Kryeministri Kurti: Mund të jetojmë pa njohjen e Serbisë, s’paguajmë gjë për të

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova mund të vazhdojë të funksionojë pa njohjen nga Serbia dhe se Qeveria që ai udhëheq nuk pranon të paguajë as me territor e as me funksionalitet të shtetit për ta fituar këtë njohje.

Në një intervistë për “europeanwesternbalkans”, Kurti ka thënë se megjithatë do të ishte mirë që Serbia ta njohë Kosovën.

“Sigurisht se do të preferoja që Serbia ta njohë Kosovën, por nëse nuk e bën këtë, duhet të jetojmë pa atë njohje. Nuk jam duke planifikuar ta zëvendësoj varësinë e kaluar të Kosovës nga Serbia me varësinë e re të Kosovës nga njohja e Serbisë për shtetin tonë të pavarur. Për 13 vjet deri tash, kemi jetuar pa njohjen nga Serbia. Do të ishte mirë të na njohë, por nuk do të paguajmë për këtë, as me territor e as me funksionalitet të shtetit tonë. Kosova është e pavarur. E kanë njohur 26 nga 30 shtetet e NATO-s, 22 nga 27 shtete anëtare të BE-së. Rusia e Kina jo, por SHBA-ja, Franca e Britania e Madhe në Këshill të Sigurimit po. Duhet të ecim përpara”, ka thënë ai.

Kurti ka folur edhe për refuzimin e Kosovës që të jetë pjesë e iniciativës së Mini-Schengenit rajonal. Sipas tij, s’ka logjikë që të vazhdohet me këtë iniciativë kur nga Procesi i Berlinit tashmë është Tregu i Përbashkët Rajonal e ende s’ka njohje nga Serbia.

Për Marrëveshjen e Washingtonit, Kurti ka lavdëruar pikën që parashihte njohjen nga Izraeli, ndërsa problematike e ka parë moratoriumin që Kosova të kërkojë pranim në organizata ndërkombëtare e njohje të shteteve.

Qeverinë e tij e ka cilësuar si më të mirën ndonjëherë në Kosovë.

“Po e forcojmë shtetin e Kosovës. Kosova po bëhet storie suksesi. Dhe taktika e vjetër e salamit – çka më jep për njohje s’do të ndodhë kurrë, s’do të funksionojë”, ka shtuar ai./ koha.net/ KultPlus.com

Kurti: I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave, kurrë më mos pastë Ballkani e as bota, shtete me ambicie gjenocidale

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti sot ka përkujtuar 26 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, ushtruar nga forcat serbe të Serbisë ndaj viktimave boshnjake, shkruan KultPlus.

Ai poashtu ka bërë të ditur edhe vendimin e miratuar disa ditë më parë në Kuvendin e Kosovës ku dënohet gjenocidi në Srebrenicë.

Tutje, ai ka folur edhe rreth kërkesave dhe dëshirave të tij mes kombeve në Ballkan duke potencuar se e vetmja fqinjësi e mirë zhvillohet duke dënuar krimet dhe vendosur drejtësinë.

KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Sot është 26 vjetori i gjenocidit në Srebrenicë, ushtruar nga forcat serbe e të Serbisë mbi viktimat boshnjake. Institucione të ndryshme ndërkombëtare, ndër të cilat edhe Parlamenti Evropian, e kanë shpallur 11 korrikun datë të përkujtimit të masakrës më mizore që ka njohur Evropa pas Luftës II Botërore.

Disa ditë më parë Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë me të cilën dënohet gjenocidi në Srebrenicë dhe ftohet Qeveria e Kosovës të nderojë viktimat dhe kujtimin e kësaj date.

Në atë rezolutë pika nr. 5 shkruan se Kuvendi i Kosovës:

“Fton të gjitha shtetet e rajonit, që të bëjnë përpjekje shtesë për t`i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e gjenocidit në Srebrenicë.”

Ndërsa pika nr. 6 vë në pah se kjo rezolutë:

“Shfaq gatishmërinë e Republikës së Kosovës dhe u bën apel shteteve të rajonit për përmirësimin e marrëdhënieve të ndërsjella dhe të bashkëjetesës ndërmjet popujve, me qëllim të përmirësimit ekonomik dhe integrimit euro-atlantik të shteteve të Ballkanit Perëndimor.”

Ne duam paqe, bashkëpunim, dhe barazi mes kombeve në Ballkan. Por themeli i asaj paqeje është ndëshkimi i kriminelëve. Është e pamendueshme se si, edhe në shekullin XXI, ka politikanë në rajonin tonë, që thonë se ata që kërkojnë ndëshkimin e fajtorëve për gjenocid qenkan kundër dialogut e kundër fqinjësisë së mirë. Përkundrazi, e vetmja fqinjësi e mirë zhvillohet duke dënuar krimet e vendosur drejtësi, dhe i vetmi dialog i mirë ndodh kur palët nuk tremben nga distancimi prej krimeve.

I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, kurrë më mos pastë Ballkani, e as bota, pushtete e shtete me ambicie gjenocidale. / KultPlus.com

Andin Hoti emërohet Kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e ka emëruar Andin Hotin Kryesues të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur.

Çështja e personave të zhdukur është një nga çështjet prioritare të Qeverisë së Kosovës, dhe emërimi i sotëm tregon që kjo temë shkon përtej politikës.

“Dhimbja dhe ankthi me të cilën familjet përballen që 23 vite, rritet çdo ditë e më shumë, andaj është obligim i yni si Qeveri që të bëjmë më të mirën e mundshme për t’ua zbutur këtë gjendje duke u angazhuar më shumë për zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre. Për Qeverinë e Kosovës është e rëndësishme që të kemi një front të përbashkuar karshi Serbisë, në kërkesat tona për ballafaqim me të kaluarën”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës/KultPlus.com

Politikani serb: S’duhet të mbulohen krimet e Millosheviqit

Disa ditë para se të nisej për në Kosovë, politikani opozitar serb, Nenad Canak u përmend nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq menjëherë pas takimit të tij të parë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bruksel.

Duke iu treguar gazetarëve dhe publikut për, siç thoshte, mungesën e argumenteve të kryeministrit të Kosovës mbi ato që ai tha gjatë bisedimeve mbi varrezat e pazbuluara me trupat e civilëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës, Vuçiq tha se Kurti po iu referohej deklaratave të Nenad Canak, udhëheqësit të partisë serbe, LSV, raporton gazeta serbe Danas, transmeton KultPlus.

Në një intervistë për këtë gazetë, Nenad Canak thotë se që nga viti 2004, ai shpesh ka përmendur moszbulimin e informacioneve për rreth 16 varre masive.

“Dhe që nga ajo kohë deri më sot, unë kam mbrojtur dhe vazhdoj ta mbroj qëndrimin që nuk duhet të ketë arsye për t’i mbuluar krimet e ndokujt kundër askujt. Dhe posaçërisht për t’i mbuluar krimet e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, kundër të cilit kam luftuar pa kompromis për më shumë se një dekadë”, tha Canak.

Kurti, në takimin e tij të parë me Vuçiqin kërkoi përjashtimin e Vejlko Odalloviqit nga delegacioni serb në dialog. Canak thotë se nuk e di se pse Odalloviqi e kryeson ende komisionin serb për personat e zhdukur.

“Nuk e di pse Veljko Odalloviq është kryetari i atij komisioni, ju duhet të pyesni ata që e e emëruan. Por, unë e di se ai ndoshta nuk do të kishte qenë atje, nëse propozimi i LSV-së nga viti 2000 do të ishte miratuar. Po të ishte bërë gjithçka do të dukej shumë ndryshe”, tha Canak.

Ai tha se Vuçiq nuk duhet të flasë fjalë të mëdha dhe të mburret se ishte i pakëndshëm në takimin me Kurtin.

Canak tha se Kurti gëzon popullaritet të madh në mesin e të rinjve kosovarë që janë lodhur nga procesi i dialogut Kosovë-Serbi.

“Albin Kurti gëzon një popullaritet të madh në Kosovë, veçanërisht në mesin e të rinjve që janë lodhur nga negociatat e pafund dhe të kota, të cilat në pjesën më të madhe janë edhe të pasinqerta. Politika është matematika e mundshme, dhe njohja e ndërsjellë nuk është për momentin. Ne duhet të fillojmë nga ajo që është e mundur, dhe kjo është një përpjekje e përbashkët për t’ië gjetur 1,632 persona të zhdukur dhe për të zbuluar varre masive dhe për të hedhur dritë mbi rrethanat që i çuan ata aty. Unë besoj se shumë gjëra do të fillonin të ishin më të thjeshta nëse më shumë njerëz do të vinin, të themi, në Prishtinë për të parë se sa ka përparuar qyteti gjatë dekadave të fundit dhe për ta thyer frikën e kontaktit, veçanërisht te të rinjtë që e kuptojnë njëri-tjetrin në mënyrë të përsosur duke folur anglisht”, thotë ai.

i Pyetur për takimin e para një jave me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Canak tha se u përpoq të ndihmojë në normalizimin e marrëdhënieve.

“Takimi me kryeministrin Kurti, dhe pas kësaj me presidentin Gjukanoviq në Malin e Zi, flet pak për faktin se pesha politike nuk është gjithmonë e lidhur drejtpërdrejt me numrin e votave të fituara në një palë zgjedhje, dhe sidomos jo me pozicionin në ekzekutiv. Ju keni lexuar për këtë përmes shembujve të gjallë në Serbi sot. Unë mendoj se është detyra e secilit që mund të ndihmojë që të përpiqet të ndihmojë normalizimin e marrëdhënieve në mënyrë që njerëzit të jetojnë më mirë dhe më të sigurt”, tha ai.

Ai ia dha disa këshilla kryeministrit të Kosovës, kur u pyet sërish se si e vlerëson ai Albin Kurtin.

“Z. Kurti është një politikan i ri, energjik dhe padyshim i aftë me një mbështetje të padyshimtë. Sidoqoftë, të fitosh zgjedhje dhe të jesh popullor nga njëra anë dhe të drejtosh një shtet të suksesshëm janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Ky i fundit ende nuk ka provuar veten dhe përballet me një sërë problemesh të trashëguara. Kjo është, për të thënë të paktën, marrëdhënia me Serbinë. Për shembull, ai duhet të merret me “luftëtarët e parë”, me korrupsion, nepotizëm dhe gjithçka që e theksoi kur erdhi në zyrë. Tani ai duhet të forcojë qeverinë, dhe ne do të shohim vetëm me çfarë suksesi dhe sa shpejt do të shkojë. Ajo që unë do ta këshilloja atë është të qëndrojë larg fjalëve të vështira, zgjidhjeve të shpejta dhe të mos harrojë kurrë kur është në pozicionin e shumicës se si ndihej në pozicionin e pakicës. Sepse, ato pozicione ndryshojnë mjaft shpesh në jetë dhe politikë”, u shpreh Canak.

Politikani serb tha se në Serbi vijon të jetë në majë ideologjika politike e njëjtë që nga koha e Sllobodan Millosheviqit.

“Është ngulitur në një numër të madh njerëzish si pjesë e identitetit kombëtar dhe të vërtetës universale. Dhe kjo kryesisht parandalon kontaktin me arsyet, faktet dhe realitetin. Merrni, për shembull, Vulinin, Koshtunicë, Boshko Obradoviqin dhe për të mos përmendur më tej. Pra, ju keni një situatë ku njerëzit ndryshojnë dhe politika qëndron. Dhe kushdo që përpiqet të bëjë një pyetje ose mendon ndryshe tërhiqet menjëherë në narrativën e luftës: antiserb, tradhtar, etj. Në thelb, asnjë politikë civile nuk është ndjekur ose po ndiqet në Serbi”, tha ai. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Beograd, 6. januara 2020 – Predsednik Lige socijaldemokrata Nenad Canak. Pravoslavni hriscani sutra proslavljaju rodjenje Isusa Hrista, a srpski politicari i drzavni funkcioneri pridrzavace se, kako su rekli za Tanjug, tradicije i Bozic proslaviti u krugu porodice. FOTO TANJUG/ JAROSLAV PAP/ bb

Kryeministri Kurti: Shteti i Kosovës i bashkohet festës së popullit dhe institucioneve të ShBA-ve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë.

Kurti, përmes një statusi në Facebook ka thënë se në këtë ditë, shteti i Kosovës i bashkohet festës së popullit dhe institucioneve të SHBA-së, partnerëve dh

Idetë dhe idealet më fisnike, besimi në liri, barazi dhe të drejta individuale, përfshirë të drejtën e çdo personi për të kërkuar lumturinë – që burojnë nga Deklarata e Pavarësisë së ShBA-ve, vazhdojnë të frymëzojnë popuj e individë anembanë botës.

Në këtë ditë të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shteti i Kosovës i bashkohet festës së popullit dhe institucioneve të ShBA-ve, partnerë dhe aleatë të pazëvendësueshëm në arritjet tona.

Gëzuar 4 Korrikun!/ KultPlus.com

Kurti përkujton 144 delegatët e Deklaratës Kushtetuese: Shëmbëlltyra e tyre, udhërrefyes për ne (VIDEO)

Më 2 korrik 1990 u miratua Deklarata Kushtetuese – gurthemel i pavarësisë së Kosovës. Miratimi i kësaj deklarate ishte padyshim një akt me rëndësi vendimtare për historinë më të re të Kosovës e të popullit shqiptar. Ky akt politiko-juridik ishte shprehje e aspiratave të popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi në rrethanat e reja që po krijoheshin asokohe ndër shqiptarët dhe në gjithë rajonin e Ballkanit.

Shuarja e autonomisë po shënonte fillimin e serbizimit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë paraqiste hyrje në një periudhë tepër të rëndë për shqiptarët të cilët po trajtoheshin, jo vetëm si qytetarë të rendit të dytë, por edhe po u nënshtroheshin torturave sistematike nga regjimi kriminal serb.

Sot, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka publikuar një video në faqen zyrtare në Facebook ku ka përkujtuar të gjithë delegatët e kësaj Deklarate.

”Para 31 vitesh, nën rrethimin e hekurt të tankeve e autoblindave të regjimit të Serbisë, triumfoi vullneti i lirë qytetar mbi legalitetin shtypës të Serbisë. Para dyerve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës, 111 delegatë miratuan publikisht Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e pavarur, si pararendëse e Republikës së parë të Kosovës. Nënshkrimi i kësaj deklarate, nga 114 delegatë, shprehte kërkesën e kombit shqiptar për liri dhe vetëvendosje politike në ish Jugosllavi.

Sot kujtojmë veprën e guximshme të delegatëve nënshkrues, që i mveshi ata me petkun e lavdisë së përjetshme. Në këtë 2 korrik të parë pa të, kujtojmë atdhedashësin artist, Adem Mikullovci, deputet i të dy republikave të Kosovës: asaj të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, dhe të 17 shkurtit 2008. Shëmbëlltyra e tyre, udhërrefyes për ne”, ka shkruar Kurti në mbishkrimin e videos. / KultPlus.com

​Kurti: Vepra e Qosjes është e pa moshë

Kryeministri Albin Kurti, mori pjesë në akademinë solemne në shënim të 85- vjetorit të lindjes së akademikut Rexhep Qosja.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti i uroi profesorit Rexhep Qosja jetë të gjatë dhe krijimtari të vazhdueshme, duke i dëshiruar që çdo përvjetor i ardhshëm të shënohet me suksese të tjera dhe realizim të aspiratave të përbashkëta tonat.

Ai theksoi se vepra e Rexhep Qosjes është e pa moshë, aktuale sot sikurse ka qenë në dekadat e shkuara. Ajo është burim frymëzimi për të rinjtë sot, sikurse ka qenë për të rinjtë e viteve ‘68, ’70-ta, ’80-ta, ’90-ta, që gjetën nëpër shkrimet e profesor Qosjes arsyen e motivimin për t’u ndjerë krenarë me identitetin shqiptar dhe për t’i rezistuar me trup e me mendje regjimeve shtypëse jugosllave e serbe.

Më poshtë gjeni fjalimi e plotë të Kryeministrit Kurti.

I nderuari Kryetar i Këshillit Drejtues të Kolegjit AAB, z.Lulzim Tafa,

I nderuari Rektor i Kolegjit AAB, z.Bujar Demjaha,

I nderuari Drejtor i Institutit Albanologjik, z.Hysen Matoshi,

Të nderuar profesorë Agim Vinca, Paskal Milo, Pëllumb Xhufi,

Zonja dhe zotërinj, motra dhe vëllezër, profesorë e studentë,

ju falënderoj për ftesën e dërguar dhe ju përgëzoj për nismën e qëlluar për shënimin e një përvjetori kaq të rëndësishëm sa edhe kuptimplotë e obligues për të gjithë neve.

Sot, na ka bashkuar Rexhep Qosja, na ka bashkuar 85-vjetori lindjes së tij, na ka bashkuar emri i shumërespektuar, vepra e tejvlefshme, shumëpalëshe, e shumëllojshme dhe kolosale si dhe trashëgimia e nduarnduarshme e shumësegmentore filozofike, pedagogjike, intelektuale, kulturore, krijuese, letrare e publicistike, politike dhe historike.

Më lejoni pra zonja dhe zotërinj, profesorë e studentë, dhe gjithë ju të pranishëm, që duke ju përshëndetur juve të gjithëve bashkërisht, të përshëndesim të gjithë tok, profesorin dhe akademikun, krijuesin e gjithanshëm dhe personalitetin tonë të madh Rexhep Qosja, t’i urojmë jetë të gjatë e të lumtur, t’i urojmë krijimtari të vazhdueshme, duke i dëshiruar që çdo përvjetor i ardhshëm të shënohet me suksese të tjera dhe realizim të aspiratave të përbashkëta tonat.

Urime profesor!

Sot pra nderojmë dhe urojmë akademikun Rexhep Qosja, në ditëlindjen e tij, shkrimtarin, studiuesin dhe intelektualin publik, emrin e përveçëm të veprës së tij monumentale, e cila tashmë është pasuri e të gjithë shqiptarëve dhe dëshmi e një kohe.

Rexhep Qosja duket sikur nuk ka moshë, sepse vepra e tij është e pa moshë, aktuale sot sikurse ka qenë në dekadat e shkuara. Ajo është burim frymëzimi për të rinjtë sot, sikurse ka qenë për të rinjtë e viteve ‘68, 70-ta, 80-ta, 90-ta, që gjetën nëpër shkrimet e profesor Qosjes arsyen e motivimin për t’u ndjerë krenarë me identitetin shqiptar dhe për t’i rezistuar me trup e me mendje regjimeve shtypëse jugosllave e serbe. Librat e Rexhep Qosjes dhe të shkrimtarëve dhe studiuesve të tjerë ngriheshin në duart e demonstruesve përballë shkopinjve dhe armëve të policisë dhe, siç na dëshmon historia e përbotshme, libri e pena janë kurdoherë fitimtarë.

Pena e librat e Rexhep Qosjes, Azem Shkrelit, Ali Podrimjes, Ukshin Hotit, Ismail Kadaresë e të tjerë shkrimtarëve e studiuesve kanë qenë armët tona, prandaj edhe në fund fituam ne.

Për veprën poliedrike të Rexhep Qosjes flet më së miri opusi i tij krijues dhe, ende i pa botuar tërësisht e i pa përfunduar, e që qysh tash përbën një bibliotekë të tërë në vete. Flasin edhe një mori veprash dhe qindra studimesh, esesh e artikujsh. Flasin edhe arkivat e pagjurmuara dhe ende të paklasifikuara.

Do të mjaftonte të vihet në peshore vetëm thesari krijues i Institutit albanologjik, themeltar dhe drejtues i të cilit ishte, për të dëshmuar peshën e pamatshme te kontributit jetësor të profesor Rexhep Qosjes.

Vepra e Qoses nuk ka moshë, sepse nuk ka moshë romanticizmi i Rilindjes Kombëtare, për të cilin ai ka shkruar studime të shumta, që na i kanë sjellë më pranë dhe na i kanë bërë më të dashur, madje të domosdoshëm, rilindësit tanë të shquar, sidomos Naim Frashërin dhe Asdrenin, e të cilëve profesor Qosja u ka kushtuar monografi të plota. Studimet e tij kritike nuk kanë qenë të kufizuara vetëm me epokën e Rilindjes, por kanë ndjekur me rigorozitet dhe përkushtim shkencor evoluimin e letërsisë moderne shqipe. Pena e tij e rreptë ndonjëherë mund të ketë zemëruar krijuesit e rinj, por si për t’u treguar atyre se ai mund të matej me ta në fushën e tyre, i barabartë me ta, Rexhep Qosja ka shkruar romane e drama që kanë shënjuar modernitetin e prozës shqipe, që nga Vdekja më vjen prej syve të tillë, Mite të zhveshura e deri te romani i tij i fundit Të fshehtat e treguara.

Sot i gëzohemi ditëlindjes së intelektualit publik që çështjen shqiptare e ka mbrojtur me guxim dhe dinjitet si në forumet e ish-federatës jugosllave, po ashtu edhe në ato ndërkombëtare. Veç titulli i librit Populli i ndaluar, botuar në vitin 1990, mjafton për të rrokur në një togfjalësh historinë e shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe si parathënie e asaj që do të vijonte në dy dekadat e ardhshme. Angazhimi i Rexhep Qosjes në politikën e Kosovës, me gjithë polemikat dhe kundërshtitë e pashmangshme, moskuptimet e mëritë që mund të ketë lënë te të tjerët, nuk është shkëputur aspak nga përpjekja intelektuale për ta ruajtur bashkimin shpirtëror të shqiptarëve dhe për ta ngjizur atë në program politik në rrethanat e kohës. Sërish titujt e veprave flasin vetë: Strategjia e bashkimit kombëtar, Ideologjia e shpërbërjes, Rilindja e dytë, Kosova dhe Shqipëria: Si janë dhe si duhet të jenë. Për sa kohë që përpjekja shqiptare për bashkim e përparim nuk është vetëm historike, por edhe aktuale, këto e të tjera vepra të Rexhep Qosjes nuk do të kenë moshë.

Edhe njëherë, i urojmë akademikut e intelektualit tonë të madh e të dashur të jetojë dekada të reja e të tjera, për ta parë idealin e tij të realizuar!

Ju faleminderit. / KultPlus.com

Ledian Shala fiton çmimin kryesor në Pianisti i Ri

Edicioni i 14-të i Festivalit “Painisti i Ri’, që u mbajt në Prizren, po konsiderohet si një ndër edicionet e suksesshme të këtij festivali, pasi që në këtë garë u sfiduan 150-të pianistë, shkruan KultPlus.

Në mbrë;mjen finale ishte i pranishëm edhe Albin Kurti, kryeministri i Republikës së Kosovës i cili në këtë mbrëmje ishte i shoqëruar edhe nga ministri i Ministrisë së Kulturës Hajrulla Ceku, dhe Sazan Cuakj, nga Komuna e Prizrenit.

“Interesimi në rritje i pianistëve të rinj dhe progresi i tyre ndër vite, është shtysë që festivali “Pianisti i Ri” të vazhdon traditën në profilizimin e pianistëve premtues. Një falenderim i veçantë i shkon Komunës së Prizrenit për mbështetje, shkollës së muzikës “Lorenc Antoni” për bashkëpunimin, si dhe jurisë profesionale për vlerësimin: Herton Mikeli, Shkelzen Baftiari dhe Gent Kumnova”, ka thënë Vlora Baruti, drejtoreshë e këtij festivali.

Ndërkohë, më të suksesshmit e këtij edicioni dolën këta pianistë: Çmimi i I-rë “Pianisti i ri 2021” (300€) – Ledian Shala, çmimi i II-të (200€) – Riola Susuri çmimi i III-të (100€) – Jona Pireva,  çmimi “Fahri Beqiri” – Luna Shema, çmimi “DAM Festival” – Ledian Shala. Kurse pjesë organizative e këtij edicioni janë:  Vlora Baruti – Drejtoreshë Artistike Agron Shujaku – Menaxher Yllka Shyti – Administratore./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti shijon kalldërmin e Prizrenit dhe viziton ekspozitën e Enver Hoxhajt

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot ekspozitën ‘Kalldërmi i Prizrenit’, me punimet e piktorit Enver Hoxhaj, shkruan KultPlus.

Kurti në këtë vizitë ishte i shoqëruar nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hajrulla Çeku.

Ai këtë e ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në Instagram, ku ka shkruar se ecja e përditshme mbi kubëza është e njëllojt sikur ecja historike e qytetit që është ngritur dhe pushon tek ato.

“Ecjet e përditshme harrestare mbi kubëza janë dhënë si ecje historike e qytetit që është ndritur dhe pushon tek ato, me ngjyra të forta të kujtesës së një piktori të dashuruar në Prizren”, ka shkruar ndër të tjera Kurti./ KultPlus.com

Kurti: Askush nuk është dënuar për dhunimet e luftës së fundit në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën Ndërkombëtare të Dhunës Seksuale në Konflikte, ka theksuar faktin se askush nuk është dënuar për gratë dhe burrat e dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, shkruan KultPlus.

Ai nëpërmjet një postimi në Twitter, ka thënë se drejtësia për viktima është e nevojshme për të lehtësuar vuajtjen dhe stigmën e heshtur të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.

“Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt kujtojmë se askush nuk është dënuar për mijëra gra dhe burra të dhunuar në Kosovë nga forcat serbe në 1998-9.

Drejtësia është e nevojshme për të lehtësuar vuajtjet dhe stigmën e heshtur të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës”, ka shkruar Kurti./ KultPlus.com

Kurti merr pjesë në koncertin e Filharmonisë së Vjenës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se ka përmbyllur Samitin e Ballkanit Perëndimor, me pjesëmarrjen në Koncertin e Filharmonisë së Vjenës në Schönbrunn, shkruan KultPlus.

Në një postim në Instagram Kurti, ka thënë se në koncertin e mbrëmshëm u ekzekutuan në një mënyrë të mrekullueshme veprat nga Verdi, Sebussy, Holst e shumë të tjerë.

“Samitin e Ballkanit Perëndimor e përmbyllëm mbrëmë si mysafir të Kancelarit Kurz në Koncertin e Filharmonisë së Vjenës të natës verore në Schönbrunn. Nën dirigjimin e Daniel Hardig dhe me pianistin Igor Levit u ekzekutua mrekullueshëm programi me vepra nga Verdi, Debussy dhe Holst, e me encore nga Beethoven dhe Sratub II”, ka shkruar ai./ KultPlus.com

Kroacia i përgjigjet Kurtit lidhur me mbrojtjen e monumenteve kulturore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar nga kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenković, përgjigje në letrën që Kurti i pati dërguar atij dhe kryeministrave e presidentëve të 56 vendeve të botës.

Në një njoftim të zyrës së kryeministrit thuhet se në këtë letër Kurti kishte shprehur pikëpamjet e Kosovës mbi trashëgiminë kulturore dhe rëndësinë e mbrojtjes së saj.

Në përgjigjen e kryeministri kroat thuhet se pajtohet plotësisht që historia kulturore e çdo vendi dhe personifikimet fizike të trashëgimisë së saj kulturore duhet të trajtohen gjithmonë me respektin e duhur dhe të mbrohen në të mirë të shoqërive tona në tërësi.

“Ne i vlerësojmë shumë përpjekjet tuaja për të respektuar dhe mbrojtur monumentet e rëndësishme në Kosovë, të cilat janë një pjesë e kësaj sixhadeje të pasur të trashëgimisë kulturore. Të ngrohë zemrën të dish se je i përkushtuar në këto përpjekje. Konservimi dhe pasqyrimi vibrant i trashëgimisë kulturore heterogjene të vendit tuaj padyshim që do të sigurojë një pjesë të çmuar të trashëgimisë kulturore globale”, ka shkruar Plenković.

Më tutje në njoftimin e zyrës së kryeministrit thuhet se kryeministri kroat ka shkruar se Kroacia mbetet e vendosur t’i japë pjesën e saj të duhur kësaj kauze madhështore, e cila mbetet po aq thelbësore për pajtimin, sa është edhe për paqen dhe stabilitetin e rajonit.

letrën e datës 20 maj 2021, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ua ka konfirmuar liderëve të 56 vendeve të botës (ndër to edhe Serbia) vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për të mbrojtur trashëgiminë e tërësishme kulturore, e në veçanti atë të komuniteteve pakicë, siç janë kishat ortodokse dhe manastiret.

Kryeministri u ka bërë thirrje atyre që të përkrahin Kosovën në rrugën e saj të zhvillimit, siç ka thënë ai, duke e parë trashëgiminë tonë të pasur kulturore si ndër argumentet më të forta të vlerës së shtuar, që vendi ynë ia sjellë komunitetit botëror të kombeve, njerëzve e kulturave” thuhet më tutje në këtë njoftim. / KultPlus.com

Kurti në 22 vjetorin e Misinit: Grupi ‘MAK’ ka meritat për popullarizimin e muzikës rok në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar sot në 22 vjetorin e vdekjes, njërin nga zërat emblematik të muzikës rok në Kosovë, Haki Misinin, shkruan KultPlus.

Kurti ka shkruar se Misini ishte ikona e rok muzikës dhe se grupi ku ai bënte pjesë, ‘MAK’ është një ndër grupet me krijimtarinë më të mirëfilt të rok muzikës në Kosovë.

Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë:

Sot 22 vite pa ikonën e rok muzikës Haki Misini

Dy anëtarë të grupit MAK, vokalisti Haki Misini dhe bateristi Mehmet Tupella janë vrarë gjatë luftës së fundit 1998-1999 në qytetin e Mitrovicës, tri orë para se të nënshkruhej marrëveshja për ardhjen e forcave të NATO-s në Kosovë. 

Trupi i këngëtarit Haki Misini u gjet në Suhodoll të Mitrovicës në vitin 2005, ndërsa Mehmet Tupella ende rezulton i zhdukur. Trishtimin që përjetoi familja, e shpjegon në një dokumentar edhe Urimi, djali i Haki Misinit.

Rok grupi MAK u formua në vitin 1973 dhe ka funksionuar deri në vitin 1978. Gjashtë anëtarët e këtij grupi ishin: Haki Misini, Mehmet Tupella, Rexhep Ismajli-Bulli, Halil Bajraktari, Sedat Isufi dhe Xhevdet Gashi. Grupi “MAK”, konsiderohet ndër grupet me krijmtari të mirëfilltë e të pasur të rok muzikës në Kosovë me merita të mëdha për popullarizimin e rok muzikës në vendin tonë.

Këngët e Hakiut vazhdojnë të interpretohen edhe sot nga artistë të ndryshëm, si “Moj e mira te pojata”, “Në syrin tënd pash një lot”, “Idila verore”, “Tri gota”, “Qenke rritë moj s’të zen këmisha”, dhe shumë këngë të tjera./ KultPlus.com

May be an image of one or more people and people playing musical instruments

Kurti për Mladiqin: Serbia e portretizoi si hero, mohimi i krimeve në Bosnje e Kosovë duhet të marrë fund

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas vendimit ku “Kasapi i Ballkanit”, Ratko Mlladiq, u dënua me burgim të përjetshëm për krimet e kryera mbi popullsinë civile në Srebrenicë, përcjell KultPlus.

Kurti tha se vendimi është një kujtesë se mohimi serb i krimeve të kaluara në Kosovë duhet të marrë fund.

“Krimineli famëkeq i luftës, Ratko Mlladiq, i njohur si ‘kasapi i Bosnjës dhe Hercegovinës’, dënohet me burgim të përjetshëm për gjenocid. Serbia e fshehu dhe e portretizoi atë si një hero. Por ky vendim është një kujtesë se mohimi serb i krimeve të së kaluarës në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë duhet të marrë fund”./ KultPlus.com

https://twitter.com/albinkurti/status/1402357096415469571?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1402357096415469571%7Ctwgr%5E%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fklankosova.tv%2Fkurti-burgimi-i-perjetshem-i-mlladiqit-eshte-nje-kujtese-se-mohimi-i-krimeve-ne-kosove-duhet-te-marre-fund%2F

Filmi ‘Luaneshat e Kodrës’ në Kanë, Kurti: Kosova po bënë histori

Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar sot se filmi nga Kosova “Luaneshat e Kodrës”, do të jetë filmi i parë i gjatë që do ta shfaqë premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë, përcjell KultPlus.

E pas këtij lajmi ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se Kosova po bënë historinë me përfaqësimin e parë në garën më të rëndësishme për kinematografi në Kanë me filmin ‘Luaneshat e Kodrës’ nga regjisorja Luana Bajrami

Tutje ai ka shtuar se regjisorja me veprimtarinë e saj në film ka dëshm që kreativiteti i rinisë sonë është një nga asetet më të fuqishme të këtij vendi.

Më poshtë mund të lexoni postimin e tij të plotë:

Kosova bën edhe njëherë histori me përfaqësimin e parë në garën më të rëndësishme për kinematografi në Kanë me filmin “Luaneshat e Kodrës” nga regjisorja jonë Luàna Bajrami.

Luana me veprimtarinë në film është dëshmi që kreativiteti i rinisë sonë është një prej aseteve më të fuqishme të vendit tonë, që i japin shpirt dhe frymëzim shoqërisë te ne dhe aktivisht e denjësisht e përfaqësojnë Kosovën në garë krah për krah me të gjithë akterët e botës në çdo rrafsh artistik e profesional.

Filmi i nominuar për garë me filma tjerë shpalos tregimin diku në një fshat të vogël në Kosovë, ku tri të reja shohin se si ëndrrat dhe ambiciet e tyre po u mbyten. Kërkimin e tyre për pavarësi asgjë nuk mund ndalojë: ka ardhur koha për luaneshat të ulërojnë. Ky është rrugëtimi që na e sjellë Luàna Bajrami përmes filmit të parë të saj. ‘Luaneshat e Kodrës’ do të jetë filmi i parë kosovar i metrazhit të gjatë që do ta shfaqë premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë, atë të Kanës.

‘Luaneshat e Kodrës’ është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin, dhe bashkëproducent Pascal Judelewicz.

Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga OrëZanë Films (Kosovë), Vents Contraires (Francë), dhe Acajou Productions (Francë).

Në rolet kryesore luajnë Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora dhe Luàna Bajrami. Premiera do të shfaqet në kuadër të programit Director’s Fortnight të Festivalit të Kanës./ KultPlus.com

May be an image of 2 people and text that says 'The Hul Where Lionesses Roar film by Luàna Bajrami quillAinE DES REALISATEURS Sociétédes réalisateurs de films CANNES'

Kurti uron ditën e fëmijëve me deklaratën e fëmijës që ishte viktimë e dhunës në familje: I kom ndihmu mamit me çelë derën për me ik prej babit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar ditën e fëmijëve, duke theksuar se janë zotuar të ndihmojnë fëmijët në varfëri, fëmijët që janë viktima të dhunës e ata që janë me nevoja të veçanta, shkruan KultPlus.

Kryeministri e ka shkruar këtë në një postim në Facebook ku ndër të tjera ka shkëputur një deklaratë të një fëmije që ishte viktimë e dhunës në familje.

“M’u dha ky fragment nga deklarata e një fëmije, viktimë e dhunës në familje: “I kom ndihmu mamit me çelë derën për me ik prej babit!”, ka shkruar ai.

Tutje ai ka shtuar se çdo akt i dhunës qoftë fizike, psikologjike a seksuale ndaj fëmijëve, duhet të trajtohet me seriozitet të lartë, përpos në nivelin institucional, edhe në atë socio-ekonomik e shoqëror.

Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë:

Në Ditën e Fëmijëve përuruam çerdhen e parë publike në Prizren, e më pas iu bashkuam fushatës “Bëhu mburoja ime’’ në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, që u lansua sot nga HANDIKOS.

M’u dha ky fragment nga deklarata e një fëmije, viktimë e dhunës në familje: “I kom ndihmu mamit me çelë derën për me ik prej babit!”.

Edhe kur kemi shkruar zotimet, edhe sot kur jemi në krye të shtetit, në mendje dhe zemër, i kemi para së gjithash fëmijët e vendit tonë, që janë e ardhmja jonë. Jemi zotuar që më së shumti e më së pari të ndihmojmë fëmijët në varfëri, fëmijët që janë viktima të dhunës dhe fëmijët me nevoja të veçanta, të cilët e kanë të domosdoshëm kujdesin e shtetit.

Çdo akt i dhunës qoftë fizike, psikologjike a seksuale ndaj fëmijëve, duhet të trajtohet me seriozitet të lartë, përpos në nivelin institucional, edhe në atë socio-ekonomik e shoqëror.

Do t’i trajtojmë me efikasitet procedurat e nevojshme pёr mbrojtjen dhe trajtimin e fёmijёve që kanë pësuar nga dhuna në familje. Qëndrojmë të hapur për bashkëpunim ndërinstitucional dhe shoqëror që të punojmë për fëmijët e vendit tonë./ KultPlus.com

Kurti në 68 vjetorin e themelimit të Institutit Albanologjik: Vullneti i studiuesve shqiptarë ishte më i madh sesa sfidat

Sot në 68 vjetorin e themelit të të Institutit Albanologjik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një statusi në faqen zyrare të Facebook-ut, ka përkujtuar Sadri Fetiun dhe bashkëpunëtorët e tij që jetën e tyra ia kushtuan gjuhës shqipe, përcjell KultPlus.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Kurtit:

Godina e Institutit Albanologjik të Prishtinës qe rrethuar nga forca të mëdha të policisë serbe, në marsin e ’94-ës. Një mezoburrë, me gjakftohtësi e guxim intelektual, përpiqej të bindte përfaqësuesit e regjimit se është e papranueshme ndërhyrja e politikës së dhunshme në një institucion shkencor. Por, dhuna është gjuha e agresorit.

Rezistenca e prof.dr. Sadri Fetiut dhe e bashkëpunëtorëve të tij, në mbrojtje të Institutit u shtyp me dhunë. Ata u nxorrën të përgjakur nga zyrat ku me vite shkrinë mundin e dijen për avancimin e studimeve albanologjike. Vullneti dhe këmbëngulësia e studiuesve shqiptarë ishin më të mëdha sesa sfidat. Arritën të organizoheshin sërish, duke vazhduar aktivitetet në rrethanat e rënda të pushtimit.

Profesor Fetiu, i doktoruar në “Poetikën e baladës popullore shqiptare”, u nda prej nesh tre javë më parë. Ai ishte albanologu i pakompromis, intelektuali i pathyeshëm dhe mbështetësi i parezervë i kolegëve e bashkëpunëtorëve. Si studiues i folklorit e letërsisë, mësimdhënës e drejtues i Institutit Albanologjik, në kohët më të vështira, profesor Fetiu ka dhënë kontribut të madh në shkencë e zhvillim të kuadrit shkencor.

Në datën e përvjetorit të 68-të të themelimit të Institutit Albanologjik të Prishtinës kujtojmë prof.dr. Sadri Fetiun dhe sakrificën e të gjithë studiuesve për të ruajtur e zhvilluar gjuhën, letërsinë, historinë, folklorin dhe etnologjinë shqiptare. / KultPlus.com

Dioqeza e Rashkës i kthen përgjigje Kurtit pas kërkesës për vizitë në Manastirin e Deçanit

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit i kanë kthyer përgjigje kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, rreth letrës së dërguar në adresë të Sava Janjiqit për të vizituar Manastirin e Deçanit.

Nga kjo Dioqezë kanë lënë të kuptohoet se përgjigja e tyre për kryeministrin rreth vizitës në Manastirin e Deçanit është negative, meqë thonë se një kërkesë dhe letër e tillë s’ka kuptim derisa nuk respektohen vendimet e mëparshme rreth pronave të Manastrit, përcjell KultPlus.

“Në lidhje me letrën, të cilën z. Albin Kurti e ka dërguar dje manastirit të Deçanit, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit vazhdon ta mbajë qëndrimin e saj të qartë se, nëse institucionet shqiptare të Kosovës duan të dëshmojnë minimumin e vullnetit të mirë për të respektuar të drejtat e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, ato janë të obliguar që të zbatojnë plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të vitit 2016, që i njeh pronësinë Manastirit. Ky vendim është injoruar vazhdimisht për 5 vjet,  pavarësisht kërkesave për zbatim nga Manastiri dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë.

Pavarësisht kësaj, Ministrit i planifikimit hapësinor i Qeverisë Kurti publikisht ka refuzuar vendimin e Këshillit për Zbatim dhe Monitorim të nëntorit 2020 në ndërtimin e rrugës tranzitore rreth zonës së mbrojtur të Manastirit. Minimi i këtij vendimi, që është miratuar me ndërmjetësim ndërkombëtar, i bie që po bëhet thirrje për shkelje të ligjit për Zonat e Mbrojtura.

Në këtë situatë, përgjigjja e letrave të tilla, pa respektim paraprak të vendime ligjore dhe zbatimit të ligjit, është komplet e pakuptimtë”, thuhet në përgjigjen e Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit.

Më poshtë gjeni letrën e plotë të Kurtit dërguar Sava Janjiqit. / KultPlus.com

Kurti i shkruan letër Sava Janjić-it, shpreh dëshirën e tij për të vizituar Manastirin e Deçanit

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, ka bërë të ditur se kryeministri Albin Kurti, i ka shkruar letër, Kryemurgut të Manastirit të Deçanit z. Sava Janjic, ku ka shprehur dëshirën për ta vizituar Manastirin e Deçanit ditëve në vijim.

Siç thotë Çeku janë duke pritur për të marrë përgjigje rreth kësaj vizite, teksa është zotuar se qeveria e Kosovës, është e interesuar për për mbrojtjen e gjithë trashëgimisë sonë kulturore, dhe në veçanti të kishave ortodokse në shtetin tonë.

Postimi i plotë:

Qeveria e Kosovës është maksimalisht e përkushtuar për mbrojtjen e gjithë trashëgimisë sonë kulturore, dhe në veçanti të kishave ortodokse në shtetin tonë. Dialogu me klerikët ortodoksë në Kosovë është rruga e vetme për zgjidhje të qëndrueshme.

Së fundmi, Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Albin Kurti i është drejtuar me një letër Kryemurgut të Manastirit të Deçanit z. Sava Janjić. Z. Kurti ka përsëritur zotimin e Qeverisë së Kosovës për mbrojtjen e kishave ortodokse dhe ka shprehur dëshirën e tij për të vizituar Manastirin e Deçanit ditëve në vijim. Ne ende jemi në pritje të përgjigjes për t’i diskutuar detajet praktike të kësaj vizite.

Sfidat tona të përbashkëta mund t’i adresojmë vetëm përmes komunikimit që fuziqon klimën e mirëbesimit. Retorika që nxitë urrejtje dhe përçarje mes komuniteteve nuk është zgjidhje dhe duhet të kundërshtohet nga të gjithë./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti kujton tmerret e Masakrës së Dubravës: Ranë bomba mbi 100 të burgosur

Sot në 22 vjetorin e Masakrës së Dubravës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se nga sot në oborrin e Burgut të Dubravës, pikërisht tek vendi i pushkatimit do të vendoset një lapidar në kujtim të të burgosurve të vrarë, të plagosur dhe të mbijetuar të kësaj masakre, përcjell KultPlus.

Kurti ndër të tjera ka theksuar se Masakra e Dubravës vazhdon të mbetet një prej episodeve më të tmerrshme të historisë së popullit tonë.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të Kurtit.

“Duhej të qëndronim në një rresht në një fushë betoni të futbollit rrethuar me roje. Rreth 100 njerëz ishin në një rresht. Qëndruam aty për dhjetë minuta, derisa ishim renditur të gjithë në një rresht. Pastaj, një burrë u ngjit në njërën nga kullat dhe dha urdhër për gjuajtje. Ne pamë gjithçka. Ishte një gjuajtje e njëtrajtshme njëzetminutëshe nga muret e larta 5 metra. Dhe gjithçka ishte e parapërgatitur. Mbanin në duar armë të llojeve të ndryshme. Gjuanin nga muret. Ranë bomba mbi secilin dhe njerëzit fluturonin. Kaosi ndodhi ndërsa të burgosurit iknin për t’u fshehur në ndërtesat e ndryshme të burgut, bodrumet e tyre ose sistemin e kanalizimeve të burgut.”

Kjo është vetëm një nga dëshmitë e shumta nga Burgu i Dubravës.
Masakra e Dubravës vazhdon të mbetet një prej episodeve më të tmerrshme të historisë sonë. 22 vjet më parë, më 22 maj 1999, forcat serbe për disa ditë ushtruan dhunë fizike dhe psikike mbi të burgosurit, para se t’i ekzekutonin më shumë se 100 prej tyre.

Të mbijetuarit nëpër vite kanë treguar tmerrin që kanë përjetuar në ato ditë, kur të gjithë janë mbledhur në fushë afër pavijonit të fundit dhe kanë kaluar orët të trembur, bashkë me të vdekurit.

Masakra e Dubravës është trajtuar vetëm në procedurën gjyqësore kundër Sllobodan Millosheviqit në Tribunalin e Hagës, proces ky i cili ka mbetur i papërfunduar.

Sot nuk shihet asnjë gjurmë nga kjo masakër, meqë pavijonet e Burgut të Dubravës kanë qenë ndër të parat që janë rindërtuar menjëherë pas luftës, duke pamundësuar kështu ruajtjen e gjurmëve dhe ngjarjeve që do të na shërbenin për kujtesën kolektive.

Mirëpo nga sot në oborrin e burgut të Dubravës, te vendi i pushkatimit, do të jetë një lapidar në kujtim të të burgosurve të vrarë, të plagosur dhe të mbijetuar të kësaj masakre që shënon një tjetër dëshmi të gjenocidit të Serbisë mbi popullin shqiptar në pranverën e vitit 1999. / KultPlus.com

Krerët e institucioneve të Kosovës i drejtohen UNESCO-s: Kosova është e gatshme për anëtarsim në UNESCO

21 maji shënon Ditën Botërore të Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim. Pikërisht në këtë ditë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se sipas rëndësisë që ka kjo ditë, ai, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani si dhe kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca i janë drejtuar UNESCO-S me një letër në të cilën janë sqaruar veprimet e institucioneve të Republikës së Kosovës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe promovimin e të drejtave kulturore të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Republikën e Kosovës, përcjell KultPlus.

Më poshtë gjeni letrën e plotë, të publikuar nga Kurti.

Sot është 21 Maji, Dita Botërore e Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim, e shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e UNESCO-s (Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë). Duke marr shkas nga rëndësia e kësaj dite, sot i jemi drejtuar UNESCO-s përmes një letre që e kemi nënshkruar bashkë me Presidenten znj. Vjosa Osmani Sadriu dhe Kryetarin e Kuvendit z. Glauk Konjufca. Në letrën tonë kemi shpjeguar veprimet e institucioneve të Republikës së Kosovës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe promovimin e të drejtave kulturore të të gjitha komuniteteve që jetojnë në shtetin tonë. Gjithashtu, në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës kemi artikuluar disa kërkesa konkrete.

Së pari, kemi kërkuar që katër monumentet e Kosovës që janë të listuara në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s (Manastiri i Deçanit, Patrikana e Pejës, Manastiri i Graçanicës dhe Kisha e Shën Premtes në Prizren) të largohen nga kategoria “në rrezik” pasi që rrethanat e sigurisë në Kosovë kanë ndryshuar tërësisht nga viti i largët 2006 kur këto monumente janë vlerësuar si të rrezikuara.

Së dyti, i kemi ftuar që të rishikojnë terminologjinë e vjetruar, pasi që në raportet dhe dokumentet e UNESCO-s edhe më tutje përmendet “Provinca Autonome e Kosovës” (tanimë Republika e Kosovës) dhe “Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë” (tanimë Institucionet Shtetërore të Republikës së Kosovës).

Së treti, kemi kërkuar nisjen e procesit për ndryshimin e palës shtetërore përgjegjëse për këto katër monumente, duke e larguar Serbinë dhe vendosur Kosovën në këtë përgjegjësi. Ndonëse në Listën e Trashëgimisë Botërore palë shtetërore për katër monumentet në fjalë është Serbia, ajo nuk ka asnjë kontroll real apo juridik mbi to, dhe rrjedhimisht nuk mund të përmbushë detyrimet e saj karshi UNESCO-s. Zyrtarët e UNESCO-s i kemi siguruar që sikurse deri tani, edhe në të ardhmen do të jemi të përkushtuar për të mbrojtur, promovuar dhe zhvilluar të gjitha kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë.

Së katërti, në emër të institucioneve të cilat i përfaqësojmë, kemi garantuar që Kosova është plotësisht e gatshme për anëtarësim në UNESCO, një e drejtë e mohuar para disa vitesh. Ne bësojmë që pamundësia për t’u anëtarësuar në vitin 2015 në mungesë të një numri shumë të vogël votash nuk duhet të shndërrohet në penalizim afatgjatë për Kosovën.

Ne jemi të vullnetshëm të bëhemi pjesë e familjes së madhe të UNESCO-s për t’i sjellë vlerë të shtuar njerëzimit përmes pasurisë sonë kulturore dhe për t’u bërë pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për paqe të qëndrueshme në botë. Ne besojmë në universalitetin e trashëgimisë kulturore, dhe si të tillë në potencialin përbashkues të saj. / KultPlus.com

Kurti në 22 vjetorin e zhdukjes së Ukshin Hotit: Drejtësia për të nuk ka nisur

Janë bërë sot plotë 22 vite nga zhdukja e veprimtarit të Lëvizjes Kombëtare, profesorit dhe intelektualit Ukshin Hoti, shkruan KultPlus.

Më 16 maj të vitit 1999 në rrethana ende të pa ndriçuara është zhdukur Ukshin Hoti.

Ukshin Hoti ka qenë edhe ligjërues ne disa universitete të Amerikës ku dhe kishte studiuar dhe diplomuar.

Në këtë datë, Hotin e ka kujtuar edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, duke u shprehur se përkundër që kanë kaluar 22 vite, fati i tij nuk është zbardhur, kurse drejtësia për të nuk ka nisur.

Tutje, Kurti ka potencuar që Hoti është në veprën që ka lënë pas e për çka shprehet se pasi t’i lexoni, nuk do të mendoni, studioni e veproni njësoj.

“22 vjet më vonë, fati i tij nuk është zbardhur kurse drejtësia për të nuk ka nisur. Të mungosh do të thotë të jesh. Diku tjetër, larg prej njerëzve që të duan. Ukshin Hoti është, edhe në veprën që ka lënë. “Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare”, “Bisedë përmes hekurash” dhe “Lufta e Ftohtë dhe Detanti” – tre libra, tri ditë lexim, pas të cilave nuk do të mendoni, studioni e veproni njësoj. Është më i madh se jeta”, shkruan Kurti.

Kujtojmë që Ukshin Hoti për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Milosheviqit. Për herë të fundit ishte arrestuar në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundra Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’ rast ishte dënuar 5 vjet burg.

Më 16 Maj të vitit 1999 pas lirimit dhe pas daljes nga qelia e burgut të Dubravës, zhduket nga polica serbe pa lënë gjurmë.

Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga masakra e Dubravës, disa ditë më vonë, kanë treguar se Ukshini ishte liruar nga burgu më 16 maj, ditën e diel, ditë që nuk praktikohej lirimi i të burgosurve.

Prej asaj kohe e deri tani, veprimtari i madh i çështjes kombëtare shqiptare, magjistri, filozofi, shkrimtari, publicisti, atdhetari i përkushtuar, Ukshin Hoti edhe sot e kësaj dite konsiderohet ende i zhdukur. / KultPlus.com

Fotografia nga profesori i historisë Durim Abdullahu.

Kurti bën homazhe: Ismet Bogujevci është kënga e rritur në fëmijërinë time

Këngëtari i njohur i këngës popullore shqipe, Ismet Bogujevci, vdiq ditën e djeshme duke lënë kështu të pikëlluar të gjithë ata që e njohën, qoftë personalisht apo përmes ekranit.

Për të nderuar figurën dhe punën e të ndjerit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me institucionin i Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve “Shota”, kanë organizuar sot një ceremoni komemorative ku edhe po  bëhen homazheve në Teatrin Kombëtar nga delegacionet shtetërore dhe komuniteti.

I pranishëm për homazhe ishte edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i cili në deklarimin para mediave pas homazheve, shpalosi dromca kujtimesh nga fëmijëria dhe admirimin që kishte për këngëtarin Bogujevci.

Ai tha se si fëmijë, teksa ndiqnin programin e vitit të ri në televizion, i prisnin me një mosdurim të gëzueshëm këngët e Ismet Bogujevcit dhe të Riza Bytyqit.

“Në vegjëli, se çka është martesa e mësuam prej prindërve, por edhe prej këngës ‘Martesa jonë’ të Ismet Bogujevcit. Edhe sot e kësaj dite kur e dëgjoj fjalën Kaçanik më ushtojnë veshët për shkak të vargut ‘ushton Gryka e Kaçanikut” të kënduar nga Ismet Bogujevci. E për Tefik Çangën, shumë kohë para se ta marr vesh se është emri i një fabrike të drurit në Ferizaj, dhe i një partizani të Luftës së Dytë Botërore, kam ditur ta këndoj ngapak duke e imituar Ismet Bogujevcin”, rikujtoi kryeministri Kurti.

Ai theksoi se këngëtari Bogujevci ishte njeri tejet i mirë dhe i dashur.

“Ashtu siç do të na mungojë fizikisht dhe do të kemi mall për të shumë kohë të gjatë, njashtu edhe kënga e tij do të rrojë jo vetëm me brezin tonë, por edhe me ata që do të vijnë”, tha kryeministri Kurti. / KultPlus.com

Zbarkimi i trupave të FSK-së në Kuvajt, Kurti: Një moment krenarie

Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës së bashku me Ushtrinë Amerikane kanë zbarkuar në Kuvajt, shkruan KultPlus.

Ky është misioni i parë ndërkombëtar i FSK-së, për të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është një moment krenarie dhe një hap i rëndësishëm përpara.

“Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është në misionin e saj të parë ndërkombëtar të bashkëpunimit me ushtrinë amerikane. Me vite mësim dhe trajnime, ne tani jemi gati të kontribuojmë në paqenë dhe sigurinë globale. Një moment krenarie”, ka shkruar Kurti në Twitter./ KultPlus.com