Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se për sonte ka ftuar një mbledhje të Këshillit të Sigurisë pas zhvillimeve në veri të vendit.
Kjo ftesë për mbledhje vjen si rezultat i situatës së krijuar në veri të vendit pas vendimit për implementimin e reciprocitetit për targa.
Minuta më parë edhe kreu i LDK’së ka ofruar gatishmërinë për bashkëpunim me qëllim të menagjimit të situatës në veri./KultPlus.com
Mbahet takimi i parë i Komisionit Shtetëror për hulumtimin e Trashëgimisë Kulturore të shkatërruar gjatë luftës 1998-99.
Komisioni Shtetëror për hulumtimin e Trashëgimisë Kulturore të shkatërruar gjatë luftës 1998-99, themeluar me vendim të Qeverisë së Kosovës, sot në praninë e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe anëtarëve të komisionit mbajtën takimin e parë konstituiv.
“Themelimi i Komisionit shtetëror për dokumentim të trashëgimisë kulturore të shkatërruar nga forcat e armatosura serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, ka një rëndësi madhore. Do të bëjmë dokumentimin zyrtar shtetëror të vlerave që janë dëmtuar dhe zhdukur qëllimshëm, për t’i hapur rrugë kërkesës sonë për drejtësi dhe kompensim të dëmit të shkaktuar, i cili nuk është vetëm dëm material”, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Ai gjithashtu theksoi se ky komision është pjesë e nismave të Qeverisë për të adresuar të kaluarën, që përfshijnë Strategjinë Shtetërore për Drejtësinë Tranzicionale dhe Institutin për Krimet e Kryera gjatë Luftës, e që emërues të përbashkët kanë ballafaqimin me të kaluarën. Ndërsa, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili edhe udhëhoqi takimin e parë të komisionit foli për rëndësinë me të cilën do të trajtohet kjo cështje.
“23 vite pas luftës së viteve 1998 – 1999 kur krahas humbjeve fatale të jetës së njerëzve dhe dëmeve materiale, janë shkatërruar qëllimshëm monumentet e trashëgimisë kulturore për herë të parë kemi ndërrmarë nismën për të kërkuar drejtësi për vlerat e shkatërruara. Gjykatësit kanë konstatuar se këto shkatërrime nuk kanë qenë të rastësishme dhe as dëme kolaterale, por pjesë e një plani për të sulmuar identitetin, kulturën dhe historinë e shqiptarëve”, u shpreh ministri Çeku.
Në takimin e parë u bë njoftimi për fushëveprimin e komisionit, planin e punës, detyrat dhe përgjegjësitë e anëtarëve të komisionit. U diskutua për pikëpamjet e ndryshme të shkatërrimit të trashëgimisë kulturore për gjatëve 1998-99, për qasjen e dokumentimit dhe rolin e komisionit në këtë aspekt si dhe metodologjinë e punës që duhet ndjekur nga komisioni shtetëror. / KultPlus.com
Gjergj Fishta është politika e poemës në gjuhë. Historia jonë nuk do të mund të bënte pa këtë konfigurim krijimtar, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në fjalën përshëndetëse në hapje të manifestimit tradicional “Takimet e Dom Mikelit”, që u mbajt në fshatin Stubëll e Epërme, të Komunës së Vitisë.
Manifestimi letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Dom Mikelit” organizohet për 32 vjet me radhë, si aktivitet përkujtimor për Mikel Tarabulluzin, klerikun dhe mësuesin, i cili në vitin 1905 e hapi shkollën shqipe në Stubëll.
Sivjet, këtu te Dom Mikeli, kujtojmë e mendojmë për At’ Gjergj Fishtën, tha kryeministri Kurti në fillim të fjalës së tij.
“Politikë, poemë dhe gjuhë. Kjo trini duhet parë si dimensionet e kohës së jetuar: politika si e tashmja, poema si e shkuara, gjuha si e ardhmja. Por natyrisht që koha nuk është lineare. Koha nuk është e thjeshtë. Koha është prodhimi i përmasave të saj. Te Fishta këto tri përmasa janë operatorët punëtorë të kuptimit. Dhe ç’është më e rëndësishmja për ne, si përmasa të kohës ato ngërthehen mes veti në çdo çast”, tha ai.
Duke e rikujtuar Fishtën si politikan, si anëtar i përfaqësisë në Versajë, apo edhe në kongresin e Manastirit, i cili i ftonte shqiptarët në një projekt të përbashkët, përtej fesë, kryeministri Kurti theksoi se Fishta nuk shpreh më pak se kategorinë themelore të publicitetit, pra të shprehjes më të madhe në një gjuhë.
“Nuk ka politikë pa gjuhë, nuk ka kolektiv jashtë gjuhës, dhe nuk ka gjuhë që nuk mund të mos shprehë politicitetin e njerëzve”, tha ai.
Fjala e plotē e Kryeministrit Kurti:
I nderuar shkëlqesia juaj, ipeshkv i Kishës Katolike Dodë Gjergji,
I nderuari Dom Jeton Thaçi, Kryetar i Shoqatës Kulturore Shkencore “Dom Mikel Tarabulluzi”,
E nderuara ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, zonja Rozeta Hajdari,
I nderuari deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, zoti Gani Krasniqi,
I nderuari rektor i Universitetit Publik të Gjilanit, zoti Bajram Kosumi
I nderuari kreu i Bashkësisë Islame në Viti, Husamedin Hoxha,
I nderuari drejtor i Kulturës, në Komunën e Vitisë, zoti Milot Lala,
Zonja e zotërinj, motra e vëllezër,
Tash e 32 vite, në Stubëll të Epërme, organizohet ky aktivitet, takimet e Dom Mikelit. Shkas i organizimit është përkujtimi i Mikel Tarabulluzit, klerikut dhe mësuesit të respektuar nga gjithë shqiptarët, pa dallim besimi, i cili në vitin 1905 e hapi shkollën shqipe në Stubëll.
Njashtu siç respekti për Dom Mikelin dhe figurën e veprën e tij, është i madh dhe i gjithmbarshëm, edhe respekti për këtë aktivitet të përvitshëm është i fortë.
Takimet e Dom Mikelit, që mbahen pranë kishës së Stubllës, çdo vit çelin tema diskutimesh të prizmit shkencor, historik, kulturor e letrar, duke u bërë një pikëtakim i rëndësishëm intelektual dhe një kontribut, sërish jo vetëm i komunitetit katolik shqiptar, por i bashkësisë sonë të gjerë kombëtare. Figura të shquara çdo vit ligjërojnë në këto takime.
Është interesante se si një aktivitet i tillë tregon për praninë e fortë dhe gjallërinë intelektuale të kahmotshme, në këtë fshat në juglindje të Kosovës. Sot mund të duket sikur këtu jemi pranë periferive të shqiptarësisë, mirëpo jo shumë kohë më parë kjo zonë ka qenë zemër e një rajoni të gjerë populluar me shqiptarë.
Patriotët dhe figurat historike që kanë vepruar në këtë pjesë të atdheut tonë, tregojnë se Stublla e përgjithësisht Karadaku, apo Mali i Zi i Shkupit, përherë ka qenë një nga vatrat e veprimtarisë kombëtare, politike, intelektuale, e hera herës edhe luftarake, kur e ka kërkuar rasti.
Sivjet, këtu te Dom Mikeli, kujtojmë e mendojmë për At’ Gjergj Fishtën. Politikë, poemë dhe gjuhë. Kjo trini duhet parë si dimensionet e kohës së jetuar: politika si e tashmja, poema si e shkuara, gjuha si e ardhmja. Por natyrisht që koha nuk është lineare.
Koha nuk është e thjeshtë. Koha është prodhimi i përmasave të saj. Te Fishta këto tri përmasa janë operatorët punëtorë të kuptimit. Dhe ç’është më e rëndësishmja për ne, si përmasa të kohës ato ngërthehen mes vete në çdo çast.
Gjuha është fushë e punës, nuk është fonema e vdekur. Le ta kujtojmë Fishtën si një prej kryesorëve të Kongresit themeltar të Manastirit. Por le ta kujtojmë edhe për ndërtimin poetik të gjuhës. Sepse në lëminë e poemës punon gjuha.
Në këtë kuptim gjuha është puna e së ardhmes, e poema kontabiliteti i saj në arkivimin e së shkuarës. Puna është gjithnjë në të ardhmen, ashtu sikurse dhe kuptimi. Numri i rrokjeve të vargut është i vogël, por programi është i madh, po citoj “npër gjuhë shqype bota mbarë ka me ju njoftë se ç’fis ju kini”. Gjuha është diferenca nëpër botë, por ajo është dhe karakteristika universale e botës – Leibniz.
Politikan, si anëtar i përfaqësisë në Versajë, apo edhe në kongresin e Manastirit, me thirrjen e shpeshtë ku fton shqiptarët përtej fesë në një projekt të përbashkët, Fishta nuk shpreh më pak se kategorinë themelore të publicitetit, pra të shprehjes më të madhe në një gjuhë.
Nuk ka politikë pa gjuhë, nuk ka kolektiv jashtë gjuhës, dhe nuk ka gjuhë që nuk mund të mos shprehë politicitetin e njerëzve.
Gjuha është poema politike në numrin e fjalëve që shpall, në emrat gjeografikë dhe ata historik që liston. Nga një tjetër filozof gjerman, mbase më i madhi prej tyre “Gjuha është publicitet i qenies historike, dhe si e tillë është politike” – Kant.
Vetë poema, në mpiksjen e traditës e vendos Fishtën në një vend të veçantë. Natyrisht që mund ta lidhim me diçka mes lirikes dhe epikes. Për Fishtën duket se në një akt themelimi duhet të gjendet gjeografia në të cilën shtjellen breza të shqipes dhe në të cilën lartohen emra të flijimit.
Kuptohet që andej se Fishta mëton më shumë se kushdo tjetër të arkivojë në lëminë e poemës, në epikën e saj, energjinë e nevojshme të sipërores që mund të bashkojë. Si dhe ne, si dhe në çdo kohë, ai e ndjen se hallka e dobët është kompleksi i inferioritetit. Poema është gjuha politike e synimeve të epërme, e qëllimeve të mbramë – pra, Romantizmi.
Fishta është politika e poemës në gjuhë. Historia jonë nuk do të mund të bënte pa këtë konfigurim krijimtar.
Me respekt i përshëndes punimet e sesionit të sivjetshëm të takimeve të Dom Mikelit, qofshin të mbara për pjesëmarrësit dhe të gjithë ne.
Kryeministri Albin Kurti, ka njoftuar që nga 1 tetori i këtij viti, do të hiqen pagesat për të gjithë ata që dëshirojnë të studiojnë në nivelin Bachelor dhe Master, në universitetet publike në Kosovë. Kurti theksoi se ky vendim vlen për studentët e vitit akademik 2021/2022.
Kryeministri tha se lehtësime do të ketë edhe për studentët e Doktoratës.
“Nga një tetori i këtij viti duke filluar nga viti akademik 2021/2022, arsimi i lartë në Kosovë do të jetë pa pagesë për të gjithë ata që dëshirojnë të studiojnë për nivelin Bachelor dhe Master ndërsa ata të Doktoratës do të kenë lehtësime”, ka thënë Kurti.
Ndër të tjera, kryeministri Kurti tha se nga ky vendim do të përfitojnë edhe studentët e vendeve të rajonit.
“Besojmë që në këtë formë nxisim interesimin për studime të larta duke përmirësuar nivelin e përgjithshëm arsimor të popullsisë sonë dhe duke kontribuar në zhvillimin e kapitalit njerëzor që është parakusht për zhvillim ekonomik e progres shoqëror.
Nga ky vendim do të përfitojnë të gjitha kategoritë e shoqërisë. Do të përfitojnë edhe studentët e vendeve të tjera e sidomos të atyre të rajonit që do të trajtohen si të gjithë studentët e tjerë”, ka thënë Kurti. / KultPlus.com
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci për lirimin nga pagesa për vijimin e mësimit në arsimin e lartë, tha se kjo do të krijojë lehtësira për universitetet.
Ajo tha se po shmangin diskriminimin e pabarazinë sociale, duke sqaruar se për këtë vit nga buxheti do të ndahen 1.7 milionë euro për universitetet.
“Studimet pa pagesë për arsimin e lartë ka qenë një nga zotimet tona, me këtë zotim ata lirohen nga pagesa e tarifave me rastin e regjistrimit dhe po shmangim diskriminimin për shkak të pa barazisë sociale”.
“Në hyrje në fuqi shfuqizohet udhëzimi administrativ i mëparshëm. Në lidhje ne shumën e bursave do të vlejnë të njëjta vlera dhe ne kemi hapur thirrje edhe për 1 000 bursa për vajzat, dhe përtej kësaj kemi ofruar mbështetje për studentët e cila do të vazhdojë edhe për vitin e ardhshëm”.
Nagavci tha se 18 ditët e humbura të vitit shkollor do të kompensohen, pasi që mësimi është shtyrë deri më 26 shtator me rekomandim të IKShPK-së.
“Sa i përket zhvillimit të mësimit ka qenë rekomandim i IKSHPK-së që të pezullohet deri me 26 të këtij muaji dhe janë 18 ditë të humbura dhe të gjitha do të kompensohen”.
“Sa i përket zhvillimit të mësimit ka disa shkolla që kanë filluar aktivitetet që janë kompensim. Janë të paraparë 4 skenar, i cili do të zbatohet nëse vlerësohet nga Task-Forca”. / KultPlus.com
Sot u mbajt takimi i parë i Komisionit Shtetëror për Rini, i cili për herë të parë në Kosovë është themeluar nga Qeveria e Kosovës si një mekanizëm koordinues ndërinstitucional dhe përgjegjës për zhvillimin e dokumenteve strategjike të Qeverisë për fushën e rinisë.
Komisioni kryesohet nga zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani.
Në takimin e parë mori pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili themelimin e Komisionit Shtetëror për Rini e konsideroi si një hap të rëndësishëm për avancimin e rinisë në Republikën e Kosovës.
Kryeministri Kurti ndër të tjera u shpreh se: “duhet një qasje gjithëpërfshirëse drejt rinisë që i ndihmojnë të zhvillojnë njohuritë dhe shkathtësitë, të gjejnë vendin dhe misionin e tyre në shoqëri, të jenë aktiv dhe të shëndetshëm por edhe kontribuues në shoqëri civile e treg të punës.”
Më tutje Kurti ju tha anëtarëve të komisionit: “Unë pres që përveç fushave të bashkëpunimit, të bëhet edhe një ndarje e qartë e roleve dhe përgjegjësive. Në ministritë tuaja ju keni për detyrë t’i jepni vëmendje të veçantë vendimeve që ndikojnë tek të rinjtë si dhe t’i shtyni përpara politikat që përcaktohen si prioritete.”
Ndërsa në cilësinë e kryesueses së Komisionit Shtetëror për Rini, zëvendësministrja Osmani shprehu përkushtimin e Qeverisë për të bërë maksimumin që fokusi primar të jetë në rininë.
Ajo tha: “Në shëndetësi, ekonomi apo arsim, nevojitet nga një vendimmarrës politik që sigurohet që qeveria jonë në mënyrë të drejtpërdrejtë po përmirëson jetët e të rinjve tanë. Këtë, ne e kemi arritur duke emëruar zëvendësministrat për rini të cilët do përqendrohen në politikat sektoriale me fokus te rinia.”
Anëtarë të komisioni janë zëvendësministrat e tetë ministrive qendrore për rininë, të cilat janë emëruar përgjegjës për rini në ministritë dhe sektorët që mbulojnë. Në takimin e sotëm pati edhe përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare që punojnë në sektorin rinor. / KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti ka marrë sot pjesë në varrimin e 18-vjecares që është vrarë në Ferizaj.
Kurti pasi vendosi lule te varri i të ndjerës ka ngushëlluar familjarët e të pranishmit tjerë.
“Sot të gjithë ne kemi shumë pikëllim, sot të gjithë ne kemi shumë zemërim, jeta e një vajze të re 18-vjecare është këputur nga një vrasje mizore. Para 1 orë e gjysmë I dyshuari për vrasjën që e tronditi Kosovënë shtë arrestuar dhe tash duhet të ketë gjykim të drejtë e dënim të merituar”, thotë ai.
Ai ka folur edhe për arrestimin e Dardan Krivaqës.
“Bëhet fjalë për një të dyshuar që ka precedent penal edhe në vitet e mëhershme në veprat e shumta që kanë qenë shkelje të ndryshme të ligjit. Kjo tregon sa shumë punë kemi përpara që ta drejtojmë sistemin e drejtësisë, në mënyrë që të gjykojë drejt, e të gjykojë kriminelët e keqbërësit.
Qeveria jonë prej fillimit ka ndërmarrë iniciativën për infrastukturë të re ligjore, në mënyrë që kurrë më të mos na përsëriten këto raste, kemi bërë ligjin e ri për mbrojtje të viktimave dhe për mbrojtjen nga dhuna në familje”, thotë Kurti.
“Të pikëlluar e të mërzitur nuk mund ta kthejmë kohën mbrapsht e ta zgjojmë Marigonën, duhet t’i mbajmë kujtimet më të mira, të angazhohem të gjithë bashkë që raste si vrasja mizore e Marigona Osmanit të mos e godasin më kurrë popullin tonë. Ngushëllime të gjithë popullit tonë. U preht e qetë Marigona, e për tu prerë me të vërtetë e qetë duhet të sjellim drejtësi për të e gjitha viktimat tjera”, tha kryeministri./KultPlus.com
Ditën e djeshme i gjithë vendi u tronditë me rastin e vajzës 18 vjeçare nga Ferizaji e cila në mënyrë të tmerrshme u privua nga jeta nga dy persona, përcjell KultPlus.
Sot, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reauar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku njëherit edhe ka kërkuar nga organet e rendit dhe të hetuesisë që ta vënë sa më shpejt para drejtësisë vrasësin.
Më poshtë gjeni statusin e plotë të Kurtit.
Një 18 vjeçareje dje iu ndalën përgjithmonë dëshirat dhe ëndrrat. Ajo nuk e humbi jetën në aksident trafiku apo konflikt lufte. Jeta e saj u shua dhunshëm në mjedisin ku çdo njëri nga ne duhet të ndihet i dashur, i respektuar e mbi të gjitha i mbrojtur.
Kosova nuk ka jetë grash dhe vajzash për të humbur. Na duhet angazhim maksimal i institucioneve dhe çdo njërit nga ne për të respektuar te drejtën për të gëzuar jetën, për ta jetuar atë dinjitetshëm dhe për të realizuar aspiratat legjitime.
Nëna dhe baballarë, vëllezër dhe motra, mësues dhe mësuese, zyrtarë të rendit dhe të mbrojtjes së ligjit, qytetarë dhe qytetare të Kosovës,
Ta ndalim dhunën ndaj grave, t’i edukojmë bijtë e vëllezërit tanë se dhuna nuk është gjuhë e pranueshme komunikimi, se dhuna është turp që sjellë tragjedi dhe se është e dënueshme me ligj.
Kërkoj nga organet e rendit dhe të hetuesisë që ta vënë vrasësin e dyshuar të Marigonës sa më shpejtë para drejtësisë.
U bëj thirrje të gjitha nënave, bashkëshorteve, motrave e vajzave, që të lajmërojnë në polici rastet e dhunës, si edhe mosveprimin institucional për rastet e lajmëruara. Mos heshtni!
Ne nuk mund të jemi spektatorë ndaj të ardhmes sonë. Kemi obligim moral, kushtetues, institucional që të mbrojmë jetën dhe dinjitetin e secilës viktimë të dhunës në familje. / KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti, ka mbajtur një takim virtual me nën sekretaren e shtetit amerikan për Çështje Politike, Victoria Nuland, si dhe zv. sekretaren e shtetit, Wendy R. Sherman, lidhur me çështjen e strehimit të afganëve në Kosovë.
Një gjë të tillë e ka bërë me dije zyra e kryeministrit me anë të një komunikate dërguar medieve, teksa ka bërë të ditur se shpenzimet për të strehuarit do t’i mbulojë SHBA’ja.
“Ata shprehën vlerësimin e tyre të thellë për shtetet mike, duke përfshirë këtu edhe Kosovën, që kanë treguar vullnetin dhe ofruar gatishmërinë e tyre për të strehuar përkohësisht qytetarët afganë, aplikantë në procesin për ‘Viza Speciale të Imigrimit’ (SIV) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sherman potencoi se të gjitha shpenzimet nga strehimi i përkohshëm i qytetarëve afganë do të mbulohet nga qeveria amerikane”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Në mbledhjen 26-të, Qeveria ka miratuar kërkesën e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme të personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.
Ende nuk dihet numri i saktë i afganëve që do të strehohen në Kosovë, ndonëse ekspertë të fushës së sigurisë kanë vlerësuar se shteti mund t’iu bëjë vend rreth 3,500 personave.
Dy vendet të cilat janë përfolur për strehimin e personave që vijnë nga Afganistani është Parku Inovativ në Prizren, si dhe kampi i KFOR-it francez në Vushtrri. / Gazeta Express / KultPlus.com
I shoqëruar nga ministri Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi tre ekspozita të bienales ndërkombëtare të artit bashkëkohor, Autostrada Biennale.
Ata fillimisht vizituan Hapësirën e Edukimit dhe Prodhimit të Autostradës Biennale në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) në Prizren, ku u njoftuan mbi ekspozitën dhe programin e edukimit që kjo biennale po zhvillon. E ndodhur në hangarin e dikurshëm të KFOR-it gjerman, transformuar tashmë në një hapësirë inovacioni, ajo ka për qëllim fuqizimin e të rinjve të Kosovës përmes edukimit, trajnimeve dhe punëtorive në fushën e artit, teknologjisë dhe inovacionit.
Nga aty, kryeministri Kurti dhe ministri Çeku vazhduan për në Stacionin e Autobusëve në Prizren kur po shfaqen ekspozitat e katër artistëve të artit bashkëkohor. Stacioni i Autobusëve këtë vit po mirëpret ekspozitat e Autostradës Biennale për të tretën herë radhazi.
Në fund, ata vizituan ekspozitën e artistëve Sezgin Boynik dhe Tevfik Rada e cila po mbahet në Shtëpinë e Shani Efendiut.
“Se arti nuk është vetëm e bukura, por edhe mësimi dhe puna, po na e dëshmon edhe ky edicion i Autostrada Biennale”, u shpreh kryeministri Kurti. Ai i falënderoi organizatorët dhe kuratorën për prezantimin e tyre. Meqë arti dhe veprat e artit duhet të jenë të atilla që sa më shumë njerëz t’i shohin sa më shpesh, kryeministri uroi që gjithnjë e më shumë qytetarë të bëhen vizitorë të këtyre ekspozitave.
Autostrada Biennale është i vetmi institucion i artit bashkëkohor në Prizren dhe është themeluar në vitin 2014.
Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, i cili kishte ndjekur nga afër koncertin e tenorit shqiptar Ramë Lahaj, lajmin nga vet Lahaj, se nëna i kishte vdekur dy orë para se të fillonte koncerti, kryeministri Kurti e krahason me romanin “I huaji” nga Albert Kamy.
KultPlus ju sjell të plotë reagimin e kryeministrit Kurti mbi emocionet e kësaj mbrëmje artistike.
“Nëna vdiq sot”, kështu e mbylli koncertin mbrëmë Ramë Lahaj, njësoj siç e fillon Albert Kamy romanin e tij të famshëm “I huaji”.
Në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë, Ramë Lahaj&Friends na mblodhën për të na dhuruar emocione rrënqethëse. 13 vepra, 7 performues, një orkestër e tërë.
Filloi me “Bareshën” e Rexho Mulliqit, pastaj “Granada”, “Nemico della patria?!”, “Tacea La Notte Placida… Di Tale Amor”, “La forza del destino”, “Dio, che nell’alma infondere”, “Për ty Atdhe”, “Për mu paska ken kismet”, “E lucevan le stelle”, “Time to say goodbye”, “Non ti scordar di me”, “O moj e bukura Arbëri” dhe “O vendi im”.
Vlera të larta muzikore dëgjuam mbrëmë. Përveç Ramës sonë ishin edhe Simone Piazzola, Lana Kos, Xhelal Bakraqi, Isaneli e Arditi dhe Adhurim Grezda.
Pas një viti të mundimshëm, jeta ka filluar t’i rimerr ngjyrat e saj. Interesimi i madh i qytetarëve mbrëmë është edhe thirrje për aktivitete të tjera kulturore e artistike./ KultPlus.com
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e Muajit të Rinisë me mundësi të punës praktike për 900 të rinj, ngjarje kjo e organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Zyra e UNICEF-it në Kosovë.
Në këtë ceremoni, ku i pranishëm ishin edhe Ambasadori i Republikës së Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, private dhe publike, Organizatat e Shoqërisë Civile, si dhe 200 të rinj, kryeministri Kurti tha se është kënaqësi të nisim Muajin e Rinisë me kaq shumë të rinj bashkërisht.
“Për mua, çdo mundësi të flas drejtpërdrejt me të rinjtë është e rëndësishme, sepse vendimet që marrim tani dhe në vitet në vazhdim do të formojnë të ardhmen që ata do të trashëgojnë. Me agjendën e këtij Muaji, ne festojmë punën, angazhimin dhe potencialin e kësaj gjenerate”, tha kryeministri Kurti.
Para të pranishmëve, kryeministri Kurti tha është pak të thuash se jemi krenarë me të rinjtë tanë, që në Kosovë dhe botë, po korrin suksese të njëpasnjëshme në të gjitha fushat dhe sektorët.
Në sport, muzikë dhe film, në biznes, teknologji dhe arsim të lartë, kudo që ata angazhohen, rezultati është arritje e jashtëzakonshme, u shpreh kryeministri Kurti, duke vlerësuar se shteti i Kosovës nuk gëzon ambasadorë më të mirë.
“Falë tyre, emri ‘Republika e Kosovës’ dhe simbolet tona shtetërore vazhdimisht paraqiten krah-për-krah me ato të shteteve më të zhvilluara në arenën ndërkombëtare”, tha kryeministri.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
ë rinj pjesëmarrës,
I nderuari ambasadori Weidinger,
I nderuari udhëheqës i UNICEF-it në Kosovë, profesor Shpend Selimi
Të nderuar përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
Përfaqësues të institucioneve të tjera në Kosovë,
Thash profesor Selimi meqenëse kur unë isha i ri, si student, Shpend Selimi ishte i ri sikurse tani, dhe ishte profesor i imi e mi mbante disa lëndë, njëra prej tyre ishte Antenat.
E antenat janë të rëndësishme edhe për jetën politike, përveçse për valët elektromagnetike. Faleminderit profesor që na ke mësuar në rini, por edhe për punën që e ke bërë për të rinjtë edhe jashtë universitetit.
S’po dua ta heq kravatën e të jem më i lirë sepse ndoshta pastaj, mund të ndodhë që dikush prej jush të më sfidojë në basketboll pasi që jemi këtu. Njëherë, në po këtë fushë, më priu fati gjatë kohës së zgjedhjeve që para kamerave të shënoj në tentimin e parë. Kush e di çfarë rezultate do kishim në ato zgjedhje pa atë kosh. Prandaj edhe nëse sfidohem në gjuajtje të lira, e sipas probabilitetit mundësia të mos shënojë është më se reale, kërkesa ime për ju do të ishte të mos mbetet asnjë gjurmë që do mund ta shfrytëzonte opozita për kritikat e saj.
Është kënaqësi të gjendem mes jush, të nisim Muajin e Rinisë me kaq shumë të rinj bashkërisht. Për mua, çdo mundësi të flas drejtpërdrejt me të rinjtë është e rëndësishme sepse vendimet që marrim tani dhe në vitet në vazhdim do të formojnë të ardhmen që ata do të trashëgojnë.
Me agjendën e këtij Muaji, ne festojmë punën, angazhimin dhe potencialin e kësaj gjenerate. Është pak të thuash se jemi krenarë me të rinjtë tanë, që në Kosovë dhe botë, po korrin suksese të njëpasnjëshme në të gjitha fushat dhe sektorët. Në sport, muzikë dhe film, në biznes, teknologji dhe arsim të lartë, kudo që ata angazhohen, rezultati është arritje e jashtëzakonshme. Shteti i Kosovës nuk gëzon ambasadorë më të mirë. Falë tyre, emri ‘Republika e Kosovës’ dhe simbolet tona shtetërore vazhdimisht paraqiten krah-për-krah me ato të shteteve më të zhvilluara në arenën ndërkombëtare.
Por përtej paraqitjes jashtë, fuqia e rinisë sonë është brenda kufijve të vendit tonë, për ta formësuar shtetin dhe për të na shtyrë përpara drejt zhvillimit. Sfidat tona më të mëdha do zgjidhen nga ky brez i të rinjve, ndërsa përgjegjësia jonë tani është t’ua largojmë barrierat, t’ua ofrojmë mundësitë dhe hapësirën, dhe t’i pajisim me aftësitë e nevojshme për t’u angazhuar në të gjitha sferat e jetës.
Më shumë se liderët e së nesërmes, të rinjtë janë subjekti i sotëm i ndryshimit që po e kërkojnë të gjithë. Rinia gjithmonë ka qenë zëri i parë dhe më i lartë i avokimit që shoqëritë të përparojnë duke shtyrë kufijtë tanë përtej asaj që u mendua si e mundur nga gjeneratat e mëparshme.
Si kurrë më parë, shteti i Kosovës po investon në potencialin e brezit të ardhshëm. Prioriteti ynë i parë është menaxhimi i pandemisë COVID-19 në mënyrë që të shpëtojmë jetë njerëzish dhe të mbrojmë ekonominë e vendit. Përmes masave mbrojtëse dhe administrimit të vaksinave të siguruara, situata me pandeminë është përmirësuar dukshëm. Në këtë aspekt, ju si të rinj keni detyrën dhe përgjegjësinë të vaksinoheni sa më parë, nëse këtë nuk e keni bërë ende.
Edhe ekonomia i është përgjigjur pozitivisht qeverisjes sonë. Eksportet, aktiviteti ekonomik dhe të hyrat buxhetore: të gjitha janë rritur. Kemi miratuar projektbuxhet për vitin 2021 prej 2.5 miliardë eurove sipas të cilit projektohet rritje ekonomike për 7.9%. Përpara se të merrnim drejtimin e Qeverisë, ky nivel rritjeje parashihej të arrihej vetëm në vitin 2023.
Pakoja e Ringjalljes Ekonomike që kemi miratuar gjithsej ka vlerën 1.1 miliardë euro. Të rinjtë do të përfitojnë posaçërisht përmes Skemës për Punësim të Garantuar për të Rinjtë, e cila do fillojë të zbatohet së shpejti. Përmes kësaj skeme, Qeveria do t’i subvencionojë pagat dhe kontributet për çdo 12 muaj çdo të ri që punësohet për herë të parë. Po ashtu, në kuadër të Pakos së Ringjalljes, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të ndajë 2.5 milionë euro në projekte të organizatave dhe individëve ku përfitues dhe pjesëmarrës do të jenë të rinjtë. Një pjesë e mirë e këtij fondi do t’iu dedikohet projekteve që rrisin përfshirjen e të rinjve në tregun e punës përmes trajnimeve, granteve dhe programeve për punë praktike.
Në veçanti ne jemi zotuar për lidhjen e tregut të punës me arsimimin profesional, në mënyrë që ta urëzojmë hendekun e shkathtësive, ashtu që të rinjtë kur ta mbarojnë fakultetin të kenë edhe një vend pune adekuat që lidhet me vitet dhe fushat e studimit.
Të gjitha këto por edhe shumë më tepër në kuadër të programit tonë qeverisës po i bëjmë për të rinjtë, jo vetëm sepse e kemi përgjegjësi, por sepse është interesi ynë më i lartë shtetëror.
Të rinjtë janë grupimi më i madh i fuqisë punëtore të Kosovës dhe çdo përpjekje për të rritur mirëqenien tonë kolektive duhet të synojë mbushjen e çdo të riu me një entuziazëm për të ardhmen që e pret në Kosovë dhe me një garanci se ata mund të krijojnë familje dhe të ndërtojnë të ardhme këtu në vendin e vet.
Shumë prej përpjekjeve tona lehtësohen falë bashkëpunimit me partnerët tanë zhvillimorë, vendorë dhe ndërkombëtarë. Sot, në aktivitetin e parë të Muajit të Rinisë po lansojmë fazën e dytë të Programit të Punës Praktike ‘Kosova Generation Unlimited’ në partneritet me UNICEF dhe Agjencinë Austriake për Zhvillim. Ju që do të përfitoni nga ky program, shpresoj që ta shfrytëzoni si mundësi për t’u sfiduar, rritur e ngritur profesionalisht. Sigurohuni që të jeni aktivë gjatë kësaj kohe duke bërë pyetje vazhdimisht dhe kontribuoni sa më shumë që të mundeni sepse kështu do të merrni më të mirën për vetën tuaj nga secila përvojë. Për punëdhënësit apo ofruesit e praktikës në punë është po aq mundësi e mirë kjo. Sipas raportit të një studimi në Kanada, punëdhënësit shohin një kthim të investimit prej afërsisht 1 dollar e gjysmë për çdo dollar të investuar në praktika pune për të rinjtë, por kjo me kusht se i angazhoni të rinjtë në role produktive ku mund të mësojnë dhe kontribuojnë maksimalisht.
Të dashur të rinj,
Ju jeni rritur në një periudhë me sfida të mëdha – nga lufta për liri kur ishit veçse fëmijë ose ndoshta ende të palindur e i kishit prindërit tuaj në vështirësi e sfida tejet të mëdha, deri në shpalljen e pavarësisë dhe tentimet e pandalshme që nga ajo ditë për ndërtimin e një shoqërie të sigurt, paqësore, demokratike dhe të barabartë. Tash, derisa vazhdojmë të menaxhojmë pandeminë COVID-19 dhe variantet që shpalleshin kohë pas kohe të këtij virusi, dhe teksa përpiqemi të rikuperohemi nga pasojat ekonomike të saj, Kosova hyn në një kapitull të ri me juve në front.
Ta ruajmë paqen, të punojmë për prosperitet, të luftojmë për drejtësi dhe gjithëpërfshirje, dhe ta mposhtim cinizmin me shpresë dhe me optimizëm.
Unë kurrë më i frymëzuar nga ju sesa tani nuk kam qenë. Tashmë e keni hapësirën dhe lirinë për të ndërtuar një të ardhme ashtu siç e meritoni, dhe për këtë, keni mbështetjen tonë të pakusht.
Nëse nuk jemi për rininë, atëherë nuk jemi. Por ne duhet dhe do të jemi me rininë dhe për rininë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur para publikut të mbledhur në sheshin e Prishtinës për kampionet olimpike të Kosovës.
Kurti ka thënë se puna e madhe që kanë bërë kampionet janë motivim për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai ka pasur fjalë të mëdha edhe për kampionen e parë në histori të Kosovës, Majlinda Kelmendi.
“Mirmbrëma dhe urime të gjithëvë. Le t’iu urojmë mirëseardhja skuadrës sonë olimpike me një duartrokitje të madhe e të fuqishme sepse kanë bërë historinë në Tokio. Edhe pse Majlinda nuk mori medalje të artë në Tokio ajo ka marrë zemrat tona. Me përkushtimin e saj ajo ka hapur rrugën për atletët tonë që të ëndërrojnë më shumë e të synojnë më lartë. Ajo i solli Kosovës medaljen e parë të artë duke u bërë simbol i shpresës, duke na thënë që është gjithçka e mundur. Kampione në tatami, e kampione në jetë”, ka thënë ai.
Ai nuk e ka lënë pa thënë fjalë të mëdha edhe për kampionet e ‘Tokio 2020’, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova dhe nuk e ka lënë pa lavdëruar punën e trajnerit Driton Kuka.
“Në olimpiadën e parë në Rio, Majlinda solli medaljen e artë. Në Tokio morrëm dy medalje të arta. Një duartrokitje të madhe për këto kampione. Medaljet e arta aq sa kërkojnë talent, kërkojnë edhe punë e përkushtim. Kërkojnë taktiktë e strategji të përsosur. Trajneri që na ka dhënë zemër të gjithëve. Ai është trajneri i artë Driton Kuka. Tri medalje të arta nga tri gra, kjo fjali me 7 fjalë duhet të mjaftojë për të fituar çdo medalje për barazi gjinore. Falemnderit vajzave, falemnderit trajnerit. Në Rio morëm 1 medalje, në Tokio 2. Le të fillojnë përgatitjet që në Paris të marrim 3 e më shumë medalje. Ju faleminderit të gjithëve. KOSOVA është e ARTË”, përfundoi ai. / KultPlus.com
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i ka dërguar letër falënderimi kryeministrit të Republikës së Kroacisë, Andrej Plenković, nëpërmjet së cilës ia ka shprehur falënderimin e tij dhe të popullit e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për ndihmën që shteti dhe institucionet shëndetësore kroate ua ofruan bashkatdhetarëve tanë pas aksidentit tragjik në Slavonski Brod të Kroacisë, thuhet në njoftimin e kryeministrisë të publikuar në uebfaqen zyrtare.
Kryeministri Kurti ka thënë se reagimi i shpejtë i autoriteteve kroate për t’u ofruar trajtim mjekësor të lënduarve dhe strehim udhëtarëve të tjerë, shpërfaqi vlerat më të larta dhe shpirtin bujar të popullit kroat.
Angazhimi juaj vetëmohues dhe i institucioneve të shtetit tuaj për t’ua ofruar gjithë kujdesin e nevojshëm bashkatdhetarëve tanë, ka prekur thellë zemrat tona, ka shkruar në letër kryeministri Kurti.
Ai e ka siguruar kryeministrin e Kroacisë se populli dhe Qeveria e Kosovës nuk do ta harrojë kurrë aktin e tij të humanizmit e solidaritetit dhe se Republika e Kosovës do të mbajë gjithmonë zemrën dhe derën hapur për miqtë si Plenković.
Falënderimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Shumë i nderuari Kryeministër Plenković, Në emër të Qeverisë dhe popullit të Republikës së Kosovës, dhe në emrin tim personal, pranoni falënderimet më të përzemërta për ndihmën që na e ofruat në një situatë të rëndë për vendin tonë.
Reagimi Juaj i shpejtë pas aksidentit tragjik në Slavonski Brod, ku humbën jetën dhjetë bashkatdhetarë tanë, trajtimi mjekësor i të lënduarve dhe strehimi i udhëtarëve të tjerë, shpërfaqi vlerat Tuaja të larta dhe shpirtin bujar të popullit kroat.
Angazhimi Juaj vetëmohues dhe i institucioneve të shtetit Tuaj për t’ua ofruar gjithë kujdesin e nevojshëm bashkatdhetarëve tanë, ka prekur thellë zemrat tona.
Populli dhe Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do ta harrojë kurrë këtë akt humanizmi dhe solidariteti me tragjedinë tonë.
Me konsideratën më të lartë, ju sigurojmë që Republika e Kosovës do të mbajë gjithmonë zemrën dhe derën hapur për miqtë si Ju.
S poštovanjem i zahvalnošću,
Albin Kurti Kryeministër i Republikës së Kosovës. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryekuvendari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, kanë vizituar për ngushëllime familjet e personave që kanë humbur jetën në aksidentin në Slavonski Brod të Kroacisë, përcjellë KultPlus.
Që të tre krerët shtetëror u kanë shprehur ngushëllime familjarëve, duke i siguruar ata se do të kenë mbështetje institucionale. Ata kanë përmendur edhe ndihmën e pakursyeshme të shtetit kroat për t`u dalë në ndihmë të aksidentuarve, duke falënderuar strukturat shtetërore për angazhimin.
Presidentja Osmani ka theksuar se një fatkeqësi si kjo është dhimbje për gjithë qytetarët e Kosovës, ndërkohë që ka uruar shërim të shpejtë për të gjithë të lënduarit.
Kryetari i Kuvendit, Konjufca theksoi se dhimbja për mërgimtarët që humbën jetën është e madhe, ngase erdhën për vizitë në familjet e tyre për ta gjetur gëzimin, por e gjetën vdekjen.
Ndërkaq, kryeministri Kurti tha se kjo tragjedi nuk është vetëm e familjeve, por e të gjithë kombit. Sipas tij, dhimbja duhet të kthehet në forcë për ta përballuar më lehtë këtë humbje të madhe.
Në ditën e parë të vizitave, të tre liderët institucionalë kanë vizituar familjet e Ahmet Hoxhës, Anjeza Bellanicës, Kujtim Kastratit, Leonora Kolemekshajt, Naser Sylemetajt, Erlinda Binakajt, Valentina Zhubi-Binakajt dhe Gjylë Malokut, të cilët nuk i mbijetuan aksidentit të rëndë në Slavonski Brod të Kroacisë.
Vizitat ngushëlluese do të vazhdojnë të premten edhe në familjet e tjera. / KultPlus.com
Majlinda Kelmendi ka fituar medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” duke mundur francezen Sarah Leoine Cysiquen në finalen e së hënës.
Pas fitores së Nora Gjakovës ka reaguar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Ai përmes një postimi në Twitter ka thënë se fitorja e Nora Gjakovës i ka lehtësuar zemrat tona në këtë ditë zie.
“Në këtë ditë pikëllimi ku po vajtojmë për humbjen e jetëve nga aksidenti tragjik në Kroaci, zemrat tona janë ndriçuar nga suksesi i kampiones sonë, Nora Gjakova, në Tokyo2020 e cila fitoi të artën në gratë – 57 kg”, ka shkruar Kurti./ KultPlus.com
Një aksident i tmerrshëm me autobus në të cilin dhjetë pasagjerë u vranë dhe pothuajse 50 u plagosën të dielën në mëngjes afër Slavonski Brod, tronditi Kroacinë dhe Kosovën. Siç dihet tashmë, qytetarët e Kosovës ishin në autobus, duke u kthyer nga Gjermania në vendlindjen e tyre për pushime.
Mediumi kroat, Direktno.hr, ka treguar foto të vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe homologut të tij kroat, Andrej Plenkovic, nga brenda spitalit.
Së bashku me kryeministrin kroat Andrej Plenković, ata fillimisht vizituan të lënduarit dhe të plagosurit rëndë në spitalin kryesor dhe më pas u drejtuan për në Antonio Pension, i cili strehon pasagjerë që nuk kishin nevojë për ndihmë mjekësore.
Kurti njoftoi se do të ketë një ditë zie në Kosovë të hënën dhe Plenković vuri në dukje në disa raste se Kroacia do të bëjë gjithçka për të ndihmuar viktimat në këtë tragjedi të tmerrshme.
Kurti ka falënderuar kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq dhe stafin mjekësor të spitalit që kanë trajtuar të lënduarit në aksident. Ai po ashtu ka shprehur ngushëllime për familjarët e atyre që humbën jetën në aksident.
Policia kroate ka lëshuar një deklaratë duke detajuar rrethanat e aksidentit tragjik me autobus në autostradën afër qytetit Slavonski Brod. Policia kroate tha se në orën 6:19 të mëngjesit të sotëm pranoi raportin e aksidentit në autostradën A3 Bregana-Lipovac, në korsinë jugore, afër qytetit Slavonski Brod. Në deklaratën e Policisë është përshkruar se si autobusi me 67 pasagjerë dhe dy shoferë, doli nga autostrada.
Bashkë me Kurtin janë edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia si dhe shefi kabinetit të Vjosa Osmanit, Blerim Vela. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur të hënën ditë zie, për shkak të këtij aksidenti i cili ua mori jetën 10 personave, kryesisht mërmitarë që po vinin nga Gjermania për pushime në Kosovë. / KultPlus.com
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është nisur për në Kroaci për të vizituar bashkatdhetarët e lënduar në aksidentin tragjik të mëngjesit të sotëm, të cilët po marrin trajtim mjekësor në spitalin e Slavonski Brodit, transmeton KultPlus.
Së bashku me kryeministrin kanë udhëtuar edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe shefi i Stafit të Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela.
Lajmi u bë i ditur në faqen zyrtare të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ku ndër të tjerea është theksuar se Institucionet e Republikës së Kosovës që nga mëngjesi janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kroate, të cilat, siç thuhet tutje në njoftim kanë konfirmuar se kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për kujdesin dhe trajtimin e të gjithë udhëtarëve që janë lënduar në këtë aksident tragjik.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar Shtabin Emergjent për koordinim të komunikimit të institucioneve të Kosovës dhe të Kroacisë me familjarët e bashkatdhetarëve të cilët udhëtonin me autobusin e linjës Frankfurt- Prishtinë. / KultPlus.com
Pas fitores së Krasniqit në gjysmëfinale ku xhudistja kosovare mposhti Urantsetseg Munkhat të Mongolisë duke fituar medaljen Olimpike, tani ajo ka arritur të fitojë medaljen e Artë, raporton KultPlus.
Krasniqi fitoi në finale kundër japonezes Funa Tonaki.
Për fitoren e Krasniqit ka shkruar edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i cili përmes një statusi në faqen zyrtare në Facebook, është shprehur falenderues për ekipin nga Kosova, që siç ka theksuar ai, po e bëjnë krenar secilin prej nesh.
”DISTRIA E ARTË Në garën e parë në Lojërat Olimpike, Kosova fiton medaljen e artë. Faleminderit që po bëni krenar secilin prej nesh. Me zemër jam me ju në Tokio”, ka shkruar Kurti. / KultPlus.com
Sot është bërë hapja zyrtare e Lojërave Olimpike në Tokio.
Janë gjithsej 11 sportistë të Republikës së Kosovës, të cilët edhe parakaluan në këtë ceremoni madhështore.
Për parakalimin e sportistëve të Kosovës, ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në rrjetin social Instagram.
”Pas një rruge të gjatë, trasuar me fuqinë e ëndrrave të shumë brezave sportistësh, ekipi olimpik i Kosovës parakaloi në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Tokio 2020.
Përkushtimi i jashtëzakonshëm e përpjekjet e pandalshme të tyre për të ngadhënjyer mbi çdo barrierë e sfidë në këtë rrugëtim, janë frymëzim për të gjithë ne.
Zemrat tona janë plot krenari e shpresë, për sakrificat dhe sukseset e sportistëve tanë.
Na priftë e mbara e dalshim faqebardhë!’‘, ka shkruar Kurti në postim. / KultPlus.com
Shtatorja e legjendës së sportit shqiptar dhe ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri u përurua sot.
Zbulimin e shtatores e bëri kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, familja e të ndjerit Fadil Vokrri, presidenti i Federatës së Futbollit në Kosovë, Agim Ademi, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti si dhe kryetari i tifozëve ”Dardanët”, Lul Berisha.
Menjëherë pas zbulimit të shtatores, fjalën e mori kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili theksoi se për të është një kënaqësi e madhe të jetë në këtë ngjarje për një njeri, që siç theksoi Kurti, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimin e futbollit në Kosovë.
”Ai ishte krenaria e gjithë kosovës, atëherë kur në cdo fushe tjetër në Kosovë ishin gjërat më të vështira ai u shpall futbollisit më i mirë në ish Jugosllavi”, theksoi tutje Kurti. / KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pasditen e së enjtes takoi diasporën në “Parkun e Qytetit” në Prishtinë. Para tyre, kreu qeveritar tregoi të arriturat, që sipas tij janë bërë nga ekzekutivi në këta katër muaj.
Kurti u tha mërgimtarëve se këta muaj qeverisje është dëshmuar se është e mundshme të punohet ndryshe dhe më mirë në Kosovë.
“Gjatë këtyre katër muajve kemi dëshmuar që vërtet është e mundshme, ndryshe dhe shumë më mirë në Kosovë në çdo aspekt. Përderisa në fushën e luftimit të korrupsionit e të krimit pak a shumë të gjithë e keni përshtypjen, unë jam i lumtur edhe në aspektin ekonomik Kosova ka përparime. Psh doganat e Kosovës në pesë muajt e vitit përherë të parë e kanë kaluar nivelin prej 500 milionë eurove të hyra dhe kjo është 28 për qind më shumë se vitin e kaluar… Eksportet janë rritur për 66% qarkullim në ekonomi 15 % dhe presim që buxheti i Kosovës që është 2.5 miliardë të na mundësoj me qeverisjen tonë të mirë ta përmbyllim vitin me së paku 7.9% të bruto produktit vendor si rritje ekonomike për Kosovën”, tha ai.
Ai foli edhe për shitjen e bonove të diasporës, që filloi sot.
“Kemi filluar edhe me bonot e thesarit. Tashmë i kemi bonot e diasporës të veçanta ofertat në vlerë të gjithmbarshme prej rreth 1 milionë euro që nuk është keq për ditën e parë. Në javët qe vijnë do të përballemi me pandeminë Covid19, kësaj radhe me mjete të shtuara për shkak të vaksinave që i kemi sigluara, por gjithashtu edhe duke respektuar distancën fizike në mënyrë që çfarëdo varianti i ti të mos rrezikoj shëndetin publik. Por edhe krizat tjera ekonomike sociale që kanë qenë dhe vazhdojnë edhe kësaj dite do ta kenë një kabinet të ministrave që do të punojnë ditë e natë dhe që sigurisht qe do t’i ngadhënjej për hir të qytetarëve”
Kreu i ekzekutivit falënderoi mërgatën për ndihmën që ia kanë dhënë Kosovën në çdo epokë si dhe për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje.
“Në veçanti ju falënderoj për pjesëmarrjen demokratike në zgjedhjet që janë bërë në Kosovë dhe keni ndikuar për ndryshimet qe janë realizuar dhe do të realizohen por dhe që të mos ngelemi vetëm ata që dërgojnë mjete financiare por që ta kenë edhe zërin politik e publik. Nuk ju shohim vetëm si burim i të ardhurave për familjet tuaja dhe atdheun tonë por edhe si burim j dijes i shkathtësive i profesioneve meqenëse studentët, profesionistët e akademikët ndër më të mirët që i ka shteti ynë e kombi ynë janë po ashtu në mërgatën tonë”, tha ai. / Express / KultPlus.com
Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Greqia do të ishte dëshmi që Athina është e gatshme ta luajë një rol udhëheqës rajonal në Ballkan, ka thënë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një intervistë për gazetën greke, “To Vima”.
Kurti, i cili së fundmi ishte në Athinë për konferencën e “The Economist” dhe pati një takim të shkurtër me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, është qartazi kundër një shkëmbimi territorial me Serbinë dhe kundër rivendosjes së kufijve në Ballkan. Ai gjithashtu thekson se statusi i Kosovës është vendosur përgjithmonë dhe se dialogu me Beogradin ka të bëjë vetëm me marrëdhënien e ardhshme midis dy vendeve, shkruan “To Vima”.
Intervista e plotë:
“To Vima”: Kosova kaloi një periudhë të paqëndrueshme politike me zgjedhje të njëpasnjëshme, por duket se tani ka një qeveri të qëndrueshme. Cilat janë prioritetet tuaja kryesore si në aspektin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm? Sa i madh është problemi i korrupsionit?
Ne kemi qenë të fokusuar në dy prioritete themelore dhe më urgjente. Prioriteti i parë ishte fokusimi në menaxhimin e pandemisë me qëllim minimizimin e pasojave në shëndetin publik. Si rezultat, në 100 ditët e fundit, falë masave të duhura kundër COVID-19, përgjigjes së shkëlqyeshme nga qytetarët dhe vaksinimit masiv, numri i rasteve të reja ka rënë për 99%, numri i rasteve aktive për 97% dhe numri i hospitalizimeve për 86%.
Krahas kësaj, reformat tona në sistemin e drejtësisë, lufta kundër korrupsionit dhe ruajtja e fondeve publike kanë pasur ndikim pozitiv në rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet publike. Në frontin ekonomik, në pesë muajt e parë të këtij viti kemi shënuar disa rezultate shumë pozitive dhe premtuese. Aktiviteti ynë ekonomik është rritur për 15%, të ardhurat e buxhetit tonë për 30%, eksportet për 66% dhe për këtë vit ne parashikojmë rritje ekonomike për 7.9%. Ne gjithashtu kemi hartuar një pako të ringjalljes ekonomike me 1.1 miliardë euro kontribute në ekonominë tonë.
“To Vima”: Bisedimet janë intensifikuar midis Serbisë dhe Kosovës në kontekstin e dialogut Beograd – Prishtinë, të lehtësuar nga BE-ja. A ka pasur progres kohët e fundit në këto bisedime? A është larguar nga tryeza e bisedimeve skenari i shkëmbimit territorial?
Kosova kërkon t’i zgjidhë çështjet e pazgjidhura me fqinjët përmes dialogut. Ne do të kemi mundësi t’i rregullojmë marrëdhëniet në Ballkan vetëm me një dialog parimor dhe të përgatitur mirë, të bazuar në vlerat evropiane. Pavarësia e Kosovës është trembëdhjetëvjeçare. Që nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në vitin 2010, që vërtetoi faktin se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, debati për shtetet është mbyllur.Unë nuk do të diskutoj statusin e Kosovës, as integritetin tonë territorial. Është çështje e zgjidhur. Nuk mund të lejojmë ringjalljen e projekteve të dështuara për shkëmbimin territorial e as të atyre për bosnjëzimin e Kosovës. Serbia tani duhet të distancohet nga regjimi i Millosheviqit dhe të mos insistojë që në një farë mënyre të vazhdojë t’i arrijë qëllimet e vjetra, me mjete të reja. Tema e vetme është marrëdhënia ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“To Vima”: Ballkani duket se është kthyer në vëmendjen e të gjithë akterëve të mëdhenj globalë dhe më e rëndësishmja në vëmendjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, pas publikimit të non-papers që flasin madje edhe për rivendosjen e kufijve në rajon përgjatë vijave etnike, janë paraqitur disa skenarë. Si u përgjigjeni atyre që shqetësohen për mundësinë e një Shqipërie të madhe? A jeni kundër këtyre skenarëve apo do t’i konsideronit në rrethana specifike? A nuk është mundësia e një “Schengen-i Ballkanik” çështje më reale dhe konstruktive për të nxitur bashkëpunimin rajonal?
Unë vazhdoj të besoj se përgjigja më e mirë ndaj të gjitha këtyre “Non Papers” është “No comment” sepse përmes përgjigjeve, ato po përpiqet të sjellen në jetë. Ne duhet të shkojmë drejt integrimit evropian dhe euro-atlantik. Kosova nuk ka dilema. BE dhe NATO janë vlera tonat ashtu edhe destinacion i yni. Duke ditur që korniza aktuale rajonale nuk mund të na përgatitë për pranim në BE, në Samitin e Tiranës unë kam propozuar që të përditësojmë CEFTA-n në SEFTA (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Evropës Juglindore) bazuar në modelin EFTA – EEA, që do të lartësonte të gjithë rajonin dhe do të kapërcente pengesat aktuale. Ne sigurisht se shpresojmë që Komisioni Evropian mund ta konsiderojë seriozisht këtë propozim dhe të fillojë dialogun që do të çonte në rezultate konkrete. Ne jemi të bindur se nëse ecim së bashku në këtë rrugë, atëherë do të jemi në gjendje të adresojmë shumë sfida dhe të arrijmë objektivin tonë të përbashkët.
“To Vima”: Së fundmi, ministri i Jashtëm i Greqisë, Dendias, vizitoi Prishtinën. Zyra juaj ndërlidhëse në Athinë është avancuar, por ende mungon njohja zyrtare diplomatike. A jeni optimist që kjo do të ndodhë, a jeni në bisedime me palën greke për këtë? A ka ndonjë afat kohor?
Ne i jemi mirënjohës Greqisë për mbështetjen e saj dhe qëndrimin pozitiv ndaj Republikës së Kosovës në proceset e integrimit si në rajon ashtu edhe Evropë. Ne e vlerësojmë shumë qëndrimin konstruktiv ndaj vendit tonë, qëndrim të cilin Greqia e ka dëshmuar përsëri me mbështetjen e dhënë në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Greqia duhet të jetë me popullin e Kosovës dhe të ofrojë mbështetjen e saj. Greqia dhe Kosova duhet të forcojnë marrëdhëniet e tyre të pavarura për shkak të historisë së gjatë të përbashkët, qëllimit të përbashkët të stabilitetit dhe paqes në Ballkan dhe të ardhmes së gjatë të përbashkët.
“To Vima:” Përveç njohjes, cilat janë fushat kryesore në të cilat Athina dhe Prishtina mund të bashkëpunojnë qoftë në aspektin dypalësh ashtu edhe në atë rajonal? A e shihni Greqinë si vend që mund t’ju ofrojë asistencën e nevojshme teknike në rrugën tuaj drejt integrimit në BE? A jeni i shqetësuar se marrëdhëniet e ngushta të Turqisë me Kosovën mund të pengojnë bashkëpunimin me Greqinë?
Kosova dëshiron të ndërtojë mbi lidhjet historike midis popujve tanë dhe të forcojë marrëdhëniet vëllazërore afatgjata me Greqinë, një element i rëndësishëm i stabilitetit rajonal afatgjatë. Ne e vlerësojmë shumë mbështetjen e Greqisë. Duke pasur parasysh peshën e Greqisë në rajon, si dhe frymën e bashkëpunimit në rajon, ne do ta mirëprisnim vendimin për njohjen e Kosovës. Njohja do të ishte dëshmi thelbësore e rolit udhëheqës në rajon që Greqia duhet të ketë. Marrëdhëniet ekonomike Kosovë-Greqi janë duke u forcuar. Kjo dëshmohet nga forumi virtual ekonomik i organizuar nga dy MPJ-të përkatëse në muajin prill të vitit 2021. Ka ende hapësirë për rritjen e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve. / Express / KultPlus.com
Me përfundimin e edicionit të 74-të të festivalit së filmit në Kanë, ka reaguar edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një statusi në rrjetin social Facebook, përcjellë KultPlus.
Kurti është shprehur se ai nuk ka takuar asnjë personalitet arti e kulture që nuk dinte për Kosovën. Ndërsa, për të rëndësia e artit dhe vlerat e popullit konsiderohen se po bëhen bashkë për vetëdijen dhe shqisat e miliona shikuesve të huaj dhe mijëra artistëve të famshëm.
“Qeveria që e udhëheq do të jetë pranë artistëve tanë dhe do t’i përkrah ata si asnjëherë më parë”, ka thënë ai.
KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:
Kosova është bërë forcë ndërkombëtare në kinematografi. Nuk e takuam asnjë personalitet arti e kulture që nuk dinte për Kosovën. Samir Karahoda dhe Luàna Bajrami ishin krah për krah në Cannes me artistët më të shquar që erdhën këtu prej anekënd globit. Nga shumë mijëra filma ky Festival përzgjodhi rreth një dyzinë sosh për secilën kategori. Shumica dërrmuese e vendeve të botës nuk u kualifikuan. E Kosova kishte dy filma që u shfaqën dhe garuan. Rëndësia e artit dhe vlerat tona po bëhen bashkë për vetëdijen dhe shqisat e miliona shikuesve të huaj dhe mijëra artistëve të famshëm.
Në kuadër të vizitës dyditore në Cannes takova Jerome Paillard, drejtorin e Marche dú Film të Kanës, tregut më të madh të filmit në botë; Stefan Laudyn, Drejtorin e Festivalit Ndërkombëtar të Varshavës; Nikolaj Nikitin, drejtorin e SOFA – shkolla për avancimin e filmit; Katriel Schorry, nga Fondi i Filmit të Izraelit, dhe Helge Albers, nga Fondi i Filmit të Hamburgut. I falenderova për mbështetjen e filmit dhe artistëve nga Kosova si dhe diskutuam për mundësitë e shtimit të bashkëpunimit.
Po ashtu takova edhe Ministren Franceze të Kulturës, znj. Roselyne Bachelot, me të cilën biseduam për avansimin e prodhimit të përbashkët të filmave, si dhe kryebashkiakun e Cannes, z. David Lisnard. E në fund, ishte kënaqësi të takoj Kryetarin e Jurisë sivjet, regjisorin Spike Lee, si dhe regjisorin italian Paolo Sorentino.
Qeveria që e udhëheq do të jetë pranë artistëve tanë dhe do t’i përkrah ata si asnjëherë më parë. / KultPlus.com