Kryeministri Kurti: Tani e gati tetë dekada, bota njerëzore nuk arrin të zhdukë kujtesën e tmerrit dhe as të luftojë mohuesit e holokaustit

Kryeministri Albin Kurti, ka përkujtuar Ditën e Holokaustit, në nderim të miliona hebrejve të vrarë gjatë luftës së dytë botërore.

“Megjithatë, kujtesa jeton përtej mohuesve të cilët janë kudo. Prandaj ne sot kujtojmë. Sot angazhohemi, punojmë, veprojmë e përgatitemi që kjo të mos përsëritet. Në asnjë vend. Në asnjë kohë”, ka shkruar ai.

KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Në momentin e fundit dënimi ynë me vdekje u ndryshua në burgim të përjetshëm në Auschwitz dhe ne u dorëzuam në dyert e ferrit. Aty do të na merrnin ende në pyetje. Me të mbërritur na zhveshën, goditën, rruan dhe na bënë tatuazhe. Që atëherë, ne nuk kishim emra. Unë tani isha numri 39934 dhe nëna ime ishte numri 39933. – Kitty Hart-Moxon

Kjo është veç një prej dëshmive të panumërta që na ndihmojnë të kujtojmë tmerrin e përjetuar në Auschwitz – Birkenau dhe mijëra kampe tjera përqendrimi. Pikërisht sot 77 vite nga 27 Janari i vitit 1945, kur ky kamp përqendrimi u çlirua. U çlirua prej tragjedisë njerëzore të paimagjinueshme më parë. Por me çlirimin nuk ka ardhur asnjëherë harrimi.

Krahas kujtimit, ky tmerr e kjo dhunë fatkeqësisht nuk mori epilogun e duhur as gjatë Gjykimit të Nürnberg kur Lemkin dhe Lauchterpacht për herë të parë definuan termet “gjenocid” dhe “krime kundër njerëzimit”.

Nuk mori epilogun as përgjatë viteve të tëra të përpjekjeve për të kujtuar. Të aftësisë për të mos harruar.

Të tentimeve për gjetjen dhe dënimet e kriminelëve.

Edhe këto krime kundër njerëzimit përgjatë viteve u përballën me mohimin e pashembullt nga ata që edhe nuk dinin, edhe nuk donin të pranonin realitetin.

Tani e gati tetë dekada, bota njerëzore nuk arrin të zhdukë kujtesën e tmerrit dhe as të luftojë mohuesit e holokaustit.

Megjithatë, kujtesa jeton përtej mohuesve të cilët janë kudo. Prandaj ne sot kujtojmë. Sot angazhohemi, punojmë, veprojmë e përgatitemi që kjo të mos përsëritet. Në asnjë vend. Në asnjë kohë.

KURRË MË! / KultPlus.com

Kryeministri Kurti përkujton Ditën e Holokaustit: Nuk guxojmë të harrojmë

Kryeministri Albin Kurti, ka përkujtuar Ditën e Holokaustit, në nderim të miliona hebrejve të vrarë gjatë luftës së dytë botërore, përcjell KultPlus.

Më poshtë KultPlus ju sjell postimin e plotë të tij:

“Sot është Dita e Përkujtimit të Holokaustit. Ne nderojmë miliona hebrenj të shfarosur në kampet naziste të vdekjes gjatë Shoah. Le të zotohemi se do të themi gjithmonë emrat e viktimave dhe vendet e tmerrit. Nuk guxojmë të harrojmë”, ka shkruar ai. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti përkrah filmin Zgjoi: Triumfi i tyre erdhi si rezultat i forcës që i dhanë njëra-tjetrës

Filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit është futur në listën e ngushtë për nominim nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit, ‘Oscars 2022’, në kategorinë e filmit ndërkombëtar me metrazh të gjatë, përcjell KultPlus.

Më 8 shkurt bëhet e ditur lista finale e nominimeve. Ndërsa, nesër do të fillojë votimi i anëtarëve të Akademisë Amerikane për të nominuar filmat për “Oscars 2022”,

Andaj, sot kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka treguar përkrahjen e tij përmes një postimi në rrjetin soical Twitter.

“Nesër fillon votimi i nominimit për Oscar, përfshirë edhe për “Zgjoi”. Ky film, i bazuar në një histori të vërtetë, përshkruan qëndresën e grave të Krushës. Triumfi i tyre erdhi si rezultat i forcës që i dhanë njëra-tjetrës”, ka shkruar Kurti. / KultPlus.com

Kurti njofton për rikthimin e bllokut B2: Po paguajmë çdo orë 50 mijë euro import më pak

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se Blloku B2 i Termocentralit “Kosova B” është rikthyer në funksion, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare, Kurti ka njoftuar se sinkronizimi është bërë mbrëmë në ora 23:55.

“Rreth 200 euro kushtoi 1 MWh në bursën ndërkombëtare të energjisë dje. Mirëpo sot në ora 10:15 u kthye në punë blloku B2 i TC ‘Kosova B’, me fuqi 245 MW. Sinkronizimi është bërë mbrëmë në ora 23:55, gjendja e turbinës është e mirë dhe nuk ka pasur nevojë për balancim. Me fjalë tjera, për çdo orë do t’i paguajmë rreth 50 mijë euro import më pak, e deri nesër në mëngjes rreth 1,2 milion euro më pak se gjatë ditëve të javës që po lëmë pas. Ky është lajm shumë i mirë për të gjithë neve”, shkruhet mes tjerash.

Kurti gjithashtu thotë se do të ishte shumë mirë që Kosova ta kishte tani TC “Kosova A”.

“Eh sikur ta kishim tash TC ‘Kosova A’ të rindërtuar nga Bilfingeri gjerman dhe blloqet B3 dhe B4 me nga 300 MW fuqi secila!”.

Në fund të këtij muaji do të vendoset përfundimisht në qoftë se Kosova do të ketë çmim të faturës së energjisë elektrike. /KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Sportin ta kthejmë në kulturë të shoqërisë

Sot, në Brezovicë, u përmbyll  ngjarja dy ditore “Tryeza e Sportit”, ku akterët më të lartë vendorë të komunitetit sportiv, diskutuan tema të ndërlidhura me këtë fushë.

Në vazhdën e diskutimeve u arritën disa përfundime dhe pajtueshmëri, të cilat do të ndihmojnë në orientimin e qeverisë dhe komunitetit të gjerë sportiv drejt zhvillimit të mëtejmë të sportit në vend.

Ndër pikat për të cilat palët u pajtuan për të vazhduar më tutje ishin:

Hartimi i strategjisë kombëtare për zhvillimin e sportit, mbi parimin e gjithëpërfshirjes dhe integrimit të të gjitha palëve të interesit në vend. Si hap fillestar për hartimin e startegjisë, të pranishmit u dakorduan për rëndësinë e procesit të analizës së gjendjes ekzistuese të sportit, e cila do të fokusohet mbi dy shtylla kryesore: grumbullimi dhe përpilimi i bazës së të dhënave në sektorin e sportit dhe në infrastrukturën fizike sportive. Procesi i përpilimit të bazës së të dhënave, i cili do të filloj gjatë këtij muaji, do të bëhet në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe organizatave tjera qeverisëse të sportit në Kosovë.

Në temën e Sportit për të gjithë, me fokus të veçantë u adresua procesi i integrimit të aktiviteti fizik dhe sportiv në sistemin e arsimit në Kosovë. Përpos rëndësisë që kjo luan për zhvillimin e një shoqërie të shëndosh, me këtë qasje synohet të ndërtohet edhe sistemi i identifikimit të talentëve të rinj në sport dhe shndërrimi i sportit në kulturë shoqërore.

Për këtë, të pranishmit u dakorduan për inicimin e hartimit të programit “Sporti në shkolla”,  proces për të cilin do të nevojitet koordinimi dhe bashkëpunimi i thellë mes organizatave sportive dhe ministrive të linjës. Përtej kësaj, të pranishmit u dakorduan që në kuadër të këtij programi të rëndësisë së veçantë të adresohet edhe qasja, përkrahja dhe ofrimi i mundësive të barabarta edhe për personat me aftësi të kufizuar.

Një temë tjetër me rëndësi, ishte tema e Sportit Elitar, që ka të bëjë me ngritjen e rezultateve sportive në nivel shtetëror dhe përfaqësimi i sportit në arenën ndërkombëtare. Të pranishmit u pajtuan se me prioritet të lartë duhet trajtuar ndërtimi i kapaciteteve njerëzore, i trajnerëve, stafit ndihmës – mjekë sportiv, fizioterapeut, psikolog, nutricist – e të tjera profile deficitare dhe të nevojshme për përgatitjen maksimale të sportistëve vendor.

Në lidhje me infrastrukturën fizike, fokusi duhet përqendruar në identifikimin dhe adresimin e nevojave emergjente në infrastrukturë, e më pas në investimet e mëdha të interesit nacional. Si fillim u dakordua që të krijohet një pasqyrë e qartë rreth gjendjes në teren, duke marrë parasysh shpërndarjen hapësinore të infrastrutkurës ekzistuese, demografinë në ato zona, kërkesat dhe nevojat. Në përfundim të kësaj analize, u dakordua të organizohet një takim i përbashkët ku do të diskutohet rreth orientimit strategjik për investime kapitale në fushën e sportit.

Pika e fundit për të cilën u diskutua gjatë këtyre dy ditëve, ishte diplomacia sportive. Përtej diskutimeve rreth rëndësisë dhe rolit të diplomacisë sportive për shtetin e Kosovës, të pranishmit u dakorduan që bashkarisht të hartojnë protokolle specifike të cilat do të udhëzojnë organizatat sportive për pjesëmarrje dhe përfaqësim në garat ndërkombëtare. Poashtu u diskutua rreth rëndësisë së organizimit të ngjarjeve dhe aktiviteteve të natyrës ndërkombëtare në vendin tonë për promovim dhe zhvillim të diplomacisë sportive.

Në përmbyllje të tryezës dy ditore, mori pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, z. Albin, Kurti, për të ritheksuar vëmendjen dhe dedikimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për fushën e sportit. Kryeministri ndër tjerash foli për rëndësinë e masivizimit dhe shkëlqimit në sport. Ai tha se “E para do ta shndërroj sportin në kulturë të shoqërisë, me ndikim në shëndetin publik. Ndërsa e dyta, do ta bëjë diplomacinë sportive të suksesshme përmes të arriturave të larta në arenën ndërkombëtare”./ KultPlus.com

Në 24 vjetorin e sulmit të dytë ndaj kullës së Jasharajve, Kurti viziton Kompleksin Memorial “Adem Jashari”

Sot shënohet 24-vjetori i sulmit të dytë ndaj familjes Jashari ku u plagosën Selvete (Hamëz) Jashari dhe Iliriana (Rifat) Jashari.

E kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka vizituar Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz për të parë nga afër ndërhyrjet emërgjente për restaurimin e tyre.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

Tre herë ia mësynë familjes dhe kullës së Jasharajve forcat policore e ushtarake serbe. Sot e përkujtojmë 24 vjetorin e sulmit të dytë. Me 22 janar 1998 u plagosën Selvete (Hamëz) Jashari dhe Iliriana (Rifat) Jashari. Selvetja u vra në Epopenë e UÇK-së një muaj e gjysmë më vonë.

Në këtë përvjetor pashë nga afër ndërhyrjet emergjente dhe fillestare në kullat e Jasharëve që për qëllim kanë mbrojtjen nga degradimi dhe konservimin e këtij margaritari të historisë sonë, sa të lavdishme aq edhe të dhimbshme. Angazhimi ynë për jetësimin e projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz vazhdon me hartimin e detyrës projektuese dhe shpalljen e konkursit ndërkombëtar gjatë këtij viti./ KultPlus.com

Kurti për Kompleksin ‘Adem Jashari’: E kemi obligim institucional, kombëtar e shoqëror ta mirëmbajmë atë

Me rastin e 24-vjetorit të sulmit të dytë të forcave serbe ndaj familjes Jashari, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga anëtarë të kabinetit qeveritar dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bënë homazhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

“Sot janë bërë 24 vjet, prej kur forcat policore e ushtarake të Serbisë ja mësynë gjatë luftës çlirimtare për herë të dytë kullës së Jasharajve, me ç‘rast i patën plagosur Selvete Jasharin, vajzën e Hamëz Jasharit dhe Iliriana Jasharin, vajzën e Rifat Jasharit”, tha Kurti.

Ky nuk është sulmi i vetëm mbi këtë kullë. Sulmi i parë kishte ndodhur në vitin 1991.

“E kemi obligim institucional, kombëtar e shoqëror, që këtë objekt të historisë së veçantë të Kosovës dhe kombit shqiptar në përgjithësi ta mirëmbajmë, sepse është një margaritar i historisë tonë të lavdishme e njëkohësisht edhe të dhimbshme”, tha në fund të deklaratës së tij i pari i ekzekutivit.

Pas homazheve, Kurti vizitoi kullat ku u takua edhe me familjen Jashari si dhe pa nga afër ndërhyrjet emergjente që po bëhen në këto kulla me qëllim mbrojtjen e tyre nga degradimi.

Ecjen e tyre e vazhduan deri te shtëpia e Hamit dhe Salë Jasharit. /KultPlus.com

Kurti do të bëjë sot homazhe te Kompleksi ‘Adem Jashari’

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti do të bëjë homazhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz sot me fillim nga ora 09:00, shkruan KultPlus.

Më 22 janar 1998 në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municioneve të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar kah Kulla e Jasharëve, për të sulmuar ata.

Albin Kurti kishte deklaruar në dhjetor të vitit të kaluar se shumë shpejt do të fillojnë punimet në këtë ndërtesë.

Sulmi i tretë i Serbisë në familjen Jashari kishte ndodhur më 5 mars të vitit 1998 ku pas një lufte që kishte zgjatur tri ditë, kishin rënë heroikisht 59 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin./ KultPlus.com

Osmani dhe Kurti bëjnë homazhe te varri i Rugovës: Bashkoi popullin shqiptar kundër Serbisë okupatore

Presidentja e Kosovës,Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin Albin Kurti, kanë bërë homazhe te varri i ish presidentit Ibrahim Rugova.

Osmani ka thënë se Rugova është arkitektet i pavarësisë së Kosovës, transmeton Telegrafi.

“Sot është 16 vjetori i shkuarjes në amshim të arkitektit të pavarësisë së Kosovës, ideatorit të pavarësisë, presidentit historik Ibrahim Rugova. Bëri gjithçka për shtetin tonë, ai punoi në një kohë të vështirë për të gjithë popullin e Kosovës, dhe arriti ta bëjë bashkë popullin e Kosovës. Ai arriti të ndërtojë miqësi aq të mëdha. Ne sot e gëzojmë shtetin tonë, por gëzojmë edhe miqësitë që i i ndërtoi presidenti Rugova”, deklaroi ajo.

Presidentja tha se kujtimi për Ibrahim Rugovën do të jetojë përgjithmonë në zemrat e qytetarëve.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti para mediave pohoi se Rugova ka dhënë kontribut të çmuar në bashkimin e shqiptarëve kundër Serbisë okupatore.

“Presidenti Rugova është presidenti i parë i Kosovës, i zgjedhur me votë popullore. Presidenti i parë i Kosovës së çliruar. Dr.Ibrahim Rugova para se të ishte president ishte intelektual, njeri paqësor, humanist, dha kontribut të çmuar në bashkimin e shqiptarëve kundër Serbisë okupatore”, theksoi Kurti.

Ish presidenti Ibrahim Rugova kishte ndërruar jetë më 21 janar 2006, pas një sëmundje të rëndë. / KultPlus.com

Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti sot do të bëjnë homazhe te varri i ish presidentit Rugova

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti do të bëjnë sot homazhe te varri i Presidentit Historik, Ibrahim Rugova, në 16 vjetorin e vdekjes së tij. 

Sipas njoftimit të Presidencës, ata do të bëjnë homazhe në orën 11:00.   

 “Sot më 21 janar 2022, në orën 11:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti, bëjnë homazhe te varri i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, në 16 vjetorin e vdekjes”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com 

Magbule Xhemaili, fituese e Çmimit Blerës të Galerisë ‘Peneli i Flakës 2022’

Në Galerinë e Arteve në Gjilan është hapur Ekspozita Kolektive e Artit Pamor “Peneli i Flakës”, si njëra ndër shtyllat themelore të manifestimit “Flaka e Janarit 2022”, ku janë ekspozuar punime të krijuesve të ndryshëm, në pikturë, skulpturë, vizatim, grafikë, instalacion, ndërsa është ndarë edhe Çmimi Blerës i Galerisë, i cili i ka takuar piktores Magbule Xhemaili.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni në hapjen e kësaj ekspozite tha se ndihet i nderuar që ndodhet në mesin e artistëve dhe artdashësve për ta bërë bashkërisht hapjen e “Penelit të Flakës”, me ç`rast edhe po ekspozohet një pjesë e madhe e artit dhe kulturës së Gjilanit, nëpërmjet artit pamor.

“Ne sapo përfunduam me Akademinë Tematike të “Flakës…” dhe po vazhdojmë me ”Penelin…”, ndërsa janari do të jetë muaji me plotë aktivitete të ndryshme kulturore, e do të vazhdojë kështu edhe në të ardhmen duke mbajtur gjallë traditën, por edhe duke kujtuar të gjithë ata, për të cilët edhe jemi mbledhur sot e po i përkujtojmë”, tha kryetari Hyseni.

I pranishëm në këtë Ekspozitë ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se ndihet mirë që pas Akademive në Prishtinë dhe në Gjilan, kushtuar të rënëve, bashkë me kryetarin e Gjilanit janë edhe në këtë Galeri, sepse të gjithë veprimtarët që po u kushtohet ky aktivitet, kanë qenë edhe krijues.

Kryeministri tha se ata kanë krijuar në aspektin artistik, përveç se në atë shoqëror dhe përveç shkrimeve, fjalimeve, teksteve që ata i kanë prodhuar, përveç këngëve që i kanë kompozuar e kënduar, është e domosdoshme ta kemi edhe pikturën, vizatimet, të gjitha këto punime që janë shprehje e shpirtit krijues të brezit aktual, në mënyrë që përvojat tona jetësore, mendimet, ndjenjat, ndjesitë… edhe në këtë formë t’i paraqesim dhe t’ia komunikojmë njëri tjetrit.

Duke iu referuar punimeve të ekspozuara në këtë ekspozitë, kryeministri Kurti tha se ka parë talente e entuziazëm që duhet të mbështetet edhe nga institucionet lokale edhe nga ato qendrore, për shkak se njerëzit që krijojnë, prodhojnë, ndërtojnë, janë ata të cilët e bëjnë vendin tonë edhe më të jetueshëm, edhe më të dashur.

Njëri nga përgjegjësit për artin pamor, në kuadër të “Flakës…”, skulptori Avni Behluli, ka falënderuar kryetarin e Komunës së Gjilanit për mbështetjen e këtij organizimi dhe ka bërë me dije se kësaj here “Peneli i Flakës”, ka tubuar elitën e artistëve shqiptar, por edhe të kombeve tjera. Interesimi për të qenë pjesë e Penelit të sivjetmë ka qenë i madh dhe kishte mbi 100 të interesuar, prej të cilëve, janë kualifikuar 61 artistë, e janë prezantuar degët dhe mediumet shprehëse vizuele si: piktura, skulptura, grafika, vizatimi dhe instalacioni.

Përndryshe, juria profesionale në përbërje: Ragip Ramadani, skulptor, Valdrin Bajrami, piktor dhe Arta Llapashtica, grafiste, kanë ndarë edhe tri çmime për: Gëzim Brestovci – pikturë, Fatmir Krypa – grafikë dhe Malë Myrtaj – skulpturë.

Përndryshe, manifestimi kulturor mbarëkombëtar ‘Flaka e Janarit 2022’, me të cilën nderohen heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kombit, të rënë përgjatë janarëve të historisë, vazhdon tutje më 19 janar, me Ekspozitë memoaresh e kujtimesh “Dhoma e Kadriut, Jusufit, Bardhoshit, Rexhepit e Nuhiut”. /KultPlus.com

Kurti për vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën: Kujtimi për këta heronj është i pashlyeshëm

Në 40 vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, vizitoi kullën e familjes Gërvalla në Dubovik.

Aty u pritën nga Suzana Gërvalla, bashkëshortja e Jusuf Gërvallës dhe Donika Gërvalla, e bija e tij, si dhe familjarë e miq të veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare.

Nga aty, Kryeministri Kurti, Presidentja Osmani dhe Zëvendëskryeministrja Gërvalla, bën homazhe dhe vendosen kurorë me lule, te varrezat e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës.

“Ne erdhëm sot në Dubovik, në 40 vjetorin e vrasjes së trefishtë në Shtutgart, më 17 janar 1982, kur u vranë Kadri Zeka e Jusuf e Bardhosh Gërvalla, që të vizitojmë kullën e lindjes, jetës dhe rritjes së tyre, por edhe varrin ku prehen ata, për të treguar kujtimin e pashlyeshëm dhe nderimin e pafund që kemi për këta heronj, të cilët na e dëshmojnë një luftë edhe para luftës çlirimtare. Meqenëse në vitet e ‘80-ta shqiptarët jo vetëm që persekutoheshin e burgoseshin, por edhe vriteshin nga regjimi i atëhershëm okupator, për shkak se dëshironin liri, republikë, demokraci e përparim”, tha kryeministri.

Tutje Kurti deklaroi se ata do të bashkëpunojnë edhe me shtetet e tjera, veçanarisht me Republikën Federale të Gjermanisë për të zbardhur të vërtetën.

“Si institucione të Republikës, si Qeveri e Kosovës, ne do të bashkëpunojmë me shtetet e tjera, në veçanti me Republikën Federale të Gjermanisë, në mënyrë që të marrim vesh sa më shumë e që të zbardhet e vërteta edhe sa i përket edhe urdhërdhënësve edhe ekzekutorëve, bindjet dhe orientimi dhe qendra e të cilëve natyrisht se dihet, mirëpo emrat e përveçëm të atyre natyrisht se duhet të ndriçohen dhe asisoj të mundësohet drejtësia e ndëshkimi, tha ai.

Kurti theksoi se jemi të vetëdijshëm për kufizimet që kemi, që pas kaq shumë kohësh të arrijmë përnjëherë të zbardhim gjithë ato vrasje, meqenëse janë të shumta, ndërkohë që edhe regjimet, të cilët kanë marrë pjesë në ato vrasje, nuk është se kanë vdekur përfundimisht e në plotni.

Në nderim të tre veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare, i pari i ekzekutivit, sot, në 40 – vjetorin e vrasjes së tyre, organizon Akademi Përkujtimore në Prishtinë. /KultPlus.com

Në prani të mbijetuarit nga Masakra e Reçakut, hapet ekspozita ‘Mos me harru’

Pas homazheve në Kompleksin memorial të Reçakut dhe ceremonisë përkujtimore në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u bë hapja e ekspozitës kolektive me fotografi të masakrës së Reçakut, organizuar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, në përkujtim të 23 vjetorit të Masakrës së Reçakut.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapje të ekspozitës së titulluar “Mos me harru”. I pranishëm ishte edhe Ramë Shabani, i mbijetuari i vetëm i Masakrës së Reçakut.
“Te Kodra e Bebushit e kanë goditur shumë herë shumë plumba por ka shpëtuar duke pasur shumë fat. Ishim bashkë sot në Reçak dhe jemi këtu në këtë ekspozitë të fotografive, të fotografëve tanë të mirënjohur, Hazir Rekës dhe Alban Bujarit por edhe të Nerxhivane Azizit, që ka qenë edhe ushtare e UÇK-së,” tha kryeministri Kurti.

Ai theksoi se rrëfimi i Ramës është tejet i veçantë, sepse ky është i mbijetuari i masakrës së Reçakut që e pati tronditur opinion publik mbarëkombëtar dhe ishte vendimtare për ndërhyrjen e NATO-s 68 ditë më vonë.
“Pra 68 ditë pas masakrës së Reçakut NATO-ja bombardon 78 ditë dhe ne çlirohemi si popull e si vend. Rama është dëshmitar i gjallë i asaj masakre mizore”, theksoi ai.

Kryeministri Kurti i falënderoi tre fotografët që kanë dhënë kontribut të madh në kushte tejet të vështira. “Këta janë fotografë të cilët po ashtu kanë pasur fat mbase, meqenëse në shumë zona të luftës kanë mundur kollaj të vriten nga forcat e Serbisë”, tha ai.

“Edhe ne i kemi kujtimet e freskëta nga 15 janari 1999, me një dimër të acartë, mirëpo kur i sheh njeriu këto fotografi e kupton përmasën e tmerrshme të kësaj masakre mizore të Serbisë që është dëshmi e gjenocidit të saj në Kosovë”, tha kryeministri.

Ekspozita me kurator Hazir Rekën, do të qëndrojë e hapur për 7 ditë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. /KultPlus.com

Kurti: Historia e Kosovës së pavarur nuk mund të shkruhet pa Reçakun

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se lajmi për masakrën e Reçakut ka arritur në çdo cep të botës.

Ai deklaroi se në këtë masakër janë vrarë 45 civil të pafajshëm dhe të paarmatosur, përfshirë gra e fëmijë.

“Nëse nuk tronditemi sot diçka nuk është mirë me ndërgjegjen tonë. Më 15 janar të vitit 1999, Reçaku në orët e hershme të mëngjesit u gjet i rrethuar nga policia speciale, forcat ushtarake dhe paramilitare serbe. Atë ditë ata vranë 45 civilë të paarmatosur e të pafajshëm, mes tyre gra dhe fëmijë. Lajmi i krimit që ndodhi tek shtëpia e Sali Osmanit dhe tek ‘Kodra e Bebushit’, arriti në çdo cep të botës”, deklaroi ai.

Kurti tha se historia e Kosovës së pavarur nuk mund të shkruhet pa Reçakun.

“Historia e Kosovës së pavarur nuk mund të shkruhet pa Reçakun, njësojë si nuk mund të shkruhet pa Prekazin, Mejën, Krushën e Madhe e të Vogël, Dubravën, Poklekun, Rrezallën, Izbicën, Gjakovën, Qyshkun, Qirezin e Likoshanin e shumë vende të tjera të Kosovës që ishin viktima të mbi 400 masakrave gjatë luftës së fundit të vitit 1998 dhe 1999”, ka thënë Kurti./KultPlus.com

Osmani dhe Kurti vizitojnë Kodrën e Bebushit, aty ku ndodhi masakra e Reçakut

Sot janë shënuar 23 vjet nga masakra e Reçakut.

E presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë vizituar sot Kodrën e Bebushit aty ku ka ndodhur kjo masakër.

Sot në vendin e ngjarjes, te Kodra e Bebushit, aty ku ndodhi masakra e Reçakut, dëgjuam rrëfimet e tmerrit të të mbijetuarve të masakrës.
Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës
.” – ka shkruar pesidentja Osmani./KultPlus.com

Ambasadori i ri amerikan me Osmanin e Kurtin nesër përkujtojnë Masakrën e Reçakut

Kryeministria ka njoftuar se krerët shtetërorë do të vizitojnë Kompleksin Memorial të Reçakut në përkujtim të 23-vjetorit të Masakrës së Reçakut.

Siç ka bërë të ditur kryeministria, kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe kryekuvendari Glauk Konjufca do realizojnë homazhet në Reçak nga ora 10:00.

Pjesë e homazheve do të jetë edhe ambasadori i ri amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, sipas kryeministrisë.

Më tej, në ora 11:00 krerët shtetërorë do të kryejnë ceremoni përkujtimore në nder të 23-vjetorit të Masakrës së Reçakut.

Në ora 13:00 udhëheqësit institucional do jenë prezent në një ekspozitë kolektive me fotografi të Masakrës së Reçakut tek Biblioteka Kombëtare në Prishtinë.

Më 15 janar të 1999-ës, 45 shqiptarë nga Kosova në fshatin Reçak u masakruan nga forcat serbe. / KultPlus.com

Krerët e shtetit – QUINT-it: Zbatoni standarde të njëjta me Kosovën si me shtetet e tjera

Krerët shtetërorë të Kosovës kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët pas takimit me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe përfaqësuesin e Bashkimit Evropian.

Aty thuhet se krerët, presidentja-kryeparlamentari-kryeministri, shprehën qartë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në Kosovë përbën shkelje kushtetuese dhe të ligjeve të Kosovës.

“Përveç se u ritheksua se qytetarët serb të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, pra nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse, institucionet bënë të qartë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare”.

Për më tepër, një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës, thuhet më tej.

Institucionet i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që në raport me Kosovën të aplikohen standarde të njëjta sikurse me çdo shtet tjetër, meqë pavarësia e Kosovës jo vetëm që është njohur nga shumica e vendeve demokratike anekënd botës, por edhe është vulosur nga GJND-ja.

“Kushtetuta e Kosovës, ligjet e aplikueshme në Kosovë si dhe e drejta ndërkombëtare dhe praktika ndërkombëtare nuk e njohin të drejtën e një shteti për të realizuar referendum në territorin sovran të një shteti tjetër. Prandaj, praktikat e deritanishme të aplikuara që nga viti 2012, kanë qenë kundërkushtetuese, e si rrjedhojë nuk i obligojnë institucionet e tanishme të Republikës së Kosovës të dala nga vullneti i qartë i qytetarëve i shprehur më 14 shkurt 2021”.

Për më tepër, institucionet e Kosovës kanë theksuar se çështja nuk është roli i OSBE-së, por roli i Serbisë dhe strukturave të saj paralele e ilegale në Kosovë. “Sepse, para se OSBE-ja të bënte mbledhjen e votave, do të mbahej një proces tërësisht ilegal i hapjes së qendrave të votimit e kutive të votimit në territorin e Republikës së Kosovës për një referendum të një shteti tjetër, pra Serbisë, e ky proces do të organizohej nga strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Sipas tyre, Serbia dëshiron ta shfrytëzojë referendumin si mjet të shtrimit të sovranitetit të saj mbi Kosovën.

“Rrjedhimisht, qëndrimi i institucioneve të Kosovës nuk ka fare të bëjë me OSBE-në, por me kundërshtimin e kësaj tendence të vazhdueshme të Serbisë, e cila dëshmon pretendime të qarta territoriale ndaj Kosovës”.

Osmani, Konjufca e Kurti i kanë bërë thirrje të gjitha shteteve demokratike që ta mbështesin Kosovën në përpjekjet e saj për t`i ndalur “veprimet e vazhdueshme të Serbisë që minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe shtetësinë e Kosovës”.

“Për më tepër, kjo praktikë e Serbisë, që po e ndjekë modelin rus, ka mbështetjen e plotë të Federatës Ruse, duke dëshmuar kështu tendencat e tyre për destabilizim të shpejtë të rajonit tonë dhe zhbërjen e sukseseve që Kosova dhe rajoni i kanë arritur në partneritet me vendet mike demokratike”.

Mosmbajtja e referendumit serb në territorin sovran të Republikës së Kosovës, sipas krerëve të shtetit, është hap i duhur në betejën e përbashkët kundër autokracive dhe avancim i praktikave demokratike, “përkushtim të cilin Kosova e ka dhënë së fundi edhe në Samitin për Demokraci të organizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”./ KultPlus.com

Kurti viziton familjet e Malës dhe Berishës: Dy heronj të pavdekshëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi familjet e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës në 38 vjetorin e rënies së tyre, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Kurti, ka njoftuar se ka vizituar familjes e Malës dhe Berishës, duke thënë se shtëpitë e tyre ishin vatra të rezistencës.

“Liria kombëtare dhe drejtësia shoqërore u bënë bashkë te këta dy heronj të pavdekshëm, në jetën dhe me veprën e tyre. Ata frymëzuan secilin brez patriotësh shqiptarë. Lagja në Prishtinë ku luftuan nën shtetrrethim të hekurt mori emrin Kodra e Trimave. E sakrifica e tyre u bë Flakë e Janarit, që vazhdon të ndriçojë rrugën tonë”, shkroi i pari i ekzekutivit.

Mala dhe Berisha njihen si dy figura të rezistencës, e ku gjithashtu vlerësohen shumë përpjekjet e tyre pë liri e pavarësi. /KultPlus.com

Kurti reagon për vdekjes e Sassolit: Ishte një mik i Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas vdekjes së presidentit të Parlamentit Europian, Davide Sassoli, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Twitter”, Kurti ka shkruar se Sassoli ishte mik i Kosovës.

“Jemi të pikëlluar nga lajmi për vdekjen e David Sassoli-t, president i Parlamentit Evropian, mik i Kosovës dhe një burrë që vërtet solli vlera evropiane në institucionet e BE-së. Do të na mungojë tmerrësisht”, ka shkruar Kurti.

Sassoli ka vdekur si pasojë e një sëmundjeje të rëndë. Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësi i tij, përmes një postimi në Twitter, derisa sot është konfirmuar edhe vdekja e tij nga zëdhënësi i tij. /KultPlus.com

Kryeminstri Kurti takon Lea Ypin, e përgëzon për suksesin që ka shënuar libri i saj që në muajin e parë të botimit

Në Zyrën e Kryeministrit Kurti sot ka shkuar Lea Ypin, profesoreshë e Teorisë Politike, e cila ngjalli shumë reagime pas botimit të librit të saj për vitet e fundit të komunizmit.

Zyra e Kryeministrit Albin Kurti ka njoftuar se sot ai e ka pritur në takim ligjëruesen e Teorisë Politike në Departamentin e Qeverisjes në “London School of Economics”, Lea Ypi.

Sipas njoftimit, kryeministri Kurti dhe Ypi diskutuan mbi situatën politike në Kosovë dhe në Shqipëri, sfidat dhe përvojat e qeverisjes.

Ypi, që njihet për bindjet e saj të majta, është pajtuar se “orientimi progresist në të dy shtetet duhet shprehur në reformë të thellë sociale dhe administratë publike cilësore”, thotë komunikata e lëshuar nga ZKM-ja.

Biseda e Kurtit dhe ligjëruesja së Teorisë Politike nuk është ndalur veç në politiken shqiptare. ZKM-ja njofton se Kryeministri dhe Lea Ypi folën për zhvillimet aktuale politike në Britani të Madhe, BE dhe më gjerë.

Lea Ypi ka ardhur në Prishtinë për të promovuar librin “Të lirë – Të rritesh në fund të historisë”, që aktualisht po përkthehet në 15 gjuhë.

Kryeministri Kurti e përgëzoi Ypin për suksesin që ka shënuar libri i saj që në muajin e parë të botimit dhe i dëshiroi suksese të mëtejshme.

Libri “Të lirë” trajton periudhën e viteve ‘80, para rënies së komunizmit në Shqipëri, të shikuar nga sytë e një fëmije. Autorja ka lindur në dekadën e fundit të komunizmit.  / KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Trashëgimia e bacës Shaban, është e përjetshme dhe e pavdekshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një dedikim për Jasharët në Prekaz, me rastin e 30 vjetorit të sulmit të parë serb ndaj kësaj familjeje.

Duke shkruar për veprën e kryefamiljarit të Jasharajve, Shabanit, kryeministri Kurti thotë se trashëgimia e tij si bujk, mësues dhe prind i shkëlqyer është e përjetshme dhe e pavdekshme.

Ky është shkrimi i plotë i tij:

Në 30 vjetorin e sulmit të parë të Serbisë mbi Jasharajt në Prekaz

Kultivon tokën, ai njeri që e di se do të jetoj gjatë në marrëdhënie me tokën. Ai i dha tokës, toka i dha atij. Mes tokës dhe njeriut vendoset një besim afatgjatë

Kultivon nxënësin, ai njeri që e di se dija do t’i duhet njeriut, për të gjitha mundësitë dhe pamundësitë që i duhet jeta. Mes mësuesit dhe nxënësit vendoset lidhja e një populli me dijen.

Kultivon fëmijën e vet, ai njeri që e di se çka ka marrë prej së shkuarës duhet ta mbrujë në të ardhmen e vet. Një prind që e njeh të shkuarën e vet si dheun e një njerëzie dhe të vërtete, e përçon mandej në dejet e së ardhmes bashkë me gjakun.

Ky është Shaban Jashari. Baca Shaban, bashkë me djemtë e tij, me nxënësit e tij më të përditshëm, me bujqit e tij më të ngushtë, më 30 dhjetor të vitit 1991, 30 vite më parë, shprehte vetëdijen më të lartë për tokën dhe të shkuarën e tyre, për popullin dhe të ardhmen e tij. Trashëgimia e këtij bujku, mësuesi dhe prindi të shkëlqyer është e përjetshme, e pavdekshme. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Reduktimet e rrymës pothuajse janë hequr, po bëjmë krejt çka mundemi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se reduktimet e rrymës pothuajse janë hequr, shkruan KultPlus.

Kurti thotë se po bëjnë krejt çka munden duke u bërë thirrje edhe qytetarëve për shpenzim racional të energjisë.

Postimi i plotë i tij:

Të dashur qytetarë,

Edhe Kosova është në krizë energjetike. Çmimet e larta të importit janë pasojë e faktorëve të jashtëm, ndërkaq dobësimi i kapaciteteve është pasojë e shkaqeve të brendshme.

Në njërën anë, çmimi i energjisë në bursë është shtatëfishuar: ishte rreth 70 euro për MËh në kushte normale, kurse me 21 dhjetor mbërriu deri në 515 euro! Në anën tjetër, as gjysma e konsumit te ne nuk mbulohet nga prodhimi: kërkesa ka arritur pikun historik me 1,4 GË, ndërsa në rastin më të mirë (deri sa ta riparojmë bllokun B2 me fuqi prej 255 MË) termoelektranat tona gjenerojnë as 650 MË!    

Në këtë situatë nuk ka zgjidhje të mirë: ose reduktime të energjisë, ose shtrenjtim të energjisë? Shumë më herët, Kosova është dashur të mendojë më shumë e më mirë, që të mos përfundojë në këtë gjendje të keqe.

Janë dy faktorë të brendshëm që na kanë sjellur në këtë krizë. Mungesa e vizionit për zhvillim socio-ekonomik të Kosovës, me planifikim të sektorit energjetik për furnizim të qëndrueshëm dhe çmime të përballueshme, si për amvisëritë ashtu edhe për industrinë. Së dyti, korrupsioni qeveritar i bërë zakon, e që kulmoi me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit për vetëm 26 milionë euro.

Gjatë këtyre dy dekadave, projektet e ndryshme pa strategji afatgjate nuk kishin si të mos dështonin. Në vitin 2022 ne do të kemi strategjinë nacionale energjetike për dekadën në vijim, dhe shtigjet ku duhet ecur drejt vitit 2050.   

Unë dhe ministrja e ekonomisë Artane Rizvanolli jemi në komunikim të rregullt me KEK-un, KOSTT-in dhe ZRrE-në. Me shtimin e likuiditetit dhe subvencionimin e importit kemi arritur të stabilizojmë furnizimin dhe reduktimet pothuajse janë hequr.

Po bëjmë krejt çka mundemi. Ju falemnderit për mbështetjen dhe ju lutemi për kursim e racionalizim të shpenzimit me aq sa mundeni.

Përzemërsisht,

Albin Kurti./KultPlus.com

Kurti për vdekjen e Tutu: Besimi yt ka ndikuar shumë në formësimin e të gjithë neve

Kryepeshkopi Desmond Tutu, laureati i çmimit Nobel për Paqen, i cili ndihmoi në përfundimin e aparteidit në Afrikën e Jugut, ka vdekur në moshën 90-vjeçare.

Tutu ishte një nga figurat më të njohura të vendit brenda dhe jashtë vendit.

Ai u nderua me çmimin Nobel në vitin 1984 për rolin e tij në luftën për të shfuqizuar sistemin e aparteidit.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reguar mbi vdekjen e këtij të fundit, duke thënë se besimi yt ka ndikuar shumë në formësimin e të gjithëve.

“Sot më shumë se shumë, fjalët tuaja për paqe dhe lidhje me thënies së vërtetës dhe pajtimit rezonojnë. Besimi juaj na ka dhënë të gjithëve”, shkroi Kurti në Twitter.

Vdekja e Tutu vjen vetëm disa javë pas vdekjes së presidentit të fundit të epokës së aparteidit të Afrikës së Jugut, FW de Clerk, i cili vdiq në moshën 85-vjeçare. /KultPlus.com

Image

Kurti: Jemi në krizë e gjithë bota, qytetarët i lusim të racionalizojnë shpenzimin e energjisë

Kosova është duke përjetuar një krizë të madhe të energjisë elektrike, ku si rrjedhojë shumë qytetarë janë ankuar dhe madje janë paralajmëruar edhe protesta rreth rikthimit të reduktimeve, shkruan KultPlus.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se kriza energjetike nuk është vetëm në Kosovë dhe rajon, është në gjithë Evropën.

“Por, neve na ka goditur si një popullsi e varfër që jemi. Dhe me këtë rast, ne po përpiqemi që nëpërmjet subvencionimit të konsumit në njërën anë dhe rregullimit të bllokut B2 të termoelektranave në anën tjetër, sadopak ta zbusim këtë situatë e cila nuk do të mund të përfundojë shpejt, meqenëse këto ditë ngarkesa bazë është diku rreth 900 megavat, ndërkaq që shpenzimi arrin edhe 1.4 gigavat, kurse i gjithë kapaciteti prodhues, sikur të punonte edhe blloku B2, nuk do të ishte më shumë se 900 megavat”, ka thënë ai.

Tutje, i pari i ekzekutivit tregoi se Kosova është detyruar që të importojë energji elektrike, dhe çmimet janë bukur të shtrenjta.

“Në këtë situatë ne jemi të detyruar të importojmë energji elektrike dhe këtë po e bëjmë me çmime bukur të shtrenjta, për shkak se bursa ndërkombëtare është goditur rëndë nga çmimet gjithnjë e më të larta të gazit. Pra, në njërën anë subvencionojmë konsumin, do të ndihmojmë edhe familjet që janë më të varfra, por në anën tjetër, gjithashtu u kemi bërë thirrje qytetarëve që sa më shumë që të munden, ta racionalizojnë shpenzimin dhe u jemi mirënjohës për përgjigjen pozitive”, shtoi Kurti.

Qeveria e Kosovës ka hartuar një dokument ku parashihen se 60 ditë mund të zgjasin gjitha këto probleme. /KultPlus.com

Zëdhënsi i KEDS-it, tregon nëse është është shtrenjtuar energjia elektrike