Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se reduktimet e rrymës pothuajse janë hequr, shkruan KultPlus.
Kurti thotë se po bëjnë krejt çka munden duke u bërë thirrje edhe qytetarëve për shpenzim racional të energjisë.
Postimi i plotë i tij:
Të dashur qytetarë,
Edhe Kosova është në krizë energjetike. Çmimet e larta të importit janë pasojë e faktorëve të jashtëm, ndërkaq dobësimi i kapaciteteve është pasojë e shkaqeve të brendshme.
Në njërën anë, çmimi i energjisë në bursë është shtatëfishuar: ishte rreth 70 euro për MËh në kushte normale, kurse me 21 dhjetor mbërriu deri në 515 euro! Në anën tjetër, as gjysma e konsumit te ne nuk mbulohet nga prodhimi: kërkesa ka arritur pikun historik me 1,4 GË, ndërsa në rastin më të mirë (deri sa ta riparojmë bllokun B2 me fuqi prej 255 MË) termoelektranat tona gjenerojnë as 650 MË!
Në këtë situatë nuk ka zgjidhje të mirë: ose reduktime të energjisë, ose shtrenjtim të energjisë? Shumë më herët, Kosova është dashur të mendojë më shumë e më mirë, që të mos përfundojë në këtë gjendje të keqe.
Janë dy faktorë të brendshëm që na kanë sjellur në këtë krizë. Mungesa e vizionit për zhvillim socio-ekonomik të Kosovës, me planifikim të sektorit energjetik për furnizim të qëndrueshëm dhe çmime të përballueshme, si për amvisëritë ashtu edhe për industrinë. Së dyti, korrupsioni qeveritar i bërë zakon, e që kulmoi me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit për vetëm 26 milionë euro.
Gjatë këtyre dy dekadave, projektet e ndryshme pa strategji afatgjate nuk kishin si të mos dështonin. Në vitin 2022 ne do të kemi strategjinë nacionale energjetike për dekadën në vijim, dhe shtigjet ku duhet ecur drejt vitit 2050.
Unë dhe ministrja e ekonomisë Artane Rizvanolli jemi në komunikim të rregullt me KEK-un, KOSTT-in dhe ZRrE-në. Me shtimin e likuiditetit dhe subvencionimin e importit kemi arritur të stabilizojmë furnizimin dhe reduktimet pothuajse janë hequr.
Po bëjmë krejt çka mundemi. Ju falemnderit për mbështetjen dhe ju lutemi për kursim e racionalizim të shpenzimit me aq sa mundeni.
Kryepeshkopi Desmond Tutu, laureati i çmimit Nobel për Paqen, i cili ndihmoi në përfundimin e aparteidit në Afrikën e Jugut, ka vdekur në moshën 90-vjeçare.
Tutu ishte një nga figurat më të njohura të vendit brenda dhe jashtë vendit.
Ai u nderua me çmimin Nobel në vitin 1984 për rolin e tij në luftën për të shfuqizuar sistemin e aparteidit.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reguar mbi vdekjen e këtij të fundit, duke thënë se besimi yt ka ndikuar shumë në formësimin e të gjithëve.
“Sot më shumë se shumë, fjalët tuaja për paqe dhe lidhje me thënies së vërtetës dhe pajtimit rezonojnë. Besimi juaj na ka dhënë të gjithëve”, shkroi Kurti në Twitter.
Vdekja e Tutu vjen vetëm disa javë pas vdekjes së presidentit të fundit të epokës së aparteidit të Afrikës së Jugut, FW de Clerk, i cili vdiq në moshën 85-vjeçare. /KultPlus.com
Kosova është duke përjetuar një krizë të madhe të energjisë elektrike, ku si rrjedhojë shumë qytetarë janë ankuar dhe madje janë paralajmëruar edhe protesta rreth rikthimit të reduktimeve, shkruan KultPlus.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se kriza energjetike nuk është vetëm në Kosovë dhe rajon, është në gjithë Evropën.
“Por, neve na ka goditur si një popullsi e varfër që jemi. Dhe me këtë rast, ne po përpiqemi që nëpërmjet subvencionimit të konsumit në njërën anë dhe rregullimit të bllokut B2 të termoelektranave në anën tjetër, sadopak ta zbusim këtë situatë e cila nuk do të mund të përfundojë shpejt, meqenëse këto ditë ngarkesa bazë është diku rreth 900 megavat, ndërkaq që shpenzimi arrin edhe 1.4 gigavat, kurse i gjithë kapaciteti prodhues, sikur të punonte edhe blloku B2, nuk do të ishte më shumë se 900 megavat”, ka thënë ai.
Tutje, i pari i ekzekutivit tregoi se Kosova është detyruar që të importojë energji elektrike, dhe çmimet janë bukur të shtrenjta.
“Në këtë situatë ne jemi të detyruar të importojmë energji elektrike dhe këtë po e bëjmë me çmime bukur të shtrenjta, për shkak se bursa ndërkombëtare është goditur rëndë nga çmimet gjithnjë e më të larta të gazit. Pra, në njërën anë subvencionojmë konsumin, do të ndihmojmë edhe familjet që janë më të varfra, por në anën tjetër, gjithashtu u kemi bërë thirrje qytetarëve që sa më shumë që të munden, ta racionalizojnë shpenzimin dhe u jemi mirënjohës për përgjigjen pozitive”, shtoi Kurti.
Qeveria e Kosovës ka hartuar një dokument ku parashihen se 60 ditë mund të zgjasin gjitha këto probleme. /KultPlus.com
Sot, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka uruar Krishtlindjet, përcjell KultPlus.
“Me këtë përvojë të madhe kombëtare ndërfetare ju urojmë motra e vëllezër katolikë, ortodoksë, protestantë e ungjillorë shqiptarë më të mirën. Sepse, kjo ditë është ajo e lindjes së bartësit të mesazhit të dashurisë ndër njerëz”, ka shkruar Kurti.
KultPlus ju sjell postimin e plotë të tij:
Vëllezër e motra të krishterë, gëzuar!
Ju uroj nga zemra mbarësi! Ju uroj një mbrëmje të shkëlqyer në ngrohtësinë familjare dhe të miqve. Qoftë një vit i suksesshëm për të gjithë ju.
Besoj se jemi të ndërgjegjshëm bashkarisht për kushtet në të cilët na ka vendosur pandemia, për realitetin kompleks global, për krizën energjetike, ku dritën e gjejmë nëpër festa të këtilla. E, sinqeriteti, puna dhe ndjenja e përbashkët janë çelësi i çdo suksesi në jetën e secilit prej nesh. Ne do të jetojmë gjithnjë në rrethanat e kohës, por mendimi, vullneti duhet të ushqehen prej besimit. Nuk ka shpresë pa besim.
Besimi është themeli që na e ofron çdo fe neve si popull, andaj dhe ne e respektojmë njëri-tjetrin, në fe e në praktikë. Ne e dimë mirë se dashuria mes nesh është virtyti më i lartë i njeriut. Pasuria jonë kulturore, rrënjosur në traditën tonë popullore, në vetëdijen tonë kolektive për një fat të përbashkët.
Me këtë përvojë të madhe kombëtare ndërfetare ju urojmë motra e vëllezër katolikë, ortodoksë, protestantë e ungjillorë shqiptarë më të mirën. Sepse, kjo ditë është ajo e lindjes së bartësit të mesazhit të dashurisë ndër njerëz. Shpreh besimin e thellë se si shoqëri ne do të punojmë që urimet që ju i adresoni sot njëri-tjetrit, si dhe urimet që ne u adresojmë sot juve, të marrin në vitin e ardhshëm sa më shumë realitet.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se së shpejti do të nisin ndërhyrjet e para emergjente në ndërtesat e rrezikuara brenda Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Çeku ka njoftuar se përgjatë muajve të fundit kanë bërë hapa konkret.
“Kemi vlerësuar gjendjen fizike të ndërtesave brenda kompleksit, tani po nisim ndërhyrjet emergjente me karakter shpëtimi. Kemi identifikuar ekspertët më të mirë të vendit dhe nga jashtë, dje kemi themeluar Komisionin e Ekspertëve. Kemi nisur vlerësimet e para për çështjet pronësore brenda kompleksit, ndërsa nga fillimi i vitit të ardhshëm fokusi ynë do të jetë projekti i madh, pra hartimi dhe zbatimi i master-planit për kompleksin memorial.”, shkruan ai mes tjerash.
Minitri tutje shpjegon se gjithashtu në mbledhjen e tretë, që u zhvillua dje, te Komitetit ndër-ministror për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, i cili kryesohet nga Kryeministri Albin Kurti, morën vendime të rëndësishme.
Gjatë prillit të këtij viti, Qeveria Kurti kishte themeluar Komitetin Ndërministror për përzgjedhjen e projektit dhe monitorimin e procesit të zbatimit të projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. /KultPlus.com
Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit shpalli sot listën e ngushtë në 10 kategori për edicionin e 94-të të Academy Awards, transmeton KultPlus.
Në listën e shkurtë të filmave ndërkombëtar është zgjedhur edhr filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit.
Rreth këtij suksesi ka pasur regimt të shumta nga akterë të ndryshëm në vend.
Së fundmi edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar se ky është një tjetër moment krenarie.
“Teksa i afrohemi fundit të vitit 2021 me arritje në shumë fusha për qytetarët tanë, sot i shtojmë një tjetër sukses të kinemasë sonë.
Zgjoi” është në listën e ngushtë për Oscars 2022. Urime Blerta Basholli, aktorëve dhe komunitetit të filmit të Kosovës për këtë moment krenar”, ka shkruar ai në “Twitter”.
Ceremonia e natës Oscar do të mbahet në mars të vitit tjetër. /KultPlus.com
Kosova përmes sportit në xhudo është ngritur në pediestalet më të larta në vendet, lojërat e kampionatet botërore, shkruan KultPlus.
Së fundmi, xhudistja e Kosovës, Distria Krasniqi është shpallur xhudistja më e mirë në sportin e xhudos për vitin 2021.
Përpos saj, edhe trajneri Driton Kuka është shpallur si trajneri më i sukesshëm për këtë vit në sportin ku ai tani ka veçse tri medalje të arta.
Rreth këtyre ngjarjeve historike kanë reaguar edhe krerët shtetror të Kosovës, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
“Një tjetër arritje e jashtëzakonshme e ekipit të xhudos të Kosovës. Urime Driton Kukës për fitimin e çmimit të arritjeve të trajnerit 2021, dhe Distria Krasniqit që u shpall xhudistja e vitit”.
“Kënaqem kur shoh ekipin tonë t’i sjellë më shumë lavdi vendit. Të gjithë e festojmë suksesin tuaj”, ka shkruar Kurti në ‘Twitter’.
Në anën tjetër, Osmani ka shtuar se këto dy rezultate janë historike për sportin e Kosovës.
“Edhe dy rezultate historike për sportin në Kosovë. Kampionia olimpike, Distria Krasniqi, është përzgjedhur nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos si xhudistja më e mirë në botë”.
“Ndërsa, Driton Kuka, mjeshtri i xhudos, u zgjodh trajneri më i mirë në botë në këtë sport”.
“Krenari dhe emocione të jashtëzakonshme. Kosova e artë”, ka shkruar Osmani në një postim në Facebook.
Ministri Çeku përmes një postiomi në “Facebook”, uroi të dy për çmimet e merituara, derisa falënderoi ata për krejt çfarë po bëjnë për shtetin e Kosovës.
“Toni, trajner Kosove, më i miri në botë! Urime mjeshtër, faleminderit për krejt çfarë po bën për shtetin tonë. Kampionja jonë olimpike Distria Krasniqi shpallet xhudistja më e mirë e vitit në botë. Urime kampione, plotësisht e merituar”, ka shkruar ai.
Federata Kombëtare e Xhudos ka bërë shpërndarjen e këtyre çmimeve përmes një ceremonie virutale. /KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në hapje të ekspozitës “Njeri ish ma i fortë se guri”, tha se tha se për vite me radhë kjo temë ka qenë tabu në shoqërinë tonë. “Akoma në shumë raste vazhdon të jetë tabu”, tha ai.
Kurti tha se më e pakta që ne mund të bëjmë për të gjitha gratë dhe burrat e përdhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, është që të flasim hapur me ta – jo për ta.
“Për këtë arsye ekspozita e organizuar në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës nga forumZFD sjell pikërisht atë që duhet”.
“Përmes rrëfimeve autentike, në njërën anë trajton traumën e përdhunimit, stigmën dhe margjinalizimin, e në anën tjetër shpresën, qëndrueshmërinë dhe dëshirën për jetë”, theksoi ai.
“Vetëm duke diskutuar hapur e në mënyrë të çiltër për dy anët e medaljes, do të kemi mundësi të ndihmojmë në ri-pozicionimin e narrativës për dhunën seksuale në diskursin publik”, tha kryeministri.
Ekspozita është e bazuar në rrëfimet e personave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës, nga libri “Unë dua të dëgjohem” të cilin Kryeministri Kurti, në takimin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel, më 19 korrik 2021, ia pat dhuruar Përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por ky i fundit e pat refuzuar./KultPlus.com
Në takimin e Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës lidhur me COVID-19 u vlerësua se situata epidemiologjike është e qetë, por se kjo nuk guxon të shndërrohet në neglizhim të masave në fuqi kundër COVID-19.
Në këtë takim kryeministri Albin Kurti tha zbatimi i masave kundër COVID-19 është çështje urgjente dhe se çfarëdo lirimi i masave është i lidhur me zbatimin e masave në fuqi.
Kryeministri tërhoqi vërejtjen se prania e variantit Omicron të SARS COV-2 në shtete të ndryshme dhe mos-respektimi me përpikëri i masave në fuqi mund t’i përmbysë të arriturat e deritanishme në luftën kundër COVID-19.
Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi tha se zbatimi me disiplinë i masave në fuqi, të cilat janë proporcionale në raport me gjendjen ekzistuese epidemiologjike do të ketë dy rezultate të prekshme.
“Do ta na ndihmojë të mbajmë numrin e rasteve sa më të vogël, duke mos e ngarkuar personelin dhe infrastrukturën spitalore, rrjedhimisht edhe uljen e shpenzimeve kundër COVID-19 dhe do të ndikojë në nxitjen e vaksinimit të mëtejmë të popullatës me vaksinën kundër COVID-19, në veçanti të asaj kategorie që për arsye të ndryshme ende nuk ka marrë dozën e parë apo të dytë të vaksinës”, tha Latifi, transmeton Telegrafi.
Zbatimi i masave në fuqi, theksoi ai, është i lidhur drejtpërdrejt nga angazhimi konkret i institucioneve mbikëqyrëse, prandaj në këtë aspekt, kërkoj nga të gjitha inspektoratet brenda mandateve të tyre dhe nga Policia e Kosovës, që t’i përmbushin përgjegjësitë që i kanë.
Ministri ka folur edhe për rëndësinë e fuqizimit të vaksinimit kundër COVID-19, duke i bërë thirrje popullatës që të vaksinohen dhe ta kompletojnë këtë proces të rëndësishëm, në këtë kohë, kur varianti Omicron është regjistruar në disa shtete dhe përhapja e tij është mjaft e shpejtë./KultPlus.com
Gjatë ditës së djeshme, qyteti i Prishtinës ka përjetuar një “tmerr” të vërtet, kjo pasi është ndalur ngrohtorja e Termokosit për shkak të disa problemeve që ka pasur distributori KEK dhe si rrjedhojë shumë shtëpi, banesa e vendbanime kanë mbetur pa ngrohje, transmeton KultPlus.
Megjithatë, sot është njoftuar nga Termokos se problemet janë zgjidhur dhe është rikthyer në normalitet funksionimi i ngrohtorës.
“Termokos” njofton gjithë konsumatorët se sot në orët e hershme të mëngjesit kemi filluar të marrim avullin nga KEK-u, si rrjedhojë tashmë ka filluar edhe prodhimi i energjisë termike. Kjo do të mundësojë vazhdimin e furnizmit me ngrohje të mjaftueshme, gjë që nënkupton ndëprerjen e furnizimit nëpërmes kaldajave me mazut. Deri në orët e mesditës së sotme pritet stabilizim i plotë i furnizimit me ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore për të gjithë konsumatorët tanë”, thuhet mes tjerash në njoftimin e tyre në “Facebook.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë mbajtur një konferencë për media gjatë ditës së djeshme rreth problemeve dhe krizës së energjisë elektrike që ka kapluar vendin. /KultPlus.com
Sot, kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar komandatin Mujë Krasniqi i cili dha jetën duke kapërcyer i armatosur mbi kufirin më të padrejtë mes shqiptarëve më 14 dhjetor të vitit 1998.
“Ata që e demotivojnë çështjen kombëtare të lirisë nuk duan shembuj të tillë për rininë. Një komb i ndritur na i jep urdhëresën e mençur: Mos i harro kurrë dëshmorët, sepse e hup udhën!”, ka shkruar Kurti.
KultPlus ju sjell postimin e plotë të tij:
Mujë Krasniqi – Komandant Kapuçi
6 qershor 1967 – 14 dhjetor 1998
Ne jetojmë në kohë të tensionuara, në kohë të shumë sfidave, por ne jetojmë në kohë të hapura. Në kohë të hapura përgjegjësia e fateve tona është e jona. Dhe më shumë se kurrë në kohë sfidash, për asnjë ditë ne nuk duhet të harrojmë dëshmorët tanë. Sepse dëshmorët, çlirimtarët tanë, vepruan në kohë të mbyllura e të paqarta. Sot ne kryejmë mbledhje e marrëveshje ndërqeveritare me Tiranën bashkëkombase. Komandant Kapuçi me shokët e tij sillnin armë prej Republikës amë në shkëmbim të jetës së tyre. Ata dhanë jetën duke kapërcyer kufijtë e jetës me qëllimin që ne të kryejmë sot marrëveshjet tona kombëtare.
“Te Likenet e Hasit” në Gorozhup të Pashtrikut, në pritën nga forcat e armikut, Mujë Krasniqi ra bashkë me vëllaun e tij Ali Krasniqi, shokun e tij këngëtar, Beqir Gashi, e luftëtarët Luljeta Shala, Rifat Mziu, Afrim Musliu, Agim Mziu, Agron Mehmeti, Arben Hyseni, Astrit Bytyçi, Bashkim Krasniqi, Bekim Bytyqi, Besim Qarri, Enver Olluri, Fadil Rashiti, Faton Gjylani, Gani Elshani, Gani Zogaj, Hafir Bajrami, Haki Prokshi, Hazir Selimaj, Hysen Bujupi, Hysni Kajtazi, Ilir Asllani, Isa Morina, Isa Olluri, Kadri Ademaj, Kadri Gashi, Maliq Karaqica, Mentor Ibriqi, Mevlan Hoxha, Muhamet Dervishi, Naser Kelmendi, Qamil Olluri, Ramadan Elshani, Selim Selimi, Sylejman Elshani, Veli Ballazhi, Xheladin Xheladini, Hazir Kryeziu, Qenë Qenaj, Xhevat Thaqi e Avni Kutllovci.
Ne jemi krejt të vetëdijshëm: në çastin kur harrojmë dëshmorët, ne harrojmë synimet historike dhe mbërritjet kombëtare. Një shtet i ndërtuar mbi harresën e heroizmit e vuajtjeve, nuk është shtet në shërbimin tonë. Rrjetet e interesuara për korruptimin e shtetit janë po ata që na kanë thënë se duhen harruar viktimat e gjenocidit. Po në të njëjtën kohë e ritëm me ta, Serbia mohon me të gjitha mjetet gjenocidin që ka kryer. Në lidhje me ne, Serbia nuk ka dëshmorë, por përdhunues. Përballë Serbisë ne kemi dëshmorë.
Por ne, nuk harrojmë! Ne do të bëjmë krejt të kundërtën. Do të vendosim në edukimin e brezave të rinj vetëdijen e dëshmorëve. Sepse në shumicën e tyre dëshmorët janë të rinj, si të rinjtë e çdo brezi. Mujë Krasniqi sapo kishte kaluar tridhjetëvjetorin e tij kur e dha jetën me shokët e tij. E dha jetën duke kapërcyer i armatosur mbi kufirin më të padrejtë mes shqiptarëve. Mujë Krasniqi me shokë i kapërcyen kufijtë e të gjitha kohëve për t’u bashkuar me historinë. Dëshmori mbetet në moshën kur dha jetën. Muja dhe të tjerët janë të rinj të përjetshëm, ndaj dhe ne do t’i mbajmë lidhur me rininë e çdo brezi. Ata që e demotivojnë çështjen kombëtare të lirisë nuk duan shembuj të tillë për rininë. Një komb i ndritur na i jep urdhëresën e mençur: Mos i harro kurrë dëshmorët, sepse e hup udhën!/ KultPlus.com
Më 13 dhjetor, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të mbajë një ceremoni të veçantë për të graduar Gjeneralmajor Bashkim Jasharin, shkruan KultPlus.
Përmes një njoftimi nga zyra e Presidencës, është bërë e ditur edhe agjenda mediale e presidentës për ditën e nesërme.
“Në orën 10:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani duke u mbështetur në kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore, në një ceremoni të veçantë gradon Gjeneralmajor Bashkim Jashari në gradën Gjenerallejtënant”, thuhet mes tjerash në njoftim.
E gjithë kjo ceremoni do të gjej vend në zyrën e Presidencës.
Komandati i Forcave të Sigurisë së Kosovës, gjeneralmajor Jashari, pati një takim para disa ditëve edhe me kryeministrin Albin Kurti. /KultPlus.com
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë pa zbardhur fatin e personave të pagjetur, transmeton KultPlus.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, ka organizuar aktivitetin me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
“Nga 10 qershori i vitit 1999 diku rreth një muaj edhe vet kam qenë i zhdukur, jo pse isha i zhdukur për vete por familja nuk e dinte se ku jam, deri atëherë kur na vizitoi Kryqi i kuq ndërkombëtar në korrik të vitit 1999”, deklaroi i pari i ekzekutivit.
Rëndësinë e të pagjeturve të luftës Kurti tregon se e ka përmendur në çdo takim me akterët më të lartë të shteteve ndërkombëtare.
“E kam përmendur çështjen e personave të zhdukur me dhunë, si çështje me prioritet dhe me urgjencë. Po ri-them, marrëveshje me Serbinë nuk ka pa u zgjidhur çështja e të zhdukurve me dhunë”, shtoi ai.
Ende si të zhdukur në luftën e Kosovës konsiderohen 1.638 vetë. /KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, përkujton ditën kur u lirua nga burgu në Serbi, sot dy dekada më parë, përcjell KultPlus.
Kurti përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se njëzet vitë më vonë, shumë gjëra ka ndryshuar në botë ndonëse prapë e gjejmë veten duke luftuar për të njëjtat kauza dhe duke u përballur me kërcënime jo aq të ndryshme.
Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e plotë të kryeministrit Kurti:
Në këtë ditë, dy dekada më parë, u lirova nga burgu i Nishit në Serbi. Isha arrestuar më 27 prill 1999 në Kosovë, vetëm 34 ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë dhe caqeve të saj ushtarake e paraushtarake për ta ndalur gjenocidin në Kosovë.
Njëzet vjet më vonë, shumë gjëra kanë ndryshuar në botë, por ende e gjejmë veten, dhe unë e gjej veten, duke luftuar për të njëjtat kauza dhe duke u përballur me kërcënime jo aq të ndryshme. Kauza e një Kosove sovrane dhe të pavarur, e cila tani është një realitet i njohur nga shumë dhe i mohuar nga pak, dhe kërcënimi në rritje nga fqinji agresiv.
E nuk ka vend më të mirë se në këtë shtëpi të Evropës dhe në këtë familje të madhe evropianësh që t’i ndaj këto kujtime dhe të bëj thirrje për më shumë zgjim, ndërsa ne së bashku përballemi me një kërcënim në rritje të autokratëve që po rriten gjithnjë e më shumë.
Takimi i sotëm i Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovë, është moment i rëndësishëm në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, veçanërisht në funksion të nisjes së fazës së dytë të zbatimit të prioriteteve politike në kuadër të Agjendës së Reformës Evropiane (ERA).
Në këtë takim dhe takime të ndara me Presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli, Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, Komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi dhe Përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajčák theksova domosdoshmërinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe rikonfirmova gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për agjendën evropiane./KultPlus.com
Në orën 14:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, me kryeministrin Albin Kurti, si dhe me të ngarkuarin me punë në ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe vendosin kurorë lulesh dhe bëjnë homazhe te busti i senatorit Bob Dole.
Senatori Bob Dole, i cili kishte vizituar Kosovën për herë të parë, ka vdekur pas kancerit që u paraqit në mushkërit e tij.
Vdekja e Dole u konfirmua nga Fondacioni Elizabeth Dole në një deklaratë gjatë të dielës.
Delegacioni i senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 29 gusht të vitit 1990 vizitoi Kosovën për herë të parë të udhëhequr pikërisht nga senatori Bob Dole.
Dole ka dhënë kontribut të madh në ndërkombëtarizimin e çështjes së vendit të Kosovës. /KultPlus.com
Në Ditën e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër urimi Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, shkruan KultPlus.
Kryeministri Kurti në letrën e tij ka kujtuar dhe nderuar sakrificën, qëndresën, forcën dhe përkushtimin ndaj atdheut të brezave të ushtarëve e patriotëve.
Ai ka theksuar rolin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë që përveçse në mbrojtje dhe siguri të Shqipërisë, shtrihet edhe përtej kufijve dhe i kontribuon edhe paqes në rajon dhe botë.
“Në këto 109 vite, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, na falën nder e krenari të gjithë shqiptarëve”, ka shkruar Kryeministri Kurti në letrën e urimit.
“U gëzohemi sukseseve tuaja, sikurse edhe thellimit të bashkëpunimit ndërmjet forcave të dy vendeve tona, zhvillimit dhe avancimit të kapaciteteve ushtarake, në shërbim të mbrojtjes dhe sigurisë në vendet tona dhe në rajon”, ka shkruar ai.
Kurti dhe Rama u takuan për herë të fundit në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive. /KultPlus.com
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar mbi shqetësimet e rritura për variantet e reja të COVID-19 dhe gjithashtu pyetjet e shpeshta në Kosovë, shkruan KultPlus.
Kurti tregoi në detaje se pse po shtrëngohen masat anti-COVID në një kohë kur gjendja epidemiologjike në Kosovë është shumë e mirë.
Njoftimi i tij i plotë:
Pse nuk mjafton më rezultati negativ në testin PCR apo në testin e shpejtë për të hyrë në territorin e Republikës së Kosovës?
Sipas të dhënave paraprake, varianti më i fundit i virusit Corona, i quajtur “Omicron”, përhapet dukshëm më lehtë dhe më shpejt sesa varianti aktualisht mbizotërues, varianti Delta. Ky fakt e bën rezultatin negativ, në vetvete, më pak të vlefshëm e më pak të sigurt si dëshmi. P.sh., në dy avionë që janë nisur javën e kaluar nga Afrika e Jugut në Holandë, me gjithsej rreth 650 pasagjerë, pothuajse 10% të pasagjerëve rezultuan pozitivë në testimin pas mbërritjes, edhe pse testi negative ose vaksinimi i plotë ishte i obligueshëm para nisjes. Ndërsa, testi i shpejtë është dëshmuar të japë rezultate të gabuara negative (“false negative”) në një numër të konsiderueshëm të rasteve dhe, për këtë arsye, nuk do të konsiderohet më i pranueshëm si dëshmi.
Pse nuk mjafton më dëshmia që personi ka kaluar sëmundjen COVID-19 për të hyrë në territorin e Republikës së Kosovës?
Edhe në këtë drejtim, masat duhej të shtrengoheshin për shkak të të dhënave paraprake të dala nga OBSh-ja, të cilat tregojnë se varianti Omicron ka më shumë rrezik të shkaktojë ri-infektimin e personave të infektuar më parë me ndonjë variant tjetër të virusit Corona. Për këtë arsye, edhe ata që e kanë kaluar sëmundjen COVID-19, në mënyrë që mbrojtja e tyre të jetë sa më e lartë, do të duhet të vaksinohen. Duke marrë parasysh rrezikshmërinë e grumbullimeve që, çdo dhjetor, i shoqërojnë festimet e fundvitit, pse nuk po kërkohet, që tani, dëshmia për dy dozat e vaksinës, në vend që të vonohet zbatimi i kësaj mase deri më 3 janar 2022? Masat e miratuara nga Qeveria pasqyrojnë një kompromis mes dy ekstremeve. Nga njëra anë, për arsyet e cekura më lart, jemi të detyruar të kërkojmë vaksinim me të paktën një dozë për ata që dëshirojnë të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës. Nuk mund të pranojmë më hyrje të udhëtarëve vetëm me rezultatin negativ apo vetëm me dëshmi që e kanë kaluar më parë sëmundjen COVID-19. Por nga ana tjetër, për të mos iu vendosur pengesa të paarsyeshme mërgimtarëve që dëshirojnë të kthehen në atdhe për festat e fundvitit, Qeveria ka vendosur të mos kërkojë menjëherë vaksinimin me dy doza. Po të kishte filluar, që tani, kërkimi i dy dozave të vaksinës për të hyrë në Republikën e Kosovës, kjo do të kishte pamundësuar ardhjen e atyre mërgimtarëve që ende nuk kanë marrë asnjë dozë, sepse doza e dytë e vaksinës nuk mund të merret menjëherë, por vetëm disa javë pas marrjes së dozës së parë. Si një kompromis i arsyeshëm, pra, Qeveria ka vendosur që ta pranojë si dëshmi vaksinimin me një dozë, por vetëm nëse shoqërohet ose me rezultatin negativ në testin PCR brenda 48 orëve të fundit, ose me dëshminë që udhëtari ka kaluar sëmundjen COVID-19. Në këto dy raste, bashkimi i dy dëshmive (dmth. vaksinimi me një dozë, bashkë me një dëshmi tjetër) jep më shumë siguri sesa një dëshmi në vetvete.
Një udhëtar që ka kundërindikacione për mosvaksinim, a do të detyrohet të vaksinohet para se të hyjë në Republikën e Kosovës?
Jo. Sipas nenit 5.7 të vendimit, ka përjashtim për “Personat me dëshmi mjekësore që kanë kundërindikacione shkencërisht të vërtetuara për mosvaksinim. Personat e tillë duhet të paraqesin testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë”. Po ashtu, ka përjashtime edhe për kategoritë si në vijim: “Personat të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova brenda tre (3) orësh përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruaj deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda tre (3) orësh; Personat, të cilët punojnë si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga COVID-19; Shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët e fundit; Qytetarët e huaj, të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda pesë (5) orësh; Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë; Personat nën moshën dymbëdhjetë (12) vjeçare”.
Çfarë ndodh nëse një udhëtar vjen në pikën kufitare pa asnjë dozë të vaksinës?
Shtetasit e Republikës së Kosovës, si dhe ata me leje qëndrimi në Kosovë, do të kenë mundësi të vaksinohen te pikat kufitare kryesore. Përkatësisht, sipas nenit 4 të vendimit, “Shtetasve të Republikës së Kosovës, si dhe personave me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë, të cilët nuk posedojnë ndonjë nga dëshmitë 2.1 deri 2.3 dhe kërkojnë të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, iu jepet mundësia të vaksinohen nga ekipet mobile të vendosura në pikën kufitare ANP Adem Jashari (për ata që hyjnë në rrugë ajrore), dhe në pikat kufitare në Vërmicë, Merdare, Dheu i Bardhë, Hani i Elezit (për ata që hyjnë në rrugë tokësore)”.
Pse po shtrëngohen masat në një kohë kur gjendja epidemiologjike në Kosovë është më e mira jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimore por edhe në Evropë?
Kemi vërejtur në valët e mëparshme të kësaj pandemie se sa shpejt mund të kalojë një gjendje e shkëlqyeshme epidemiologjike në një gjendje të rëndë. Dalja jashtë kontrollit e situatës do të vinte me një çmim jashtëzakonisht të lartë, qoftë për jetën e shëndetin e qytetarëve, qoftë edhe për veprimtaritë ekonomike, kulturore dhe shoqërore të vendit, në rast të një mbylljeje eventuale. Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur që të ndërmarrë çdo veprim brenda mundësive të veta për të ruajtur gjendjen e shkëlqyeshme epidemiologjike në vend, të cilën e kemi arritur bashkë si shoqëri. Për më tepër, ka edhe dy arsye të tjera për shtrëngimin e masave pikërisht në kufi. Së pari, gjatë javëve të fundit, rastet e COVID-19 janë rritur jashtëzakonisht shumë në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor. Kjo do të thotë se, për momentin, rreziku më i madh për një përhapje eventuale të COVID-19 në Kosovë vjen nga udhëtarët prej jashtë vendit. Së dyti, shfaqja e variantit Omicron, si dhe përhapja e tij në shumë vende evropiane brenda një periudhe të shkurtër, e ka detyruar Qeverinë që të veprojë me shpejtësi dhe vendosmëri në shtrëngimin e masave në kufi. Edhe më shqetësues është fakti se, sipas të dhënave paraprake, ky variant paraqet rrezik shumë më të lartë për grupmoshat e reja, sidomos për fëmijët nën moshën pesëvjeçare, në krahasim me variantet e mëparshme të virusit Corona.
Pse nuk kemi ndjekur shembullin e vendeve të tjera, duke ndaluar udhëtarët nga vendet ku janë shfaqur rastet e variantit Omicron?
Qeveria merr vendime për masa anti-COVID ekskluzivisht mbi baza shkencore dhe shëndetësore. Shkenca e epidemiologjisë dhe historia e epidemive dhe pandemive na tregojnë se, derisa të vërtetohet një rast i një sëmundjeje në një vend të caktuar, ajo sëmundje me gjasë do të ishte përhapur tashmë përtej kufijve të atij vendi. Në fakt, ky model është vërtetuar edhe në rastin e variantit Omicron, i cili është vërtetuar të kishte qenë në qarkullim në Evropë të paktën një javë para se të zbulohej në Afrikën e Jugut. Ndalesat selektive kundër vendeve specifike, pra, janë gati gjithmonë një hap prapa realitetit dhe, rrjedhimisht, janë të padobishme. Ndërsa, një ndalesë kategorike e udhëtimit nga jashtë (me fjalë të tjera, mbyllja e kufijve) mund të jetë efikase, porse është një masë që nuk duhet ndërmarrë përveç në rastet më ekstreme apo më të paqarta, siç ka qenë situata në fillimin e pandemisë.
A nuk është shkelje e të drejtave të njeriut kushtëzimi me vaksinim i hyrjes së shtetasve në territorin e Republikës së Kosovës?
Jo. Lidhur me këtë, disa fakte duhet të merren parasysh. Së pari, masat anti-COVID rishqyrtohen nga Qeveria në vazhdimësi sipas zhvillimeve të reja. Nëse përmirësohet apo qartësohet situata sipas të dhënave të publikuara nga OBSh-ja gjatë javëve në vijim, sidomos në lidhje me variantin Omicron, ky kushtëzim mund të hiqet dhe mund të ofrohet opcioni i karantinimit shtëpiak 7-ditor për ata që refuzojnë të vaksinohen. Së dyti, në disa vende të Evropës, vaksinimi është bërë i detyrueshëm për të gjithë popullatën ose për një pjesë të konsiderueshëm të saj (shih, p.sh., Austrinë dhe Greqinë), në të gjithë territorin e vendit. Masa e vendosur nga Qeveria është më e butë sesa kjo, sepse vendoset vetëm për ata që hyjnë nga jashtë por jo edhe për ata që janë tashmë brenda territorit të Kosovës. Ekspertët tanë shëndetësorë kanë vlerësuar se, tani për tani, një masë e tillë më e butë iu përgjigjet mjaftueshëm rreziqeve kryesore për përhapjen e sëmundjes COVID-19 në Kosovë. Këto rreziqe, edhe një herë, vijnë kryesisht nga jashtë vendit. Së treti, jo vetëm Republika e Kosovës por shumë e shumë vende të tjera të Evropës dhe të botës, po vendosin kufizime shumë më të rrepta (disa vende, p.sh., i kanë anuluar për një periudhë të caktuar të gjitha fluturimet nga jashtë), por me shpresë që këto kufizime do të jenë të përkohshme. Qeveria e ka situatën nën vëzhgim të vazhdueshëm. Jo vetëm kjo masë, pra, por edhe masat e tjera kufizuese, do të lirohen në momentin e parë që të ketë mundësi, gjithmonë pa e rrezikuar jetën e shëndetin e qytetarëve. /KultPlus.com
Edi Rama rezulton të jetë lideri i tretë më i ndjekur në Facebook për Europën, gjatë vitit 2021, me 1.3 milionë fansa dhe 19.7 milionë reagime.
I pari është renditur presidenti turk, Recep Tayip Erdogan dhe i dyti është Giuseppe Conte, ish kryeministri i Italisë.
Rama ka popullaritet mjaft të lartë në Facebook dhe ka lënë pas kryeministra si Johnson, Macron, Orban, Mitsotakis, etj.
Si lider më i ndjekur në raport me popullsinë e vendeve që përfaqësojnë, Rama renditet në vendin e parë edhe për numrin e fansave dhe për reagimet në Facebook.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, rendit i dyti në raport me popullsinë.
Të dhënat janë analizuar nga Terra Data.
Kujtojmë se Edi Rama, është mjaft aktiv në Facebook, ku transmetohen të gjitha aktivitetet dhe daljet e tij publike./ KultPlus.com
Presidentja, Vjosa Osmani së bashku me kryeministri Albin Kurti dhe pjesëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar kanë bërë homazhe tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, tek kompleksi memorial në Prekaz, shtatorja e Ismail Qemalit në Prishtinë dhe tek varri i Adem Demaçit, shkruan KultPlus.
Këto homazhe ata i bënë me rastin e 28 nëntorit, Ditës së Flamurit.
“Sot, më 28 nëntor, në nderim të atyre që ishin e mbesin udhërrëfyesit tanë për liri.”- ka shkruar ajo në Facebook./ KultPlus.com
Presidentja e vendit Vjosa Osmani bashkë me kryeministrin Albin Kurti, kanë nisur ditën me homazhe në Komplesin Memorial në Prekaz me rastin e festës së pavarësisë së Shqipërisë.
Presidentja Osmani tha se janë në Prekaz për të nderuar sakrificën e brezave të shumtë.
“Jemi këtu sot më 28 nëntor, për të nderuar sakrificën e brezave të shumtë, e cila kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, por vazhdoi edhe me shumë sakrifica të shqiptarëve për liri. Prandaj, sot e filluam ditën tek komandanti Adem Jashari dhe Familja Jashari, për të nderuar sakrificën e tyre, sepse 28 Nëntori, përveç simbolikës së shpalljes së pavarëisë së Shqipërisë, është edhe datë kur ka lindur komandanti Adem Jashari dhe kur për herë të parë ka dal publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, tha Osmani.
Ndërsa, kryeministri Kurti tha se 28 Nëntori lidhet me ngjarjet e rëndësishme historike të vendin tonë. Ai u shpreh se kjo ditë na mbush me gëzim, me krenari dhe përgjegjësi.
“Datë themelore e identitetit kombëtar-shqipëtar, e që lidhet me ngjarjet më të rëndësishme historike tonat. Prej Skënderbeut në Krujë, te Ismail Qemali në Vlorë, te Adem Jashari në Prekaz dhe padyshim që kjo është një ditë e cila na mbush me gëzim, me krenari dhe përgjegjësi, për shkak se detyrat para nesh për të ngritur mirëqenien e qytetarëve tanë, për të zhvilluar vendim, për të shtuar demokracinë në vendin tonë, janë më të rëndësishme se kurrë më parë”, tha Kurti.
“Përkulemi dhe nderojmë ata që sakrifikuan dhe u flijuan për liri, për pavarësi e për bashkim”, u shpreh tutje kryeministri.
Të dy kanë uruar qytetarët për festat e nëntorit./ Express / KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Ditën e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës ka thënë se ushtarët e kësaj force janë vazhdimësi e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kurti tha se çdo shtet e ka për detyrë që ta ndërtojë ushtrinë.
“Po të shprehem sërish shkurt, atëherë do të thoja që ju jeni vazhdimësi e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne jemi të qartë se çdo shtet e ka kusht ndërtimin e ushtrisë”, ka thënë Kurti. .
Kurti ka thënë se këta ushtarë e kanë dëshmuar veten e tyre në misione jashtë vendit.
Ai ka thënë se ata janë dëshmuar edhe kur i kanë dalë në ndihmë disa herë Shqipërisë në misione për fatkeqësitë natyrore.
“Në zemrën e ushtarit tonë është dashuria për njerëzit e keni dëshmuar në Kosovë në misione. E keni dëshmuar edhe në Shqipëri me misione për fatkeqësitë natyrore, por edhe në misione që i keni marrë përsipër ne territoret e largëta”.
“Në dijen e ushtarit është historia e popullit, secili prej jush është rritur me emra të ndritur që me vullnetin e tyre e kanë krijuar ushtrinë pa pasur ndihmë institucionesh. Qeveria do ta mbështes më së pari lulëzimin e ushtrisë së vet, ne nuk guxojmë të veprojmë ndryshe”, tha Kurti./KultPlus.com
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë mbajtur mbledhjen e shtatë të përbashkët, ku edhe kanë bërë nënshkrimin e disa marrëveshjeve, shkruan KultPlus.
Pas nënshkrimit të marrëveshjeve, ndodhi edhe një konferecë e përbashkët mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe atij të Kosovës, Albin Kurti.
Që të dy, kur u pyetën nga gazetarët nëse janë pro apo kundër bashkimit kombëtar, u përgjigjën pa hezitim se janë pro një gjëje të tillë.
Megjithatë, edhe Kurti edhe Rama thanë se bashkimi kombëtar nuk është diçka që është aty dhe vetëm duhet të thuhet ‘po’, por kërkohet diçka përtej kësaj.
Kosova dhe Shqipëria nënshkruan një sërë marrëveshjesh gjatë ditës së sotme. /KultPlus.com
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë mbajtur mbledhjen e shtatë radhazi në Elbasan, ku edhe kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh, shkruan KultPlus.
Njëra prej pikave që mori vëmendje të madhe është “shkrirja” e kufirit, ku edhe nga viti i ardhshëm nuk do të ketë më kolona nëpër kufinjë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Raman, bënë nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve
Marrëveshjet e nënshkruara:
-Marrëveshja për krijimin e sekretariatit koordinues ndërqeveritarë
-Marrëveshja për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore ose të kontrollit hyrje/daljet e mallrave.
-Marrëveshja për lehtësimin e procedurave për marrjen e lejeqëndrimit të përkohshëm.
-Marrëveshja për rregullat e regjimit lokal të kufirit.
-Marrëveshja për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec-Kukës-Kryshevc-Dragash.
-Marrëveshja për sigurime shoqërore.
-Marrëveshja për ndërtimin e linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë
-Njohja dhe njësimi reciprok i diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore të lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë dhe institucionet tjera të autorizuara.
-Marrëveshja për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare.
-Kalendari i përbashkët kulturor vjetor Shqipëri-Kosovë
-Marrëveshja për avancimin e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë
-Marrëveshja e bashkëpunimit mes Ministrisë së Shëndetësisë së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave të Kosovës.
-Marrëveshja për bashkëpunim mes Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve. /KultPlus.com
Qeveria e Republikës së Kosovës ka udhëtuar gjatë ditës së sotme për në Elbasan, që të takohet me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë për të nënshkruar një sërë marrëveshjesh, shkruan KultPlus.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati një fjalim në këtë mbledhje, ku edhe tha se duhet të flasim si diplomatë, por të punojmë sikurse patriotë.
“Të thuash se jemi të lumtur që jemi një komb i ndarë do të ishte marrëzi, Të thuash se jemi të lumtur që kemi dy shtete sepse kështu jemi të fortë, do të ishte sa tepri, po aq edhe shkurtëpamësi, Të thuash se angazhohesh për bashkim kombëtar, do të shquanin për nacionalist, Të thuash se do të bashkohemi në bashkimin evropian, të shquajnë për diplomat, Kam përshtypjen se këta të fundit po tregohen më të suksesshëm, kështu që, le të flasim si diplomatë, por le të punojmë si patriotë”, tha Kurti mes tjerash.
Disa prej marrëveshjeve që pritet të nënshkruhen sot kanë të bëjnë me leje qëndrimin e shtetasve të Kosovës në Shqipëri, leje të punës dhe shumë gjëra të tjera. /KultPlus.com