Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në shënimin e 577-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës, nga ky qytet, ka thënë se Kushtetuta e Kosovës nuk lejon bashkimin me Shqipërinë. Sipas tij, megjithatë një ide e tillë është dëshirë e të gjithë shqiptarëve dhe për ta arritur duhet të kalojë ende kohë.
“Politikëbërja te shqiptarët duhet t’i rikthehet Lezhës, ‘Besëlidhjes’ në mënyrë që edhe të dalim nga vështirësitë që kanë shqiptarët kudo dhe nga gjendja e rëndë e përgjithshme, por edhe të vendosemi në binarët e demokracisë e drejtësisë, zhvillimit e progresit, të cilat nuk e lënë asnjëri mbrapa”, ka thënë Kurti para gazetarëve në Lezhë. Ai ka porositur që Kosova e Shqipëria duhet të bashkërendohen drejt integrimit e bashkimit në tri fusha kryesore: Të sigurisë së përbashkët, energjisë dhe burimeve natyrore dhe atë të politikës së jashtme.
Për bashkimin kombëtar ai ka thënë se Kushtetuta e Kosovës paraqet pengesë, duke shtuar se për të bërë ndryshime të tilla duhet të kalojë kohë.
“Fatkeqësisht Kushtetuta e Kosovës e ka një kundërthënie në nenin 1.1 me nenin 1.3. Neni 1.1 thotë që Kosova është shtet i pavarur, sovran e demokratik e neni 1.3 na ndalon bashkimin me një shtet tjetër. Në këtë kuptim, pavarësia e Kosovës nuk e lejon në mënyrë kushtetuese bashkimin me një shtet tjetër të pavarur, siç është Shqipëria. Por njëkohësisht paraqet pengesë për integrim të llojit tjetër siç është ai evropian. Në Kosovë, kur s’kemi ligj për referendum dhe s’e ndryshojmë dot Kushtetutën tregon që duhet të bëjmë më shumë punë e do të kalojë ca kohë deri të arrijmë në atë pikë, por ajo është intenca historike dhe dëshira e shqiptarëve”, ka thënë Kurti. / KultPlus.com
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova në 13-vjetorin e pavarësisë së shtetit të Kosovës.
Të dy janë shprehur se në këtë ditë nderojnë figurat historike të shtetit të Kosovës.
“E nderuam arkitektin e pavarësisë së Kosovës. Njeriun që sublimoi dhe unifikoi kërkesat e qytetarëve të Kosovës për liri, pavarësi e sovranitet. Njeriun i cili hapi dyert e botës në mënyrë që zëri ynë të dëgjohet e kumbojë kudo”, ka thënë me këtë rast Osmani.
Në anën tjetër, Kurti, që në zgjedhjet e 14 shkurtit fitoi bindshëm, ka thënë se shpreson e beson që viti i ardhshëm të gjejë Kosovën me drejtësi, demokratizim e zhvillim.
“Sot kujtojmë personalitetet politike kombëtare, historike, që kontribuan në faza e mënyra të ndryshme. Vendosëm lule të freskëta te presidenti i parë i Republikës së parë të Kosovës, Ibrahim Rugova që ishte edhe presidenti i parë i Kosovës së çliruar. Në veçanti falënderojmë të gjithë qytetarët që kanë kontribuar për këtë ditë kaq të rëndësishme”, ka thënë ai. / Koha.net / KultPlus.com
Tenori i famshëm shqiptarë, Ramë Lahaj ka realizuar një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë në Instagram me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, shkruan KultPlus.
E nisur mbi diskutimin se Kurti kishte qenë përgjatë ditës së sotme në Istog, në qytetin prej ku ka edhe prejardhjen Lahaj, biseda vazhdoi tutje mbi çështjet e artit dhe kulturës.
Tenori nuk harroi përgjatë diskutimit të përmend edhe diasporën, si përkrahës të pandashëm individual e shtetëror.
“Mërgimtarët unë i kam pikë të dobët sepse unë i kam ata investitorë të mi. Jam jashtëzakonisht i kënaqur që ata nuk janë lodhur me neve, dhe prej tekave që ne herë pas here mund t’i kemi. E falenderoj mërgatën për kontributin e madh që e ka pasur për Kosovën”, është shprehur Lahaj.
Në anën tjetër, edhe Kurti s’ka lënë pa folur për këtë pjesë.
“Kurrë nuk arrijmë ta kalkulojmë kontributin. Nganjëherë ju them se ju jeni fajtor edhe për luftën çlirimtare edhe për paqen sociale, sepse asnjërën s’do ta kishim pa ju. Sa më shumë që marin pjesë në votim mërgata aq më e shëndetshme është demokracia”, ka thënë kandidati për kryeministër nga LVV.
Lahaj përmendi se vetë ideja e kësaj lidhjeje direkte nga ana e tij, ishte diskutimi për artin dhe kulturën, gjendjen institucionale e kolektive të këtyre dy sferave.
“Viteve të fundit e kam pasur fatin të udhëtoj nëpër disa kontinente ku kam performuar në sallat më me nam në të gjithë botën. Meqë unë nënën e kam ende në Istog edhe vijë në baza mujore”, tha Ramë Lahaj.
“20 vite pas lufte, më vie turp t’iu tregoj kolegëve që s’kemi akoma një Teatër Opere apo Drame, apo një Sallë Koncentrale. Unë e kam thënë disa herë që Prishtina është shumë mirë, do të mund të kishte një sallë universale ku do të kishim Teatër Drame, Teatrin e Operas dhe sallën koncentrale”, u shpreh Lahaj.
Lahaj përmendi se shumë shpesh është kritikuar nga kolegët dhe opinioni publik se po përzihet në çështje politike, mirëpo tenori tha se këtë e bën për gjendjen e vendit të vet.
“Unë reagoj si qytetar i atij vendi ku jam rritur aty dhe në fatin tim të zhvillimit profesional, kur kthehem në vendlindje dhe e sheh që edhe 20 vite prapa hapi është prapa, është vërtetë zhgënjeyese”, theksoi tenori i njohur kosovar.
Lahaj kërkoi premtim nga Kurti, duke thënë se edhe kjo ka qenë arsyeja e pjesëmarrjes në këtë lidhje direkte.
“Talentet që i kemi ne, ata që e zbulojnë veten dhe ata që i zbulon procesi arsimor, do të dekurajohen nëse nuk e kanë infrastrukturën bazike. Kjo është arsyeja që ne kemi thënë që do ta themelojnë Teatrin e Operas dhe Baletit si institucione të vetqëndrueshëm. Gjithashtu do të ideojmë Teatrin e ri Kombëtar”, premtoi Kurti.
“Është shumë interesant propozimi për një sallë universale , e cila do të mund të shërbejë me mundësi multifunksionale për gjinitë e ndryshme të artit”, tha kreu i LVV-së.
“Ne do të përqendrohemi që institucionet e artit të kenë një buxhet vetjak dhe të qëndrueshëm, të mos jenë linja buxhetore në kuadër të Ministrisë së Kulturës, por të jenë taman institucione të kulturës”, u shpreh Albin Kurti.
Një ide tjetër e përmendur nga kandidati për kryeministër qe edhe rrjetëzimi arsimor i institucioneve kulturore.
“Institcionet kulturore t’i lidhim me sistemin arsimor, për shkak se shumë shfaqje, koncerte që jipen fatkeqësisht janë të shkëptura nga sistemi arsimor dhe është shumë dëm që studentët e fakulteteve të catuara, pse jo edhe nxënësit e gjimnazeve nuk janë të organizuar shikues dëgjues vizitorë aty”, u shpreh Kurti.
“Përndryshe të gjithë talentët do na ikin e s’do kenë ku të kthehen”, tha Albin Kurti.
Tutje, Kurti çmoi edhe rolin promovues të artit të Lahajt për Kosovën.
“Ju keni investuar në imazhin e shtetit tonë, duke qenë edhe më shumë se ambasdor, ndonëse i pashpallur, por në anën tjetër është më shumë se ata që ju takojnë e dëgjojnë juve mendojnë se kush e di çfarë sallash kemi këtu, është e pikëllueshme në çfarë gjendje jemi”, tha ai.
Lahaj përmendi që së fundmi ka marrë pjesë në një workshop me Apostollovën, në të cilën ka parë talente të shumta, por që në vendin tonë i kanë mundësitë e kufizuara.
“Akoma jemi një vend ku nuk mund të lëvizim për ta bërë një audicion”, u shpreh tenori.
“Nuk është investuar në aspektin shtetëror për të bërë një film për luftën, për historinë tonë. Në njëfar forme historia jonë keq transmetohet. Është e dhimbshme, zhgënjyese”, përmendi Ramë Lahaj.
Kurti përmendi që te filmat shqiptarë kemi një dominim të regjisoreve gra, teksa edhe trajtimi i luftës për nga aspekti tematik është më i veçantë.
“Te filmat ka një lloj dominimi të regjisoreve gra, një lloj trajtimi i luftës nga pasojat që nuk kalojnë, si “Zgjoi”, “Shpia e agës”, “Zana”, tha ai.
“Është një lloj filli që i lidh këta filmi, që mua më ka tronditur sepse është pikëpamja e pasluftës për pasojat që ngelin me neve, një luftë e pasluftës”, u shpreh Kurti.
“Ndoshta është tipike për regjisoret gra, sepse ato e kanë vuajtur luftën, ndërkohë që mirënjohja për burrat ka qenë gjithmonë më dominuese, kurse janë pikërisht gratë ato për të cilat s’ka përfunduar lufta”, vlerësoi Kurti.
“Një luftë që ska përfunduar, në psikikën dhe në pasojat materiale të jetës së tyre, por besoj që kur kemi parasysh se sa shumë ka munguar përkrahja, sukseset janë shumë më tepër”, konkludoi Albin Kurti
“Për aspektin e talenteve të reja, këtu duhet më së shumti edhe me institucionet e artit e kulturës edhe me sistemin arsimor të punojmë që këto workshope të mos jenë fascinim e pikëllim por të ushqehen pastaj”, tha kreu i LVV-së.
Në anën tjetër, Kurti foli edhe më tej për institucionet kulturore të cilat premtoi se gjatë qeverisjes së tij do të jetësohen.
“Siç e thashë ne do ta themelojmë si institucione të vetqëndrueshëm Teatrin e Operës dhe Baletit, këtë po e them si institucione por jo si infrastrukturë fizike e materiale. Nuk është mirë të ndërtojmë diçka nën mesatare, mund të jetë edhe një sallë muntifunksionale, por kur ta ndërtojmë le të jetë mirë”, u shpreh Kurti.
“Ne duhet të ulemi me komunitetin artistik, njerëzit e kulturës, ta kemi një konkurs meritor edhe për arkitekturën edhe për multifunksionalitetin e saj. Nuk e kemi ndërmend ta bëjmë edhe punën e inxhinierit, arkitektit, muzikologut si Qeveri por duhet ta fusim për buxhetin e vitit 2022”, premtoi Kurti.
“Në formë të pashmangshme arti është mjet i përditshmërisë, pavarësisht pse nuk shkojmë në teatrin e dramës, filmit. Është përgjegjësi institucionale për t’i krijuar ato, dhe për të rinjtë, që ata t’i çojnë ëndrrat për talentet e tyre”, tha tenori shqiptar.
“Unë kam filluar studimet në moshën 21 vjeçare kur nuk kisha as bazë të muzikës, po do të doja për të tjerët që të ta kenë një teatër ku prindi i çon fëmijët për ta përjetu artin”, shprehi dëshirën e tij Ramë Lahaj.
“Në vitin 2021 po shpresoj të kemi një teatër të mirëfilltë, e jo një ku ende rrihet me kova për të mbuluar pikat e shiu, po ku edhe prindi ndihet krenar për ta dërguar fëmiun në teatër”, u shpreh tenori.
“Do të insistoja një lloj institucionalizimi të kësaj, duke shkuar shkollat fillore e të mesme në teatër, koncert e kështu me radhë. Ka mundësi që përmes arsimtarëve e profesorëve ta bëjmë një pjesë të mirë të punës sepse nganjëherë prindërit nuk e bëjnë këtë”, përfundoi Kurti.
Biseda mes tenorit dhe Kurtit përfundoi me shpresën se Lahaj i ka thënë brengat e komunitetit artistik dhe se kandidati i LVV-së do t’i realizojë premtimet e dhëna. / KultPlus.com
Ambientet e KultPlus Caffe Gallery tashmë kishin hapur dyert për të mirëpritur artistë e regjisorë të shumtë, të cilët tashmë po prisnin që të takoheshin dhe diskutonin për artin dhe kulturën me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, shkruan KultPlus.
Ishte gazetari Arbër Selmani ai që hapi mbrëmjen duke falënderuar të ftuarit, por edhe dy figurat kyqe të kësaj mbrëmjeje.
Teksa e tërë vëmendja tashmë ishte përqendruar pikërisht tek katërshja që qëndronte përballë komunitetit të artistëve, Vjosa Osmani filloi fjalimin e saj duke treguar se është çdo herë kënaqësi e madhe takimi me artistët.
Ajo shtoi më pas se ky vit ka qenë një vit i suksesshëm për filmin e Kosovës, duke potencuar filmin “Zgjoi”, me regji të Blerta Bashollit, por edhe duke vënë theksin në atë se përgjatë këtij viti, kultura dhe tradita shqiptare me një sukses të madh po i shpaloset botës.
“Ky vit ka qenë tepër i suksesshëm, e kemi suksesin e fundit me filmin “Zgjoi”, të Blerta Bashollit, sukses që na ka bërë krenarë të gjithëve. Pastaj, këto ditë po shohim se si Rita Ora do ta prezantojë traditën tonë, veshjet tona, nëpërmjet një videoklipi të ri, suksese këto që nuk janë të vetme, sepse nëpërmjet kulturës, artistët po promovojnë kulturën tonë”, ka thënë para të pranishmëve Osmani, e cila ka shtuar se edhe këtë vit shpreson në suksese të mëdha të komunitetit të artistëve, sukses që e kanë dëshmuar tash e shumë vite, e që sipas saj, për fat të keq, politikanët dukshëm kanë pas performancë më të dobët se sa komuniteti i artistëve.
Tutje ajo ka shtuar se përkrahja që do ti japin kulturës nuk do të jetë përkrahje vetëm për artistët, por një përkrahje për shtetin, sepse ky komunitet është imazhi dhe pasqyra më e mirë e një shteti. E sipas saj një shtet i mençur investon në një imazh të mirë, e briliant që artistët kanë ndërtuar përgjatë viteve.
Ndërkaq lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kuri shpalosi programin qeverisës të partisë së tyre, gjithnjë në fokus të artit dhe kulturës. A theksoi se në ketë program përfshihen institucionet e artit, krijimi i Teatrit te Operas dhe Baletit e shumë investime të tjera.
“Me qeverisjen tonë, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, institucionet e artit do të kenë buxhet vetjak dhe të qëndrueshëm, pra nuk do të varen nga Ministria në linja buxhetore. Teatri Kombëtar dhe teatrot e qyteteve do të kenë të garantuar financimin e rregullt dhe fondin e shtuar për projektet artistike. Njëjtë dhe për baletin, ansamblin dhe institucionet e tjera. Do ta themelojmë edhe Teatrin e Operas dhe Baletit si institucion të vetëqëndrueshëm”, deklaroi ndër të tjera Kurti.
Kurti shtoi se në plan programin e tyre zgjedhor përfshihet edhe shpëtimi i trashëgimisë në rrezik, por edhe mbrojtja e përhershme e aseteve të trashëgimisë kulturore.
Kurse Ardianë Pajaziti, kryeredaktore e KultPlus ka thënë para të pranishmëve se pikërisht në mbrëmjen e sotme, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery janë mbledhur artistë të profileve të ndryshme, që presin mbështetjen e institucioneve shtetërore për jetësimin e projekteve dhe ideve të tyre.
“Artistët vazhdojnë të jenë imazh i mirë i Kosovës, andaj, një mbështetje institucionale më e madhe ndaj këtij komuniteti, është shumë i rëndësishëm për artistët por edhe për imazhin e Kosovës”, ka thënë Pajaziti.
Më pas, Pajaziti bashkë me Osmanin dhe Kurtin kanë takuar veç e veç të gjithë artistët pjesëmarrës, të cilët edhe kanë treguar për idetë dhe mundësitë e bashkëpunimit në jetësimin e projekteve të ndryshme. Ndërkohë, të pranishmit kanë pas rast të shohin për së afërmi ekspozitën e Yllka Letit, ekspozitë që vazhdon të jetë e hapur në ambientet e KultPlus Caffe Gallery
(Ngjarja u mbështet nga Stone Castle, Fluidi, Birra Prishtina dhe Uji Dea) /KultPlus.com
Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka uruar presidentin e ardhshëm të Amerikës, Joe Biden, për fitoren në zgjedhjet për presidentin e 46-të të SHBA-së.
Kurti nuk harroi ta quaj Bidenin mik dhe aleat i vjetër i popullit të Kosovës.
“Urime për fitoren historike të Joe Biden, një mik dhe aleat i vjetër i popullit të Kosovës.
Udhëheqja juaj është e nevojshme për Amerikën ashtu si edhe për botën për të rivendosur besimin në demokraci, shtetin e së drejtës dhe dinjitetin njerëzor. Unë pres që të forcojmë marrëdhëniet tona”, ka shkruar ai ne Twitter.
Kujtojmë se Kurti doli publikisht pro Bidenti në zgjedhjet presidenciale dhe u bëri thirrje popullit shqiptaro-amerikan ta votojnë Bidenin. Veprim ky që nuk u prit mirë nga njohësit e çështjeve dhe analistët politikë.
Demokrati Joe Biden është zgjedhur presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas një garë të ashpër me republikanin, Donald Trump, i cili synonte të merrte edhe një mandate të dytë si njeriu i parë i Amerikës.
Biden në gjithë procesin e numërimit të votave ka qenë duke prirë, derisa vendimtare ka qenë përmbysja që i ka bërë në Trumpit në shtetin e Pensilvanisë.
Tashmë Biden ka mbi 270 vota elektorale, të cilat ia mundësojnë hyrjen në Shtëpinë e Bardhë si i pari i Amerikës.
Përgjatë historisë, Joe Biden, njihet për afërsinë dhe miqësinë shumë të ngushtë me shqiptarët, sidomos me Kosovën.
Përgjatë viteve të 90-ta, ai ka qenë avokues i madh i lirisë së Kosovës dhe kishte kërkuar me ngul që SHBA të bombardonte Serbinë./ KultPlus.com
Protestat e 1 tetorit të vitit 1997 kanë luajtur rol të madh në atë se si sot është formuar shoqëria kosovare. Kanë kaluar mbi 20-të vite qëkur studentë e Universitetit Paralel asokohe të Prishtinës protestuan për të drejtat e tyre, dhe për të drejtat e njeriut kosovar në Kosovën e atëhershme.
Lëvizja Studentore e 1997 e drejtuar nga Bujar Dugolli, Milot Cakaj, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi, Hajrullah Koliqi, Fetah Jagxhiu, Ahmet Gecaj dhe Albin Kurti, e përkrahur dhe nga rektori historik i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, si dhe nga disa profesorë, i pati dhënë fund politikës paqësore të popullit shqiptar ndaj regjimit serb.
Kjo lëvizje vlerësohet se ka sensibilizuar opinionin ndërkombëtar se UÇK-ja buronte nga populli liridashës i Kosovës.
Me 1 tetor 1997, mijëra studentë por edhe nxënës të shkollave të mesme dhe qytetarë të shumtë kishin protestuar në Prishtinë për të kërkuar lirimin e objekteve të UP-së nga regjimi serb, i cili i kishte dëbuar studentët shqiptarë nga objektet e tyre universitare.
Fotografitë në këtë tekst janë marrë nga Prishtina Film Rolls në Instagram./ KultPlus.com
Protesta e Lëvizjes Studentore, më 1 tetor 1997 vlerësohet si pikënisje e kthesës së madhe historike, që po vinte për Kosovën.
Regjimi që ishte vendosur vite më parë në universitet, dëboi studentë e profesorë nga universiteti dhe imponoi plan-programin serb për mësim. Këto protesta konsiderohen si një ndër aktet më të rëndësishme të asaj kohe.
Lëvizja Studentore e 1997 e drejtuar nga Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi dhe Albin Kurti, e udhëhequr dhe nga rektori historik i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, si dhe nga disa profesorë, i pati dhënë fund politikës paqësore të popullit shqiptar ndaj regjimit serb.
Përmes një statusi në Facebook Albin Kurti ka kujtuar këtë ditë të rëndësishme duke u shprehur se para 23 viteve ishim të rinj e pa perspektivë, por jo edhe të pashpresë. Ai tutje ka shkruar se gjenerata e studentëve të 1 tetorit 1997 janë të rinjtë e kohërave të zymta të apart’heidit.
Për Kurtin, cdo 1 tetor studentët e ditëve të sotme duhet të marrin mësim nga studentët e protestave të 1 tetorit 1997, të kultivojnë vullnet për liri e dëshirë për dije, e të jenë gjithmonë në anën e kombit e në anën e së drejtës brenda dhe jashtë universitetit.
Postimi i plotë i Kurtit:
Para 23 viteve ishim të rinj e pa perspektivë, por jo edhe të pashpresë.
Ishim studentë të një universiteti që konsiderohej paralel e i krijuar nga shqiptarët, të cilëve arsimi i lartë nuk u lejohej në Kosovë.
Mësimin e mbanim në shtëpi të njerëzve zemërgjerë që i kishin lëshuar përkohësisht ato për ne. Aktivitete jashtë universitare pothuajse nuk kishte fare. E ato pak aktivitete që i kishim, ishin të kufizuara nga orët policore apo patrullat e policëve. Te fytyrat e prindërve tanë shihnim një brengë të pafundme për të ardhmen tonë të pasigurt.
Gjenerata e studentëve të 1 tetorit 1997 janë të rinjtë e kohërave të zymta të apart’heidit.
Por pavarësisht këtyre rrethanave, ne kishim dëshirë të madhe për mësim e lexim. Kishim vullnetin e shkëlqimin rinor të cilat na shtynë që të përpiqemi për liri, të bëjmë rezistencë aktive e ta marrim vëmendjen e botës më 1 tetor 1997.
Që atëherë, çdo 1 tetor kujtojmë ditën kur 20 mijë studentë në Kosovë të veshur në të bardha, me parulla si “Merrni frymë sikur ne”, “Lirim i pakusht i objekteve universitare!” dhe “E nesërmja flet sot, nesër vonë!” marshuan për të kërkuar lirimin e ndërtesave dhe hapësirës universitare nga regjimi i atëhershëm serb.
Çdo 1 tetor përkujtojmë intelektualin që na priu në protestat e 1997-s, rektorin e Universitetit dhe akademikun e rezistencës që asnjëherë nuk u zmbraps, Prof. Ejup Statovcin.
Çdo 1 tetor studentët e ditëve të sotme duhet të marrin mësim nga studentët e protestave të 1 tetorit 1997, të kultivojnë vullnet për liri e dëshirë për dije, e të jenë gjithmonë në anën e kombit e në anën e së drejtës brenda dhe jashtë universitetit. / KultPlus.com
Liqeni i Ujmanit është një liqen artificial që shtrihet në veriperëndim të Kosovës dhe një pjesë e vogël e liqenit kalon ne territorin e Serbisë. Liqeni i Ujmanit ka një sipërfaqe prej 11.9 km2 (4.6 mi) nga të cilat 9.2 km2 në territorin e Kosovës dhe 2.7 km2 (1.0 mi) në territorin e Serbisë. Liqeni është formuar nga rrëzimi i lumit Ibër, i cili rrjedh në liqen.
Liqeni i Ujmanit është bërë shpesh temë diskutimi se kuj i takon, përkundër që në secilën formë dihet që Liqeni i Ujmanit i takon Kosovës.
Për këtë pasuri natyrore të Kosovës, sot ka reaguar edhe Albin Kurti, i cili ka shkruar se Ujmani është tokë e Kosovës në territor të Serbisë. Por, edhe atje ai është i Kosovës.
Sipas Kurtit, Ujmani s’ka kontest, as nuk ka për çfarë të përdoret nga Serbia, as si e drejtë dhe as si aset, sepse nuk i ka takuar kurrë asaj dhe as nuk është ndërtuar për pjesë apo zona të saj.
Ujmani pra nuk i takon Serbisë e madje as nuk i duhet Republikës së Serbisë. Ujmanin duket që e kanë veçse për ‘Zajednicë’, si ujë për ‘Zajednicë’. Ujmani është tokë, ujë dhe energji e Kosovës, nga Kosova, për Kosovën.
KultPlus ju sjellë reagimin e plotë të Kurtit:
“Ujmani nuk është pasuri natyrore por liqe artificial. Ujmani është pasuri, sepse është pasuri e Kosovës; jo pasuri natyrore, sepse i ndërtuar nga dora e njeriut. Ujmani nuk është ujë, Ujmani është tokë, sepse njëherë është tokë e pastaj ujë. Ujmani është tokë e mbushur me ujë.
Sipërfaqja e plotë mbi cilën është ndërtuar Ujmani është pronë e Kosovës. Kadastri, pra pronësia, shtrihet më tej se kufiri shtetëror i Republikës së Kosovës me Serbinë. Andaj Ujmani edhe në territorin e Serbisë është i Kosovës. Ujmani është tokë e Kosovës në territor të Serbisë. Por, edhe atje ai është i Kosovës.
Planifikimi, projektimi dhe ndërtimi janë bërë me shpallje të interesit të Kosovës, me mjete të Kosovës, i destinuar për Kosovën, në kohën kur Kosova ishte krahinë socialiste autonome e federatës.
Ujmani nuk është liqe natyror. Aty para ujit ka pasur toka, të cilat i ka shpronësuar Kosova, sipas ligjeve në fuqi dhe ka paguar shtrenjtë për to.
Nuk ka pasur kontest me dikur republikat (sot shtete), pasi u shpërbë federata.
Ujmani nuk është ndërtuar në bashkëpunim me Republikën tjetër (sot Serbia), as nuk ka pasur për destinim përdorimin e ujërave të grumbulluara në të nga të dy etnitet asokohe brenda federatës (sot shtete të pavarura), por vetëm dhe vetëm të Kosovës. Këtë e vërteton çdo dokument zyrtar, por edhe projektimi i këtij kompleksi ujor-energjetik.
Fakti që nga pikëpamja e kufirit shtetëror ka pjesë të liqenit artificial të Ujmanit, pra tokave, në territorin e Serbisë, nuk thotë asgjë për pronësinë e tokës mbi të cilën sot ka ujë – ajo është aset i ndërmarrjes publike me qeverinë si 100% aksionare në emër të Republikës sonë. Ujmani është çështje prone, jo kufiri.
Ujmani nuk është rasti i liqenit natyror të Shkodrës, ku vet liqeni është ndarë midis shteteve, apo i liqenit tektonik të Ohrit. Por as nuk është rasti i marrëveshjes ndërkombëtare për shfrytëzimin e ujërave dhe më pas blerjen e tokës si te liqeni i Vërmicës në rastin e Shqipërisë me atëbotë Jugosllavinë.
Nuk ka pasur dhe as nuk ka për Ujmanin asnjë kontest të natyrës ndërkombëtare apo që lidhet në ndonjë formë me të drejtën ndërkombëtare të ujërave. Sepse askush nuk ka kontest për rrjedhën e lumit i cili e mbush një pjesë të liqenit tonë artificial.
Koha kur Serbia mund të nxirrte pretendime për këtë kompleks siç është Ujmani ka qenë para më shumë se 40 vjetëve, kur shpallej interesi i Kosovës për projektim dhe shpronësime për këtë qëllim në nivel të federatës. Nuk mund të simulohet kontesti i pabërë 40 vite më parë sot më 2020. Sepse nuk ekziston më asnjë e drejtë. Gjithçka është ratifikuar në nivel federate në atë kohë dhe çështja është e mbyllur.
Kushdo që po flet për Ujmanin si “ujëra që duhen ndarë” përveç që po ia ndihmon Serbisë të krijojë nga hiçi një kontest të pronësive të Kosovës, njëkohësisht edhe po e shtron rrugën që të zgjidhet keq çështja e demarkimit të kufirit kurdo që ajo ndodh.
Ujmani s’ka kontest, as nuk ka për çfarë të përdoret nga Serbia, as si e drejtë dhe as si aset, sepse nuk i ka takuar kurrë asaj dhe as nuk është ndërtuar për pjesë apo zona të saj.
Ujmani pra nuk i takon Serbisë e madje as nuk i duhet Republikës së Serbisë. Ujmanin duket që e kanë veçse për ‘Zajednicë’, si ujë për ‘Zajednicë’.
Ujmani është tokë, ujë dhe energji e Kosovës, nga Kosova, për Kosovën. / KultPlus.com
Aktori i njohur Adem Mikullovci vdiq në mëngjesin e sotëm në moshën 82-vjeçare, duke lënë kështu të pikëlluar të gjithë ata që e njohën e e deshën edhe nga ekrani.
Aktori Mikullovci ka lindur në vitin 1939 në Vushtrri, kurse përgjatë jetës së tij ka luajtur në shumë projekte filmike, teatër, komedi dhe shumë performanca të tjera artistike.
Për Mikullovcin, me anë një statusi në Facebook, ka shprehur dhimbjen e tij edhe Albin Kurti i cili ka shkruar se Mikullovci ka kohë që ka bashkëjetuar me vdekjen, por për shkak të gjallëri që posedonte nuk kishte si të vdiste ndryshe, përpos papritmas.
“Moti është ballafaquar me vdekjen, ka kohë që ka bashkëjetuar me vdekjen. Njeri mendërisht më aktiv nuk kam takuar. Ai nuk mund të mos mendonte vazhdimisht. Aq i gjallë ishte saqë vetëm papritmas mund të vdiste”, ka shkruar Kurti.
Ai nuk ka lënë pa përmendur faktin që Mikullovci u shua në ditën ndërkombëtare të Demokracisë. Kurti ka shkruar se ai ishte deputet i dy republikave të Kosovës, asaj të 2 korrikut 1990 dhe 17 të 2008-ës.
“Sot, në ditën ndërkombëtare të demokracisë, u nda prej nesh Adem Mikullovci, deputeti i të dy republikave të Kosovës: i asaj të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, pra përfaqësues i republikës-për-rezistencë; dhe, i asaj të 17 shkurtit 2008, në legjislaturën e gjashtë të pasluftës në Kosovë”, ka shkruar ai tashmë për të ndjerin Adem Mikullovci.
Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë:
Lamtumirë Çaplini ynë!
Moti është ballafaquar me vdekjen, ka kohë që ka bashkëjetuar me vdekjen. Njeri mendërisht më aktiv nuk kam takuar. Ai nuk mund të mos mendonte vazhdimisht. Aq i gjallë ishte saqë vetëm papritmas mund të vdiste. Sot, në ditën ndërkombëtare të demokracisë, u nda prej nesh Adem Mikullovci, deputeti i të dy republikave të Kosovës: i asaj të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, pra përfaqësues i republikës-për-rezistencë; dhe, i asaj të 17 shkurtit 2008, në legjislaturën e gjashtë të pasluftës në Kosovë.
Para së gjithash, Adem Mikullovci ishte artist i angazhuar. Regjisor, skenarist, aktor, të gjitha dhe gjithçka në skenë e në film. Shumë herë i arrestuar e i maltretuar nga policia serbe gjatë viteve ’90. Për mua është i paharrueshëm me filmin “Një pallto për babain tim në burg” dhe vështirësitë për xhirimin e atij filmi nën okupim. Mbase për secilin film, dramë a komedi të Adem Mikullovcit mund të bëhet edhe një film, dramë a komedi tjetër mbi peripecitë e realizimit.
Vitin e kaluar m’i dha veprat e tij tejet të vlefshme “Oda e Junikut”, “Qëndresa” si dhe burleskat fantastike nga vitet 2005 dhe 2006.
Adem Mikullovcin në Lëvizje e kishim shok e gjysh, koleg e prind. Entuziazmi i tij për neve ishte inspirues. Kujtimi ynë për të është i pashlyeshëm.
Jetoi sipas vetes, për të tjerët. Prehu i qetë Baca Adem. Nderime përjetë Çaplini ynë./ KultPlus.com
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se po vazhdon viktimizimi i familjes së Ukshin Hotiti përmes publikimit të informacioneve të pakonfirmuara. Ka thënë se shteti duhet të reagojë dhe të shikojë vërtetësinë e këtyre dokumenteve.
Ky reagim i Kurtit ka ardhur pasi RTK, një natë më parë, publikoi një dokumentar, ku jepen detaje të reja, bazuar në dokumente serbe, se si është vrarë e zhdukur Ukshin Hoti.
“Informacione të tilla shkaktojnë dëm të vazhdueshëm emocional dhe psikologjik te familja e Ukshin Hotit, tek ata që e njohën dhe e duan, dëm ky që vjen direkt si rezultat i krimeve të kryera nga Serbia. Kjo çka po i bëhet familjes Hoti me informacione të tilla, është viktimizim i vazhdueshëm. Familja dhe e gjithë shoqëria meriton përgjigje, ashtu siç meritojnë të gjitha familjet e secilit person që ende mungon”, ka shkruar Kurti, në një reagim në Fb.
Ish-Kryeministri ka bërë thirrje Kryeministrit Hoti, Ministrit Selimi të angazhohen më shumë për zbardhjen e të pagjeturve në mesin e të cilëve është edhe Ukshin Hoti.
“Ka disa orë që në publik po qarkullon një dokument që thuhet se ka rrjedhur nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë. Sipas këtij dokumenti aludohet se Ukshin Hoti është vrarë, e më pas kufoma e tij është djegur me eksploziv dhe më tej është fshehur për të humbur gjurmët e krimit. Janë të pamohueshme krimet makabre që Serbia ka kryer në Kosovë gjatë luftës. Por në këtë rast, organet relevante në Kosovë (Ministria e Drejtësisë e Kryeministria, Departamenti për Krime Lufte i Prokurorisë Speciale, dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur), urgjentisht duhet të koordinohen dhe të marrin hapat e duhur që të përcaktojnë vërtetësinë e kësaj informate kaq të rëndësishme”, ka shtuar ai.
“Kosova duhet t’i ketë prioritet krimet e kryera gjatë luftës. Kjo situatë duhet të na kujtojë kolektivisht që është e papranueshme bërja e pazareve në bisedime me Serbinë, për më shumë që vijon të ngelet i pasqaruar fati i të zhdukurve. Është momenti i fundit që Kosova të tregojë seriozitetin e saj në raport me ballafaqimin me të kaluarën”, ka shkruar Kurit.
Më poshtë mund t’i shihni dokumentet.
Në bazë të dokumentave të ushtrisë dhe policisë serbe që i ka siguruar redaksia e “Udhëve”, ditën që ishte nxjerrë nga Burgu I Dubravës, Ukshin Hoti nuk ishte liruar. Fillimisht u rrëmbye. Më pas Ukshin Hoti ishte vrarë e masakruar në mënyrën më makabre nga policia serbe e asistuar nga Ushtria Jugosllave. Kështu thuhet në dokumentet e siguruara nga redaksia e “Udhëve”, të cilat kanë vulën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, departamenti i hetuesise për krime lufte.
Ditën kur ishte liruar, te dera e burgut e kishin pritur pjesëtarë të sigurimit shtetërorë serb. Jozyrtarisht thuhet se ishte Sreten Cemoviq, pjesëtar i sigurimit shteteror serb me kodin 9787960, ai qe e priti te dera e burgut. Cemoviq shpeshherë kamuflohej edhe si gazetar. Në një dokument zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, me numër protokolli 03/4-3-1 SB nr.270/13, të datës 4 tetor të 2013 poashtu të siguruar nga redaksia “Udhëve”, një person të cilit ky dokument i referohet si personi X-1, që ishte dëshmitar i rastit, kishte zbardhur gjithë ngjarjen që kishte ndodhur me Ukshin Hotin në majin e vitit 1999.
Personi X-1, kishte qartësuar mënyrën e kryerjes dhe përpjekjen për fshehjen e krimit nga policia dhe ushtria serbe në rastin e Ukshin Hotit por edhe disa vrasjeve të tjera në rajonin e Pejës. Ky person përmes fotografive kishte identifikuar shtëpinë, dyert e shtëpisë, oborrin e shtëpisë dhe si ishte vrarë Ukshin Hoti. Personi X-1 pa menduar dy herë ka pohuar që ka njohur në fotografinë me numër 1 dhe 2 derën e hyrjes prej druri në oborrin e shtepisë së një shqiptari. Deshmitari e përshkruan vendin e krimit dhe jep detaje per deren dhe oborrin siç i kishte pare në maj të vitit 1999. Pas luftës ai mur është ndertuar me blloka të betonit, pasi që shtëpia ishte djegur gjatë luftës.
Qytetari X-1 më pastaj ka sqaruar që në fotografinë numër 3 ka njohur pamjen e oborrit e cila ishte e drejtuar ka gardhi i oborrit dhe rruges lokale e cila kalon skaj shtëpisë së përmendur. Personi X-1, e ka vizatuar skicën e vendit të ngjarjes dhe në të cilën në mënyrë të detajuar ka sqaruar me hollësi planifikimin e brendshëm të atëhershëm të oborrit të shtëpisë: porta hyrëse përmes së cilës hynë në oborr ku në anën e djathtë të portës hyrëse ai pa 2 kufoma në ndërtesë, pastaj para një shtëpie më të vogël në oborr 1 kufomë. Kufomat në skicë janë shënuar me x. Ai sqaron se kufoma e Ukshin Hotit përfundimisht ishte mbështjellë me qese najlloni në oborrin e shtëpisë së përmendur dhe ishte marrë nga ana e djathtë e portës hyrëse në fund të oborrit nga një shupë ose shtallë, ku më pas gjetën disa dru ose pisha të thara. Kufoma e Uksin Hotit shënohet me + në skicë, sipas këtij dokumenti zyrtar të policisë serbe.
Ky dëshmitar i ngjarjes thotë më tej se e vendosën kufomën pranë atyre pemëve, dhe me një sasi të vogël eksplozivi ia shpërthyen kokën dhe të dy duart e kufomës së Ukshin Hotit dhe më pas ata e mbuluan kufomën me pemët e përmendura dhe e dogjën për të fshehur krimin. Gjatë gjithë kohës kur pjestarët e MUP-it të cilët kryenin masakrat dhe veprat makabre mbi civilët shqiptarë që ishin në oborrin e asaj shtëpie, në rrugën lokale të shënuar në skicë, ishin të siguruar nga ushtarë të ushtrisë jugosllave të udhëhequr nga Komandanti Milićko Janković. Të gjitha këto të dhëna thuhen në dokumentin e siguruar nga redaksia jonë./ KultPlus.com
Profesori universitar, Milazim Krasniqi ka shkruar në Facebook se për herë të parë po pajtohet me kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin, ndonëse nuk kishte besuar se do të pajtohej me të për ndonjë gjë.
Krasniqi ka mbështetur Kurtin, në deklaratën e këtij të fundit lidhur me arsimin e dobët dhe mungesën e leximit në Kosovë.
Postimi i plotë:
Prandaj thonë: “Kurrë mos thuej kurrë!” Kam menduar se kurrë nuk mund të pajtohem me Albin Kurtin për ndonjë gjë, por ja që pajtohem me të, lidhur me arsimin e dobët, mungesën e leximit dhe dijen si vlerë. Ani kur ia pashë në dorë librin e Konstandin Kavafisit, u ngashëreva, sepse ai është njëri nga poetët që i pëlqej shumë. Veçmas poezia e tij “Duke pritur barbarët” është antologjike.
Po përmirësohemi të gjithë, po shihet. Në fakt, vetëm ata që kanë fuqi të përmirësohen, mund të bëhen fitimtarë. Ndërsa kushdo që përsëritë gabimet e veta, edhe nga fituesi shndërrohet në humbës. Arsimi i mirë dhe dija e mirëfilltë kështu na mësojnë. / KultPlus.com
Për vdekjen e Moikom Zeqos, njeriut që kulturës dhe artit shqiptar i la gjurmë të mëdha, ka reaguar edhe ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili përmes një statusi të tij shprehi një adhurim dhe përulje të madhe për figurën e Zeqos, shkruan KultPlus.
Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Kurtit.
”[6/15, 05:03] Moikom Zeqo: Përshëndetje! E paimagjinueshme, Moikomi na la!
(Moikomi na la! Nuk po e kuptoja. Moikomi fliste për veten?!)
[6/15, 05:04] Moikom Zeqo: Jam Lida, e shoqja, që po ju shkruaj.
(Nuk po e përcillja mesazhin. Mbrëmë kisha në duar librin e tij të fundit: Centauri i fundit.)
Moikomi është shkrimtari ynë që ka shkruar e lexuar tejet shumë, si rrallë ndonjë tjetër. Nuk do të ketë pasur kohë për tjetër gjë. I tretur midis librave për të ringjallur ato. Mënyrë, shpejtësi ekzistence. Në tri kohë: prej librit, te biseda, te shkrimi. Vinte prej emrave të personazheve, te titujt e librave, te biografitë e shkrimtarëve. Endej nëpër rrënoja si nëpër skenografi të pafundë. Ndoshta profesioni i parë ia kishte ushtruar këtë cilësi prekjeje të emrave si të ishin gjëra të thyeshme, si sendet e lashtësisë. Bota e merrte në të thënat e Moikomit një distancë skene dhe ti ishe me të bashkë në sallë, në sallën e skenës së botës. Gjithë llojet e emrave kalonin në skenë, të montuar sipas një stili surrealist.
Unë, ndoshta ne, pra edhe të tjerët, e shihnim si të ishte narratori. Aq i veçantë saqë i vetmuar, por gjithnjë solidar saqë bashkë-aktivist. Me dije të gjerë ngaqë kureshtar porsi fëmija më kureshtar. Me kulturë të thellë ngaqë i mësuar nga veprat kulmore artistike.
Kështu u krijua ai si enciklopedi e gjallë – nga historia antike dhe qytetërimet e lashta jashtevropiane te romanet e gjuhës të shekullit XX, pasion i pandërprerë. Edhe i sëmurë punonte e mendonte njësoj. Sëmundja e tij e rëndë ishte e pavërejtshme. Moikom Zeqo ishte shkrimtar i ethshëm.
Ishte ministër kulture, deputet kuvendi, drejtor muzeu. Para së gjithash ishte lexues që studion, kjo specie në zhdukje. Mbi të gjitha ishte shkrimtar që lexon, ky zanat i shpërfillur.
“Kalorësit Dardanë” është ndër librat e parë që kam lexuar si fëmijë. Kosovën e ka dashur shumë dhe aktivisht. Lëvizjen tonë posaçërisht. Ka ardhur shpesh në Prishtinë. Interesohej vazhdimisht, na këshillonte privatisht e na mbështeste publikisht.
Përmes kujtimeve tona do të rrojë me ne. Përmes librave të tij do të rrojë edhe pas nesh.” / KultPlus.com
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Ministria e Shëndetësisë është duke përgatitur manualin dhe doracakun të situatave për largim të masave, por në mënyrë që mos të ketë rritje të përhapjes së Covid-19.
Sipas Kurtit, me shumë gjasë në fillim të muajit të ardhshëm do të hapen edhe kopshtet e fëmijëve.
“Ka shumë gjasa që në fillim të muajit të ardhshëm do të hapen kopshtet, çerdhet e fëmijëve. Mirëpo tash Ministria e Shëndetësisë është në përgatitje të manualeve, doracakut të situatave të tilla në mënyrë që edhe të bënë largimin e masave. E në anën tjetër gjithashtu të mos kemi ndonjë rritje të infeksioneve. Edhe për xhamitë, kishat të gjitha po përgatiten manuale të tilla në mënyrë që të drejtat që po krijohen për qytetarët, po kthehen për qytetarët, mos të rezultojnë me kthim të infeksioneve”, thotë ai për Kosovapress.
Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur keqardhjen e tij për shembjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë, shkruan KultPlus.
Kurti përmes një postimi në Facebook, ka krahasuar gjendjen e kulturës mes Kosovës dhe Shqipërisë si dhe ka thënë se arkiva e popullit duhet të mbesë e e paprekur.
“Kur ndodhin humbje, ngjarjen sa edhe vetë humbja, e shënon në histori rezistenca”, ka shkruar Kurti ndër të tjera në Facebook.
Këtu keni statusin e plotë:
“Ne duhet të jemi mbrojtësit e çdo cepi të kulturës sonë. Një pjesë e saj na është vjedhur nga pushtuesi serb – 1.200 artefakte kulturore të Kosovës. Një pjesë tjetër na është shtypur e ndrydhur nga diktatura e ideologji, na është sulmuar nga akademitë e fqinjëve, na është shitur e rrënuar prej paditurisë zyrtare a korrupsionit institucional.
Arkiva e një populli, kujtesa e tij, duhet të mbahet e paprekur nga regjimet. Kultura është krijuar nëpër historitë e regjimeve, por në thelb të saj është krijimtaria dhe aderimi i një populli.
Kur shembet një monument kulture, kjo nuk ndodh si pasojë e një gjykimi të pjesshëm, që vjen prej shijes së veçantë të dikujt, por prej interesave të përkohshëm që lidhen me përfitimet e disave.
I përshëndes dhe i mbështes tërë artistët dhe qytetarët e Tiranës që e mbrojtën kaq gjatë Teatrin Kombëtar. Kur ndodhin humbje, ngjarjen sa edhe vetë humbja, e shënon në histori rezistenca. Në rezistencë mësojmë, e meqë nuk i harrojmë ato mësime, ata që sot përfitojnë, nesër humbin, kurse ata që humbin fitojnë”.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se pas 50 dite nga rasti i parë me virusin korona, situata në Kosovë është normalizuar.
Kurti ka falënderuar të gjithë ata që kanë qenë në dispozicion për të menaxhuar situatën, përfshirë mjekët, infermierët, policët.
Postimi i plotë:
Sot janë bërë 50 ditë nga rasti i parë i virusit Corona në Kosovë.
Duke ju falenderuar Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, forcave policore, dhe të gjithë mjekëve, infermierëve, dhe vullnetarëve, gjendja epidemiologjike në Kosovë ka filluar të normalizohet, sidomos për shkak të vënies së masave më të fundit parandaluese të 15 prillit.
Edhe pse më shumë teste janë duke u administruar javët e fundit, gjithnjë e më pak qytetarë po rezultojnë të infektuar me virusin Corona. Kemi më pak raste të infektimeve, më shumë raste të shërimeve, dhe si rezultat, numri i rasteve aktive ka marrë kahje të dëshiruar.
Si gjithnjë, vazhdojmë me kujdes dhe pa panik. Rreziku nuk ka kaluar ende. Por falë bashkëpunimit të të gjithëve, jemi në gjendje që të nisim lehtësimin gradual të masave në fuqi. Ju lumtë! /KultPlus.com
1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.
Kjo ditë iu referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës.
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përmes një statusi në Facebook është shprehur se 1 Maji nuk është thjesht ditë feste e punëtorëve por ditë kur duhet reflektuar mbi të gjitha ditët tjera të punës. Ai tutje papunësinë e sheh si sfidën më të madhe në vendin tonë.
KultPlus ju sjell postimin e plotë të Kurtit.
PËR PUNË, TË DREJTA, E DINJITET
Të dashura punëtore e të dashur punëtor,
Rëndësinë e punës që ju bëni çdo ditë nuk mund ta reduktojmë në një ditë. 1 Maji nuk është thjesht ditë feste e punëtorëve por ditë kur duhet reflektuar mbi të gjitha ditët tjera të punës. Përmes tyre e kuptojmë se kundërthëniet mes kapitalit dhe punës, pronarit dhe punëtorit, nuk kanë përfunduar. Prandaj sot kemi aq shumë sfida të punëtorëve para vetes.
Natyrisht se papunësia është sfida jonë e madhe. E papunësia e madhe është pasojë e qasjes së sistemit ndaj njeriut punëtor. Para luftës kishim shtetin okupator që na dëboi nga vendet e punës. Pas luftës kishim modelin neoliberal që s’na punësoi dot. Ndërkohë, arsimi e ekonomia ecën ndaras, e në hendekun e tyre po rritej rinia e papunë. Ndër pak fushat ku triumfojmë sot në Evropë është ajo e papunësisë më të lartë.
Por as me punësim nuk përfundojnë sfidat e punëtorëve. Puna pa siguri, pa kontratë, pa kontribute pensionale, pa sigurim shëndetësor, e pa të drejta për pushim me pagesë, është më shumë normë se përjashtim. Praktikisht, është marrëdhënie pa virtyt, që e zhvesh punëtorin nga dinjiteti, duke e reduktuar në fuqi të thjeshtë punëtore.
Kjo marrëdhënie duhet dhe do të ndryshojë. Kurse kjo pandemi e ka kthjelltësuar këtë domosdoshmëri. Pa punën e mjekëve e infermierëve, policëve e zjarrfikësve, bukëpjekësve e farmacistëve, pastruesve e shitësve, kapitali i milionerëve nuk ka asnjë vlerë. Pa të, ai as nuk krijohet e as nuk na shpëton nga sëmundja.
Duke e ditur se pasuria krijohet kolektivisht nga ju, por akumulohet individualisht nga pronarët, rishpërndarja bëhet e nevojshme. Ajo është drejtësia sociale që e mban bashkë popullsinë. Pa të, mundësitë e barabarta nga stadi i pabarabartë riprodhojnë pabarazi. E këtë drejtësi nuk e shtyen askush më shumë sesa një Qeveri socialdemokrate.
Me Pakon Fiskale Emergjente jemi siguruar që punëtorët që nuk mund të paguhen nga punëdhënësi të kompensohen nga Qeveria. Dhe, kjo të vlejë edhe për ata punëtorë në ekonominë joformale, por me kushtin që punëdhënësi t’ua sigurojë një kontratë njëvjeçare. Ndërsa për punëtorët që e humbin punën, kemi siguruar një asistencë të përkohshme deri në një zgjidhje më afatgjatë. Pikërisht Pakoja e dytë, ajo për Rimëkëmbje Ekonomike, do të përfshijë një skemë kombëtare të punësimit.
Si aktivist kam qenë gjithnjë pranë jush. Si Kryeministër në detyrë jam pranë jush. Në mbështetje të organizmit sindikal e të respektimit të Ligjit të Punës si mënyra e forma për avancimin e të drejtave tuaja. Duke i shfrytëzuar të gjithë mekanizmat institucionalë për ta rritur punësimin, sigurinë e të drejtat në punë.
Për aq sa shoqëria organizohet rreth ekonomisë e për mirëqenie, përpjekja do të vazhdojë. Për aq sa vazhdon përpjekja, do të jem krah jush. Për punë, të drejta, e dinjitet. / KultPlus.com
Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuat Masakrën e Mejës si dhe gjithë të zhdukurit në luftën e Kosovës, shkruan KultPlus.
“Koha vetëm sa vjen e thellon plagët, venit shpresën dhe rëndon dhimbjen për këta familjarë”, ka shkruar ndër të tjera Kurti në Facebook.
Këtu keni postimin e plotë:
“27 prilli i vitit 1999 ishte i kobshëm për gjithë Kosovën.
Në këtë datë koinçidon edhe masakra e Mejës.
Përvjetori i Masakrës së Mejës ku u vranë e zhdukën 376 shqiptarë, por edhe Dita për Persona të Zhdukur, e shpallur në nderim të viktimave të masakrës së Mejës dhe gjithë të zhdukurve si pasojë e Luftës në Kosovë, na përkujton se kemi edhe shumë plagë të hapura.
Aktualisht, janë edhe 1641 persona të zhdukur. Janë familjet e 1641 personave që vazhdojnë të jetojnë në ankthin e pritjes, 1641 familje vuajtja e të cilave është stërzgjatë për më shumë se dy dekada. Fëmijë, tani të rritur bashkë me pritjen për një përgjigje. Pleq që nuk kanë njohuri për fatin dhe vendndodhjen e trashëgimtarëve të tyre.
Thuhet se koha shëron plagë, por kjo thënie dështon te familjet e të zhdukurve. Koha vetëm sa vjen e thellon plagët, venit shpresën dhe rëndon dhimbjen për këta familjarë.
Nuk është e mundshme të ndërtohet e ardhmja, pa u mbyllur si duhet e kaluara. Kemi obligim që të bëjmë gjithë sa mundemi që t’i prejmë rrugën kësaj drejtësie të munguar, duke e bërë çështjen e të zhdukurve si çështje të parë në dialogun e ardhshëm Kosovë – Serbi.
Sot bëhen 12 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008. Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.
Për këtë ditë, përmes një statusi në Facebook ka shkruar edhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti i cili thekson se Kushtetuta është themel i Republikës vetëm atëherë kur Republika është thelb i Kushtetutës.
Postimi i plotë i Albin Kurtit:
Kushtetuta e shtetit i paraprinë pushtetit, ajo është si dyshemeja ashtu edhe tavani i qeverisjes demokratike dhe i funksionimit e i rregullimit institucional, por Kushtetuta e Republikës së Kosovës lë aq shumë për të dëshiruar, që nga mënyra e hartimit e deri te mangësitë dhe pabarazitë. Kushtetuta është themel i Republikës vetëm atëherë kur Republika është thelb i Kushtetutës.
Megjithëkëtë, kushtetutshmëria është vlerë që duhet respektuar përditë përveçse tekst betimi që shqiptohet një herë. Andaj sot me 9 prill shënojmë ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës në përvjetorin e saj të dymbëdhjetë. Andaj do ta respektojmë aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, që pas 13 prillit masat e ndërmarra kundër shpërndarjes pandemike të COVID-19 të mos bien në kundërshtim me ngrehinën aktuale juridiko-kushtetuese të Republikës sonë. Natyrisht, gjithmonë duke përmbushur obligimin tonë për mbrojtur deri në maksimum jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë, si dhe mirëqenien ekonomike të bizneseve dhe punëtorëve të vendit. / KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllimin e tij për humbjen e aktorës së madhe, Leze Qena, shkruan KultPlus.com
Kryeministri Kurti, përmes një statusi në Facebook ka shprehur vlerësimin e tij për aktivitetin artistik të aktores Qena si dhe njëkohësisht ka shprehur indinjatën për humbjen e saj.
Gjatë gjithë ditës edhe personalitetet tjera nga fusha e kulturës e politikës kanë shprehur ngushëllimet për humbjen e aktores Qena e cila vdiç sot. /KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vazhdimisht është duke bërë thirrje për qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi, e kësaj radhe duket se e ka gjetur një mënyrë tjetër.
Kurti e ka postuar në profilin e tij në instagram, videon e tenorit të mirënjohur, Ramë Lahaj i cili ka bërë thirrje po ashtu që të mos bëhet panik dhe të qëndrojmë në shtëpi, shkruan IndeksOnline.
Po ashtu këtë video Kurti e ka postuar me mbishkrimin “Kujdesi ndaj vetes është kujdesi ndaj të tjerëve. Këtë sfidë e kalojmë duke mos bërë panik e duke qëndruar në shtëpi”.
Kryeministri i Kosovës ditëve të fundit ka publikuar edhe video të figurave të tjera të njohura të cilët kanë bërë thirrje për kujdes, shkaku i koronavirusit. / KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti iu është drejtuar deputetëve, gjatë seancës për ngritjen e vetëdijes së shoqërisë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
“Kanë kaluar
22 vjet. Sot jemi këtu në Kuvendin e Republikës, për të folur për një çështje
që është sa e dhimbshme, po aq tragjike”, ka thënë ai.
“22 vjet
kanë kaluar, por plagët i kemi ende të hapura. Ne nuk mundemi as ta imagjinojmë
dhimbjen dhe tmerrin që kanë përjetuar të mbijetuarit e dhunës seksuale”, ka
shtuar kryeministri Kurti.
Ai e ka
theksuar domosdoshmërinë që kriminelët e luftës të dënohen, raporton Koha.
“Heshtja dhe
mosveprimi e mbrojnë krimin dhe ekzekutuesin e krimit. Gjykatat dhe
prokuroritë tona duhet t’i trajtojnë me seriozitetin maksimal”.
Ai e ka bërë
të ditur se qeveria është e gatshme ta plotësojë çdo kërkesë të prokurorisë për
rritjen e kapaciteteve.
“Jemi të vetëdijshëm për ndarjen e pushteteve. Ju bëj thirrje personave të dhunuar që të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre. Përdhunimet gjatë luftës janë krimet ma të tmerrshme qe kanë ndodhur, por asnjëherë nuk janë diskutuar me Serbinë. Pa ndëshkimin e krimeve të luftës nuk mund te kemi qetësi”, ka thënë ai. / KultPlus.com
Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës nën drejtimin e kryeministrit Albin Kurti.
Në këtë mbledhje është marrë vendim që të ndahen 200 mijë euro për Shqipërinë, në ndihmë nga dëmi i tërmetit të nëntorit të kaluar.
Kryeministri Albin Kurti tha përveç ndihmave të deritanishme do të ndahen edhe mjete financiare.
“Republika e Kosovës do të ndihmojë Shqipërinë për atë fatkeqësi të tmerrshme që ndodhi dhe përveç ndihmës së deritanishme ne do ta shoqërojmë edhe me mjete financiare”.
Ministri i Financave dhe Transfereve, Bisnik Bislimi, ka kërkuar që këto mjete të miratohen.
“Sot kam sjellë para jush për ndarjen e mjeteve financiare me një shumë prej 200 mijë euro”. / KultPlus.com
Ekspozita “Kujtesa e Kosovës: Portrete të Adem Demaçit në pikturë dhe fotografi” u hap sot në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës në bashkëpunim me Shoqatën e të Burgosurve Politikë të Kosovës e organizuan këtë ekspozitë në nder të 84-vjetorit të lindjes së veprimtarit Adem Demaçi.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ishte i pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite dhe duke folur para publikut të shumtë që u mbledh për t’i parë këto portrete, lartësoi figurën e Demaçit si dhe potencoi se i falet atij për rrugëtimin politik.
“Kjo ekspozitë po hapet në nder të përvjetorit të Adem Demaçit, atij më të devotshmit, atdhetarit, liridashësit, intelektualit, patriotit me të cilin jemi të rrethuar në këtë ekspozitë me fotografitë dhe pikturat e tij”, tha ai.
“Baca Adem është një prej veprimtarëve më të mëdhenj që kemi pasur, ai jetën e tij e vendosi në shërbim të shqiptarëve dhe ishte gjithmonë i njëjtë në çdo situatë”.
“Kur nuk kishim shkolla shqiptare Adem Demaçi ishte mësuesi jonë, kur nuk kishim universitet ai ishte intelektuali jonë. Kur ishim të shpërndarë ai na bëri bashkë, e kur harronim ai na rikujtonte, andaj kjo ekspozitë vjen si freskim i kujtesës për të. Baca Adem i kushtoi gjithë jetën e tij idealit të kombit shqiptar, te ai e gjente të vërtetën”, potencoi Kurti.
“Adem Demaçi dinte që populli i shtypur ekziston për aq sa reziston, filloi si gazetar dhe intelektal dhe ai ishte disidenti më emblematik i Evropës Lindore”, potencoi Kurti.
Tutje, Kurti tha se në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës,
Rinisë dhe Sportit do ta botojnë të plotë tërë krijimtarinë e Adem Demaçit.
Edhe Drejtori i rizgjedhur i Bibliotekës Kombëtare Fazli Gajraku u shpreh i lumtur me jetësimin e kësaj ekspozite.
“Është nder i veçantë për Bibliotekën e Kosovës, kjo ekspozitë ku paraqiten portrete dhe fotografitë e intelektualit dhe veprimtarit të shquar Adem Demaçit” tha Gajraku.
Interesimi për këtë ekspozitë ishte mjaft i madh. Adem Demaçi në vitin 2010 mori titullin “Hero i Kosovës” për kontributin e tij. /KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka postuar në llogarinë e tij personale në Instagram, fotografi ku shihet duke ecur në këmbë e duke shijuar pamjen e natyrën, shkruan KultPlus.
“Sot lëviza në këmbë nëpër qytet dhe shkova në zyrë pa makinë. Ambienti është jeta. Prandaj, le ta ruajmë. Sa herë është e mundur duhet ta shmangim lëvizjen me automjet.”, është shprehur ai në mbishkrimin e fotografive. / KultPlus.com