar Kurti.

Ai ka premtuar më shumë ndihmë profesionale për realizimin e potencialeve të autikëve.

“Me buxhetin e rritur për kujdestarët profesionalë në fushën e edukimit, ne do të ofrojmë më shumë mbështetje për realizimin e potencialit të tyre”, ka shkruar kryeministri Kurti. / KultPlus.com

Kurti takohet me kryeministrin e Norvegjisë: Është koha për të rritur bashkëpunimin tonë ekonomik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Norvegji, ku edhe po zhvillon takime të ndryshme zyrtare, shkruan KultPlus.

I pari i ekzekutivit së fundmi është takuar edhe me kryeministrin e Norvegjisë, Jonas Gahr Store.

“Kënaqësi të takoj Jonas Gahr Store. Kosova do të mësojë shumë nga suksesi i Norvegjisë në ndërtimin e një vendi më të drejtë, më të barabartë dhe më të begatë. Me tregues të mirë në demokracinë dhe ekonominë tonë, është koha për të rritur bashkëpunimin tonë ekonomik. Faleminderit për pritjen e ngrohtë!”, shkroi Kurti në “Twitter”.

Kurti në këtë vizitë zyrtare është së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, zëvendësministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna dhe zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi. /KultPlus.com

Kryeministri Kurti kujton Masakrën ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi e Llugaliu si dhe Masakrën e Izbicës

Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar 23-vjetorin e Masakrës ndaj 16 anëtarëve të familjeve Bogujevci, Duriqi, Llugaliu dhe Selman Gashit në Podujevë si dhe Masakrës afro 150 personave në Izbicë të Skënderajt.

“Në çdo pranverë përkujtimi i mizorive të regjimit serb na e tregon se sa të hapura janë plagët e sa e madhe mbetet dhimbja”, thotë Kurti.

Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e tij të plotë:

7 fëmijë nga mosha 2 deri në 15 vjeç dhe 7 gra të familjes Bogujevci, Duriqi e Llugaliu, u pushkatuan 23 vjet më parë në Podujevë nga njësiti rezervë policor serb “Shkorpionët”.

Në këtë masakër humbi 16 anëtarë të familjes e u mbijetoi 16 plumbave Saranda Bogujevci. Ajo sot është Nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Rreth 80 kilometra më larg, forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe rrethuan mijëra civilë të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth. Nga turma i morën 147 burra dhe djem, të cilët i ekzekutuan në vend.

Të dy masakrat u kryen më 28 mars 1999, katër ditë pas fillimit të intervenimit të NATO-s dhe në 10 vjetorin e Kushtetutës së Serbisë, që vulosi suprimimin e autonomisë së Kosovës.

Në çdo pranverë përkujtimi i mizorive të regjimit serb na e tregon se sa të hapura janë plagët e sa e madhe mbetet dhimbja.

I përjetshëm qoftë kujtimi për ta. / KultPlus.com

Kurti: Ne do të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për të trajtuar të kaluarën dhe për të krijuar një të ardhme më të mirë

Masakra e Krushës së Madhe është një nga masakrat që forcat Serbe kryen gjatë Luftës së Kosovës mbi popullatën civile shqiptare në Republikën e Kosovës, shkruan KultPlus.

Kryeministri i Kosovës, ka thënë se trupat e 113 të vrarëve në Krushë të Vogël përfunduan në varreza masive në Serbi, ndërsa në Krush të Madhe janë ende 64 të zhdukur, përfshirë edhe Ukshin Hotin.

“Trupat e 113 të vrarëve në Krushë të Vogël përfunduan në varreza masive në Serbi, ndërsa në Krushë të Madhe janë ende 64 të zhdukur. Ukshin Hoti. Sot kujtojmë gjenocidin e kryer dhe shkatërrimin e shkaktuar. Ne do të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për të trajtuar të kaluarën dhe për të krijuar një të ardhme më të mirë”, thotë Kurti. /KultPlus.com

Kurti për masakrën e Krushës së Vogël: Nderojmë 7 shqiptarët, eshtrat e të cilëve u kthyen në vendlindje pas 23 vitesh

Sot shënohet 23-vjetori i fillimit të Masakrës së Krushë të Madhe, shkruan KultPlus.

Kryeministri, Albin Kurti, përmes një postimi në “Twitter” nderon shtatë shqiptarët, eshtrat e të cilëve u kthyen në vendlindje pas 23 vitesh.

“Sot, në përvjetorin e masakrës së Krushës së Vogël, nderojmë 7 shqiptarët, eshtrat e të cilëve u kthyen në vendlindje pas 23 vitesh.

Nuredin Shehu.
Hysen Zylfiu.
Ahmet Berisha.
Nue Prenkaj.
Sahit Shehu.
Sami Shehu.
Skyfer Batusha.

U prefshin ne paqe”, shkruan Kurti.

23 vite më parë, konkretisht më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën. /KultPlus.com

Kurti: Ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin në Kosovë mban vulën e Albright

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kryekuvendarin Glauk Konjufca, kanë bërë homazhe te busti i i ish Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, e cila ndërroi jetë të mërkurën në moshën 87 vjeçare.

Pas homazheve, Kurti tha se ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin në Kosovë, me bombardime kundër Jugosllavicë dhe Serbisë së Millosheviqit, mban vulën e Albright, dhe për këtë, kryeministri tha se do t’i jemi përjetë falënderues e mirënjohës.

“Politika, diplomacia dhe historia, vështirë se do të kombinohen në një mënyrë më të përsosur se sa te personaliteti i jashtëzakonshëm i zonjës Albright. Ajo në politikë ishte historiane, në histori, diplomate, ndërkaq në diplomaci ishte politikane. Kur kemi parasysh përvojën e saj jetësore si emigrante hebreje në ShBA e cila fëmijërinë e ka kaluar gjatë luftës së dytë botërore dhe pastaj është shkolluar në vendin tempull të demokracisë është bërë sekretarja e parë e ShBA-ve grua, natyrisht se kemi të bëjmë me një figurë e cila nuk i takon vetëm shekullit 20, por edhe 21”, tha Kurti.

“Çdo herë kur fliste, vepronte ose shkruante, ishte aq profesionale në secilën prej asaj çfarë bënte e thoshte saqë nuk mund të quhet profesioniste për shkak të qenies së saj të gjithanshme. Dija e saj e thellë, mendja e mprehtë, dashuria e paepur për të drejtat e qytetarëve, orientimi i saj për demokracinë sociale e njohuritë e jashtëzakonshme për gjeopolitikën, e bëjnë personalitet i cili do të kumbojë gjatë jo vetëm në politikën dhe qeverisjen në ShBA e të Kosovës, por edhe në shumë vende të botës. Ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin në Kosovë, me bombardime kundër Jugosllavisë dhe Serbisë së Millosheviqit, padyshim se mban vulën e Albright dhe për këtë do t’i jemi përjetë falënderues e mirënjohës”, tha Kurti, transmeton Klankosova./KultPlus.com

Kurti për Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’: Kemi zhvilluar së bashku hapa të rëndësishëm drejt mbrojtjes së vlerave dhe zhvillimit të master planit

Është mbajtur mbledhja e katërt e Komitetit ndër-ministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Në mbledhjen e djeshme u diskutua në hollësi për planin dinamik të punës, të zbërthyer në objektiva, aktivitetet në afat kohor, si dhe rezultatet e punës së Komisionit të Ekspertëve për periudhën janar – mars 2022.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij hyrës tregoi hapat që janë ndërmarrë që nga themelimi i këtij komuniteti.

“Gjatë vitit 2021 kemi zhvilluar së bashku hapa të rëndësishëm drejt mbrojtjes së vlerave dhe zhvillimit të master planit për Kompleksin Memorial. Pas vlerësimit të gjendjes fizike të ndërtesave dhe hartimit të planeve përkatëse, kanë filluar ndërhyrjet emergjente për mënjanimin e rrezikut në ndërtesat në gjendje të keqe dhe kemi themeluar Komisionin e Ekspertëve” tha kryeministri, duke shtuar se nga ky vit fokusi do të jetë në master planin për kompleksin memorial.

Ndërhyrjet emergjente në ndërtesën nr.4, në shtëpinë e Salë dhe Hamit Jasharit, kanë filluar në fund të dhjetorit 2021 dhe kanë përfunduar në mes të muajit mars 2022, tani puna do të vazhdoj edhe në ndërtesat tjera, të cilët janë vlerësuar nga ekipet profesionale të institucioneve tona dhe të inxhinierëve të Fakultetit të Ndërtimtarisë. /KultPlus.com

BE: Kosova refuzon propozimin e QUINT’it për mbajtjen e zgjedhjeve serbe

Zëdhënësi i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, ka thënë të martën, 22 mars, në konferencën për shtyp të Komisionit Evropian, se Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për atë që ai e ka quajtur “vendim të Kosovës për të refuzuar propozimin e QUINT-it”, për votimin e Serbëve në territorin e Kosovës për zgjedhjet në Serbi.

Vendet e Quint-it janë: Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Gjermania dhe Franca.

“BE-ja ka vepruar si lehtësues, Përfaqësuesi i Lartë ishte i angazhuar në kontakte për të gjetur marrëveshje për zgjidhje praktike që do t’u mundësonte qytetarëve me dyshtetësi të marrin pjesë në zgjedhje. ‘Kemi bërë përpjekje të gjejmë zgjidhje praktike duke përdorur analogjitë që ishin vendosur në votime në të kaluarën”, ka thënë zëdhënësi i BE-së duke pohuar se Serbia ka luajtur rol konstruktiv e Kosova ka refuzuar.

“Duke pranuar se Serbia ka qenë e hapur për gjetjen e zgjidhje ne shprehim keqardhje se konsensusi mes palëve në fund nuk u arrit pas vendimit të Kosovës për të refuzuar propozimin konstruktiv të Quint-it”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.

Ai e ka quajtur këtë vendim të jetë “në kundërshtim me përkushtimet e Kosovës për rrugëtim evropian dhe të ardhme demokratike dhe kundër parimeve të mbrojtjes të së drejtës demokratike të të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe të atyre që i takojnë popullatës jo shumicë”.

“Tash ne presim nga Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet dhe retorika e cila mund të rris tensionet dhe po ashtu u bëjmë thirrje të dyja palëve të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në negociata në kuadër të dialogut” ka thën zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Ai ka thënë se në këtë moment nuk është në gjendje të paralajmërojë ndonjë takim në kuadër të dialogut, porse janë duke punuar në atë drejtim.

“Po punojmë në atë drejtim dhe ftojmë të dyja palët të veprojnë me përgjegjësi në mënyrë që të jetë e mundur të organizohet një takim i tillë”, ka thënë ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të hënën pas takimin me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Kosovës, se për mbajtje të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Kurti u ka thënë ambasadorëve dhe përfaqësuesve diplomatikë se “ne nuk dëshirojmë që t’ua pamundësojmë të drejtën e votës qytetarëve të Republikës sonë që kanë dyshtetësi, por në të njëjtën kohë nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit”.

Ai është thënë të jetë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e vendeve të Kuintit në Kosovë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të hënën, në një aktivitet parazgjedhor, se “Qeveria e Kurtit kërkon nga Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të lejohen zgjedhjet”, të cilat mbahen më 3 prill.

“Do të merrni nesër (të martën) përgjigjen”, ka thënë Vuçiq më 21 mars.

Autoritetet serbe kanë paralajmëruar që të martën, në ora 12:00 do të mbahet një takim i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të vendosur “rreth hapave të ardhshëm”.

Më 15 janar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë, përmes së cilës është kundërshtuar mbajtja e votimeve në Kosovë për një referendum të Serbisë për ndryshimet kushtetuese.

Vendet e Quint-it dhe BE-ja e patën pritur me keqardhje vendimin e Qeverisë së Kosovës për këtë referendum.

Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë vazhdimisht thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve serbe.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.

Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i ka grumbulluar votat. Ato vota më pas janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.

Kjo praktikë është krijuar qysh në vitin 2017 dhe autoritetet e Kosovës e kanë lejuar këtë gjë.

Nga OSBE-ja kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm t’i grumbullojnë votat edhe për zgjedhjet e 3 prillit, por me pëlqimin e të gjitha institucioneve përkatëse./REL/KultPlus.com

Schmitt në takim me Kurtin: Kosova është vendi me demokracinë më funksionale në rajon

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim historianin e njohur, Oliver Jens Schmitt.

Në ditën e njëvjetorit të votimit të Qeverisë në Kuvendin e Kosovës, Kurti e njoftoi Shmitt për të arriturat, përmbushjen e programit qeveritar dhe sfidat për të ardhmen.

“Gjendja me pandeminë është vënë nën kontroll dhe situata është përmirësuar dukshëm, ndërsa është shënuar rritje ekonomike dhe rezultate të mira në luftën kundër krimit e korrupsionit”, tha kryeministri.

Schmitt e përgëzoi kryeministrin për të arriturat dhe për stabilitetin politik në qeverisje. Ai e vlerësoi Kosovën si vendin me demokracinë më funksionale në rajon, me media dhe shoqëri të lirë. Bashkimi Evropian duhet ta vlerësojë këtë progres të Kosovës, tha Schmitt.

Aty u diskutua për invazionin dhe agresionin rus në Ukrainë dhe ndikimin që mund të ketë në Evropë e posaçërisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Oliver Jens Schmitt është profesor i historisë së Europës Juglindore në Universitetin e Vjenës dhe studiues i albanologjisë. Ai është anëtar i rregullt i Akademisë Austriake të Shkencave dhe anëtar nderi i Akademisë së Kosovës.

Ka shkruar disa libra me analiza për historinë dhe figurat shqiptare: “Historia e shqiptarëve”, “Skënderbeu”, “Shqiptarët, një histori midis Lindjes dhe Perëndimit”, “Kosova, histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike”, “Arbëria Venedike” etj.

Schmitt i dhuroi kryeministrit Kurti librin e tij të fundit, përmbledhjen në pesë vëllime të korrespondencave të konsujve austriakë për Kosovën me titull: “Politika dhe Shoqëria e Vilajetit të Kosovës”. /KultPlus.com

SHBA mbetet e përkushtuar ndaj sovranitetit, integritetit dhe sigurisë rajonale të Kosovës

Gjatë javës së 14 marsit, Asistentja e Presidentit për Sigurinë Kombëtare Liz Sherwood-Randall udhëhoqi një delegacion të SHBA-së në Prishtinë, Kosovë.

Në këtë vizitë, Sherwood-Randall u takua me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryeministrin Albin Kurti dhe vizitoi kampin Liya dhe kampin Bondsteel.

Sherwood-Randall përsëriti përkushtimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin, integritetin territorial dhe sigurinë rajonale të Kosovës, siç dëshmohet përmes udhëheqjes së qëndrueshme të SHBA-së në misionin e NATO-s në Forcën e Kosovës (KFOR) dhe mbështetjes thelbësore për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), ku edhe po vazhdon planin e tij 10-vjeçar të tranzicionit.

Sherwood-Randall shprehu falënderime të thella për Osmanin e Kurtin për mbështetjen e vazhdueshme të Kosovës për pritjen e përkohshme të afganëve vulnerabël në Kampin Liya gjatë tranzicionit në shtëpitë e ardhshme, për partneritetin e Kosovës në luftën kundër terrorizmit dhe për aktet e solidaritetit të Kosovës me ukrainasit. /KultPlus.com

l;

Human Rights Watch letër Kurtit, Osmanit e Haxhiut: Siguroni të drejta për çiftet e seksit të njëjtë

Organizata për mbikëqyrjen e të drejtave të njeriut “Human Rights Watch” i ka shkruar një letër të përbashkët presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pasi Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar Kodin e ri Civil në leximin e parë, meqë në Kodin Civil të dërguar për miratim nga ministria e Drejtësisë përfshihet edhe lejimi i martesave të gjinisë së njëjtë.

Kjo ka qenë edhe arsyeja pse në Kuvend është shkaktuar debat i madh, pasi disa deputetë të koalicionit qeverisës s’kanë kursyer as komentet homofobike në sallën e Kuvendit.

“Ne po ju shkruajmë të shqetësuar pas hapave të fundit për të miratuar martesat e gjinisë së njëjtë në kuadër të Kodit të ri Civil”, thuhet në letër.

Nga HRW kërkojnë që t’i jepet fund diskriminimit dhe përjashtimit të martesës së gjinisë së njëjtë nga legjislacioni i Kosovës.

Në fund të letrës thuhet se HRW shpreson që Qeveria e Kosovës do të punojë për të siguruar që çiftet e të njëjtës gjini të kenë të drejta sikur çiftet tjera dhe se institucionet e Kosovës do të veprojnë për të çrrënjosur diskriminimin në baza të orientimit seksual dhe baza gjinore.

“Shpresojmë që qeveria e Kosovës do të punojë për të siguruar që çiftet e të njëjtit seks ta kenë të njëjtat të drejta si çiftet e tjera, dhe për të çrrënjosur diskriminimin në bazë të orientimit seksual dhe identiteti gjinor në të drejtën familjare. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë informacion dhe këshilla – dhe presin me padurim legjislacionin që i jep fund diskriminimit në të drejtën familjare dhe ofron më të fortën mbrojtje e mundshme për çiftet e të njëjtit seks dhe familjet e tyre”, thuhet në letër. /Express/ KultPlus.com

Qeveria konfirmon takimin e Kurtit me delegacionin e Shtëpisë së Bardhë

Qeveria e Kosovës përmes një njoftimi për media kanë konfirmuar se kryeminstri Albin Kurti do ta takojë delegacionin e Shtëpisë së Bardhë.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Sh.T. Albin Kurti, në ora 16:00 pret në takim znj.Elizabeth Sherwood-Randall, Këshilltare për Siguri Kombëtare e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

Kurti bën thirrje që të votohet Kodi Civil: Të gjithë jemi të barabartë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje në Kuvendin e Kosovës që të votohet Kodi Civil, shkruan KultPlus.

Gjatë ditës së sotme në Kuvend po diskutohet për Projektkodin Civil, ku kryeministri ka bërë thirrje që të votohen ky ligj, pasi është e drejtë e garantuar nga natyra.

“Të drejtat e njeriut janë të secilit njeri. Gjithsecili është krijesë e Zotit dhe e natyrës. Këtë e thotë edhe Kushtetuta jonë dhe praktika e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut. Ju ftoj ta votoni atë”, tha Kurti. /KultPlus.com

Kurti: Sigurimi i ujit të pastër dhe kanalizim për të gjithë deri në vitin 2030

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në konferencën përmbyllëse të Programit kosovaro-zviceran për ujësjellës dhe kanalizim në zonat rurale.

“Qasja në ujë të pastër dhe në objektet sanitare e higjienike është e drejtë fundamentale e njeriut. Ajo është shtyllë kritike për reduktimin e pabarazive të përgjithshme. Nuk mund të flasim për mirëqenie, zhvillim ekonomik e as për zhvillim të sektorit të bujqësisë, pa i siguruar këto dy shtylla”, tha Kurti.

Projekti i përbashkët ka mundësuar ndërtimin e sistemeve moderne të ujësjellësit në 280 fshatra të shtrira në 27 komuna të Kosovës, si dhe rehabilitimin e sistemeve të ujësjellësit në 170 fshatra të tjera, e që më pas janë integruar në menaxhim të kompanive rajonale të ujit. Nga ky projekt llogaritet se kanë përfituar 600.000 banorë.

Falë ndihmës së pakursyer të shtetit zviceran në realizimin e këtij projekti, sot mbulueshmëria e qasjes në ujë të pijes ka arritur afërsisht 92%, e ku 87% do të jetë nën menaxhimin e kompanive rajonale të ujit, tha kryeministri Kurti.

Në anën tjetër, 17.600 banorë kanë përfituar nga ndërtimi i rrjetit të kanalizimit me paratrajtim (pra, kolektorë dhe gropa septike), ndërsa për 5 fshatra me gjithsej 5.500 banorë, janë ndërtuar impiante të veçanta për trajtimin e ujërave të ndotura, përfshirë këtu fshatin Orllan, përmes së cilit mbrohet nga ndotja liqeni i Batllavës, i cili furnizon me ujë të pijes 95% të Besianës dhe 45% të Prishtinës.

Sa u përket minoriteteve, kryeministri Kurti theksoi se nga programi në tërësi kanë përfituar rreth 20 mijë banorë, që do të thotë se afërsisht 80% të minoriteve kanë qasje në ujë të pijshëm, duke mos llogaritur veriun dhe Komunën e Shtërpcës.

Pas 16 viteve mbështetje, Qeveria e Zvicrës ka përmbyllur investimet në infrastrukturë të ujit për të kaluar në mbështetje teknike në menaxhim të burimeve ujore dhe fushave përkatëse.

Në emër të Qeverisë dhe popullit të Kosovës, kryeministri Kurti falënderoi dhe shprehu mirënjohjen për përkrahjen e Konfederatës Zvicerane dhe për kontributin e pakontestuar që ka dhënë kjo përkrahje në këtë arritje.  Unë si kryeministër dhe qeveria jonë jemi të përkushtuar që ta finalizojmë këtë projekt dhe të përmbushim pritjet e qytetarëve tanë, tha ai, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.

Fjalimi i tij i plotë:

Qasja në ujë të pastër dhe në objektet sanitare e higjienike është e drejtë fundamentale e njeriut. Ajo është shtyllë kritike për reduktimin e pabarazive të përgjithshme. Andaj, mungesa e qasjes në ujë të sigurt, të mjaftueshëm dhe të përballueshëm, kanalizim dhe higjienë ka efekt shkatërrues në shëndetin, dinjitetin dhe prosperitetin e njerëzve.

Nuk mund të flasim për mirëqenie, zhvillim ekonomik e as për zhvillim të sektorit të bujqësisë, pa i siguruar këto dy shtylla. Mungesa e qasjes në ujë të pastër dhe kanalizime ndikon negativisht në sigurinë ushqimore, e dëmton cilësinë e prodhimeve bujqësore e rrjedhimisht e cenon shëndetin e popullsisë dhe mirëqenien e fermerëve.

Pandemia COVID-19 dhe kriza klimatike veçse e kanë rikthyer fokusin dhe e kanë shtuar bindjen se beteja për ujë të pastër, mirë menaxhim të burimeve ujore dhe sisteme funksionale të kanalizimit është më e rëndësishme tash se kurrë më parë.

Uji dhe kanalizimi kanë dimensione të ndryshme gjinore të cilat duhet gjithmonë t’i kemi parasysh. Përvojat e përditshme të burrave dhe grave me ujin dhe higjienën vazhdojnë të jenë shumë të ndryshme. Kur mungon qasja në ujë të pastër dhe  higjienë barra më e rëndë bie mbi gratë dhe vajzat, e sidomos tek ato që mbajnë dhe kujdesen për familjet. Zhvillimet dhe përmirësimet gjatë dekadave të fundit në këtë sektor kanë transformuar jetën e miliona grave duke iu mundësuar lirinë, zhvillimin dhe angazhimin aktiv të tyre në tregun e punës.

Qasja në ujë të pastër, kanalizim dhe higjienë janë ndër prioritetet e zhvillimit global dhe përfshihen në Objektivin e 6-të të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG 6). Objektivi është sigurimi i “ujit të pastër dhe kanalizim për të gjithë” deri në vitin 2030.

Në dhjetëvjeçarin e fundit të përmbushjes së këtij objektivi 26% e popullsisë globale (rreth 2 miliardë njerëz) nuk kanë ende qasje në ujë të pastër, ndërsa 46% e popullsisë globale (rreth 3 e gjysmë miliardë njerëz) nuk ka qasje në kanalizim. Nga të gjithë njerëzit pa qasje në ujë të pijshëm e të sigurt në mbarë botën, 80% jetojnë në zonat rurale. Komunitetet rurale anembanë botës, veçanërisht në shtetet në zhvillim, kanë probleme sa i përket qasjes në ujë të pastër, pavarësisht burimeve ujore që mund të shtrihen përreth tyre.

Në botën bashkëkohore, komunitetet rurale më parë të lëna anash dhe të pazhvilluara po arrijnë me shpejtësi nivelet e zhvillimit me të cilat bota perëndimore është mësuar. Është krejt e qartë se qasja në ujë të pijes dhe të pijshëm dhe në kanalizim është një nga elementet kyç në progresin e komuniteteve rurale.

Kosova, ndonëse nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, e ka përvetësuar këtë parim. Qeveria është zotuar që të sigurojë qasje në ujë të pastër dhe sistem të kanalizimit për të gjithë qytetarët e vet pa dallim etnie apo lokaliteti.

Ne po punojmë intensivisht në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm e sidomos objektivit të 6. Ne e kuptojmë rëndësinë e qasjes në ujë të pastër e të sigurt, në kanalizime dhe higjienë, menaxhimin e qëndrueshëm dhe të integruar të burimeve ujore dhe ndërlidhjen midis ujit, energjisë, ushqimit dhe ekosistemeve.

Menaxhimi i qëndrueshëm i ujit dhe sigurimi i qasjes në ujë të pastër dhe në kanalizime janë shtyllat kryesore për  zhvillim të qëndrueshëm dhe fuqizim të të gjitha komuniteteve në vendin tonë.   

Sot jemi në përfundim të projektit më të gjatë në sektorin e ujërave në Kosovë. Ky projekt ka mundësuar ndërtimin e sistemeve moderne të ujësjellësit në 280 fshatra të shtrira në 27 komuna të Kosovës, si dhe rehabilitimin e sistemeve të ujësjellësit në 170 fshatra të tjera, e që më pas janë integruar në menaxhim të Kompanive Rajonale të Ujit.

Nga ky projekt llogaritet se kanë përfituar 600.000 banorë.

Falë ndihmës së pakursyer të shtetit zviceran në realizimin e këtij projekti, sot mbulueshmëria e qasjes në ujë të pijes ka arritur afërsisht 92%, e ku 87% do të jetë nën menaxhimin e Kompanive Rajonale të Ujit.

Në anën tjetër, 17.600 banorë kanë përfituar nga ndërtimi i rrjetit të kanalizimit me paratrajtim (pra, kolektorë dhe gropa septike), ndërsa për 5 fshatra me gjithsej 5.500 banorë, janë ndërtuar impiante të veçanta për trajtimin e ujërave të ndotura, përfshirë këtu fshatin Orllan përmes së cilit mbrohet nga ndotja liqeni i Batllavës, i cili furnizon me ujë të pijes 95% të Besianës dhe 45% të Prishtinës.

Sa i përket minoriteteve, nga programi në tërësi kanë përfituar rreth 20 mijë banorë, që do të thotë se afërsisht 80% të minoriteve kanë qasje në ujë të pijshëm, duke mos llogaritur veriun dhe Komunën e Shtërpcës.

Qeveria është përjetësisht mirënjohëse për përkrahjen e Konfederatës Zvicerane dhe për kontributin e pakontestuar që ka dhënë kjo përkrahje në këtë arritje.  Unë si kryeministër dhe qeveria jonë jemi të përkushtuar që ta finalizojmë këtë projekt dhe të përmbushim pritjet e qytetarëve tanë.

Mbetet obligim i ynë që të mirëmbajmë me kujdes investimet e realizuara, si dhe të investojmë tutje në shtrirjen dhe mirëmbajtjen e rrjetit të kanalizimit aty ku ende mungon, në mënyrë që të ndalim përfundimisht derdhjen e ujërave të zeza në pellgjet lumore.

Do të punojmë shumë deri në arritjen e plotë të objektivit 6-të të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Pra, qasje në ujë të pastër dhe sisteme funksionale për menaxhimin e ujërave të zeza për të gjithë popullatën deri në vitin 2030. /KultPlus.com

Kurti: Vetëm një botë e bashkuar dhe demokratike mund të ndalojë Putinin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në margjinat e Forumit Diplomatik në Antalia të Turqisë, ka takuar ministrin e jashtëm të Austrisë, Alexander Schallenberg, Përfaqësuesin e Lartë Ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt dhe mandatarin për krijimin e qeverisë së Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Përmes një postimi në “Twitter”, Kurti njoftoi edhe temën e bisedës që e bëri me diplomatët në takimet që zhvilloi.

“Ne nuk duhet t’u dorëzohemi autokratëve askund dhe në asnjë kohë. Vetëm një botë e bashkuar dhe aktive demokratike do të ndalojë Putinin dhe do të parandalojë despotë të tjerë në të ardhmen”, ka shkruar Kurti.

Përveç kryeministrit të Kosovës, në Forumin për Diplomaci që po mbahet në Antalia të Turqisë, përveç kryeministrit Kurti, po merr pjesë edhe presidentja Vjosa Osmani. /KultPlus.com

Abazoviqi pas takimit me Kurtin e Osmanin: E kaluara të lihet prapa, e ardhmja të ndërtohet në paqe

I nominuari për kryeministër të Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka thënë se Ballkani Perëndimor ka nevojë për një imazh të ri.

Kjo deklaratë e Abazoviqit erdi pas takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, në kuadër të Forumit Diplomatik të Antalisë në Turqi.

“Po i forcojmë marrëdhëniet tona fqinjësore bazuar në respekt të ndërsjellë. E kaluara të lihet prapa dhe të krijohet e ardhmja në bazë të vlerave paqësore universale”, ka shkruar Abazoviqi në Twitter. /KultPlus.com

Kryeministri Kurti dhe Dritan Abazoviq takohen në Turqi (VIDEO)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me mandatarin për krijimin e qeverisë së re në Mal të Zi, Dritan Abazoviqin.

Takimi i tyre ka ndodhur në Antali të Turqisë, aty ku të dy po marrin pjesë në Ditën e dytë të Forumit për Diplomaci, përcjell Klankosova.tv.

Pamjet gjatë përshëndetjes së tyre, janë publikuar nga aktivisti i Vetëvendosjes në Ulqin, Bledar Nelaj.

Aty shihen Kurti dhe Abazoviq teksa bëjnë një bisedë të shkurtër./ KultPlus.com